Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Robelli: Autostrada dhe gomari

Shko poshtë

Enver Robelli: Autostrada dhe gomari Empty Enver Robelli: Autostrada dhe gomari

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jul 06, 2009 10:27 am

Enver Robelli: Autostrada dhe gomari U1_EnverRobelliAutostrada dhe gomari

Nga Enver Robelli

Me ndërtimin e autostradës nga Durrësi deri në kufirin me Kosovën rajoni i varfër i Kukësit dhe Shqipëria e Veriut për herë të parë nxirren nga izolimi

Në Kukës gjithçka mund të mungojë, por respekti për Amerikën jo. Është e vetëkuptueshme që njëri ndër hotelet më të frekuentuara të qytezës quhet “Amerika“ dhe i përngjan një parku me lule plastike. Hoteli ka një ashensor që duket modern dhe i cili funksionon vetëm nëse mbi pullat me numrat e kateve vendosni kartën që shërben edhe si çelës për të hapur dhomën – tek atëherë ashensori do të niset. Shpesh edhe nuk niset, një dreq e di pse. Sidoqoftë mysafirëve duket se u pëlqen qëndrimi në hotel “Amerika“. Interneti punon pa ndërprerje dhe me shpejtësi, kështu që jo vetëm turistët amerikanë të armatosur me telefonat e tyre BlackBerry mund të kyçen në Facebook dhe t’u tregojnë familjarëve të tyre matanë Atlantikut se gjenden diku larg („Mom, i’m in Albania!“). Para dhjetë vjetësh hotel „Amerika“ ka qenë strehë emergjente për shumë gazetarë, të cilët raportonin për eksodin e refugjatëve kosovarë të përndjekur nga forcat serbe. Shumë shqiptarë të Kosovës në atë kohë për herë të parë takoheshin me bashkëkombësit e tyre matanë kufirit. Kukësi dhe rrethina i përngjanin trevave të shkreta të hënës, jo pak kosovarë edhe sot këtë lokalitet e quajnë „Ku-ku“ dhe jo Kukës. Ky rajon ishte lënë pas dore nga regjimi komunist, i cili dominohej prej politikanëve të jugut të Shqipërisë.

Në sytë e tyre veriu ishte i dyshimtë, sepse pothuaj nuk kishte luftuar kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, sepse nuk e kishte përqafuar ideologjinë komuniste, sepse nuk pranonte të shlyhej kultura dhe historia e krijuar nga intelektualët në veri të Shqipërisë, me Shkodrën si qendër. Kur u rrëzua diktatura, mijëra shqiptarë veriorë u vërsulën drejt Tiranës, ndërtuan kasolle në periferi e në qendër të kryeqytetit, liria absolute u shndërrua në keqpërdorim absolut. Ishte një lloj hakmarrjeje ndaj terrorit komunist dhe përbuzjes. Një hakmarrje në kohë të gabuar dhe me pasoja fatale. Jo vetëm për shkak të këtyre sjelljeve shqiptarët veriorë nga qytetarët e Tiranës, jo pak prej tyre po ashtu ardhacakë nga jugu, filluan të etiketohen si “çeçenë“. Me këtë sinonim synohej të tregohej prapambeturia e tyre. Që nga viti 1991, pra që kur në Shqipëri, siç thuhet, “fitoi demokracia“, Kukësi dhe rrethina nuk kanë përfituar pothuaj asgjë. Banorët shpesh e tregojnë një legjendë, sipas të cilës njëherë në këtë rajon kishte ardhur një dreq për të jetuar. Ditë e net kishte kërkuar një vend për të ndrequr folenë, kishte shikuar malet e errëta dhe gropat e thella, gurët e thepisur dhe kodrat e larta. Në fund kishte hequr dorë, ishte larguar, sepse edhe dreqit ky vend i ishte dukur i shkëputur nga bota.

Ngjashëm mund të kenë menduar edhe banorët e Kukësit gjatë jetës së tyre të vështirë. Këtu lart, mes maleve të Shqipërisë së Veriut, jetojnë vetëm ata që s’kanë pasur nga t’ia mbajnë dhe me kalimin e viteve janë pajtuar me fatin e tyre jo aq buzëqeshës. Gati asnjë mësues nuk dëshiron të japë mësim në Kukës dhe fshatrat përreth, po ashtu edhe korpusi policor i Kukësit është i përgjysmuar, sepse askush nuk dëshiron të vijë këtu për të punuar e jetuar. Të rinjtë ëndërrojnë një vend pune në Greqi apo Itali, ose edhe më larg, në Zvicër e Gjermani, si shumë bashkëvendës të tyre, të cilët me paratë që i fitojnë në mërgim i mbajnë familjet e mbetura këtu. Kukësit mbi të gjitha i ka munguar një rrugë, një udhë e shpejtë që e lidh këtë rajon me pjesën tjetër të vendit. Në kohën e komunizmit udhëtimi me autobusë për në Tiranë zgjaste gati dhjetë orë. Në Kukës tregojnë se si në këta autobusë shpesh vdisnin gra shtatzëna, të cilat niseshin për vizita mjekësore ose për të lindur në Tiranë.

Këto tregime tani përfundimisht do t’i takojnë të kaluarës, asaj të kaluare, për të cilën përgjegjës është diktatori Enver Hoxha dhe ndihmëskasapët e tij, disa prej të cilëve janë ende gjallë dhe paturpësisht e mbrojnë regjimin që i poshtëroi, i mposhti, i shpërfytyroi shqiptarët. Shenjat e ndryshimit shihen që në hyrje të Kukësit. Viadukte dhe ura, e mbi to disa punëtorë maqedonas që në lartësi duken si miza; firma maqedonase “Granit“ është kontraktuar nga Qeveria e Shqipërisë për ndërtimin e segmentit të autostradës nga kufiri i Kosovës deri afër tunelit të Kalimashit. Këtu e tutje, përmes maleve e kodrave të çara të Mirditës, deri në Milot përgjegjës për ndërtimin e rrugës janë firma amerikane “Bechtel” dhe ajo turke “Enka”. Ky është terreni më i vështirë. Është dashur të ndërtohen 29 ura dhe viadukte si dhe tuneli i Kalimashit i gjatë 5,6 kilometra për të bërë të pamundshmen të mundshme: shkurtimin e kohës së udhëtimit prej Kukësit në Tiranë prej 6, 7 ose 8 orëve (varësisht nga kushtet atmosferike) në vetëm dy orë. Pak para Kalimashit gjendet kampi i punëtorëve të konsorciumit “Bechtel” & “Enka”. Këtu ushqehen dhe flenë mbi 500 punëtorë, kryesisht turq, amerikanë dhe kroatë. Të gjithë ushqehen në kuzhinën e kampit. Në hyrje të tunelit të Kalimashit secili vizitor pajiset me një numër, një pllakë e hekurit. Në rast të ndonjë aksidenti fatal ekipet shpëtuese mund t’i identifikojnë viktimat përmes këtyre numrave. Derisa njëri tunel tashmë është hapur, në tjetrin po punohet me ngulm. Brenda në tunel makina të shumta e gjejnë rrugën e tyre nëpër pluhurin infernal, për fat të mirë deri më sot në kantiere nuk ka pasur asnjë viktimë. Prej 3.500 punëtorëve mbi dy të tretat janë shqiptarë, kryesisht nga Kukësi dhe Mirëdita, njerëz që ndoshta për herë të parë në jetën e tyre punojnë me rrogë. Një punëtor me tesha të pluhrosura thotë: “Ky është çlirimi i vërtetë i Kukësit, rruga, rruga, superstrada është shpëtimi ynë“.

Është fushatë zgjedhore dhe në këtë ditë qershori është vështirë të takosh zyrtarët e Kukësit. Megjithatë, pak para mesnatës kryetari i Bashkisë, Hasan Halilaj, gjen kohë për të biseduar. Në zyrën e tij opulente ai thotë se tani e tutje Kukësi do të jetë kryeqyteti i shqiptarëve. Duket që e këtë e ka me gjithë mend, kur thotë: “Dy orë deri në Tiranë, dy orë deri në Prishtinë, dy orë deri në Shkup. Kukësi po bëhet qendër rajonale“. Nuk mungojnë as krahasimet e mëdha. “Shikoni rreth e rrotull. Kukësi dhe rrethina kanë natyrë të mahnitshme, liqene, lumenj. Si në Zvicër. Vetëm rruga na ka munguar“, thotë Halilaj, i cili është anëtar i Partisë Demokratike. Edhe retorika e tij është krejtësisht partiake. Nëse ndokush e pyet Halilajn se pse në ditën e hapjes së tunelit nga kryeministri Sali Berisha dhe ai kosovar Hashim Thaçi nuk ishte i ftuar asnjë politikan i Partisë Socialiste, ta zëmë Pandeli Majko, Halilaj e gjen shpëtimin në cinizëm: “Ne nuk e kemi ndërmend ta prishim rrugën e vjetër. Atë do t’ua lëmë socialistëve“. Përtej polarizimieve politike argumenton Sokol Kolgjini, një biznesmen lokal, i cili shet kompjuterë, coca-cola dhe instalon lidhje interneti në Kukës. Ai thotë se me ndërtimin e rrugës mund të gjallërohet ekonomia, sepse tani nuk duhet humbur aq shumë kohë për të sjellë mall nga porti i Durrësit. Po ashtu edhe bujqit e Kukësit tani më lehtë mund plasojnë prodhimet e tyre në tregjet e qyteteve shqiptare. Mbi të gjitha në Kukës mbretëron shpresa se autostrada do të ndikojë në ndërprerjen e shpopullimit të rajonit. Madje disa shpresojnë se jo pak shqiptarë veriorë, të cilët jetojnë në Tiranë, tani së paku për fundjavë do të kthehen në vendlindje, “në ajër të pastër“, siç thotë Kolgjini.

Për ndërtimin e kësaj rruge shteti shqiptar është fundosur thellë në borxhe. Jo të gjithë janë të entuziazmuar me këtë investim të shtrenjtë, mbase mbi një miliard euro. Shpenzimet e sakta nuk dihen ende, sepse rruga ende nuk ka përfunduar, me gjithë përshtypjen që e krijoi Berisha me ceremonitë e tij inauguruese parazgjedhore. Barra financiare për shtetin shqiptar është e madhe. Ndaj këtyre kritikave Berisha është përgjigjur: “Po të jetë nevoja do të shesim edhe stolitë e grave dhe këtë rrugë do ta ndërtojmë“. Si çdo investim i madh edhe projekti i rrugës që tani e ka lidhur Shqipërinë Veriore dhe Kosovën me Tiranën dhe detin Adriatik është shoqëruar me akuza për korrupsion. Të gjithë kritikët Berisha, me zërin e tij të ngjirur dhe shpesh irritues, përpiqet t’i mbështesë për muri me akuzën se nuk ia duan të mirën kombit, se janë madje “shqiptarofobë“. Kështu ky projekt i rëndësishëm është bërë pjesë e debateve polarizuese shqiptare, të cilat e mbajnë peng Shqipërinë prej vitesh. Stuhia e sulmeve të Berishës ka ndikuar që edhe opozita e majtë të kundërsulmojë në mënyrë irracionale, duke njoftuar se me paratë e harxhuara për rrugën do të mund të ndërtoheshin shkolla. - Sa i përket rëndësisë që ka kjo rrugë për Kosovën këtu duhet kujtuar një deklaratë të politikanit serb, Vuk Drashkoviq. Para shpalljes së pavarësisë, kur Drashkoviq ende ishte ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, ai ishte kërcënuar se nëse shkëputet Kosova, atëherë Beogradi do të bllokojë të gjitha rrugët dhe shqiptarët e Kosovën vetëm me gomar mund të shkojnë në Shqipëri. Sot mund të themi që kjo ka qenë një fyerje e rëndë që Drashkoviq ia ka bërë kësaj kafshe aq të urtë dhe aq këmbëngulëse.

robelli@bluewin.ch
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi