Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare

Shko poshtë

Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare Empty Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jun 20, 2009 11:06 pm


Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare U1_AteShtjefenGjecovi
Atë Shtjefën Gjeçovi
Në 135-vjetorin e lindjes së Atë Shtjefën Gjeçovit


Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare

Mëhilli apo Hili i Vogël, siç e quanin Shtjefën Gjeçovin moshatarët në Janjevë, plot 26 vjet, krahas detyrës së priftit, ia kushtoi edhe arsimit dhe edukimit kombëtar. Në Zym të Hasit Gjeçovin e vranë serbët. Gjeçovi ishte shkrimtar, arkeolog, kodifikues i normave të kanunit, folklorist, poet dhe patriot

Shkruan Frrok KRISTAJ

Studiuesit e jetës dhe veprës së Atë Shtjefën Gjeçovit e kanë konsideruar figurën e tij si njërën ndër më të ndritshmet e më të shquarat e historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Në fakt, Gjeçovi është konsideruar dhe konsiderohet edhe tash, njëra ndër shëmbëlltyrat më të shkëlqyera për t'i ruajtur, rigjallëruar dhe për t'i bërë të pavdekshme visaret popullore që kanë vlera të jashtëzakonshme. Ai - Gjeçovi ishte në radhë të parë prift i ritit françeskan, ishte mësues, arkeolog, mbledhës i palodhshëm i folklorit, krijues letrar, poet, dramaturg, përkthyes, publicist dhe atdhetar i përkushtuar.
Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi - Kryeziu (Janjevë, 12 korrik 1874 - Zym i Hasit, 14 tetor 1929) jo vetëm që jetën e vet ia kushtoi mbledhjes së folklorit, vjeljes së vjetërsive, arkeologjisë e etnografisë, letërsisë, përkthimeve të veprave letrare, sociologjisë familjare, atdhetarisë, por për 33 vjet pune të plota, sa punoi gjatë jetës së vet, 26 sosh ia kushtoi arsimit e edukimit kombëtar. Andaj, ai edhe zë një vend të nderuar edhe në historinë e pedagogjisë shqiptare për idetë pedagogjike që dha në veprimtarinë e shumanshme arsimore e kulturore si prift e mësues.


Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare U1_shtepia
Shtëpia e lindjes së Atë Shtjefën Gjeçovit në vendlindje – në Janjevë
Të hapim shkolla shqipe!


Atë Shtjefën Gjeçovi - Kryeziu gjatë jetës së vet nuk shkroi ndonjë vepër të veçantë pedagogjike, madje nuk i regjistroi as kujtimet e tij si mësues, megjithatë problemet e arsimit dhe të edukimit të popullit shqiptar, në veçanti të brezit të ri, i trajtoi në shumë studime, artikuj, libra e publikime të tjera, që i shkroi e disa prej të cilave edhe i botoi sa ishte gjallë.
Se vërtet do të bëhej arsimues i popullit Mëhilli apo Hili i Vogël, siç e quanin moshatarët e tij Shtjefën Gjeçovin në vendlindje para plot 135 vjetëve kur edhe u lind (Janjevë, 12 korrik 1874), sinjalizoi që në ditën e parë të shugurimit në detyrën e shenjtë të priftit në Zllakuqan (të Klinës), më 25 korrik 1896. Atë ditë, siç thonë edhe Rrok Zojzi e Ruzhdi Mata, autorë të monografive kushtuar Gjeçovit, nuk lejoi t'u bihej kambanave të kishës, siç ishte edhe zakon e rregull kishtar, por lëshoi një kushtrim tjetër në fshat: "TË HAPIM SHKOLLA SHQIPE!" Pas një kohe, në vitin 1897, në këtë fshat me angazhimin e Shtjefën Gjeçovit u hap shkolla shqipe dhe mësues u bë ai vetë. Kështu, ai veproi edhe në vende të tjera, kudo që jetoi e punoi. Gjatë 26 vjetëve, sa ia kushtoi arsimit shqiptar, punoi në 11 shkolla, kurse në pesë vendbanime ku qëndroi, hapi shkollat e para, të cilat funksionuan në kushte shumë të vështira.
Për veprimtari arsimore që e zhvillonte pa lejen e qeverisë së atëhershme Gjeçovit iu tërhoq vërejtja. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër, më 1916, ia dërgoi një shkresë Gjeçovit se "nuk do të shpërblehej për punën e bërë nëpër shkolla" e ai u përgjigj se "nuk shërbej për para e shpërblim, por për ta vleft popullin". Bile, Gjeçovi është themeluesi i bibliotekës shkollore - e hapi bibliotekën e parë shkollore në Shkodër, por edhe i ekskursionit shkollor.


Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare U1_2
Monumenti i Atë Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit
Intelektual i denjë i kulturës kombëtare


Atë Shtjefën Gjeçov - Kryeziu u lind në Janjevë të Kosovës 12 korrik 1874). Mësimet e para i filloi në vendlindje e më pastaj shkollimin e vazhdoi në Troshan të Shkodrës, në Kolegjin Françeskan. Më vonë i vijoi mësimet fetare për teologji e filozofi në Dërventë, në Banja Llukë, Fojnicë, Kreshevë e në Livno të Bosnjës e Hercegovinës, të cilat edhe i kreu me sukses të dalluar. U shugurua meshtar në Zllakuqan të Klinës, kurse shërbeu në Laç, Kurbin, Theth, Prekalë, Vlorë, Zarë (Dalmaci), Livno (Hercegovinë), Gomsiqe, Pejë, Gjakovë, Zym e vende të tjera. U vra nga dora serbe në Zym të Hasit të Thatë, më 14 tetor 1929 dhe u varros në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj afër Zymit të Hasit të Thatë.
Shtjefën Gjeçov - Kryeziu duke qenë intelektual i denjë i kulturës kombëtare shqiptare u mor me shumë veprimtari të preokupimit intelektual e të hulumtimit shkencor. Figura e ndritur e kombit tonë - Shtjefën Gjeçovi, kontribut të çmueshëm dha sidomos në fushën e teologjisë, arsimit, historisë, etnografisë, arkeologjisë, sociologjisë familjare, mbledhjes së folklorit, në krijimtari, përkthime e kështu me radhë. E gjithë kjo dëshmohet me shkrimet e tij të botuara e të pabotuara - në dorëshkrim. Veprat më të rëndësishme të tij janë: "Një argëtim arkeologjik" (1902), "Agimi i gjydetnisë" (1910), "Dashnia e atdheut" (1901), "Jeta e Shën Luçisë" (1904), "Sebast s'Armeni apo n'Arbëni" (1921), "Trashëgime thrrako-iliriane" (1924), "Kanuni i Lekë Dukagjinit" (postmortum, 1933), "Shëlbuesi i botës ase jeta e Jezu Krishtit" (postmortum, 1994), "Shqyptari ndhadhnjyes" (postmortum, 2002) e të tjera.
Bile, për veprën "Kanuni i Lekë Dukagjinit", i botuar pjesë-pjesë në revistën "Hyllui i Dritës" dhe për veprën "Trashëgime thrrako-iliriane", vepra këto që u përkthyen edhe në gjuhën gjermane, Universiteti i Lajpcigut (në Gjermani) Gjeçovin e nderoi me titullin e nderit "Honoris caussa".

Luftoi me penë e me pushkë

Atë Shtjefën Gjeçovi krahas luftës me penë që bënte kundër armikut, si famullitar edhe pse në kundërshtim me normat kishtare, ai rroku edhe pushkën kur e kërkoi nevoja në mbrojtje të atdheut, që e ilustron edhe thënia e tij: "atdheu është mbi të gjitha edhe mbi jetërat!". Kurdo herë që e kërkoi puna ai e vëri pushkën dhe krapërkrah me luftëtarët shqiptarë u fut në flakën e luftës. Luftoi në Vlorë, por edh në viset tjera etnike shqiptare.
Njëherësh, Gjeçovi bashkë me bashkëkohës të tij organizuan Kuvendin e Bajrakut në Kurbin, Kongresin e Lushnjës, Luftën e Vlorës e kështu me radhë, por edhe pas ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Vlorë, Gjeçovi ngriti Flamurin Kombëtar në Kalanë e Dejës.
Duke shpalosur figurën e Atë Shtjefën Gjeçovit, shpalosim aspekte të identitetit tonë kombëtar dhe rrënjët e thella të kulturës sonë, që po ashtu përkujton kapitujt më tragjik e më krenarë të historisë sonë.
Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare U1_3
Atë Gjergj Fishta: Shtjefën Gjeçovi (grafikë)
Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare U1_4
Kolë Idromeno: Atë Shtjefën Gjeçovi (1929), vaj
Frrok Kristaj: Shtjefën Gjeçovi, Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare U1_5
Monumenti i Atë Shtjefën Gjeçovit në
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi