Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë”

Shko poshtë

Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” Empty Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë”

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 13, 2009 12:36 am

Presidenti Obama me “bluzë të bardhë”


Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” U1_Isufi-Alfredi
Prof. Dr. Isuf Kalo dhe Alfred Papuçiu

Para lexuesve të “Zemrës Shqiptare” po paraqesim sonte, në mënyrë ekskluzive, refleksionet e shkëlqyera, të një Profesori të nderuar shqiptar, si Isuf Kalo, i cili për mbi një dekadë ka qënë funksionar i lartë ndërkombëtar , me cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Cilësisë së Mjekimit, në Zyrën Europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në Kopenhagë. Me qindra studime të tijat, analitike, që përmbajnë jo vetëm postulata për sistemet shëndetësore në Europë, por edhe për lidhjen e tyre me politikën, ekonominë, problemet sociale, të të drejtave të njeriut, ndodhen në analet dhe botimet jo vetëm të OBSH-së, por edhe gjetkë. Së fundi, si rezultat i shkëmbimeve të shkrimeve tona, pasi prof.dr. Isuf Kalo më dërgoi refleksionet e mëposhtme, i entuziazmuar, i propozova që ato të përfshihen fillimisht tek “Zemra Shqiptare” e cila është një tribunë e bukur dhe e arrirë për shqiptarët në Diasporë, por edhe për bashkëkombasit në Atdhe. Ai pranoi me kënaqësi, dhe me sygjerimin tim, stafi i Zemrës Shqiptare, me drejtorin e saj Gëzim Markun, kanë nderin t’u paraqesin sonte këto refleksione. Unë s’ka nevojë t’u bëj shumë komente, por mund t’u them me bindje, nga njohja ime shumëvjeçare qysh në vitet 90-të, kur Isuf Kalo erdhi në Gjenevë dhe ishte tepër i respektuar qysh atëhere, nga profesorë të nderuar si Jean-Philippe Assal dhe drejtori rajonal i atëhershëm i OBSH, Aswal, ai është një personalitet jo vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe si analist i aftë, për të treguar rrugët që duhet të ndjekë edhe Kombi ynë i vogël. Jo më kot, ministri i Shëndetësisë i Kosovës e ka si këshilltar dhe krahun e djathtë të tij. Prof. Isufi me këtë analizë të guximëshme dhe të qartë jep mesazhin se “Amerika është Amerikë dhe Shqipëria, Shqipëri”, por thekson në fund: “Disa mesazhe mund të marrin vlerë universale”. Edhe njëherë faleminderit, prof. i nderuar Isufi, mik i shqiptarëve të thjeshtë, apo i intelektualëve, i mijra e mijra pacientëve, që të kujtojnë me respekt, përfshirë edhe personin tim, por edhe atyre dhjetra e dhjetra kolegëve dhe profesorë të huaj, që të kanë pranuar dhe të pranojnë në “vatrën e tyre”.


Alfred Papuçiu, Crans- Montana, 11 gusht 2009



Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” U1_IsufKaloPresidenti Obama me “bluzë të bardhë”

(Refleksione për një reformë plot sfida)

Nga Prof. Dr. Isuf Kalo

Shumë pak qenë ata që besuan se ato që ai tha për shëndetësinë gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale, nuk ishin retorikë elektorale, as “business as usual”. Barak Obama dëshmoi se ishte i ndërgjegjshëm, i bindur dhe i vendosur për ato që thoshte.

Fill pasi hyri në Shtëpinë e Bardhe, ai krijoi precedent dhe lajm, kur si prioritet , si “kalë beteje” të qeverisjes së tij, shpalli pikërisht shëndetësinë, këtë fushë të anashkaluar me vetëdashje nga presidentët e tjerë, ( gjoja e “pa vlerë”) por në të vërtetë, ndofta pse i trembeshin asaj, si “fushë plot rreziqe”.
Presidenti i ri me fjalë të pakta, të shkoqitura, i përcolli popullit amerikan dy mesazhe historike:

Së pari: se asgjë nuk ishte më parësore, më e rëndësishme dhe më urgjente për të si president , se sa mirëqenia shëndetësore e çdo qytetari të vendit të tij , e familjes së tyre, cilido qofshin ata.

Së dyti: se populli dhe kombi amerikan që të jenë të fortë e të zhvilluar, duhet të kenë shëndet të mirë. Asnjë objektiv e progres nuk do të mund të arrihet e të sigurohet në vendin më të fuqishëm të sotëm të botës, në asnjë fushë , sektor apo sistem të tij (përfshirë edhe ekonominë), pa siguruar më së pari shëndet të plotë për popullatën, pa përmirësuar dhe reformuar rrënjësisht sistemin e sotëm amerikan të shëndetësisë.

Habia e parë

Këto dy mesazhe për shumë amerikanë qenë disi befasuese. Për herë të parë, ata ftoheshin të hiqnin sytë nga qiejt, kozmosi, nga sfidat e udhëtimit në Hënë, “luftërat yjeve” apo përballja me rreziqet globale gjithë tokësore; e që i sollën SHBA-së lavdi, famë e prestigj (por edhe viktima e barrë shpenzimesh të rënda) për t’i rikthyer më në fund tek vetvetja, tek shëndeti e mirëqenia e gjithësecilit, tek jeta e përditshme , përballimi i saj prej njerëzve të thjeshtë, familjeve të tyre e komunitetit.

(Në të vërtetë aty e nga ato zënë fill, burojnë dhe shumohen (ose pengohen) pastaj të gjitha të mirat e tjera, që ngjizin e lartësojnë prosperitetin, dhe prestigjin e një kombi.)

Jo vetëm vënia e gishtit tek shëndetësia , por dhe vendosmëria jo e zakontë për të kaluar menjëherë në veprim dhe sidomos guximi për të injektuar nga buxheti shtetit në 10 vitet ardhshme plot 634 Miliard Dollarë, për reformimin dhe përmirësimin cilësor të sistemit shëndetësor amerikan, lanë ndofta gojë hapur shumë njerëz në SHBA dhe gjetkë.
Dhe natyrisht komentet nuk vonuan: mbështetëse, entuziaste, euforike por edhe hezituese, dyshime, shqetësime, xhelozi e kundërvënie. A e ka peshuar mirë presidenti i ri çfarë po ndërmerr? A i ka llogaritur implikimet dhe pasojat? Është ky novacion i mirëfilltë apo një populizëm i ri? Çfarë e shtyu për të: evidencat, faktet apo thjesht dëshirat, emocionet e qëllimet e mira të tij?

Pesha e pargjykimeve

Dyshimet lidhen me faktin që shëndetësia historikisht kudo në botë ka qenë jo e preferuar, për politikanët. Ata zakonisht nga mosnjohja, kanë patur për të nënvleftësim, por jo rrallë i janë shmangur asaj (herë me diplomaci, herë me vrazhdësi) edhe nga frika. Në perceptimet, e opinionet e tyre, ngjyra rozë e humanizmit e altruizmit dhe ajo simbolike e bardhë e saj janë dominuar nga ngjyrat më të errëta të paragjykimeve. Ja disa prej tyre:
“Shëndetësia është fushë mjergullore pa trasparencë, me shumë të papritura e të panjohura. Jo shpërblyese. Sukseset në të arrihen me vështirësi, ngadalë, dhe harrohen shpejt. Përkundrazi dështimet e gabimet përjetohen si gjëma katastrofike dhe mbahen mend për gjithnjë”.

“Makutëria financiare e shëndetësisë është e pangopshme. Vetëm kërkon para e nuk sjell. Investimet sado të mëdha i përpin pa lënë gjurmë si uji në rërë”.

“Shëndetësia është terren i vështirë. Tepër komplekse, pretencioze. E padepërtueshme brenda saj dhe e pamundur për t’u administruar dhe kontrolluar nga jashtë”.

Këtyre paraqykimeve u shtohen edhe disa përvoja zhgënjyese. Tentativa sporadike të mëparshme për ta reformuar rrënjësisht, kanë patur rezultate jo inkurajuese. Një e tillë ishte reforma e propozuar nga Hillari Klinton, gjatë presidencës së Klintonit, të cilën kundershtuesit arritën ta bllokonin, në vitin 1994, para se ajo të vendosej.
Të njëjtën gjë shpresojnë sot opozitarët e Obamës: “stopimin e “OBAMA CARE” dhe shndërimin, e reformës së re shëndetësore në Vaterlo të tij”.

Përkundrazi, dashamirësit e tij të shumtë pyesin të shqetësuar: Pse vajti e zgjodhi vetë një sfidë të vështirë me kaq rreziqe? Sikur e shtyu djalli….!

Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” U1_obama
“Djalli” brenda shëndetësisë?

-Ashtu është. -pohoi së fundi një nga bashkëpuntorët e tij në këtë reformë – E shtyu vërtetë “djalli”.
Shëndetësia nuk është vetëm ëngjëll jetë shpëtues. Ka edhe ajo brenda saj diçka prej tij. “Djalli” është e keqja ose më saktë të këqijat që ndër dekada me radhë qenë krijuar dhe grumbulluar brenda shëndetësisë amerikane e po e asfiksonin. Por jo vetëm brenda saj.

Obama, ndonëse jo mjek, diagostikoi saktë që shëndetësia amerikane është e sëmurë. Madje e sëmurë rëndë. Dhe se ajo po sëmur e po fundos keqas edhe ekonomine amerikane. Dhe po bllokon ritmet e progresit të gjithë vendit. Prandaj presidenti i ri, para uniformës së astronautëve, e asaj ngjyrë kaki të ushtrisë preferoi “bluzën e bardhë” të shëndetësisë. Është presidenti i parë që “vesh bluzë të bardhë”. Jo që të mjekojë me të pacientët e sëmurë. Por që të shërojë sistemin shëndetësor të vendit të tij. Ai e ndjeu këtë të nevojshme dhe imperative .Prandaj ja nisi menjëherë. “Nuk mund të presim, nuk duhet të presim dhe nuk do të presim” -tha qartas ai.

Të hidhura por të vërteta

Qartësinë dhe vendosmërinë atij ja diktuan faktet. Ato thonë se SHBA shpenzon sot për shëndetësinë 2.2 Trilion Dollarë në vit, mesatarisht 8,000 dollarë për person, ose 18% të GDP, shifër kjo 2-4 herë më e lartë se e vendeve të tjera të zhvilluara, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Me ritmin e tanishëm ato priten që në vitin 2018 të bëhen 4.3 Trilion ose 20% të GDP. Si do të mund t’i përballojë?

Një familje mesatare, e siguruar për shëndetësinë nga punëdhënësi paguan veç kësaj direkt nga xhepi për shërbime mjekësore edhe 16,700 dollarë të tjerë në vit , ose 28% të buxhetit mujor.
Sistemi amerikan tradicionalisht është i bazuar në siguracionin shëndetësor, i cili në këtë vend zbatohet disi ndryshe nga modeli klasik i Bismarkut. Ai nuk është as i modelit “universal” , i cili zbatohet në disa vende Europiane dhe në Kanada, i bazuar në solidaritetin, taksimin e detyrushëm dhe grumbullimin e fondeve për shpenzime shëndetësore në “një xhep “dhe blerës të vetëm (shteti).

Përkundrazi, siguracioni këtu është i shumëllojshëm ; publik, privat, ose direkt nga punëdhënësi dhe zgjidhet sipas rastit e preferencës, nga vetë qytetarët. Mbi 45 milionë punonjës të rritur janë të siguruar nga “Medicare”, e cila funksionon me kontributet e punonjësve, të punëdhënësit dhe fonde nga Shteti. Kurse personat pa të ardhura të mjaftueshme e të papunët, fëmijët e disa invalidë mbulohen nga “Medicaid”, i financuar kryesisht nga Shteti. Një program i posaçëm ekziston për kujdesin shëndetësor të fëmijëve. Së fundi, një program specifik siguracioni është propozuar për të aftësuar të moshuarit , të vetë kujdesen për shëndetin e tyre në shtëpi. Ndërkohë shërbimi i urgjencës shëndetësore i ofrohet pa përjashtim të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë të siguruar ose jo.

Një numër jo i vogël amerikanësh sigurohen vetë ose nga punëdhënësi në agjensi private sigurimi. Numuri i këtyre është me mijëra .“Medicare” u krijua në vitin 1965 nga presidenti Lyndon Johnson. Ishte menduar të vetë financohej me anë të kontributeve të punonjësve. Mirëpo në analizën e bërë pas 25 vjetësh, në vitin 1990 rezultoi se ai shpenzimet i kish tejkaluar në masën 800%. Defiçiti tij po rritet nga viti në vit e pritet të arrijë në vitin 2017 në 37 trilion dollarë. Primuset e kontributeve për sigurim janë rritur progresivisht me shpejtësi në qiell. Një numër i madh qytetarësh, sidomos ata që humbasin punën e ndërpresin siguracionin sepse nuk e përballojnë dot. Rreth 46 milion amerikanë janë sot pa siguracion shëndetësor. Kurse 14,000 persona e humbasin çdo ditë atë për shkak të papunësisë. Mbetja jashtë kujdesit shëndetësor i ekspozon ata në rreziqe e sëmundje më të shpeshta, më të rënda e të komplikuara; çka krijon më pas Bumerang sepse i kushton shumë më tepër shoqërisë. Sipas Akademisë Mjekësore ,SHBA është i vetmi mes vendeve të pasura që nuk mbulon me siguracion shëndetësor të gjithë qytetarët e tij.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” Empty Re: Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë”

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 13, 2009 12:40 am

Dhe disa paradokse

Paradoksi më shqetësues është ai që “amerikanët ndonëse paguajnë gjithnjë e më shumë për shëndetësinë, marrin prej saj gjithnjë e më pak kujdes dhe me cilësi jo të mirë. “Ajo është si makinë moderne nga jashtë, por me motor të prishur që djeg shumë karburant dhe lëviz pak.

Pavarësisht progresit impresionues teknologjik, shkëlqimit në veprimtarinë kërkimore shkencore (ka numrin më të madh të nobelistëve), pavarësisht nga aftësitë e larta profesionale dhe nga paraja e derdhur lumë në të, sistemi shëndetësor amerikan në tërësi rezulton çuditërisht pa produktivitetin, performancën dhe cilësinë e pritur. Një pjesë e madhe e resurseve të disponueshme e të dhëna, keqpërdoren, rrjedhin e humbasin pa efekt prej keq menaxhimit dhe “të praktikës së keqe mjekësore (astronomic medical malpractise). Instituti Amerikan i Mjekësisë e pati vetë denoncuar që në vitin 1999 këtë paradoks të mospërputhjes, midis mundësive dhe arritjeve të shëndetësisë, me dokumetin e famshëm “Hendeku i madh”. Sipas raportit të Commonwelth Fund në vitin 2008 SHBA, e krahasuar me 19 vende të tjera të zhvilluara rezulton e fundit për cilësinë e kujdesit shëndetësor. Ajo në vitin 2000 e krahasuar me 191 vende të botës është listuar e 37 nga OBSH për këtë dhe e 41-ta në listën e vendeve me mortalitet të ulët infantil.

Sipas Glyn, Ash dhe Adam, në vitin 2003 vetëm 54.9% e amerikanëve morën kujdes shëndetësor korrekt me mënyrën e cilësinë e përshtatshme. Mbi 1/3 e të sëmurëve të shtruar në spitale detyrohen të rishtrohen në mënyrë të paplanifikuar, për shkak të kujdesit në to, jo të mirë. Më shumë se 50% e tyre tregojnë se pas daljes nga spitali nuk i ka kontrolluar asnjë mjek. Vetëm “Medicare” pagoi në vitin 2004 për rishtrimet e paplanifikuara 17.4 miliardë dollarë më tepër. Edhe “Medicaid” 2/3 e buxhetit të saj e shpenzon në azile, ku shërben vetëm 1 milion personave, ndërkohë që 10 milion amerikanë të moshuar kanë nevojë për shërbim shëndetësor në shtëpi. Ata do të jenë 15 milion në vitin 2020 dhe 26 milion në vitin 2030.

Ndërkohë kujdesi shëndetësor vuan nga rreziqe e mangësi të sigurisë dhe gabimet e shumta mjekësore që në vend ta kurojnë e dëmtojnë të sëmurin. Në vitin 2000, shoqata amerikane e spitaleve informoi se, çdo vit humbin jetën në to nga gabime të evitueshme rreth 100.000 pacientë. Spitalet sipas kësaj rezultojnë më vrastarë se rruga, me aksidentet automobilistike.
Rendja pas konsumerizmit dhe e fitimeve manipulative e koruptive, në kurriz të pacientëve, si nga ana e profesionistëve të mjekësisë, firmave farmaceutike dhe nga ana e agjensive të siguracioneve e kanë bërë paranë drejtuese të sistemit. Në vend që ajo të ishte mjet i fuqishëm ndihmës për arritjen e objektivave fisnike të shëndetësisë, paraja fatkeqësisht është bërë dominuese dhe “intoksikuese” e saj. Marzhi i fitimit të pastër nga spitalet, mjekët, siguracionet, ekzaminimet, medikamentet varion nga 25-30% të kostos totale të shëndetësisë. Çka përbën një dilemë etike.

Duhet thënë se rritjen e pandalshme të shpenzimeve shëndetësore e diktojnë edhe faktorë objektivë të pashmangëshëm, siç janë moshimi progresiv popullatës (të moshuarit janë superkonsumues të shërbimeve dhe medikamenteve) dhe bio-teknologjia, aparaturat e medikamentet e reja, për të cilat SHBA është në pararojë. Ato sjellin zgjidhje të munguara të disa problemeve shëndetësore; por si të gjitha novacionet kanë kosto gjithnjë e më të shtrenjtë. Janë të nevojshme vërtetë e në ndonjë rast të domosdoshme, por çështja është sa e si do përballohen më tej financiarisht?
Ja pse presidenti Obama vuri gishtin mbi shëndetësinë dhe i tha “stop” degradimit të mëtejshëm të gjendjes dhe “tani o kurrë” reformimit të saj.

Problem i madh -reformë e madhe

Reforma e propozuar prej tij synon 3 objektiva të mëdha:

- së pari, larjen e menjëherëshme të njollës së trashëguar nga e kaluara, pra mbulimin me sigurim shëndetësor të 17% të popullatës ,që ishin deri tash të braktisur .

- së dyti korrigjimin e anomalive ekzistuese në sistemit shëndetësor të tanishëm, lidhur me funksionimin, kosto-eficiencën dhe cilësinë e sigurinë e kujdesit ;

- dhe së treti projektimin e veprimative parandaluese, për mos përsëritjen ose minimizimin e rreziqeve potenciale shëndetësore në të ardhmen.

Me roba lluksoze firmato, ndërsa këmbët të zhveshura, zbathur

Në çështjen e mbulimit të shpenzimeve, siguracionit, shëndetësia amerikane dukej si një damë mondane që ecën krenare, veshur me gëzof e rroba firmato, super lluksoze, në kokë e trup, por me këmbët të lëna pambrojtura, zbathur . Ndërsa 5% e popullatës amerikane përdor 50% të shpenzimeve totale të sistemit shëndetësor të vendit, një segment prej 17% e popullatës janë lënë krejt të përjashtuar prej tij.

Mbulimi me siguracion shëndetësor efektiv, të përballueshëm dhe fleksibël, për të gjithë amerikanët, që e kanë humbur ose janë pa të, përfaqëson në reformën Obama jo vetëm një detyrim moral për këtë njollë turpi të vjetër të shoqërisë amerikane, por dhe një imperativë ekonomike. Në vitin 2003, kosto e mjekimit të këtij kontigjenti, në shërbimet e urgjencës, prej gjendjes shëndetësore të rënduar ishte 37 miliardë dollarë.
Prandaj një agjensi shtetërore e re (National Health Insurance Exchange) do ngrihet që t’u ofrojë personave të mësipërm mbështetje financiare për siguracionin shëndetësor, në një nga agjensitë publike a private, që ata do e zgjedhin vetë. Kjo kërkon një financim qeveritar paraprak 50-65 miliardë dollarë në vit, të cilin Obama është shprehur i gatshëm ta injektojë menjëherë e pa hezitim.

Diçka të tillë pati synuar edhe Hillari Klinton në projekt reformën e saj të viteve ’90, me një shumë më të madhe, por në formë siguracioni të detyruar. Obama ndryshe prej saj respekton dëshirën tradicionale të amerikanëve për ta zgjedhur ata vetë agjensinë e siguracionit .Vizioni i Obamës ndryshon rrënjësisht edhe nga ai i ish rivalit të tij republikan McCain, i cili zgjidhjen e problemit të siguracionit e shikonte sipas parimeve të “kapitalizmit të ashpër”, si çështje individuale të secilit, ku nuk duhej ndërhyrje e shtetit, as investim financiar paraprak. “Siguracioni të lihet të bëhet së pari i përballueshëm, pastaj të shtrihet gradualisht” –thoshte ai. Ai besonte se gjithshka do rregullohej vetvetiu nga tregu i lirë “vibrant” –me disa mekanizma rregullatorë të taksimit. Përkundrazi reforma Obama thotë – së pari të sigurohen menjëherë ata që janë lënë jashtë mbulimit (çka ul, diluon koston mesatare të sigurimit) dhe kjo e bën vetvetiu më pas atë të përballueshme.

Mbi 7 milionë amerikanë të rritur dhe 4 milionë fëmijë deri tani pa siguracion priten të përfshihen në skemat e sigurimit, brenda vitit të ardhshëm. Shteti do ndërhyjë edhe më anë të “ri-sigurimit”, pra në marrjen përsipër të disa supershpenzimeve që kanë agjensitë e siguracionit, lidhur me gjendje shëndetësore specifike tepër të kushtushme që përbëjnë katastrofa finaciare, nëse do t’ju lihen t’i përballojnë vetë individët e familjet. Kjo do bëjë të ulet kuota e kontributeve për siguracionin në këto agjesi. Por agjensitë e siguracionit dhe punëdhënësit do vihen para mekanizmave të reja rregullatore që nuk lejojnë abuzimin me rritjen artificialisht të kuotës së kontributeve dhe çmimeve, ose diskriminimin, përjashtimin e qyetarëve nga skema e mbulimit për shkak të sëmundshmërisë së tyre. Prindërit po kështu, do detyrohen ligjërisht t’i sigurojnë fëmijët. Shteti do stimulojë përdorimin më të gjerë të medikamenteve xhenerike, shumë më të lira se ato me patentë, dhe kompanitë farmaceutike do shesin me gjysëm çmimi medikamentet për të moshuarit. Futja në tregun e siguracioneve edhe të një agjensie publike shtetërore vendos një ekulibër të ri të konkurencës në të, që synon t’i japë fund arrogancës monopolizuese të disa ekzistuese prej tyre ndaj qytetarëve. Kritikuesit i quajnë këto masa “socialiste” e të “qeverisë së madhe”. Të tjerë mbrojtës i quajnë përkundrazi “rivendosje të së drejtës, etikës, barazisë, të racionalitetit” dhe qeverisjen e quajnë të “përgjegjshmërisë së madhe”.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” Empty Re: Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë”

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 13, 2009 12:41 am

Melodia magjepëse e cilësisë

Objektivi i dytë i reformës është modernizmi i sistemit shëndetësor të sotëm amerikan. Fjala është jo thjesht për modernizim teknologjik por për modernizim konceptual, funksional dhe regulator të tij.
Nëse objektivi i parë do t’i rikthejë nderin moral shoqërisë amerikane, i dyti synon të rivendosë prestigjin profesional e shkencor dhe funksionalitetin dhe produktivitetin e duhur sistemit shëndetësor të saj.
Shifrat e dhëna më lart tregojnë që sistemi shëndetësor i sotëm amerikan është në ethe, disi kaotik dhe i pa përmbajtshëm në rendjen pas fitimit e i pa kontrollushëm në mënyrën e ofrimit të kujdesit.

Ai përveçse i padrejtë, i pabarabartë është jo cilësor. Reforma synon të rikonstruktojë “motorikën” dhe mekanizmat funksional të tij. Fjalët kyç të saj janë: “standarde, cilësi, performancë, efektivitet, siguri, sistem i ri i kompjuterizuar informacioni, barazi e të drejta për të sëmurët e qytetarët, kujdes e veprimtari e bazuar në Evidencë dhe fakte shkencore, krahasim dhe identifikim të praktikës më të mirë mjekësore, e shpërndarje e saj, skema të reja pagese stimuluese të cilësisë për spitalet, kujdesin parësor, atë në shtëpi dhe të vetë personelit mjekësor; të bazuara jo më si deri tani vetëm në sasinë e volumin e punës, procedurave e ekzaminimeve por në radhë të parë në bazë të performancës, cilësisë dhe kosto-efektivitetit të institucionit e të personelit. Fuqizim dhe mbështetje kërkimeve shkencore për zbulime të reja dhe zgjidhje të problemeve e enigmave që vazhdojne tu krijojnë amerikanëve vuajtje shëndetësore.”

Synimi është i dyfishtë:” të mbyllen vrimat “nga ku paraja e shëndetësisë rrjedh e humbet kot, apo abuzohet pa efekt dhe njëkohësisht t’u ofrohet qyetarëve kujdes shëndetësor cilësor, në përputhje me standardet e praktikës më të mirë. Synon pra të pakësojë dhe të shmangë praktikat e gabuara, por nuk kufizon gamën apo procedurat e kujdesit, nëse ato janë të domosdoshme e të vlefshme shëndetësisht për pacientët.
Obama ofron 50 miliardë dollarë për të kompjuterizuar plotësisht brenda 5 viteve sistemin shëndetësor, çka do të ketë implikime positive për të mundësuar matjet e krahasimin e rezultateve, performancës dhe cilësisë dhe në reduktimin e disa praktikave jo të frutshme, të sotme.

Kurse 1.1 miliardë dollarë do jepen për ngritjen e funksionimin e një Institut të ri të posaçëm, i cili shihet si element kyç për cilësinë dhe performancës. Ai do bëjë matje, krahasimin dhe do furnizojë sistemin me fakte dhe evidencë shkencore më të saktë, çka do mundësojë të formulohen, në bazë të tyre, udhërrëfyes të praktikës mjekësore kosto-efektive , e cilësisht më të mirë. Në reformë parashikohen masa të reja rregullatore e ligjore, bashkëpunim i ngushtë me departamentin e drejtësisë dhe e palëve të interesuara për luftën pa kompromis të abuzimeve, mashtrimeve dhe korrupsionit. Marrëdhëniet mes shtetit e shëndetësisë, të cilat deri tani kanë qenë të tipit mirëbesues “jep e mos pyet” , tani e tutje do jenë “jep, por kërko e kontrollo”. Nga kjo pritet t’i kursehen shëndetësisë amerikane në 10 vjet 12 trilion dollarë dhe çdo amerikani 25 mijë dollarë në vit.

Të gjitha këto tingëllojnë si muzikë, si melodi e pabesueshme të jenë shqiptuar e artikuluar nga presidenti i vendit më të fuqishëm në botë. E megjithatë kanë qenë shumë të pritura, me shpresë e ogur mirëkuptimi, jo vetëm nga shëndetësia shqiptare, e veçanërisht Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit shëndetësor; por edhe nga gjithë lëvizja masive bashkohore e cilësisë e sigurisë shëndetësore në botë.

Dritare shprese për të ardhmen

Obama nuk është i pari që vëren se problemet financiare që përballon sot shëndetësia, janë pasojë e një shpërfillje sistematike nga ana e saj, dhe politik-bërësve të mundësive parandaluese që në zanafillë, që në burim të mjaft të këqijave, dështimeve dhe shpenzimeve të evitushme. E njëjta gjë ka ndodhur me qytetarët, lidhur me stilin e tyre të jetës, të cilët fatkeqësisht me vullnet për shkak të mangësive edukative e kulturore vazhdojnë të zgjedhin shpesh ato që rrezikojnë dhe dëmtojnë shëndetin. Komercializimi, konsumerizmi dhe subjektivizmi e rendja pas fitimit e kanë mbërthyer e zënë rob shëndetësinë, në kështjellat dignostikuse e mjekuese, në vend të krijoheshin hapësira që të merrej më së pari gjerësisht me profilaksinë. Për herë të parë, amerikanët konstatojnë tani me hidhërim se të rinjtë e sotëm të tyre kanë shëndet më të keq se brezi parardhës. Reforma Obama e vë prevencionin, si një nga tre shtyllat kryesore të saj. E vë theksin tek mirëqënia e stili i jetës, tek kushtet e shëndetshme të punës e ushqimit të qytetarëve, sidomos të fëmijëve. Dhe tek depistimi, parandalimi e menaxhimi efektiv i sëmundjeve kronike. Dhe është hera e parë edhe që do investohen për këto 1 miliardë dollarë!

Duhet thënë se nismat e prevencionit shëndetësor janë “të dëgjuara” edhe më parë, në projekte specifike, për një ose një numur faktorësh rreziku. Por me pak sukses ne zbatim, Shpresa për sukses, këtë herë lidhet jo vetëm me lidershipin e qeverisë në zbatimin e tyre, por edhe sepse ajo përbën rrugëdaljen e vetme të shpëtimit të sistemit shëndetësor nga kolapsi financiar në të ardhmen. Dhe kjo jo vetëm për Amerikën.

Amerika është Amerikë dhe Shqipëria, Shqipëri

Nuk ka arsye, ngjasa dhe as joshje të kopjohet ose të imitohet reforma Obama në shëndetësinë shqiptare. Por disa mesazhe prej saj ndoshta mund të marrin vlerë universale e të shihen me interes edhe në kontekstin tonë. Disa prej tyre mendoj se janë:

-Obama po ndërmerr “reformë” dhe jo një “reformëz”. Jo fragmente, çikëza e pikëza. Ndërhyrja e tij është holistike, e kordinuar në disa plane, është sistemore.

-Ajo nuk bëhet për lluks, as për propagandë; por sepse është ndjerë si nevojë imperative, morale dhe ekonomike

-Bie në sy roli vendimtar i lidershipit, qartësia, guximi e sidomos vullneti e përgjegjshmëria. Të kesh e të dish, me sa duket nuk është e mjaftueshme. Duhet më së pari të duash.

-Ish drejtoresha e OBSH, Brutland pati qartësuar se “përgjegjësia kryesore e gjendjes së shëndetësisë së një vendi i duhet kërkuar qeverisë së tij”. Reforma rivendos rolin e deritanishëm të mefshtë të shtetit, jo vetëm për ta udhëhequr politikisht shëndetësinë, por dhe për të vënë aktivisht rregulla, kontroll dhe dorë mbi lajthitjet, shpërdorimet për interesa të ngushta të palëve që operojnë në të, në dëm të shëndetit të popullatës. Dhe për të mbajtur përgjegjësitë për to.

-Reforma u bë ndoshta jo rastësisht , në fillim të mandatit qeverisës, çka minimizon implikimet elektorale që mund të sjellin palët e prekura e të pakënaqura me të.

-Hapësira e veprimit është e gjerë e shtrihet në 10 vjet, çka dëshmon se një reformë serioze nuk është një arrnim i shpejtë. Që të ketë qëndrushmëri ajo do kohën e vet që të fermentojë. Nuk duhet projektuar as zbatuar nxitimthi, si një “Quick fix”.

-Disa nga nismat, si ajo e kompjuterizimit të plotë, standartizimit, matjes së performancës, përmirësim i cilësisë, sigurisë nuk janë origjinale. Ato po i zhvillon prej vitesh edhe tregu shëndetësor. Por pa shumë sukses. Inkorporimi i tyre në një strategji të tillë shtetërore ka shumë shanse t’i përshpejtojë së tepërmi implementimin e suksesshëm të tyre.
-Bie në sy trasparenca dhe kërkimi i konsensusit në një spektër të gjerë me dialog të hapur së pari me qytetarët, pacientët, me opozitën, me profesionistët, siguracionet, akedemikët e gjithë palët e tjera të interesuara. Nëse është i vërtetë pretendimi i dr. David Schneiner, mjekut personal të Obamës (i pakënaqur me reformën), që preferenca e Obamës ka qenë së pari për sistemin universal të modelit anglez, por ka hequr dorë, për hir kompromisi me siguracionet, duket që ai ka mësuar shumë nga pësimi i Klintonit. Një gjë është e sigurtë. Pas arritjes së konsensusit reforma Obama nuk do jetë më e tij, e as vetëm e demokratëve, por e gjithë SHBA-së.

-Pavarësisht se quhet shëndetësore, në reformë vërehen të mpleksur komponentë ekonomikë, sociologjikë, etikë, legjislativë, të të drejtave, çka dëshmon se shëndetësia nuk perceptohet më si domen (zotërim, apo fushë) i ngushtë i “bluzave të bardha”, shoqatave apo katedrave të tyre, as vetëm i dikasterit që merret direkt me të, por si një hapësirë me dimensione shumë më të gjera ku interferojnë një mori faktorësh , që implikojnë ndjeshëm, të sotmen dhe të ardhmen e një vendi.
Obama veshi bluzën e bardhë.! Pastë fat. Sa gjatë vallë do ta preferojë atë???
Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” U1_Prof2
Prof. Isuf Kalo me bashkëshorten Desi dhe dy mbesat Athena dhe Deborah
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë” Empty Re: Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë”

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi