Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga Gentjan Banaj

Shko poshtë

Cikël poetik nga Gentjan Banaj Empty Cikël poetik nga Gentjan Banaj

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 13, 2009 3:05 am

Cikël poetik nga Gentjan Banaj U1gentjanbanaj1

Gentjan Banaj

Lindur ne 10.06.1974, ne Fier.
Kryen studimet e larta per Letersi ne 1994-1998, ne Universitetin Luigj Gurakuqi, Shkoder.
Kryen studimet per Bio-Kimi ne vitet 2003-2007, ne Universitetin Eqerem Cabej, Gjirokaster.
Punon si mesues ne shkollen e mesme.
Aktualisht, Drejtues i Radio Jug, dhe drejtues i emisionit "Nje mengjes ne Radio-Jug" dhe "Fjala Poetike".
Merr pjese si aktor ne Show Tv, ne Tv lokale dhe trupen e Teatrit Bylis.
Boton ne 1998 vellimin e pare poetik, "Parajse Ne....."
Ne 2008 vellimin poetik "Ikona te thyera".

Aktualisht, punon per prozen, tregime dhe skica, si dhe romanin "I Humburi".

______________

Kritika letrare, per vellimin poetik "Ikona te thyera"

PËRPJEKJE SIZIFIANE PËR DALJE NGA NATA

Cikël poetik nga Gentjan Banaj U1111111Duke u nisur nga fakti se gjithçka çka shkruhet në vargje nuk është poezi, sidomos tash kur shijet dhe kërkesat për të bukurën janë të atij niveli sa nuk mund t’i kënaq gjithkush e me gjithçka, jam tejet i lumtur që nëpër duar kam një dorëshkrim të Gentjan Banajt.
Duhet thënë, që në fillim, se ajo që e veçon poezinë e Gentjan Banajt, përveç tjerash, është mbizotërimi i mendimit mbi ndjenjën, prandaj poezinë e tij, me disa përjashtime, do ta quaja poezi filozofike. Pra, thënë ndryshe, në këtë përmbledhje me poezi hetohet një përpjekje sizifiane e autorit për të dalë nga nata dhe për t’u futur hullive të pafundme të dritës. Prandaj, i zhytur në ankthin e ëndrrës së agimtë, që përpëlitet diku labirinteve të thella të natës, Gentjan Banaj, me maturinë e një urtaku, rrugëton andej nga duhet të jetë drita, si një Krisht i kohëve tona, gjithherë me ndjenjën e vetëflijimit në shpirt, për t’i shpëtuar të gjithë ata që përherë e më shumë po i përpin terri, sado që është plotësisht i vetëdijshëm se kjo rrugë nuk është aspak e lehtë, për shkak se:

Koka është veshur me mbrëmje
Metafora të frikshme
Pushtojnë trojet pa tapi të trurit

Mesnata, si thellësia më fatale e territ, sado që zbardh agimi, ende e mban në ankth poetin.

Zbardhi mëngjesi
Mesnata më ka ngecur në fyt
Si një lëmsh trishtimi

Ngase: ...dhe nata varros diçka.

Herë – herë, duket sikur poeti bie në fatalizëm dhe sikur jetën e sheh me pesimizëm të skajshëm.

Është ag, por prapë errësirë

Apo; Si në shtratin e kuq të netëve pa ag.

Mirëpo, nuk është ashtu. Përballë ndrydhjeve, thinjave, territ, perëndimit, fletëve të verdha, vyshkjeve, shkretëtirave, vajeve, klithmave, vdekjeve, varreve, zhgënjimeve, lotëve, dhembjeve, urisë, lypësve, lakut.... poeti e vë kurban veten e tij, ngase tabani ku e ndërton ai jetën e ëndërrtë për të gjithë njerëzit është dashuria, është lumturia, është e njerëzishmja...
Përndryshe, ky edhe është misioni i vërtetë i krijuesit, kështu që:

Me kupa metaforash
Dehen poetët

Me kupën e drunjtë të gjakut
Me kupën e qelqtë të lotit

Në këtë kohë të pakohë, kur, fatkeqësisht, mbi gërmadhat e të njerëzishmes po i ngre ngadalë e pahetueshëm muret përditshmëria çorientuese dhe po rëndon me krejt peshën e vet mospërfillëse mbi vlerat shpirtërore, ky zë i ëmbël e melankolik njëkohësisht, që më vjen andej nga Myzeqeja e Muzave, më duket si një klithmë në shkretëtirë, që kërkon një pikë ujë kthjellimi për t’i ujitur ëndrrat e veta që po i vdesin diku xhunglave të harresës.

Sabit IDRIZI
_____________

Aspak i lehtë rrugëtimi nëpër këtë përditshmëri të përhirtë, e cila ia thith ngjyrën çdo gjëje të bukur. Është me fat ai i cili bart “mallkimin” e muzave dhe rrugëton me dashurinë. Pa dyshim, në këtë rrugëtim Genti nuk është nga udhëtarët fatkëqij që bredhin përditshmërisht rrugëve të vetëkënaqësisë boshe.

Gani Baliu
_____________

Poezia e Gentjan Banaj është ehograma tipike e një shpirti të thellë e të ndjerë poetik, kulmet e së cilës godasin me revoltë vlerat e civilizimeve absurde .
Vetë esenca kuptimore e kësaj poezie, vjen si fluks i vrullshëm mediativ, plot versione dramatike dhe intuitë të moderuar.
Kontraste të mugëta dhe befasuese, iluzione rinore dhe amshim. Përmes artit dhe kulturës së vet të kthjellët dëshmon edhe stadin e dhimbshëm të transformimit të këtyre vlerave në ikona të thyera.

Nuri PLAKU
_____________
Poezia e Gentjanit është piskama e trishtuar rebele eseniniane
prej nivelit më të thellë e të vërtetë shpirtëror që konteston realitetin e vrazhdë, por pranverohet para dashurisë.

Vladimir MARKU
____________

KITARA

Një tel këputet
Kitaristi shpohet në sy
Nota vdes, gjysmë kitarist
Gjysmë varr kitara.

KOHA

Qëndroj ballë pergamenit të kalbur
Një molë e bluan pa të keq me tik-tak.

Hieroglifet heshtin nën gri harrimi…,
Në lëkurën time mbijnë nga pak

Koha shkel mbi kufoma dhe eshtra
Duke thënë me vete një postulat modern.

Qëndroj ballë testamentit si kohë që shkoj
Rrotullimi rreth boshtit shkon dhe vjen.

Avujt e frymës vizatojnë një ëndërr
Deri sa bie si gërmë mbi pergamen .

Mola kompozon në tretjen e tik-takut
Gërmat rriten si bimë të përflakura.

Koha na përdor, apo ne kohën tonë
Harxhojmë me kupa uji të përgjakura!?

VITE DHE ËNDRRA

Në kohën e tij të pakohë
Im atë si kollë e thatë.
Koha luan me fije vitesh,
Rudhave të thella bëhet plakë.

Silueta laget me vishnje qielli
Në sfond të kuq, skuq si prush,
Në sy digjen vite dhe ëndrra
Rinia që s`u jetua me vdekje e mbush.

FËMIJË TË LAGJES SIME

Luanin të qeshur ata fëmijë
Vraponin
Në rrugicën e ngushtë të shtëpisë time të vjetër.

Ishte më e gjerë kjo rrugicë dhe
S`kishte kufij me mure të larta sa ditët e fëmijërisë time.

Këta fëmijë vrapojnë mbi një karrocë bebesh.

Atje është dhe buzëqeshja jote e dlirë dashuria ime
dhe s`kishte kufij dhe mure
të gjerë sa humbja dhe ndarja jonë.

Ç`kam një dëshirë ti shtyj të gjithë këta djem
Me një klithmë trumcaku mbi këtë lojë
Të mbetur si relike e fjalëve të tua
Kur unë me pantallona të shkurtra pasditesh
Dëgjoja qeshjen dhe thirrjen tënde..”shoku im, shoku im”,

Por kam frikë se do ta vras lojën
Me shpatullat prej burri
E duart e mbushura me lot nga malli për ty.

S`kishte gardhe dhe kufij midis shtëpive.

Në muret e ronitur të shtëpisë së vjetër
Me një gurëz pragu e kam gdhendur emrin tënd
Dhe aromën tënde në këtë kopsht të vogël ëndrrash
E kam ruajtur
Dhe përqafimin tënd
Kur ti rrije si një verore në qafën time.

Dhe s`kishte mure fëmijëria....
Të larta sa ky shtat i trishtë burri.

Ja dhe dera ku është shkruajtur dita e fundit.

Tani është harruar, bashkë me fjalët e gjyshes
“mos e hap atë derë bir…të ikën fëmijëria, birooo”.

Por ika unë prej asaj dere dhe sërish nuk guxoj ta prek
…se ikin këta fëmijë që vrapojnë
ikën dhe ti
dhe fjalët e tua
“shoku im....shoku im”
e bëhem sërish ky trishtim,
I gjerë sa mungesa jote,
I lartë sa ky mur që nuk më lë të të shoh .

Po kalbet kjo derë,
Ndoshta nga lotët
Dhe ca nga flokët e tu të verdhë
Kanë mbetur si ditët tona
Në të çarat e saj.

Dhe e shkruaj përsëri emrin tënd dhe emrin tim
Në një gur të djegur......
….e nuk rritem kurrë për ty,
Moj shtëpiza ime e vjetër !

FJALORI PA ËNGJËLL……..

Një fëmijë qan buzë një rruge
Manteli i një hijeje e mbulon me gri,
pa zë, ë-ja e fëminore i fshihet buzëve
në fjalorin e heshtur të lotëve të tij.

Krahët e njomë me asgjë ka veshur
Kryqëzon në shpirt fëmijërinë e ëmbël
Tek ë-ja të nesërmen kyç parreshtur
Me çelësin e ri të fjalës zhgjëndërr.

Një fëmijë qan si Ëngjëll pa Ëndërr.

PERSE?

Foshnjat
Të çdo kombësie
Qajnë të gjithë njësoj.
Loti alfabet i njëjtë
Të qeshurat pandryshim…
Përse, pra
Kufij, luftra
Puthim si gjarpërinj!?

LAKU I KARAFILTË

Nëna
Tespijet kalon një nga një.

Lexon në to ditët
Dhe në lak i zë
Në xhufkën e karafiltë.

Një ylber psherëtime
Me lak karafili lë.

I shikon sërish vitet
Në rrudha shikimi humb.

I peshon rënkimi në duart e rreshkura
E më të rënda i bën
Plumb.

Ajo hesht
Zemra në lak të thinjave
Karafil dhimbjeje e pagëzon
Me lot nëne
Varur në nyje, në pritje gjithmonë.

Unë
Pyes thinjat e heshtura
Në tik-takun e kokrrave brënda këtij laku të rëndë;
Ajo dhemb,
Dhemb...
Sa dhimbje ndjen një nënë ?

VITE DHE ËNDRRA

Në kohën e tij të pakohë
Im atë si kollë e thatë.
Koha luan me fije vitesh,
Rudhave të thella bëhet plakë.

Silueta laget me vishnje qielli
Në sfond të kuq, skuq si prush,
Në sy digjen vite dhe ëndrra
Rinia që s`u jetua me vdekje e mbush.

SHPIRT I GRISUR

Vinte vala me rënkime
Tokës, diç` i thoshte deti
Këmisha si fat i grisur
rënkonte në breg qyteti.

Humbur.Trupi i’u zhvesh jetës
Murgon syri në sterrhon
Therë, grin kafshatë e bukës
Valëve vdekja nusëron.

-“Do vij ndryshe”, i tha pragut
edhe skamjes dritëvrarë
“Rast i mbramë” si varkë e thirri
Fatgremisurit iu bë varr.

Tash këmisha shpirturitur
Vrapon, të puth shtëpine
Lëpin vdekja sofërlotin
Dy herë vdes, dhe zia nxin.

SI KORBË, KORBA NË TË ZEZA

Një plakë shkon në varreza;
si korbë, korba në të zeza.

Të shkuarën mbështet mbi shkop
Si lotë gjiri e troket mbi tokë.

Mermerët ua lanë ajo përditë,
Tjetër shërbim s`mundet për bijtë.

Trokitja e shkopit, rënkim që s`u preh,
Ah ! bijtë e nënës, mu plakët nën dhe`

FJALORI PA ËNGJËLL……..

Një fëmijë qan buzë një rruge
Manteli i një hijeje e mbulon me gri,
pa zë, ë-ja e fëminore i fshihet buzëve
në fjalorin e heshtur të lotëve të tij.

Krahët e njomë me asgjë ka veshur
Kryqëzon në shpirt fëmijërinë e ëmbël
Tek ë-ja të nesërmen kyç parreshtur
Me çelësin e ri të fjalës zhgjëndërr.

Një fëmijë qan si Ëngjëll pa Ëndërr.

VAJE ME TRE KOHË

Lamtumirat janë të idhëta.

Largimet
mosparjet
Të hidhura.

Sytë puthin gjysëm mbyllur
Me ndonjë gurëz loti
Si stoli në gushën e largimit.

Gjithë helm këto ndarje,
së gjalli me mosparje.
Tek e shkuara e tejskajshme e vdekur
Është e gjalla e epërme e kujtesës.

Lamtumirat e rinisë më të hidhura.
Ikin një nga një
Vrulli, qeshja, mundësia...

Dhe mendon mbi një rrashtë guri
Kohën e ardhme të përjetme
Mbetur
Tek një lamtumirë e parë
Në kohën që s`të kujtohet.

ABSURD MBIJETESË

Një kafaz pa zog,
Kryqëzuar në gozhdë.

Burgu i stolisur
Në lirinë e zogut varet.

Kafazi i vdekur
Në kryq
Mërmëron
Golgotën e zogut.

Murg i pashenjtëruar

Kush e pa shpirtin
Dhe këngën në kangjella kyçur?

Kush e di
Në fitoi një varr
Me vajin
E vdekjes
A ngordhjes së tij!

SOS MBI VALE

Këngë me kuje klithi deti
Flokët gurëve duke shkulur,
Shkëmbit puthjen ia përplasi
Me vaj i gjori, në të lutur.

Thirrja e birit, anije loti
Si një Sos mbi valë thërret,
Tallazoi alarme shkundi
E nga sytë e humb përjetë…,

…, mu në fund të gjirit të vetë.

POEMTH E PAQENË

Zbardhi mëngjesi.
Mesnata më ka ngecur në fyt
Si një lëmsh trishtimi.

Në terr rrezëllin si xixëllonjë
Mendimi i ëndërrt.

Vrapoj të kap fashën e parë të dritës
Një puthje të nis në fluturim.
Mes qiellit dhe tokës shoh një fluturak,
…, nxiton për tek strehëza e tij;

Bindem për pozicionin tim
Për qiellin që është tepër larg
Dhe mallëngjehem për fatin e çartur
Larg yllit miklues;
……………………..
Gatitem midis terragut
teksa tik-taku i fatit si lëmsh më mblidhet
pas atij të mesnatës, në fyt.
………………
Rrekem me flladin ende pa gdhirë
ti spjegoj arsyet prej njeriu,
që nata vlen për një ëndërr,
dita, për ta përkundur atë në djepe të krahëve.

Arsyet nga koka e trashur së arsyetuari
Më lëmshohen në fyt
Pas atyre të mesnatës e të fatit.
…….
Ende s`po zbardh,
Agimet në pritje peshojnë tonelata.
Puthja në pritje përqafon si ankth
Ëndrrën, fatin, arsyet.

Eci.
Në gjoksin e ankthtë të udhëtarit
Mërmëroj një këngë që i pëlqen asaj
Duke e mbyllur në çark të buzëve.

Kuturisem me hapat,
Fllad i ftohtë
Agim i tejzgjatur
Mendime të ankthuara
Ngërçe dhe terr
Skuta e kthina
Një dorë që më thith në errësirrë
Dhe…,
Kama e tij vezullon si ëndërr
Kërcënimi për kuletën
Si përrallë;

Është portofoli ai që ndriçon çështjet e mishit.

Unë mund t`i jap vetëm pak mish
Për kamën e tij.

Uri prej ujku s`kam
Por instikti “rutinë”në errësirrë vërsulet.
Klithma në pëshpërimë kthehet
Nga lëmshenjtë e radhitur në fyt.
Në vesh i rënkoj;
Doja vetëm të nisja një puthje,
Me fashën e parë të dritës
Copëzën e qiellit të ledhatoja.
Ai më rrokullis me llërët e gjakosura
Në një gropë të gatitur aty
Për të mbjellë një ulli..

Puthje dheu nis prej aty, i përmbysur
Me shpirt të prangosur nën vete
Me dashurinë e paaguar kurrë.

Unë…, jam jeta - tha therësi,
Shpirtlirë
Ti je i rrezikshëm.

TERRGREMISUR

Rreth syve flatrojnë flutura errësirre,
Një valëz drite i etë me gazmend.
Kjo fashëz thyen këtë koncept terrësie
Nga vezullimi i shpirtit fosforeshent.

Si kandil, belbëzon kjo pak njerëzishte
Rrëfen udhën me hapa shpresërimi
Nëse kandili i shpritit s`është terrëri
Pse dreqin humnerave gremisemi !?

Poezi te shkeputura nga cikli, "Laku i karafilte" dhe "Absurd Mbijetese"......vellimi "Ikona te thyera", Globus R, 120 faqe, Tirane , Shkurt 2008.

MËKATI

Një yll këputet.
Dhe ti kapërdin dëshirën
Si një shkronjë në mermerin e eshtrave.

Në kraharor
Një gjurmë ylli fle…
................
nga një mëkat në fyt
bota nisi të flasë.

KUR JAM ME TY

Ti puth sytë e humb i tëri
E të zbres ngadalë në shpirt,
Nën qepallë shoh me ty
E jam rob, frymë, flirt.

Ti m`a zgjon trupin e humbur
S`di se ku mbi trupin tënd,
thua-ëndrra ka një fund
them vdekja-s`është e rëndë.

Ëndërr e bukur pas syve të ty
Më thotë ik, më lodhe, mjaft
E prej sysh të rrjedh si lot
Edhe ëndrra bëhet ankth.

UNË DHE TRËNDAFILI

Unë
Dhe trëndafili për ty
Qëndrojmë të heshtur
Në kryqëzimin e pritjes sonë.

Një letër e shtyn era
Dhe imazhi i një gjetheje të këputur
Më bie mbi qepallë.

Vjeshtë e parë.

Ti ndoshta ke ikur
Por mua më ngacmon e kuqja e trëndafilit
Që i ka rrënjët tek unë.

Që prej ikjes tënde
Mësova t`i prish trëndafilat.
14.10.2007

ËSHTË AG

Në heshtje
Më tingëllon zëri yt i qeshur,
dhe vetulla e hënës
(dhe)syri i shkruar
(dhe) buza e qershisë
..........(dhe) gusha e bardhë...

Është ag, por prap errësirrë.
Ti shfaqesh nazike
Dhe sfumohesh vetmi.

Një lot
Bie si pikë
E merr vlerë të egërr
Jo si dhimbje
Por si fund.
14.10.2007

IKONA TË THYERA

Të pash në blicin e një krisme,
Diku midis humbjes dhe rënies
Anuar si rënkim i zemëruar
Në instiktin e epërm të qënies.

Të pashë në blicin e një kohe
Dhe ti më pe si bust të anuar
Tek zgjasnim duart marramendsh
Si arna të kohës sonë të arnuar.

E sërish në drita krismash
Zeusi na ndiqte në harresë,
Të ikur, të anuar, vajtueshëm
Diku midis humbjes dhe rënies.

IMAZHE NGA RRUGA E QUMËSHTIT

U ndamë kur yjet të binin mbi sy
Dhe mua fjalët më binin përdhe.
Ëndrra jonë përgjumej në udhë
Tek RRuga e Qumështit, lart, atje.

Pas ndarjes, ti nesër e mërzitur
Do të rendësh me hapa harrimi
Lëkura e bardhë, si nga prekja do dridhet
Tek magjia e purpurt e perëndimit.

Tek rruga e vjetër, në krye
Hapi i lotuar do të bëhet i rëndë,
Flladi diçka në vesh do të pëshpërisë
E do bëhet puthje në trupin tënd.

Në mbrëmje, në heshtje do tretemi
Dhe perëndimi na merr me vete, larg
Dhe orët çaste gjethe do hedhin
Si në shtratin e kuq të netëve pa ag.

Gjithë yjet do jenë coptuar pas teje
Ngjyer me të kuqen e perëndimit,
Kujtimet do të derdhen vetmisë
Si imazhe malli nga Rruga e Qumështit.

AMANETI I DASHURISE

Një ditë në vdeksha
Dhe në varr të zi
Tek një fije bari
Shpirti do t`më rrijë

Dhe emrin nje ditë
Po ta lexosh mbi gur
Do gjallojë bari,
S’do t` thahet kurrë.

E nëse mbi varr
Do të qash nën zë
Besën ke harruar,
nuk do t` mbij më.

E nëse të dielave
Ke punë, s’do t`vish
Nën mermer bari
Do të vdes sërish.

Poezi shkeputur nga cikli "Maria e Kalter", vellimi "Ikona te thyera", botues GlobusR, Tirane, Shkurt 2008.

BIBEL URIE

Njeri
Shenjt,
kryezot
Para lypsit
Me nënqeshje mos rri!

Hidhi një monedhë të mbijetojë
Dështimit njerëzor
Parë nga sytë e tu,

Mos tund biblën
Kur njeriu ka uri.

NJË TROJË E RËNË...
(triptik)

Troja ra!
Jo se mbrojtje nuk kish
Por nderi nuk fiton
Në sulm pabesish.
Grekët,
Fituan lavdinë gërmadhë
Dhe emblemën e përjetshme
Të tradhëtisë.

...

Trokëllin një trokth kali
Kalë me vrag në fytyrë
I shenjtë si Pegas fluturoi
I bukur, Narciz në pasqyrë.

Kali, që historinë pruri në shpinë
Monument fisnik meritoi
Trokthi i ëmbël ngjall panik;
Në bark i mbollën një Trojë.


Vrapon në pluhur një kalë revan
Era dhe pluhuri e zënë murg.
Në prag të dhëmbëve fjalën mban
Tek Ai i drurit kapluar në burg.

Suferinë statuja shekullit të vrarë
Vrapi i mohuar kërcet dhe flet
Në prag t`derës hingëllin në të qarë
…”mos më ndërtoni në çdo qytet”...

ZOTI ME DY SHTËPI

Qyteti
Ndarë me Gjanicën
Në mes.

Tempujt,
Si kobure për shpresëthyerit
Në brez.

GJAKËSIT

Gjakësit gjakuan nën hënë.
Nderi i gjakut fle mbi gjëmë

Ujku rob e mbrehu vajin
Nën një hënë të drithëruar,
Në kafaz u struk pastaj;
Ujk i vrarë, i skllavëruar.

Dhe në sy i vdiq një dritë;
Pylli i bishës, ujk i lirë,
shtegu blertë ku ra në pritë
nga gjahtarët që pagdhirë.

Syri rob me heshtjen qau
Kur gjakësit e lanë fillikat!
Shpirtin “ujk” më parë e vrau
Nga hasmëria që mprihte thikat.

PËRSOSMËRI

Në puthjen e dritës
Kthetrat e hileve fshehim,
Si biografinë dhe fajin një ish i burgosur.

Fabula e sentenca si ëngjëj krehim…,
…, dinakërisht mbetemi të përsosur!

…NESËR….?

Do herë mëngjesi të zgjon në mesdite
Dhe ti mërmëron mesnatën ëndërrbukur,
Por gëzimi i çastit të agon perëndim
Kur ti ngjan në Maj me një flutur.

Dhe e nesërmja do të vij përherë me një sot
Që harrohet pas një ëndrre të ethshme.
E sotmja ime plot zhgënjim dhe lot,
Që ishte e nesërmja e një ëndrre të djeshme.

Poezi shkeputur nga cikli, "Bibel Urie", vellimi poetik "Ikona te Thyera", Botues Globus R Tirane 2008

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi