Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

BARITON, Ylber Gjini: Kur braktisa këngën popullore dhe u futa në opera

Shko poshtë

BARITON, Ylber Gjini: Kur braktisa këngën popullore dhe u futa në opera Empty BARITON, Ylber Gjini: Kur braktisa këngën popullore dhe u futa në opera

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 10, 2009 7:34 pm

BARITON, Ylber Gjini: Kur braktisa këngën popullore dhe u futa në opera
Baritoni tregon emocionet për shfaqjen e parë operistike, pse u shkëput nga kënga popullore, këndvështrimi i tij për teatrin operistik , Intervistoi: Julia Vrapi
BARITON, Ylber Gjini: Kur braktisa këngën popullore dhe u futa në opera BaritonYlber Gjini, bariton i rrallë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, me një eksperiencë më se 20-vjeçare në skenën shqiptare dhe atë të huaj, tregon për jetën e tij artistike. Pse braktisi këngën popullore shqiptare dhe nisi një karrierë artistike drejt operës, duke u bërë sot një prej zërave më të njohur të skenës operistike. Për vokalin dhe interpretimin e tij në skenë ai është vlerësuar me shumë çmime, ndërkohë që teatri i operës në Shkup e ka shpallur “Skarpja më i mirë i Ballkanit”. Në intervistën e mëposhtme marrim prej tij emocionet e shfaqjes së parë operistike, si ishte për të roli i parë, por dhe këndvështrimin e një artisti për teatrin madhështor, siç është opera.

-Jemi në ditët e para të vitit 2009, por si ka qenë për ju nga ana profesionale viti që lamë pas?


Për mua ka qenë një vit i suksesshëm nga ana profesionale. Unë e nisa me operën “Mamdam Butterfly”, ku bëra tre shfaqje me këtë vepër operistike. Më pas vjen “Toska”, që u realizua në Shkup, pas disa ditë pushimesh fillova të punoj me operën “Trovatore”. Më pas sfida ime e vitit ishte pjesëmarrja në veprën operistike “Luçia de la Mermmoor”.

-Pse e quajtët sfidë rolin që keni interpretuar tek kjo vepër operistike, pasi ju tashmë keni mbi 20 vite që interpretoni ?

E quajta sfidë, sepse roli u realizua për një muaj e gjysmë, dhe kushdo që e mendon në zanatin tonë është vërtetë një sfidë, sepse duhet ta mësosh operën përmendësh në gjuhën italiane, dhe nuk është në gjuhën që ne flasim. Më pas vjen interpretimi me kolegë italianë me prova dy herë në ditë dhe me lodhje shumë të madhe. Unë them se ia arrita qëllimit sepse bëra një premierë shumë të mirë dhe publiku më ka pritur shumë mirë. Unë e falënderoj dhe publikun dhe i uroj atij një vit të mbarë dhe të vijë sa më shumë në opera pavarësisht se ne solistët jetojmë akoma në një vorbull, pasi duhet të marrin drejtim disa gjëra në opera, siç janë dhe kushtet, pasi salla është shumë e ftohtë dhe ne këndojmë në temperatura shumë të ulëta. Prandaj them se publiku edhe duhet të na i falë ndonjëherë, pasi janë dhe kushtet që ndikojnë.

-Cili ka qenë për ju roli më i vështirë?

Roli më i vështirë për mua ka qenë Enriko, sepse ka qenë në kohë të shkurtër dhe unë arrita ta realizoja, por kam dhe role në operën “Trovatore” ku interpretova kontin, apo rolin Skarpja tek opera “Toska” që janë dhe këta role shumë të mëdhenj. Për rolin e Skarpjas unë jam i ftuar për të interpretuar në operën e Shkupit, dhe ka qenë shfaqja më e mirë gjatë gjithë kohërave të mia.

-Si u mundësua bashkëpunimi juaj me operën e Shkupit?

Operën “Toska” në Shkup unë e kam interpretuar në vitin 1996, dhe që nga ajo kohë unë jam i ftuar i përhershëm në operën e Shkupit për “Toskën”, por dhe për vepra të tjera si “Paliaçi”, apo dhe koncerte të ndryshme, por këtë radhë ishte ngritja ime më e madhe me “Toskën”që kam bërë këtë vit.

-Sa ndikon gjendja shpirtërore në aktivitetin e një artisti ?

Gjendja shpirtërore ndikon shumë, por kjo nuk lihet pas dhe nga gjendja ekonomike. Solisti i operës ka një barrë shumë të rëndë dhe gjendja emocionale e kanë shumë të rëndë , pasi brenda dy apo tre orësh zhvillohet një “film”, sepse është një ngjarje që mbaron për tre orë, dhe spektatori shikon një film live. Por ne do të vazhdojmë që të japim shfaqje, por ne nuk jemi në kushte optimale dhe të gjitha këto ndikojnë në gjendjen emocionale të një solisti.


-Jeni emër i njohur i skenës operistike, por si ka nisur rruga juaj drejt këtij arti?

Unë nuk kam një traditë familjare për muzikën, megjithëse babai im ka kënduar shumë dhe mbaj mend që ai mbante dhe një mandolinë në vitet ’65. Ai kishte kënduar gjithmonë për shoqërinë, dhe këngën e kam trashëgim nga babai. Ai në fillim më ka shtyrë drejt këngës popullore. Unë kam dhe një vëlla tjetër, Gramoz Gjini dhe me atë kam bërë edhe kasetë me këngë popullore, ku janë këngë të krahinës së jugut, si kënga “O dhëndër ku vete kështu”, etj. Kaseta ka këngë vetëm të jugut. Unë nisa të këndoj këngë popullore, por e pashë që të dhënat e mia ishin për më lart dhe jo thjesht një popullore e thjeshtë. Pedagogët e mi, kur kam qenë në kursin nëntë mujor në Tiranë për këngë popullore, pasi më pas kalova në Institutin e Lartë të Arteve ata panë tek unë njeriun duhur për në opera. Që nga ajo kohë unë nuk punoja më për këngën popullore, por fillova të punoj me Mishel Koçinë, Xhoni Athanasin, Frano Lufin etj, ky i fundit ishte më i vogël se unë në moshë, pasi unë për arsye të ndryshme fillova vonë të studioja në Akademinë e Arteve. Në atë kohë jo gjithmonë mund të merrje atë zanat që ti ja vleje që të vazhdoje, sepse mund të kishe prirje për muzikë dhe të çonin për agronom. Unë kam pasur shumë pedagogë dhe kam bërë mësim dhe me të madhin Luk Kaçaj.


-Emri i Luk Kaçajt zë një vend të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar. Çfarë kujtoni nga ai?

Mbaj mend që ai më thoshte që po të pa njeri që erdhe të bësh mësim me mua nuk ke për të shkelur më në skenë, pasi ai sapo kishte dalë nga burgu sepse ishte goditur nga sistemi i asaj kohe. Këtë unë nuk e harroj, ndërsa nga ana profesionale unë mbaj mend shumë gjëra nga ai, por më tepër ai ishte interpretues.

- Si ka qenë për ju dalja për herë të parë në skenën e operës?

Roli i parë ka qenë në vitin 1991 me operën “Traviata”me rolin e Zhermonit, babai i Alfredos. Këtë unë do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës sime, sepse edhe tani që unë mund ta kem interpretuar operën “Traviata”shumë herë, atë “Traviatë” të viti 1991 mbaj mend dhe them që ka qenë “Traviata” ime më e bukur.

-Ju ndjeheni më mirë në role pozitive apo negative?


Kuptohet që çdo artist ka qejf rolet pozitive, ndërsa rolet negative janë me karaktere. Roli negativ që unë mbaj mend ka qenë Skarpia në operën “Toska”. Roli tregonte një njeri me pushtet, që ishte komandanti i Romës ‘kapo i Romës’, i cili shfrytëzonte kolltukun edhe për të realizuar dëshirat e veta intime. Qëllimi për të dënuar Kavaradosin e bënte dhe për ligjin, por dhe për të përfituar Toskën.

-Keni 20 vite që jeni i vetmi bariton i operës shqiptare. Keni ndonjë rol që ju ka mbetur peng dhe do të donit që ta realizonit?

Deri tani nuk kam ndonjë rol që më ka mbetur peng, pasi tani unë kam ardhur në një stad që nuk kam më preferenca për opera të ndryshme. Ato kalojnë tani vetëm për të pasuruar repertorin, pasi ato që unë kam pasur dëshirë më parë i kam realizuar. Janë 20 vite në skenë dhe mund të kem realizuar rreth 20 role.


-Pas kaq vitesh në punën tuaj në shtet, mendoni për aktivizim në një teatër privat të operës dhe më shumë mundësi zgjedhje për këngëtarët?

N fakt pas sopranos Inva Mula isha unë ai që më ofruan një ofertë në vitin 1992 për në Gjermani, por për arsye që ne akoma jemi të diskretituar për vizat nëpër ambasada, unë nuk arrita që të realizoj kontratën time me teatrin gjerman, megjithatë isha njeri që edhe nuk më ikej nga familja. Tani nëse je këngëtar i mirë mund të këndosh në skenat e botës, por kur kanë ardhur solistë të huaj tek ne, kanë qenë më të dobët se artistët tanë.


-Ju ka tradhtuar ndonjëherë zëri?
Zëri edhe të tradhton, por solisti gjithmonë i lutet zotit para se të dalin në skenë. Edhe unë i lutem zotit para se të dal në skenë dhe është një rit që e bëjnë të gjithë dhe marrin një ngushëllim. Zoti ndjehet si një fuqi, që do të na ndihmojë në skenë.

-Keni preferenca në role?
Mua nuk më pëlqejnë rolet bufo (komike),sepse nuk më shkojnë në karakter.


-Si e shikoni zhvillimin e muzikës klasike në vendin tonë?

Muzika klasike në Shqipëri është e vaktë, sepse akoma nuk janë vënë rregullta se si duhet të funksionojë ky art. Por ne kemi dhe një Akademie Artesh që nxjerr kontingjente artistësh, ndërkohë që ne kemi vetëm një TKOB. Unë mendoj se ne duhet të kemi më shumë teatro, pasi taksapaguesi shqiptar paguan për të mbajtur një Akademi? Për mendimin tim shkollat profesionale duhet të bëhen private, sepse nëse del një artist i mirë nga Akademia, ai largohet jashtë vendit, atëherë taksapaguesi shqiptar paguan kot.

-Ju thatë që jeni i dashuruar me operën, por cila do të ishte arsyeja nëse ju një ditë do të shkëputeshit prej saj?

Tani është shumë vonë për ta braktisur, por nëse do të riktheheshin vitet unë nuk do ta kisha marrë këtë profesion. Kur isha i ri kam pasur shumë prije për Gjuhë-Letërsi dhe në gjimnaz shkruaj dhe poezi, pra do të kisha studiuar për Gjuhë- Letërsi. Vendi jonë sot vuan shumë për kompozitorë, pasi nuk ka të një niveli të lartë për të gjithë zhanret e muzikës. Ashtu si dhe në të gjitha fushat tjera dhe në art është një brez që ka shkruar për Partinë e Punës, etj, dhe tani shumë prej tyre nuk marrin kurajën që të bëjnë diçka të re. Dega e kompozicionit në Akademi lë shumë për të dëshiruar. Unë dëgjoj shumë muzikë të lehtë dhe këta të ashtuquajtur kompozitorë vjedhin muzikë, dhe kjo nuk është e mirë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi