Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ekskluzive: Intervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra

Shko poshtë

Ekskluzive: Intervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra Empty Ekskluzive: Intervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 15, 2010 3:26 am

Ekskluzive: Intervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra U1_BeqirCikaqiIntervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra


Në mërgim, me dy diploma në xhep


”Dëmi ma i madh i një prindi shqiptar, është kur ka mundësi me e dërgu në shkollën shqipe fëmijen e vet e nuk e dërgon. Kjo është një vetëvrasje! Të mos e njohësh gjuhën dhe historinë kombëtare do të thotë në mënyrë të drejtepërdrejtë të biesh nën ndikimin e kulturave antikombëtare, ndërsa për kulturen dhe traditat tona kombi ynë ka dhënë me qindra mijëra dëshmor.”(Bashkim Bekteshi)


Nga Beqir Cikaqi


Profesor, Bashkim Bekteshi, i lindur (1962) në Ballancë të Dibrës. Atje ka kryer edhe shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa studimet e para i ka mbaruar në drejtimin histori-gjeografi pranë SHLP në kuadër të Universitetit Qirili e Metodi në Shkup. Duke mos qenë i kënaqur vetëm me kaq ai vazhdoi studimet në Kosovë, ka mbaruar Fakultetin e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Ndonëse me dy diploma në xhep, d.m.th. edhe me titull profesor i historisë, ishte i papunë, sepse pushteti i atëhershëm maqedonas ushtronte një diskriminim të skajshëm ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, në veqanti ndaj intelektualëve, e sidomos ndaj gjuhëtarëve e historianëve shqiptar. Profesori i historisë, z. Bashkim Bekteshi, dy herë mori iniciativë për shkollën shqipe. Në të dy heret konrtributi dhe këmbëngulësia e tij, me përkrahjen edhe të bashkëmendimtarëve tjerë pati sukses. Hera e parë ishte rihapja e shkollës shqipe në vendlindje, ndërsa hera e dytë këtu në mërgim. Në të dy herat i ra hise të punojë edhe pa kompenzim material. Në mërgim dëtyrohet të kalojë për arsye, se iu ndalua puna në profesion. Më 1995 migron në Itali, përkatësisht në Bassano del Grappa, aty gjen edhe shumë bashkombas, ku angazhohet në aktivitete të mergatës që i bënin përmes shoqatës “Bashkimi Kombëtar”. Është njeri ndër bashkëinicuesit e hapjes së shkollës shqipe të mësimit plotësues, dhe njëkohësisht ndër dy mësuesit e parë që filluan të punojnë pa kurfar kompensimi në këtë shkollë. Zoti, Bashkim Bekteshi, punon ne një fabrikë, jeton në Romano D'ezzelino (lokalitet afër Bassanos) së bashku me bashkëshorten, dhe vajzen - Arita (që i ka lindur pas mëse njëzet e pes vite martesë). Për të gjitha këto, dhe për të tjera, me z. Bekteshi zhvilluam një bisedë.


Ekskluzive: Intervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra U1_BashkimBekteshi- Së pari , a mund të na tregoni se nga vjen. Cila është vendlindja e juaj? Dhe cilat janë vitet e vështira apo të lumtura të jetës Tuaj!


Në këndin ku bashkohet lumi Radika dhe lumi Drini i Zi shtrihet një krahinë që quhet Zhupe e Dibrës, gjith kjo ndodhet në pjesën jugore të qytetit të Dibrës. Në këtë vend ndodhet edhe kalaja e Skenderbeut njohur në histori si kalaja e Svetigradit emërtuar kështu gjatë okupimit serb qysh në mesjetë. Në këtë kala është zhvilluar beteja e drejtëpërdrejtë mes Gjergj Kastriotit dhe vet perandorit osman Sulltan Murati i Dyte me 1448. Në një distancë prej pesë kilometra nga kalaja ndodhet fshati Ballancë, ku kam lindur unë, i vetmi fshat i pa asimiluar nga pushtimet sllavo- turke nga gjithsej 17 fshatra sa ishin të asimiluar. Pra, jam lindur në një trevë të njohur në historin tonë kombëtare. Tetëvjecaren e kam të kryer në shkollen “Mosha Pijade “ të Dibrës , ndërsa të mesmen në gjimnazin “Zdravko Cockovski” me 1981, gjithashtu në Dibër. Me gjithë varfërinë e madhe, me deshiren time, prindi vendosi që të vazhdojë studimet, të cilat në tetor 1983 i mbarova në drejtimi histori –gjeografi prane SHLP të Klimenti i Ohrit,n ë kuader të univerzitetit Qirili e Metodi në Shkup. Mbasi nuk isha i kënaqur vetëm me SHLP, vazhdova, studimet në Univerzitetin e Prishtines dega e historisë. Mungesa e mjeteve me veshtirsonte studimet , të cilat i mbarova me shumë sakrifica me 1989. Më duhet të theksojë se në të njejten kohë ishte edhe një ngaresë bukur e madhe edhe për prindërit e mi, pasi në ndërkohë shkollonin edhe tre vëllezerit dhe motren.

-Pas përfundimit në SHLP, mandej edhe diplomimit në Fakultet, arrite titullin profesor, ishte një lehtësim për Juve dhe familjen Tuaj ?


Jo përkundrazi! Edhepse i kisha dy titujë (arsimtar dhe profesor) pushteti i atëhershem sllavo-maqedon, nuk më mundësonte ushtrimin e profesionit tim, pasi shkollimin e kisha të kryer në gjuhen shqipe. Armiqësia mes meje dhe pushtetit lindi pas vizitës që i bëra Kalasë së Skenderbeut në fshatin Koxhaxhik të Dibrës me shokun tim Sazan Papraniku, atëherë student në Univerzitetin e Prishtines, e sidomos u keqësuan, kur në një shkrim të gazetës Flaka e Vëllazerimit, që botohej në Shkup, pata shkruar në një artikull, se “maqedonet e islamizuar “ janë shqiptar të asimiluar.si dhe nga reagimi i im, kur më 1987 qarqet antishqiptare mbyllen shkollën tetëvjeçare në fshatin tonë duke i derguar nxënësit të udhëtojn nga 15 km deri në Dibëer në kushte të veshtira, qëllimin përfundimtar e kishin të mos ken mundësi të i ndjekin mësimet, dhe vet të “heqin dore” nga shkollimi në gjuhën amtare. Ishte kjo një padrejtësi e madhe, se po asimliohej i vetmi fshat shqiptar që kishte ngel në këtë pjesë të Dibrës, prandaj unë kisha një dhimbje të madhe në shpirt.

-Kishe ndonjë periudhë kohore gjat jetes , që mund ta konsiderin të lumtur, apo të suksesëshme për Juve zoti profesor!?


Gjithë kjo nuk më lëkundi nga identiteti dhe karakteri im, sa i përket çështjes kombëtare, përkundrazi më nxiste edhe më shumë në këtë drejtim. Kështu, më 1990 me fillimin e sistemit shumë partiak u antarësova në Partinë për Prosperitet Demokratik në ish Republiken Jugosllave te Maqedonise duke u bërë antare në kryesi të degës së Dibrës. Aty shfrytëzova rastin dhe fillova të parashtrojë kërkesa për rihapjen e paraleleve të mbyllura në fshat, gjë të cilen e realizuam, së bashku me prinderit pas shumë insistimëve, deri në grev urie. Si kryetar i komisionit për rihapjen e paraleleve në gjuhën shqipe dhe si kryetar i këshillit grevist (greva zgjati gjashtë ditë në shtator të 1990). Pra, duke shfrytëzuar edhe poziten time si këshilltarë në kuvendin e Dibrës për fshatin Ballancë, me presionet e vazhdueshme , e detyruam ministrin e arsimit, Dimitar Bajallxhiev, që të rihap paralelet në gjuhen shqipe. Kjo ishte këqnaqesia me e madhe në jeten time ! Me kete raste ne paralelet shqiptare mbrenda një muaji u regjistruan 29 nxënës nga paralelet “maqedonase” në paralelet shqiptare nga prinder që kishin guxim, ngase kishte edhe të atill që akoma hezitonin.Njëkohësisht i falemendrojë të gjith kolegët qe më përkrahen , me të cilët punuam. Pasi atz e kisha edhe rolin e mësuesit, drjtorit dhe propaganduesit më të zëshëm në shtimin e numrit të nxënësve. Në të njejten kohë më 1992 arrita të hape paralelen e parë të parashkollorëve (foshnjore)në gjuhen shqipe gjë të cilen se kishte asnjë fshat në rrethin e Dibrës. Këto rezulltate i arrita duke mos parë interesat përsonale, por i votuar nga populli punoja për popull.Kështu shfytëzova ndikimin tim , si këshilltar i PPD, në asfaltimin e rrugës deri në fshat. Këtë periudhë kohore e konsiderojë të suksesëshme në jeten time.Më duhet të them se nuk më zgjati shumë.


Ekskluzive: Intervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra U1_Bashkimi-vendlindje
Prof. Bashkimi me nxënës në vendlindje
-Pse ? Çka ndodhi mandej, zoti profesor !?



Me paraqitjen e frakcionit në PPD, më 1993, fuqija e veprimit politik u dobësua, kështuqë pushteti e konsiderojë se u hakmor ndaj meje, duke me perjashtuar nga puna me 2 prill 1993 , pra pas nji vit e gjysëm pune, pas gjith atyre viteve që prita për punë, pikerisht para përfundimit të vitit shkollor më larguan. Për fat të keq është për tu theksuar se në largimin tim nga puna pati dorë drejtepërsëdrejti ministrija e arsimit. E gjithashtu në mos punsimin tim të metejshëm ndikuan edhe ca qarqe krejtësisht antikombetare në Dibër, të ndihmuar drejtepersedrejti nga ministrija e arsimit në Shkup. Më nuk pata rrugëdalje tjeter, u detyrova të largohem duke e lënë vendelindjen në një gjendje jo të mirë, sipas meje, meqë , e konsiderojë se partitë politike shqiptare nuk bënë as një veprimtari serioze për çeshtjen kombëtare të cilat kishin një mbështetje nga disa qendra vendimarrëse ndërkombëtare., sjellje të cilat per fat të keq vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Largimin nga vendlindja e përjetova rëndë.Në mërgim e vërtetova duke e përjetuar proverbin; “se balta e vendlindjes është ma e ëmbël se mjalta”

- Edhe në mërgim të ra “hise” për hapjen edhe të një shkolle shqipe. Cilat jan insistimet, mandej, kontributi dhe rezultati i Juaj në këtë drejtim?


Nuk mund të them se është insistimi, kontributi apo rezultat i imi. Krejt kjo është i përbashkët. Kështu. Me 1995 u vendosa në Bassano del Grappa të Vicencës në Itali ku u njohtova me shumë shqiptar nga të gjithë trojet shqiptare. Në fakt unë i dua të gjithë bashkëkombasit, e pa mare parasish se në çfarë lartësie mbidetare ose në çfare gjeresi dhe gjatesi gjeografike ata jetojne , mjafton që të jen atdhetare të mirë. Në Bassano egzistonte shoqata “Bashkimi Kombetar” në të cilën me deshirë u antarsova dhe me zotërinjët Avdi Beqiri ,Edmond Budina , Ragip Thaqi , Edije Xhyheri, Enver Hoti , Rexhep Berisha dhe shumë të tjerë me në mars të vitit 2002 hapem shkollën e parë me mësim plotësues në gjuhen shqipe të përkrahur nga disa prind të interesuar , se fatkeqësisht të gjithë nuk tregonin interesim. Per fat të mirë patem përkrahje nga disa intelektual vendas si prof . Vittorio Andolfato dhe shumë miqë si ai, të cilët na ndihmuan. Ishte një punë mjaftë e veshtirë në vend të huaj. Vendimin përfundimtar e kemi marrë me 02 mars 2002 qe korespondonte me Kuvendin e Lezhes të vitit 1444, një ditë e mbarë. Mësimet i filluem në Qendren Rinore të Bassanos. Mesues të parë ishim unë për lënden e historisë dhe zoja Sonja Kraja-Budina për gjuhë dhe letërsi shqipe.. Lekët të cilët na takonin nga puna e mësuesisë i lenim në fondin e shoqatës . Mësimi zhvillohej në dy grupe. Për fat të keq me duhet të theksojë që edhe këtu në Itali, si në shumë shtete tjera të Evropes një numër i madh i shqiptarëve nuk i dërgojn fëmijet në këto shkolla që përkrahen nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo është një vetëvrasje , demi më i madh që mund ti bëjë një prind fëmijes së vet. Të mos e njohësh gjuhën dhe historinë kombëtare do të thotë në mënyr të drejtepërdrejtë të biesh nën ndikimin e kulturave antikombëtare, ndërsa për kulturen dhe traditat tona kombi ynë ka dhënë me qindra mijëra dëshmorë. Mbas një viti mësimet i vazhduam në shkollen “Giusto Bellavitis” në ndërkohë patëm një ndihmë nga ministria e arsimit te Republikes se Kosoves ku na i siguroi tekstet mësimore, po ashtu prindi Rexhep Berisha na solli hartat për histori dhe gjeografi prej Kosove si ndihmë për shkollen shqipe. .Në vitet tjera kishte edhe mësues-se të tjerë.


- Si e ndive veten, në rikthimit tuaj në profesion, pas dhjetë vjetëve?


Po isha mjaft i emocionuar, ndonëse nuk e kisha orarin e plot, edhe isha i vetëdijshëm se kohëzgjatja ime në shkollen shqipe të Bassanos nuk varet nga unë, po ma shumë nga vendi i punës së rregullt në fabrikën ku punojë. Megjithate, në shkollën shqipe të MP, përveq mësimit të parapar me planprogram për shkollat e diasporës, për çdo vit shkollor pregaditeshin programet e festave kombëtare si :Dita e Famurit, Dita e Mësuesit ,Dita e Tetë Marsit, prandaj edhe inspirimi im ishte vërtet e nò momente emocional. E në përfundim të vitit festohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit si dhe dita e Çlirimit të Kosovës. Nxënësve ju jepej një çertifikate për mbarimin e vitit shkollor të firmosur nga kryetari i shoqatës dhe mësuesi. Në vitin shkollor 2005/2006 u zëvendësova, meqë une isha shumë i angazhuar me orarin e punës në fabrikë. Kam kënaqesin të theksojë se këtë vit festuam 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Në të shumtat e rasteve referatet për festat e përmendura i lexoja unë por edhe kolegu im zotri Ragip Thaqi që punonte si mesimdhënës në mungesë të personelit me pregaditje shkollore pedagogjike.



Ekskluzive: Intervistë me profesorin Bashkim Bekteshi, historian nga Dibra U1_Bashkimi-Itali
Prof. Bashkimi me nxënës në Itali
- Është privileg, apo përgjegjesi të jesh një individ i suksesëshme për çështje madhore? Pa marr parasysh se ku jeton apo vepron në vendlindje a në migracion !



Në kuader të shoqatës “Bashkimi Kombëtar” disa vite isha kryetar i komisionit për arsim dhe kohëve të fundit edhe nënkryetar i shoqatës. Të jesh në grupin e ngusht për ta drejtuar një shoqat në mëregim është shumë vështirë sepse gjithmon mungojnë mjetet e mjaftueshme financiare materiale . Për fat të keq jo të gjith shqiptarët e ndjejn rëndësin e madhe që kan shoqatat dhe klubet në diasporë. Më duhet të përmend se ne shekullin e XIX, falë veprimtarive që zhvillonin shoqatat e ndryshme kulturore që vepronin në mërgim u dha një ndihmë e pa mohueshme për ardhjen deri te pamvarsimi i atdheut tonë të përgjysmuar nënës Shqipëri . Tash ne jemi në një situat më të favorshme, megjithëse atdheu nuk duhet harruar pa varësisht se ku jemi. Mbetet për detyrë kombetare që shteti amë Republika e Shqipëriseë dhe Republika e Kosovës mundësisht me një koordinim të perbashkët ta ndihmojn dhe përkrahin aktivitetin e shoqatave, kështu në një mënyrë edhe do të kthehet një pjesë e borgjit, sepse mergata ka ndihmuar mbrenda mundësive mjaft atdheun në shekullin e fundit, sidomos Kosovën.
Të flasësh për veten nuk është edhe aq leht. Mendoj se ate që jam munduar të bëjë për çështjen kombëtare është shumë pak në krahasim me ata dëshmorë që kan flijar edhe jeten për atdheun dhe çeshtjen kombëtare, Por më mirë pak se aspak thote një fjalë popullore. Shfrytëzojë rastin që të faleminderoj të gjithë ata antar të shoqatës dhe prind që kan kontribuar për mbarëvajtjen e aktivitetit të shoqatës “Bashkimi Kombëtar”, e sidomos në shkollën shqipe të mësimit plotësues. Ndërsa unë, mendojë që në një ditë më të mirë e ma të favorshme të kthehem në vendlindje.


-Z. Bekteshi, faleminderit për këtë bisedë. Ke donjë mesazh për shqiptarët, apo edhe vet lexuesit e intervistes Tuaj!

Ishte edhe kënaqësia e ime që bashkëbiseduam. Mesazhet dhe brengat e mia jam munduar ti paraqes gjatë kësaj bisede që kishim së bashku. Por, meqenëse jemi në fillim të vitit kalendorik, i përshëndes të gjith lexuesit, dhe të gjith shqiptarët kudo që gjinden anemban botës. Pavarësia e Shqipërisë u arrit në fillim të shekullit të kaluar (më 28 nëntor 1912), Pavarësia e Kosovës në fillim të këtijë shekulli (më 17 shkurt 2008). Dasht zoti, dhe urojë që bashkimi kombëtar të mos zgjas një shekull.Ajo ditë të jet sa ma e afërt. Gëzuar!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi