Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adri Nurellari:Lufta kundër teknokracisë

Shko poshtë

Adri Nurellari:Lufta kundër teknokracisë  Empty Adri Nurellari:Lufta kundër teknokracisë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 16, 2010 7:16 pm

Adri Nurellari:Lufta kundër teknokracisë  6200_127240366829_660181829_3455818_4739613_n
Adri Nurellari:Lufta kundër teknokracisë
Botuar tek gazeta Shqip

Një ndër zhvillimet më të hidhura në historinë e totalitarizmit mbetet pa dyshim revolucioni kinez, i cili fatkeqësisht u importua me besnikëri të plotë edhe në Shqipëri. Madje siç ndodh në rastin e dishepujve të zellshëm ndaj udhëheqësit shpirtëror, për ta treguar veten si nxënës e ndjekës të denjë para mësuesit, Shqipëria e çoi këtë revolucion një hap më tej se kinezët, duke u bërë shteti i vetëm ateist në botë. Agresiviteti me të cilin u aplikua inxhinieria sociale e komunizmit në Shqipëri, e kombinuar me faktin që edhe pas rënies së murit të Berlinit ne ngelëm gjithsesi relativisht goxha të izoluar prej “murit të vizave”, ka bërë që ende të trashëgojmë e të mbartim të ngulitura pasoja nga ajo kohë.
Një ndër manifestimet më dramatike të atij revolucioni maoist të aplikuar në Shqipëri në fund të viteve ‘60 ka qenë padyshim e ashtuquajtura luftë kundër teknokracisë. Kjo luftë ishte në një farë mënyre himnizimi më i lartë i mundshëm i rolit të partisë dhe peshës së kudogjendur të ideologjisë në jetën sociale. Me pak fjalë nënkuptonte që për çdo gjë, përfshi këtu gjëra hiperteknike apo specifike, partia qe më kompetente sesa eksperti i kualifikuar në atë fushë. Pra teknokrati duhej të heshte e qëndronte i përulur dhe i bindur përkundrejt emisarit të partisë, i cili ishte zëdhënësi i “fjalës së shenjtë e të pagabueshme” të partisë. Me luftën kundër teknokracisë u eliminuan, shkarkuan, ulën në detyrë, internuan, transferuan dhe persekutuan me qindra teknokratë, ekspertë, zyrtarë, inxhinierë e ushtarakë për t’u zëvendësuar me besimtarë të verbër e kokëboshë të partisë. Në këtë mënyrë iu privuan shtetit shqiptar edhe ato pak plejada të shkolluara në Bashkimin Sovjetik a vende të tjera të bllokut lindor që duke pasur parasysh varfërinë tonë në burime cilësore njerëzore mund të konsideroheshin si lule në shkretëtirë.
U desh gjithë ky parashtrim historik për të theksuar se ku qëndron burimi i partitokracisë që shohim sot në Shqipëri dhe i faktit që anembanë në sektorin publik mbizotëron paaftësia, papërgjegjshmëria dhe mungesa e profesionalizmit. Kjo gjë tregon fajin e madh të politikanëve dhe mbarë shoqërisë sonë në fillimin e viteve ‘90 që nuk ndërmori një proces të sinqertë të dekomunistizimit dhe çrrënjosjes së pasojave të totalitarizmit. Por një faj akoma më të madh e kemi ne që sot na ka pllakosur amnezia kolektive dhe e kemi lënë shoqërinë të çarmatosur nga armët që të jep memoria kolektive. Në rastin tonë vërtetohet haptazi bindja që një shoqëri që nuk mëson nga pësimet e kaluara mund t’i ripërsërisë.
Gjatë viteve të para të këtij mijëvjeçari, për herë të parë u vunë re hapat e parë drejt një rritjeje të profesionalizimit dhe ekspertizës. Shtënia në dorë e mandatit të dytë e hoqi disi panikun e një qëndrimi shumë të shkurtër në pushtet dhe jetëgjatësia e qeverisjes socialiste, dashur pa dashur mundësoi një lloj stabiliteti në administratë që ushqeu iluzionin se një burokraci e mirëfilltë ishte duke marrë jetë në Shqipëri. Përpos kësaj u vu re një përpjekje e fortë e liderit të kaluar socialist për të zhdukur çdo lloj lidhje me të kaluarën dhe praktikat komuniste, duke u distancuar nga stili i atyre që ai i quante kasketat e vjetra.
Të paktën në aparencë gjërat mbaheshin politikisht korrekt dhe shmangeshin rrethanat që mund të vinin në dukje dorën e zgjatur të partisë nëpër sektorë apo pozicione të caktuara publike që kërkonin ekspertizë. Të paktën formalisht dhe proceduralisht u janë përmbajtur parimeve. Në fakt, edhe kur në praktikë bëhej fjalë për të emëruar dikë diku politikisht janë parë gjithsesi përpjekje që të dërguarin e partisë të paktën ta përzgjidhnin duke pasur si premisë një lloj përputhjeje midis postit dhe ekspertizës. Pra i kushtohej njëfarë vëmendjeje që mes partizanëve të përzgjidheshin më ekspertët dhe kishte njëfarë përpjekjeje për të bërë një lloj balancimi mes zellit partiak dhe ekspertizës. Kuptohet që realiteti asokohe ishte larg të qenurit i përsosur, por të paktën me hapa të ngadalshëm dhe të qëndrueshëm po shkonte në drejtimin e duhur.
Sot, fatkeqësisht, po vihet re një regres i qartë lidhur me politikën e kuadrit, gjë që e ka nxjerrë në pah edhe raporti i progresit të Bashkimit Europian. Arroganca aktuale e pushtetit manifestohet me një indiferencë të madhe ndaj opinionit publik dhe të punësuarve buxhetorë kur në poste kyç të administratës vendosen njerëz që kanë lidhje nepotike familjare apo politike, por që nuk kanë aspak përvojë në fushë apo kualifikim dhe ekspertizë. Madje për ta bërë akoma më të fortë këtë prepotencë dhe përçmim ndaj nevojës për ekspertë, shihet se shpesh janë të njëjtit ofiqarë të lartë që lëvizin nga një institucion qendror apo dikaster në një të ri, që nuk ka kurrfarë lidhje profili apo përmbajtje me të parin. Kjo gjë është duke u bërë haptazi, madje edhe për zyrtarë të lartë që kanë qenë nën hetime apo akuza të rënda. Kjo situatë është me të vërtetë një reminishencë e nivelit të skajshëm të politizimit të administratës së regjimit të kaluar dhe të krijon përshtypjen se një kryqëzatë e re është nisur kundër teknokracisë.
Fatkeqësisht këtë reminishencë e përforcon edhe pakujdesia, një ndër format më domethënëse të manifestimit të “rikthimit” të rolit të partisë dhe “luftës kundër teknokracisë”, që po vihet re sot, e ka të bëjë me cenimin e emblemave e simboleve të vetë institucioneve shtetërore. Nëse qëmoti ylli, gruri, drapri e çekani viheshin re kudo, sot, këtë rol po e zë ngjyra blu. Konkretisht urtë e butë, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e kanë ndryshuar stemën duke futur dukshëm nuancat blu. Faqet zyrtare shtetërore janë mbushur me blu, institucione shtetërore si Posta Shqiptare tanimë e ka blunë kudo, targat e makinave po kthehen në blu, ambientet e RTSH jo rastësisht lyen në blu, tabelat e rrugës zgjidhen enkas blu e po kështu kur futesh në Kamzë a të tjera institucione të pushtetit vendor shikon anembanë flamuj partiakë blu. Me këtë ritëm nuk është çudi që dikush ta rivërë në punë malin e Shpiragut mbase për ta lyer blu. Pra zyrtarë të të gjitha institucioneve janë bashkuar dhe vënë në garë kush e nxjerr sa më shumë në pah blunë dhe dëshmon përkushtim e besnikëri partiake. Kjo do të thotë kaq shumë, është duke u shpërblyer servilizmi dhe militantizmi sa s’ka më nevojë fare për aparencat apo përshtypjet publike, por vetëm për fitimin e pëlqimit nga lidershipi i partisë. E gjithë kjo situatë të jep përshtypjen e një “déjà vu”-je të hidhur të regjimit të kaluar dhe lë të kuptohet që “barërat e këqija” të atij regjimi, jo vetëm që nuk janë shkulur, por sot po përhapen kudo e po hedhin shtat.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi