Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI)

Shko poshtë

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Empty Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI)

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 30, 2009 4:33 am

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) U1_SabileBasha

Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë nëpër mes gazetës “Lajmëtari i Lirisë”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Parapërgatitjet për regjistrimin e popullsisë

Pasi se ishte pushtuar dhe aneksuar Kosova dhe viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi,
pushtetarët e Beogradit, megjithatë nuk ishin të qetë. Tokave shqiptare ia
kishin vënë kufirin dhe merrnin e plaçkitnin çdo të mirë natyrore nga tokat
tona, por populli shqiptar kishte bërë benë se nuk do i lëshonin këto toka për
pa u farua të tanë, thoshte kënga popullore.



Shikuar në
aspektin ekonomik, Jugosllavia kishte interesa të mëdha për tokat e pushtuara
shqiptare si në Kosovë, Dukagjin, Maqedoni, Mal të Zi, e në Serbi. Pasurit
natyrore në këto vise ishin
procentualisht nga më të mëdhatë në
gjithë territorin administrativo-politik
të Jugosllavisë. Ato sigurojnë një pjesë të madhe lëndësh të para dhe rezerva të begatshme natyrore, që ndikojnë dukshëm në
potencialin e përgjithshëm të pasurive
të këtij vendi. Ndërkaq në pikëpamje politike, pushtimi i këtyre viseve
–bashkë me përpjekjet e vazhdueshme për
pushtimin e Shqipërisë Veriore deri te lumi Shkumbin (para lufte), ose për
shndërrimin e gjithë Shqipërisë në republikë të shtatë (pas LDB-nga shovinistet
serb e malazezë është konsideruar detyrë ”kombëtare” dhe hap i domosdoshëm në
sendërtimin e ëndrrës pushtuese sllavomadhe, në gjurmët e përtëritjes së shtetit
mesjetar serb të Nemanjiqve[1],
shkruan autori për synimet gllabëruese të shovinistëve të Beogradit.



Punimi “Armikut-
gurin e gjakut”, i cili është shkruar në prag të fillimit të përgatitjeve të
regjistrimit të popullsisë në Jugosllavi (1981), autori e ndan në pesë
nëntituj, duke folur veç e veç për secilën pjesë.



Ta zëmë, në
nëntitullin “Popullsia pengesë e pa kapërcyeshme”, trajtohet situata politike
dhe aspiratat ekspansioniste të
shovinistëve të Beogradit të cilët i
kurdisnin për tokat shqiptare. Në shkrim konstatohej se për ta shfrytëzuar sa
më shumë dhe pa frikë pasurit tona, vazhdimisht ka ekzistuar një frikë e madhe
tek pushtetarët dhe një pengesë e pa kapërcyeshme :popullsia vendëse shqiptare.
Etnikisht, kjo popullsi gjithmonë kishte qenë kompakte në viset e veta, kurse historikisht, ajo
kishte një traditë të madhe luftarake e rezistuese ndaj pushtuesve të huaj edhe
më të mëdhenj e më të fuqishëm... Zgjidhja më e mirë, siç kanë treguar
përpjekjet e vazhdueshme jugosllave dhe
siç është e natyrshme për Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) U1_1shumë pushtues
barbarë, do të kishte qenë shfarosja e
plotë e shqiptarëve[2],
por pasi se kjo formë e zhdukjes së shqiptarëve ishte tregua e pasuksesshme,
okupatori kishte ndërmarr masa tjera ndëshkuese, që i manifestonte në forma e
metoda të ndryshme. Andaj, duke i ditur të gjitha këto, pushtetarët gjetën
njëmijë e një arsye që sa më shumë shqiptarë të malltretojnë, të torturojnë dhe
pas kësaj sa më shumë të arrestojnë dhe ti dënojnë me vite të shumta burgu.



Në nëntitullin e
dytë “Genocidi mbi shqiptarët”, thuhej se pasi se shfarosja e plotë e
shqiptarëve me mjete të dhunës u tregua e parealizueshme qysh në fillim, autori
sjell disa shkaqe për të cilat nuk u realizua ky planë.



1. Për shkak se
shteti amë i shqiptarëve , pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, -
siç detyrohen të pranojnë me keqardhjen më të madhe kreatorët e shovinizmit serb- u konsoliduan
më shpejt nga ç’pritej dhe i topiti në një farë dore apetitet serbe për
pushtimin e Shqipërisë.[3]



2. Ky konsolidim i
Shqipërisë, për aq sa e dekompozoi në zhgjëndërr të hidhur ëndrrën e ëmbël jugosllave, edhe popullsisë
shqiptare në viset e pushtuara i jepte impulse për një qëndresë sa më të madhe
e më heroike përpara tërbimit shovinist të jugosllavëve.[4]



3. Sikundër që me ndihmën e fuqive
të mëdha i kishte shtënë në dorë këto vise, Jugosllavia, po karshi fuqive të
mëdha dhe karshi opinionit ndërkombëtar kishte disa obligime[5]
(sado formale) lidhur me qëndrimin ndaj popullsisë së pushtuar vendëse.[6]
Se sa iu kishte përmbajtur këtij Traktati shteti
SKS, më së
miri e dëshmon shkrimi i Komisionit Ndërkombëtar i Kontrollit, i formuar në një
institut evropian, i cili në atë kohë raportonte: “Djegie shtëpish e fshatrash,
vrasje masive e popullsisë së paarmatosur e të pafajshme , dhunë e ashpërsi e
pashembullt, plaçkitje dhe akte mizore
nga më të ndryshmet, këto ishin mënyrat që kanë përdorur dhe po përdorin
ushtritë serbe e malazeze për t’ua
ndryshuar kryekëput fizionominë etnike krahinave të banuara qind për qind me
shqiptarë”[7]
Nuk ishte hera e parë që Jugosllavia dhe pushtetarët e saj që merrnin mbi vete
dhe nënshkruanin lloj-lloj traktate e deklarata për respektimin e të drejtave
të kombeve që jetonin në Jugosllavi. Në mbarim të vitit 1945, menjëherë pas
mbarimit të luftës, të gjitha problemet, që lidheshin me Kosovën dhe të ardhmen
e saj, ato u shtruan dhe u tentua të zgjidhen në kuadër të Jugosllavisë së
Titos. Gjatë luftës udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar se e ardhmja e Kosovës
do të zgjidhej nga vetë popujt që jetonin atje, me mirëkuptim nga partitë e
regjimet demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri e në
Jugosllavi, pas fitores mbi fashizmin[8].
Gjatë luftës vazhdimisht ishte folur e shkruar se pas saj ( luftës), do të
respektohet Deklarata e Moskës[9],
Karta e Atlantikut[10],
Deklarata e Teheranit[11],
Letra e Titos[12]
e botuar në gazetën “Proleter”, Rezoluta e Bujanit[13]
e, shumë dokumente të tjera me rëndësi historike.




Jugosllavinë e pasluftës u deklaruan se kriteri kombëtar do të vihej në themel
të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të
luftës këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin , dhe si të tilla
nuk u morën parasysh. Edhe pse viset shqiptare përbënin një tersi territoriale,
ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të
përcaktuar qartë nga pikëpamja
gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera të
Jugosllavisë, u ndanë midis njësive federale Maqedonisë, Malit të Zi dhe
Serbisë[14].
Të gjitha këto ndikuan që në popullatën shqiptare të rritet pakënaqësia. Këtë
më vonë e pranuan edhe vet udhëheqësit jugosllav.



Në nëntitullin e
tretë “Pranimi i fajit pas aktit të kryer”, shkruhet për ndërmarrjen e
presionit e të dhunës ndaj shqiptarëve, por metoda më e preferuar e okupuesit
ishte dhe mbeti falsifikimi i të dhënave statistikore mbi numrin e
shqiptarëve dhe mbi lëvizjen
demografike të popullsisë shqiptare. Në
këtë drejtim Jugosllavia kishte investuar shumë, sepse fshehja e numrit të
shqiptarëve në truallin e saj
administrativo-politik si dhe fshehja e numrit të shqiptarëve të shpërngulur në
Turqi e gjetkë, ka një ndikim me shtrirje të gjerë, e presupozon rezultate
afatgjata në pretendimet pushtuese ndaj viseve shqiptare.[15]



Për fillimet e
falsifikimeve, autor thotë se ato kanë filluar herët, në fillimet e para
pushtuese jugosllave, menjëherë pas vitit 1912. Falsifikimin e kishte filluar
Jovan Cvijiqi, gjeograf serb, e për të vazhduar nëpër vite e dekada dhe për të
kulmuar më 1999, bile me të njëjtën politikë vazhdohet edhe sot.



Pos numrit të
popullsisë që vazhdonte të jetonte në
tokat e veta apo të marrë rrugën e
kurbetit në territoret e pushtuesit, të dhënat statistikore të të gjitha
kohërave përpiqen të na e fshehin me
këmbëngulje e perfiditet sidomos numrin
e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, me plane shtetërore jugosllave për shpopullimin e trojeve shqiptare nga
elementi autokton dhe popullzimin e tyre – me elementin kolonësh sllav[16]
thotë autori i shkrimit të gazetës.



Një titull mjaft
interesant e mban nëntitulli i shkrimit “Si të pacifizohen shqiptarët e kroatët
e Bosnjës”, në të cilën autori shkruan në vazhdim se në të gjitha regjistrimet
jugosllave të popullsisë, më 1921, 1948, 1953, 1961 dhe 1971, numri i
shqiptarëve dhe i kroatëve të Bosnjës
është falsifikuar në mënyrat më të liga. Për realizimin e këtij qëllimi,
shovinistët serbomëdhenj kanë trilluar
emërtime të çuditshme për kombësi të shpikura prej tyre dhe “teza” të shumta që
s’kanë të bëjnë aspak me shkencën.[17]
Për të vazhduar me analiza të mëtejshme se në regjistrimet para lufte,
shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklaronin kombësinë e tyre, se si pyeste
kush, po vetëm të deklaroheshin lidhur me
besimin e tyre fetar dhe me gjuhën amtare. Në pozitë të ngjashme ishin edhe kroatët e Bosnjës të besimit fetar
mysliman. Mbi të dy palët bëhej presion dhe insistohej që këta të deklaroheshin
turq. Në mënyrë që pastaj me dhunë e presione
t’u epet rruga e Anadollit.[18]



Për të bërë numrin
sa më të vogël të popullatës shqiptare në ish-Jugosllavi, pushtetarët kishin
shpikur edhe terme që nuk kishin të bënin fare me shqiptarët. Ata kishin
trilluar apo thënë më ndryshe kishin falsifikuar edhe emërtimet më të ndryshme
për shqiptarët edhe si popull edhe si
komb. Pushtetarët trilluan një tezë neveritëse për ne duke na quajtur “arnaut”
(serb të shqiptarizuar). Cvijiqi shënonte për
ekzistimin e 140 familjeve
“arnaute” në Kosovë. Ndërsa, Dimitrije Tucoviqi e kundërshtonte një të
dhënë të tillë duke thënë se “kurrë historikisht nuk kanë ekzistuar rrethana që të kushtëzonin shqiptarizimin e serbëve”[19].



Autori i shkrimit,
na rrëfen për falsifikimet në vitet e kaluar se çfarë ka ndodhur me popullatën
shqiptare, por për të nxjerr mësim nga pësimet, ai merakosët për regjistrimin e
vitit 1981, për të cilën bëheshin përgatitje
të mëdha, dhe pale se çfarë marifetllëqesh do të shpikin për ne. Dhe vërtet
frika e autorit u dëshmua më vonë se ishte e arsyeshme. Në krizën më të madhe
në historinë e jugosllavëve, në kohën e lëvizjeve më të mëdha të disidentëve
politik, të përçarjeve edhe në vetë radhët
më të larta të qeverisë jugosllave; në kohën e burgosjeve të papashme politike
të shqiptarëve e të kroatëve dhe të lëvizjeve të mëdha të këtyre dy kombësive
për çlirim definitiv nga Jugosllavia[20].Po
atë vit, më 1981, NIN-i kishte shkruar që është mirë që gjatë regjistrimit të
popullsisë, të parashihej edhe kolona, që kush të donë mund të regjistrohet
edhe “Jugosllavë”, dhe ashtu kishte ndodhur, se termi në fjalë sa ishte
tendencioz po ashtu ishte edhe i rrezikshëm për popujt jo sllavë siç ishte
rasti me shqiptarët.



Në nëntitullin e
fundit të shkrimit “Armikut-gurin e gjakut”, që titullohej Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) U1_2“Dezintegrimi i kompaktësisë etnike të
shqiptarëve”, bëhej fjalë edhe më tej për shpikjen e termit “jugosllavë”, dhe
që cak sulmi kishin “myslimanët” dhe shqiptarët. Si gjithmonë pushtetarët
asnjëherë nuk kishin marr as mundin më të vogël që të bisedonin dhe të
merreshin vesh për të gjitha këto marifetllëqe. Sipas autorit të shkrimit, ai
konstaton se edhe në regjistrimet e kaluara,
të vitit 1971, shqiptarët e patën kuptuar se ka ardhur koha e fundit që të
dalin në dritë të gjitha dredhitë e pabesitë jugosllave dhe patën vendosur që
jugosllavëve, në vend që t’ia fal kombësinë e vet, do t’ falë më me qejf gurin
e gjakut. Ndonëse edhe atëherë u bënë manipulime me numrin e popullsisë, rezultatet e
regjistrimeve qenë fatale për
jugosllavët (sidomos për maqedonasit, të cilët i kishin vonua për gjashtë muaj
rezultatet nga republika e tyre, vetëm e vetëm për të manipuluar disi numrin tejet
të madh të shqiptarëve). Këto rezultate i dhanë impulse të reja popullit tonë të robëruar. U pa se, sa i
përket shtimit natyror dhe moshës mesatare
të popullsisë, shqiptarët janë kombësia më vitale jo vetëm në Jugosllavi;
u pa se , me gjithë përpjekjet më ç’njerëzore
të armikut për të zhbirë farën e popullit tonë nga viset shqiptare , ajo
kurrsesi nuk po rrallohet[21],
përkundrazi për vjet po shtohet dhe po rritet.



Për veprimet e
tyre të pushtetit jugosllav, ata arsyetonin në vete duke parashtruar para vete
shumë qëllime:



1. Në rastin më fatlum
për pushtuesin, me zvogëlimin e numrit të shqiptarëve deri në një minimum dhe me shtimin
proporcional të numrit të kolonëve sllavë në tokat shqiptare, shovinistët
jugosllav pretendojnë të fitojnë “të drejtat historike” mbi tokat tona;



2. Në një rast më
pak fatlum për ta, kur nuk do të mund të
sigurohej dezintegrimi i dukshëm i kompaktësisë etnike shqiptare po një
dezintegrim i pjesërishëm, atyre u mbetet në dorë mundësia që popullsisë sonë
t’ia reduktojnë edhe ato të drejta
formale, që i përgjigjen shkollës së caktuar të kompaktësisë etnike më
të madhe etnike të shqiptarëve. [22]Mirëpo,
me zhvillimin e ngjarjeve të mëvonshme, tërësisht në Kosovë dhe Jugosllavi
ndryshoi situata politike. Me shpërthimin e demonstratave studentore të vitit
1981, intelektualet dhe anëtarët që aderonin në lëvizjen ilegale të Kosovës,
ngritën zërin dhe reaguan ashpër se nuk mund të mbahet regjistrimi nën tytat e
armëve. Andaj ishte krejt normale që regjistrimi i popullsisë i vitit 1981, u
bojkotua në mënyrë masive nga shqiptarët.



Shkrimi “Dallgët e
luftës revolucionare dhe antiimperialiste ngrihen gjithnjë e më lart”, është u
huazuar nga gazeta e përditshme shqiptare “Zëri i Popullit” dhe në vija të
përgjithësuara jepen të arriturat e shteti shqiptar brenda planit të gjashtë pesëvjeçar
dhe përgatitjet që bëhen për me dal sa më të suksesshëm në planin tjetër gjatë
viteve 1981-1985.



Nga ATSH-ja, po
ashtu huazohet shkrimi “Shtohen përherë e më shumë shpenzimet për armatimin (
Një milion dollarë në minutë për përgatitjet për luftë)”. Në këtë shkrim
kritikohet ashpër politika e shteteve të perëndimit, se në shtyp e televizionet e huaj, e sidomos të
atyre Amerikane e Ruse, flitej me të madhe se angazhohen për paqe dhe
stabilitet në botë, në të vërtet në botë ndodhë e kundërta, duke e argumentuar
me të dhënën se vetëm brenda një minute bota harxhon një milion dollar për
armatim[23],
dhe më këtë angazhim për të prodhuar sa më shumë armë të sofistikuara, ata
dëshmojnë haptas se sa janë për “paqe”.






“Trakti” i Lëvizjet Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve të
tjera shqiptare nën Jugosllavi”
(LNÇVSHJ)






Në fillim të
shkrimitnjoftohen lexuesit se
shkrimi “Një komb shqiptar, një shtet shqiptar”, fillimisht është shkruar në
formë “Trakti” nga ana e “LNÇVSHJ”, i cili kishte qarkulluar një kohë të gjatë
në radhët e atdhetarëve në vend dhe diasporë.



Lëvizja...
shkrimin e kishte ndarë në nëntë nën pjesë dhe në secilën veç e veç kishte
prezantuar zhvillimin e luftërave shqiptare për liri e pavarësi.



Në nën pjesën “Pse
historia u bë njerkë për popullin
shqiptar”, konstatohej se populli shqiptar është një ndër popujt më të vjetër në Ballkan dhe Evropë.
Por e keqja ishte se gjatë gjithë historisë, ata nuk patën miq dhe përkrahje
nga të tjerët. Edhe ata që i kishin ishin shumë të vegjël dhe nuk mundnin të
ndikonin në rrjedhën e ngjarjeve historike. Periudha njerkë për shqiptarët
ishte shumë e rëndë dhe e vështir. Edhe pse i sulmuan dhe i copëtuan,
megjithatë shqiptarët arritën që t’iu rezistonin armiqve të shumtë, dhe nuk
ishte e çuditshme se më 1878, populli shqiptar organizoi dhe formoi lëvizjen e
vetë kombëtare, me organet e saja politike në të gjitha viset shqiptare-Lidhjen
Shqiptare të themeluar në Prizren. Me anën e saj, populli i ynë i tregoi botës
se populli shqiptarë është një dhe i pandarë. [24]
Formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pati jehon të madhe dhe ndikoi
dukshëm që në skenën politike evropiane të mendohej pak më ndryshe. Kryesia e
“Lëvizjes...” kështu e komenton se nën presionin e Lëvizjes Kombëtare të
Shqiptarëve , të cilët kishin dalë me armë në dorë e të organizuar në nivel të
lartë për ta mbrojtur vatanin nga copëtimi që i kërcënohej, edhe fuqitë e mëdha
u detyruan disa herë t’i ndërronin vendimet e Kongresit të Berlinit[25].,
por më vonë për të gjitha këto ata u hakmorën keq ndaj tyre, duke dërguar
flotën e përbashkët evropiane në Ulqin e
Tivar, për t’ia dorëzuar Malit të Zi ato vise shqiptare, që ai vet nuk kishte
mundur ti marri kurrë.



Pas kongresit të
Berlinit, dhe pasi u copëtuan dukshëm tokat shqiptare, Serbia dhe “Shkencëtarët”
e saj morën një fushatë të paparë vetëm e vetëm për të bindur opinionin botëror
se Kosova është tokë serbe, dhe se e quanin “Stara Serbia”. Nuk ngurruan që të
thoshin e të shkruanin lloj-lloj trillimesh duke thënë se “shqiptarët paskan
ardhur në Kosovë aty nga shekulli XVII e XVIII[26].
Por, në ndërkohë kishin “harruar” se me rrena nuk shkruhet historia.



Gjatë historisë
dihej se shqiptarët në vitet 1908, 1909, 1910, e sidomos në vitin 1912, kur
perandoria osmane dridhej nga themeli nga luftërat çlirimtare, kur i tërë
populli shqiptarë dhe posaçërisht ai i Kosovës u ngrit në Luftë Çlirimtare e
udhëhequr nga trimat më në zë si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini,
Idriz Seferi[27]
e shumë të tjerë.



Më 1912, në kohën më të vështir kur hordhitë e
egra sllave ia kishin mësy tokave shqiptare, plaku i urtë Ismail Qemali
s’bashku me Isa Boletinin ngritën flamurin e Skënderbeut në Vlorë dhe shpallën
Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Edhe pse u shpall Shqipëria, shtet i pavarur,
megjithatë tokat shqiptare u copëtuan si më keq, gjysma e trojeve shqiptare iu
futën në dorë robëruesve tanë të rinj, shumë më të egër se të përparshmit. Edhe
pse populli shqiptar i kishte liruar me gjak tokat e veta, megjithatë edhe më
tej vazhdoi si amanet, që të luftohej për realizimin e aspiratave të popullit
shqiptar për krijimin e shtetit brenda kufijve kombëtar[28]
shkruajnë anëtarët e LNÇVSHJ.



Pas okupimit të
tokave shqiptare, nga ana e Serbisë filloi një fushat e paparë dhune e terrori.
Pushteti serb ndaj shqiptarëve u sillnin në mënyrën më të vrazhdë. I mohonin të
kaluarën e lavdishme dhe luftonin me lloj-lloj shantazhesh për të ardhmen.
Njëra ndër metodat më të preferuara të tyre ishte dëbimi i shqiptarëve nga
trojet e tyre, zhdukja e tyre fizike, kolonizimi i tokave shqiptare me element
sllav[29]
e shumë prapësi të tjera. Gjatë luftërave të më vonshme, pushteti serb u kujdes
që në mënyrë sistematike të zhduk e të ç’faros sa më shumë shqiptarë. Ajo kohë
ishte koha e shovinistëve serbë si e Vasa Qubrilloviqit, Ivo Andriqit, Ivo Vukotiqit
dhe shumë të tjerëve, kur me këmbëngulje kërkonin nga pushtetarët që të merrnin
masa drastike për zhdukjen e shqiptarëve. Ata shkuan aq larg sa shkruan
elaborate të tëra se si dhe kur është më së miri ti zhduknin shqiptarët.



Në etapa të
caktuara historike bëhet edhe analiza e situatës nga ana e anëtarëve të
LNÇVSHJ-së. Në nën pjesën e titulluar “A bënë dot shqiptari ç’bënë kralët dhe
shovinistet e rinj”, bëhet fjalë për LDB dhe tokat shqiptare të cilat ishin
pushtuar nga nazi-fashistët Dhe duhet përmendur se edhe gjatë Luftës së Dytë
Botërore, populli shqiptar mori pjesë aktive në të dhe për herë të dytë i
çliroi tokat e veta. Duke u mbështetur në forcat e veta dhe pa ndërhyrjen e
aleatëve, populli i ynë ngadhënjeu mbi fashizmin, madje duke iu ardhur në
ndihmë edhe popujve të tjerë, siç ishin ata të Jugosllavisë...[30],
për të vazhduar më tej se deri në Konferencën që u bë në Bunjaj të Malësisë së
Gjakovës, masat e gjera popullore në Kosovë nuk i kuptonin sa duhej qëllimet e
LNÇ-së. Por, këto qëllime u kuptuan me themel pasi u shpall Rezoluta e kësaj
Konference, ku thuhej se “Populli shqiptar, i cili me shekuj luftoi për
çlirimin dhe për krijimin e shtetit të
vet kombëtar, dhe pjesa e trojeve shqiptare e pjesa e trojeve shtetërore shqiptare, me çlirimin nga
pushtuesit, do t’i realizojë aspiratat e veta dhe do t’i bashkëngjitet shtetit
amë, Shqipërisë. Për këtë do të garantojë Ushtria Nacional Çlirimtare
Shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Anglia, si fuqi aleate në Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) U1_3Luftën e
Dytë Botërore”[31]. Se populli i Kosovës dhe i Viseve tjera
shqiptare, që kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit amë deri në fillim të II
Botërore, para konferencës së përmendur kishin frikë se do të përsëritej e
kaluara. Gjatë LDB, nuk mungonte edhe angazhimi i madh i komunistëve, duke e
bindur popullin se poçes arrihet të luftohet nazi-fashizmi, atëherë garantonin
ata se edhe çështja shqiptare do të zgjidhej drejtë e mirë ashtu edhe siç
aspironin shqiptarët. Mjerisht, edhe kësaj here u dëshmua e kundërta. Kosova
dhe shumë vise shqiptare u copëtuan në shumë republika jugosllave dhe Kosova u
aneksua nga Serbia dhe Jugosllavia. Shqiptarëve në këtë periudhë nuk iu kishte
ngelur rrugë tjetër, veçse të organizoheshin dhe të bënin rezistencë të
armatosur. Janë të njohura Lufta e Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës,
sulmi i Gjilani nën udhëheqjen e Mulla Idriz Gjilanit, Sulmi i Ferizajt e shumë
luftëra të tjera anë e kënd në tokat shqiptare. Kur kryengritjet e shumta u
shuan me gjak nga ana e “partizanëve” çetnik, atdhetarët shqiptar u detyruan që
në një ilegalitet të thellë të vazhdonin dhe të organizonin shumë grupe e
organizata ilegale që në vazhdimësi luftuan për qëllimin më sublim dhe më
suprem për bashkimin e tokave shqiptare.



Për realizimin e
planeve të vjetra, okupuesi serb filloi të aplikonte metoda të reja, dhe për të
gjitha këto flet nëntitulli në vazhdim “ Planet e vjetra-metoda të reja” të
traktit të ilegales.



Një nga metodat më
të përshtatshme që filluan për ti përdorur pushtuesit e rinj, ishte po ajo
metodë që e kishin përdorur edhe më herët kralët serb: 1. Shpërngulja
permanente e shqiptarëve nga trojet e veta. Meqë përballë popullsisë
vendase dhe asaj botërore, ky
aksion nuk mundë të ndërmerret me dhunë
të hapur, sikurse në kohën e Jugosllavisë së vjetër, ata i hynë një aksioni të
tërthorët. Përtërin e ripërtërin marrëveshjen xhentellmene turko-jugosllave,
dhe kërkuan që nga Kosova dhe viset tjera shqiptare të shpërngulën sa më shumë
shqiptar të besimit mysliman. Gjatë viteve të tmerrshme të dhunës e terrorit
shtetëror ndaj shqiptarëve filloi edhe shpërngulja e madhe për në Turqi. Duke e
parë rrezikun e madh nga shpërngulja dhe duke lënë mbrapa shumë fshatra të
zbrazura shqiptare, atdhetarët shqiptar nuk qëndruan duarkryq dhe ndërmorën
masat e nevojshme për të penguar zbrazjen e tokave shqiptare. Në statistikat e
gjykatave të qarqeve në Kosovë janë të njohura shumë procese gjyqësore që u
organizuan ndaj të gjithë atyre që pengonin në shpërnguljen e shqiptarëve. Si
gjithmonë, pushteti nuk delte hapur kundër atyre që pengonin shpërnguljen por
gjenin shumë e shumë arsye për ti hedhur në burg, që në një mënyrë amortizonin
reagimin kundër shpërnguljes.



2. Si metodë e
dytë që u aplikua me mjaft sukses ndaj shqiptarëve që kishin ngelur nën
Jugosllavi, ishte edhe metoda e grumbullimit të armëve tek shqiptaret, apo
ndryshe në popull njihej si “Aksioni i mbledhjes së armëve” gjatë vitit
1955/56. Aksioni ishte organizua me pretekstin se gjoja u kishin mbetur nga lufta
shumë armë shqiptarëve dhe të gjitha ato paraqitnin rrezik për sigurinë
e rendit në Jugosllavi. Në fakt, Aksioni i armëve ishte një nga mënyrat për presion mbi popullin shqiptar, me qëllim kryesor e të
fundit- shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi e gjetkë. Gjatë aksionit populli
shqiptar u torturua aq shumë nga
UDB-eja, sa që një numër i madh njerëzish e humbën edhe jetën, kurse pjesa
tjetër (e banorëve të moshës madhore), mbeti me pasoja të rënda fizike e
psikike.[32]



Për aksionin e
mbledhjes së armëve në Kosovë, pas viteve 1966/1968, shkruante edhe shtypi i
vendit dhe shtypi botëror. Gazeta “Vus” e Zagrebit, kishte shkruar se gjatë
kohës së aksionit të armëve nga viset
shqiptare nën Jugosllavi u shpërngulën dhe shkuan për Turqi rreth 300 mijë
shqiptar. Kundër këtyre metodave perfide që organizoheshin nga ana e pushtetit
u bë rezistencë e madhe si në mënyrë individuale po ashtu edhe në formë të
organizuar. Gjatë kësaj kohe u formuan dhe vepruan shumë organizata ilegale që
kishin për qëllim rezistencën e shqiptarëve dhe u mundonin që në masat e gjera
të bënin informimin e drejtë për shpërnguljet në Turqi dhe metodat e ndryshme
të dhunës që përdornin okupuesit. Gjatë kësaj periudhe, numri i të burgosurve
politik u shtua dukshëm, në këtë kohë u mbajt procesi gjyqësor i njohur me
emrin “Procesi i Adem Demaqit”, Procesi gjyqësor i Metush Krasniqit me shokë.
Në burg u mbyt me dhunë mësuesi patriot i Letancit të Llapit, Shaban Shala,
Fazli Grajqevci e shumë e shumë të tjerëve anë e kënd Kosovës dhe viseve
shqiptare nën Jugosllavi.



Më 1968, angazhimi
i atdhetarëve tek masat e gjera shqiptare, dha edhe rezultatet e Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) U1_4para të
lakmueshme. Fillohet me organizimin e demonstratave që mbahen në Prizren (6
tetor, ‘’68), për të kaluar në Therandë (8 tetor ‘’68), për tu organizuar me 19
tetor në qytetin e Pejës, për të mos mbetur anash Gjilani me rrethin, me 27
nëntor, 1968. Po ashtu, jepen të dhëna të bollshme për demonstratat në Besian,
për të pasuar më vonë nga ato të Ferizajt me dallim prej një ore, për të
vazhduar më vonë zinxhir, në Mitrovicë, dhe për të kulmuar në Prishtinë, ku demonstrimi
i masave e studentëve i arrin majat, me fillim në orë 16 pa pesë minuta, e, për
të përfunduar diku kah mëngjesi i ditës së nesërme (28 nëntor ’’68).



Bërja e
demonstratave për herë të parë në Kosovën e pas LDB, në opinionin kombëtar dhe
ndërkombëtar pati jehon të madhe duke e ndarë një kohë historike në dysh: kohën
para demonstratave dhe atë pas demonstratave. Andaj, edhe informimit iu kushtua
një rëndësi e veçantë, edhe pse udhëheqja e atëhershme u mundua që të
minimizonte rendësin dhe qëllimin e tyre. Proceset gjyqësore që u organizuan
dhe u mbajtën ndaj demonstruesve-organizatorë, binin në sy me shqiptimin e
pakët të viteve të burgut. Ç’është e vërteta, ato nuk ishin të vogla ngase
grupit të organizatorëve dhe të tjerëve që u arrestuan iu shqiptuan mbi 100
vite burg të rëndë, porse krahasuar me dënimet e mëhershme që iu shqiptoheshin
shqiptarëve , e që ishin dënime prej shumë viteve, këto ishin më pak të larta.



Ishte
edhe një urdhër nga “lart”, që i udhëzonte gjykatësit, që mos t’iu kushtohet ndonjë
rëndësi e veçantë demonstruesve, por edhe mos të shkruhej drejtë për kërkesat e
tyre. Shtypi jugosllav, i vlerësoi si të organizuara nga “armiqtë “ e popullit
jugosllav e shqiptar.



Edhe pse kanë
kaluar vite e vite, konstaton “Lëvizja...”, kërkesat e popullit shqiptar edhe më vonë ngelën të njëjta, kërkesa ato që
kishte parashtruar populli shqiptar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me
Rezolutën e Konferencës së Bujanit, më vitin 1945, më 1968 e më 1978, dhe nëpër
të gjitha këto vite përcillej si kushtrim kërkesa e LSHP me Abdyl Frashërin se
shqiptarët nuk duan as më shumë e as më pakë se “Një komb shqiptar, një shtet
shqiptar” dhe kjo e drejt e ligjshme u nëpërkëmb vit pas viti deri më 1999.



Dhe për këtë
të drejtë dhe të vërtet e dinë mirë robëruesit jugosllavë. E di mirë
tërë bota se, pa krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve kombëtar shqiptarë- nuk do të ketë paqe në
Ballkan[33] thuhej në traktin e LNÇVSHJ-së.











[1] Armikut-gurin e gjakut! (Në prag të
regjistrimit të popullsisë, që fillon në prill), Lajmëtari i Lirisë, Viti II,
nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 8.






[2] Popullsia, pengesë e pakapërcyeshme, Lajmëtari
i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 8.






[3] Genocidi mbi shqiptarët, Lajmëtari i Lirisë,
Viti II, nr. 1. Janar- Shkurt 1981, f, 8.






[4] Po aty.






[5] Traktati i Pakicave, ishte nënshkruar më 1919,
në Saint Germin-en-Laye, nënshkruese e së cilës ishte edhe Jugosllavia e
Vjetër., dhe në të thuhej se “Shteti Serbo- Kroato-Slloven merr përsipër t’u
sigurojë të gjithë banorëve
mbrojtjen më të plotë të
jetës e të lirisë, pa dallim klase, kombësie gjuhe, race ose feje”






[6] Punim i cituar “Genocidi…”, f, 8.






[7] Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, 1919.






[8] Udhëzime të S.V. Tempos për KK të PKJ-së për
Kosovë, me 2 tetor 1943, f. 2






[9] Deklarata e Moskës u miratua në tetor 1943 , e
cila kërkonte të “zbatohej bashkëpunimi më i ngushtë në udhëheqjen e luftës dhe
në të gjitha çështjet, të cilat kanë të bëjnë me kapitullimin dhe çarmatimin e shteteve armike.






[10] Karta e Atlantikut, u nënshkrua ndërmjet V. Çerçilit dhe F. D. Ruzveltit. Në
këtë dokument të rëndësishëm në mes tjerash thuhet “kthimi I të drejtave
sovrane dhe të vetëadministrimit atyre
popujve , të cilëve u janë marrë ato dhe respektimi I të drejtave të të gjithë
popujve , që të zgjedhin formën e vet të qeverisjes ( 14 gusht 1941)






[11] Deklarata e Teheranit, u soll me 1 tetor 1943,
u nënshkrua ndërmjet Ruzveltit, Çerçillit
dhe Stalinit. Kjo deklaratë garantonte se të gjithë popujve aleatë në Luftën Antifashiste so t’u njihet e
drejta për të rregulluar marrëdhëniet e veta “sipas aspiratave të tyre të ndryshme dhe sipas ndërgjegjes së
tyre vetanake”






[12] Letra e Titos u botua në dhjetor të vitit
1942, në gazetën “Proleter”, me titull “Çështja kombëtare në Jugosllavi në
dritën e Luftës Nacionalçlirimtare”. Në mes tjerash në lidhje me çështjen e
shqiptarëve thuhej se “Çështja e Maqedonisë,
çështja e Kosovës e Metohisë, çështja e Malit të Zi, çështja e Kroacisë,
çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnjës e Hercegovinës do të zgjidhet lehtë
ashtu siç dëshirojnë të gjithë, sepse do ta zgjidhë populli, kurse këtë të drejtë e fiton çdo popull, me pushkë në
dorë, në këtë luftën e sotme Nacionalçlirimtare”






[13] Rezoluta e Bujanit, u miratua me 31 dhjetor
1943 dhe me 1 e 2 janar 1944, në fshatin
Bunjaj të Malësisë së Gjakovës. Në Mbledhjen Themeluese të Komitetit
Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës
e Dukagjinit. Në këtë mbledhje merrnin pjesë 49 delegatë ( 43 shqiptarë,
6 serbë e malazezë). Përveç Rezolutës që është një dokument me një rendësi të
madhe historike, u soll edhe Proklamata e Kryesisë së KNÇ-së së Kosovës, në të
cilën thuhet se “Liria e juaj, qëndron në luftën tuaj, sepse vetëm lufta e
armatosur, e përbashkët kundër okupuesit dhe ndihmësve të tij është rruga me të
cilën sigurohet liria dhe e drejta për vetëvendosje dhe shkëputje”. Në këtë
mbledhje u zgjodh edhe udhëheqësja e re prej 9 vetave ( 7 shqiptarë, 2 serbë e
malazezë).






[14] Dr. Lefter Nasi, E vërteta mbi Kosovën dhe
shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë 1990, f. 409






[15] Pranimi i fajit pas aktit të kryer, Lajmëtari
I Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 8.






[16] Punim I cituar “Armikut- gurin e gjakut”, f, 8






[17] Si të pacifizohen shqiptarët e kroatët e
Bosnjës, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 9.






[18] Po aty.






[19] Po aty.






[20] Po aty.






[21] Dezintegrimi i kompaktësisë etnike të
shqiptarëve, Lajmëtari i Lirisë Vitit II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 9.






[22] Po aty.






[23] Shtohet përherë e më shumë shpenzimet për
armatimin, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar –Shkurt 1981, f,11.






[24] Një komb shqiptar, një shtet shqiptar,
Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 12.






[25] Pse historia u bë njerkë për popullin
shqiptar, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 12.






[26] Me rrena nuk shkruhet historia, “Stara
Serbija” pjellë e shovinizmit, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt
1981, f, 12.






[27] “Trojet shqiptare u çliruan me gjakun e djemve
më të mire të Shqipërisë, po çlirimi qe jetëshkurtër, Lajmëtari i Lirisë, Viti
II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 12.






[28] Po aty.






[29] Qëndrimi i kralëve serbë ndaj tokave të
robëruara, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981,f, 12.






[30] A bënë
dot shqiptari ç’bënë kralët dhe shovinistët e rinj, Lajmëtari i Lirisë,
Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 13.






[31] Rezoluta e Konferencës së Bujanit, (31 dhjetor
1943-1,2 janar 1944)….






[32] Planet e vjetra-metoda të reja, Lajmëtari i
Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 14.






[33] Pa krijimin e shtetit shqiptar Brenda kufijve
kombëtar nuk ka paqe në Ballkan, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-
Shkurt 1981, f, 15.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi