Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ermir Xh. Hoxha: Idromeno, Kur Djalli dhe Njeriu ecin përdore

Shko poshtë

Ermir Xh. Hoxha: Idromeno, Kur Djalli dhe Njeriu ecin përdore Empty Ermir Xh. Hoxha: Idromeno, Kur Djalli dhe Njeriu ecin përdore

Mesazh nga Agim Gashi Sun Oct 25, 2009 3:11 am


Ermir Xh. Hoxha: Idromeno, Kur Djalli dhe Njeriu ecin përdore U1idromeno1
Kolë Idromeno (1860-1939)
Idromeno, Kur Djalli dhe Njeriu ecin përdore


Nga Ermir Xh. Hoxha

Ndër pikat më të errëta të Historisë së Artit Shqiptar, edhe në ditët që po flasim, mbeten tablotë me temë fetare të fundit të shekullit të XIX-të. Shkatërrimi barbar i kishave shekullore nga fanatizmi komunist, në mesin e viteve ’60, solli, në të gjithë vendin, prishjen e habitatit natyror për qindra vepra artistike kulti. Këto thesare të trashëgimisë kulturore, në mos u dogjën apo u shkatërruan, u mbyllën në fondet plot lagështirë të muzeve të rretheve.
Një prej këtyre veprave të çmuara, është dhe “Kur hyn Dreqi në shtëpi” (?), realizuar nga artisti shkodran Kolë Idromeno (1860-1939), si pjesë e një serie të tërë realizimesh me po të njëjtën temë, shumica e të cilave sot për fat të keq kanë humbur. Për analizimin e kësaj vepre, fillimisht, na duhet të ndalemi në zhvillimet e kohës kur artisti jetonte, në zhvillimet politike, kulturore dhe në sferat e tjera sociale që ndikuan në zhvillimin artistik të tij.
Në kohën kur jetonte artisti, Shkodra, prej shekujsh kishte qenë fillimisht nën influencën e kulturës venedikase e më pas nën atë Austro-Hungareze. Kulmin e saj si një qendër e rëndësishme tregtare, Shkodra, e njohu në mesin e shekullit të XIX-të, faktor që do ta favorizonte ngritjen e një sërë sferash kulturore. Kronikat historike tregojnë për një qytet në lulëzim, ku veshjet, lëkurat, duhani, koburet me barut, zejet dhe kostumet popullore ishin disa nga produktet kryesore. Pozicionimi stilistik e tematik i artistit në këto vite është një problem kyç, pasi hulumton me kërshëri tematikën e larmishme që ata trajtojnë.
Të dhënat biografike thonë që Idromeno u lind në qytetin e Shkodrës, ku fillimisht studioi pranë fotografit italian Pietro Marubi dhe më pas, për pak kohë, në Akademinë e Arteve në Venecia. Studimet e tij u ndërprenë shpejt, për t’u përmbushur në botegën e një piktori italian, po në Venecia. Artisti u kthye përfundimisht në atdhe në vitin 1878. Përveç impenjimit të tij në gjininë e pikturës, ai interesohej dhe merrej dhe me arkitekturë, fotografi, skenografi, urbanistikë e muzikë. Në vitin 1912, importoi për herë të parë në Shqipëri aparate filmike, shfaqi filma dhe në gusht të po atij viti, firmosi një kontratë me shoqatën Josef Strauber në Austri, për të krijuar atë që mund të quhet kinemaja e parë në Shqipëri. Përveç kësaj, ai ishte pjesë e bandës së qytetit si dhe njihet si arkitekt i shumë ndërtesave të rëndësishme të qytetit të Shkodrës. Një hapësirë të rëndësishme në karrierën e tij artistike, do të kishte dhe fotografia, që ishte shfaqur në Shkodër kur Idromeno akoma nuk ishte lindur. Edhe pse në mesin e shekullit të XIX-të, fotografia nuk konsiderohej si art; ajo për herë të parë fikson dhe dokumenton aspektet e jetës dhe të traditës shqiptare të kohës. Ishte fotografia ajo që ndërtoi një fizionomi të re të artin shqiptar dhe i hapi rrugë paraqitjes së imazheve të jetës së vërtetë. Bashkë me Marubin, Idromeno ishte një ndër pionerët e parë të fotografisë shqiptare. Sot, akoma nuk është hedhur dritë mbi raportin që kishte arti i fotografisë me pikturën e Idromenos.
Duke u rikthyer tek Idromeno piktor, duhet thënë se artisti në karrierën e tij artistike, trajtoi temën e portretit, atë fetare, peizazhin etj. Larmia e tematikave të tabllove të tij, në dy dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të XIX, duhet kërkuar pikësëpari tek ato klasa shoqërore që e financonin këtë art, pasi artistët në atë kohë punonin në bazë komisionimesh. Një pjesë e porosive për artistin, vinin nga familje të mëdha tregtare, të cilat paraqisnin tipare borgjeze europiano-perëndimore, dhe një vizion të ri e modern për qytetin. Kjo shtresë e lartë e shoqërisë, komisiononte portrete e tabllo, kryesisht, me tipare realiste e romantike. Në të njëjtën periudhë, kemi dhe një intensifikim të rretheve patriotike, të cilat zhvillonin aktivitetin e tyre brenda dhe jashtë vendit. Këto rrethe shpesh komisiononin vepra me temë patriotike, të cilat konsistonin kryesisht në paraqitjen e portretit të heroit historik kombëtar, Skënderbeut.
Një zë i fuqishëm investimi ishin dhe institucionet fetare, që për qëllimet e veta, për shekuj, kishin financuar artistët shqiptarë. Ato komisiononin këta artistë për realizimin e tablove me tematikë fetare, për funksion didaktik. Arti me tematikë fetare i drejtohej pjesës së popullsisë fshatare-analfabete, e dominuar historikisht nga një kastë udhëheqëse me tipare feudalo-orientale.
Pra, tematika artistike në këtë periudhë diktohet dukshëm nga zhvillimet gjeografike, politiko-kulturore dhe ekonomike të kohës. Bashkangjitur kësaj, nuk duhen anashkaluar dhe tabllotë që merrnin spunto nga frymëzimi vetjak i artistit, të cilat zhvillohen nën një fizionomi artistike personale.
Duke e parë artin shqiptar në këtë këndvështrim, mund të kuptohet lehtë pse një artist si Kolë Idromeno, disponon një larmishmëri të tillë tematike në karrierën e tij artistike.
Siç thamë, një nga seritë më interesante të artistit konsiston në tabllotë me temë fetare, të cilat sipas përshkrimit të Auguste Degrand, në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”, në kapitullin dedikuar fesë, ndihmonin priftërinjtë për funksionet e tyre në meshat mes malësorëve. Degrand flet për kushtet e vështira ku jetonin malësorët, izolimin shekullor dhe vështirësinë që hasnin priftërinjtë françeskanë, për t’i kthyer ata në rrugën e drejtë të moralit kristian. Ai tregon për zakonet orientale të tyre, varfërinë dhe egërsinë e realitetit ku ata jetonin. Gjithashtu, Degrand tregon për investimin e institucioneve fetare mbi artin, ku kisha e kohës kontaktonte një piktor të ri (Kolë Idromenon), për realizimin e disa tabllove me temë fetare. Prej tij, kërkohej të paraqitej me imazhe sa më dramatike, bota e përtejme, aty ku do jepej llogari për gabimet e jetës tokësore. Vetëm kështu malësorët mund të kuptonin më mirë rrugën e duhur të moralit fetar, larg supersticioneve e praktikave vendase orientale. Kjo praktikë e kultivuar në shekuj edhe në vendet e tjera evropiane, shërbeu për të ilustruar atë që mendjet e thjeshta nuk e kuptonin dot me fjalë. Sipas Degrandit, priftërinjtë kishin kuptuar që vetëm me anë të imazheve, mund të pushtonin mendjet e malësorve të egër, për të dalluar të mirën nga e keqja. Sipas tij, nuk mjaftonte që prifti të fliste për parajsën dhe ferrin, koncepte të cilat ata nuk ia kuptonin rëndësinë, por duhej që ata t’i shihnin vetë këto skena. Ndodh kështu që Idromenos i komisionohej të krijonte imazhe befasuese, ku syri i malësorit të mbetej i traumatizuar nga ajo që shihte.
Idromeno realizoi një sërë syresh, prej të cilave sot kanë mbetur vetëm dy: “Dy rrugët” dhe ajo e njohur me emrin “Kur hyn Dreqi në shtëpi” (?). Sipas një fotoje të viteve `80 dhe një përpunimi kompjuterik, mund të bëhet e mundur një analizë paraprake. Tablloja me dimensione 169 x 132.5 cm, paraqet nje skenë mistike, ku dallohet ambjenti i brendshëm i një shtëpie malësori.
Vështirësia më e madhe e analizimit të kësaj tablloje, qëndron në zbërthimin e fabulës së ngritur nga artisti, ndërkohë që ne mund të ngremë disa hipoteza. Nga një vështrim paraprak, dallohet qartë që fshatarin ka ardhur ta vizitojë vetë Vdekja me një lukuni Djajsh e Demonësh. Duket sikur atij i ka ardhur ora e fundit, ndërkohë që e Keqja po i komunikon mëkatin e kryer. Malësori i frikësuar ndodhet në qendër të kompozimit, i shtrirë e i gjakosur nga një e çarë në kraharor. Prifti ndodhet pranë tij për shërbimet e fundit, por, prania e demonëve tregon se ai ka ndërruar jetë.
Për një vështrim më të kujdesshëm, vërehet domosdoshmëria e ndarjes së personazheve të botës tokësore nga ato të së përtejmes. Personazhet realë janë dy gratë, fëmija, prifti dhe malësori i vdekur. Zgjidhja e gjëegjëzës së artistit duhet kërkuar tek figura e dy grave. E para, në të majtë të kompozimit me fëmijën pranë, duhet të jetë gruaja e malësorit, ndërsa e dyta në kahun e kundërt duket sikur vështron me kërshëri se ç‘po ngjet. Gruaja e dytë është dhe arsyeja e vërtetë e ardhjes së djajve në shtëpinë e malësorit.
Një nga plagët e moralit të kohës, ngritur si problematikë nga institucionet fetare, ishte pikërisht poligamia. Degrand na informon që në bjeshkët shqiptare ndodhte shpesh që një burrë të merrte apo të blinte një grua të dytë, me të cilën jetonte pa patur mundësi ta bekonte lidhjen në kishë. Duket sikur malësori ka shkelur pikërisht këtë kod morali fetar. Kjo hipotezë ngrihet duke analizuar edhe qëndrimet që mbajnë gratë ndaj asaj që po ngjet. E para, duhet të jetë gruaja e parë e malësorit, që ka dhe një fëmijë me të, prandaj paraqitet dhe më e traumatizuar për atë që ka ngjarë. Ngjizja me të shoqin dhe fëmija e tyre e ka bërë lidhjen e tyre shpirtërore më të madhe. Ndryshe reagon, gruaja e dytë, që thjesht vështron me kuriozitet atë që po ngjet. Ajo nuk mund të jetë motra e malësorit dhe as e bija për vetë ftohtësinë që paraqet në qëndrimin emocional.
Prifti, personazhi tjetër real i skenës, duket i tronditur nga prania e këtij mëkati të pafalshëm morali kristian. Ai duket sikur kërkon shpëtim vetëm tek mëshira hyjnore. Të gjithë këta personazhe nuk i shohin krijesat e përbindshme të botës së përtejme. Secili prej tyre sheh diku, por jo krijesat e mbinatyrshme. Gruaja me fëmijë sheh burrin e vet, ndërsa gruaja e dytë atë të parën. Me kuriozitet ajo sheh vuajtjen e saj, por nuk e kupton atë. Ndërsa prifti sheh lart, pasi kjo “punë” tashmë i ka kaluar një autoriteti tjetër.
Në anën tjetër, janë personazhet e botës së përtejshme. Malësori i vdekur është epiqendra e vëmendjes së tyre. Malësori sheh i tmerruar Demonin në të djathtë të tij, i cili mban në dorë qesen e parave, si provë e mëkatit të blerjes së gruas; më tej duket një tjetër demon, në këmbë, i cili i tregon malësorit mëkatin e shkruar në një libër të hapur. Vdekja, një skelet me kosë në dorë është pranë tij, e gatshme për të marrë pjesën që i takon. Disa demonë më të vegjël qëndrojnë në anët e malësorit, duke pritur me epsh fundin e tij. Më poshtë një dragua me gojë të zjarrtë mban fort një zinxhir që ka lidhur përqafe vetë malësorin. Duket sikur fati i tij është i lidhur fort pas këtij zinxhiri të hekurt.
Por, duket sikur Idromeno ka lënë hapësirë dhe për shpresën në mëshirën hyjnore. Në këmbë, pranë priftit të shokuar, gjendet figura e një ëngjëlli i cili me njërën dorë prek ballin e malësorit dhe me tjetrën i tregon atij që fjalën e fundit do e thotë Ai, Zoti, në gjygjin e fundit.
Të gjitha personazhet janë zhytur në gjysmëerrësirën e shtëpisë së varfër. Skena përshkohet nga një vibrim tmerrues e shoqëruar me ngjyrat dramatike që të sjellin në mendje një inskenim teatral tragjik. Dera e hapur në sfond, nga ku kanë hyrë dhe personazhet, është e vetmja shenjë jete në këtë skenë infernale.
Malësori është vrarë nga një plagë e hapur në kraharorin e tij. Pra, ai ka vdekur me nder, siç e do zakoni i maleve. Arsyeja mund të jetë e çfarëdoshme: hakmarrje, një zënkë por, ai nuk do digjet në flakët e përjetshme të Ferrit për këtë, por për një mëkat moral. Në antitezë me moralin islam, kisha katolike predikonte dhe vinte në qendër të shqetësimit të saj, poligaminë, si një shenjë të qartë të shthurjes së moralit kristian dhe të institucionit të familjes. Degrand në tekstin e tij i quan këto zakone turke, duke nënvizuar luftën që bënin priftërinjtë për largimin e malësorve nga këto zakone.
Idromeno pikturon Njeriun dhe Djallin. Ai i futi ato si pjesë e një realiteti të pandashëm, si mënyra më e mirë për të depërtuar në psikologjinë e ngurtë të malësorëve të izoluar nga harresa e shekujve. Djajt, demonët, dragojnë e skeletët duhet të pushtonin mendjet e tyre, sepse lufta mes së Mirës dhe së Keqes ishte e pranishme dhe në odat e tyre të mbuluara nga skamja.
Arti i Idromenos i drejtohet shoqërisë së kohës. Sipas Degrand ai është i detyruar të ulet në nivelin e njerzve të cilët iu drejtohet, por, sipas tij, pikturat e Idromenos karakterizohen nga një shkallë naiviteti që nuk paraqitet pa sharm. Mbi të gjitha, ato kanë meritën e të qënit ekzakte nga këndvështrimi i zakoneve kombëtare. Ato paraqiteshin të shpjeguara dhe të komentuara pas fjalës së priftit... ndërsa i drejtohet atij që ka mëkatuar, i cili qan e dridhet kur i del përpara fundi i tij tragjik. Idromeno duket i shqetësuar për shkallën artistike, aq sa për vërtetësinë dhe fuqinë e imazhit, si një mjet i pastër katarsisi për shoqërinë e vrazhdë të kohës. Subjektet e tij duhet të mbërthenin fort kujtesën vizive dhe shpirtrat e malësorve që vinin në ambjentet e kishës. Krijimet me temë fetare të këtij artisti edhe sot përbëjnë disa nga shembujt më të mirë të artit të fundshekullit të XIX-të. Risjellja e tyre para publikut të gjërë do të ridimensiononte periudhën artistike dhe vlerat e saj.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi