Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: DYSHIMI I FRIKSHËM

Shko poshtë

Vullnet Mato: DYSHIMI I FRIKSHËM Empty Vullnet Mato: DYSHIMI I FRIKSHËM

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 30, 2010 11:03 pm

Vullnet Mato: DYSHIMI I FRIKSHËM 25749_1215952370125_1568334934_30439195_6318768_n


Vullnet Mato: DYSHIMI I FRIKSHËM 12441_1128505624011_1568334934_30278870_4797141_n
Vullnet Mato


DYSHIMI I FRIKSHËM
Fragmenti – 6 – nga romani “MARRËZIA E MADHE”

Alma shkoi te apartamenti i takimit disi e menduar dhe binte në sy që përpiqej të dukej gazmore. Por e tradhtonin çastet e shpeshta, kur gjendej krejt e pavëmendshme për t’iu përgjigjur pyetjeve të Reitit.
- Ti seç ke sot ! - i tha ai duke e kundruar drejt në bebëzat e syve.
- Nga e kupton ti ?
- Nga buzëqeshja karakteristike që të mungon.
- Po njeriu nuk buzëqesh gjithmonë... – u gjegj ajo dhe midis vetullave të holla iu sajua një rrudhë.
- Të tjerët po, kurse ti, absolutisht jo. Sepse sa herë shfaqet fytyra jote e bukur, aty është prezent edhe buzëqeshja jote e ëmbël. Me të cilën mund të thyesh jo vetëm Reitin, po edhe të shkërmoqësh gurët. Prandaj mos u mundo të ma fshehësh mua shkakun e vërtetë!
Alma rindezi buzagazin e shuar një çast.
- Nuk kam ndonjë gjë të madhe, kam vetëm një dyshim...
- Dyshim, për çfarë ?
Ajo e hetoi me kujdes në të gjithë skajet e fytyrës së tij të rruar taze, pastaj buzëqeshi sërish dhe i tha: - Nuk më kanë ardhur ”ato”. Po ndoshta kam ndonjë çrregullim thjesht spontan...
Reiti e pa në dritë të syrit. U përtyp një grimë dhe befas i çoroditur ndryshoi krejt pamjen e fytyrës.
- Mos nuk e ke marrë Postinorin, meqë u bënë shumë herë që e përdor dhe ndoshta ke pasur frikë nga ndonjë efekt anësor. Më thuaj të vërtetën!
Sytë e saj morën një shprehje të butë. Dhe me një zë akoma më të butë ajo tha:
- E kam lënë vetë pa marrë...
Vetullat e tij fluturuan nga harku i ballit si dy shigjeta të zeza.
- Pse?...
- Kam dëshirë të bëj një Reit të vogël...
Reitit iu turbullua vetëdija në çast dhe nuk dinte ç’fjalë tjetër të artikulonte për momentin. Vështrimi zhbirues i tij ra padashur te rrafshulta e pjerrët e barkut të saj krejt të sheshtë.
- Më thuaj, Alma, që nuk bën shaka! – e nxiti qetësisht, ndonëse përbrenda ndjehej sikur iu krijua befas një eksploziv me fitil të ndezur.
- E kam seriozisht... Do ta lind... - Ç’farë flet, moj vogëlushja ime? – e pyeti ai duke u shtangur me sy të zmadhuar tej masës. - Po fëmija kërkon atësinë në dokumente qysh ditën e parë të lindjes...
Alma uli kryet një grimë dhe kur u kundroi sërish në sy, i tha me një buzagaz të lehtë:
- Mund të zgjidhet edhe ai problem...
Reiti kapërdiu pështymën e trashur në fyt nga sikleti.
- Si mund të zgjidhet, se nuk po e kuptoj?
- Kam menduar të them se më ka përdhunuar një ushtar i panjohur që më hyri fshehtas në shtëpi...
Reiti lëshoi frymën dhe nënqeshi padashur. Por ndonëse e ndjeu veten të brengosur e me eksplozivin të ndezur brenda gjoksit, mendoi se ajo nuk duhej ndëshkuar aq ashpër, kur kryefjala e fjalisë alarmante që sapo kishte dëgjuar, ishte ai vetë. Ajo qe vetëm kallëzuesi i së vërtetës. Ndaj ai u rrek të ndryshojë sjelljen. E puthi lehtas në ballë e pastaj në buzë, për të zbutur disi tingëllimin e rëndë të fjalëve të tij gjithë merak.
- Këto janë përralla që nuk i ha askush, moj zemra ime...
Alma bëri një gjest me të cilin shprehu indiferencën e saj.
- Po s’i hëngri le t’i mbajë në gojë si karamele. Mua nuk më bëhet vonë ç’mendojnë të tjerët. Kam dëshirë të tmerrshme të lind një fëmijë me Reitin tim të shtrenjtë, dhe pikë.
Reiti e kundroi paksa inatçor dhe pothuajse i magjepsur fytyrën e saj aq të qetë e të lëmuar. Mbasi gjatë atij shpërthimi, vetëm goja e saj e rrumbullt i kishte nxjerrë fjalët me breshëri, si mitralozi fishekët. Gjymtyrët e tjerë ishin krejt në paqe. Dhe vetëm pas atyre fjalëve të shqiptuara me forcë, ai u detyrua të kuptoj më në fund, se ajo dëshironte me zjarr të bënte një fëmijë. Por nuk mund të pranonte kurrsesi me vetëdije të plotë, që pikërisht ata dy njerëz, të bashkuar në një çiftim krejt të paligjshëm, e fare të papërshtatshëm, të shtonin specien njerëzore në kushtet e tmerrshme të situatës dhe mjedisit ku ndodheshin. Madje iu duk çmenduri edhe të mendohej për gjëra të tilla. Ndaj e pyeti pas pak:
- As më thua, moj shpirtja ime, ku do ta mbash fëmijën ti ?
- Në shtëpinë time. Do ta rritim bashkë me mama Rukun dhe nuk do të martohem kurrë, derisa ai të bëhet burrë...
Reiti e kundroi mendueshëm, mori frymë thellë, u përtyp thatë dhe pastroi zërin.
- Dhe ai fëmijë, deri sa të bëhet burrë, ose grua, nuk ka për ta kërkuar kurrë babanë e vet?
- Në e kërkoftë, do t’i shpjegoj se i përket rastësisë së dhunshme të një të panjohuri dhe u detyrova ta lind për humanizëm...
- Dhe me këtë shpjegim të mangët, ai ose ajo ka për të besuar plotësisht?
- Pse të mos besojë, jeta ka raste të tilla...
Ai kapërdiu pështymën sërish.
- Veçse duhet të dish, se ky shpjegim është si një bazament i brishtë prej qelqi, mbi të cilin ka për të rënduar kurdoherë një barrë e madhe dyshimi. Po nejse, fajin e kam unë që jam dyndur si budalla pa menduar për rrezikun...
Ajo e kundroi me dhembshuri dhe puliti sytë butësisht.
- Fajin nuk e kanë dallgët e detit, kur toka i dëshiron vet dyndjet e rrezikut të tyre...
- I ngatërron gjërat, Alma. Unë jam dallga e rrezikut. Ti je vetëm toka e pasojës, – vërejti ai.
- Jo, e ke gabim, unë jam toka që e kërkoi vetë rrezikun dhe i kam të dyja bashkë me pasojën, - ngulmoi ajo.
Ai puliti sytë dy–tri herë.
- Ti, Alma, je vajzë më e mençur, kur nuk e vret trurin kaq thellë. Sepse nga vrarja e tepërt e mendjes vijnë gjithë keqkuptimet në këtë botë të ngatërruar.
- E kam thjesht, ngaqë po vë re, se ti, i dashur, seç ke atje nën ata flokët e tu biond, që më kundërshton kaq energjikisht.
- Aty kam vetëm një mendim, që matet me kujdes, për kohën dhe njerëzit mes të cilëve ne jetojmë...
Alma psherëtiu thellë.
- Duhet të më besosh, i dashur, se nuk mund të rezistoja më tej. Ishte vet gjaku im i ndezur nga adrenalina e dashurisë që më kërkonte një fëmijë. Ishin trazimet e vërshimeve mujore, që u mpiksën për të krijuar shtratin e një fëmije, folenë e gjakut të një zogu njerëzor.
Reiti e kundroi me vështrim paksa të vrenjtur.
- A thua kaq shpejt, moj vajzë e mirë, erdhe në afshin femëror dhe ndjeve nevojën të lindësh fëmijë, se po më çudit?!
- Më mbetet të them, se ju burrat, i dashur Reit, nuk e kuptoni këtë nevojë që kemi ne femrat. Organizmi ynë mezi pret me padurim, qysh nga dita kur piqemi si të tilla. Unë ndjej me kënaqësi, se tani në trupin tim, me thuprat e buta të gjakut po thuret foleza e zogut tonë, që do fillojë të cicërojë përbrenda meje. Kjo është një lumturi madhështore për mua. Është një dhuratë qiellore që më fale ti, i dashur Reit. Prandaj mos u vrenjt dhe mos u trishto nga ky lajm i gëzuar që të dhashë sot.
Ndonëse e ndiqte me sy të pazakonshëm atë krijesë femërore të imët, ai u rrek ta zbuste pamjen.
- Të lumtë, moj artiste e vogël, veçse figurat poetike që gjete kaq bukur, nuk e zbutin aspak gabimin tim në kushtet ku ndodhem, - ia ktheu ai pas pak.
- Mos u mërzit, të keqen Alma! Ti ke për të qenë ai që je, pa asnjë andrallë në jetën tënde... - nxitoi ta qetësonte ajo me një buzagaz të dëlirë, të sinqertë.
- Nuk jam mërzitur, po kam arritur të kuptoj se kam kohë që jam tërësisht i marrë.
- Jo, nuk je i marrë, je i dashuruar, – i tha ajo
- I dashuruar marrëzisht, pra, jam i marrë.
- Atëherë jemi të dy të marrë, – shtoi Alma. - Veçse kjo është një marrëzi e bukur.
- Nuk ka marrëzi të bukur, - ia preu Reiti në çast. -Marrëzia është një gjendje fare pranë çmendurisë. Sepse kur plaku le me barrë një vajzë të re, ai e ka shpallur veten tamam i çmendur.
- Të lutem mos e përsërit më fjalën “Plak” Ti je djalosh dhe tamam burrë, që do të kishte zili çdo femër. Dhe unë pas teje nuk dua të provoj burrë tjetër në trupin tim.
- Do, apo s’do ti, unë jam tamam plak, - ngulmoi ai.
- Si qenke plak ti? Pleqtë nuk bëjnë dot me barrë.
Reiti kundërshtoi me kokë.
- Bëjnë edhe po të jenë tetëdhjetë vjeç ! - e siguroi ai me bindje. - Ti mbase ke parasysh Bozin e moçëm, te poezia e Hygoit? Po moabitja e re, që mblidhte pranë tij kallëza gruri natën me hënë, ndoshta kishte mbetur shtatzënë me ndonjë lëkurëzi të moshës së saj...
- Ka plot fakte të tjerë nga jeta reale, – e siguroi Reiti duke luhatur kryet për t’i bërë fjalët sa më bindëse.
- Si ka mundësi?!
- E kanë dëshmuar raste të provuara...
Alma krijoi në fytyrë një shprehje të lehtë zhgënjimi.
- Atëherë, duhet thënë, se kjo është padrejtësi që bën natyra përkundrejt femrës, e cila nuk mund të lindë po kaloi të dyzetat. Pra, natyra e paska parashikuar që burri i moshuar ka nevojë për të lënë dikë me barrë, përderisa ia ka zgjatur ciklin kaq shumë. Dhe domosdo, do të lërë me barrë një më të re se vetja, pikërisht një si unë...
- Po ma justifikon bukur marrëzinë! - qeshi Reiti padashur dhe e puthi sërish.
- Nuk është marrëzi të lësh me barrë një femër që të do shumë... – tha ajo me ton përkëdhelës.
- Atëherë, jam burrë me karakter të dobët. Jam një Don Zhuan i pacipë.
- Don Zhuani i mashtronte femrat dhe i gjurmonte këmba këmbës. Kurse unë të erdha vet dhe mezi t’u mbush mendja të shkoje deri në shtrat me mua, - ia ktheu ajo qetësisht.
- Pranova se isha burrë maskara...
- Përkundrazi, je mashkull në shkallën sipërore.
- Domethënë, jam një lloj maniaku, që s’di ç’bëj...
- Jo, je një burrë i zjarrtë, i papërmbajtur. Dhe të dy jemi të një soji.
- I papërmbajtur? Atëherë i bie që unë të jem nga sorollopi i burrave me neps kafshe, kurse ti nga soji i femrave, që nuk ta prishin dot qejfin...
Ajo ngriti ata qerpikët e saj të gjatë e të zinj dhe e vështroi me sy të rreptë. Pastaj sytë filluan t’i ndritnin dhe fytyra iu tendos drejt tij.
– Eja të shtrihemi ! Se vetëm në shtrat me ty e ndjej veten plot frymëzim, që të t’i heq nga truri këto fajësime të kota që i bën vetes, – i tha ajo duke e puthur me epsh.
- Po u shtrimë në shtrat, do e rifillojmë marrëzinë nga e para!
- Mos ki frikë, se ç’ishte për tu bërë, u bë një herë! Binjakët nuk bëhen duke e bërë disa herë... – i tha ajo me shpoti.
Ai e kundroi me qesëndi. Pastaj i shkuan sytë te format trazimtare të trupit të saj dhe krejt instinktivisht ata shkuan te shtrati.
- Më zhvish! – e urdhëroi ajo dhe zëri i saj u bë më i ëmbël. - Se më pëlqen shumë kur më zhvesh me duart e tua, më lë lakuriq si tulin e bananes dhe pres me dridhma të më kullufitësh të tërën!...
Reiti qeshi duke shqyer sytë me habi. Ah, unë u mjeri, të isha tani në moshën e kësaj dhe të kisha në trup prushin e kësaj, tha me vete, duke vënë re pritshmërinë e saj të përvëluar.
Ai e zhveshi deri te këmisha e hollë që i qëndronte mbretërisht mbi atë trupin si skulpturë e gjallë. Dhe një grimë herë soditi nga të gjitha anët me kënaqësi transparencën aq ngacmuese të saj. Pastaj i hoqi edhe këmishën dhe ashtu të zhveshur tërësisht, filloi ta puthte pikërisht te rrafshulta e barkut, pranë folesë gjenitale. Sikur kërkonte të depërtonte vështrimin në ato thellësi të errëta mishtore, ku sapo ishte ngjizur pasardhësi ilegal i tij.
E zjarrtë dhe e mahnitshme me eliksirin epshndjellës të trupit të saj, Alma e bëri Reitin të tërbohej sërish. Dhe të harrojë çdo rrezik që mund t’i vinte nga shtatzënia e papritur. Madje në përkëdheljet dhe miklimet e saj plot pasion, ajo seç kishte sot një dozë pikëllimi, që i bëri ledhatimet edhe më të ëmbla.
Vetëm kur filluan të vishen, ai ndjeu për herë të parë, pas gjithë asaj kohe që kishin kaluar aty, krismat e largëta të armëve. Dhe krejt papritur e pyeti me shpoti:
- S’të kam pyetur, Alma, kujt partie i përket ti?
Ajo vuri buzën në gaz një grimë. Pastaj mënjanoi kokën pakëz dhe duke pikasur me bishtin e syrit mes kofshëve të tij, atë mbufatjen e të mbathurave që sapo kishte veshur, i tha duke qeshur:
- Asaj partisë së madhe që ke ti aty!...
- Dhe ke arritur t’i bëhesh militante?
- Aq sa për të, mund të fal edhe jetën!... Po ti, i dashur ? – ia ktheu ajo pyetjen në çast.
- Vetëkuptohet, përderisa jam në një koalicion me ty, ajo partia jote e vogël është bërë tani edhe ideali im i madh...
Qeshën të dy me zë dhe lëvizën të përqafuar, duke u puthur deri te dera.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi