Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adnan Abrashi: Rektori i ''kontaminuar''

Shko poshtë

Adnan Abrashi: Rektori i ''kontaminuar'' Empty Adnan Abrashi: Rektori i ''kontaminuar''

Mesazh nga Agim Gashi Fri Feb 25, 2011 1:11 am


Adnan Abrashi: Rektori i ''kontaminuar'' U1_AdnanAbrashi
REKTORI I “KONTAMINUAR”
(Ligjet janë rrjeta merimangash, nëpër të cilën kalojnë miza të mëdha, e ku mbeten të voglat) –BALZAKU
Nga Adnan Abrashi
Këto ditë, është shkruar dhe përfolur mjaft në opinion, për atë “atak fizik” me ngjyrë të “kontaminuar”, nga ana e dy aktivistëve të lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndaj rektorit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, gjatë mbajtjes së fjalimit të tij solemn, me rastin e shënimit të 41 vjetorit të UP. Qëndrimi dinjitoze me këtë situatë vërtetë të palakmueshme i rektorit, edhe më tepër rriti revoltën tonë qytetare ndaj kësaj forme paksa të vrazhdë dhe të tepruar të shprehjes së pakënaqësisë studentore. Por, kjo njerëzoreje në ne, sikur zgjati shkurt. U demantua menjëherë pas disa minutave. Me të dal jashtë salle, “atentatorët” u rrahën brutalisht. nga disa njerëz që ende nuk dihen se kush ishin. Dhe, merrni me mëndë! Para syve vigjilent të kamerave televizive, u përdor dhuna fizike mu në tempullin e asaj dije, e cila, pikërisht në sallën aty afër, shënonte 41 vjetorin e ekzistimit të saj.
Befasia tjetër edhe më e madhe, që edhe më tepër e tradhtoj atë ndjenjë të parë të njerëzores tonë mohues ndaj këtij akti, erdhi tek të nesërmen. Kur me deklaratat e veta në medie, mu ky rektor i djeshëm me qëndrim dinjitoz para “sulmuesve”vetë, me një gjuhë që nuk i takon as zhargonit të rrugës, tregoi një fytyrë tjetër. Mbase, atë të vërtetë. Me sulmet e veta deklarative më medie, ai shkoi aq larg saqë, sigurisht nga laboratorët e fshehta informative partiake të cilës i takon, i nxori edhe analizat gjenetike të përbërjes së gjakut të sulmuesve.
Ata që i kanë në kujtesë metodat e veprimit në rrethanat e tilla nga koha e mentalitet të shkuar komunist, që më parë e kanë parashikua skenarin që do të ndodhin më vonë si hakmarrje ndaj këtyre djelmoshave. Fillimisht do të shkohet me reagime të orkestruara të gjykimit të ashpër nga ana e strukturave pedagogjike zyrtare dhe studentore të Universitetit ndaj këtij akti, e, më vonë, pasi të parapërgatitet mirë opinioni, detyrimisht do të pasoj përjashtimi i tyre nga universiteti.
Në anën tjetër, kjo transparencë aq groteske mbi keqësimin e shëndetit të rektorit, si dhe shkuarja e tij për shërim nga ngjyra jashtë shtetit, mua po më përngjan metaforës së asaj nuse të frustruar, e cila, për ta përfituar mëshirën dhe animin e burrit, gjithnjë pas fjalosjes me vjehrrën, sëmuret dhe merr kokrra qetësuese për nerva. Me këtë sarkazëm të përdorur, fare nuk desha të shprehi kënaqësinë time për gjendjen shëndetësore të rektorit. Por, përkundrazi, do ta shfrytëzoj këtë rast që, sinqerisht nga zemra, atij t’i dëshiroj shërim sa më të shpejtë, ama, ajo që më bëri të ironizoj në këtë mënyrë me “hallin” e tij, është forma naive e manipulimit medial me gjendjen shëndetësor të rektorit, e cila ashiqare po reflekton si paralajmërim se, këta keqbërës të “paedukuar” dhe gjenetikisht “gjakpërlyer”, së shpejti në shenjë hakmarrje, do të përballen me dënimin e merituar.
Një shembull me rektorin tim të viteve ‘81
Meqë po afrohet edhe 11 Marsi, dita e shënimit të 30 vjetorit të demonstratave studentore të vitit 1981, sa e shtjelloja këtë temë, jo rastësisht mu kujtua rektori jonë i asaj kohe, prof. dr Gazmend Zajmi. Ky njëri, me një personalitet të fuqishëm akademik dhe moral, e mbi të gjitha, virtyte të larta kombëtare, para emrit te të cilit, me pietet të lartë përkulemi të gjithë, në rend të parë ne studentët e asaj gjenerate të lavdishme.
Pas trazirave studentore që kishin filluar më 11 mars 1981, në Univerzitetin e Prishtinës, më kujtohet mirë kur, për ta qetësuar dhe zbutur këtë revoltë që tanimë veç kishte marr përmasa të mëdha, politika aktuale në pushtet, si autoritete pedagogjike të ndikimit mbi ne, i kishte angazhuar edhe profesorët tanë. Në mesin e tyre ishte edhe Gazmend Zajmi, ligjërues dhe rektor i atëhershëm i UP. Pas tentimit të tij të kotë që të na bindi t’i ndërpresim tubimet tona protestuese, gjatë ballafaqimit me të, ne studentët edhe e kishim ofenduar rëndë atë. Më kujtohet mirë kur pas këtyre sulmeve të ashpra të bëra nga ne studentët, rektori i prekur thellë në sedër vetëm ka ulur kokën dhe me sytë të përlotur është larguar nga ky takim. Ne, tek më vonë do ta kuptojmë se, për sytë e përlotur të rektorit tonë, atëbotë si shkas, fare nuk kanë ndikuar ofendimet tona, por krenaria shpirtërore e tij se, Kosova vërtet ka kësi rini dhe intelektual të guximshme rebeluese, të cilët, domosdo do ta drejtojnë këtë popull kah një e ardhme më e ndritur.
Më pas, dihet se çka ka ndodh në mars-prill të vitit 19881, në Universitetin e Prishtinës.
Edhe pas të gjitha atyre mynxyrave dhe katrahurave që na kishin kapluar, e që, këtë herë, nuk do të jenë si temë boshte e këtij shtjellimi, gradualisht jeta filloj të normalizohet në Universitet. Ne studentet, edhe pse me zemër të thyer, u desh t’i kthehemi provimeve dhe obligimeve tona të përditshme studentore. Nënshtrimi pas trazirave provimit të para për mua ishte nga lënda e “Sistemi politik”, të cilën e ligjëronte, pikërisht rektori, prof. dr. Gazmend Zajmi. Të them të drejtën, pas gjithë atyre ofendimeve që ja kishim bërë atij dikur, shumica nesh, paragjykonim hakmarrjen e domosdoshme të tij. Por, e pritura e jonë ogurzi nuk ndodhi. Më kujtohet si sot, kur profesori dhe rektori ynë i dashur, tashti i ndjerë, prof. dr Gazmend Zajmi, atëbotë hyri në klasë përplot me student dhe emocionalisht na u drejtua me këto fjalë. “Ju jeni e ardhmja, inteligjenca dhe krenaria kombëtare e popullit tonë... Sot do t’ju marr në provim, por, pranoj se, pas gjithë asaj që keni kaluar, unë nuk kam më zemër që me vullnet ta rrëzoj ndonjërin nga provimi.Andaj, ju lutem! Ata që e ndjejnë veten se meritojnë notë kaluese, le të rinë në klasë, ndërsa ata që ende dyshojnë në dijen e tyre, le të vijnë më të përgatitur afatin tjetër”.
Merrni me mëndë se çka ndodhi atë ditë?! Shumica e madhe e studentëve prezent për provim e braktisën klasën, ndërsa, kur pas tërheqjes së pyetjeve vërenin se nuk ishin të përgatitur sa duhet, pa e pruar në pozitë të keqe morale profesorin (rektorin) e dashur të na vej notën e dobët në indeks, edhe ata të tjerë të mbetur, abstenonin vullnetarisht.
Krejt në fund, të shpresojmë se, edhe rektori i tashëm i UP, Mujë Rugova, mu sikur nga shembulli i mësipërm i rektorit tonë të viteve ’81, prof.dr, Gazmen Zajmi, do të mirëkuptoj ngjashëm natyrën gjithnjë rebeluese dhe jokonformiste të vrullit studentor. Fundja, sado që ata të jenë “axhami”në veprimet e veta, janë fëmijët tanë; e mbi të gjitha, janë e ardhmja, inteligjenca dhe krenaria kombëtare e popullit tonë...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi