Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kristaq Shabani:Naim Sali Kelmendi

Shko poshtë

Kristaq Shabani:Naim Sali Kelmendi Empty Kristaq Shabani:Naim Sali Kelmendi

Mesazh nga Agim Gashi Sat Mar 19, 2011 11:52 am

Kristaq Shabani:Naim Sali Kelmendi 200795_10150123919128186_678723185_6440625_3164500_n
Naim Sali Kelmendi
Kristaq Shabani:Naim Sali Kelmendi 49703_678723185_7208_n
Nga Kristaq Shabani

Naim Kelmendi u lind me 10 shtator 1959 në Ruhot të Pejës, nga nëna Xufe dhe baba Salihu. Studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Shkruan poezi e prozë, por merret edhe me gazetari e me publicistikë, duke u dëshmuar edhe në këto fusha të shkrimit, sidomos me publikimet e tij, si te gazeta “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia Neës” etj. Nga veprimtaria e tij poetike janë përkthyer poezi edhe në gjuhët evropiane, duke u prezantuar edhe në antologji të ndryshme, si dhe në shtypin e kohës. Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryetar i klubit letrar “Faik Konica” në Zvicër, i cili për vite me radhë ka lënë gjurmë në jetën letrare të mërgatës sonë atje. Drejtues dhe kryeredaktor i revistës “Top Kultura”, e cila botohej poashtu në Zvicër. Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryeredaktor i gazetës “Pavarësia”, pastaj ish editor i gazetës “Pavarësia Nenës”. Nga kritika jonë letrare e kohës, konsiderohet si një ndër poetët tanë më të dalluar në poezinë tonë moderne. Edhe në fushën e publicistikës sonë Naim Kelmendi dallohet dhe çmohet si një ndër publicistët tanë më në zë,sidomos për angazhimin dhe guximin e tij intelektual në mision të fjalës së shkruar.
Ishte edhe reporter lufte i gazetës kombëtare “Bota sot” në luftën e Koshares me 1999.
Që nga viti 2002, pas kthimit nga Zvicra, ku kishte jetuar dhe vepruar që nga fillimi i viteve nëntëdhjeta, tash jeton dhe vepron në Kosovë.

Për krijimtarinë letrare e publicistike të shkrimtarit Naim Kelmendi kanë shkruar
Ramadan Musliu,Sali Bashota,Basri Çapriçi,Iljaz Prokshi,Fatos Arapi,Azem Shkreli, Agim Vinca, Shyqri Galica, Abdullah Konushevci, Rushit Ramabaja,Skënder Buçpapaj, Arbër Ahmetaj, Januz Fetahaj, Elida Buçpapaj, Hasan Mujaj, Sejdi Berisha, Shefqet Dibrani, Shaban Cakolli, Ali D. Jasiqi, Sinan Gashi, Rrustem Geci, Avni Nezaj, Rexhep Elezaj, Nazmi Lukaj, Ndue Ukaj, Valdet Hysenaj etj.
Naim Kelmendi është njëri nga publicistët që, me penën e tij, i doli përballë krimit që mbiu në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës, pjesëmarrës i së cilës ka qenë edhe vetë si reporter në Koshare. Për këtë guxim të tij, për këtë përpjekje në funksion të ndërtimit të një shteti të mirëfilltë ligjor, për vizionin e tij për një Kosovë demokratike-ishte për një kohë të gjatë i kërcënuar nga grupet kriminale që u konvenonte anarkia, për ta shfrytëzuar këtë (anarkinë) për pasurim brenda nate. Naim Kelmendi krejt çka mendoi për zhvillimet e pasluftës në Kosovë, e tha haptaz. Prandaj, vlera e shkrimeve të tij qëndron jo vetëm te ana cilësore e tyre, por edhe te guximi për t'i thënë me emrin e vërtetë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë.
Në shënjestër të shkrimeve të Naim Kelmendit, ndër të tjera, ka qenë edhe politika e "re" e Beogradit dhe lëvizjet e saj të vazhdueshme për ta frenuar procesin e pavarësimit të Kosovës. Çdo lëvizje antiKosovë nga ana e kësaj politike, publicisti në fjalë bën përpjekje ta demaskojë në sytë e opinionit tonë. Njëkohësisht, i analizon edhe politikat ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe, sa herë sheh të meta në të, bën thirrje që ajo të mos bjerë viktimë e taktikave të reja të politikës së "re" të Kalimegdanit kundër pavarësisë së saj. Po ashtu, parashtron fakte të shumta në favor të pavarësisë së Kosovës, e cila edhe u realizua më 17 shkurt të këtij viti.
Shkrimet e përmbledhura në këtë libër janë të shkruara në gazetën "Bota sot", "Pavarësia", "Pavarësia neës" etj. gjatë viteve të pasluftës. Në të janë përfshirë vetëm disa prej shkrimeve të tij të shumta të publikuara në këto gazeta. Me penën e tij, ishte njëri nga heronjtë e demokracisë. Them hero për faktin se t'i identifikosh gjërat negative për një shoqëri dhe një komb, kur nata qe bërë kulçedër që i "hante" atdhetarët e Kosovës, është vërtet heroizëm. T'ua vësh gjoksin përpara grupeve kriminale, që gati sa s'e patën dërrmuar përpjekjen e Kosovës për pavarësi, ishte ana tjetër e atdhetarizmit të Naim Kelmendit, pas përfundimit të luftës. Ana tjetër e atdhetarizmit të tij të treguar qysh në kushtrimin e parë për luftë kundër Serbisë. Shkrimet e tij do të shërbejnë për gjeneratat e ardhshme se si mbrohet Kosova edhe në liri. Se si liria e merr kuptimin e saj të vërtetë, do të shkruaj kështu për Naim Kelmendin, publicisti i mirënjohur -Nazmi Lukaj.

Naim Kelmendi ka botuar deri tash këta libra:
Shtreza në fjalë,1985
Nyja e Gordit,1992
Albanoi,1992
Pse ashtu Pandorë,1993
Çka të bëj me dhembjen, 1993
Satanai me fytyrë tjetër, 1994
Eklipsi i diellit, 1997
Përballje me vdekjen,1999
Shqiptari vdes duke kënduar,2000
Kohë për të folur gurët, 2001
Sipërfaqja e padukshme,2003
Vrasja e deputetit-monografi,2003
Beteja e Koshares…,publicistikë,2008
Pikëpamje dhe reagime,publicistikë,2008
Në një jetë pas Krishtit,2010
Esenca,2010

Shqiptari vdes duke kënduar(botim i dytë),2010\


* Agim Vinca kështu do të shprehet për poezinë e Naim Kelmendit në vitin 1993:”Naim Kelmendi përpiqet t’i shprehë preokupimet e veta poetike me një gjuhë bashkëkohore poetike,të cilën në rastet më të mira e karakterizon ligjërimi eliptik dhe aplikimi funksional i figuracionit që mbështetet mbi botën materiale të trevës nga vjen poeti dhe sidomos mbi simbolikën dhe metaforikën e botës shtazore.Shikuar në përgjithësi ligjërimi poetik i Naim Kelmendit është mjaft homogjen dhe i nivelizuar”.

*Azem Shkreli poashtu në qasjen e tij ndaj poezisë së Naim Kelmendit, do të konstatojë: ”Në shumicën e vjershave,kurdo që frymëzimi është më i sinqertë,më i thellë e më i ardhur,kurdo që ai shfaqet so domosdo e brendshme e ligjërimit,lirika e tij nuk është vetëm e shkruar po e ndodhur.Ajo rrjedh e vetëvetishme e burimore dhe forma aty nuk është kërkim po nevojë e rrjedhës së shlirë të vargut e të mendimit...”.(1993).

* Basri Çapriçi dhe Sali Bashota mbase do të shpreheshin në këtë mënyrë për poezinë e Naim Kelmendi, gjithashtu në vitin 1993:” Në këtë vëllim të Naim Kelmendit nuk insistohet aq shumë nga mitologjia,edhe pse në konturat e ligjërimit,fillimisht procedohet lënda mitike dhe sidomos ajo e letërsisë orale.Mirëpo,këtu kemi një shkallëzim dhe përgjithësim poetik të temave dhe motiveve,të cilat bashkërenditen me dije e talent.
Domethënë,duke u nisur nga aktualitetti,historia,mitologjia e tjerë,poeti ndjek me vetëdije të plotë udhën vetanake të krijimit për të pasur ecje intensive në dialektikën e procedimit të fenomeneve dhe të gjërave ekzistuese.Gjithashtu në poezinë më të re të Naim Kelmendit insistohet në tipizimin e identitetit të subjektit lirik,i cili do të përballonte shprishjen,dhembjen.situatat tragjike.por jo edhe pësimin,humbjen…”.(1993).

*Fatos Arapi, me një rast për poezinë e Kelmendit do të thoshte:”Poezia e tij, prej kohe ka tërhequr vëmendjen e poetëve.Dhe kjo do të thotë shumë.Kjo do të thotë që fjala e tij poetike është kthyer në një vlerë estetike,që pasuron shpirtin e njeriut tonë…”.Te gazeta “Drita”-Shqipëri,(1994).

*Skënder Buçpapaj, në shkrimin që ka zënë vend te pasthënia e vëllimit poetik “Shqiptari vdes duke kënduar”,që i kushtohet legjendës së trimërisë shqiptare Adem Jasharit, do të shprehet kësisoj:”Nuk është e rastit që një letërsi të ketë një roman në gur (kujtoni “Kronikë në gur”) dhe një poemë në gur,këtë që i kushtohet Adem Jasharit,legjendës moderne të trimërisë shqiptare…Autori i poemës “Shqiptari vdes duke kënduar” është rigoroz në pikësim dhe shkrim…Kështu,pra,dhimbja merr formën e statujës,të statujës që saherë poema lexohet,ajo del nga shkëmbi prej nga është marrë dhe sa herë poema kthehet në rrafshin e librave,ajo përsëri ktheht në shkëmbin prej nga ka dalë.Në këtë rafsh zbulohen marrëdhëniet e magjishme që poeti ka vendosur me bashkëkrijuesin e tij,pra me lexuesin,marrëdhënie të krijuara në heshtje,në mirëkuptim,si dhe të gurit me gurin,të cilat së bashku krijojnë edhe kështjellën,edhe bjeshkën,madje edhe Bjedeshkët e Nemuna,ku edhe i vendos një pjes të ngjarjeve krijimtaria e librit më të ri të Naim Kelmendit.Ato krijojnë edhe kullën legjendare të Jasharajve të Drenicës,ku u përsërit nga Adem Jashari,epopeja e Oso Kukës,por edhe Kosharen po aq legjendare ku ngriti epopenë moderne Agim Ramadani,i cili ishte po aq sa luftëtar edhe poet,poet i ngjyrave dhe i fjalës…Naim Kelmendi ishte reporteti i Luftës së Kosovës,i gazetës “Bota sot”.Nga vija e parë e frontit,në epopenë e madhërishme të Koshares,ai ishte krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në ditën e shumëpritur të lirisë.Edhe reportazhet e para nga Kosova e lirë i përkasin penës së tij.Prandaj, frymëzimet e tij për heroikën moderne shqiptare janë nga më autentiket”.

*Arbër Ahmetaj, dërkaq për të njëjtën poemë, pra, për poemën “Shqiptari vdes duke kënduar”, në qasjen e tij të thukët, do të veçojë se, “ Është fat i madh sot të takosh një njeri që të rekomandon një libër të mirë.Jo se librat e mirë janë paksuar,por se është bërë shumë i vështirë seleksionimi i tyre në pafundësinë e botimeve kaotike në gjuhën shqipe.Në bibliotekën simbolike të një mikut tim këtu në Zvicër,gjeta rastësisht librin me poezi të Naim Kelmendit “Shqiptari vdes duke kënduar”.Rutina e zakonshme e paragjumit më kërkonte që të lexoja disa faqe.Befas vërejta se librin e kisha mbaruar dhe nuk po mund të flija.Pse më la zgjuar ai libër faqepaktë?Çfarë veçanësie ka poezia e Naim Kelmendit që të rrëmben e të detyron ta lexosh me një frymë?Pse pas leximit të tij ndjehet nevoja e një udhëtimi metaforik deri në rrënjët e qënies tënde,deri në fillesat e njeriut shqiptar dhe hapësirës së tij jetësore?...Poema,është ndoshta gjinia më defiçente në krijimtarinë shqipe.E përdorur si formë poetike e propagandimit të ideve e ngjarjeve ditore përgjatë metodës së kapërcyer estetike të socrealizmit,ajo akoma nuk e ka gjetur shtratin e vet,nuk e ka gjetur krijuesin e vet,subjektet dhe heronjtë,mjetet e reja të realizimit artistik.i gjetur në këtë luginë artistike,përkohësisht pothuaj se të shterrptë,Naim Kelmendi me poemën “Shqiptari vdes duke kënduar”, ka dhënë ndoshta piketat e para të poemës shqipe me subjekt,teknikë,frymëzim dhe strukturë të re.Fati i dheut-Atdheut,gjeografia e tij e përgjakur dhe e shkrumbuar,përbëjnë dekorin dhe dimensionin tragjik të poemës,përkundër vdekjes, e cila shndërrohet në një “këngë” metafizike.Në këtë kontrast ku vdekja e individit është këngë,ndërsa përgjakja e dheut-Atdheut është tragjedia që s’duhet të lejohet të zgjatet më tej,shpalosen edhe personazhet e prekshme si guri, njëkohësisht eterike, si ëndrra,të poemës.Në atë hapësirë mes këngës së vdekjes dhe vdekjes tragjike,persiatja poetike ka vend boll për t’u livadhisur,në të gjitha përmasat e botës,shkon e vjen nga skaji në skaj i dheut-Atdheut,nga ora zero deri në çastin e papërjetuar akoma as nga ne as nga fëmijët tanë,shfaqen herë Gjergji i Mesjetës e herë Ademi i ditës së paradjeshme, herë Molla e Kuqe e herë Arta,Shkup e Shkodër zënë vend në pak faqe poeme…Veç Poeti është aq i kthjellët dhe i vetëdijshëm se mobilizimi total i subjektit të revoltës kërkon një rishikim total të Un-it,një rishikim të biografisë së vet, ai duhet të armatoset me gjiçka të mundshme:Humbja nuk lejohet,pasi nuk bëhet fjalë për vdekjen personale,për vdekjen këngë,por për tragjedinë e vdekjes së dheut-Atdheut.Ja sepse në këngën e tetë Uni, ndalet e pyet vetveten se cili është dhe i duhet një kohë bukur e gjatë,të paktën deri në fund të asaj kënge,për ta bindur vetveten për të kaluar në numër shumës,pra jo në “Unë”,por në “Ne”,që të thotë:”Ne jemi asht i vjetër para kanibalëve me thika në duar”.”Dhe i them Hamzës…” te kënga e dhjetë poeti prek të djeshmen tonë,si padashje zbulon identitetin e Un-it në emër të të cilit flet,zbulon atë që e ka thënë haptas,në përkushtimin për legjendën e trimërisë shqiptare:ADEM JASHARIN.Bash në këtë këngë gjenden edhe nënshtresat më të ngjeshura,më të thella të vetëdijës,aty gjejmë betë apo betimet pagane të rrënjëve tona ilire.Heroi që ka vendosur të shndërrojë vdekjen në këngë,qysh më përpara është betuar në tre katër gjëra të shenjta,tek ngjyra e flamurit,tek fara dhe rrënjët e fisit,tek buka!...Naim Kelmendi me poemën”Shqiptari vdes duke kënduar” paraqitet si poet formalist i kujdesshëm,plot tension,ai u grahë me vemendje metaforave që ato të mos i palohen me njëra-tjetrën,duke ruajtur kështu qartësinë dhe ritmin e ndezur të shkrimit.Ja ku e kemi një poemë që duhet lexuar,tash vijnë të tjerat…!”.


Poezin ga Naim Kelmendi nga libri i tij

Në një jetë pas Krishit-Poezi

GJITHÇKA DHE ASGJË

Gjithçka jeton në mendjen time
gjatë kërkimit për ta arritur majën
fillon në mëngjes dhe ekziston
në secilën ëndërr deri te asgjëja

gjithçka nuk mbaron dikund
në mes, por në fund të zhgënjimit

nuk përfundon atje
në mesin e mjegullës
pa vdekur shpresa në kërkimin
e përjagur caqeve të jetës dhe mundimit

gjithçka dhe asgjë janë dy skaje
janë dy fije të frymëmarrjes
që nga ecja e deri te fundi i ecjes

gjithçka dhe asgjë vërehen përditë
e përnatë në secilën rrugë jete
nëpër secilin ndriqim që s’preket
sepse mund të të humbin para syve
si një hije e bukur prej hyjnije

gjithçka dhe asgjë janë të varura në krahët
e ëngjullit dhe s’mund të lagen nga shiu

gjithçka dhe asgjë janë shumësia e numrave
rreth e përreth kozmosit dhe kaosit
janë vetëm lidhje numrash të përjetshëm

gjithçka dhe asgjë janë hiri i mbetur i një feniksi
janë përtërirja, janë jeta e dikujt deri në vdekje

prandaj, gjithçka dhe asgjë janë një fiksion i bukur
kur mendon se të gjitha i ke, dhe asgjë s’është ytja

aty ku është gjithçkaja është asgjëja
dhe aty ku është asgjëja është gjithçkaja

nëse i ke të gjitha nuk ke asgjë
nëse nuk ke asgjë do t’i kesh të gjitha

asgjë është një numër i pallogaritshëm
dhe njëkohësisht një llogari bankare
që s’e ke hapur kurrë në ndonjë bankë

gjithçka është një llogari e madhe
që ke ëndërruar ta kesh në ndonjë bankë
amerikane, evropiane, në mars apo në hënë
dhe jeton sërish nën jehun e egër të asgjësë

kjo është gjithçka dhe asgjë
je e tëra dhe s’je asgjë prej gjëje

gjithçka mund të jetë një shumë e pagëlltitshme
ndërsa asgjë mund të mbetët një zero e akullt

në gjithçka mund të shëndrrohen buzët
e paputhura të një të dashure të shpirtit
në asgjë mund të përsëriten tëra përpjekjet
për t’i puthur ca buzë të dashura femre

gjithçka mund të jetë një kujtim prej hiri
asgjë mund të mbetem pas fund-fillimit
sepse gjithçka dhe asgjë janë realitet i mërzitshëm

mos u lodhni me gjithçkajen dhe asgjënë
lërini të qeta në rehatinë e mistershme të kaosit…

më në fund gjithçka fillon prej asgjëje
asgjë mund të fillojë prej gjithçkaje

Prishtinë, maj 2003


BALADA E KTHIMIT NË ATDHE

Tash u kthyem te burimi i etjes
për t’u dhënë kohëve emër e mbiemër
shpirtrat e mi të vegjël, loçkat e babit

kur ika nga kjo hapësirë
isha vetëm, endësha vetëm
vishkull në një andrrallë
që nuk shpjegohej n’gjuhë të huaja

kisha një qëllim të vetëm
që m’ bënte dritë rrugës, mugëtirës
të kthehesha patjetër te burim i etjes
e ta prekja me shikim gjeografinë
time të lirë, hirin e saj të flashkët

erdhëm lehtë fare, pahetueshëm
asgjë nuk e gjetëm në vendin e vet
dikend s’e njoha dikush s’më njihte më
s’e kuptoja vetveten as pasluftën
me emra të vrarësh nga rrënja e kombit

Prishtinë, nëntor 2005


QËNDRIMI VERTIKAL

Valët përbijnë
njëra-tjetrën

edhe dashuritë poashtu

po shkëmbit i mbesin
vetëm vrimat e plasat
e ca gjurmë t’ përplasjes

sa shumë duron
e s’luan nga vetvetja-

HIJA SHETITËSE E TJETRIT

Më tmerron Hija e tij
rrugëve të frymës sime

andej kah jeton
si bishë e plagosur
duke kërkuar shtegun

në vallen e djallit
është fije e pakëputur

rrugëve ma pështjellë
lëmshin me ngjyrë fute
dhe përgatit akt tjetër
për vrasjen e Laokoontit

KAOSI

Çdo gjë që u krijua
nga kaosi
mund të kthehet
sërish aty
për t’u vetëshkatërruar
sepse kaosit
nuk i besoj
mësa besës
së një lavireje…

PRAPË DEMONËT

Dje ishin kokë cerberësh
kryerrugës, kryejetës
nëntokës kaliruan me biografitë
e egra prapashpine

plehu i kohëve t’perënduara,
ende ua zbardhë rrugët
e idealit t’një plehurine

në kryejetë në kryerrugë
kanë dalë përsëri
të verdhë, të kuq,
soj i çuditshëm
helmin e gjuajnë kujdesshëm
në kohë tjetër në njeri
dhe prijnë me flamujt
e dufit të tmerrshëm

në krye të radhës
nën dardhë kokrrojnë

ULCINIUM

Në këtë qytet
dashurohet shqip
e s’të sheh as zoti-

vetëm se,
dashuritë tradhtojnë
sepse kanë gjak njeriu

RREZATIMI I DASHURISË

Rrezatimi vjen
nga shpirti i femrës
jo nga shtrati i saj

prandaj, e gjurmoj
deri në thellësi atë shpirt
që e dua deri në fund

duke më djegur thellësisht
ma shkurton ngapak jetë

sa më shumë që e dua
aq më thellë më vret e padukshmja

në mesrrugë furtunash
thërras në vetvete

m’duket se Erosi
paskësh qenë tradhtuar
aq shpesh nga rrezatimi i dashurisë

prandaj, i them, ik oh djall
kjo natë është mallkim
më shumë se dashuri

mëkat që s’ lahet
me një jetë…

Prishtinë, 26.4.2003

MBROTJA NGA OKTAPODËT

Nëpër teh kurrë s’i kanë rënë
rrugët i kanë pasur të shtruara
me lule gjithfare,

dhe sërish i shtrojnë drejtimet,
i gjejnë tëra hyrje-daljet
nuk shtyhen fytas me rribat

dalin andej kah vetëm ata dalin
hyjnë andej kah vetëm ata hyjnë

format i ndërrojnë sipas çastit,
sipas kohës dhe rastit, pamjet

e vetmja mbrojtje nga oktapodët
t’i rrish pip në këmbë historisë
dhe ta shkruash secilën faqe t’jetës
me gjuhën dhe gjakun e së vërtetës

E DUA…

E dua femrën të veshur
me ndriçimin e tejdukshëm
kur e shoh të zhveshur
nuk ngopem me zbrazësinë
e saj të pafundme
plot jetë të magjishme

kujtoj, është më mirë
kur e dua të veshur
me ndriqim të tejdukshëm

kur e dashuroj të zhveshur
s’ngopem me zbrazësinë e pafund
përplot epsh të magjishëm

e kërkoj, sërish ta dua, ta takoj
sikur t’i kisha një mijë jetë
do të përgjërohesha njëjshëm

QYTETI NATËN

Mbushet ditën
zbrazet natën
shikimeve të heshtura

urave të ngritura

dashurive të rrënuara
ngjarjeve të tronditura

dhe kurrë nuk u dihet
fundi as fillimi
Gusht, 2003

BUNGAJË

A bën një ditë
së paku një ditë t’vetme
pa ulërimat e njeriut

pa vetëvrasjen
e tij të përditshme
n’zërin e ndërgjegjes

së paku një ditë
pa këtë ulërimë njerëzore
po sa bukur e shëmton vetvetja-
Prill, 2004


TRIPTIK PËR TRADHTINË

1.
M’u soll pas shpine si gjarpër
ma helmoi rrugën, ma ngulfati fatin

më helmoi saherë
në bardhësinë e fjalës

2.
Në fund kafshoi edhe bishtin
e vet nga xhelozia-

ngase unë arrita në cak i pari

3.
tradhtia tjetër ishte vetë lubia
m’i helmoi stinët dhe kohët e mia

tradhtia e tretë
pas meje kafshoi kokën e vet
por unë vuajta gjatë nëpër jetë-
Essen,dhjetor 2004

APOLOGJIA E GJËRAVE QË S’JANË

Në mbretërinë e Hadit
janë shpirtra kristal
ndriqojnë thekshëm
e shkumbëzojnë të zezën
nga e zeza e tyre tmerrshëm
të shtirur gjithë jetën si hije njeriu
kinse për t’u besuar
në ato që s’i kanë
tërë qenia e tyre e pakët
ndriqon në mbretërinë e Hadit
në ato që s’janë tjetër
veç spik i zi te kohët e asgjësë
është e vetmja pjesë e tyre
që u takon nga tragjedia e fatit


TË JESH VETVETJA

Të jesh vetveteja vertikalisht
katërcipërisht vetëm vetvetja
në secilën rrugë të fundit e t’fillimit

edhe kur t’lëbyrën sytë
nga dritat vezulluese
të mashtrimit fatzi

edhe kur ta ndrydhin kujtesën e lshtë
edhe kur ta shtrydhin lëngun e t’pathënmes

edhe kur ta hedhin
mendimin në rrashtë
edhe kur ta dredhin

vetvetja të mbetesh
me atë qëndrimin vertikal
mos ia lako as edhe një hap
ecjes, siç e ka njerëzisht

e jotja, biografi,përjetësisht

të jesh vetvetja
në substancën tënde

që të mbron nga acari
i imoralitetit njerëzor
të mbron nga kutërbimi

i mendësive t’pamoralshme
në të gjitha kohët

pra,patjetër të jesh vetvetja
është vlerë që ruan bërthamën
në substancë të qenies

dhe në dritën e vetëdijës


SPEKTAKËL I HIJEVE

M’i kanë tradhtuar
të gjitha dashuritë
lakmitë e tyre të zeza
uritë e tmerrta
tradhtarë fatesh
cerberë e t’pabesë

orgjive dhe fundit të tyre
koha vdirret e pashpresë

ata,flamuj në gjysëm shtizë
vetë spiku i zi në kujtesë

ISHULLI I QENVE

Bëjnë banjo qençe në natyrë
dhe mbajnë higjienën personale
nën jehun kutërbues të shurrës

pastaj lehin thik përpara
e kafshojnë me t’pabesë mbrapa

vazhdojnë me avazin e vjetër
pas kudrave besnike t’lëna n’mëshirën e fatit

maninë e t’lehurit s’e ndalin
ditë as natë ndaj biografisë njerëzore
çarten egërsisë me sytë e kuq
si të komunizmit kundrejt kokave

në ishullin e tyre bëjnë jetën fare të lirë
e demokratike sipas doktrinës qençe-

sërish pëshurrin gjurmën e vet
nën jehun e t’lehurave nervoze
Shkurt,2000

NË NJË JETË PAS KRISHTIT

Gjeli zgjohet në mëngjes
dhe shikon mundësinë
e fillimit të një kënge…

nuk e kupton dot
trishtimin e të tjerëve
që vuajnë gjithandej,që vdesin
pa asfarë ndihme praën tyre…

hë po çdo bënte ai gjel
me aq fuqi te veten,pa e ditur asnjëherë
se kur dhe kush do t’ia pres kokën

në një jetë pas Krishtit
kemi vuajtur dhe ende vuajmë
njerëzoren e kryqëzuar në Golgotë

pse m’i shkaktuat gjithë këto vuajtje
përse ma bëtë tërë këtë përçmim
mor ç’keni fituar nga lavditë
e zeza t’urretjes djallëzore,

gjeli zgjohet si zakonisht
dhe unë zgjohem në oarën gjashtë
shikojmë mundësinë e fillimit
të një kënge që trandë shpirtin

pa i kuptuar udhët e mundimit njerëzor
nesër,pasnesër e përgjithmonë

në Librin e Zanafillës
është shkruar e vërteta e t’vërtetave
për ta mësuar,për ta thënë
për ta zbuluar,për ta ruajtur

nesër kujtojmë se vdesim të mirë
si ëngjëj të pafajshëm pas këngës
ende kullon plagë e gjallë degëve të kombit

prandaj në tërë një jetë pas Krishtit
kuptimi është tkurrur në kutinë e mendjes
mbi një qiparis thehen rrezet e diellit
dhe bie më pas një shi i shëndetshëm

zot-o,amen na ruaj kujtesën
dhe kuptimin për ta kuptuar
herët a vonë a ndonjëherë

se jemi dikund veç kuptimi
i diçkaje që lëviz përgjithmonë
në kërkim për të kuptuar,

se dashuria është i vetmi
bar shërues për shpirtrat
që s’urrejnë e që s’kanë mëkatnuar…
Prishtinë,2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi