Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Thaçi: Kosova nuk është shtet i izoluar dhe as ekonomia jonë nuk është e izoluar

Shko poshtë

Thaçi: Kosova nuk është shtet i izoluar dhe as ekonomia jonë nuk është e izoluar Empty Thaçi: Kosova nuk është shtet i izoluar dhe as ekonomia jonë nuk është e izoluar

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 25, 2011 8:34 pm


Thaçi: Kosova nuk është shtet i izoluar dhe as ekonomia jonë nuk është e izoluar

Thaçi: Kosova nuk është shtet i izoluar dhe as ekonomia jonë nuk është e izoluar 25_03_2011-ZKM-03_


Në fjalimin e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në seancën parlamentare me rastin e leximit të parë të projekt -buxhetit për vitin 2011, ka thënë se ekspertë të shumtë, vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë punuar nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave dhe janë përkujdesur që kërkesat dhe nevojat e të gjithë pjesëmarrësve në procesin buxhetor të bashkërendohen dhe harmonizohen mirë.

"Kam kënaqësinë e veçantë, që sot, para jush, të prezantoj projekt-buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011. Ju me siguri se tashmë e keni lexuar projekt-buxhetin për vitin 2011, të cilin e keni në duart tuaja dhe me siguri i keni krijuar opinionet apo edhe qëndrimet tuaja të respektuara lidhur me të.

Unë sot do të prezantoj para jush, të nderuar deputetë, dhe përpara qytetarëve të Republikës së Kosovës një përmbledhje të përpjekjeve dhe punës serioze të të gjitha institucioneve qeverisëse të Republikës së Kosovës në përgatitjen e këtij projekt-buxheti.

Ekspertë të shumtë, vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë punuar palodhshëm nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave dhe janë përkujdesur që kërkesat dhe nevojat e të gjithë pjesëmarrësve në procesin buxhetor të bashkërendohen dhe harmonizohen mirë.

Më lejoni t’ ju falënderoj në emrin tim dhe qeverisë, për mundësinë që e keni krijuar të gjitha grupet parlamentare, pozitë dhe opozitë, që ministri i financave, në secilin grup parlamentar veç e veç ta prezantoj, ta diskutoj, ta sqaroj, por edhe t’u përgjigjet pyetjeve tuaja legjitime.

Kjo punë e madhe është bërë me qëllim që të përgatitet një projekt-buxhet i balancuar, që adreson kërkesat e qytetarëve dhe që është në përputhshmëri me strukturën e deritashme të politikave të kujdesshme zhvillimore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Hartimi i buxhetit paraqet një ndër punët më sfiduese për qeveritë e secilit vend, dhe një gjë e tillë është e kuptueshme për faktin se nevojat e qytetarëve dhe dëshirat për të bërë më shumë për vendin janë më të mëdha sesa mundësitë dhe potenciali në dispozicion.

Nga ana jonë, ne kemi bërë çdo gjë që në kuadër të mundësive tona në këtë projekt-buxhet të adresojmë nevojat e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Po ashtu, ne jemi përkujdesur seriozisht që të kemi rezervë adekuate buxhetore për t’u ballafaquar me situata të papritura.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e shumë e vetëdijshme për modelet që kemi adaptuar. Ne jemi të vetëdijshëm se duke përkrahur dhe fuqizuar modelin e ekonomisë së hapur të tregut të lirë, përgjegjësia për çdo veprim të ndërmarrë përmes politikës fiskale është shumë e madhe.

Çdo shpenzim më i lartë kërkon më shumë punë nga ana jonë për t’u kujdesur se një veprim i tillë është i matur dhe rezulton me përfitime ekonomike e përmirësim të mirëqenies së qytetarit.

Për më shumë, ne jemi kujdesur që çdo iniciativë e re fiskale të mos rezultojë me një barrë të rënduar taksash për qytetarët tanë. Ne vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar që për shumën e njëjtë financiare me të cilën qytetari i Kosovës i kontribuon buxhetit të Qeverisë së tij, duke paguar rregullisht tatimet e parapara me ligj, t’i ofrojmë qytetarit çdo vit mirëqenie më të mirë dhe shërbime më cilësore.

Kosova nuk është shtet i izoluar dhe as ekonomia jonë nuk është e izoluar, dhe si e tillë ndikohet vazhdimisht nga ambienti i jashtëm ekonomik, andaj edhe politikat e reflektuara në projekt buxhetin e vitit 2011 janë hartuar duke marrë në konsideratë përparësitë dhe rreziqet që sjell ky model ekonomik.

Por, mbi të gjitha, politikat ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë hartuar duke pasur gjithmonë parasysh nevojën për përshtatjen e ambientit ekonomik të vendit tonë me standardet e nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në pajtueshmëri me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Rrethanat politike të krijuara në fund të vitit 2010 na pamundësuan që në harmoni me obligimet ligjore, ta procedojmë këtë dokument në Qeveri dhe në Parlament, para mbylljes së vitit 2010.

Unë, sot nuk dua të merrem me ngjarjet që krijuan një situatë të tillë, mirëpo sot dua t’ju ftoj të gjithë juve të nderuar deputetë që me përgjegjësinë më të lartë, ta analizojmë dhe diskutojmë këtë projekt-buxhet vetëm mbi bazën e argumenteve të arsyeshme dhe propozimeve konkrete, të cilat mund ta përmirësojnë projekt-buxhetin.

Ky projekt-buxhet është reflektim i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës që ka për synim krijimin e kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Gjithashtu, duhet theksuar se ky buxhet është diskutuar deri në detaje me Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe me Komisionin Evropian, me të cilët janë harmonizuar pjesa më e madhe e gjërave dhe linjave buxhetore.

Këto diskutime po vazhdojnë ende me qëllimin e vetëm që Kosova të mbetet pjesë e Programit me FMN-në dhe natyrisht të përfitojë grantet financiare të premtuara.

Diskutimet me FMN-në janë shumë serioze dhe po zhvillohen mbi bazën e argumenteve reciproke.

Dua t’ju sqaroj, juve të nderuar deputetë, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë lloj konfrontimi me asnjë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke përfshirë FMN-në.

Bisedat me FMN janë në proces e sipër dhe janë zgjatur për shkak se ne jemi të bindur se masat të cilat i kemi ndërmarrë në zbatim të vendimit për ngritje pagash janë të besueshme dhe ne jemi në gjendje t’i realizojmë këto masa, ashtu siç i kemi prezantuar gjatë negociatave me këto institucione, dhe ashtu siç edhe planifikohet në këtë projekt-buxhet.

Unë jam i bindur se argumentet tona janë duke u analizuar në mënyrë shumë serioze nga FMN-ja dhe se i tërë ky proces do të përmbyllet me sukses, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgjegjshme për obligimet që ka në kuadër të Programit me FMN-në dhe dëshiron të mbetet pjesë e këtij programi.

Në anën tjetër, jam i bindur se edhe FMN-ja i kupton nevojat e qytetarëve të Kosovës për një jetë dinjitoze, si dhe e kupton përkushtimin serioz të Qeverisë për disiplinë dhe qëndrueshmëri financiare.

Sido që të jetë, kjo çështje është një sfidë të cilën unë si Kryeministër, së bashku me Kabinetin tim, jemi të gatshëm ta pranojmë me aprovimin e këtij projekt-buxheti, por edhe përmes kontributit tuaj të vazhdueshëm në implementimin e politikave ekonomike për vendin tonë.

Të dhënat aktuale dëshmojnë se ekonomia jonë, edhe përkundër tronditjeve në tregjet ndërkombëtare, ka arritur të gjenerojë një rritje reale ekonomike mbi 4.% gjatë vitit 2010.

Ndërsa për vitin 2011, departamentet e specializuara brenda institucioneve tona parashohin një rritje reale ekonomike prej 5.3%. Në anën tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar doli rishtazi me një parashikim më optimist, për një rritje reale të Bruto Prodhimit Vendor prej 5.5%.

Një rritje e tillë ekonomike në masë të madhe pritet të vije nga rritja e konsumit, rritja e investimeve dhe ajo e eksporteve. Kontributi i rritjes së këtyre komponentëve plotësohet po ashtu edhe nga përkrahja e ekonomisë së Kosovës nga remitancat e bashkatdhetarëve si dhe nga investimet nga jashtë.

Në planin afatmesëm 2011-2013, kontributi relativ i konsumit pritet të zvogëlohet, ndërsa ai i investimeve dhe eksporteve pritet të prijë në rritjen reale ekonomike.

Me vëmendje kemi ndjekur edhe lëvizjet e çmimeve të importit dhe për shkak të lëvizjes së tyre neve na është dashur të jemi edhe më të kujdesshëm në parashikimet tona për rritjen reale ekonomike.

Gjithsesi, unë e riafirmoj pozicionin tonë pro tregut të lirë, por zëshëm e ritheksoj gjithashtu se institucionet përgjegjëse e kanë përkrahjen time të plotë për parandalimin e veprimeve spekulative apo koordinimit monopolist në dëm të qytetarit të Kosovës.

Ekonomia jonë arriti që ta tejkalojë mirë krizën ekonomike globale, dhe tani mund të vjelë rezultate të mira nga mundësitë që vijnë nga rimëkëmbja e ambientit të jashtëm ekonomik.

Këtë e tregojnë edhe projeksionet afatmesme, që flasin se jo vetëm në vitin 2011, por edhe në vitet në vijim, Kosova mund të zhvillohet me një normë reale prej mbi 5%.

Unë dhe Kabineti im do të jemi vazhdimisht aktivë që të mundësojmë shfrytëzimin e një potenciali të tillë, dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që qytetarëve tanë t’i mohohet kjo mundësi.

Buxheti i vitit 2011, është punuar mbi analizën e këtyre zhvillimeve, si dhe është formuluar në funksion të rritjes ekonomike të vendit.

Ky buxhet ka për synim ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-fiskale të vendit, duke siguruar të hyra buxhetore në vlerë prej 1,264.000.00 milion euro (një miliard e dyqind e gjashtëdhjetë e katër milion euro), të hyra këto 12% më të larta se të hyrat e vitit të kaluar.



Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të arrijnë nivelin prej 1,434.000.00 milion euro (një miliard e katërqind e tridhjetë e katër milion euro), apo rreth 19% më të larta në krahasim me vitin e kaluar.

Kjo rritje e shpenzimeve në masë të madhe i atribuohet investimeve kapitale madhore siç është Autostrada “Ibrahim Rugova”, pastaj investimeve tjera infrastrukturore, siç janë rrugët Prishtinë–Pejë, Prishtinë–Mitrovicë, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, urave, ndërtimi dhe rehabilitimi i objekteve shkollore, spitaleve, qendrave të mjekësisë familjare dhe shumë projekteve tjera me rëndësi vitale për vendin tonë.

Kategoria e pagave dhe mëditjeve po ashtu paraqet një pjesë të rëndësishme të këtij buxheti, duke mundësuar kështu realizimin e plotë të vendimeve të Qeverisë për ngritjen e pagave të mësuesve, personelit shëndetësor, shërbyesve civilë, policëve, pjesëtarëve të FSK-së, doganierëve, inspektorëve tatimorë, zjarrfikësve dhe kategorive tjera të cekura në vendim.

Gjithashtu, kategoria e subvencioneve dhe transfereve ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke reflektuar kështu ngritjen e mbështetjes për pagat për të gjithë invalidët e Luftës së UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve sipas vendimit të qeverisë.

Po ashtu, në këtë buxhet janë planifikuar mjetet për ngritjen e pensioneve dhe përfitimeve për të gjitha shtresat sociale, në harmoni me ligjin, i cili pritet shumë shpejtë të procedohet në Kuvend për miratim.

Lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një rritje të pagave në sektorët kryesorë të shtetit tonë, ka pasur diskutime të ndryshme të cilat shpeshherë përveç kritikës qëllim-mirë dhe korrektuese, kanë bartur me vete edhe tone kundërshtuese për qëllime politike.

Kosova është shtet i ri i mundësive shumë të mëdha, por nga pasojat e së kaluarës vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë, me buxhetin më të vogël në Evropë, me përqindjen më të lartë të të papunëve, me standardin më të ulët dhe pagat më të ulëta në Evropë.

Këtë prapambetje shekullore duhet tejkalojmë.

Këtë trend duhet dhe mund ta ndalim bashkërisht.

Unë sot dua të sqaroj edhe një herë se vendimi për rritjen e pagave i marrë në janar të vitit 2011, ndoshta ka qenë një ndër vendimet e mia më të vështira për t’u ndërmarrë, mirëpo njëkohësisht, ai ka qenë një vendim i domosdoshëm, i arsyeshëm dhe shumë i përgjegjshëm, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike në vend.

Ne si liderë apo njerëz të politikës duhet ta instalojmë njëherë e përgjithmonë standardin: E REALIZIMIMIT TË PREMTIMIT PARA QYTETARËVE.

Ju të nderuar përfaqësues të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga qytetarët e Kosovës, e dini shumë mirë, ashtu siç e di edhe unë se standardi i jetesës në Kosovë ka qenë ndër më të ultë në Evropë dhe më gjerë.

Pagat minimale ekzistuese në sektorët kyç të shtetit tonë nuk garantojnë shërbime cilësore dhe administratë funksionale shtetërore në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Unë kam dashur që ta ndryshoj këtë gjendje të rëndë të qytetarëve tanë. Unë dhe Qeveria e Kosovës nuk mund të lejojmë që dinjiteti njerëzor dhe intelektual e profesional i mjekëve, mësuesve, policëve, zjarrfikësve, doganierëve, inspektorëve tatimorë, shërbyesve civil, i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të nëpërkëmbet edhe më tutje.

Vendimi i Qeverisë synon t’i jap fund kësaj gjendje dhe unë e di se me këtë rritje të ndjeshme të pagave, standardi jetësor do të ndryshoj për të mirë jo vetëm për ata punonjës të cilët përfitojnë drejtpërsëdrejti nga kjo rritje, por kjo do të rezultojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët tanë.

Unë jam krenar që e kam marrë një vendim të tillë dhe jam më se i sigurt në mbështetjen tuaj për rritjen e pagave.

Nuk do të dëshiroja as unë e askush në Kosovë, që të shoh ndarje në baza partiake rreth rritjes së pagave.

Ju ftoj të gjithëve, pa dallime partiake, të ngriheni mbi motivet e ngushta partiake, në favor të mbështetjes së vendimit të qeverisë për rritjen e pagave.

Mësuesit, policët, shërbyesit civilë, punëtorët shëndetësorë, pjesëtarët e FSK-së, doganierët, zjarrfikësit, minatorët, pensionistët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmoreve nuk i përkasin kësaj apo asaj partie. Ata janë njerëzit e nderuar të Kosovës. Për ta kemi përgjegjësi të gjithë.

Është e vërtetë, vendimi është imi, por të mirat do t’i gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Vendimi im për rritjen e pagave-buron nga nevojat dhe gjendja e punëtorëve të Kosovës, e jo nga motivi apo egoja politike.

Prandaj, sot kur sytë dhe mendja e qytetarëve të Kosovës janë të drejtuar kah ju, ju me votën tuaj pro këtij projekt-buxheti mund t’iu dëshmoni atyre përkushtimin tuaj për ta përmirësuar mirëqenien e tyre.

Në përgjithësi është ruajtur roli i buxhetit si mjet për përmirësimin e ambientit ekonomik në pajtueshmëri me nevojat zhvillimore.

Struktura e projekt-buxhetit sërish dominohet nga shpenzimet kapitale, të cilat kanë një pjesëmarrje prej 40%, ndërsa të gjitha kategoritë tjera janë më të ulëta.

Rritja e Buxhetit është bërë në harmoni me rritjen e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik, andaj edhe të hyrat e përgjithshme buxhetore do të kenë një pjesëmarrje prej 27% në tërë Bruto Prodhimin Vendor, çka edhe na bën një nga Qeveritë që rëndojnë më së paku ekonominë e tyre në rajon.

Rruga jonë drejt zhvillimit ekonomik dhe arritjes së standardeve të jetesës evropiane nuk është e lehtë.

Nuk është vetëm rrugë e vullnetit të mirë, e as rrugë që mund ta bëjmë vetë, si një individ, një parti, apo një institucion.

Rruga drejt një zhvillimi ekonomik që do t’i mundësojë qytetarëve të Kosovës të ardhura dhe jetë të njëjtë me atë të qytetarëve nga shtete të zhvilluara, është rrugë e vendimeve të menduara mirë, e vendimeve të guximshme dhe e vendimeve të besueshme.

Me përkrahjen e Buxhetit për vitin 2011, ne bashkërisht do të marrim vendime të tilla, të menduara, të guximshme, dhe të besueshme, vendime këto që mundësojnë një të ardhme të ndritshme ekonomike për Republikën e Kosovës.

Duke iu falënderuar për vëmendjen tuaj, unë edhe një herë iu ftoj për debat konstruktiv në dobi të interesave të shtetit dhe qytetarëve tanë", ka thënë kryeministri Thaçi në fjalimin e tij.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi