Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Berisha: Do ti kthejmë eshtrat e Zogut

Shko poshtë

Berisha: Do ti kthejmë eshtrat e Zogut Empty Berisha: Do ti kthejmë eshtrat e Zogut

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 09, 2009 10:21 pm

Berisha: Do ti kthejmë eshtrat e Zogut

Bota sot, Tiranë
Kryeministri Sali Berisha, vazhdon rehabilitim e mbretit që u largua nga Shqipëria në vitin 1939 kur nisi Lufta e Dytë Botërore. Familja e Zogut u kthye në atdhe pas viteve '90-ta.


Berisha: Do ti kthejmë eshtrat e Zogut _--fotokonf
Berisha në konferencë për shtyp

TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se do të kthehen në Shqipëri eshtrat e mbretit Ahmet Zogu, që prehen në Francë. Ai u shpreh në një konferencë për shtyp se "Qeveria shqiptare ka ngritur një komision shtetëror për kthimin në Shqipëri të eshtrave të mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat moderne dhe anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore". Kryeministri vazhdon rehabilitim e mbretit që u largua nga Shqipëria në vitin 1939 kur nisi Lufta e Dytë Botërore. Familja e Zogut u kthye në atdhe pas viteve '90-ës.
Deklarata e plotë e kryeministrit Berisha
Jam sot para jush për të njoftuar opinionin se qeveria shqiptare do të krijojë një komision qeveritar shtetëror për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat modern, Zogut I dhe anëtarëve të familjes mbretërore.

Qeveria shqiptare merr këtë vendim, duke njohur Ahmet Zogun Kryeministër, President dhe më vonë, Mbret i shqiptarëve, si arkitektin e shtetit modern shqiptar, si njërin prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar. Vitet para se Ahmet Zogu të zgjidhej Kryeministër, President dhe më pas të kurorëzohej Mbret i shqiptarëve, janë karakterizuar nga një veprimtari e madhe, e gjithanshme, patriotike, e zjarrtë e tij, që nga pavarësia deri në momentin e zgjedhjes së tij si Kryeministër e më pas si President i vendit. Ahmet Zogu bëri që Shqipëria, e cila pas pavarësisë, për shkak të ambicieve antishqiptare të fqinjëve, por edhe absurditeteve të qëndrimit të drejtuesve lokalë të asaj kohe, po përjetonte një kaos, në doktrinën se si e si ky vend të faktonte që nuk mund të bëhej shtet. Madhëria e tij Zogu I, me përpjekje të mëdha, krijoi fillimisht Republikën e më pas, Mbretërinë, në të cilën në tërësi liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, liria e pronës, liria e besimit, liria e udhëtimit dhe liritë e tjera, u respektuan dhe u garantuan me ligj. U ndërtuan të gjitha institucionet shtetërore, në përputhje dhe në kuadër të një monarkie konstitucionaliste. Ahmet Zogu, pas pushtimit të vendit, u largua në ekzil, për të vazhduar luftën për çlirimin e Shqipërisë. Gjatë gjithë Luftës së II Botërore, nga Londra ku ishin të mërguar të gjitha oborret e pushtuara nga fuqitë e boshtit, ai mbështeti fuqishëm lëvizjen çlirimtare të kombit shqiptar, u përfaqësua në këtë luftë nga tribunë popullorë si Abaz Kupi dhe luftëtarë të tjerë të mëdhenj të lirisë. Në mënyrën më antishqiptare, Kongresi i Përmetit, aleatin e aleatëve në Luftën II Botërore, Mbretin Zog, e ndaloi të rikthehej në Shqipëri dhe nisi një sagë të pafundme shpifjesh, trillimesh, falsifikimesh ndaj tij.

Pas luftës, ai vazhdoi gjithë përpjekjet për lirinë e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë. Vitet e fundit të jetës, Mbreti Zog i kaloi në mërgim, në Francë, i ftuar nga Presidenti i Francës, Gjenerali Charles de Gaulle, për kontributin dhe përpjekjet e tij në Luftën II Botërore për lirinë e kombit të tij. Mbreti prehet në varrezën e tij, rreth 15-20 km nga kryeqyteti i Francës, ndërkohë që familja mbretërore ka pasur varrezën e vet në kryeqytetin e vendit. Familja Mbretërore, Mbreti dhe Mbretëresha, anëtarë të tjerë të familjes, do të rikthehen të pushojnë për jetë në varrezën e tyre dhe do të nderohen gjithnjë nga shqiptarët. Ky është njoftimi im për opinionin publik.

Pyetje; Krahas Mbretit Zog, ne kemi edhe figura të tjera të cilat kanë kontribuar po aq shumë për vendin tonë si Noli, Konica, etj. A do jenë pjesë e punës së këtij komisioni, apo do ndiqen nga ndonjë komision analog?

Kryeministri Berisha: Pyetja është shumë e drejtë. Së pari, Mbreti është Mbreti, autoriteti suprem shtetëror i vendit. Ky proces do të ketë të gjithë nderimet dhe kujdesin shtetëror që i takon Mbretit të parë të shqiptarëve në kohërat moderne. Qeveria ime do të bëjë të gjitha përpjekjet që personalitetet e mëdha të kombit të prehen në vendin e tyre. Ne kemi filluar negociatat dhe po negociojmë me qeverinë e Indisë dhe do t’i intensifikojmë gjatë këtij viti këto negociata, në mënyrë që, po të jetë e mundur, në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, të rikthejmë eshtrat e saj dhe ajo të prehet në Shqipëri.
Ju theksuat Nolin dhe Konicën, dy burra të mëdhenj të kombit. Në vitet ’90, qeveria ime solli eshtrat e poetit, shkrimtarit, diplomatit, atdhetarit të shquar Faik Konica dhe ai prehet, së bashku me vëllezërit Frashëri, në kodrat e Liqenit. Por ju keni të drejtë, nuk janë sjellë në vend eshtrat e Nolit. Këtu sërish ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe do të diskutojmë me përfaqësuesit tanë të diasporës. Por, ka edhe një problem, si primat i Kishës Ortodokse shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Noli frymëzoi dhe frymëzon diasporën shqiptare në atdhetarinë e saj, në dashurinë e saj të pakufishme ndaj Shqipërisë. Ndaj dhe Kisha shqiptare e Bostonit e ka Nolin realisht si shenjtorin e saj të pa shpallur. Por qeveria shqiptare do të nisë përpjekjet për të kthyer në Shqipëri burrin e madh të Kombit, Mit’hat Frashërin dhe personalitete të tjera.
Pra, në rast se Mbreti Zogu i Parë do të ketë një protokoll e ceremoni të denjë për kryetarin e shtetit dhe mbretin, edhe personalitete të tjera do të gëzojnë dhe do të kenë të gjitha nderimet e këtij vendi dhe ata duhet të rikthehen në Shqipëri, në panteonin e kombit të tyre.

Zoti Berisha, a do ta ngrini komisionin hetimor për opozitën, duke marrë parasysh kërkesën më konkrete të saj për hapjen e kutive të votimit, për të cilën do t’ju drejtohet nesër nga sheshi përballë kryeministrisë?

Kryeministri Berisha: Jam përcaktuar dhe përcaktohem të bëj, absolutisht, çdo lëshim që nuk cenon ligjet e vendit, por, në qofte se bëjmë kompromise për t’i vënë kazmën shtetit ligjor, është gjëja më e rëndë që mund të bëj. Ajo çka unë kam ofruar dhe ofroj që për të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në raport, ftoj opozitën të vijë në Kuvend të ketë shumicë në komision dhe të përcaktojë frymën dhe germën e tyre, në ligje. Unë kam qenë dhe jam gjithnjë i vendosur t’i njoh opozitës të drejtën e vendimmarrjes për problemet zgjedhore. Unë mendoj se si pozita, ashtu edhe opozita duhet të kenë të qartë se me gjithë fuqinë e madhe të pushtetit që ato kanë, nuk kanë fuqi gjyqësore. Por, meqenëse ma shtroni këtë, ajo për të cilën e ftoj zotin Rama është sa vijon: politika bën ligje për të reformuar pushtetit gjyqësor, por më tutje nuk shkon. Ai që shkon më tutje është vetë sistemi i drejtësisë. Ndaj, të shkojë në prokurori, t’i paraqesë të gjitha çështjet atje dhe prokuroria ka tagrin të marrë të gjitha vendimet e duhura. Të gjejë të gjitha argumentet, çështjet që t’i paraqesë prokurorisë dhe prokuroria qoftë ajo e rretheve, qoftë ajo e përgjithshme ka tagrin e plotë të urdhërimit, të hetimit, të shqyrtimit të çështjeve. Në qoftë se ne dalim jashtë sistemit gjyqësor, unë e garantoj zotin Rama se ky është interesi më i keq i çdo qytetari shqiptar, çdo force politike dhe i kujtdo. Ndërsa për çështjet e tjera, unë them se nuk është problem, ne jemi gati t’i japim shumicën, ia japim 10 herë shumicën, pasi nuk e kemi problem këtë. Ligji thotë se ai që paraqet kërkesën ka kryetarin. Ne i lëmë shumicën, madje ia paraqesim ne kërkesën, por jo për të thyer vendimin e gjykatave. Unë nuk kam kompleks se do të ketë shumicën. Kjo është jashtë çdo arsyeje. Problemi është se kemi një vendim gjykate dhe ky vendim atakohet vetëm në rrugë drejtësie, të paraqesë në prokurori hetimin për një, dy, tre apo katër çështje që zoti Rama mund t’i ketë.

Zoti Berisha, si e shikoni të ardhmen e këtij komunikimi në distancë mes mazhorancës dhe opozitës, duke pasur parasysh që opozita do të shkojë deri në bojkot të zgjedhjeve lokale?

Kryeministri Berisha: Kjo që thoni është e drejtë. Unë nuk përjashtoj asnjë formë komunikimi me askënd. Është normale që forcat politike të kenë kanalet e komunikimit dhe unë them se janë kanalet, nuk është se nuk ekzistojnë mundësitë dhe kanalet për të komunikuar. Kjo nuk ka asnjë paragjykim. Por opozita proteston dhe mund të protestojë se Shqipëria është vend i lirë. Unë besoj se nuk ka zgjedhur rrugën, por unë nuk jam udhëheqësi i opozitës, është ky i fundit që e ka përcaktuar këtë, por të paraqitësh kushte, të cilat dihet se janë të pazbatueshme dhe dëmtojnë thellë vendin. Unë gjykoj se interesi i opozitës, në mendimin tim më të mirë, është që të japë kontributin e vet në këto kohëra, për proceset e mëdha që janë para shqiptarëve, veçanërisht ai për lëvizjen e lirë. Duhet të mendojë shumë, shumë mirë se shansi është shans dhe ai është historik, nuk të jepet dy herë mundësia për të kontribuar për lëvizjen e lirë. Kjo mundësi të jepet një herë dhe duhet të jesh aty. Pavarësisht se mund të ngrejë pikëpyetje, unë kam bindjen se kjo nuk do të jetë një pengesë, kur nuk ka një bazë ligjore. Atëherë merr pjesë në një proces, ku edhe t’i jep një kontribut në të, si edhe në procesin tjetër, të vendimeve për statusin e kandidatit. Është realisht kohë historike. Shqiptarët kanë pritur shekuj për të lëvizur të lirë në Europë, tani janë në prag të saj. Me protesta mendon se do të bindë Europën? Kjo nuk është gjë e mirë, Mund të protestosh, por kur nuk ke një bazë ligjore... Unë jam i bindur se vendimet do të merren në favor të shqiptarëve. Nuk ke pse ngre pikëpyetje, nëse e meritojnë apo jo shqiptarët lëvizjen e lirë, por bëhu pjesëtar në këtë proces.

Zoti Berisha, a mos ndoshta po i jepni një zgjidhje pa zgjidhje opozitës, kur i sugjeroni t’i drejtohet prokurorisë, pasi për të shkuar në prokurori duhet një kallëzim penal. Ndaj kujt do të bëhet kallëzimi penal? Vendimi i gjykatës për zgjedhjet është përfundimtar, siç shkruhet në Kodin Zgjedhor. Atëherë kush duhet të hetohet?

Kryeministri Berisha: Në interpretimin tim, nuk po i jap një zgjidhje pa zgjidhje, sepse prokuroria nuk është një organ që varet nga gjykata. Prokuroria varet nga ligji dhe sa herë një qytetar apo subjekt politik, në rastin konkret, paraqet fakte dhe argumente, prokuroria mbi bazën e ligjit është e detyruar të hapë hetimin. Ndaj kujt? Nuk e di. Është kryetari i opozitës që deklaron se ka mashtrime në numërim, në një kohë kur watchdog-u ndërkombëtar me bmi 500 vëzhgues dhe 5 mijë vëzhgues të tjerë shqiptarë thonë se nuk ka të dhëna për manipulim në rezultate apo numërim të parregullt. Nëse Zoti Rama i ka, le ta thotë, të shkojë t’ia paraqesë në prokurori. Nuk ka zgjidhje tjetër. Është jashtëzakonisht e rrezikshme për vendin çdo zgjidhje tjetër. Unë dhe zoti Rama kemi shumë në dorë për të bërë, listat e partive, për të bërë fushatën, për të emëruar funksionarët e partive, kur je në qeveri për të emëruar ministrat etj. etj., por nuk kemi absolutisht në dorë të shqyrtojmë kurrë ndonjëherë vendimet e gjykatave. Ka prokurori dhe kjo është një gjë shumë normale. Nëse akuzat i ka të substancuara t’i paraqesë.

Megjithatë unë jam sot, këtu për mbretin dhe familjen mbretërore, për një moment të veçantë historik, ku bëhet një korrigjim shumë i rëndësishëm i historisë kombëtare, merr fund një qëndrim i pamerituar ndaj një personaliteti që realisht themeloi, ndërtoi shtetin modern shqiptar.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi