Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ismet Krasniqi: Dasma e Lulanit dhe Qesh e qaj jetën tonë

Shko poshtë

Ismet Krasniqi: Dasma e Lulanit dhe Qesh e qaj jetën tonë  Empty Ismet Krasniqi: Dasma e Lulanit dhe Qesh e qaj jetën tonë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 08, 2011 7:03 pm

Ismet Krasniqi: Dasma e Lulanit dhe Qesh e qaj jetën tonë  163974_191060667574262_100000109918471_760445_2006801_n
Ismet KRASNIQI


DASMA E LULANIT

pak humor e pak satir për shëndet ju bën mire

BORXHLIU

Kah të iku unë i ziu
Kudo para më del borxhliu
Or burrë diçka du me të thanë
Zanat s’e kam borxhin mos me e la
Burrë i fjalës jam
por paret nuk i kam
Hy në odë t`burrave me fol filloj
Borxhliu aty në qoshe si xixëllojë
Çka me ba unë i mjeri fjala ndalet n`fyt
Folni burra se mu po m`dhemb kryet
Kur dal n`treg me ble me grue
Borxhliu aty a vizatue
Filloj n`kafene me pi
N`vesh me vjen një fjalë
T`baftë mirë o dai
Më ndalet n`fyt s’mundem me përbi
I keq është borgjlia
Të përcjell mbrapa si hija
Borxhin duhet me e la
Se s`ke vend n`atë dynja
Telefoni po cingëron
Borxhliu po lajmon
Ku je more mësheret
A e rregullove ma atë buxhet
A ke shti najsen n`xhep
Borxhin me ma la
boll u ba ma
Tash borxhet i ka ble hazreti Dajaku
Ja me zor ja me qef duhet la haku.


INTERNETI

Djali hyn në shtëpi,
I gjuan kpucët mbi tepih,
Babë kështu nuk ban,
Pa internet ma nuk shkon,
Prej shokëve po me vjen inati,
Me mue po kesh edhe Esati.

Zengjin e fukara,
Internet kanë ba,
Më tha edhe mixha Bibë,
Internetin due me ngjit,
Me folë n`gjermani
Me gra e me fëmijë.

Kliko në emajl
Del baca Xhemajl,
Kliko dy herë
Del tezja Pranverë,
Qite në Yahoo
Zani ma mirë ka me t`shku
Kliko në kamerë
Ka me dalë dada Sherë,
Janë ba një shehër e katund,
Burrni s`xhan askund.


PLANI T’I DUAL QYRYK

Xhorxh Bushi n`aeroplan t`bardh
Tungjatjeta o shqiptarë,
Ju shqiptarët e Shqipërisë së vjetër
Po e fitoni edhe një shtet tjetër,
Kosovë emrin e ka,
Së shpejti shtet ka me u ba,
Rezoluta a gatue,
prej miellit t`Atisarit që e ka blue,
Atisari me gjyzllykë,
Plani t’i doli çyryk,
N`OKB s`ka rezolutë,
Rusia s’i duket i ka tutë,
Dy këmbët një këpucë jua ka shti,
Rezoluta e vjetër a hy turshi,
prit oj Kosovë e mos u ngut,
Amerika s`din me u tutë,
Pavarësia a shpall,
Qysh lufta n`Kosovë kur a kall,
Mos bahi n`këtë punë fort merak
Rusia është njai thiu plak,
E çuen veten superfuqi,
por me Amerikë s`mundet me u shty,
UÇK-ja po çon fjalë,
Ende ne jemi gjallë,
Dikush po do luftën prapë me kall,
Por tani s`ka më pavarësi
Për me qenë me të tjerët barabar
Kërkojmë veç bashkim kombëtar.


QEVERIA

Lumtë na t`lumtë për qeveri
fort me haz punëve ia ka mësy
na nuk jem si ata qe kanë shkue
koropcionin kem me e ndalue
keqbërësit n`burg kanë me shkue
Kryeministri para populli a betue
Te korruptuarit n`qorrkë kam me i çue
Nuk ka në dhjetë vende me punue
Por e pa i shkreti
Njerëzit duhet t’i ketë prej veti
Tensionet kanë ra
Me t`vjetrën prapë i kanë grah
Le t`bejë sefa
Si ka mbet kurrkuj kjo dynja
Qeveritë shkojnë e vinë
Popullit pak t`mira i bin.

GJITHÇKA TALLAVA

Dasma tallava,
Jeta tallava,
Shkolla tallava,
Politika tallava,
Dashuria tallava,
Ushqimi tallava
Shoqëria tallava,
Fëmija tallava
Moti tallava,
Ka te këqyrësh tallava,
Pështona me fytyrë o Allah!

PAKETA

At ë ditë që vinte paketa,
Tan i këqyrshin punët e veta,
Ahtisari s`bënte za,
E dinte emirë n`paket çka ka,
Populli ka thanë vetë,
Hallki letrat t’i lexonin n`xhep
Njerëzia pinte kafe
E bënte llafe
Jo për ne e mirë është paketa
Jo s`ka gjë n`të ka thanë Meta
Jo grupi negociator ka thanë
Pavarësia brenda n`të a
Paketa si po shihet
Kujt ia ka mbajt krahun po dihet
Athisari jo pse s`na donë
Prej Rusie ndryshe s`po guxon
Amerika n`këtë punë s`ka hile
Thotë grupi ngociator a lodh
Duhet me pushu te Nana Naile
Me optimizëm pak e kanë teprue
Po Amerika pavarësinë ka me ua prue.

Gusht 2007.


ARSIMTARI

Arsimtari po shpjegon
Çka sheh me sy ekziston
Zotin me sy kush s’e ka pa
Prandaj edhe kot besohet n`ta
Nxënësit po e përsëritin mësimin
Po e ndëgjoin mirë Leutrimin
T’nderuar kolegë e dëgjuat arsimtarin
Ai deri tash ke tue shpjegue
Por tani unë due me ju vetë juve
Po e shihni arsimtarin dasë
I cili rrinë si çuran n`klasë
Kryet e ti sa një cung
Por metë s`po i shihen kund
Ku me ia pa mendtë
S`ka i gjori e kështu flet.


JEMË TUE HJEK SI PESHKU N`ZALL

Si të dalësh në qytet
Punët shihen vetë
Qyteti pa park s`ka hijeshi
Sa njeri a mund t`jeton pa mushkëri
Kur kthehem në shtëpi
Duart duan me i pastrue
Hidrodrini ujë e ka ndalue
Pikë perqejf e jo pse s’kanë pague
Televizorin do me e kall
KEK-u rrymen e ka ndalë
Herë s`ka rrymë e here s`ka ujë
Si me qenë kjo dynja e huaj
Tanë me nerva jena ba
Sa po mujna jemë tue sha
Gjeneratori kur po lëshohet
Edhe fjala po na ndalohet
S`mund me ndi ose me pa
Na u ka gërdit kjo dynja
Diell e hanë kanë përendue
Me pikë t`zorit jemë tue jetue
Ngrohja globale do me na kall
Jem tue hjek si peshku n`zall


AKRABALLAKU

Akraballak kah jeni
Rreth meje ejani
Votën me ma dhanë
Kryetar me më ba
Hajrin keni me ma pa
Kur t`vi unë n`pushtet
Keni me pa vetë
Tenderet kam me ua nda
Akraballaku kemë me ba sefa
Nuk jam si Jeti
Njefsha mirë veç për veti
Pa akraballëk
S`ka sefallëk


DEPUTETI


Kur bahesh deputet
Nxjerr ligje për pushtet
Kushtet duhet me u ofrue
Me sukses për të punue
Po lypin me qira zyre
Për t’i ba popullit sehire
Dalin në TV tue kesh
Lypin pare, kerr e sekretareshë
U vjen i blindum kerri
Do ta shtrinë pushtetin edhe n`veri
Sa mirë kanë ra në një pikë
Pushtet e opozitë
Janë t`gjan si deti
Njefshim mirë për veti
O popull mos u befaso
Perëndimi kështu po na mëso
Çka të duash sot ban
Nesër bahet vonë
Mandati po shkon
Mos u merrni me perëndim
Kosovës po i del një tym
Rregulloni punët e shpisë
Mos ia lini kojshisë
E dimë kush është Evropa
Si përpara na ban copa, copa


MU KAJT NANA VEDIT ÇKA I BANA

Kuku nane po m`dhemb kryt
Kredit jam hy deri n`fyt
Moti populli ka thanë
Kur ta pish ohoho
Me pagu çka a kjo
Kur m`thot kush a don kredit?
Si prej rrushi jam gerdit
Me mujt kreditat me i kry
Kam me qit pushkë e allti
Tanve kam me ju tha
Kredit mos merrni ma
Po shkon mujt sa mëshel e qel syt
Hajde me pagu kredit
Spo di rrogës me ju gëzu
Jam tu u hanger edhe me gru
Për çka je o njeri tuj punu
Për kredi mori gru
Me kredit n`det kem shku
Paret e autobusit ende si kam pagu
Me kredit kemi ble dru
Me kredit djalin e kem martu
Me kredit dhamt ti kam nu
Me kredit librin e kam botu
Mos ke harru moj gru
Ore njeri mos u ban perseri
Tana qeto i ka edhe Seferi
Por ka pare për kredi
Tana borgjet a tuj shly
Moj grue ke men sa dy dhen
Mos ma permend Seferin atë qen
Aji asht njeri dallavergji
Ti merr paret e kurr s`din me ti kthy
Unë jamë burr me ner
Per borgj s`um ka ardh njeri nderë
T`shkoj ymri tuj u anku
Edhe n`luftë jetën ma ke shkurtu
Thojshe asnjë s`dojm me shpëtu
Tan kohen folshe për kojshi
Lumt ata që iken n`Mal te Zi
Edhe tash shumë vehten po e ngarkon
T`kalumen shpejt po e harron
Por moj gru ti mos merr merzi
Në Amerikë a gatu qaja pavarësi
Shteti jonë ka me u maru
Qateher nana ka me na u ladru
Jena mesu t`egren me punu
Dy kamt një kpucë kan me na i shti
Hajde gezuar për pavarësi
Qu e qitna një fli n`tepsi
E piqe n` furr te Toni
Ndoshta na vjen edhe Klintoni
E sheh shtatoren që ja kemi maru
Gruja-Hllari nuk është tuj besu
I presim në restaoran te Tushi
ndoshta na vjen edhe dabëlju Bushi
Vjen me këndu Big mama
Se na vjen edhe Obama

III. KË E KE PREJ AMBALAZHI
(Skeçe humoristike)


Humor i përgatitur për 3 shtator, Ditën e Rinisë


Me pas prit unë këtë qyqan as ju s`ju kisha....

Djali:Babë, ami do pare?
Baba: çka po të vyejn paret?
Djali: me ble celular.
Baba: O hiqu bir celularit se prej që e kam ble celularin, ma thatë po e mbaj hamarin.
Djali: Ani veç edhe lopët nuk kam me t’i ruejt,
Baba: Besa s’ke qare se tamblin po ta kana me e pi kerr, kerr...edhe baglat ke me jua fshi.
Vajza (vjen): Babë ami do pare?
Baba: po çka po të vyejn oj çika e jeme?
Vajza: me ble fletore për shkollë, babë,
Baba: hiqu shkollës allahile se me krye shkollë te madhe nuk mundesh me gjet punë, me shkollë të vogël apet banë diçka e me krye shkollë me jet edhe në shtëpi s’vjen kush me të lyp; hiqmu, hiqmu...
Vajza:Ani ani veç edhe pulave nuk kam me ju qit me hëngër.
Baba: Besa s’ki qare se vezë po t’i kana kerr,.. kerr.. me i hëngër.
Nana: hajdi te nana jua jep paret se me pas prit unë ketë qyqan as ju s`ju kisha...
Baba: Ah xhagajdure bre, tash ta tregoj ty qefin (i ndjek me shtagë)...

KË E KE PREJ AMBALLAZHI

Lili: E dashur, unë të kërkoj njoftim,
Nusja: Sëpari dua ta di kënd e ke prej ambalazhe në shtëpi?
Lili: çka a ke në shtëpi?
Nusja: A ke babë a nanë, a?
Lili: po i kam more po ata i qesim në bodrum
Nusja: E nëse jetojmë veç unë e ti bajna lum
Lili: Moj nuse babë e nanë i kam zotni
Nusja: ambalazhi vendoset n`garazh e jo n`shtëpi

Lili: E dashur a e ke pas ndonjë djalë para meje,
Vajza: Djalë jo, veç një çikë e kam pas lind

Lili: E dashur a e ke pas ndonjë frajer para meje?
Vajza: E ul kryet...
Lili: Me falë se te lëndova e dashur
Vajza" Jo, jo s`ka gjë po kesh tue numrue me t’i tregue...

Lili: Hajde shkojna në shkollë?
Vajza" Pse arsimtarët nuk kanë grevë, a?
Lili: Jo more çfarë, paret jua kanë zbut zemrën a s`ke ni a?! 20 euro jua kanë rrit rrogat.

Lili: ku është stacioni autobusëve këtu a din me, më tregue?
Genta: O mixhë këqyr ku ka autobusë këtu në Klinë është stacioni i autobusëve.
Lili: e ju ku hupni në autobus?
Genti: ku muajmë hupim e ku muajm zhdrypim.

Lili:A ndjeve tanë shokët na shkuen jashtë, nuk m’u ka ndejt në shkollë gjysma e shokëve kishin ik në perëndim
Genti: Çka po ma thua mue, thuaj grupit të unitetit?
Lili: hapi sytë oj qeveri, Kosova mbet pa rini.


INTERVISTA

Gazetari: Ju lutëm, si po jetoni, a keni të ardhura personale?
Qytetari: Jo valla, s’kem hiç të ardhura personale.
Gazetari: Si po mbijetoni?
Qytetari: Po valla me ndihma e qysh po mujmë,
Gazetari: Po pushimet verore ku do t’i kaloni?
Qytetari: po pushimet pothuajse për çdo vjet i kalojmë ose n`Ulqin ose n`Durrës.


IV. DASMA E LULANIT
(Komedi)

DASMA E LULANIT
(E përgatitur enkas për Humoriadën Drenasi 2007)

Lili me nusen shëtitën, përkëdhelen, qeshin, plakut nuk i vjen mirë... kur nusja del nga skena plaku e thërret djalin e fillon me e mësue)...

PLAKU: (Pinë duhan, çaj, kollitet...) o bir bre... po paja këtu... këqyr bre bir e mos e lazdro nusen se vallahi me një gisht e çon e me krejt dorën s`un e ulë....haja zemrën... në fillim, tute...
Lili: Hajt bre babe mos u banë marak, i yti jam... kam me ja hanger zemrën, govotë kam me ja ba.
PLAKU: Ishalla të del mirë bre birë veç hiç nuk m’u ka duk... na kemë pa s nevojë për rob e jo për dreq...
Lili: O babë, mos të bahet marak kjo punë, lej budallaqet e këtyre hershme, tash hala pa e pru ne shtëpi nusen e kemi nënshkrue kornizën kushtetuese martesore....
PLAKU: Haj kuku për mue pse rrnova kaq shumë... thuaj nuses t’u qet me hanger atyne gjave... edhe ato kanë shpirt...
Lili: Qe unë ju qes bre babë a kujtove qe po e la nusen me ju qit gjave me fustan 200 euro, a?! e me frizurë kaçadreni...(pi....iiii...)
PLAKU: Eu bir bre mozomakeq po qysh s`um gave hiç... eu Lulani i babës, eu Lulani i babës...
Lili: O babë e nanë e vëlla e motër e eeeeee.....ish nusja, shtëpija po t`hake pa nuse... kuku s`di qysh kam rrnue pa nuse..
PLAKU: A s’po u bajka pa nuse, a?... se ne pastë ba zoti kësmet ...dua me dal... pak te do jarana të mitë kah Shkodra anej... në pastë ba zoti emër për vit të ri po i bëjmë dy nuse në shtëpi....(del).
Lili: Pasha zotin krejt ka luajt baba prej qe ka vdek nana... krejt a hallakat.... ma mirë po e thërras edhe unë nusen teme se me ma gjet najsen edhe unë hallakatna si baba.
Lili ( e thirr nusen: oj nuse, hajde këha he ta hangsha loçkën) në tavolinë,... (zgërdhihen ndërmjet vete...) dhe i thotë nuses këqyr çka po te them?... Babën me ma këqyr.....
Nusja: Pashë zotin a e ke për një mend a po ban hajgare... unë e kam lanë për ty babën tim... e me ardh e me ta këqyr babën tand...
Lili: Ma bre mos ja nis përnjeherë me ba fesat, a pikë sabri nuk kishe...
Nusja: nuk është ren sabri... këtu te ju ish ba si në stacion t`autobusëve kush vjen në shehër me ardh këtu me pushu... e unë gjallë s`ka ma kështu... ja... me të hanger për budalla, a? e me të marrë për goje jo a po u çojshin heret, jo i gjetëm teshat pa i çue, jo enët prej mbrëmjes i kishin pa i la...
Lili: Poj marre prej kojshive çka je tue thanë... krejt mysafirët me i perzanë, a?! E mysfirët e babës...?!
Nusja: Babën qo në shtëpi t`pleqve... kënaqen tue ndejtë bashkë pleq e plaka... sa na bajnë tollovi nëpër shptëi... rrinë atje, amballazh hesapi...
Lili: Marre moj... a menon se edhe na kemë me u plakë najherë... kuku marrja e zotit...çka po ni...
Nusja: O qyqan, s`ishe kanë për me u martu hiç... po Drenica po maron shtëpi të pleqve... e s`po ju vjen marre e ty këtu po te vjen marre...duhet me të ardhë marre prej nuses që nuk të kam gjet sen në shtëpi, do lopë edhe ato tue cofë ishin ba me dy gunga si devet e Arabisë... pi... hhhhh... mozomakeq...
Lili: qysh as kurrkush mos me na ardh, a?... a tana nuset bajnë kështu, a?....
Nusja: besa unë jam e urtë çka janë tjerat... këqyr mirë çka po te thamë, atë farë Hanën si kacë e kaloshinit s`du, me ta pa ma këtu...fund....
Lili: Po atë e kam hallë moj, çka po thue...
Nusja: Nuk po me intereson çka e ke, ajo ish si ajo Jeta në RTK gjithçka po dike, sakicë e kish gjuhën ku me dit çka na banë ajo...
Lili: (e thirrin në telefon... jo nuk jam në shtëpi, me nusen kam dalë...(ku jam bre- nuses...) nuk di kur kthena... baba nuk është aty ...ka shkue në Shqipni te do shokë...)
Nusja: ashtu duhet ...
Lili: Of kuku, për mu po pse u martova po rahat kam qenë...
Lili: (pasi ulet i mërzitur) Oj grue, bima një kafe...
Nusja: Besa s`po ta bi hiç po çu e qite për vete e qitma edhe mue nja... edhe bluje taze...
Lili: (e merr mullirin e bluan kafe, këndon këngën):

Prej një shpati t’i lëshova sytë,
E ta pashë bystekun në krye,
U dashurova shumë në ty
krejt kjo ish kanë budallaki.

Nusja: Hajde bijer kafet ma...?, me i pas porosit n`restorant deri tash më kish ardh kafja...
Lili: Qe qe, e mos e pifsh...(mos e pifsh ia thotë ma ngadalë)...
Nusja: Tash koha bashkohore, s`ka ma budallak te gratë si përpara, edhe plakat janë mbush sherr e le ne të rejat.
Lili: Ju ka ardh dita e keni marrë pushtetin n`dorë...
Nusja: Hala s’e kemi marrë pushtetin sa duhet, se ka me ju hangër dreqi hënëz...
Dritoni: O bacë, baba po vjen me një nuse me defa, tue kërcye (dëgjohen defat, nuses i bien të fiktë burri i vet i qet ujë, hyn baba me nusen e vet, kërcejnë, luajnë...
Lili: (nga qoshi i skenës) edhe baba e hëngër tunxh ma zi se unë, ani ai nusen nga Shqipnia kukuuuuu....t`na u ka kall shtëpia...

fund.


:
Parathënie

Po u njoftoi lexues të nderuar të librit “Dasma e Lulanit” se aktrimin dhe shkrimet i kam fillua përnjëherë si nxënës i shkollës fillore ne vitin 1967, por ne aktrim kam qenë ma i guximshëm se ne shkrime. Këtu me siguri ka ndikua se me ata që bashkpunojsha ne këtë drejtim ishin shumë ma të aftë se unë në shkrime, po i përmendi edhe disa emra si Tafil Kelmendi, Osman R. Gashi,Prend Buzhala pastaj Shaqir Foniqi, kur punoja në gazetn “Bota e re” me Qani Mehmetin, Shaip Beqirin, Skënder Zogaj, Agim Mala, Nazmi Misini, Agim Zogaj, Rrahim Sadiku,pastaj, Sejdi Berisha,Tahir Desku, Jetish Kadishani, Haxhi Muhaxheri, Mikel Gojani,Tahir Foniqi, Ali R. Berisha, Gjon Gjergjaj, Dibran Fylli, Agim Desku etj. Mendoja se nuk i kam aftësitë e tyre për të shkruar, por edhe krejtësisht nuk jam tërhjek nga shkrimet e veçmas me shkrime formë parodish humoristike për ketë me mbajn mend edhe koleget e mi si nxënës e si student po edhe tani. Erdhi koha që të botoi diçka dhe sikur kolegu i im i nderuar Prend Buzhala me gjuajti në uji të krijimtarisë pa e ditur notin me (2005) por ia arrita të dali matanë bregu dhe tani a botua libri i katërtë dhe së shpejti pritet të botohet libri i pestë.

: Libri “Dasma e Lulanit” përbehet prej anekdotave, parodive humoristike, pjesëve humoristike, promovimeve e recensioneve e intervistave dhe në fund është një foto album me foto nga puna në teatër, humor, shfaqje etj.
Anekdotat : Janë të përshkruara si pas odave tona, personalisht i kam dëgjua e kam rua origjinalitetin por edhe i kam adaptua nga pak, një pjesë e anekdotave janë me autor aty ku kam pas mundësi ti mbaj ne mend autoret e një pjesë tjetër mbetën popullore pa autor, por ka edhe të atilla që nuk e kam përmend autorin edhe pse për mu si autor i librit me janë te njohur por për ti ik ndonjë keqkuptimi eventual iu kam shmang autorësisë, sepse varet ne cilën kohe dhe në çfarë rrethana janë tregu ato. Në anekdota përfshihet humori, satira, sarkazma, edukata por edhe thumbat. Të gjitha këto që lexohen në libër janë shfaq apo tha publikisht në skenën e teatrit të quajtur “Oda shqiptare”skena e odës ishte trapazani. Por në këto dhjetë vitet e fundit shumica e këtyre pjesëve humoristike janë shfaq para publikut në skenën e teatrit realisht në Klinë veqmas në Festivalin “Ditët e humorit” në Drenas pastaj në festivalin e komedisë në Mitrovicë por edhe në shumë qendra tjera të Kosovës dhe në Shqiperi.

Sa i përket pjesës së parodive mjafton titulli i cili e tregon syzheun e ngjarjes se me tutjeshme, kem të bëjmë me përditshmërinë ton, me pa kuptimsin apo shumëkuptimsin e politikes aktuale jo vetëm te vendorëve por ma shumë të ndërkombëtareve, ne vonë e kuptuam se pushteti i quajtur UNMIK ishte Serbia në miniaturë, aq ma keq tani me ardhjen e EULEKS-it, UNMIKU mbetet fantazmë në Kosovë si që mbetet fantazmë pushteti paralel në veriun e Kosovës këto të këqija i ushqen edhe pa rregullsitë e qeverisjes, pastaj hajnia e quajtur korrupsion e kjo dikujt po i konvenon edhe brenda edhe jashtë kjo situatë kaotike sepse ujku donë mjegull. E populli përpos mjegullës e ka edhe terrin nga KEKU, plus për çdo ditë ma tepër edhe varfrin, ndërsa me parat e popullit e me pronën e shtetit luhet si me top, kjo e sjell korrupsionin qe populli e quan hajni, njerëzit pasurohen brenda nate, rinia sa mundet ik na vendi si e pa perspektivë, rrogat janë nivelin e ndihmave sociale, bankat na e rrjepin lëkuren me kamata të larta, kërkohet nga te huajt një tolerance demokratike e tepruar çka vështire është te absorbohet lehtë e pa pasoja, tenderët njerëzve të caktuar në shoqërinë kosovare u japin krah me fluturua, akraballëku bën fuqi, ata që kanë dështua ne pushtet lokal dhe populli i ka dënua me vote, prapë ngritën në nivele qendrore kjo i përngjan sikur studenti pa poena pozitive në provim pranues te pranohet ne fakultet, deputetet e japin shfaqjen me te mire në ekranin televiziv, nuk mbaj mend se ka përparua ndonjë familje ku ka pas shumë zot shtëpie, e ter kjo sjell te parodia “jem tujë hjek si peshku në zall”
Do të ndalna pak edhe te titulli i librit del në shesh një dukuri nga dëshira për të dal jashtë Kosove filloi martesa për viza djemtë shkojnë nuse të vajzat mjafton në vazhdim të lexohen këta rreshta: .

O LULANI JONË ME LIMONA OOO...

Na ka dal bedatë i ri
Djali me shkue nuse
Te vajza n`shtëpi
Nuk ka ma çejzin me celofona
Po ka lulana me limona
Kur ja nis defi me ra
Del lulani tue ba temena
Perhjar t`koftë o zoti shpisë
Po shkon nuse, djali i Delisë
Hyp ne aeroplan me gëzim
Fluturim e n`perëndim
Domosdo duhet me e ndegjue Zizën
Përndryshe ia prish vizën
Shkojnë n`dasmë te Curri
Thonë po vjen nuse Gafurri
Tue kërcye deri n`sabah
Jeta është ba tallava
Si n`perëndim si te na.

Pjesa e tretë dhe e katërtë përbehet prej skeçeve humoristike të cilat janë luajtur para publikut, këtu ma tepër shtrohen problemet sociale dhe konfliktet brenda familjes e nëpër mjet konfliktit familjar si celulë e parë e pushtetit reflektohen problemet edhe në nivele me të gjera. Veçmas kritikohen dukurit për moskujdesje për pleqtë. E deri te kërkesat e mëdha e mundësit e vogla e kjo sjell sfidën për të mos u kursye nga çfarëdo rruge vetëm e vetëm për tu pasurua. Këto përplasje ekonomike sjellin edhe probleme e konflikte familjare e shoqërore.

Pjesa e pestë librit përfshin opinione,recensione,intervista dhe promovime të librave me sens humori, konkretisht këtu flitet për librin tim të parë “Qesh e qaj jetën tonë”.

Dhe ne fund libri ka një fotoalbum nga puna e ime si aktor me koleget e mi te shumtë . Qëllimi im kur e kam shkrua këtë libër dhe librat tjerë me humor e kam pas për qellim që neper mjet humorit të përqeshen dukurit negative sepse humori dhe skena e teatrit reflekton realitetin e përditshëm sikur që pasqyra që e reflekton përball natyrën apo diçka tjetër ashtu si qe është, por qëllimi i kritikave del për tu përmirësuar gjerat, kjo jep me kuptua se nuk do te thotë se nuk ka edhe gjera të mira në shoqëri por ne i luftoim dukurit negative e jo anën e mire te gjerave, sikur një hartim me te kuqe shënohen gabimet e jo ana e mire e të shkruarit. Në fund do ta them se libri e ka edhe një të veçantë se Librin ia kushtoj rapsodit, regjisorit, humoristit, aktorit dhe mjeshtrit të parodive, shokut dhe mikut tim,
Artistit të Merituar Frrok Haxhisë nga Fushë Arrësi i Pukës

ISMET KRASNIQI


QESH E QAJ JETËN TONË


Komedi, pjesë skenike humoristike dhe këngë humoristike në frymën popullore

Këngë humoristike në
frymën popullore

Shumica e këtyre parodive janë botuar në Revistën mujore Humor dhe Satirë “Ndërskamca” 1996 kryeredaktor i së cilës ishte Jetish Kadishani dhe zav. kryeredaktor Hasan Gjonbalaj



GRUJA BURRIT ÇKA PO I THOTË

- Mshile gojën, more njeri,
Mos u ban në pleqni për seri,
Ka ardhë koha jetën m’e jetu
Ska ma burri me sundu
E me vetë kah me shku,
Koha tash krejt ka ndrru
Drejt n’Evropë po dojmë me shku
Standardet duhet plotësu
Çka thotë gruaja duhet m’e ngu.
Budallica që isha kanë
Ti kam kqyrë babë e nanë
Hundve e kresë ti tuj më ra
Unë e shkreta pa ba za.
Kurë dojshe vishe në shpi
E mu zani pa mu ndi.
E tash grave iu ka ardhë dita
Po i ndihmon Amerika
Në trajnim jemi tuj shku,
Çka ka meju gjetë ku ku për ju.
Na ka garantu baca Eversi Dan
Me gishtë të vogël me na prekë
dreqi ju han.

- Oj gru a je tuj ni
Mendja e keqe të paska hy
Mos u bazo fort në Evropë
Prapë të rrehi shtagë sikur lopë
Ti jeton këtu në Kosovë
Ky vend budallaqet nuk i duron.

- Lum ti njeri bana shaka
Burr si ti, kërkund nuk ka
Për Evropë s’asht tuj ma ndi’
Do të jetojmë në harmoni,
Lum për mu e lum për ty
Këndojmë kangë me çifteli.


VAKTI E HA KASHTËN
(Humortistike në frymën popullore)


Thirri Alushi ne Gjermani:
- A je gjallë, o vëlla Fazli?!
A je mirë, o i dashtuni vëlla,
Do borxhe a mundesh me naj la?!

Prit edhe pak, ore lum vëlla,
T’ na hiqet prej dere ky shka!
Masanej e kemi ma mirë
I luejmë mexhat me dëshirë!

Po hesht Zena ,s’po ban za
Deri dje ka kfjellë, ka vra,
Sod ndan “Faks” për fukara
Don gjynahet për me i la!...

Hajde, hajde lum jarani
Fort je hap sikur qurani,
Ke pasë sharrue në fotele
Me gjithë vesh deri n’qele!

Nuk bajshe fort muhabet t‘gatë
Te dera na dalshin gratë:
- Shkrueju në regjistër,
edhe n;kofsh ti ministër!

Kur të vjen koha, të baj za,
Të bërtas:-Hajde kha!
Shpejt e mos merr frymë
Cigaret duhet m’i shkymë!
Kush asht i mençëm e ja ka zanat
Politika ndërrohet për një natë,
Kush merret me politikë
Deren vetit ja ka fikë!...

Ngan e flet për punët e hueja
Kur vjen n’shpi i bëtet grueja,
- Ti kërkon nëpër dynja,
e n’shpi tane s’ki asgja!

- Do t’bahet mirë, lum grueja
Këto nuk janë punët t’hueja!
- More burrë, mos ban hajgare
dynjaja â e atyne qi kanë pare!

Nuk pyet ma privatizimi
E hangër tunxh edhe Xheladini,
- S’ka ma çka me menue
komunizmi jetë ka ndërrue!

Hajde, hajde vakt o vakt
Diktatori na u ba demokrat,
Gjenerata varg e vijë,
Fort mirë dinë kush je ti!

Çka me pa e çka me ndi:
Edhe Tushi në fe ka hi,
Nuk ka lan sen pa e ba
Tash bje n’hydbe istikfa!

Deri dje â kanë si dreq
Kurse sot shitet meleq,
Dikush din m’i ndërrue fytyrat
Si ndrrohen në disko ngjyrat.

Ma i vështiri komunist n’kit anë
Me tespih na u ba mysliman.
Deri dje për fe s’ka ndi
Sot në safin e parë n’xhami!

Dje Zotin s’e vrite n’kamish
Sot n’rresht të parë ulet n’kishë,
Na thotë sot s’asht shaka
Edhe dje msheftë kryq kam bâ!

Merr n’ket anë, kerr n’atë anë
S’mundet kush pick me e xanë,
Qysh ta shohësh, jaran, motin
T’bjen mirë me e kthye gëzofin!

Ktheje bigën, ore lum jarani
Se veç kështu mbahet vatani!
Dje argat i dreqit “t’kuq”,
Sot midis popullit gullumuq!

Për ata që dje kam punue
Bukur mirë unë jam pague,
Për këte që e punoj sot
Bahem “ i mirë e patriot”!

Asht pështjellë puna, o jaran,
Vakti kashten tash p’e han,
Lum ai që asht i mirë
Tanë jetën jeton me fëtyrë!


NGA KOSOVA NË PERËNDIM
( parodi klinase)

I
Se n’Evropë po bie tellalli:
- Sot ne Zvicër mbërrin Bilalli!
Kish me veti dymbëdhetë fëmijë
Drejt e n’zali po do me hy.

Ju gëzoftë zemra, ju shtoftë bereqeti
Beqes paret që na i gjeti,
Këtë sefa kurrë s’e kishim gjetë
S’ja harrojmë kurrë për jetë!

Se prej Kline na rrehi teli
N’ Gjermani drejt te Zeneli:
- Ju lajmërohet në telefon,
i dashtuni yt, baba Selman!

- Biri im, a kam farë shprese,
T ‘na dërgosh ndonje qese?!
- Prit, o babë, edhe pak
Për Kosovë po japi shumë hak!

- Nana Zelë po t’ban shumë t’fala:
“Niqin marka i mora barna!”
Çika e madhe po m’del në ndihmë
Se n’dyshek unë isha krymë!

- Nanë e dashtun, mos u sëmuj
Unë do të vij edhe nji muej.
Antenën satelitore kam me ua ngjitë,
S’u bie në mend hiq m’u mërzitë!

- Kur m’merr malli, o bir, për ty,
E qes televizorin në Gjermani,
Po s’po të shoh kund me sy,
Veç ta shof shehrin ku rri!

II

Per Kosove gjithe mendon Astriti
Me za të lartë ai t’madhe briti:
- A asht jetë në n’ty m’u kthy
Me lu n’fusha me moshatarë t’mi!?

- T ‘u thaftë goja! – i bërtet e ama,
A shkoj atje unë me hangër thana?
Po jetojmë këtu si zotni
Veç me burr e me dy fëmijë!

- Na n’Kosove per me shku
Duhet prapë jetën me ndërrue,
Kam kulturë tash evropiane
S’un jetoj me vjehrrën Mihane!

Ndihen gratë këtu tuj bisedue:
- Reja jeme n’azil ka shkue,
Hiq nuk prek ajo gjâ me dorë,
Pse me punue dhe m’u ba horë!

Lum për burrin, lum për mue
Dymijë marka reja m’i ka çue.
Me pas nejtë këtu veç darallak
Ishim mbytun n’fukarallak!

Na çojne syreta edhe traka:
- Tezja Zylë ka kthye e ngrata!
I gatuente njizet bukë
Ndërsa vetë gjithë mbeste untë!

S’âsht mahi, or lum jarani:
- M’i shti kambët sa t’mbërrin jorgani!
Mos me hangër veç deviza
Se nji ditë të shpërthen kërthiza!

Dikush në Evropë doli n’azil,
Dikush n’Kosovë mbeti servil,
Dikush për punë t’veta âsht kopil
Dikush si dje, sot e nesër mbeti Tafil!

Disa të tjerë këtu rrinë Fetah,
As s’janë me ne, as s’janë me ata!
I lajnë sytë për çdo sabah
Mbushin xhepat e bajnë “Bismilah!”

Ngate zot për disa të tjerë
Në mes dimni kanë bâ pranverë,
Me anmikun bajnë meshlic
Here n’“Lagune”, herë te “Sajçiqtë”.



“VARGJE PATRIOTIKE”

Mbrrin haberi nga Perëndimi:
- Nisuni për Gjermani, sot dihet trimi!
Kush mbrrin m’u ba azilant sot,
Ai do të shpallet “ ma i madhi patriot!”

Lenie Kosovën me halle të veta,
Po qe se nuk punon, s’të mban kush, tungjatjeta!
Nëse do n’Kosovë me jetue,
Tjetër duhet folë, tjetër duhet punue!

Çdo natë televizioni lajmëron:
- Udhëtarë, aeroplani nga Shkupi fillon!
Po bajnë hygjym gra e fëmijë,
Te “ Patriotët” drejt në agjenci.

Blejnë shumë bileta, nji njeri dhetë,
Kështu dëshmohet “ atdhetari i vërtetë!”
Kur i shterrohen xhepat mirë,
Me za bërtet:- Mire u pafshim në Kosovën e lirë!

Bahet mirë, ore lum jarani,
Pa kësi trimash s’mbahet vatani!
Po të jeni këtu s’mund të duroni
Shkoni në Evropë të lirë të jetoni!

Gëzim i madh se jo mahi
E keni bâ Evropën shqiptari,
Demonstrata po organizoni
Nga atje thoni: Kosovën e mbroni!

Alo, alo në telefon, azilanti lajmëron:
- Babë, e shisni Arën e Gatë,
Në Gjermani na i sillni edhe gratë,
edhe Kosovën e veni në rrotë,
sa ma parë ta sjellni në Evropë,
edhe kështu Kosovën
në Evrope është anembanë,
vetëm toka e thatë i ka ngelur në Ballkan!



KOSOVËS HAKUN IA LAJ ME LOTË!


Po ju këndoj me çiteli
Atyne që nuk paguejnë për Qeveri,
Nuk âsht mirë m’u bâ me lara
Nji kilometër me t’u pa shara!

Dikush ndin me bâ llafe
Ndërsa xhepin e ka fort sade,
- Paguej paret, lum jarani,
Mjaft je fryre si qurani!

Po thote Caka: - Kush je ti?
- Unë nuk ndij për Qeveri!
Nuk laj para se “jam patriot”
Kosovës hakun ia laj me lotë!

“ GAZETËS”

“ Gazetë ” ti moj virane,
Zemrën copë mua ma bane,
Kur veten n’ty e kam lexue
Kapaku i kresë gati m’ ka lue!

Mos na gjej aq shumë behane
Se rrëshqet si në lëvore banane,
Sivjet mund të marrësh ne thue
E në mot mundesh me u rrëxue!

N’politikë mundesh me u shkri
Nga fundi të dalësh përmbi,
Por kjo s’mbërrihet me kokëfortësi,
Vetëm me butësi e mençuri!
“Gazetë” e lumja ti!...


ZUNA NJI KAJKË

Zuna një kajkë e rashë në det
Në Vlorë shumë shiptar i kamë zatet
Drejt Brindizit ja kanë msy
Shkojnë në Evropë nëpër Itali
Kah te shkojsh shqip i ndin tuj fol
Si me qenë në Kosovë.
Por kit rrug per me e ba
Tremijë euro në tabak duhet me i lanë
Nese si hap mirë sytë
Midis detit mujnë me t’zbritë,
Ma afer bregut nuk mujnë me u ofru
Skafit gomat ju kanë shpu
Rinia âsht drejtu prapë për Evropë
Prej Kosovës krejt janë ftofë.
Hapi sytë oooooooj qeveri
Kosova mbet pa rini ?!..


KUSHNERI SI SHEQERI

Na erdhi në Kosovë Kushneri
I ambël si sheqeri
Shkonte shtëpi për shtëpi
Thonte hallin mirë jav di
E lajmëroi edhe Kofi Ananin
Shqiptar e shki ndëmjveti nuk duhen kurrnjani
Edhe kur nxen dielli edhe kur bjen shi
Shqiptarët i madh e i vogël janë për Pamvarsi.
Kushneri si Kushneri
Nga njiher dukej për seri
Herë midis shiptarëve kambkryq
E herë në enklava shkonte guglyq
Herë nëpër oda
Herë nëpër enklava
I ndante punët java java
Kushneri pat thanë: o Shirak
Shqiptarët nuk të donë edhe me i ba qerak.
Shiraku për inati pat thanë
S’ka Kosova shtet me u ba.
Për ty Shirak s’ âsht kush tuj ndi
Franca âsht në kualicion me Rusi
Kushneri i hypi ajroplanit
E drejt ja msyn Uashingtonit:
Unë në Kosovë ma nuk mujë
Se po vjen I trubull do uji
Shkoj Kushneri erdhi beteri
Hakerub kurr s’kisha ndi
Mendje e keqe i kish pas hy
Nuk ban kështu, more zotni
Ma mirë shko në shtëpi
E ki gruen tash me femijë
Hakerub o halerub
Prej Kosove ma mirë hup.

QAJ E QESH FATIN TONË

Ishte kohë e vshtirë
E të tjeret u dashke me i marrë me të mirë
Vetëm për të egzistu
U dashke për të tjerët me punu
Shpsh me u ba edhe servil
Edhe pse në vehtevehte digjej si fitil
Së shpejti do të jetë
Çdo gja në vendin e vet.
Edhe në kohët e vjetra
Populli ka thanë vetë:
Nëse âsht hangër pitja
Tepsia ka mbetë,
Mos ban përpara te keqija
Se te përcjell mbrapa si hija,
Nese në mjegull namaz je tuj ba
Kur çohet mjegulla, veten shtrembt ki me pa
Nëse don të kesh ftyrë
Duhet në jetë të jesh i mirë
Si në rini si në pleqni
Duhet të mbetesh njeri
Kështu âsht jeta, more Gon,
Qaj e qesh fatin tonë.

KËSAJ I THONË DEMOKRACI


Lumi unë, e zuna karrigen
Kah due ja kthej bigën,
Veq për popull tuj mendu
E tendere tuj nënshkru.
Qohna heret në mëngjes
E pi kafen serbez
Akrabanë në pun tuj shti
Paret vijnë varg e vijë,
Vetë tuj kthjellë e tuj vra
Jam në pushtet me akraba
Ksaj i thojnë demokraci
Drejt do të shkojmë në pavarësi.


HERË SHEQER E HERË BIBER

Lum e lum për popullin tonë
Nuk e dinë kush kah e drejton
Shtajneri në kali të zi
Herë në Kosovë e herë në Serbi
Herë në Europë herë n’ Amerikë
Herë na gzon herë don me na i nxjerrë sytë
Ban negociata dalngadale
Kosova të jetë multinacionale
Bum e rrum e rrakatel
O Shtajner, o Shtajner
Her sheqer e her biber .



V. NGA HUMORI I KADIFENJTË
DERI TE E PËRQESHURA E ACARTË
(Opinione, recensione, intervista përurime)


Nga përurimi i librit “Qesh e qaj jetën tonë”
autor Ismet Krasniqi
Botoi klubi i shkrimtarëve “Vorea Ujko”
Klinë, 05.nentor 2005

Në skenë del Demir Krasniqi dhe ekzekuton një valle instrumentale me violinë, pastaj Hajdin Morina e drejton rrjedhën e përurimit të librit, Hajdin Morina me këtë rast tha: “Pjesa, e cila u interpretua me violinë, ishte pjesë instrumentale e interpretuar nga rapsodi i njohur dhe mjeshtri i violinës Demir Krasniqi nga Gjilani, të cilin e falënderojmë për këtë interpretim kaq të bukur.
Ju përshëndes të gjithëve, mirë se keni ardhë në festën e librit. Klubi letrar “Vorea Ujko” dhe teatri “Osman R. Gashi” përuron veprën e krijuesit Ismet Krasniqi,”Qesh e qaj jetën tonë”, e cila vepër në vete përmban komedi, pjesë skenike dhe këngë humoristike në frymë popullore.
Në përurim marrin pjesë strukturat e ndryshme letrare, artistike, por edhe të jetës politike dhe ushtarake. Të gjithë pjesëmarrësve ju përshëndes, përshëndes përfaqësuesit e TMK-së, përshëndes gjeneral Sali Veselin, përfaqësuesit e pushtetit lokal, aktorin Sylejman Lokaj, aktorin Niman Muçaj, shkrimtarin Daut Demakun, i cili shumë herë merr pjesë në aktivitetet kulturore dhe përuruese këtu në Klinë, shkrimtarin, aktorin dhe krijuesin Sejdi Berisha, kryetar i shoqatës së shkrimtareve të Kosovës dega në Pejë, Agim Deskun, shkrimtar nga klubi letrar “Karragaçi” dhe “Klub Kultura” nga Peja si dhe përshëndes Demir Krasniqin dhe Xhemajl Berishën nga Gjilani, në mënyrë të vaçant e përshëndes Rexhep Abazin nga Klubi letrar “Shpëtimi” nga Medvegja.
Si thashë edhe më parë, Klubi letrar “Vorea Ujko” dhe teatri “Osman R. Gashi” në Klinë kanë organizuar ta bëjnë përurimin e veprës së Ismet Krasniqit. E ftoj Z, Prend Buzhala, recensent i librit, për ta marr fjalën:

PREND BUZHALA
Ju përshëndes të gjithëve. Më vjen mirë që po na bashkon festa e librit. Ndoshta pak edhe e kemi thyer atë klisheun e përurimeve të zakonshme, sepse ne e kemi parapa përurimin ta bëjmë në mënyrë multikulturore. E kam fjalën këtu, se në fillim e bëmë hapjen me tingujt e violinës, nga mjeshtri i violinës z .Demir Krasniqi, në vazhdim kemi parapa edhe disa pjesë të dramave të shfaqura më parë e që tekstet e tyre janë në libër që po e përurojmë ne sot, por do të ketë edhe këngë.
Libri "Qesh e qaj jetën tonë" i Ismet Krasniqit, përfshin dy komedi, tri pjesë humoristike skenike, 17 këngë humoristike në frymën popullore dhe një album fotografish të Ismetit nga jeta e tij në skenë. Kjo do të thotë që, për nga strukturimi i tij, ky vëllim pikësynon kategorinë e përgjithshme të humorit, pra të komikes e të te qeshurës, të shtrirë nëpër të gjitha tekstet letrare., tek vë një ndërkomukim estetik në mes skenës dhe teksti letrar. Nëse Platoni i moçëm nënvizonte se komikja përbën kontradiktën midis të shëmtuarës dhe seriozes, duke e përveçuar kundërshtinë në dukurinë komike që bëhet objekt i të qeshurës; atëherë edhe ky libër komedish, pjesësh humoristike dhe poezish të shkruara në frymën popullore humoristike, arrin që situatat, personazhet, idetë, temat, motivet e sidomos dukuritë e vjetra që paraqiten nën petkun e së resë, ta shquajë disfatën morale të këtyre personazheve komikë e të këtyre dukurive komike. Në pamje të parë të duket sikur komikja, humori, dhe e qeshura e librit "Qesh e qaj jetën tonë" kanë një shtresë të butë e të kadifetë humori, porse nën petkun e tyre shpërthen mjeshtërisht e përqeshura ngapak e hidhur, acaruese, madje, edhe revoltuese. Kështu, bie fjala, në komedinë e parë, "Kryetar, e jo mahi", vihen përballë mendësitë, veprimet e fryma e së vjetrës në petkun e demokracisë e të votës së lirë; premtimet boshe karshi halleve, papunësisë e gjendjes së palakmueshme sociale e familjare. Madje, kjo përplasje komike-satirike, zhvishet krejtësisht në replikën e personazhit kryesor të kësaj komedie, kryetarit: "Lum populli që i kam ra hise unë. Të jeni të bindur se populli ka me hëngër lakna gjatë mandatit tim, ndërsa ne të zgjedhurit nga vota e popullit, do të hamë mish së bashku me ndërkombëtarët. Pastaj arsimtarëve do t'ua zvogëlojmë rrogat e do t'ua rrisim përkthyesve, energjinë elektrike do ta shpenzojmë për çështje patriotike të xhepit personal...drogën do ta mbjellim në bahçet tona, të kualifikuarit do t'i zëvendësojmë me të pakualifikuar" etj... Së këndejmi, vihet në pah jo vetëm disfata etike e personazhit dhe tradhtia e tij morale; po edhe përplasja në mes të paaftësisë morale karshi aftësisë për të sunduar, theksohen dobësitë, veset, veçoritë negative të protagonistit komik, me pretendimin demagogjik për t'u paraqitur figurë e rëndësishme atdhetare dhe shoqërore. Duke i trajtuar kotësitë primitive të kësaj shoqërie, besëtytnitë si mjete të zgjidhjes së fatit të njeriut apo të problemeve familjare, nga njëra anë, si dhe të trajtimit të problemeve të rëndësishme shoqërore, nga ana tjetër; procedimori i tillë letrar e shfrytëzon mjeshtërisht gërshetimin e këtyre dy anëve. Ndërsa në planin tematike-humoristike shquhen veprimet qesharake, gjestet e replikat që zgjojnë gaz, karshi demaskimit të degjenerimit të përgjithshëm moral e politik të shoqërisë sonë të pasluftës. Po kjo frymë demaskimi e përshkon edhe komedinë e dytë "Vakti e ha kashtën", si dhe pjesët skenike humoristike « Reforma shkollore", "Gruaja e trajnuar" dhe "Qaj e qesh jetën tonë" e që trajton anë të ndryshme të jetës sonë të pasluftës. Kjo shtrirje tematike-demaskuese e që nxit, mbi të gjitha, gaz të lezetshëm e të këndshëm, flet për natyrën komplekse, të ndërlikuar dhe gjithëpërfshirëse të humorit e të komikes. Pa marrë parasysh kërkesat socio-antropologjike dhe letrare-estetike, vëllimi "Qesh e qaj jetën tonë" na shtyn të mos ndalemi vetëm në aspektet e izoluara të humorit, sikundër na është funksioni shoqëror, sepse fenomeni duhet të merret në tërësinë e tij. E pra, komikja dhe humori nuk përbëjnë vetëm përmbajtjen apo lëndën e librit, po edhe formën a trajtën e tij; flasin për format e tipat e humorit e të komikes që përdoren në gjithë larminë e tyre. Klasifikimi i tillë zhanror, është i domosdoshëm, sepse edhe strukturimi i librit e ndjek këtë rrugë, duke u klasifikuar në komedi, pjesë humoristike e në këngë humoristike të frymës popullore. Meri Dagllas, me orientimin e vet antropologjik e etnik, arrin t'i klasifikojë ato si mbas strukturës sociale; kurse kjo gjë te Ismeti na del shpesh si strukturë e tillë, ku përfshihen shqiptarë, ndërkombëtarë, romë, e ndonjë personazh sllav; nga njëra anë; apo të shtresave të shumta sociale e të hierarkisë politike e shoqërore, nga ana tjetër. Shkaku ekzistencial që e nxit humorin e komiken, si mbas Dagllas, apo siç thuhet në gjuhën popullore, hajgaren, nuk është thjesht shprehja gjuhësore si e tillë, porse kjo shprehje mund të identifikohet në situatën totale sociale. Prandaj, përpos teksteve didaskalike që e respektojnë standardin e gjuhës letrare, replikat e personazheve, dialogu, monologu etj, paraqiten në trajtën e të folmeve popullore. Kjo do të thotë që komikja, humori dhe satira në këtë vëllim paraqesin lëndën e pasur që realizohet nëpërmes diferencimit të ndërgjegjshëm ligjërimor e të strukturave gjuhësore të ndërgjegjshme në varietete e variacione zhanore të ndryshme. Nuk është e habitshme, prandaj, pse ndonjë titull përsëritet te një komedi apo te një këngë humoristike me frymë popullore. narracioni a syzheu humoristike-komik rrudhen në minimum; madje ato rrudhen edhe në formula tallëse humoristike e satirike e që marrin formën e standardizuar të komikes. Nuk është e habitshme, prandaj, pse edhe këto pjesë humoristike e komike, më shumë anojnë kah humori popullor, apo sikundër thuhet, kah humori etnik, sikundër janë anekdota, rrëfimi i shkurtër humoristik, shakaja (vici), fabulat humoristike, etj. Pothuajse, të gjithë analistët e studiuesit letrarë të humorit e të satirës, përafrohen në vlerësimin e përgjithshëm se këto forma kanë begati syzheore, narracione të dendura e të rrudhura, e që dalin nga sfera e jetës së përditshme e nga situatat jetësore të njerëzve të rëndomtë e të thjeshtë, pra të njerëzve të vegjël. Kurse ambienti i tyre edhe te ky vëllim është ambient provincial, gati i humbur, janë familja, kafeneja, fshati apo qyteza e vogël. Edhe te tekstet letrare komike-humoristike të Ismetit mesazhi kryesor ka natyrë sociale: protagonistët kryesorë dalin fitimtarë moralë dhe ia kalojnë në urti e në dinakëri antagonistëve që i takojnë shtresave të larta.
Në tipologjinë e tij të larmishme humoristike, Ismet Krasniqi përdor shumë forma të gjuhës humoristike popullore jo narrative që nga thëniet më të thjeshta që janë marrë nga jeta e përditshme (p.sh. e tillë është formula "Vakti e ha kashtën") e deri te zhargoni i pa obligueshëm, që nga trajtat e rimuara të fjalëve të urta e deri te nocionet e përgjithësuara si humor lirik; që nga kalamburet, lodrat me fjalë, galimatiasit, situatat groteske e deri te paroditë e zakonshme. Ngjizen e gërshetohen natyrshëm format e shumëllojta të të folurit me përmbajtët spirituoze, me lëndën komike apo me syzheun komik. Sado që tekstet letrare të shumtën janë shkruar për nevoja të skenës, ato nxisin kënaqësi përjetimi edhe kur të lexohen. Libri ka edhe një vlerë tjetër; posi në traditën anekdotike popullore, edhe këtu posi në traditën anekdotike popullore, edhe këtu narracioni a s’zheu humoristiko-komik rrudhen në minimum; madje ato rrudhen edhe në formula tallëse humoristike e satirike e që marrin formën e standardizuar të komikes. Nuk është e habitshme, prandaj, pse edhe këto pjesë humoristike e komike, më shumë anojnë kah humori popullor, apo sikundër thuhet, kah humori etnik, sikundër janë anekdota, rrëfimi i shkurtër humoristik, shakaja (vici), fabulat humoristike, etj. Pothuajse, të gjithë analistët e studiuesit letrarë të humorit e të satirës, përafrohen në vlerësimin e përgjithshëm se këto forma kanë begati syzheore, narracione të dendura e të rrudhura, e që dalin nga sfera e jetës së përditshme e nga situatat jetësore të njerëzve të rëndomtë e të thjeshtë, pra të njerëzve të vegjël. Kurse ambienti i tyre edhe te ky vëllim është ambient provincial, gati i humbur, janë familja, kafeneja, fshati apo qyteza e vogël. Edhe te tekstet letrare komiko-humoristike të Ismetit mesazhi kryesor ka natyrë sociale: protagonistët kryesorë dalin fitimtarë moralë dhe ia kalojnë në urti e në dinakëri antagonistëve që i takojnë shtresave të larta.
Në tipologjinë e tij të larmishme humoristike, Ismet Krasniqi përdor shumë forma të gjuhës humoristike popullore jo narrative që nga thëniet më të thjeshta që janë marrë nga jeta e përditshme (p.sh e tillë është formula "Vakti e ha kashtën") e deri te zhargoni i pa obligueshëm, që nga trajtat e rimuara të fjalëve të urta e deri te nocionet e përgjithësuara si humor lirik; që nga kalamburet, lodrat me fjalë, galimatiaset, situatat groteske e deri te paroditë e zakonshme. Ngjizen e gërshetohen natyrshëm format e shumëllojta të të folurit me përmbajtjet spirituoze, me lëndën komike apo me syzheun komik. Sado që tekstet letrare të shumtën janë shkruar për nevoja të skenës, ato nxisin kënaqësi përjetimi edhe kur të lexohen.
Autorit të librit suksese edhe në të ardhmen e ju të pranishmëve ju falënënderoj për pjesëmarrje në përurim.
Hajdin Morina e falënderon recensentin e librit, Prend Buzhalën, për fjalën e paraqitur, ndërsa e fton për ta marrë fjalën aktorin Sylejman Lokaj, me të cilin Ismeti vite me radhë ka përgatitë drama dhe kanë bërë regjinë e tyre.
Sylejman Lokaj: Shfrytëzoj rastin që ta përgëzoj mikun tim të nderuar e të dashur, aktorin edhe veprimtarin e kulturës, Ismet Krasniqin, ta përgëzoj për këtë dhuratë të bukur për këtë libër duke i dëshiruar që zemra, mendja e penda e tij t`na i dhurojë edhe shumë libra të tjerë. Me qenë se merrem me skenë, jam dyfish i gëzuar, sepse çdo mbledhje e thesarit të pasur të popullit tonë që i gjen në librat, të cilat shkruhen na gëzon ne aktorëve që gjejmë materia. Teatri është si mulliri, mulliri punon kur ka çka të bluajë, po s’pat thasë me grurë e misër, s`ka çka të bluajë, atëherë mulliri rri kot. E për teatrin thasë me misër e grurë janë librat, dramat që i shkruajnë shkrimtarët dhe dramaturgët tanë anë e mbanë Kosovës anë e mbanë shqiptarisë.
Çdo pikë uji në këtë drejtim është e mirëseardhur, sepse e pasuron jetën teatrore në të gjitha poret, por edhe me humor që e kemi aq të pasur. Një libër si ky që po përurohet sot, është mrekullia që duhet përshëndetur në këtë çast, edhe njëherë i dëshiroj punë të mbarë Ismetit e të gjithë kolegëve e shokëve të tij këtu që bashkëveprojnë.

Rexhep Abazi: Ju përshëndes të gjithëve, unë vij nga trojet shqiptare të Medvegjës. Erdha me kënaqësi të madhe në thirrjen e zotëri Ismet Krasniqit, të cilin e njoh për një kohë të shkurtë, por e çmoj si njeri të madh, e çmoj si njeri të madh në bazë të punës dhe veprës së tij, e cila po flet edhe sot me kurorëzimin e një pune të palodhur në këtë libër, të cilin po e përurojmë sot. Kam një obligim që në emër të dy organizatave joqeveritare të Medvegjës, njëra quhet “Shpëtimi” dhe vepron në trojet shqiptare të Medvegjës dhe tjetra quhet “Medvegja” dhe vepron në Zvicër, u përcjell përshëndetjet e tyre dhe dëshirojmë të jemi së bashku gjithmonë.
Kurse autorit të kiti libri i dëshiroj që kurrë të mos ndalet, duke shkruar e krijuar vepra të mëdha, të cilat dinë t’i bëjë vetëm ai dhe penda e tij. E falënderoj zotni Ismetin, ju falënderoj ju në këtë respekt e ju përshëndes vëllazërisht - ishalla një ditë do të shihemi edhe në Medvegjë kështu së bashku.

Autori i librit: Ismet Krasniqi: Ju përshëndes të gjithëve, ju falënderoj që keni ardhur në përurimi të librit tim. Ky është libri im i parë, prandaj ju jeni ata që më jepni forcë për të shkruar libra të tjerë. Nëse ju e pëlqeni librin, ju lexuesve, vërtet unë do të kem guxim të shkruaj edhe në ardhmen. Mora guximin të shkruaj këtë libër për shkak të disa arsyeve, nder to po i përmendi: e para, ishte se tekstet e shkruara në këtë libër u shfaqen në formë dramash e komedish para publikut klinas e kosovar. Shfaqjet u pëlqyen, e dyta derisa isha student në Akademinë e Arteve gjatë përgatitjes së provimeve, prof. Enver Petrovci më pyeste se ku i kam marrë këto tekste. Nuk guxoja për t’i thënë se të miat janë, se kisha frikë mos po iu bien vlera (deri sa e përmenda prof. Petrovcin pak më parë më telefonoi, më porositi t’u përshëndes, sepse nuk do të ketë mundësi për të marrë pjesë në përurim, sepse sonte ka program të vetin drejtpërdrejt në RTK, prandaj është në përgatitje të veta). E treta, ishte se kolegëve të mi me frikë ua kam dhënë këto tekste, e veçanërisht recensentit të librit tim Prend Buzhala. Herë ia afroja shkrimet e herë i tërhiqja, nga frika dhe nga pasiguria e kualitetit në të shkruar. Pasi e mora guximin e ia dorëzova Prendit, ai pasi i kishte lexuar, m’i lavdëroi këto shkrime dhe më tha: është mirë t’i botosh dhe tani ato shkrime ne sot po i përurojmë me një libër të quajtur “Qesh e qaj jetën tonë”.

Si fillova me aktrim?


Shumë shkurt do t’u tregoj. Në pranverën e vitit 1967 luajta një pjesë skenike që quhej “Tafruk Tafrukuci i Tafrukajve”, e luajtëm këtë pjesë skenike me kolegun tim Qamil Morinën. Në ata tre oxhakët e kooperativës i vumë bankat si skenë, në mungesë të perdeve e kishim mbulua me një qilim. Qysh atëherë arsimtari im i nderuar, i cili është këtu prezent, Istref Desku, e hoq qilimin, i cili ishte i rëndë e ne e filluam shfaqjen dhe prej atëherë vazhdova me aktrim.
Edhe njëherë ju faleminderit dhe në gëzime ua kthefshim këtë ardhje tuaj në përurimin të librit tim. Dashtë Zoti gjithherë u takofshim në gëzime e festa të librit.

Intervistë për radio "ALBA"Klinë

Pyetja: Z. Ismet, ju e përuroni librin tuaj të parë, si mund t`na e përshkruani këtë moment?
Përgjigje: Po, sigurisht se e ndiej veten mirë, sepse pas një pune bukur të lodhshme, kur shihet rezultati, me siguri të gjitha vështirësitë harrohen. Për librin ideja është individuale, ndërsa tërë procesi tjetër i punës është kolektiv, prandaj në këtë drejtim i falënderoj të gjithë ata që i kanë emrat në librin tim, të cilët kanë dhënë kontribut të madh për ta parë dritën e botimit ky libër. Botimi i librit të parë, figurativisht po shprehem, qenka si lindja e fëmijës të parë.

Pyetja: Titulli i librit reflekton pak karakteristik "Qesh e qaj jetën tonë", çka të frymëzoi për këtë titull"?

Përgjigjja: Ta them të vërtetën, në këtë kohë që po kalojmë ne, duhet me qeshë edhe kur duhet me qajtë, pastaj krejt çka qeshim e çka qajmë kemi të bëjmë me shkallët e jetës sonë, veçanërisht me politikën ditore që luan me jetën e popullatës. Qeshim kur e shohim se po luajnë edhe me vetvete, por qajmë kur e vërejmë se po luajnë edhe me jetën tonë. Jeta e njeriut është bërë amullore, kush e ka shkrepësen në dorë, kur të dojë mund ta djegë e kjo na paraqet anën tragjike-komike. Si me zor po jetojmë pa ujë, pa rrymë, pa standard jete, nuk sundon ligji po Maliqi. Të huajt i bëjnë 100 të këqija, ndërsa vendorët i bëjnë 101 të këqija në emër të të huajve. Xhelati bëhet engjëll, tradhtari bëhet atdhetar, i pasuri bëhet zot, i varfri bëhet i mençur kot, çlirimtari anashkalohet, kurrkushi në qiell çohet, njerëzit hynë në kredit, e shtinë borxh edhe kryet, pushtetarët e luajnë rolin e të fortit, shkatërrojnë çka gjejnë përpara. Sipas ligjeve të egra ekonomike „peshku i madh e han të vogëlinë“, e lidhen me ata që i kanë bërë 1001 të këqija vetëm e vetëm për të përfituar, titulli s`ka fuqi, por ai që është i fortë n`bulqi, pastaj njerëzit ku rrinë me ta, i ndien duke u ankua (duke u ankuar nga skamja), në anën tjetër pa ndërpre e dëgjon muzikën, në vetura, telefona mobilë nga 2-3 në xhep iu cingërojnë, kafenetë e dasmat pa ndërpre këtu ka vend edhe për një titull tjetër "Fukara e pasanik, ta kalojmë jetën me muzikë". Ata që nuk kanë për të ngrënë dhe ata që hanë shumë. Vdesin. Të gjitha këto që thashë, janë pjesë tematike të librit e që shumica e tyre janë vu në`skenë. Skena është pasqyrë e realitetit të përditshëm, prandaj skena qorton dhe kërkon përmirësimin e sjelljeve të njerëzve të caktuar me rol të veçantë në shoqëri dhe formula e kësaj del "Qesh e qaj jetën tonë"



Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi