Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Poezia plot ngjyra dhe jete e Sofia Zirit

Shko poshtë

Poezia plot ngjyra dhe jete e Sofia Zirit  Empty Poezia plot ngjyra dhe jete e Sofia Zirit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 19, 2010 12:48 am

Poezia plot ngjyra dhe jete e Sofia Zirit


Publikuar Me 15 Tetor, 2010


Poezia plot ngjyra dhe jete e Sofia Zirit  Sofia-Ziri1
Sofia Ziri, poetja … dikur një fëmijë, e bindur, që luante me gjethet e vjeshtës,… një vajzë e dashuruar dhe në moshën 23 vjeçare, një nënë me një bebe të vogël (Klesta, quhet vajza e saj)…
Sot, ajo është një poete, vargjet e së cilave burojnë nga një shpirt i bukur, i lumturuar nga mbesa e saj, e trishtuar për humbjen e bashkëshortit, motive që ia mbushin jetën me një forcë që gjeneron shkëlqimin e poezisë së saj.
Ju ftojme të lexoni një internvistë të shkurtër, por njëkohësisht një internvistë e bukur, me poeten Sofia Ziri.
1. Cfarë është poezia për ju?
Poezia ?
Eshtë ajo filizë e njomë që rritet brenda meje, brenda boshllëkut që ndjej shpesh për ta mbushur me ato lule, që pres të çelin gjithmonë, nga kjo filizë, në rritje e sipër…
2. Si e kuptuat që poezia është rruga e jetës suaj ?
Më pëlqen kjo pyetje, faleminderit, ndonëse mund të dalë përgjigja edhe më vonë…
Kam nisur të shkruaj poezi, që në moshën adoleshente, por, gjithmonë e heshtur, që do të thotë për mua, asnjëherë nuk kam dashur ta ndaj me të tjerë. Nuk është problemi, që të mos e bëja vargun tim, pjesë të të tjerëve, por pasiguria në atë që shprehja, në se ish vërtet poezi…Kështu i lija të flinin gjatë, në blloqe fletoresh…
Adhuroja pikturën, kështu, ndoqa Liceun Artistik « Jordan Misja » në Tiranë dhe me mbarimin e shkollës, në vitin 1968, u emërova në Radio Televizionin Shqiptar, ku punova si piktore realizuese me skenografinë dhe më pas në vitin 1991, mbas një specializimi në Paris, në CIRNEA, shkollë TV për të huajt, vazhdova të merresha me titrat dhe siglat grafike të spektakleve televizive…
E përsëri dëshira për të shkruar vazhdonte të udhëtonte vetëm brenda meje, ndërkohë që nisa ta ndiej dhe ta dua vargun tim, çdo ditë e më shumë.


3. Cila ishte Sofia ne moshen 5-15, 25-35 vjecare?
Ah, një fëmijë, e bindur, që luante me gjethet e vjeshtës, që i pëlqente të vizatonte dhe shpesh të shkruante duke recituar poezitë e saj, kur ish vetëm, si një vajzë e ndrojtur, që, në të vërtetë nuk i shkonte fare natyrës time në përgjithësi.
Më vonë, sigurisht, një vajzë e dashuruar dhe në moshën 23 vjeçare, një nënë me një bebe të vogël (Klesta, quhet vajza ime…)
Në vitin 2003, mbas humbjes së bashkëshortit tim, nga një sëmundje, për të mos rënë në pesimizëm, iu futa poezisë, vrullshëm, duke mbushur veten dhe kohën time, tashmë tepër të lirë, nxora librin tim të parë « VRAPOJ » »COURIR » me një përkthim në frëngjisht të Prof.Edmond Tupja, dhe më pas librin me poezi « ISHTE E HENE » « C’ETAIS LUNDI » , sigurisht në Shtëpinë Botuese GVG. Projekte që, për mua janë domethënëse, mbasi nuk vazhdojnë të flenë më, poezitë e mia por ndiej kënaqësinë, duke më lexuar dhe kështu poezia ime preket nga të tjerët .
Poezia plot ngjyra dhe jete e Sofia Zirit  Vrapoj-ishte-e-hene

4. Cilat janë projektet tuaja sot?
Për sot ? Duke qenë në pension, them se nuk do pushoj së shkruari, këtu e gjej forcën e pasionit tim të heshtur, tani, nuk dua të hesht, dua të më lexojnë, ashtu thjesht, herë pas here
5. Cilat janë projektet për të ardhmen?
Më pëlqen të mos ndal vetëm te poezia, normal që më pëlqen të shkruaj edhe prozë, ndonëse, poezia është ajo që e prek më bukur. Kam në dorë një novelë, të cilës i kthehem here pas here kur ajo më thërret, shpresoj, që shumë shpejt lexuesi do jetë gjykuesi më i mirë…

6. Cili ka qenë moment më i lumtur në jetën tënde, po ai më i trishtuari?
Faleminderit për pyetjen.
E ku ka moment më të bukur se të dëgjosh gjatë lindjes, cicërimën e parë të ardhjes në jetë të një vogëlusheje…?
Por jeta të sërvir jo vetëm momente të këndëshme, gjatë jetës prekim edhe dhimbje, humbja e jetës të bashkëshortit tim, të mrekullueshëm, ka qënë dhe është dhimbje e trishtuar, që peshon ende, thellë, brenda shpirtit tim.
7. Kush është personi më i dashur i Sofias?
Sigurisht, mbesa ime, Adelinë, edhe librin tim të parë e kam nisur me një poezi për të.
Nuk thotë kot, një fjalë e popullit, se fëmija i fëmijës është mjalt i mjaltit… është shumë e vërtetë…
Ju faleminderit!

Disa nga poezite e shkruara nga S. Ziri

DUA TË JETOJ
Shkëputa
një thelb shpirti,
t`ia ofroj diellit
që sytë m`i kishte ngulur.

Hodha nga pas
vetminë.
Qeshjet e saj
nëpër mure përplaseshin.

Shtriqa gishtërinjtë
të krihja flokët e sapalarë.
Dritat e zbehta të tyre
sfumoheshin diku…

Dhimbja nisi të përkulej
pranë kalit, që
hingëllinte i kapluar.
Nën thundrat e tij të fryra
pluhuri,
rrokullisej në pluhur.
Si statujë
duart kryqëzova
dhe humba në brymën e mëngjesit.
Ndërkohë,
ndjeva erën, që
dirigjonte lehtësinë e saj,
në tavanin e qiellit
të zhubravitur.

Shkurtova rrugën e gjatë të dhimbjes,
ku frymarrja dergjej e fikatur.

Mbas vrapit,
në ëndrrën e shkujdesur,
brenda mërzisë së zmeraldtë,
nisa të çel buzëqeshjen,
për të jetuar…
***

MALL …
Ecja,
bregut, të lagësht
në heshtje,
në zhegun e djersitur të vargut.
Dirigjoja lëvizjet
muzikore.
Dhembja,
një fletë e bardhë,
plot thyerje brengash të errësuara.
Vështrimet,
detit
në breg ia hidhja,
shpenguar,
përkrah
elegancës së fjalës
në mendje,
ku thellë ish fshehur.

Pengmall mëmëdheu…
Vite larguar…

Dua t’i mbledh rrëmbimthi,
si një skllave e kthyer,
pranë rërës së nxehtë,
të vendit të lindjes.
Mall,
dua të të mbledh,
të të flak në shishe mbyllur,
detit.
Ndal o mall, e loto,
te sytë e atij, asaj,
atje tej, i sheh…?
Ulur, n’atë gur,
Të rinj janë,
mendojnë, për ty,
s’ të kanë harruar.
Lermë të mbroj ngjyrat…
Po, po,ngjyrat,
të mbetet
Ato,
të rrezeve të mia,
të vendit tim të ngrohtë,
që hijshëm ndriçuar,
brenda lëkurës time të butë…
E ndiej veten
të shmalluar tani.
Tani…
Hyra në lëkurën time,
jam njeri i butë,
lermë të gëzoj kët’ liri…
Tani…
Vazhdoj të vrapoj e shpenguar
mëngjeseve.
Eshtë i bukur
dhe më i ngrohtë,
ky, mëngjes që ndrin,
ky,
i rrallë,
i tokës,
i vendit tim…
Shqipëri!

***

ME THUAJ TE DUA!

Mbi gjurmët e tua shkel, të mas kohën
dhe njërën mbi tjetrën vendos
minuta të tëra, që shkojnë, formojnë orën.

Sa kohë të duhet, pranë meje të vish,
Të t’ puth lehtë, mbi hapat e zemrës.

Një lule pjeshke, do vizatoj
në harkun e buzëve të tua
dhe shpirti yt do buzëqeshë…
Ti ëmbël do shuash, Të dua!

Do të shkrij, buzëqeshjet e mia,
Në hyrjen e dritës, mes pemëve krahëhapur.
Në siluetën e tymit, të zjarrit që përshkoj,
Nxehtësinë, e mbaj të fshehur.

Të lutem mendohu, mos thuaj, Jo!
Se fletët që digjen, shpirtin po më grisin.
Të pres me endje deri natën vonë,
me përkëdhelje të nxehta, të mbuloj, të gjithin.

Pranë portës time, ndaluan gjurmët.
E heshtur, plot dridhma, të pres.
Fërfërijnë kokrrat e rërës,
nën këmbët e zemrës, i ndjej.

Eja, i dashur, të më thuash, Të dua!
Si magji, të tërën, ta shumoj me erën
parfumin e trupit tënd, shpërnda për mua.
Të dua, më thuaj, Të dua!

***

VETMI

Mbështeta
kokën
në jastëkun
e ëndrrave
të tua.
Me gjethet
e rëna
mbi butësinë
tënde,
mbulova,
trupin tim.
Mu duk
se vjeshta
këtë herë
nuk ish vonuar.
Por,
ëndrra ime,
u zgjua
shpejt,
e shqetësuar.
Unë,
isha vetëm,
pa ty…


***

DËSHIRË FËMIJE

Unë,
kur isha fëmijë,
me krahë-zogu,
dëshirën e vura,
të fluturoja.
Hutuar
hapësirave
shtegtoja imagjinatën.

Gardhin,
oqeanit doja t’ia shikoja.
Ku shtrihej,
sa i gjatë,
sa thellë dukej
nga lart…

Fluturoja krahëhapur.
Hapja sytë
përreth hapësirash,
dhe,
zinxhirin e ajrit,
lehtësisht tërhiqja.
Atje lart,
unë,
shihja si përpëlitej,
krahë-zogu im.

Më pas,
si fëmijë,
mbi shpatulla e mbajta.
Folenë,
në qënien time
ia ndërtova.
Sëbashku,
në dubël-katror
grisnim ajrin
hapësirave të thata.
Atje,
që lart,
muret e mëngjesit,
si litar agimi
shihja.
Eh,
anash
shkëmbinjve të gurtë,
opeani,
butësisht përplaste,
shkumën e tij
të rrojes.
Thes lotësh të mëdhej,
derdhte
në shtratin e përvëlimit,
pingul,
në pasqyrimin e kthjelltë të ujit,
dhe,
kur lodhej,
pikonte
si brymë,
vesë mëngjesi,
kur çelte agimesh…
***
Marrë nga Revista ime
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi