Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)

Shko poshtë

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Empty Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 17, 2011 1:19 pm

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Sylejmanaliu
Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)
Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Kupollaelumturisekopert
Redaktor: Agim Gjakova

Recensionist dhe lektor: Faik Mustafa

Botoi: Shtëpia Botuese “SAGA”

Prishtinë, 2011


Në vend të parathënies

Drama të realitetit tonë dramatik

Nuk mund të ndërtohet një komunitet politik, pa ndërtuar më parë një komunitet moral!
Hegeli


Njeriu është një kafshë politike
Aristoteli


Përditshmëria jonë veprimesh dhe vesesh aq të paimagjinueshme gati në kufinjtë absurditetit karshi asaj kornize më tepër imagjinare të një idealizmi, i cili na kishte mbajtur të paepur në situatat e rënda historike (për të cilin mendonim të ishte shndërruar në një platformë vetëdijeje të palëkundshme kombëtare), tashmë është shndërruar në një pasqyrë, ku mund të shohim vetveten e trilluar, por të hijeshuar gati dhunshëm. Njohja ndryshe e vetvetes tashmë, që nga lirimi nga pushtuesi dhe, sot nga liria e keqpërdorur nga perandorët uzurpues dhe privatizues të saj, “epidemia” e zhgënjimit në përmasa edhe kombëtare është bërë lëngatë e përditshme shpirtërore. Lavdet heroike të njeriut tonë qeverisës, të gatuara marramendshëm, mbi të gjitha, vetëm provincialisht, ku qeverisë vetëm egoja e klikave dhe e mentaliteteve prej kapidanëve, gjëmojnë sot e gjithë ditën gjithandej atdheut tonë gadi të plandosur e të gërryer nga varfëria dhe nga vjelja e tij e pandalshme harbutërore. Këta qeverisës provincialë sikur kërkojnë të shndërrohen (dhe janë shndërruar) vetëm në autoritete kërcënuese ndaj lirisë dhe frymëmarrjes së zorshme kolektive të popullit të Kosovës. Kështu shfaqen në teatrin tonë të çmendur politik. Jo vetëm qeverisësit e kësaj lirie, të privuar krejtësisht nga liria, por edhe të tjerët, që bredhin kaq të copëzuar dhe kaq të pjesëtuar në të njëjtat shtigje qëllimesh (të pista) politike, jashtë çdo zone morale, janë dhe bëhen personazhe shkaktuese të këtij gjëmimi tonë kolektiv. Në përspektivën e tyre politikëgaruese kanë të njëjtat ambicie lakmishë të sëmura. Duke u nisur nga pohimi i Aristotelit se “Njeriu është kafshë politike”, mund të përfundojmë se në këtë llavë qëndron dhe njeriu ynë politik, i cili avancon perfidshëm gënjeshtrën si premtim, sjell në mesin tonë të njëjtat trishtime të gënjeshtrës sa për t’i zënë njëri-tjetrit postet, që t’i përmbushin pastaj, aspiratat, jo të atdheut, por të vetveteve të tyre. Në secilën garë politike të deritashme në Kosovë dhe, përgjithësisht ndër shqiptarët, u shfaqën dhe po shfaqen vetitë e “njeriut kafshë politike”, duke lënë, jashtë përbërjes së tyre, forcën që shpie, siç shkruan prof. dr. Gjergj Sinani në një recension të tij, në progresin e historisë njerëzore, siç janë mençuria njerëzore, vyrtyti njerëzor, meritat njerëzore në përgjithësi. Ngjau dhe po ngjet e kundërta: në vend të mendimit, sjellin manipulimin me opinionin! Koha jonë, sipas shpjegimit të dr. Gj. Sinanit, “po tregon se ne po shpalosim të menduarit kalkulativ. Hapni faqet e shtypit ose ndiqni debatet televizive, dhe do të konstatoni me lehtësi këtë pamje të shëmtuar të mendimit. Ju aty do të gjeni të gjitha produktet e “kolerës shpirtërore”, por kurrë nuk do të gjeni mendim mediativ…, sepse, në kohën e demokracisë, sharllatanë të çdo lloji dijnë aq mirë t’i pëlqejnë popullit, ndërsa shpesh, miqtë e tij të vërtetë (të atdheut) dështojnë”.[/b]Janë bërë deri tash analiza të shumta, komente serioze, çasje filozofike e sociologjike, bile dhe shkrime letrare, rreth fenomeneve të tilla provincialisht të degjeneruara vetëm për vetëpasurim të këtij komuniteti politik, duke e varfëruar vendin gjithnjë e më tërbueshëm. Komuniteti ynë vetëm politik nuk bëri asnjë përpjekje të ndërtojë, në emër të dashurisë për vendin dhe për të ardhmen e tij dinjitoze, edhe komunitetin moral, i cili do të mund të ndërtonte fuqinë e mendjes dhe konsideratën për dije. Megjithatë, këto asnjëherë nuk arritën të prekin ndërgjegjen e munguar të aktorëve politikë. Mu për këtë dhe për ta, autori vuri këtë temë të përditshme satirike me përmasa edhe tragjike, edhe komike, pikërisht ashtu siç shfaqet sot ky komunitet politik në teatrin tonë të shtetndërtimit, që mungon, edhe pse i “mbikëqyrur” ose i nënkëqyrur nga fuqia shumë e zhvilluar europiane, e cila është edhe personazh i këtij teksti drame, personazhe këto që rrojnë bashkë brenda “Kupolës së lumturisë”…[b]Ndërkaq, drama e dytë “Magjia e mashtrimit” ofron një përpjekje pasqyruese në mënyrë satirike rreth ngjarjeve të “revolucionit të vonuar demokratik”, nëpërmjet të të cilit revolucion bandash “të vonuara” dhe të porositura e të drejtuara nga brenda dhe nga jashtë, u vra Shqipëria më 1997, nga mbrotjësit e ideologjisë komuniste e enveriste, por dhe të orekseve sunduese greke nëpërmjet kishës së saj, vrasje kjo e Shqipërisë edhe nga lakmitë organizuese të mentalitetit gjithnjë gllabërues bizantin e sllavë. Bandat ideologjike të këtij “revolucioni të vonuar demokratik”, siç paraqiten në këtë dramë satiric plot dinamizëm, ishin shërbyese të zhbërjes tragjike të Shqipërisë.


Faik Mustafa, shkrimtar

Drama e parë

Kupola e lumturisë

Dramë satirike në pesë pamje

Vetat
Mamuti
Truzori
Gojëtari
Zemëraku
Gjaknxehti
Mushkërizeza
Anusi
Pushtetari i dikurshëm
Sindikalisti 1
Sindikalisti 2
Kryetullaci 1
Kryetullaci 2
Zëri i Ndërgjegjes
Altoparlanti

PAMJA E PARË

Para se të hapet perdja, dëgjohet një zhurmë e qartur fjalësh dhe nuk merret vesh asgjë. Pas një minuti hapet perdja dhe shihet një ambient kabineti qeveritar apo parlamentar. Të gjithë vetat janë aty, të ulur në kolltuqe.

Truzori, duke i rënë me grusht tavolinës

Ju duhet të bindeni! Pa mua jeni një hiç. Asnjëri nga ju s’e ka aftësinë e mendjes, prandaj unë e kam vendin e parë këtu…

Gojëtari, duke qeshur

E çfarë të nevojitet mendja, or i uruar, nëse mendjen tënde nuk ta thotë goja ime. Do të dilje ti një hiç dhe jo unë. Prandaj, unë duhet të jem i parë mes jush…

Truzori, edhe më nervoz

E di, e di! Nuk ta ndalë kush krrokamën ty. Flet marrëzira instinktive të njëllojta përditë dhe, që t’i thuash ato, thërret në ndihmë rafinimin tënd katunaresk… E, çfarë mund të thotë ajo gojë jotja nëse unë nuk ta kullojë mendimin që duhet ta thuash?

Gojëtari, me buzëqeshje ironike

E po, mendo atëherë zotrote! Nëse nuk e thotë goja ime mendimin që e gatuan në atë trurin tënd, kush do të ta dëgjojë atëherë?

Zemëraku, ngrihet në këmbë me rrëmbim dhe i drejtohet Gojëtarit

E them unë, ja sikur tash! Më xhindosët të dy. As Truzori, as ti Gojëtar, nuk mund të jeni të parë, sepse e gjithë situata juaj është e varur nga unë. Unë jam ai që vendos në këtë trupë dhe, po heshta unë, do të heshtë edhe mendja e Truzorit, edhe goja jote Gojëtar! Ua them unë dhe pikë. Unë qeverisë me këtë trupë…Ti dhe Truzori nuk jeni gjë tjetër përveç shërbyes të vullnetit tim.

Gjaknxehti, i qetë fare

Ju flisni dokrra! A nuk më thoni se si do të mund të mendonte Truzori, si do të mund të fliste Gojëtari, qoftë edhe me instinkte, si mund të nxehet e të reagojë me të gjitha emocionet e veta Zemëraku, nëse unë, po e zëmë, vendos të ndaloj shetitjet e mija të zakonshme nëpër gjithë damarët e kësaj trupe? Ju nuk e meritoni të jeni të parë. Jam unë ai që u jap jetë të gjitha aspiratave tona vepruese.

Truzori, ndërron vendin dhe del në ballë të të gjithëve

Zotëri, nuk jemi mbledhur këtu që të shpalojmë pa asnjë takt kërcënimet e këtij lloji, siç bëni ju, që folët deri tash. Në këtë mënyrë trupa jonë e gjithëpushtetshme nuk do të mund t’ia dalë me sukses e me mend të përvetësojë gjithë këtë hijeshi pasurie…

Gjaknxehti, brof në këmbë gjithë mllef

Se mos mendoni se gjithë trupa jonë do të vihet në shërbim të mendjes suaj që të përvetësoni gjithë pasurinë e kësaj natyre?

Truzori, bëhet si i thelluar në mendime

Jo! Ne duhet të mendojmë dhe të jemi unikë në të gjitha këto aspirata. Ju premtoj se nën udhëheqjen time do t’i arrijmë të gjitha këto që thashë.

Gojëtari, ngrihet edhe ai në këmbë

Ju thoni mendimin edhe kështu dhe harroni se pa pyetur fare trupën tone vini në shërbim koalicioni edhe pjesë të heshtura dhe të nënshtruara të trupës sonë.

Truzori, i habitur

Nuk ju kuptoj për ç’koalicione dhe për ç’pjesë të heshtura dhe të nënshtruara flisni!

Gojëtari

Po ja! Më shumë ju funksionojnë duart e gishtrinjtë se ç’ju shndrrit mendja zotrote! Ato që ua gatuan mendja, nuk do të mund t’i shprehnit pa fuqinë time të domosdoshme të të folurit. Që ta zhvlerësoni këtë fuqi time, që është mbretëresha e jehut, ju qitni mendimin tuaj me duar e gishtrinj të bindur…

Truzori, duke mbledhur vetullat, i drejtohet Gojëtarit

Ç’dërdëllisje është kjo? Thuaje pra atë që unë jam duke menduar tash! Më shumë je Gojë për llapërqitje…

Gojëtari

Mendon të bëhesh i pari mbi trupën tonë dhe ne, pastaj, të të vijmë prapa e të thithim dhe të përvetësojmë gjithë natyrën e pasur të këtij vendi. Por ta them se ti nuk ke kaçik të jeshë prijëtar. Askush nuk ta dëgjon mendimin nëse nuk ta them unë, me gojën time, të cilës, edhe kur nuk i besojnë, detyrohen të heshtin para fuqisë së saj. As të llapërçitësh e ta ngopësh urinë tënde të çmendur nuk mundesh pa mua.

Mushkërizeza, duke u shtrirë e lodhur mbi tavolinë

Dëgjoni! Unë tashmë jam lodhur me të gjitha këto që thoni. Po vazhduat kësisoji, me duhet funksionin tim ta flejë. Atëherë do të shihni se ç’ligështi do të vërtitet brenda jush. Pa mua ju do të jeni një hiç i madh… Do të jeni hiç më shumë se kilogramë plehu, që bartni me vete…

Pushtetari i dikurshëm, me lëvizje të butë dore dhe me një të qeshur të akullt

Unë ju kuptoj të gjithëve. I kam kaluar të gjitha këto. Na merrnin dhe gojën na e mbushnin gënjeshtër, zemrën na ftohnin akull në frizët e laboratorëve konvertues dhe ne duhej të harronim ç’jemi e kush jemi. Zemrën na e futnin në biruca minjsh, ku kishim frikë edhe nga frika e lepujve. Na bënin të parë, nëse thonim vullnetarisht se kishim hequr dorë krejtësisht nga qenia gjenetike e lakmive intime...

Të gjithë si në kor

Atëherë, ti që paske këtë përvojë, na e thuaj çfarë duhet të bëjmë!

Pushtetari i dikurshëm, pas një heshtjeje të shkurtër

Duhet të krijojmë sharmin e jashtëm të harmonisë sonë të brendshme të zejes sonë të uritur…

Anusi, duke reaguar me tallje

Ouuu! Ç’këshilltar të vyer të paskemi ty! Këshillat tua janë njësoj si të mijat. Te ne vepron vetëm instinkti i mrekullueshëm i lakmisë dhe ai i hapjes e rrudhjes, sipas nevojave tona meraqesh. Unë mendoj se ne duhet të bëhemi institucion i parë i hapit tonë historik drejt riciklimit moral gjithnjë brenda britmave të zakonshme folklorike, të cilat na e mbulojnë të qenmit tonë …

Gojëtari, duke ndërhyrë

Ç’është kjo fjalë e huaj që e përdorë? Kush është morali? Me rëndësi është që tash në mesin tonë ka hyrë zeja jonë e ëndërruar e hajnisë dhe pikërisht për këtë bëhemi copë se cili prej nesh të zëmë vendin e të parit në këtë zeje. Mandej, ku di ti, Anus, se… Ti di më shumë se ç’është morri e horri jo morrali…

Anusi, gjithnjë duke u tallur

E di, e di. Mu për këtë luaj bythën dhe rjepem pas kësaj zeje. Po nuk do të isha i vëmendshëm për të gjitha këto, puna ime nuk do të ishte asgjë tjetër përveç një pordhë boshe për vetveten!

Zemëraku, mallëngjyeshëm

Ah, o Zot! Më kujtohet se sa herë e rrudhje atë të shkretë dhe nuk lije gjë të dilte nga aty, në punën time shkaktoje siklete të mëdha. Anusrrudhurit dikur dilnin menjëherë në këngë dhe shkriheshin me aq lehtësi në ritme sharkishë e qiftelishë. Të gjithë Anusrrudhurit i quanin heronj.

Gojëtari, duke kruar nënhundën

Merita për amshim ishin këto. Sakrificat e tilla nuk mund të shpjegohen pa mua.

Zemëraku, ngrihet në këmbë me naze

Ç’marrëzira kam bërë gjithë jetën time deri në ditën e sotme. Sa vajin e kam bërë për këto sakrifica dhe sa herë kam dashur të pushoj dhe të mos funksionoj më. Tash, ju them juve, kam nisur dhe do të vazhdojë të qeverisë me të gjitha kënaqësitë, që do t’ia krijoj vetes në pozitën e të parit. Të gjithë të tjerët, që nuk janë këtu me ne dhe që kanë vërshuar në gjymtyrët tona, do të jenë krejtësisht të bindur në ato që diktoj dhe do të diktoj unë.

Truzori

Me këto, që thotë Zemëraku, kujtoj se të gjithë pajtohen. Do të binden, por jo me kërcënime të tilla zemërore, por me gjithë hilenë e mendjes sime. Do të shihni kur të jemi i pari…

Pushtetari i dikurshëm, hijerëndë

Duhet të na bindësh, jo vetëm për kahet, por edhe për volumin e hileve Truzor!

Truzori

Do t’ua them, por me disa kushte…

Gjaknxehti, i nxehur

Cilat janë këto kushte o mendjendrituri ynë? Na i thuaj më shpejt se pëlcitëm!

Truzori, si gjithnjë mendueshëm, ngreh gishtin e madh të dorës, pastaj atë e prek me gishtin tregues

Ua them me përgjegjësi të plotë se duke ua bërë me dije pjesëve të tjera të masës sonë hiret folklorike, do të marrë përsipër, që duke i adhuruar heronjtë e vërtetë, të vetëbëhem hero. Duke u bërë kështu, të gjithë të tjerët do të ulin bishtin dhe do të rrinë nën hijen time prej heroi…

Gojëtari, me të madhe

Dokrra flet ti, dokrra! Tash të gjithë të njohin kush je dhe çfarë je dhe kjo hile nuk të shkon! Mandej , a nuk sheh se të gjithë janë bërë heronj e patriotë? I madh e i vogël, i vërteti dhe gënjeshtari… mu si ne! Po kushti tjetër?

Truzori, duke i mospërfillur fjalët e Gojëtarit

Duke u bërë vetëhero dhe gjithnjë në majat e shpifura më të larta patriotike, ne do të bëhemi se mbështetemi vazhdimisht dhe pandalshëm në pjesët e tjera të masës sonë, sepse duke u mbështetur tek ajo, ajo, naïve siç është, do të mendojë se edhe ajo qëndron në ato maja heroizmi. Prandaj, nuk do të bëjë më të voglën zhurmë. Por, duhet t’u them se, në këtë shtrirje hilesh, ne, që jemi këtu, duhet të kemi një unitet të fuqishëm, sepse vetëm kështu arrijmë t’i realizojmë me përpikëmëri qëllimet e hileve, të cilat aq shumë do t’u përngjajnë ligjeve.

Gojëtari, i vendosur

Jo t’u përngjajnë, por të jenë ligje!

Anusi, duke liruar një pordhë të lehtë

Do të thotë se ne duhet të bëjmë gjithë këtë që thua ti?

Truzori

Po!

Gojëtari

Do të thotë se ti do të jeshë i pari?

Truzori

Po!

Gojëtari, qeshet me zë

E kush duhet t’ia thotë masës sonë, kësaj mase, që qenka kaq budallaqe, se ne të gjithë përmbëjmë suitën pushtetore në krye më Truzorin?

Truzori, me të shpejt

Fuqia jote e gojës, Gojëtar, e cila do të mbushet me vullkane të tëra emocionesh bindëse që të ofron Zemëraku. Pastaj dëshira e madhe për t’u shpifur si vetëhero bën Gjaknxehtin të gurgullojë, kurse Mushkërizeza do të sjellë me afshin më të madh midis masës sonë numër flladin e këtij nënqielli mashtrimesh…

Pushtetari i dikurshëm

Zoti Truzor! Unë kam këshilla me thasë, që e bëjnë hilenë edhe më të bëshme, më të bukur, e cila do të shfaqet si e vërtetë jotja e mbushur me aq shumë sakrifica për masën e dëgjueshme apo renegate…

Truzori, pak me nervozë

E ke vendin tënd për këshilla. S’e ke vendin këtu, as ti as këshillat e tua! Ja ku e ke Mushkërizezën, ja ku e ke Anusin!

Pushtetari i dikurshëm

Ama desha të them se unë kam përvojë të tillë shumë të rafinuar dhe e di se masën e bën të përgjumosur… dhe mund t’ia fusësh prapa si ta dojë qejfi…

Truzori, pak më but

E di, pastaj e dimë të gjithë ne këtu që jemi…

(Dëgjohet një rrapëllimë që vjen nga jashtë. Të gjithë heshtin përnjëherë dhe të gjithë brofin në këmbë)

Anusi, i frikësuar

Zhurmë këmbësh janë këto. I ndjej se janë ato. Rrijnë gjithmonë ngjitas meje dhe nuk më lënë rehat.

Truzori, me urtësi

Rrini të qetë! Rrapëllimë e përkohshme është kjo e këmbëve! Ne që dirigjojmë së bashku me to, mund t’i qetësojmë fare lehtë, aq lehtë sa i bëjmë edhe ato të lehta fare në ikje të përhershme…

Gojëtari, me ironi

Nuk janë ato të dëgjueshme, zoti Truzor, siç janë të dëgjueshme duart tua!

Mushkërizeza, me shqetësim Gjaknxehtit

Ç’ke që më vërsulesh me aq frikë or lëng i çoroditur?

Gjaknxehti, i mërdhezur

Nuk duroj dot rrapëllima të tilla masash kaq të degjeneruara këmbësh. Nëse nuk reagoj kështu, këto rrapëllima nuk do të ndaleshin asnjëherë. Reagoj kështu dhe ua mbushi enët këmbëve dhe ato pëlcasin prej meje…

Truzori, paksa i lodhur

Edhe mua se ç’mu morën mendtë or i respektuari Gjaknxehtë! Rri qetë dhe s’kanë çfarë të të bëjnë këmbët ty. Ti je freni i këmbëve…

Gjaknxehti, me një këndellje të menjëhershme

Unë jam freni i të gjithë juve këtu dhe i masës rrapëlluese atje… Ju duhet të bëni gjithë atë që them unë, sepse, siç po e shihni, jam kryesori dhe unë vendos për të gjitha!

Anusi, me qesendi

Eh, që të bëni diçka të rëndësishme, duhet të keni prapanicën sakrifikuese. Kurse ju nuk e keni as njërën, as tjetrën. Unë jam ajo që rrudhem kur duhet dhe hapem kur të ma dojë qejfi i frkës...

(Dëgjohet prapë një zhurmë, një zhurmë e fshehtë, që vjen nëpërmjet një dridhjeje plot shqetësim. Të gjithë fillojnë të shikojnë njëri-tjetrin)

Të gjithë, të frikësuar

Tërmet?!

Truzori, me një qëndrim burri të mbushur frikë

Po ngjet tërmeti, apo janë shqetësimet nga rruga e të pakënaqurve të masës sonë?

Zemëraku, i fishkur fare nga frika

Ciladoqoftë, është e njëjta. Më e vështirë se tërmeti janë kërcënimet e të pakënaqurve tanë, që janë aq shumë…

(Ngrihen të gjithë në këmbë, pastaj prapë ulen. Pas pak ngrihen prapë. Kur ngrihen, vetëm Truzori ulet me të shpejtë, sepse nuk e mbajnë këmbët. Ulen prapë edhe të tjerët, përveç Gjaknxehtit, i cili nuk mund të qëndrojë në një vend)

Gjaknxehti, duke shtrënguar kokën me të dyja duart.

Keni frikë të lëvizni. Unë lëvizi edhe më shumë para secilës trembje… Dilni dhe shikoni se ç’ishte ajo dridhje e tmerrshme në nënkëmbët tona… Dilni dhe shikoni se mos po na rrëshqet dheu nën këmbë!

Truzori, Gojëtarit

Gojëtar, dil dhe shiko! Nëse këto dridhje vijnë nga pakënaqësitë e masës, ti më së miri di se si t’ua bësh lëmsh kërkesën e tyre idiote. Sikur kjo masë të ishte aq e uritur dhe aq me skamje, moti do ta kishte lëshuar shpirti… Edhe nëse nuk do ta kishte lëshuar shpirti, ajo do të duhej të ishte aq e lodhur deri tash, sa nuk do të kishte fuqinë fizike të shkaktonte dridhje të tilla shqetësuese… Mu për këtë ne kemi instaluar skamjen si medikamentin më të sigurt të paralizimit me sukses të plotë të fuqisë së pakënaqësive…

Gojëtari

Le të dalë Anusi, sepse ka fuqinë e rrudhjes më shumë se ç’e kam unë…

(Përsëri dëgjohen dridhje të reja dhe përplasje që vijnë nga jashtë. Të gjithë ngrihen përsëri në këmbë dhe vështrojnë njëri- tjetrin)

Mushkërizeza, kërcen me shqetësim dhe i mbështetet Gjaknxehtit.

Dil Anus!

Truzori

Dil Gojëtar!

Mamuti

Dil Pushtetar i dikurshëm! Ti je mësuar si t’i vrasësh shqetësimet e tilla! Nëse dalë unë, atëherë unë do të jem i pari juaj!

Të gjithë si në kor bërtasin

Ma…muti i pari nesh! Ha, ha, ha… Ti lirinë dhe demokracinë e bën të kudërmueshme dhe shumëllojshmëria e përfitimeve tona do të vjen e ndotur fare!

Mamuti, me hidhërim

Nëse nuk doni të dalë unë dhe, nëse nuk pranoni të jem unë i pari juaj, atëherë, që tash, duhet ta dini se asnjëri nga ju nuk do të mund të funksionojë. Po deshët e provojmë…

Gjaknxehti, me nervozë trimërie

Nëse është kështu kjo garë, atëherë rrini të gjithë këtu! Do dalë unë dhe… do bëhem unë i pari!

Truzori

Jo, do të dalë unë se edhe ashtu jam i pari! Mendja gjithnjë ka prirë.

Anusi

Jo! Ti jo! Hiletë e tua perfide të mbushin me frikë… Mendja e tillë të bën frikacak dhe frikacakët nuk mund të jenë të parë. Dal unë se kam forcën e rrudhjes! Kjo forcë më bën që të jem i parë!

(Të gjithë vrapojnë nga dera përveç Mamutit, por asnjëri nuk merr guxim të kapë dorëzën e derës. Sillen e pështillen para saj. Shtrijnë duart të kapin dorëzën e derës dhe të gjithë i tërheqin ato me frikë. E shikojnë Mamutin, i cili rri i qetë pranë tavolinës dhe vështron hallakamën e lëvizjeve të tyre plotë frikë e trishtim. Në këto lëvizje të shrregullta e të trishtuara, Zemëraku shtrëngon kraharorin dhe fillon të kalamendet, Mushkërizeza përpiqet të marrë frymë dhe shtrihet në skenë. Gojëtarit i shtanget goja dhe përpiqet të thotë diçka, por nuk mundet. Anusi shtyp barkun me forcë dhe me shtërzime të mëdha. Truzorit fillojnë t’i merren mendtë dhe të hulatet pa forcë dhe i mbështetet Pushtetarit të dikurshëm dhe mezi i pëshpërit diçka në vesh atij. Pushtetari i dikurshëm bartë gati zvarë Truzorin dhe e ulë në karrigë).

Pushtetari i dikurshëm, i drejtohet Mamutit gati si me lutje

Përpara, nga shqetësimet e tilla, gjaku çohej peshë dhe më ndihmonte të ngrihesha edhe unë. Nuk e di se pse tash nuk funksionon kjo gjë… Mamut! Nëse nuk del ti, këta të gjithë do të vdesin, siç kam vdekur, më duket, edhe unë! U tregove se pa ty këta nuk mund të funksionojnë. Ti je i pari jonë!

(Mamuti i shikon të tjerët dhe nga ta merr miratimin me lëvizje të zorshme koke. Pastaj, ngrihet i qetë, hapë derën dhe del. Përnjëherë të gjithë shlirohen nga shtrëngimet që kishin. Vonohet pak, pastaj hyn kryelartë, duke përplasur derën nga prapa. Të gjithë përgjojnë me një lemeri tronditëse. Nuk dëgjohet më asgjë. Pas pak Anusi, duke u ndjerë mirë, në prani të të gjithëve lëshon një pordhë të zëshme)

Anusi, pak i mërdhezur

Mos ia vini veshin. Kështu e ka zakon të reagojë barku, sa herë Mamuti del … Tash e bëj barkun të heshtë (Mbahet fort në krahët e karriges, dhe me zor liron pordhën tjetër). Kështu gjithmonë përfundojnë sikletet zhurmuese të barkut, të kësaj strajce tonë të neveritshme, e cila përherë më ndotë gojën time të paçme.

Pushtetari i dikurshëm, shikon me neveri Mamutin

Ç’ishte ajo dridhje jashtë?

Mamuti, i trimëruar

Asgjë! Kujtoj se ajo që na u duk dridhje, duhet të ketë qenë frika jonë… Jashtë nuk pipëtinë asgjë!

Truzori, tash i këndellur dhe me kurnaze

Ç’frikë, or Mamut? Ne jemi heronj dhe zjarri i patriotizmit tonë është shumë përvëlues! Përgjove me kujdes?

Mamuti, duke qeshur

Kur të dalë të gjithë më ndjejnë dhe, edhe po të ishte kush para derës, do të ikte. Ma njohin duhmën ata, ma njohin!

(Dëgjohet një trokitje e lehtë në derë. Të gjithë përnjëherë zbresin nga karriget dhe hyjnë nën tavolinë. Shikojnë njëri tjetrin dhe asnjëri nuk bëzënë. Trokitja dëgjohet edhe një herë dhe, pas pak, heshtjen e trishtueshme të vetave, e prishë dhe një trokitje tjetër. Pas një pauze ngrihet në këmbë Pushtetari i dikurshëm. Fërkon duart, mbledhë forcën e shkapërderdhur nga frika dhe përçapet nga dera).

Truzori, me një zë gati të shurdhët, por të prerë

Mos e hap!

Gjaknxehti, duke vënë gishtin mbi buzë!

Shshsht!

Mamuti

Unë dola një herë, nuk dal më kështu pa nevojë.

Pushtetari i dikurshëm, pranë derës

Kush është?

(Nuk dëgjohet asnjë zë nga jashtë. Prapa tij dëgjohet në vazhdimësi një frymëmarrje e tronditur e vetave të frikësuar)

Pushtetari i dikurshëm

Kush je ti, që vjen e troket në derë e nuk përgjigjesh? (E hap derën, por nuk sheh askë). Derë e mallkuar! Të prekka Perëndia ty, i cili se ka guximin të shfaqet e të përgjigjet…para nesh!

(Në skenë bie një terr i lehtë, disi si muzgu i parë i mbrëmjes. Trupa shihet të tkurret edhe më shumë brenda këtij terri të befasishëm. Truzori rrëzon karrigen dhe e qet para vetes. Me këmbën e saj merr shënjestër derën si të ishte ajo armë. Mbretëron një heshtje e mbushur me frikë. Pushtetari i dikurshëm mbyllë derën me të shpejtë i frikësuar nga terri dhe kërkon një skutë për t’u fshehur)

Ndërgjegja, flet lodhshëm, por nuk shihet askund. Dëgjohet vetëm zëri i saj.

Unë jam Ndërgjegja juaj! Unë jam kufoma juaj! Ç’keni që i frikësoheni kaq shumë vetvetes? Mua më keni braktisur dhe unë tash, kështu e shtrirë në shtratin e vdekjes pas aq shumë plagëve që mora nga ju, erdha t’u them lamtumirë.

Anusi, duke dal nga nëntavolina

Për ç’ndërgjegje flet o engjëll i vrarë!? Ku ke ti bythë të qëndrosh përballë gjithë këtyre shkrepëtima hileshë! Vjen me gjithë këtë errësirë dhe ngarkon edhe më shumë frikën e Truzorit, të Zemërakut e të Mushkërizezës… Shporru o kufomë e pavlevshme!

Truzori, qëndron ende nën tavolinë me këmbën e karriges në shënjestër

Mund të të vrasë edhe një herë siç të kam vrarë paprajshëm deri tash. Më duket se tash jam në të njëjtën pozitë luftarake, si pak vite më parë. Megjithatë, mendja ime e kthjellët më thotë të të mos vras përgjithmonë nëse plotëson kushtin që do ta them.

Ndërgjegja, përsëri me zërin pëshpërimë të lodhur

E vrarë jam dhe asnjë shpresë më nuk ekziston se mund të kthehem në ambientin tuaj shpirtëror dhe fytyror. Më ka dërrmuar pafytërsia dhe paturpësia juaj, që po rritet në ju me kamje përrallore. Megjithatë, ma thuaj kushtin!

Truzori, merr karrigen dhe ngrihet nga nëntavolina. Atë vazhdon ta mbajë në duar para vetes

Të mos guxosh të pranosh se të kemi vrarë dhe se tash nuk ekziston! Përkundrazi. Do të tregohesh gjithkund dhe në secilin çast se je brenda nesh edhe më e fuqishme se kurrë më parë. Do ta shashë të keqen, që është e mira jonë, dhe t’ia mbushësh bindjet masës përtej nesh se ne jemi perëndia e tyre… Nuk guxon të shpalosh të vërtetën se ne kemi vendosur, për të mirën tonë personale, të jemi bashkë me djallin përbindësh! Ne duhet t’i mashtrojmë me ndërgjegje të lartë intelektuale, historike dhe se gjithçka fillon me ne! Kuptove?

Gjaknxehti, gjithnjë i trishtuar nga gjysëmerrësira

E ndjej se Ndërgjegjes s’i beson më askush dhe të gjithë e dinë se ne tashmë e kemi shporrur një herë e mirë…

Ndërgjegja, nga larg mezi dëgjohet

Unë ose jam, ose nuk jam! Nuk mund të bëhem ajo që nuk më latë të jem… Por ju duhet ta dini se ai që është i vlefshëm vetëm për veten, nuk vlen fare…

Pushtetari i dikurshëm, qeshet me të madhe

Ke harruar pohimin e miletit tone se ai që nuk është për vete, nuk është as për të tjerët?

Mamuti, nervoz

Ç’keni që përziheni ju? Unë jam i parë dhe unë i sqaroj gjërat! (Zërit të ndërgjegjes)Shporru o lavire e ndytë! Ti rron me budallenj…

(Skenës, edhe pse largohet Ndërgjegja e padukshme, nuk i kthehet drita. Errësira bëhet edhe më e dendur. Tashmë trupa mezi shihet. Dëgjohet vetëm zhurma kërcënuese e vetave, por nuk kuptohet asgjë më. Kjo zhurmë zgjatë disa çaste dhe vetat sharrojnë në një terr të dendur. Mbyllet perdja).


Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Empty Re: Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 17, 2011 1:32 pm

PAMJA E DYTË



Hapet perdja. Skena është bosh. Dëgjohet një fishkëllimë ere. Pas pak dëgjohet një zhurmë mase, që vjen nga larg. Nuk vonon dhe ajo pranë. Vijnë nga jashtë thirrjet me emra të njëri-tjetrit të vetave. Prajnë këta dhe prapë nis zhurma e parë e masës. Pastaj, kur pushon ajo, dëgjohen kollitje të zorshme dhe krejtësisht artificiale. Nga hyrje të ndryshme hynë në skenë Gojëtari, Zemëraku, Mushkërizeza, Gjaknxehti. Ulen pa bëzë në vendet e tyre. Anusi dhe Mamuti vijnë me turr pak më vonë, nëpër zhurmën e jashtme të masës. Janë të trishtuar dhe gabojnë vendet e tyre të uljes. Sillen dhe pështillen dhe mezi gjejnë karriget e tyre. Të gjithë kanë para vetes në tavolinë emrat, që tregojnë paracaktimin se ku duhet të ulen secili. Në çastin kur pushon zhurma, nga publiku shihen të ngjiten në skenë Truzori dhe Pushtetari i dikurshëm. Ky i fundit qëndron në këmbë prapa Truzorit, të cilit ia përgatitë karrigen që të ulet.

Pushtetari i dikurshëm, në këmbë, duke u mbajtur në mbështetësen e karriges së Truzorit

Ju ftuam në një diskutim parlamentar, që të merremi vesh se si ta ndalim këtë zhurmë marroçe të kësaj mase kaq mosmirënjohëse ndaj nesh, të cilës ia sollëm edhe lirinë e guximit simbolik të zhurmës, edhe lirinë e heshtjes së domosdoshme… Truzori e ka fjalën i pari…

Gojëtari, ndërhynë me nervozë, duke i rënë me pëllëmbë tavolinës dhe duke u ngritur në këmbë rrëmbimthi

Ti mund të heshtësh, o kalbësirë e moçme! Të njohim se çfarë ke bërë mbi kurrzin tonë dhe tash kërkon t’i rrëmbeshë edhe meritat e lirisë… Shporru nga auditori ynë parlamentar!

Pushtetari i dikurshëm, pa e prishur fare terezinë

Ke të drejtë të shthuresh edhe kështu, sepse ti, si Gojëtar që je, vetëm gojë ke. Nuk e kupton as lirinë, as protokolin…

Gojëtari, edhe më me pezm

Nuk jemi këtu që të flasim për portofole, o fundrrinë e egër! Ti ke një histori të trishtueshme dhune mbi këtë masë tonën. Ke prerë gjuhë e duar, ke prerë kokë e ke hapur këmbë … Ke ulë kokë e ke ngritur bythë…

Pushtetari i dikurshëm, me buzëqeshje të thatë

Nëse qenka kështu, Gojëtar, atëherë as më thua se si të paska shpëtuar ty gjuha pa ta prerë?

Gojëtari, pak më butë

Fati më ka shpëtuar…

Pushtetari i dikurshëm, lëvizë nga prapambështetësja e karrigës së Truzorit dhe i afrohet Gojëtarit

Meqenëse ti kërkon që me mburrje të sotme të fshishë të djeshmen tënde, e ke gabim! Ti ke qenë, jo vetëm krah imi shkurreve përdhunuese, por ke shërbyer shumë më dhunshëm mbi masën tonë se ç’e kam pasur atëherë në programin intim të kohës…

Truzori, ngrihet edhe ai në këmbë

Pushoni! Të djeshmen mos e sillni këtu, sepse asnjëri nga ne nuk do të përngjajë në atë që duam të ndërtojmë veten me të gjitha ligësitë demokratike dhe diplomatike për sot dhe për nesër…

Pushtetari i dikurshëm, pa i vënë veshë qortimit të Truzorit

Na thuaj, pra, Gojëtar, se si arrite që në kohën tënde e timen të atyre tmerreve, që ti tash i përmend, t’i kesh të gjitha. Të keshë dhuratë një pjesë të madhe të gjeografisë së këtij vendi në katundin tënd të përvuajtur, të cilin aso kohe e shtrinim bashkë, edhe unë, edhe ti, në shtratin e vdekjes, edhe me dhunë, edhe më skamje… edhe me kënaqësi?

Mushkërizeza, gati me lutje

Do prani, apo do të më detyroni t’u them se ç’zvarranikë ishi atëherë dhe ç’pjellë e ndotshme jeni edhe sot. Atëherë, bile rronim në katund dhe unë kisha ajrin e pastër. Tash kemi lënë djerrë katundet dhe kemi zbritur në kryeqytet, të cilin e kemi shndërruar torishtë të trishtueshme. Unë dua të kthehem atje dhe nuk dua të jem pjesë e sëmundjes suaj…

Anusi, ia plasë gazit

Më bën të qeshë, o zonja Mushkërzezë! Ç’mendon ti? Nga torishta katundesh erdhëm dhe deshe që qytetin ta bëjmë ndryshe nga ne? Flet mesele ti, apo çfarë ke?

Mushkërizeza, gjithë nerva

O, lamë tokë, bjeshkë e livadhe. Lamë ara të pambjella dhe katundeve ua sollëm vdekjen dhe shkrumin…

Gjaknxehti

E lumja ti Mushkërizezë! Tash e kam të qartë se iriqin e heq nga ferrat dhe në ferra ikën! Nuk të vjen mirë që këtu, bile të thonë qytetare dhe jo katundare? Nuk të vjen mirë që edhe katundet tona shpëtuan kur ne i braktisëm ato? Nuk jemi atje që të vrasim për një pëllëmbë tokë. Jemi këtu dhe vrasjet kanë hijeshi të veçantë, sepse nuk vrasim për tokën, por për pushtetin e parasë, e cili na bën kaq të pasur dhe të fuqishëm si luanë… Unë s’e dua qytetin, por pushtetin! Unë do t’u shpie në majat më të larta të tij…

Gojëtari, me qesendi

Ajo pjesë e gjeografisë, siç thua ti, është në katundin tim. S’ka lëvizur fare. Unë asgjë s’i kam marrë katundit. Unë i kam dhënë katundit sakrificën time të pashembullt. Kam lënë fusha e zabele atje dhe, si një rrugëtar i përzënë, kam ardhur në këtë qytet të madh e të pistë që t’ju shpie juve horizonteve të lirisë, të demokracisë dhe të diplomacisë. Kush do të mund të bënte këtë përveç meje? (Pushtetarit të dikurshëm). Prania yte këtu nuk sjell gjë tjetër përveç kujtimeve të të etshme për të djeshmen, e cila sot më jep fuqi dhe përkrahje…

Truzori, ngrihet me një qetësi horri

A nuk e kuptoni, zotërinj, se ne këtu kemi ngarkuar në kurrizin tonë gjithë barrën e historisë që, në emër të masës, në emër të këtij populli kaq të padukshëm, këtë vend, që ne e quajmë nënë, sepse është mëmëdheu ynë, ta bëjmë tonin, ta ngarkojmë sa më shumë, deri në alivanosje të plotë, me shpirtin tonë të madh e heroik dhe me fuqinë e jashtëzakonshme të nëntokës sonë, që të mos ketë mundësi as të bëzëjë nga një peshë e tillë shkërdhyese…

Gjaknxehti, si me pëshpërimë, duke shikuar rretherrotull përgjueshëm

Ashtu është! Duhet ta kuptojnë të gjithë kështu.

Pushtetari i dikurshëm

Duhet ta kuptojmë se ne këtu jemi të gjithë njësoj. Historia e deritashme ka vdekur përgjithmonë. Me ne fillon secila histori e mundshme dhe ne do të veprojmë edhe në drejtim të shlyerjes së kujtesës historike të të gjithëve! Ata që janë kokëfortë dhe vendosin të rrojnë me të djeshmen, do të ndëshkohen si plehëra…

Truzori, duke ndërhyrë me sertësi

Përse duhet t’i ndëshkojmë? Le të kujtojnë çfarë të duan. Me rëndësi është që ne as duhet t’i dëgjojmë dhe, nuk do t’i dëgjojmë, as duhet të përfillim gjëmën ose madhështinë e përpjekjeve të djeshme. Ligësia jonë duhet të shkëlqejë. Nëse vendi deri tash ka pasur të vetmin terr nga qielli, tash e gjithnjë do ta ketë këtë terrin prej nesh! Unë do t’u shpiej…

(Frynë një erë e ashpër, e cila sjell një zhurmë britmash. Me këto britma era sjell edhe emra të ndryshëm të historisë. Pas pak, kur të gjithë në skenë heshtin dhe përgjojnë, përnjëherë hapet dera me rrapëllimë dhe përplaset sa para, sa prapa. Era që futet brenda me furi ua rrëzon emrat e atyre të vendosur para secilit mbi tavolinë).

Mushkërizeza, me dihatje të thella shqetësimi

Kush e hapi derën?

Zemëraku, i trishtuar

Ose era, ose është tufani i zhurmës dhe i britmave të historisë, që e përplaska derën kështu!

Anusi, i fshehur nën tavolinë

Nuk e di çfarë ishte, por e di se mua më lëshoi fare kjo e shkretë!

Truzori, me gjithë frikën, niset nga dera

Tash do ta mbyllë derën me çelës…

(Frynë edhe më shumë dhe dëgjohet edhe më shumë dhe më afër zhurma e britmave. Truzori, duke mbajtur me duar flokun e ngjyer me gel, ndalet për një çast. Përpiqet t’i afrohet derës, por nuk arrinë. Era e fortë e shtynë prapa).

Gojëtari, i afrohet Truzorit dhe përpiqet ta shtyej përpara drejt derës

Është furia e mëkateve tua të menduara, Truzor!

Truzori, i shtyrë edhe nga Gojëtari, përpiqet t’i afrohet derës

Kurrë! Duhet të ruhemi nga heshtakët dhe jo nga britmaxhinjtë e tillë kaq të zhurmshëm! Ne jemi ata që nuk bëjmë zhurmë, por djegim cerga…

Gojëtari, me dihatje të thella

Heshtakët janë si fena. Hetohen se ekzistojnë vetëm nga duhma… Këta që bërtasin janë si pordha, të cilat zakonisht shpërthejnë nga nevoja e barkut… Pastaj, gjithçka qetësohet. Qetësohet barku, qetësohet zhurma. Edhe kjo zhurmë do të mbytet në qetësinë tonë, e cila, natyrisht, do të jetë shumë e egër.

Zemëraku, duke kërcyer nëpër skenë

Më vdiqët! Këtë egërsi ere unë nuk mund ta ndalë! Mbyllne, mbyllne derën!

Mushkërizeza, duke dihatur me të madhe ngrihet me zor nga vendi

Jemi një trupë. Të vemi të gjithë dhe ta mbyllim atë të shkretë dere se na mori shpirtin…

(Ngrihen të gjithë dhe në radhë shtyjnë Gojëtarin, i cili shtynë Truzorin dhe si në kor bërtasin: Jepi! Me forcë të përbashkët arrijnë ta mbyllin derën, kurse Truzori rrotullon çelësin e derës)

Pushtetari i dikurshëm, i gëzuar

Kur bëhemi bashkë s’ka forcë që na mund!

Gojëtari, shkrehet në gaz

Prandaj jemi të zgjedhurit e masës. As natyra nuk mund të përballet me ne!

Truzori, fërkon duart

Të ulemi tash! Qetësuam edhe këtë fuqi të çmendur ere! (Ulen) Nuk do të lejojmë tash e tutje që teket e tilla edhe të natyrës të lëkundin në këtë mënyrë demokracinë tonë të fuqishme në vendin tonë sovran dhe shumelementësh me ne e kundër nesh. Këtë ua them me përgjegjësi të plotë! Do të jemi bashkë, sepse ne sëbashku e fituam të drejtën të jemi sovranë të plotë mbi gjithçka që lëvizë pakontrollueshëm dhe jashtë izës sonë.

Anusi, mendueshëm

Por, zotrote, çfarë duhet të bëjmë nëse barku i paqëndrueshëm, siç është me gjithë këto të ngrëna tona, tollovitet dhe kërkon të shpërthejë. Duhet ta lë të çlirohet?

Truzori, serioz

Duhet ta lejosh një zbrazje të qetë, që të mos e marrë vesh askush. Por edhe nëse e merr vesh dikush, nuk do të ketë guxim të përflas rreth kësaj çështjeje, sepse nuk janë punë të tyre këto, por janë punë tona. Për shkak se mund ta marrë vesh dikush një zbrazje të tillë, ne nuk mund të prajmë të mos zhvatim po kaq, e, ndoshta edhe më shumë se deri tash!

Anusi, si i zënë ngushtë

Ja, edhe tash barku bën presion. Kërkon të lirohet! T’ia hap derën time?

Truzori, me një siguri tallëse

Liroje, liroje! Sa më shumë të lirohet barku, aq më shumë hapësirë lirohet edhe për ne. Po nuk i lirove pordhët e fenat, ne nuk mund të hamë sa duhet, përkundër këtij oreksi të tërbuar që kemi. Ne tashmë e dimë se kurrë nuk do të arrijmë të ngopemi… Llaskucëria na ka mësuar të mos ngopemi asnjëherë.

Gjaknxehti, i mërdhezur

Sa fatlume është masa jonë e gjerë! S’ka çfarë ha dhe është aq e ngopur. Vuan dhe nuk e pranon asnjëherë instinktin e llaskucit! Nganjëherë mendoj se më mirë do ta kisha sikur të bëhesha pjesë e saj. Nuk do të ndihesha kështu i mërdhezur deri në pëlcitje dhe nuk do të vinte ndërgjegja, siç na erdhi neve, të më thoshte lamtumirën… Bile, nuk do të më mbushej barku nga pordhët, siç na mbushet tash…

Anusi, serioz

Ruhuni! Do e zbrazi Barkun!

(Të gjithë mbyllin hundët me gishtrinj me një pështirosje të rëndë. Presin por nuk dëgjohet gjë dhe as ndiejnë asnjë kutërbim).

Zemëraku, i fryrë nga mbyllja e gojës dhe hundës

Hë më të shkretën, lëshoje se pëlcitëm!

Anusi, me shtrëngime të mëdha

Nuk do! Si duket barku kërkon ta ndiejmë kryeneçësinë e tij…

Mushkërizeza, ngrihet në këmbë duke u lakëdredhur

Ndoshta barku pret të mbushet dhe neve të na gjumëhazë për dhe! Ta hapim derën e këtij Parlamenti, të cilën e kemi kyçur me çelës! Le të hyjë edhe masa jonë, që sigurisht është strukur diku jashtë dhe përreth nesh dhe përgjon këto hile tona!

Truzori, disi i trishtuar

Në asnjë mënyrë! Masa na ka zgjedhur neve që të jemi këtu. Pak i duket asaj se ne kemi humbur lirinë dhe detyrohemi të rrimë kyçur, kurse ajo ngarend jashtë si t’ia dojë qejfi. Kush ua dha këtë liri? Ne! Përpara nuk guxonin të bënin zhurmë. Edhe kur u vinte të zhurmonin, dukeshin si llamarina: nxeheshin shpejt dhe po aq shpejt ftoheshin!

Pushtetari i dikurshëm, shetit nëpër skenë dhe dikur ndalet para publikut

E shoh masën! Sa e bekuar është. Na shikon dhe rri qetë krejtësisht e paluar! Është krejtësisht e bindur. Doni të shikoni? Unë tash do të hyjë në mesin e saj, do të shetis brenda saj dhe do të kthehem prapë këtu ndoshta edhe i përcjellë me duartrokitje. (Zbret shkallët e skenës dhe bredhë nëpër publik. E gjithë trupa del para publikut në skenë dhe me trishtim përgjojnë rrezikun që mund t’i kërcënohet Pushtetarit të dikurshëm në mesin e masës. Mbajnë njëri-tjetrin me frikë dhe të gatshëm të iknin nëse ngjante diçka kërcënuese në mesin e masës (publikut). Pas bredhjes jashtë skenës, Pushtetari i dikurshëm kthehet përsëri në skenë). E patë? Është masë e disiplinuar kjo, si atëherë, si tash! Zë nuk bën! Hiqeni çelësin nga dera…

Truzori, ende pa u shkoçur nga njëri-tjetri

Në asnjë mënyrë! Kjo që pamë tash, nuk është dhe nuk i përngjet në asnjë mënyrë disiplines së masës. Ajo nëse nuk ka frikë, nuk mund të ketë as disipline! (I drejtohet Pushtetarit të dikurshëm). Ua provokove frikën, apo ngarendje ti ashtu nga frika që kishe nga masa?

Pushtetari i dikurshëm, me një zë bindës

Masa m’u bë se s’kishte frikë, por gjatë gjithë bredhjes sime brenda saj, pashë në sytë e saj një urrejtje të egër. Më panë, më njohën dhe gjithë asaj mase ua solla në ato çaste të djeshmen time zullummadhe! Duhet të zbresësh ti Truzor në mesin e saj…

Truzori, i ngarkuar me një dilemë plotë frikë

Do të zbres, ama të gjithë ju duhet të jeni vigjilent. Mos më shikoni mua, por masën dhe, nëse hetoni ndonjë lëvizje edhe më të vogël kërcënuese, ju duhet të ndërhyni menjëherë, edhe pse atje gjendet syçelë mbrojtja jonë e armatosur! U bë?

Të gjithë si në kor

U bë!

Truzori, i kthehet Anusit

Jo! Do të vishë edhe ti me mua! Ti je ai që mund ta rrudhësh dhe me rrudhje të fitosh guximin tënd heroik!

Anusi, krenar rrah kraharorin

Po deshe o Truzor, ta sjell unë masën këtu të gjunjëzuar fare!

Truzori, duke lëvizur kokën mohueshëm

As gjunjëzimit të saj nuk ia kam besën. Gjunjëzimi i masës është akti i parë i dukjes para kafshimit përfundimtar! Unë dhe ti tash duhet ta provokojmë frikën e saj dhe trimërinë tonë.

(Truzori dhe Anusi, zbresin në publik. Truzori ec i pari, Anusi prapa tij i rrudhur fare. E gjithë trupa fillon duartrokitjet nga skena. Edhe një grup i përgatitur poshtë skenës, duartrokit.pas bredhjes në të dy anët e publikut, kthehen me të shpejt në skenë të përcjellë gjithnjë me duartrokitje nga skena dhe nga grupi i përgatitur).

Mushkërizeza, duke u çliruar nga frika

Unë gati vdiqa!

Zemëraku

Unë gati pëlcita nga frika!

Mamuti

Unë gati sa nuk shpërtheva dhe përpak nuk e fëlliqa gjithë autoritetin tonë perandorak!

Pushtetari i dikurshëm

Jeni njeri i madh, shoku… më falni, zoti Truzor! Ju tash dëshmuat me guximin tuaj se jeni i parë dhe se as heshtja tinëzare e masës, nuk do të mund t’u zbres nga shkallët e larta të autoritetit tuaj. As ne këtu nuk mund të kemi më asnjë fije dyshimi për këtë. Ju sot bëtë aktin më heroik, që keni bërë ndonjëherë në jetën tuaj.

Anusi, me nervozë i afrohet Pushtetarit të dikurshëm

E unë që i shkova prapa dhe gjatë gjithë kohës e rrudhja deri në dhembje këtë të shkretë? Unë s’paskam bërë asnjë heroizëm?

Pushtetari i dikurshëm, pa e prishur rehatinë e tij mburrëse

Ti vetë e thua se i shkoje prapa Truzorit, do të thotë ishe i dyti dhe atje poshtë i tregove të gjitha aftësitë e tua të guximshme shërbyese!

Truzori, tashmë krenar, fërkon duart dhe i drejtohet trupës dhe një pjese të publikut

Për dashuri lë kokën, për para lashë atdheun…

Pushtetari i dikurshëm, duke u ngutur i afrohet Truzorit

Ju, zoti Truzor, deshët të thoni se për dashurinë leni kokën, kurse për atdhe leni dashurinë… Kështu disi ka thënë një shkrimtar i njohur, që nuk ishte i sojit tonë!

Truzori, duke mos i vënë vesh kësaj vërejtjeje

Hapeni portën! Tash po e kuptoj se era e pakmëparshme nuk kishte asgjë kërcënuese. Përkundrazi! Ajo vinte nga natyra e gjithë botës të na flladiste, kurse ne, të pasherr siç jemi, kujtuam se ajo vinte të na shkundte nga degët e kësaj peme të praruar të pushtetit. Hapeni derën, le të hyjë ai fllad i domosdoshëm që të na i freskojë ballin e djersitur nga frika. Deri tash kam menduar, ju them me përgjegjësi të plotë, se flladi i porositur do të vijë nga nëntoka jonë demokratike! Ku e di unë, ndoshta nëntoka e ka trazuar erën mbitokësore të botës, që të na flladitë aq befasishëm…

Zemëraku, thyen gishtrinjtë e duarëve

Ju po nguteni! Trimëria juaj e pakmëparshme brenda masës enigmatike, e cila luan rolin e bollës së fjetur, mund të jetë shumë mashtruese. Mund ta hapim derën, zotërote, vetëm pasi gjithë ambientin tonë të brendshëm e të jashtëm ta mbyllni me hekura të shpeshtë, të lartë dhe të fortë. Në portën e këtij rrethimi të hekurt duhet të vendosim rojat, që do të jenë nën komandën tonë dhe që do të jenë gjithëherë ata në kontakt të parë, por parandalues, të secilit kërcënim të rastësishëm ndaj nesh, ndaj kësaj kupolle të shenjtë të pushtetit tonë demokratik apo multidemokratik… siç i thoni ju.

Anusi, me një gëzim të befasishëm

Nëse bëhet kështu të rrethohemi me hekura, dhe unë pajtohem, atëherë unë do të ndihem fare i lirë dhe nuk do të kem nevojë asnjëherë ta rrudhë këtë të shkretë nga frika e përditshme…

Mushkërizeza, lëvizë mendueshëm nëpër skenë

Unë mendoj se një rrethojë e tillë hekurash të fortë, të shpeshtë dhe të lartë do të na bënte neve edhe më të shquar, më të paprekshëm dhe me hijerëndësi njëmend perandorake. Kurrë askush më nuk do të mund të vërente frikën tonë të deritashme. Nga kjo frikë ne tash kemi mbyllur derën me çelës dhe nuk lëmë të hyjë flladi botëror i natyrës!

Truzori, i zhytur në mendime

Do të rrethohemi, ju them me përgjegjësi të plotë… Gojëtar! Ti do të shpallësh tenderin për këtë rrethojë kështjellore hekurash. Do të gjeshë firmën përfituese të punës, ama të ndalohet rrembtësisht të përfitosh, siç e ke zakon, tej mase. Mund të përfitosh vetëm deri shtatëdhjetë përqind të çmimit të gjithmbarshëm! Po e kalove këtë përqindje do të akuzohesh për korrupsion, ndërkohë që ne, siç e dimë të gjithë, i kemi shpall luftë të pakopromis kësaj dukurie kaq negative dhe kaq dobiprurëse…

Si në kor të gjithë të tjerët

Vetëm Gojëtari u dashka të përfitojë nga tenderë të tillë dhe tenderë kaq të shumtë?

Truzori, serioz dhe hijerëndë

Jo! Të gjithë do të përfitojmë nga puna dhe me punën tonë të ndershme dhe të përgjegjshme. Ama asnjëri nga ne nuk guxon të marrë më shumë se shtatëdhjetëpërqindshin e parave të tenderëve. Ndoshta më vonë, kur të rrethojmë ambientin tonë dhe të jemi jashtë rrezikut të përgjimeve dhe të prekjeve të masës, këtë përqindje do ta rrisim deri në tetëdhjetë për qind. Megjithatë, ju them me përgjegjësi të plotë se po u kalua ky tetëdhjetë për qind, do të nisim luftë të pakursyeshme ndaj një korrupsioni të tillë. Do të vihem unë në ballë të kësaj lufte dhe e ndjej se do të ndihmohem nga flladi botëror i natyrës, që të mos pushojë asnjëherë! Fundja, mjeshtëria qëndron në aftësinë e secilit nga ne që veprimet tona të mos zbulohen kurrë. Tregohuni se jeni mjeshtër të aftë…

Mushkërizeza, me naze dredharake të trupit

O lanetërit e mi të dashur! Që tash, kur po i parafytyroj hekurat rreth nesh, nuk mund t’i ndalë epshet e ngrohta në mesin tuaj! Do të përfitoj dhe unë?

Pushtetari i dikurshëm, i afrohet Mushkërizezës si me qortim

Duhet të përmbahesh! Nuk jemi tash në shtëpinë publike!

Mushkërizeza, prekë gjinjtë

O shekull i kaluar, a nuk jemi dhe ne këtu në institucionin publik? (I drejtohet Truzorit) Ua them juve, por ua them të gjithëve: nuk i duhen askuj rrethojat e hekurta… Përpara ky institucion dhe të tjerat kurrë nuk ishin të rrethuara… Ato qëndronin të mbuluara me frikën dhe tmerret, nga të cilat ikte gjithnjë masa… Masa ishte ajo që frikësohej dhe jo pushtetarët. Ju të gjithë, që vini nga katundet, e dini se atje masa rrethonte shtëpitë e tyre me duvare të larta e të forta, sepse kështu mendonin se bëheshin të paprekshëm nga frika dhe nga tmerret, që mund t’u vinin. Përse nuk ia krijojmë edhe ne tash të njëjtin trishtim dhe ajo të rri e rrethuar dhe jo ne?

Gjaknxehti, me turfëllimë e mosdurim

Ç’të duhet ty të përmendësh gjithnjë katundin dhe prejardhjen tonë? Nuk e sheh se tash jemi bërë qytetarë të kryeqytetit dhe rrimë në kolltuqe perandorake?

Anusi, preras

Do ta rrethojmë ambientin tonë të lirisë. Demokracia e kërkuaka kështu. Më i lirë ndihem kështu brenda hekurash…

Truzori, pa i vënë veshin të tjerëve

Ne jemi sovrani dhe, duke e rrethuar këtë ambient dhe këtë kupollë pushteti, vetëm kështu mund ta zhvillojmë një demokraci të çeliktë… Brenda rrethojës ne do të fusim gjithë lirinë kolektive të masës, në mënyrë që sa më parë të arrijmë ta privatizojmë deri në palcë…

(Truzori vazhdon të flasë edhe më tej, por në skenë shihen lëvizjet e tij të duarëve, por nuk dëgjohet më çfarë thotë dhe, pas pak, mbyllet perdja)

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Empty Re: Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 17, 2011 1:35 pm

PAMJA E TRETË

Pasi hapet perdja, shihet të hyjë nga e majta në skenë masa me ca parulla të shkruara pakuptueshëm. Kjo masë flet e bën zhurmë, e cila nuk kuptohet. Në këtë zhurmë, pastaj hyn një pjesë tjetër e masës nga ana e djathtë e skenës pa pankarta. Vihen përballë njëra-tjetrës. Pamja shihet të jetë në sheshin e qytetit.

Sindikalisti 1, i çuditur nga Sindikalisti 2

Po ju?

Sindikalisti 2, po ashtur i çuditur

Po ju?

Sindikalisti 1, me britmë

Ne jemi sindikata dhe kemi dalë të protestojmë…

Sindikalisti 2, po ashtu me britmë

Ne jemi sindikata, jo ju!

Sindikalisti 1, këmbëngulës

Na ka pranuar pushteti dhe ai na ka bërë livadh…, desha të them legal!

Sindikalisti 2, me bindje nervoze

Edhe neve na ka bërë legalë, me mundësi pjestimi më të shpeshtë sindikatash, në mënyrë që edhe sindikata jonë, por edhe e juaja, të shndërrohet në formacione të imëta demokratike, si mundësi të krijimit të pozitës dhe të opozitës sindikale, mu si partitë, që janë përimtuar!

Sindikalisti 1, i çuditur

Prandaj, na kanë ndarë? Si është e mundur?! Sindikata është për të mbrojtur interesat elementare të punëtorëve!

Sindikalisti 2, pa përfillje

Ishim bashkë, por ne nuk mund të rrinim vetëm me një kryetar sindikate… Donit vetëm ju të ishi të parët?! Edhe unë tash jam i parë, por e di që as ty, që mendon të jeshë këtu ku je, nuk do të të lë ndonjë sindikalist yti, i cili kërkon emrin e të parit. Ky është pjestimi i fuqisë sindikale… matematikë kjo e këndshme për pushtetin…

Sindikalisti 1, kapë kokën me duar

Po punëtorët ku janë? Kush do t’i mbrojë…?

Sindikalisti 2

Ata janë fatlum! Tash kanë dy-tri e më shumë sindikata nga të cilat shpresojnë se mbrohen. E ndjej se tash do të vjen këtu edhe Masa e tretë sindikale…

Sindikalisti 1

O, Zot!

Sindikalisti 2

Nëse nuk të pëlqen kështu, atëherë shkrihuni në programin tonë…

Sindikalisti 1

E pamundur! Ne ishim nga fillimi…

Sindikalisti 2

Ju nuk merrni vesh nga demokracia. Keni parë sa dhjetra parti politike bëjnë zhurmë e nuk ndalen? Ato që e kanë vjedhur pushtetin, bëjnë zhurmë lavdëratash, ato të tjerat shurdhojnë nga foltoret opozitare. Të parat mbrojnë gënjeshtrën, të dytat ndërtojnë gënjeshtra. Qëllimi është i njëjtë. As njëra, as tjetra, as duan t’ia dinë për kolektivin skamnor dhe për gangrenën e përditshme të vendit të tyre… Edhe ne formuam sindikatën e re, që të arrijmë të jemi të parët… Punëtorët, o Zot, punëtorët! Le të punojnë, ose le t’i bashkëngjiten kolonës së pafund të të papunëve dhe le të bëjnë sefa!

Sindikalisti 1

Çmenduri! Sindikata jonë është kujdestare e mirëqenies punëtore. Për shkak të këtij interesi ne jemi në luftë të vazhdueshme me pushtetarët e mbyllur brenda rrethojave të hekurta!

Sindikalisti 2, duke buzëqeshur me kënaqësi

Për ne janë të hapura ato rrethoja! Vetë pushtetarët duan që sindikata të ketë sa më shumë krahë, sa më shumë formacione… Jo vetëm ne jemi pjesëtuar! Edhe luftëtarët e braktisur janë bërë si ne…

Sindikalisti 1

Sigurisht! Pushtetarëve ju intereson ta pjestojnë sa më shumë fuqinë sindikale të reagimit ndaj çdo gjëje të zezë që po ndodhë nga ta… S’i durojnë as klithmat bukëkërkuese të luftëtarëve gjymtyrëhumbur!

Sindikalisti 2

Natyrisht, natyrisht! Kur atyre nuk u intereson asnjë dimension mirëqenjeje të popullit e të vendit, pse duhet të na interesoj neve mirëqenia e punëtorëve dhe e të papunëve? Ne, si sindikatë e re, marrim nga pushtetarët para të majme, jo që t’i kundërshtojmë ata, por që të bëhemi opozitë e juaj, njësoj si partitë. Kështu e ka demokracia… Kështu ngjet edhe me sindikatat e luftëtarëve… Ku ke parë demokraci tjetër ndër ne, nëse kjo nuk ndërtohet mbi themelet e anarkisë?

Sindikalisti 1, i çuditur edhe më shumë

Si është e mundur!? Ne nuk marrim asnjë cent nga pushtetarët!

Sindikalisti 2, i afrohet Masës së parë

Ne tash do të ikim. Do të futemi atje, në atë kupollën e mahnitshme të pushtetarëve dhe nga atje do t’ju vështrojmë dhe do të ndjekim aktivitetin tuaj reagues jashtë rrethojave të çelikta. Ju duhet të bëni sa më shumë zhurmë, sa më shumë kërkesa, sidomos aso që këta pushtetarë as e kanë ndërmend e as lodhen t’i realizojnë dhe, pastaj, pas disa orësh të zhurmës suaj, në mesin tuaj do të vijë njëri nga pushtetarët me një zarfë të majmë, dhe me të nga ju do të kërkojë qetësinë e përhershme. Kështu fitohet dhe kështu i thoni lamtumirë skamjes personale. Harroje fytyrën e moralin. As njëra, as tjetra nuk të sjellin gjë të mirë.

Sindikalisti 1, duke qetësuar të tjerët e masës së vetë, të cilët filluan të fishkëllojnë e të brohorasin “Poshtë piratët”

Ikni! Ikni dhe veni atje, brenda rrethojave, dhe përgjonie britmën tonë serioze kundër gjithë asaj kupolle, siç e quan ti, e cila këtë vend dhe këtë popull e shtrydhën, e shtrydhin dhe mendojnë ta shtrydhin edhe më tej si limonin. Edhe ne nga këtu do t’u shikojmë, do t’u porosisim se tashmë është bërë mjaft me durimin tonë. Do t’u shikojmë nga përtej rrethojave sikur të shikojmë një kopsht zoologjik…

Sindikalisti 2, duke e ndërprerë

O Zot! Do të pendohesh nëse nuk e ndjek porosinë time kaq demokratike, e cila aq shumë do të të pavarësonte nga pushteti dhe aq shumë ky vend, pastaj, do të lumturohej nga qetësia e bindshme në këtë shesh!

(Përnjëherë mbretëron një qetësi në skenë. Shihen vetëm lëvizjet e Masës së parë, pastaj, shihen përgjimet hajneze të të dy masave. Njëri nga Sindikalisti 1, duke u shtyrë me bëryla, del përpara dhe i thotë diçka në vesh folësit të tij. Prapë bie një qetësi, por tash e trembshme).

Sindikalisti 1, fërkon duart me gëzim

Ashtu? Je i sigurt? (tjetri pohon me kokë i sigurt). Natyrisht! Ishte koha…

Sindikalisti 2, me ironi

Sa shpejt nxeheni, sa shpejt ftoheni, sa shpejt gëzoheni, sa shpejt hidhëroheni! Ato që t’u thanë në vesh, janë dokrra… Janë kalkulime në tregun e përfitimeve…

Sindikalisti 1, duke e ndërprerë

Herët a vonë e drejta do të ngadhnjejë dhe e vërteta do të dalë në shesh! Fuqia e natyrës evropiane do të shembë autoritetet tona të rrejshme. Brenda vetes ajo ka fuqinë e dashurisë për vendet e tyre dhe nuk do të lejojnë që pushtetarët tanë, që janë nën pushtetin e tyre, të stërkeqin moralin e këtij vendi…

Sindikalisti 2, bie në shpinë dhe ia plas gazit

Ha, ha, ha! Hi, hi, hi! Ho, ho, ho! (Nisin të shkrryhen dhe të qeshin edhe pjesëmarrësit e tij). Evropa… ha, ha, hi, hi, ho, ho!

Sindikalisti 1, plot mllef

E çorodite të tërën këtë tokë, o kokëkrisur, o mercenar! E çmendët ju dhe ajo kupollë zeheri këtë tokë, të cilën edhe ju bastardët e quani nënë!

Sindikalisti 2, pa e ndal gazin

Nënë e quajmë, sepse ajo na polli të tillë! Unë e di dhe po ta them se nuk më pëlqen që jemi vetëm të tillë. Ah, sikur t’ishim kriminelë edhe ndaj të tjerëve, sa jemi kundër vetvetes, sot, kjo Evropë, që të mbushi me shpresë të rreme, do të na shpërblente edhe ne sikur e shpërbleu me viza krijuesin e tmerreve vrastare kundër nesh…

Sindikalisti 1, mendueshëm dhe me dilema

Njëmend, vetëm neve na ka izoluar Evropa, edhe pse ajo vetë qeverisë pushtetarët tanë dhe neve! Megjithatë, duket sikur ka vendosur tashmë që degjenerimit të kësaj kupolle pushtetarësh tanë, të cilët nuk prajnë të shkërdhejnë këtë tokë, të cilën e quajnë nënë, t’i japin fund… Dëgjove për Gojëtarin? Evropa po ia nxjerr të palarat e pista… shumëmilionëshe…

Sindikalisti 2, duke i rënë krahëve

Dëgjova dhe qesha. Taktikë pazaresh. Të thashë se të gjitha këto nuk janë gjë tjetër përveç treg interesash hajneze. Vetëm kështu rritet pazari… Do të bindesh se po ky pazar së shpejti do ta heshtë gjithë spektaklin…

Sindikalisti 1, edhe më i shqetësuar

Është e pamundshme! Thua kështu, sepse dhe ti paske hyrë brenda këtyre rrethojave pushtetarësh, atje ku korrupsioni është bërë kanibal i pangopshëm. Evropa nuk është si këta pushtetarë. Po të ishte si këta, ajo nuk do të ishte kaq e fuqishme dhe kaq e zhvilluar…

Sindikalisti 2, prapë me të qeshura të gjata

Si mendove ti? Të duket se Evropa është e marrë? Ha, ha, ha… Kuadrot që nuk i nevojiten asaj, i ka dërguar këtu dhe shumë i kërcet bytha asaj se ç’bashkëshkërdhyes bëhen këta ndaj kësaj toke…!

(Ndërkohë, në skenë hyjnë dy kryetullacë, me kravata të kuqe dhe këmisha të zeza. Bredhin nëpër turmën e mbledhur dhe nuk flasin. Nuk flet as turma e mbledhur në skenë, nuk flasin as Sindikalisti 1, as Sindikalisti 2. Disa çaste më vonë, Kryetullaci 1del para publikut, rregullon kravatën dhe shtynë kraharorin përpara)

Kryetullaci 1

Ç’është kjo heshtje kaq e mundimshme në këtë shesh të mbushur protestash? (Pason një heshtje edhe më e madhe). Ky shesh është i heronjve dhe unë tash dua që të gjithë ju të bini në gjunj dhe t’i nderoni!

Sindikalisti 2, gjunjëzohet i pari dhe i drejtohet Kryetullacit 1

Të falem, o i madhi hero! (Pas tij gjunjëzohet gjithë krahu i tij i masës, që rrinte i shushatur deri atëherë dhe pa pankarta në duar).Kërkojmë ndjesë që dolëm sot në këtë shesh të shurdhojmë këtë heshtje të bukur parajse, në të cilin rri me aq mall qytetari ynë i përgjumur!

Kryetullaci 1, pa e kthyer kokën anash, qëndron si statujë para publikut

Kjo që po shoh dhe po dëgjoj është shumë pak! Ju të tjerët përse nuk bini në gjunj? (Lëvizin pankartat me të dridhura duarsh).Nuk na doni dhe nuk na çmoni ne, heronjtë e gjallë e të vdekur, që dhamë e do të japim jetën për juve, për lirinë tuaj të heshtjes e të zhurmës?

Sindikalisti 1, pa lëvizur fare nga vendi

Heronjtë, dëshmorët e martirët rrojnë krenarë në kujtesën tonë dhe, në emër të tyre ne dolëm në këtë shesh që të qortojmë këta pushtetarë të vetërrethuar me mure të hekurta, që të mos e shkërdhejnë kaq pa mëshirë këtë vend dhe këtë popull! Ne të njohim ty, që vjen këtu e krekosesh me vjedhjen e namit të vërtetë të heronjve…

Kryetullaci 2, i afrohet para hundës Sindikalistit 1

I vrarë isha në luftë dhe u ktheva të jetoj lirinë që e sollëm me shumë mund! Përse nuk më ke në kujtesën tënde si hero?

Sindikalisti 2, ndërhyn me vardisje

Në zemër e në kujtesë të ka dhe ty, por ja që fishkëllima e barkut të uritur ua ka humbur mendjen dhe kanë dalë këtu për një kafshatë…

Kryetullaci 2, preras Sindikalistit 2

Nuk të pyeta ty asgjë! Ti duhet t’u përmbahesh marrëveshjeve! Është dashur të nxitësh në këtë mes sa më shumë zhurmë, e cila deri tash do të duhej të kishte përfunduar! Nuk e bëre…

Sindikalisti 2, me pendesë

Marrëveshja ishte që të jemi këtu dhe, pastaj, njëri nga pushtetarët të sjellë premtimet e bëra gati për secilin rast të tillë reagues…

Kryetullaci 1, largohet nga buzëskena përpara publikut, shikon pankartat dhe i drejtohet Sindikalistit 1

Ne jemi rojet e lirisë, të demokracisë, të shumëllojshmërisë biznesore të përfitimeve. Jemi, prandaj, këtu që të ruajmë e të mbrojmë me përkushtim sovranitetin qiellor të pushtetit…

Sindikalisti 1, duke e ndërprerë

E, të shtetit?

Kryetullaci 1, pak i mvrejtur

Sigurisht, edhe sovranitetin e copëtuar të shtetit. Të jeshë mbrojtës i shtrirë në këto copëza sovraniteti është shumë më vështirë. Është punë që kërkon sakrifica të mëdha gjumi… Edhe tash, që keni dalë me këto copëza kërcënimesh në pankartat tuaja, cënoni demokracinë dhe, mbi të gjitha, shumëllojshmërinë biznesore të përfitimeve! Ju duhet të keni mirëkuptim dhe duhet ta dini se liria dhe demokracia janë luftëra tona të përditshme për pasurim… Secili duhet të pajtohet me fatin e vet.

Sindikalisti 2, i mbledhur si ushujzë

O, Zot! Më vjen të qajë me lot kur shoh Truzorin pushtetar se si në moshë të tij të re është zbardhur fare. Të vjen gjynah prej tij. Gjithë ato halle për fatet e atdheut i ka përsipër! Lëre ai, por edhe Mamuti, i cili tashmë e ka shumë të vështirë të mbajë gjithë atë peshë majmërie. Cili shtet në botë ka arritur që për pak vite ta zhvillojë e ta bëjë super të kamur klasën e vetë të mrekullueshme, siç e bënë pushtetarët tanë? Asnjëri! Të shkretët hoqën të zitë e ullirit derisa arritën të shkapeshin një herë e mirë nga skamja e dembabademshme. Le ta zhvillojnë edhe më, le të mos ndalen ta zhvillojnë atë shumëllojshmëri përfitimesh.

Sindikalisti 1, me hov

E, ne?

Sindikalisti 2, me buzëqeshje krenare

Ne duhet t’i shikojmë dhe të kënaqemi! Kur kanë ata me bollëk, mjafton që ne të mos vuajmë për ta… Por, a s’më thua: përse keni dalë sot këtu? Të protestoni, jo kundër tyre, por për të mirën tuaj, për interesat e juaja. Njësoj si ata! Ama ata asnjëherë nuk dolën e nuk dalin në protesta të tilla për të mirën e tyre. Ata as sindikatë punëtorësh s’kanë… S’kanë, sepse ata nuk janë klasë punëtore…

Kryetullaci 1, fare butë

Keni dalë të protestoni, atëherë çfarë prisni? Demonstroni protestën dhe sa më parë lironie sheshin! Shfryhuni dhe shkoni!

Sindikalisti 2, lëvizë me të shpejtë

Jo, unë me përkrahësit e mi do të ikim. S’kemi dale të protestojmë… (thërret përkrahësit dhe duke i shtyrë të tjerët me pankarta në duar, dalin). Do të hymë brenda rrethojave dhe prej atje do të sodisim…

(Përnjëherë dëgjohen thirrjet e protestuesve të tjerë)

Protestuesit

Neve centë, ju milionat! Poshtë diskriminimi, poshtë korrupsioni, poshtë hajdutëria e njëanshme …!

(Pas pak në skenë hynë Mamuti. Thirrjet pushojnë dhe protestuesit mbyllin hundët me duar. Mamuti i afrohet Sindikalistit 1, e merr për krahu, e veçon nga të tjerët, i flet diçka me pëshpërimë, ia rrah krahët, i fut diçka në grykë të këmishës dhe del. Me të dalin edhe dy kryetullacët).

Sindikalisti 1, duke mbajtur shtrëngueshëm grykën e këmishës, iu drejtohet protestuesve

Të shpërndahemi tash!Na premtuan se në një afat sa më të shkurtër do t’i shqyrtojnë me sukses kërkesat tona!Do të kemi rritje pagash 0,99 për qind!

Protestuesit, me britmë

Pak është!

Sindikalisti 1

Do të protestojmë përsëri vitin e ardhshëm dhe do të fitojmë edhe një rritje tjetër të këtillë! Shkojmë tash! (Niset i pari dhe pas tij shkojnë me biseda të pakuptueshme mes veti, duke i lënë pankartat në skenë. Mbyllet perdja).

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Empty Re: Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 17, 2011 1:36 pm

PAMJA E KATËRT

(Pamja si në skenën e parë, por pa tavolina dhe kolltuqe. E gjithë trupa, përveç Mamutit, është aty. Të gjithë qëndrojnë në këmbë. Zhvillohet një bisedë e përçartë, por e mbushur me nervozë. Herë i largohen njëri-tjetrit, herë i afrohen deri te hundët. Nga jashtë dëgjohet një muzikë e hareshme. Pas pak hyn me hap të shpejtë Mamuti).

Mamuti, duke shikuar përreth i habitur

Ku janë kolltukët? Kush na i ka marrë kolltukët?!

Truzori, i mvrenjtur duke bërë me dorë nga Gojëtari

Gojëtari na la pa kolltuqe, zoti Mamut! Fuqia e natyrës evropiane e kapi në flagrancë, sepse kurrë nuk diti ta prante llaskucinë…

Mamuti, duke e ndërprerë dhe duke kërkuar një vend ku të ulej

Tash do të ulemi këmbëkryq në dysheme dhe ta pleqnojmë këtë punë, që na paska dalë (Ulen të gjithë këmbëkryq, me sy nga Mamuti).Oh, sa mirë! Më paska marrë malli të ulem këmbëkryq, siç uleshim në katund deri para pak kohësh nëpër odat tona!

Zemëraku, i gëzuar

Ulur këmbëkryq më bëheni burra kohësh të lavdishme. Ma kujtoni Azem Galicën, edhe pse jemi pa mustakë! Të shkretët ata burra, që sakrifikuan aq shumë dhe nuk ia dolën të fitojnë lirinë e kësaj toke, të cilën e deshën aq shumë…

Mamuti, vendos duart mbi gjunjtë e tij të thyer këmbëkryqas, duke marrë një qëndrim prej burri të fortë

Ishin të zotë e trima, por nuk ditën. Vetëm dashuria për vendin nuk është ndonjë armë triumfuese. Sa më shumë ta duash vendin, aq më shumë përjeton dhembje shkatërruese. Ne ia dolëm ta lirojmë këtë tokë, jo me dashuri si ata burra të lavdishëm, por me dijen tonë të lartë teknike dhe taktike. Ne zbuluam armën më shkatërruese për armikun, të cilën që atëherë e quajtëm dhe e quajmë NATO, që do të thotë: NA dhe ATO!

Të gjithë si në kor

Lavdi neve! Me ne fillon historia…

Mamuti, ngreh zërin edhe më lart

Lavdi mua dhe… juve! Me ne nuk fillon historia, ne jemi vetë historia! (E shikon Gojëtarin).Gojëtar!Ajo që të ka ngjarë ty, e kam marrë vesh më herët. Ne ishim marrë vesh, Gojëtar, që t’i bësh të gjitha këto që i ke bërë, bile edhe më shumë se kaq, por ama ti nise pa takt të rrezikosh gjithë strategjinë tonë të shumëllojshmërisë përfituese. Bëre hile të palejueshme ndaj nesh. Nise përfitimet e shumëllojta, të dedikuara për të gjithë ne, ashtu siç ishim marrë vesh, t’i zhvatje vetëm për vete…

Gojëtari, ngritet me të shpejt në këmbë

E paskam prej jush këtë skandal, zoti Mamut! Ju e paskeni ndërsyer fuqinë e natyrës evropiane të më binte në qafë kështu…

Mamuti, duke u ngritur edhe ai në këmbë

Joooo! Ndoshta unë do ta bëja këtë, sikur Truzori të më këshillonte që të mos e bëja një denoncim të tillë, sepse me një veprim të tillë do ta pësonim, pastaj, të gjithë! Me të marrë vesh këtë skandal, vetëmevete thirra në ndihmë një hile edhe më të përsosur. Kush do të ishim ne, nëse nuk arrijmë që të mos e mposhtim këtë fuqi të natyrës evropiane? Dhe do ta mposhtim!

Të gjithë

Si?

Mamuti, duke u ulur prapë këmbëkryq

Shumëmilionshet e tua, Gojëtar, do ta mposhtin! E drejta në demokraci nuk është gjë tjetër përveç parasë. Blihet dhe shitet ajo. Unë do ta rregulloj këtë punë, nëse ti Gojëtar, së bashku me ne dhe me të varshmit tanë, do e mbushim me miliona tryezën e bisedimeve marrëveshëse me fuqinë e natyrës evropiane. Pas kësaj, shpëton ti, shpëtojmë edhe ne pa një therrë në këmbë…

Gojëtari, duke u ulur edhe ai këmbëkryq

E masa? Si do ta bindim masën?

Mamuti, duke qeshur

Futja masës! Do dalësh pastaj në televizionet tona të blera dhe do të thuash se kësaj toke, këtij vendi, që e quajmë nënë dhe e shkërdhejmë përditë, jo që s’i ke marrë milionat, por as edhe një cent. Se kësaj toke dhe këtij vendi, jo që s’i ke marrë asnjë cent, por i ke dhënë shumë me sakrifica të mëdha heroike. Po ta them këtë, sepse këtë hile ma ka mësuar Truzori, të cilit i besoj shumë.

Truzori, hijerëndë

Edhe nëse këtë nuk do ta besojë masa, punë e madhe, sepse do të merremi vesh për çmimin e heshtjes me fuqinë e natyrës evropiane. Pas kësaj e vërteta do të heshtë përgjithmonë…

Pushtetari i dikurshëm, duke shikuar Mamutin

Por as duhet të prajmë të flasim kundër korrupsionit, të cilin, me fjalë do ta bëjmë zero! Njësoj bën edhe fuqia e natyrës evropiane për këtë luftë! Kjo është një strategji e përbashkët alarmi për të fshehur veprimin.

Anusi, ngrihet në këmbë duke fërkuar prapanicën

E keni të lehtë ju, o katundarë, të rrini edhe këmbëkryq, se jeni mësuar nëpër odat e juaja. Por unë kam siklet me këto të shkreta hemoroide… Ua kam shitur bythën që të kem kolltuk, o të uruar, dhe jo të ulem këmbëkryq… Sa pordhët po i nxjerr nga kjo bythë, që ju, si pjesë e kësaj trupe, të ndiheni sa më mirë dhe sa më shlirshëm, anise ato më shkaktojnë ngacmime të mëdha… në hemorroide…

Mushkërizeza, me lajka dhe përdredhje i afrohet Anusit

Kurrë nuk t’i kam hetuar ato idiote hë…morr…hajde, edhe pse deri afër tyre t’u kam afruar, Anus! Do m’i tregosh?

Anusi, shtrembëron kokën në të djathtë dhe aty e mban, duke përvjelur vetullat, flet me pëshpërimë

Jo tash, të shkretën! Kur të vemi në folenë tonë pa na diktuar askush!

Mushkërizeza, edhe më me lajka

Anus i dashur, ti e di sa kam qejf të të qëndrojë gjithmonë afër, mbi ty Anus, në kolltukun tënd! Ti je shpirti im, siç më ka shpirt gjithë kjo trupë jona efektive!

Anusi, me çudi

Edhe Mamuti të ka shpirt? O, Zot! Ai u bë i pari se ka duhmë të rëndë. Nuk mund të shtyheshim më me tekat e tij neveritës… E, si mund të të ketë ai ty shpirt?!

Mushkërizeza, gjithnjë me qesendi

Po i dashur! Po nuk ua flladis unë përjetimin, ju nuk do të mund të funksiononi! Ju dua dhe ju mbaj gjallë dhe me lezet ditësh e me lezet netësh…

Zemëraku, bie në shpinë

Je e këndshme Mushkërizezë, mu si paraja… Të jep jetë dhe të bën të rrosh mbi merakun e të tjerëve, atje përtej rrethojave të hekurta… Ama, nuk të kuptova se si mund të rrishë në kolltukun e Anusit, kur të gjitha kulltuqet tash na janë marrë…?

Mushkërizeza, shtrihet pranë Zemërakut

Ti nuk kupton, apo bëhesh xhëloz…

Truzori, pa i dhënë rëndësi veprimit të Mushkërizezës dhe Zemërakut

Fuqia e natyrës evropiane bëri këtë akt sa për ta bindurë, për pak çaste, atë kope të dergjur mase përtej këtyre hekurave tanë të rrethojës, se po ia sjell çlirimin nga lugetërit hajnezë të nëntokës sonë. Edhe ajo ndien nevojë ta mashtrojë me të tilla veprime, masën tonë dhe, masën e vetë të bashkuar evropiane, nga kanë ardhur.

Anusi, ngreh njërën dorë nga Truzori, kurse me tjetrën mbanë prapanicën

Do të thotë se do na lejojnë që përsëri të ulemi në kolltuqet tona?

Truzori

Patjetër!

Mamuti, ngrihet në këmbë, afrohet buzë skenës, fërkon duart dhe gati ulërinë

Fuqia e natyrës evropiane ka kohë që më thotë të dalë, por ajo e ka parë këmbëngulësinë time të mos dalë! Do t’i çmendë nëse brenda tri ditësh nuk do t’i bien pishman për rrëmbimin e kolltuqeve tona. Do t’i bëj të pëlcasin…

Të gjithë si në kor

Ti je i madh Mamut! Je më i madhi dhe më i rëndësishmi!

(Krijohet një heshtje e gëzueshme. Mamuti qëndron para publikut hijerëndë. Heshtjen e prish një trokitje e rrëmbyeshme në derë. Përnjëherë e gjithë trupa bëhet bashkë, e mbledhur dhe e frikësuar)

Gojëtari

Mos është fuqia e tmerrshme e natyrës evropiane?

Truzori

Jo! Ajo nuk troket fare në dyert tona. Po të ishte ajo, do të futej këtu ndër ne pa na pyetur fare!

Mamuti, me një zë gati të shterur nga frika, kur dëgjon trokitjen tjetër

Hyn!

(Hyn me buzëqeshje Kryetullaci 1. Bie në gjunj para trupës së frikësuar, që rri ende e mbledhur ngjitas me njëri-tjetrin. Mamuti niset nga ai dhe i drejtohet me ashpërsi)

Mamuti

Të kam thënë një qind herë që, para se të trokasësh, lësho një zë, që të dimë se kush troket! Për këtë që bëre sot dhe na fute gjithë këtë frikë të tmerrshme, do të marrësh dhjetë për qind më pak nga shuma e shumëllojshmërisë përfituese!

Kryetullaci 1, gati si me vajë Mamutit

Më ndje o perandori im! Isha aq i gëzuar sa m’u shqit fare nga mendja porosia juaj e madhe, me të cilën më kishi ngarkuar me të drejtë! Lajmi, që po ua sjell, do të duhej të ma trefishonte përqindjen e shumëllojshmërisë së përfitimeve! Më ndjeni dhe mos më dënoni!

Mamuti, shikon të tjerët

Jemi tash në demokraci, e cila na jep lirinë të gjithë neve që ta privatizojmë lirinë kolektive dhe ta zëmë për fyti deri në ngulfatje zhvillimin e këtij vendi! Do të marrë pëlqimin nga trupa jonë se çfarë duhet të bëjmë me ty, që na fute tmerrin me trokitjet e tua!

Gojëtari, me mosdurim dhe i shqetësuar

Le ta thotë lajmin, pastaj… vendosim!

Mamuti, duke u ulur këmbëkryq

Ç’lajm na solle, o dileri im?

Kryetullaci 1, ngutet shpejt dhe e kap për krahësh Mamutin

Jo, jo! Mos u ulni! Tash po vijnë kolltuqet tuaja!

Mamuti, drejtohet dhe qëndron në këmbë si i mpirë

Kolltuqet?! Shiko! Po u talle dhe nëse nuk del kështu siç thua, do të të vrasë me shtërzimet e mia!

Gojëtari, e kap për jake Kryetullacin 1

Po fuqia e natyrës evropiane, çfarë thotë për mua?

Kryetullaci 1

Tha se i ka arritur efektet e saj të planifikuara para qendrës së vetë dhe tash kërkon, pasi t’i kthejë kolltuqet, të bëhen pazaret e heshtjes dhe të fundosjes së veprimeve tuaja të vërteta, por edhe të të tjerëve, në të gjitha dimensionet e shumëllojshmërisë së përfitimeve.

Gojëtari, duke u ngutur

Do të thotë, kolltuqet sigurisht po na i kthen?

Kryetullaci 1, i sigurt

Po! Vetëm sa s’kanë arritur!

Mamuti, duke ia kthyer shpinën trupës i drejtohet publikut

Ju kam thënë se pazari i parasë së madhe, është fuqi, që mund ta shkatërrojë edhe fuqinë e natyrës evropiane. Është e vërtetë që këtë ne s’e kemi ditur, por na mësoi ajo! Ne nuk do të shkulemi kurrë nga kolltuqet tona dhe nga këto ambiente hyjnore, të rrethuara me hekur…

Mushkërizeza, i afrohet Mamutit

Ekselenca juaj, Mamut! Ju thoni se nuk do të shkulemi nga këto kolltuqe, por çfarë do të bëhej nëse ata përtej rrethojave një ditë vijnë e na i marrin me bekimin e kësaj fuqie tregtare të Evropës?

Mamuti, preras

As atëherë nuk na deshi, por vetë na i hapi portën e madhe demokratike të kutive të zbrazëta të ngjitemi këtu ku jemi! Bashkëpunimi me fuqinë natyrore botërore na mësoi shumë gjëra që ne nuk i dinim më parë… (Hapet përnjëherë dera dhe nisën t’i fusin kolltuqet). E shihni? Sot po ngjet edhe një triumf yni heroik. Me sakrifica të mëdha i kemi fituar ato në fillim dhe, edhe tash, po me sakrifica përfitimesh, po i risjellim këtu! O, sa hyjnore qenka demokracia…

Anusi, shkrryhet në dysheme plot gëzim

Sa më shumë luaj bythën, më shumë përfitoj! Këtë zeje e kam të moçme. Edhe atëherë, kur nuk ishte demokracia, bytha gjithmonë më ka shpënë përpara katave të larta të pushtetit ideologjik. E shihni? Tash rishtas ma sjellin kolltukun…

Pushtetari i dikurshëm, duke e ngritur nga dyshemeje Anusin

E di, or Anus, e di se sa bythëlëvizës ke qenë atëherë. Tash të gjithë janë bërë si unë dhe ti… Do të rehatohemi, si gjithnjë, sërish në kolltukët e kësaj parajse të rrethuar e të mbrojtur nga shikimi injorant i masës së tërbuar… Ngritu dhe vendose atë të shkretë bythë në kolltuk! (Ia ofron koltukun. Anusi ulet me hijerëndësi)

Anusi, me dashamirësi Pushtetarit të dikurshëm

Diçka nuk e kam të qartë, Pushtetar! E di se përpara ia luajshim fenë kësaj mase, jo ne, ama normat ideologjike ishin ato që kërkonin disiplinimin deri në asgjësim të të gjithë atyre, që përpiqeshin të fitonin të drejtën të kërkonin lirinë. Unë i shoh tash këta, që nga Mamuti e deri te Truzori, të jenë pak më ndryshe se unë dhe ti!

Pushtetari i dikurshëm, me habi

Nuk të kuptoj!

Anusi, ngrihet dhe ia ofron kolltukun edhe Pushtetarit të dikurshëm

Ulu…! Nuk të kujtohet kur ne i përgjonim të gjithë ata prishës të disiplinës sonë ideologjike kur këtë tokë e quanin nënë me një atdhetarizëm të shfrenuar?

Pushtetari i dikurshëm

Më kujtohet!

Anusi, duke ulur zërin dhe duke shikuar të tjerët me tinëzi

A nuk ishin këta fëmijë të kësaj toke, të cilën e quanin nënë?

Pushtetari i dikurshëm

Ishin! Ishin, ama, dallonim në koncepte ideologjike, bazën e të cilave bëheshim se e kishim të njëjtë, por që ndaheshin me megjë vdekjesh nga të dyja anët.

Anusi

Ne atëherë e shkërdhenim ideologjinë për përfitimet tona të kontrolluara të shërbimeve tona zvarranikësh, kurse këta shkërdhejnë këtë nënë të tyre të lodhur e të dergjur me kasapllëkun e tërbuar të shumëllojshmërisë së pakontrolluar përfitimesh… Përpara kurrë nuk venim rrethoja të tilla hekurash…

Pushtetari i dikurshëm, i qetë fare

Anus, tash jemi në demokraci dhe po nuk u rrethuam kështu, të gjitha proceset e përfitimeve do të huçnin dhe nuk do të mund të qëndronim këtu ku jemi! Ndaj dhe duhet të nxjerrim para masës sonë pasqyrën e atdhetarizmit të shkokëluar, sepse ky milet vuan gjithnjë për gjërat që s’i ka pasur dhe s’i ka…

Anusi

Unë po! Gjithmonë i kam pasur dhe me të kam shërbyer me devotshmëri mantenute. Do të qëndroj këtu falë bythës sime që luan nga i bie asaj më mirë…!

(Ndërkohë, më skenë janë vendosur të gjitha kolltuqet. Ulen të gjithë të gëzuar. Vetëm Kryetullaci 1afrohet te veshi Mamutit, i thotë diçka. Mamuti mendueshëm ulë kokën. Pas pak ia bën me dorë Kryetullacit 1 të largohet. Ai del, duke mbyllur derën me kujdes)

Mamuti, pa shikuar të tjerët

Ju them me përgjegjësi të plotë se, edhe pse na u rikthyen kolltuqet, puna nuk është mirë! (Të tjerët e shikojnë me trishtim të befasishëm)

Të gjithë si në kor

Çfarë ka ndodhur o i pari ynë?

Mamuti, duke u kollitur me zor

Fuqia e natyrës evropiane kërkon rishqyrtimin e pazarit të deritashëm!

Gojëtari, me rrëmbim e nervozë, ngrihet në këmbë dhe bredhë nëpër skenë

Shkërdhatë e zezë dhe e pangopshme!

Mushkërizeza, duke iu afruar Mamutit

I pangopshëm ishe dhe ti, Gojëtar! Aq i pangopshëm sa dhe hisen tonë të pangopësisë e rrëmbeve! (Mamutit). Unë them se Gojëtari ia del, qoftë edhe me ndihmën tone të pakët, këtij ritregtimi, që e kërkuaka fuqia e natyrës evropiane! Nuk mund të duroj më, nëse edhe një herë na i marrin kolltuqet! Kemi grumbulluar mjaft përfitime që ta ngopim edhe atë… i dashuri im!

Mamuti, duke fërkuar ballin

Dua ta dëgjoj Truzorin se çfarë mendon lidhur me këtë kërkim rimarrëveshjeje të fuqisë së natyrës evropiane!

Zemëraku, ngrihet nga vendi dhe i afrohet publikut

Ndihem i shqetësuar! Kujtoj se, edhe nëse na i marrin përsëri kolltuqet, kemi arritur suksese të mëdha përfitimesh! Punë e madhe nëse nuk do të jemi më nën këtë kupollë tërpishë… Dalim me fuqinë e pashembshme të parasë!

Truzori, shpalon grumbullin e letrave që mban përpara

Zoti Mamut! Ne duhet të hapim shtigje të reja, nëpër të cilat do të dalim fitues pa humbur asgjë dhe pa krijuar konflikte të dëmshme interesash me fuqinë e natyrës evropiane…

Mamuti, me padurim

Hë? Thuaje!

Truzori, hijerëndë

Tridhjetëpërqindshin e mbetur në fondin jashtë shumëllojshmërisë sonë përfituese, duhet ta shpërndajmë në mjediset lokale, ku menagjojnë njerëzit tanë besnikë…

Mamuti dhe Mushkërizeza, përnjëherë

Bukur! Pastaj?

Truzori

Pastaj, ata do t’i fusin këto fonde në projekte të ndryshme të shtrenjta, të cilat, natyrisht, nuk do të realizohen, kurse paratë do të rikthehen te ne dhe me to e rregullojmë deri në fund pazarin e shtuar të fuqisë së natyrës evropiane…

Mamuti, i ngazëllyer u bërtet të tjerëve, që pëshpërisin mes vetes përqartë

Qetësi! (i drejtohet Truzorit)Vazhdo Truzor! Je i mrekullueshëm!

Truzori

Kështu rehatojmë marrëveshjen, rehatojmë vetveten, nuk humbim përfitimet tona, kurse fuqia e natyrës evropiane bëhet gati si ne e pasur… Mendoj se kështu duhet të veprojmë!

Zemëraku, i afrohet derës dhe bëhet sikur përgjon

Po sikur fuqia e natyrës evropiane punën e tregtisë dhe të ritregtisë ta ketë vetëm provokim…?

(Pason një heshtje e rëndë. Në fytyrën e trupës zë vend një trishtim i ri)

Mushkërizeza, prek mjekrrën e Mamutit, pastaj me të dyja duart ia mbanë faqet

Në asnjë mënyrë! Në shtretër e kam testuar disa here këtë fuqi të natyrës evropiane… Edhe asaj, si ne, i intereson vetëm vetja!

Anusi, me të shpejtë

E kam provuar edhe unë! Po të mos e kisha luajtur bythën sipas standardeve më të reja të intimes, nuk do të më lejonin të isha edhe unë pjesë e kësaj trupe këtu…

Pushtetari i dikurshëm, me të shpejt ngrihet nga vendi dhe niset në drejtim të derës. E hapë me të shpejtë. Nxjerr kokën jashtë, kthhet prapë dhe e mbyllë derën me rrëmbim

M’u duk sikur dikush ishte matanë derës. Se si m’u duk se janë përbiruar deri këtu kamerat dhe gazetarët… Më falni për shqetësimet…!

Gojëtari, duke u munduar të duket i qetë

Jo, ore! Ata tash janë sigurisht te fuqia e natyrës evropiane! O, zot! Ç’kretenë janë gazetarët! Më thanë se meqenëse këtij vendi dhe kësaj toke nuk i kisha marrë asnjë cent, përse, atëherë, kisha angazhuar një tog avokatësh? Kujdestarë spektaklesh janë ata!

Truzori, duke paluar letrat

Bën mirë që tjetër herë të mos e thuash atë frazë, sepse njëmend të del haptas fajësia! (I drejtohet Mamutit).Deri tash kemi dalë të suksesshëm dhe besoj se edhe në të ardhmen do të qëndrojmë edhe më në majë të fuqisë së kamjes. Veç kësaj, më duket se edhe më me hov duhet që njerëzit tanë besnikë të marrin diploma e grada të larta shkencore në nëntokën universitare pa humbur kohë dhe pa zhurmë… Kuadri ynë duhet të zërë vende të rëndësishme në shoqërinë tonë të shkëlqyeshme. Kjo, së bashku me shumëllojshmërinë e përfitimeve, do të jetë e ardhmja e brezave të fuqishëm familjarë…

Mushkërizeza, me naze e lajka

Unë do të bëhem profesoreshë fakulteti! Të lutem, Truzor, nëse sharmi im femëror është i mjaftueshëm për të marrë gradat, siç thoni ju, më të larta shkencore, mos më kurseni!

(Zemëraku, si i xhindosur, ngrihet me të shpejtë nga vendi. Turfullon me hundë e me gojë. Afrohet para publikut dhe bën me dorë me ironi në drejtim të trupës së ulur në skenë)

Mamuti, edhe ai ngrihet në këmbë duke shikuar nga Zemëraku

Zemërak! Sa herë kemi thënë se në këtë kupollë vendimesh tona, nuk mund të vijë asnjëri i veshur kështu, siç je veshur sot ti! Rrobat e secilit prej nesh duhet të jenë të stofit shkëlqyes! Ne edhe kur nuk mund të shkëlqejmë nga brenda, duhet të shkëlqejmë nga jashtë!

Zemëraku, kthehet nga buzëskena para publikut dhe e shikon për disa çaste Mamutin

Zoti Mamut! Edhe ti ke veshur rroba të vrugëta që nuk shkëlqyekan…

Mamuti, tërë nerva

Ti s’ke të drejtë të më bëshë vërejtje mua! Fundja unë detyrohem të veshë kësi rrobash që shkojnë me natyrën time gjenetike…

Mushkërizeza, ia ledhaton supet Mamutit gjithnjë me lajka sharmi

I dashuri Mamut! Mos u bëj nervoz! (Zemërakut me qortim) Ti duhet vetëm t’u bindesh urdhërave dhe jo ta bësh nervoz Mamutin. Ne të gjithë e dimë se po u bë ky nervoz, asnjëri prej nesh, pastaj, nuk do të mund të funksionojmë…

Gjaknxehti, përvjelë mëngët e sakos dhe shikon Zemërakun

Unë shkëlqej me këto rroba që m’i ka dhuruar një grua, e cila ka rënë në dashuri me mua… Është krejtësisht anemike, ama dashurinë e ka prush!

Gojëtari, me buzëqeshje të ftohtë

Ajo anemike, miku im, ta dëshiron paranë tënde të madhe dhe jo ty… Mua më ngjet kështu përditë, ama s’e kam atë gajle unë… Jam bërë Kazanov unë, në realitet paraja ime e majme. Jam i shkëlqyeshëm me to, edhe kur nuk mundem, edhe kur nuk ia dal…

Truzori, duke e ndërprerë këtë bisedë

Zoti Mamut! Dua ta them këtu, para jush, se Zemëraku, përveç rrobave, nuk i përmbahet disiplinës sonë të përcaktuar demokratike. Kemi thënë me shumë përgjegjësi, siç thoni ju, se përtej rrethojave tona të hekurta, nuk bën të dalim pa karvanin e veturave tona të zeza. Kam informacion nga shërbimi ynë sekret se Zemëraku del midis masës krejtësisht vetëm dhe, me të, edhe kuvendon, edhe bredhë… Kam nisur të dyshoj se në këtë padisiplinë të tij ka diçka që e ulë autoritetin tonë dhe, në të njëjtën kohë, këtë rrethojë tonën të hekurt e bën të pakuptimtë…

Zemëraku, shtynë prapa me rrëmbim kolltukun dhe i mërdhezur tej masës

Shiko, shiko! Tash e kuptoj se kjo sajesë truri të kalbur e paska vënë shërbimin e tij të fshehtë edhe mbi ne… Kush je ti o derrkosës që më akuzon që unë dal dhe rri me masën time, me të cilën jam me të njëjtin gjak! Përse e urren aq shumë atë të shkretë masë, të cilës tashmë i kemi hyrë edhe nën lëkurë dhe atje ia shterojmë, jo vetëm kafshatën, por ia vrasim përditë edhe shpresën e fundit?

Truzori, me qetësi

Nuk e urrejmë masën, por ajo duhet të jetojë e qetë, e çliruar nga emocionet e përditshme. Këtë çlirim ia krijojmë me frikën që duhet të kenë nga ne… Vetëm frika e tillë ia disiplinon bishën e saj të emocioneve reaguese… Ti, Zemërak, kujton se po të mos i kishim vënë këto rrethoja hekurash, ajo nuk do të shpërthente, nuk do të vinte këtu dhe me shputën e saj ta përmbyste këtë tempull demokracie?

Gojëtari, përpiqet të ndërhyjë

Kush ia fut masës? Po deshi Zemëraku, mund të bëhet pjesë e saj kur të dojë… Pastaj, nuk ia fusim dot as atij…

Zemëraku, i fyer, kërcen nga vendi dhe i përplaset në fytyrën e tronditur të Gojëtarit

I paskrupullt! Je bërë hajn edhe i hajnisë sonë kolektive të kësaj trupe! Masa flet keq për ty dhe jo për mua! Kemi vënë rrethoja të hekurta vetes, kurse masa këtë rrethojë e ka bërë ekspozitë vdekjesh të moralit tonë degjenerik… Rrijnë në këto rrethoja fotografitë e njerëzve tanë të zhdukur nga bisha pushtuese dhe ne, as i vërejmë e as na intereson t’i vërejmë këto stoli tragjike. Me vite të tëra e kemi lënë këtë ekspozitë tragjike në diell e shi, në dëborë e klithma dëshpëruese e dhembje nënash…

Mamuti, përplasë celularin e tij mbi tavolinë

Mjaft! Ti qenke bërë i çmendur fare! Pushtetar i dikurshëm, ma sill këtu Kryetullacin 1! (Pushtetari i dikurshëm me të shpejt ngrihet, hap derën dhe del). Këtu nuk është vendi për qenie kaq njerëzore…

Zemëraku, edhe më i mërdhezur

Silli këtu të dy kryetullacët e tu se më mut nuk bëhet! Dhuna ndaj meje do t’ju ndotë edhe më shumë, kurse unë do të shpërlahem nga e keqja e deritashme. Dhembjet fizike shërohen, pafytyrësia juaj kurrë…

(Kthehet Pushtetari i dikurshëm bashkë me Kryetullacin 1. Ky i fundit shihet krejtësisht i krekosur dhe kërcënues. Mamuti përpiqet të ngrihet nga kolltuku, por e kapë përnjëherë një shtërzim marramendës dhe shembet përsëri në ulësen e tij. Truzori, duke mbajtur kokën me të dyja duart, ndërhyn me vështirësi)

Truzori

Zoti… Ma…mut, nuk muuund t’ia dalim pa… Zeeeemëraaakun! Tashmë ai është mërdhezur deri në pëlcitje…

Mushkërizeza, bie nga fotelja në gjunj

Nuk marrë frymë dot! Hapni dyer e dritare! Le të hyjë flladi… Hiqni edhe rrethojat!

Gojëtari, përpiqet të nxjerrë diçka nga xhepat. Nxjerrë një tubë parashë dhe i fut në gojë, mes dhëmbëve

Këto të shkreta nuk mund as t’i ha. Nuk më punon gojaaaa… goooja…

Anusi, ulet me të shpejtë në dysheme dhe fërkon atje prapanicën

Zemëraaak! Të… lutem… Qetësohu… Ma…muti s’e pati seriozisht…

Mamuti, urdhëron me dorë nga Kryetullaci 1që të dalë jashtë

Dil jashtë!... (Zemërakut) U bëra kaps idiot! As humorin s’e kupton… Eja, ulu pranë meje!

Pushtetari i dikurshëm, qëndron kokëvarur i këputur fare

Vetëm te unë, edhe pse shpresova, hidhërimi i Zemërakut, nuk bëri asnjë punë. Sa qejf pata të më ngrihej… tensioni dhe të ndihesha si dikur…

Mushkërizeza, duke flladitur veten me duar

Të ka vdekur ty pushteti or i kaluar! Kot u përpoqa të të ktheja…

(Ngadalë prapë fillon të bjerë një terr i nëpërdukshëm në skenë. Shihet Zemëraku të afrohet te Mamuti. Në këto çaste edhe të tjerët fillojnë të lëvizin pak më shlirshëm, pastaj mbyllet perdja)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Empty Re: Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 17, 2011 1:38 pm

PAMJA E PESTË

(Para se të hapet perdja, dëgjohen britma të shumta kundër korrupsionit: poshtë korrupsioni, poshtë hajdutët, poshtë mashtruesit… Duam bukë, duam punë, duam dinjitet për vendin tonë. Hapet perdja. Në skenë është ambient gjyqi, ku është renditur një tribunë dhe para saj një foltore e të akuzuarit. Te dera e kësaj salle shihet vetëm Kryetullaci 1. Nga altoparlanti jepet urdhri që të hyjnë brenda pjesëmarrësit. Hyjnë të gjithë pjesëtarët e trupës së pushtetit. Me ta hyjnë edhe Sindikalisti 1 dhe Sindikalisti 2. Zënë vend të gjithë dhe presin të frikësuar. Pas pak dëgjohet zëri nga altoparlanti dhe zhurma që vjen nga jashtë përnjëherë pushon)

Altoparlanti

Në seancën e sotme gjyqësore do të trajtohet vepra e bazuar nga fusha e kriminalitetit të pangopësisë suaj dhe ne, fuqia e natyrës evropiane, pas dëshmive dhe verifikimeve, do të marrim vendim në bazë të dimensioneve të krimit, që solli pangopësia e kësaj trupe pushteti, e cila, në vend të dashurisë dhe përkushtimit për këtë vend, ia thithi gjithë lëngun e rritës dhe të zhvillimit të tij. Dhe ju, siç jeni betuar, do ta thoni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, do t’u përgjigjeni sa më shkurt pyetjeve tona. Le të paraqitet në foltore… Ma…mu…ti!

Mamuti, del në foltore me hapa zvarritës dhe krejtësisht i shtangur

Urdhëroni, zotë…ri… gjyk…atës!

Altoparlanti

Jemi marrë veshë, në bazë të gatishmërisë suaj, që korrupsionin ta sillnit në zero?

Mamuti, duke fshirë djersët nga balli

Po!

Altoparlanti

Jemi marrë vesh, sipas ligjeve, të mos e sillni në zero buxhetin nëse nuk investoni në këtë vend?

Mamuti

Po!

Altoparlanti

Por, ju tash keni zero buxhet në gjithë këtë skamje që i keni krijuar këtij vendi dhe kësaj mase të uritur!

Mamuti, duke u dridhur

Bile jemi nën zero, zotëri gjykatës!

Altoparlanti

Ju keni investuar edhe në blerjen e shtrenjtë, shumëmilioneshe, të heshtjes së fuqisë së natyrës evropiane?

Mamuti, me shtërzime të pakontrolluara

Nuk e kishim menduar se do të përfundonim kështu… Mendonim se edhe ju mund të bliheshit si gjithçka tjetër!

Altoparlanti

E doni ju vendin tuaj?

Mamuti

Po, bile e quajmë nënë!

Altoparlanti

Prandaj, e thithni pangopshëm me kaq dashuri?

Mamuti

I ëmbël është qumështi i saj! Nuk të lë të ngopesh kurrë…

Altoparlanti

E ndien veten fajtor, si i parë që je, për këto që i keni bërë vendit tuaj?

Mamuti

Ndihem fajtor vetëm për mosvigjilencën time kontrolluese të pangopësisë së trupës sime pushtetare!

Altoparlanti

Cilët janë këta, thuaj me emra!

Mamuti, duke shikuar nga trupa e tij

Të gjithë, zoti gjykatës! Ju e dini, sepse i keni bastisur dhe i keni verifikuar veprimet e dashurisë së tyre!

Altoparlanti

I kemi verifikuar edhe veprimet e juaja! Ato janë marramendëse…

Mamuti, mbështetet i tëri në foltore, duke u mbajtur që të mos rrëzohet

Zoti gjykatës! Sa më shumë ka ngrënë trupa ime në grazhdin e buxhetit, aq më i pasur kam qenë edhe unë… Po të mos ishte kështu kaq përfituese kjo trupë, unë ndoshta nuk do të ekzistoja dhe nuk do të mund të dilja kështu siç kam dalë i majmë fare…

Altoparlanti

Ju duhet t’i thoni emrat dhe kahet e korrupsionit të tërbuar të trupës suaj. Në këtë mënyrë bëhesh krah i së drejtës së domosdoshme, me të cilin ju mund ta zbusni në masë të kënaqshme fajin tuaj!

Mamuti, shikon gjithë me radhë dhe shikimin e ndalë te Gojëtari, i cili i bën shenjë të mos flasë

Kështu më kishte thënë edhe fuqia e natyrës evropiane, kur më kishte ofruar marrëveshje përfituese për të dyja palët…, zotëri gjykatës! Nuk e kishim kuptuar ligësinë e provokimeve të tilla të saj… Kjo, në njëfarë mënyre ishte një tradhti e patolerueshme nga ana e saj… Në këtë vend gjithçka mund të durohet e tolerohet, por tradhtia… tradhtia është shumë e dënueshme këtu ndër ne… Masa e popullit mund të durojë edhe urinë, edhe sëmundjen, edhe papunësinë, por tradhtinë nuk e duron dot!

Altoparlanti

Zotëri! Nuk je aty të mbashë ligjëratë të pamoralshme për moralin! Thuaj emrat!

Mamuti, hap sytë i shashtisur, dridhet i tëri dhe për një çast kalamendet dhe duket sikur po rrëzohet

Zotëri gjykatës… unë… me përgjegjësi të plotë do të bëhem… do të bëhem krah juaji. Ju premtoj, se do të përpiqem që të gjitha fajet t’i sjellë në zero… Më falni se desha të them korrupsionin… në zero, nëse nuk më lëvizni nga këtu ku jam… nga ky post…, që ka lindur vetëm për mua…

Altoparlanti

Natyrisht, zoti Mamut, natyrisht!

Mamuti, duke marrë një qëndrim mburrjeje

Zotëri gjykatës, Truzorit i duhej ta ushqente trurin sa më mirë dhe sa më shumë, sepse vetëm kështu bëhej i zoti të sillte në tryezën e pushtetit projekte të rëndësishme, me të cilat parashihte se si këtë vend brenda këtij mandati ta shndërronte në pisllëk e fukarallëk, ku fuqia e natyrës evropiane do të detyrohej sa më shpejt të ikte prej këtu. Gojëtari… Ah, zoti gjykatës, Gojëtari…

Altoparlanti

Për këtë e dimë… kalo te tjetri!

Mamuti, me zell

Anusi, zoti gjykatës, është shumë i zhdërvjelltë në planifikimin e hileve, të cilave aq mirë iu shërben. Në opinion vazhdimisht paraqitet serioz dhe vetëm herë pas here, kur e shqetësojnë hemorroidet, humb taktikën e përsosur të hileve dhe hapet i tëri. Megjithatë, mbetet shumë perfid, sepse gjithë shumëllojshmërinë e përfitimeve e shpërndan nëpër kontot e farefisit të tij.

Altoparlanti

Po, tjetri?

Mamuti, gjithnjë me zell vardisës

Kush tjetër? Ah… Më falni, zoti gjykatës. E kuptova. Zemëraku përfitimet i mbulon me pendesë, por nuk ndalet, Gjaknxehti, si gjithnjë prihet nga murmurima të brendshme dhe nuk ia del kush ta ndalë derisa të shteron gjithë atë që ka për të marrë… Mushkërizeza është dëfrimi ynë dhe stoli e pushtetit tonë, ndaj, përveç hises së saj në magjen e shumëllojshmërisë përfituese, merr dhe përiqndje të larta edhe nga përfitimet tona, si kompensim për sharmin e saj të çasteve tona intime. Jam i sigurt se edhe fuqia e natyrës evropiane e ka provuar sharmin e saj marramendës të vardisjeve deri te qëllimi…

Altoparlanti

Përse të gjitha këto për Mushkërizezën nuk i keni theksuar në deklaratat e juaja, që i keni deponuar sipas kërkesës sonë?

Mamuti, duke levizur kokën çortueshëm në drejtim të Truzorit

Nuk lejoi xhelozia e Truzorit, zoti gjykatës… Të vazhdoj?

Altoparlanti, me vonesë

Vazhdo, por mos u ndal te Pushtetari i dikurshëm, sepse të gjitha informacionet për trupën tuaj i ka ofruar me kohë… Ai tashmë qëndron i varur…

Mamuti, e shikon Pushtetarin e dikurshëm me habi

Në këtë gjykatë, zoti gjykatës, gjenden edhe dy sindikalistë, parimet e të cilëve ne i kemi blerë me çmime fare simbolike, me qëllim që në sheshet dhe rrugët tona të mbretërojë qetësia e plotë… E kishim parasysh se vetëm duke e krijuar kështu qetësinë, masa jonë e dashur, do të arrijë të vetëkënaqet dhe të ndihet mrekullueshëm me lirinë që ia ofruam për të qenë të heshtur…

Altoparlanti

Sa ishte ky çmim simbolik, siç thoni, për këta dy sindikalistë?

Mamuti, ngreh zërin për të treguar vullnetin e tij bashkëpunues

Aq sa e ka rrogën një mësimdhënës a një mjek, zoti Gjykatës!

Altoparlanti

Sa është kjo, po ju pyes!

Mamuti

Të lartë e kanë rrogën, zoti Gjykatës. Nga 250 euro në muaj marrin…

Altoparlanti

E, një deputet sa e ka rrogën mujore?

Mamuti

Të ulët e kanë, zoti gjykatës! Marrin pesëfishin e rrogës së mësimdhënësit, të mjekut, a të policit… Por, duhet të theksoj se deputetët janë shumë të angazhuar dhe, ju them, nga lodhja e madhe që përjetojnë në këto poste, i sheh gati të gjithë të flënë në mbledhjet e tyre … Vetëm aty arrijnë të pushojnë…

Altoparlanti

Mirë, atëherë! Jeni të lirë për disa çaste, derisa gjyqi të marrë vendim… Braktisja e gjykatorës pa lejen tonë është e dënueshme!

(Pas kësaj, Mamuti bie në gjunj, duke gjëmuar pa kontroll. Anëtarët e tjerë të trupës nisin të lëvizin nëpër skenë të frikësuar. Vetëm Truzori qëndron ulur. Gojëtari përpiqet të nxjerrë diçka nga xhepi i sakos, pastaj heq dorë dhe merr pjesën e përparme të sakos dhe me të fshin djersët nga balli. Mushkërizeza shtrihet në skenë, por asnjëri nga trupa nuk i ofrohet. Sindikalisti 1afrohet te buzëskena dhe i drejtohet publikut, një herë me duar, pastaj flet)

Sindikalisti 1

Mamuti gënjeu. Ai vazhdimisht gënjen… Nuk më ka blerë dhe s’ka çmim që mund ta blejë heshtjen time për kërkesat e punëtorëve dhe të papunëve… Një herë, vetëm një herë, ma kanë dhënë një zarfë me 500 euro… Më asnjëherë!

Sindikalisti 2, ngutet të dalë edhe ai para publikut

Nuk është kështu siç thua, jo! Ke marrë nga 250 euro për çdo muaj, përveç atyre 500 që i more në fillim, që ta heshtje protestën dhe që atëherë nuk t’u ka ndier zëri dhe nuk je parë më në shesh… Mos gënje, sepse të gjitha t’u kanë paguar në konton tënde…

Gojëtari, i drejtohet trupës

Punë e madhe nëse edhe më dënon gjyqi… Kam tash aq shumë sa nuk e lodhë bythën edhe kur të mos jem më pjesë e kësaj trupe… Tash, jo vetëm unë, por të gjithë ne jemi dhe do të mbetemi të fuqishëm me namet e arritura nga shumëllojshmëria e përfitimeve… Jemi pajisur me grada të larta shkencore dhe gjithë brezat e rinj përsëri do t’i kemi në grusht… Ne tash shtrihemi me kapitalin tonë, jo vetëm në gjeografinë e këtij vendi të vogël, por edhe në shumë vende të dalluara parasajsh nëpër botë… Nuk më dhembë anusi për vendimet e këtij gjyqi!

Truzori, ia mbyllë gojën me dorën e tij të majtë

Hesht! Mund të të përgjojë gjyqi! Me këtë që e thua, po e vërteton akuzën… Ne duhet të shtiremi sikur në udhëheqjen e kësaj kupolle, të këtij vendi dhe të kësaj mase të cfilitur, ishim të papërvojë ndërtimi e zhvillimi, se e kemi për herë të parë përjetimin e lirisë së shfrenuar të demokracisë së kapitalizimit të vetvetes… Se e kemi lënë masën në kënetën e kënaqësive tona pikërisht se kemi menduar se ashtu duhet të lihet ajo, sepse është mësuar të vuaj dhe se ne jemi frikësuar se po t’ia zhvillonim mirëqenien, do t’ia prishnim traditën e vuajtjes së saj…

Gojëtari, miratueshëm

Mirë i shpjegon këto gjëra, Truzor! Me këtë perfiditet të jashtëzakonshëm hileshë, do të duhej të ishe i pari ynë dhe jo ai… (bën me dorë nga Mamuti).Thua të më ketë dëgjuar gjyqi?

Truzori, me llastim

Nuk e di! Prit! Ndoshta është më mirë të të ketë dëgjuar! Edhe një herë do të merrte veshë për fuqinë tonë të kamjes pa kufi dhe mund të rrëzohet edhe gjyqi nga një lakmi a shpresë e tillë… Ndoshta…

Gjaknxehti, duke iu afruar Truzorit dhe Gojëtarit me një hap nervoz ushtarak

Kutërboi rëndë Mamuti në këtë gjyq! Nuk më pyeti mua Gjyqi se do t’ia tregoja unë vendin këtij unë… Ai do të na vorroste të gjallë në dheun e kësaj toke dhe para këtij gjyqi të fuqisë së natyrës evropiane, që të shpëtonte vetë dhe të vazhdonte të ishte i parë! Ndotësirë, se jo pak!

Truzori, me gishttin e vet tregues mbi buzë

Më bëhet se nuk u bë një gjyq serioz… Kujtoj se ky u bë, jo shumë për ne, por për vetë fuqinë e natyrës evropiane, sa për të treguar atje aktivitetin e saj mbikëqyrës mbi ne në emër të rrëzimit të përgjithmonshëm të korrupsionit dhe të krimit…

Gjaknxehti, si i tërbuar dhe me zë të lartë

Për çfarë krimi, ore?! Se mos kemi vrarë ne dikë që të quhemi kriminelë?

Zemëraku, nga larg

Pak të duket se kemi vrarë përditë masën tonë të përvuajtur?

Gojëtari, me tallje

I kërcet bytha fuqisë së natyrës evropiane për masën tonë! Nuk na kërcet neve, që jemi pjellë e saj, e lëre më kësaj fuqie…!

Truzori, lëvizë nga vendi dhe drejtohet nga pjesa tjetër e trupës

Heshtni! M’u bë se dëgjova diçka endej (bën me dorë nga altoparlanti. Të gjithë shikojnë andej)

Mushkërizeza, prekë Anusin

Jo, ore! Ia plasi një pordhe Anusi! Iu ka hapur fare…

Mamuti, duke shtrënguar barkun

Ky gjyq, jo vetëm më çmendi mua, por i çmendi edhe pordhët e Anusit!

Sindikalisti 1

Betohem në këtë tokë dhe në këtë vend se më nuk do të arrini ta korruptoni misionin tim sindikal! Jo vetëm ju, që sot, me vendimin e gjyqit të fuqisë së natyrës evropiane, do të perëndoni, por as të tjerët që do të vijnë pas jush! Betohem në fuqinë e urisë së masës, të cilës do t’i prijë tash e tutje!

Mamuti, duke shtrënguar barkun gjithnjë, ia plas gazit

Ha, ha, ha! Ju, edhe po të fitoni, kështu varfënjakë siç ju kemi lënë, do ta pësoni! Mendon ti se fuqia e natyrës evropiane ia ka ngenë të bie aq poshtë sa t’u mbajë juve? Ju duhet ta mbani atë dhe, që të arrini këtë, duhet të veproni sikur ne. Të përfitoni shumë, që të keni mundësi t’i jepni asaj edhe më shumë…

Altoparlanti

Ju lutemi, zini vendet!

Mamuti, me një stërkeqje lutëse

Unë, zoti gjykatës, duhet të zë vend në foltore?

Altoparlanti

Jo, jo! Secili në vendin e vetë!

(Bëhet rrëmujë derisa trupa ngutet të zërë vend, duke shtyrë njëri-tjetrin)

Altoparlanti, kur trupa më në fund zë vend dhe pushon zhurma

Tash ngrihuni në këmbë të gjithë! (Përnjëherë ngrihen të gjithë në këmbë).Pas hulumtimeve të shumta dhe precize të fakteve dhe të dëshmive mbi korrupsionin e krimin e organizuar, Gjyqi i fuqisë së natyrës evropiane merr këtë vendim: (Krijohet një pauzë. Mamuti, Gojëtari dhe Mushkërizeza mezi qëndrojnë në këmbë. Zemërkau lag buzët e thara me gjuhë, kurse gjaknxehti kërcen mbi këmbët e veta. Sindikalisti 2 mbanë kokën poshtë, kurse Sindikalisti 1 mbahet krenar dhe një gëzim i lëvrinë nëpër fytyrë)Mamuti lirohet nga akuzat dhe ngarkohet me obligim e përgjegjësi të plotë ta luftojë edhe më me zell korrupsionin! Gojëtari, po ashtu, lirohet nga akuza, sepse është treguar bashkëpunues i zellshëm me fuqinë e natyrës evropiane. Zemërakut, Mushkërizezës, u hiqen akuzat, por nga këta kërkohet që të jenë më bashkëpunues me ne. Anusi, edhe pse është së tepërmi lakmitar perandorishë, lirohet po ashtu nga akuzat për shkak të vullnetit të tij të mirë si shërbyes i devotshëm i trupës, të cilën e shliroi sa herë ajo pati nevojë. Gjyqi, po ashtu, merr vendim që Sindikalisti 2 të dënohet me 50 euro gjobë për marrje ryshfeti të madh, kurse Sindikalisti 1 dënohet me pesë v jet heqje lirie, sepse e ka fyer misionin e vet sindikalë me një korrupsion banal. Përveç Sindikalistit 1, të cilit menjëherë t’i vihen prangat, të tjerët janë të lirë!

(Shpërthejnë britmat e trupës nga gëzimi dhe, nëpër këtë zhurmë, që vjen duke u shtuar me rënien e një terri sistematik, hyjnë dy veta në skenë, e prangosin Sindikalistin 1dhe në këto çaste ulet perdja).

Prishtinë, 2008 - 2010
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë) Empty Re: Sylejman ALIU:Kupola e lumturisë-Magjia e mashtrimit(Dramë)

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi