Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Natasha Lushaj: Censurimi i tretë i Petro Markos, studim

Shko poshtë

Natasha Lushaj: Censurimi i tretë i Petro Markos, studim Empty Natasha Lushaj: Censurimi i tretë i Petro Markos, studim

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jan 18, 2010 10:12 pm




Natasha Lushaj: Censurimi i tretë i Petro Markos, studim 19867_1211909137453_1220503886_30606839_6426524_n


Natasha Lushaj: Censurimi i tretë i Petro Markos, studim

“Censurimi i dytë i P. Markos” (ky ishte titulli redaksional me të
cilin e botoi shkrimin tim gazeta Fjala e Agron Tufës, shtator 2004;
titulli im ishte “A është i Petro Markos ‘Një emër në katër rrugë’?”)
kishte ndodhur kur ky roman Një emër në katër rrugë, 2001, me tekst të
ndryshuar në krahasim me tekstin origjinal të shkruar nga autori, pa
respektuar asnjë nga normat shkencore të botimit postum të veprës
letrare, gjë që e cilësonte atë botim me tekst fals. Këtë gabim (apo
faj, le ta gjykojnë lexuesit) nga mosdija apo nga lakmia,
“trashëgimtarët ligjorë” tashmë kanë menduar ta ndreqin (më saktë,
fshijnë nga kujtesa e lexuesve) me një tjetër veprim të gabuar, duke e
hequr nga qarkullimi ose duke mos e ribotuar më romanin më të diskutuar
të P. Markos.


Nuk duam besojmë se heqja nga qarkullimi i këtij botimi shpreson të
krijojë iluzionin se falsifikimi nuk ka ndodhur kurrë. Do të qe një
përpjekje po aq qesharake, sa qe tragjik veprimi i diktaturës, kur dha
urdhrin për ta çuar për karton romanin Një emër në katër rrugë, në
vitin 1973, siç duket, nga që besonte se kështu vepra do të fshihej një
herë e përgjithmonë nga fondi i letërsisë shqipe të shekullit XX dhe
kujtesa e lexuesve shqiptarë. Të tërheq vëmendjen, gjithashtu, se
shtëpia botuese OMSCA-1 nuk e ka më ekskluzivitetin për botimin e
veprave të P. Markos.


Sipas replikuesve ndaj shkrimit tim (gazeta Metropol, shtator 2004)
botimi i veprës me ndryshime është bërë, së pari, në bazë të shënimeve
origjinale ku dëshmohen dëshirat e autorit; së dyti, se pasardhësit
legjitimë të pronësisë paskan “të drejtë t’i plotësojnë” (madje, e kanë
“obligim” moral, sipas dikujt), qoftë edhe në një botim postum. Kështu
trajtimit shkencor dhe teorik të çështjes, që kërkonte nga opinioni
shkencor të mbështetej vetëm tek dëshmitë tekstore autentike dhe të
refuzonte tekstin e manipuluar (i argumentuar hollësisht nga
ballafaqimi i dy varianteve tekstore), i vihej përballë një qëndrim
emocional, nga pozicioni sentimental i viktimës së supozuar. Dhe
gjithçka paraqitej në emër të “mbrojtjes” së Petro Markos.



Është e vërtetë se ekzistojnë pohimet e dëshmitarëve, miqve të
autorit dhe familjarëve për shënime dhe porosi të lëna në copa letrash,
blloqe apo të shkruara në hapësirat anësore të një kopjeje të botimit
të parë, 1973 (pa kapakë, sipas dëshmisë gojore të M. Zeqos), si dëshmi
të dëshirës së P. Markos për ripunime në një botim të ardhshëm të
romanit. Edhe këto dëshmi për shënime dhe porosi u bënë objekt
diskutimi në bisedat me miq të tij gjatë punës përgatitore për shkrimin
tim me titull “A është i Petro Markos ‘Një emër në katër rrugë’?”,
publikuar në korrik/shtator 2004.


Në fakt, thelbi i çështjes së shtruar për diskutim në mes specialistëve
të letërsisë nga ana jonë ishte tërësisht në sensin teorik, nëse këto
shënime dhe dëshira (legjitime dhe të besueshme) të autorit mund të
zëvendësojnë dorëshkrimin (autografin) apo tekstin e miratuar nga
autori, gjatë procesit të përgatitjes për shtyp të një vepre letrare
(dhe jo vetëm letrare) . Përballë kritereve shkencore dhe normave
filologjike mbi të cilat mbështetej opinioni ynë kritik, se këto
shënime dhe dëshira të autorit s’mund të zëvendësojnë punën konkrete të
autorit me veprën e vet, “luftën” shpirtërore për çdo fjalë, për çdo
paragraf, edhe pse pa shqiptime publike nga emrat më me autoritet të
botës shqiptare të letrave, mbrojtësit e tekstit fals u tërhoqën. Por,
siç ndodh shpesh në Shqipëri, “tërheqja” e tyre ishte përsëri po aq e
çuditshme dhe akoma më shumë e gabuar. Përkundër sugjerimit tonë për të
publikuar/ vënë në dispozicion të studiuesve (botuar, arkivuar në
Arkivin Shtetëror, filmuar, dixhitalizuar etj.) dëshminë dorëshkrimore
me rrëfim në vetë të tretë ose shënimet me dëshirat apo porositë e
autorit për ndryshimet që duheshin bërë në rast ribotimi të romanit Një
emër në katër rrugë (ende dhe sot e parealizuar), pronarët “legjitimë”
të veprës i tërhoqën gjithë kopjet e veprës nga libraritë e vendit ose
nuk e ribotuan më. Fakt është që kjo vepër nuk gjendet më asgjëkund në
tregun e librit.


Nga faktet e sjella më sipër mjaftohemi duke nxjerrë vetëm pak
përfundime, por të dhimbshme, për kaosin që ka karakterizuar botimet
shqip gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri si dhe për realitetin në
të cilin ka gjalluar mendimi ynë shkencor në shekullin e fundit. Mund
të thuhet se kemi të bëjmë me mosnjohje apo injorim të normave
filologjike të botimit, mosnjohje ose injorim të koncepteve teorike për
tekstin letrar si dhe, për pasojë, rrezikun që botimet shqip të
vazhdojë t’i mbizotërojë “kultura e falsit”, ashtu si në dekadat e
sistemit totalitar.

Jo më kot thonë se çdo histori përsëritet nga dy herë. Me P.
Markon historia u përsërit jo dy, por tri herë. Rebeli i përjetshëm
kundër diktaturave dhe dashnori i madh i Lirisë, as në realitetin
demokratik të shoqërisë shqiptare nuk është rehabilituar plotësisht.



Analiza e fakteve të mësipërme hap disa probleme teorike dhe
praktike, secila me ndikim në parandalimin e dukurive të tilla të
papranueshme nga pikëpamja etike dhe profesionale:


1. “Dora e huaj”. Ndryshimet e konstatuara mes dy teksteve, që mund të
jenë të dëshiruara nga autori i romanit, janë realizuar nga një dorë
tjetër.
Në fakt, që ndryshimet janë bërë jo nga vetë Petro Marko, nuk është
mohuar nga asnjë prej personave që ishin në dijeni të procesit të
botimit të dytë. Deri tani mund të thuhet me siguri, së pari, se Petro
Marko i ka dorëshkrimet të shkruara të paktën me makinën e vet të
shkrimit, në mos me dorë. Së dyti, se censuruesit e variantit të vitit
’73 mund të kenë ndërhyrë në shumë gjëra, por s’mund ta kenë rishkruar
veprën nga fillimi, duke i ndërruar vetën e rrëfimit, veç nëse e ka
bërë vetë autori, që ka dhënë miratimin për botim. Pa dyshim, mund të
thuhet me siguri se, në botimin e vitit 2001, dora që ka bërë ndërrimin
e vetës dhe ndryshimet e tjera nuk është e autorit. Kjo dorë e huaj ka
lënë edhe shenjat e saj të tjetërsojta stilistike në tekstin e botimit
postum.



2. Marrëdhëniet autor-botues. Botimi i romanit Një emër në katër
rrugë, OMSCA-1, 2001, mund të jetë edhe rezultat i mungesës së
profesionalizmit gjatë përgatitjes për botim të një vepre postum, mund
të jetë edhe pasojë e pranimit në “mirëbesim” të tekstit nga ana e
botuesit, ashtu siç i ka ardhur në disketë, “i gatshëm për në
shtypshkronjë”, pa asnjë verifikim dhe pa asnjë kusht ndaj porositësve
të “mallit”. Pas ’90-ës, në Shqipëri kjo është mënyra më e zakonshme e
marrëdhënieve autor-botues, kuptohet, përderisa shumica e botuesve nuk
vijnë nga sfera që kanë lidhje sadopak me kulturën dhe librin. Këta
lloj botuesish kanë hyrë në këtë biznes rastësisht dhe aksidentalisht,
sepse aty kanë mundur të çajnë më lehtë, më saktë, sepse botimi dhe, në
përgjithësi biznesi me veprimtaritë kulturore, për gati dy dekada,
është fusha më kaotike, ku luhet pa rregulla loje, as ligjore, as
profesionale, as etike. Nëse tërë botimet dhe ribotimet e krijimtarisë
së P. Markos, të njohura dhe të panjohura, përmbajnë cilësitë që
shënuam më lart, ky është shembulli tipik dhe më i paparanueshëm i
mungesës elementare të etikës nga ana e një botuesi, sepse kompromenton
rëndë marrëdhëniet korrekte të lexuesit me veprën dhe autorin e saj.


3. Prona të kulturës dhe letërsisë kombëtare. Ridel vetvetiu problemi
që shtron edhe S. Hamiti, për botimin e trashëgimisë dorëshkrimore të
letërsisë shqipe, me shumë rëndësi për studime serioze të shkencës së
letërsisë. Sa kohë që arkivi i një shkrimtari si P. Marko (dhe jo vetëm
i tij, të paktën, pothuaj gjithë letërsia e quajtur “e ndaluar”) mbetet
pronë e ligjshme vetëm e të afërmve dhe jo edhe pronë e kulturës dhe
letërsisë kombëtare, nuk do të kemi asnjë siguri për autenticitetin e
veprave të botuara postum dhe asnjë siguri për qëndrueshmërinë e
analizave dhe konkluzioneve të kritikës shqiptare për këto vepra.


4. Arkivimi i fondit dorëshkrimor të veprave letrare të autorëve
shqiptarë, që nga fillimet e letërsisë shqipe dhe përgatitja botimet e
tyre kritike sipas normave filologjike, të paktën për veprat e botuara.
Kështu do të mundësohet publikimi dhe konsultimi nga ana e
specialistëve të shkencës së letërsisë me dorëshkrimet origjinale si
dhe mundësohet referimi i studimeve tona mbi kriterin e faktit, së
vërtetës, artefakteve dhe jo mbi tekste të manipuluara.


5. “Urdhri i Letërsisë”. Duhet të merret serizosht parasysh sugjerimi i
shtruar nga ana e autores, për institucionalizmin e një organizmi
autoritar të nivelit akademik, një lloj Urdhri të Letërsisë, i cili të
çertifikojë autenticitetin dhe autorësinë e teksteve të botuara postum,
duke publikuar shkelësit e parimeve filologjike gjatë përgatitjes së
këtij tip botimi, në kushtet kur duket se ligji për Të drejtat e
autorit nuk e kryen siç duhet këtë rol.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi