Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adnan Abrashi:Kosova - bukuria ime që vret!

Shko poshtë

Adnan Abrashi:Kosova - bukuria ime që vret!  Empty Adnan Abrashi:Kosova - bukuria ime që vret!

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 09, 2010 2:34 am

Kosova - bukuria ime që vret!

Adnan Abrashi:Kosova - bukuria ime që vret!  33440_1585037796974_1566631317_31449847_1447591_n
Adnan ABRASHI

Si duket, perioda pas bombardimeve dhe hyrjes së trupave të NATO-s Kosovës tonë të dashur nuk ia solli vetëm lirinë dhe demokracinë, kaherë të pritur, por shikuar nga "ana tjetër e medaljes", ky realitet i shumëpritur për ne ishte edhe mjaft i hidhur. Përveç problemeve të ndryshme, ende të pazgjedhura, materiale, sociale, politike etj., ne si shoqëri u desh të ballafaqohemi edhe me shumë dukuri të pazakonshme morale, të cilat, edhe nëse merren nga aspekti tradicional, aspak nuk përkojnë me mentalitetin tonë shqiptar. Por, sikur thoshte një i urtë i yni, çdo krizë politike, ekonomike, juridike ...që momentalisht e ka kapluar një shtet, me kohë, patjetër do të tejkalohet, por pasojat e një krize të përgjithshme morale KURRË!
Sikur po na shpaloset sot ky realitet, e tërë Kosova është e zhytur në gënjeshtra. Me sa duket, asgjë më nuk është ashtu sikur na prezantohet. Miku gënjen mikun, gruaja burrin, prindërit fëmijët, fëmijët prindërit, i dashuri dashnoren…etj. Kudo dhe në çdo hap gënjehet dhe vetëm gënjehet. Gënjejnë më të mëdhenjtë dhe më të nderuarit, gënjejnë: kryetari, kryeministri dhe ministrat, besimtarët dhe klerikët; gënjehet në deklarata dhe proklamata, në televizion, radio dhe gazeta… kudo dhe në çdo hap gënjehet! Si duket, gënjeshtra na është bërë si art i të jetuarit dhe një ves që e ka përfshirë çdo pore të jetës sonë, që nga familja, politika, e deri tek tregtia; që nga sporti, e deri tek kultura; që nga ideologjia, e deri tek zbavitja… Kudo të shkosh, çdo kund dhe në çdo hap sundon principi i "hedhjes së pluhurit në sy", ose, më "shul shqip", "kush kujt me ja ngulë"! Pra, duke na u instaluar si një shprehi negative e morali të ri shoqëror në vazhdimësi, gënjeshtra na është bërë pjesë e pandashme e realitetit tonë.
Më kujtohet shumë mirë, kur dikur, rreth viteve tetëdhjetepesë, në qytetin tim, nga policia e atëhershme, u burgosën disa të rinj. Preteksti i prangosjes së tyre spektakulare ishte: janë nxënë në flagrancë (nga kërshëria) duke konsumuar "mariuanë" (një drogë barishte që merrej përmes tymosjes). Ky lajm, atëbotë, aq shumë i kishte shqetësuar bashkëqytetarët e mi, saqë, kudo dhe në çdo skutë, komentohej si "top temë" aktuale e ditës. Merrni me mend! Kush kishte mund të parashikojë në atë kohë se, tek pas disa viteve, mu në qytetin e tyre dhe tërë Kosovën, "mariuana" dhe shumë drogat e tjera edhe më të forta do të shiten sikur "limonada" nëpër lokalet tona ?!
Në Kosovën sot, që synon kah vlerat evropiane, një shqetësim tjetër tejet brengosës social padyshim se është fenomeni i vetëvrasjeve të shumta. Dukuri kjo që në shoqërinë tonë të re "moderne" vit për vit po jep shenja progresive të një rritje marramendëse. Atdheu ynë i dashur, deri më dje një regjion me popullatë më të shëndoshë me më së paku vetëvrasje, sot radhitet në mesin e shteteve me përqindje më të madhe statistikore të atyre që atakojnë ndaj jetës së vetë. E, pra... për këtë katastrofë që po na kanoset si mentalitet, sinjali i kuq si paralajmërim kaherë është ndezur, por, fatkeqësisht, sot me këtë dukuri si fenomen te ne, më tepër merren gazetarët dhe mediet se sa shoqëria e organizuar, institucionet profesionale dhe shteti si bartës i tyre.
Një ditë mëngjesi të fundit të shtatorit të sivjetmë disponimin tim të zakonshëm ditor e trazoi një lajm i kobshëm. Diçka shumë të keqe që kishte ndodhur pikërisht në lagjen time dhe në fqinjësi me mua: një vrasje mizore e kryer me armë të ftohtë. Kryesi i kësaj vepre të rëndë: një djalosh që edhe unë e njihja mirë, e viktima: një zonjë e respektuar dhe e nderuar nga e gjithë lagjja jonë. Të mësuar jo rrallë me këso vrasje nga kronikat e përditshme të zeza nëpër gazeta tona ditore, në shikim të parë, kjo ngjarje aspak nuk do të merrej edhe aq lajm i jashtëzakonshëm, po të mos ishin në këtë rast vrasësi dhe viktima në raport NËNË e BIRË. "O tempora o mores". A thua, deri këtu ka arritur kjo krizë e shoqërisë sonë, që një instinktit i lindur i dashurisë ndaj nënës të çrregullohet deri në atë masë ekstreme saqë biri të ngre dorë ndaj krijesës më sublime në botë, NËNËS, të cilën thuhet se e kishte dashur më së shumti. Shkaku: gjendje e çrregullimit të rëndë momental psikik të kryesit. Por, edhe pse nga ekspertët e hetuesisë kriminalistikë më vonë do të dihen shumë detale edhe më të imta rreth kësaj vrasjeje mizore, dyshoj se kurdoherë më thellësisht dikush do të merret me e motivin e vërtetë psikologjik të saj, gjegjësisht me shkakun si pasojë. A thua, çka e ka nxitur këtë djalosh të njomë, të njohur nga të gjithë ne si i dashur, i qetë dhe social, që për një çast dhe papritur, në mendjen e tij të padjallëzuar rinore të vendosë për një veprim aq ekstrem dhe mizor?? I pakënaqur me rrethin dhe gjendjen momentale të pozitës së tij në shoqëri, pa dyshim.
Disa ditë pas këtij rasti, në gazetën tonë ditore "Kosova Sot" lexoj një artikull edhe më rrëqethës: "INCEST - heshtën rastet", "Në shtrat, me xhaxhanë", "Një vajzë e re nga Theranda, nxënëse e shkollës së mesme, ka mbetur shtatzënë dhe pasi ka lindur, ajo ka deklaruar se është dhunuar nga personat e panjohur. Por, pas marrjes në shqyrtim të rastit nga ana e shërbimit policor të QPI-së vajza ka pranuar të vërtetën se ka mbetur shtatzënë me një anëtar të familjes së saj". Më tej, artikulli në fjalë, ne mes tjerash konstaton: "Shumë herë hasim në tema të ndryshme të fenomenit të incestit, se vajza ka denoncuar babanë, xhaxhanë apo ndonjë të afërm tjetër për tentim dhunimi apo dhunim". "Medet, e haj medet"! A thua edhe kjo po na ngjan neve si popull, që përherë jemi krenuar me virtytet tona të larta morale në këtë drejtim?!
Inspeksioni komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në emër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbylljes së lokaleve ku ushtrohej prostitucioni, kohë më parë, në qytetin tim, kishte ndërmarr një aksion të suksesshëm operativ. Si rezultat: arrestohen disa vajza që merreshin me prostitucion dhe, ajo çka më shqetësoi tepër në këtë lajm, ishte se, prej të gjitha femrave të prangosura prostitute, numri më i madh i tyre ishin shqiptare. Motrat tona që për një copë të kafshatës së bukës janë të detyruara ta shesin gjënë më të vlefshme të integritetit të vetë qenësor - TRUPIN dhe NDERIN?!
Andaj, ALARM o milet! Kosova dhe kombi ynë janë në rrezik të madh të përfshirjes nga një krize e thellë morale! Patjetër se për këtë gjendje shoqërinë tonë dikush duhet të jetë fajtor. E kush mund të jetë ky fajtori, përveç atyre që na udhëheqin dhe çdo ditë na bombardojnë me dokrra boshe se ne jemi shtet demokratik, i ndërtuar mbi principe më bashkëkohore të humanizmit gjithënjerëzor, në të cilin njeriu si individ dhe mirëqenia sociale e gjithë qytetarëve si kolektivitet janë në plan të parë të parimeve dhe preokupimeve të tyre shtetvepruese.
Nuk ka ditë që në mediet tona elektronike dhe të shkruara nuk dëgjojmë apo lexojmë për ndonjë promovim pompoz të ndonjë rruge, shkolle apo objekti tjetër infrastruktural...e në anën tjetër, sipas të gjitha raporteve të instituteve të ndryshme hulumtuese profesionale vendore dhe ndërkombëtare, si nga pikëpamja politike, ekonomike, sociale, juridike ... gjendja faktike në Kosovë tregohet katastrofale, duke na radhitur neve në mesin e shumë shteteve më të varfra dhe me standard më të ulët të popullsisë në botë. Mu për këtë shkak, me këtë rast, me plot bindje të sinqertë e them se, sikur unë të kisha sado pak mundësi dhe forcë, për çdo vdekje, vetëvrasje, vrasje dhe ndonjë vepër tjetër kriminale të kryer nga gjendja psikike e situatës së padurueshme ekzistuese materiale dhe shoqërore-politike të ndonjë individi, si bashkëfajtore indirekte në këtë krim, e kisha paditur në gjyq edhe Qeverinë dhe garniturën tonë të tashme udhëheqëse politike. Dhe, krejt në fund, dijeni ju: Hashim, Jakup, Fatmir, Enver, Nexhat, Behxhet…pushtet e qeveri dhe të gjithë politikanë të tjerë! Por, edhe ju e ashtuquajtura "shoqëri civile" pjatëlëpirëse dhe vjelëse kot e fondeve të huaja... "Në një vend ku zotëron dekadenca morale populli është i dënuar të robërohet dhe shteti i tij të shkatërrohet". Kështu thoshte dikur Haki Stërmilli ynë i madh...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi