Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Aleksandër Koçani:“Alo! Ju telefonojmë nga Instituti i .........”

Shko poshtë

Aleksandër Koçani:“Alo! Ju telefonojmë nga Instituti i .........” Empty Aleksandër Koçani:“Alo! Ju telefonojmë nga Instituti i .........”

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 20, 2009 1:26 am

“Alo! Ju telefonojmë nga Instituti i .........”

Aleksandër Koçani
Në cilindo libër të metodave të kërkimit që të merrni, në pjesën e anketimeve me telefon (fiks) theksohet se kusht i panegociushëm është pasja e telefonave fiks nga të paktën 90% e familjeve në popullatën në studim. Madje kërkohet që për raste të veçanta kjo përqindje të kalojë edhe 90%. Dhe kjo kërkesë është e arsyeshme në kuadrin e pretendimit për të realizuar një kampionim sa më përfaqësues të popullatës në studim.

Sapo afron koha e fushatave elektorale fillon edhe stina e sondazheve. Nga të gjitha anët na “bombardojnë” me pyetje anketimesh dhe rezultate të përpunimit të tyre. Në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2007 (në mos gabohem edhe në atë të vitit 2005) Institute të ndryshme private në vendin tonë hetonin pritmëninë e sjelljes votuese të elektoratit me anë të anketimit me telefon fiks. Ajo që nuk shkon në këtë punë është mungesa e parametrave profesionale. Kështu një nga këto parametrat është marzhi i paisjes së popullatës në studim me telefona fiks. Në cilindo libër të metodave të kërkimit që të merrni, në pjesën e anketimeve me telefon (fiks) theksohet se kusht i panegociushëm është pasja e telefonave fiks nga të paktën 90% e familjeve në popullatën në studim. Madje kërkohet që për raste të veçanta kjo përqindje të kalojë edhe 90%. Dhe kjo kërkesë është e arsyeshme në kuadrin e pretendimit për të realizuar një kampionim sa më përfaqësues të popullatës në studim. Domethënë një kampionim i tillë, i cili të lejon që, rezultatet e studimit të bërë mbi të, të mund të shtrihen me një gabim të njohur e të pranueshëm në tërë popullatën në studim. Nëse do të kërkonim të dinim se sa është përqindja e familjeve në Tiranë (apo në gjithë vendin) që kanë telefon fiks, menjëherë na shkon mendja që ta kërkojmë këtë informacion në web site të Albtelecom. Kush e provon konstaton se nuk ka asnjë informacion të kësaj natyre ose të afërm me të. Ajo faqe interneti është tepër e varfër me informacion. Çudi e madhe! Përse e lënë në këtë gjendje? Kujt i shërben ajo faqe me aq pak informacion sa ka? Po të përpiqemi më tej ta gjejmë informacionin që na duhet nëpërmjet telefonatave në zyrat e Albtelecom, do të kemi disi më shumë sukses. Marrim shifrën prej 47 423 abonentësh familjarë në qytetin e Tiranës (në përgjithësi abonentët familjarë të Albtelecom përbëjnë 92% të të gjithë abonentëve të tyre). Le të pranojmë si numër minimal të popullsisë për qytetin e Tiranës shifrën e dhënë zyrtarisht prej afro 700 000 banorësh (në rrugë jo zyrtare jepen shifra që e tejkalojnë 900 000), dhe le të marrim mesatarisht si shifër që jep numrin mesatar të personave për familje numrin 5 (në fakt ka më shumë të ngjarë të jenë aty rreth 4.2 person për familje). Me këto të dhëna “të fryra” rezulton se duhet të kemi minimalisht 140 000 familje në qytetin e Tiranës. Nëse pjestojmë numrin e abonentëve ekzistues familjarë me numrin minimal të familjeve të këtij qyteti na del afërsisht shifra prej 33.9%. Pra mund të konsiderohet se maksimalisht vetëm afro 34% e familjeve të qytetit të Tiranës disponon telefon fiks. Kjo shifër është më shumë se 2.6 herë më e ulët se minimumi i nevojshëm i abonentëve familjarë për të ndërtuar një kampionim të një anketimi me telefon fiks në qytetin e Tiranës. Atëherë kemi të drejtë që, sipas teorisë së metodave të kërkimit, ta konsiderojmë një anketim të kryer me telefon fiks në qytetin e Tiranës si jashtë parametrave shkencorë dhe rezulatet e tij si të papranueshme nga pikëpamja shkencore. Ndërsa ata që bëjnë dhe publikojnë rezultate të anketimeve të tilla, thjesht si spekullues dhe manipulues të opinionit publik shqiptar.
Elementë të tjerë që flasin për mungesë profesionalizmi të stafeve që realizojnë anketime jashtë parametrave shkencore, janë mosrespektimi i kërkesës së zgjedhjes së rastit dhe pandjeshmëria ndaj kritikës së po punojnë jashtë kritereve shkencore. Kështu, vitin që shkoi, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale u kontaktua telefoni fiks i familjes nga një zonjushe (për arsye etike nuk po përmend emrin e Institutit, në emër të të cilit ajo telefononte). Në telefon i doli bashkëshortja ime dhe zonjushja në fjalë e njoftoi se ajo ishte zgjedhur me një procedurë të rastit për të qenë respondente në një anketim me telefon. Më tej e pyeti nëse ishte e disponueshme për t’iu përgjigjur disa pyetjeve lidhur me votimet e afërta. Bashkëshortja ime iu përgjigj se momentalisht ishte e zënë me gatim dhe e pyeti nëse mundej t’ia kalonte linjën telefonike të shoqit. Intervistuesja iu përgjigj se nuk kishte asnjë problem dhe linja m’u kalua mua. Zonjushja në fjalë më njoftoi se isha zgjedhur për respondent nga një procedurë e rastit dhe më pyeti nëse isha dakord t’u përgjigjesha disa pyetjeve lidhur me votimet e afërta. I kërkova ndjesë dhe e pyeta se cili nga ne të dy ishte zgjedhur me një procedurë të rastit, unë apo bashkëshortja ime që u kontaktua e para. Intervistuesja tha se nuk kishte asnjë problem, prandaj nëse doja mund t’u përgjigjesha pyetjeve që do të më bënte ajo. Këtu u detyrova të bëjë me dije zonjushën në fjalë se jam specialist i metodave të kërkimit dhe se ndërrimi i respondentit që kërkonte të bënte ajo binte ndesh me rregullat e zgjedhjes së rastit. Për dijeni të publikut, kampionimi i rastit kërkonte që personi i parë i kontaktuar (ata nuk pyetën a ishte apo jo votuese, që është kusht i domosdoshëm!) të rikontaktohej deri në tre herë për të mundur të bëhej intervista dhe jo me herën e parë të kalohej në personin rezervë (i cili po ashtu nuk u pyet nëse ishte apo jo votues!). Ndonëse intervistuesja u vu në dijeni për moskorrektësinë e procedurave të anketimit që po ndiqte, vazhdoi të insistonte në kërkesën nëse do të pranoja të vazhdoja intervistën me pyetjet. U detyrova t’i them shqip se nuk mund të pranoja të bëja diçka që e kuptoja që ishte gabim dhe që nuk ma lejonte ndërgjegjia profesionale dhe u ndava me të. Pothuaj e njëjta situatë u përsërit para disa ditësh. Prapë një zonjushë më telefonoi nga Instituti..... dhe më njoftoi se me një procedurë të rastit isha zgjedhur si respondent dhe më kërkoi nëse isha i disponueshëm për t’iu përgjigjur disa pyetjeve lidhur me votimin e muajit qershor. Kësaj intervistuese iu prezantova që në fillim si specialist i metodave të kërkimit dhe i thashë se po ndiqnin një procedurë në kundërshtim me kërkesat shkencore për anketimet me telefon fiks. I theksova se duhej që popullata në studim duhej të kishte minimalisht në masën e 90% telefon fiks dhe se Tirana duhej të kishte aty tek 30-40% të abonentëve familjarë me telefon fiks. Për këtë arsye i theksova se nuk mund të pranoja të merrja pjesë në intervistë. M’u desh që sqarimin e fundit ta përsëris disa herë, sepse zonjusha në fjalë ngulte këmbë në kërkesën e saj nëse dëshëroja t’u përgjigjesha pyetjeve. Dhe vetëm kur i thashë jo, nuk do t’i përgjigjem pyetjeve, u ndamë me të. E shkreta vajzë! Ngulte këmbë tek përgjigjet sepse në bazë të shkallës së refuzimit nga respondentët do të vlerësohej edhe performanca e saj! Por është për të ardhur keq që drejtuesit e këtyre Instituteve minimalisht nuk lexojnë me vëmëndje një libër të huaj mësimor për metodat e kërkimit (Research Methods) për të kapur të paktën kushtet minimale të pranueshmërisë së një anketimi. Nuk kërkojmë që të marrin mendimin e profesionistëve, sepse, me sa duket, për shumë shqiptarë është e vështirë që të marrin mend aty ku nuk janë kompetentë! Mirëpo në se kryejnë anketime jashtë standarteve shkencore dhe publikojnë rezultatet e tyre, dashur pa dashur ata bëjnë gabimin (apo fajin??) e manipulimit të opinionit publik shqiptar. Do të ishte e tepërt t’u thuhej këtyre personave “të gjithëdijshëm” se kërkesa për rigorozitet është tipar sa i shkencave të quajtura ekzakte, aq edhe i atyre shoqërore ku hyjnë edhe metodat e kërkimit.
Tiranë më, 18.03.2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi