Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Xhesika Vula:Kah po shkon Etnikumi Shqiptar?

Shko poshtë

Xhesika Vula:Kah po shkon Etnikumi Shqiptar? Empty Xhesika Vula:Kah po shkon Etnikumi Shqiptar?

Mesazh nga Agim Gashi Thu May 19, 2011 7:45 pm

Xhesika Vula:Kah po shkon Etnikumi Shqiptar? 41501_1639025407_3357_n
MODEL I DËSHTIMEVE KOMBËTARE DHE SHTETËRORE.........ANARKIA POLITIKE

Xhesika Vula:Kah po shkon Etnikumi Shqiptar?

Politikat kombëtare dhe shtetërore, po bëhen nga njerëz jo vetëm profesionalisht të dështuar…

I

Në aktualitetin e sotshëm demokratik - modern, rrallë ndodh që politikat e domenit të lartë kombëtar apo shtetëror të bëhen kuturu dhe, papërgjegjshëm. Po të kthehemi në histori, e shohim që politikat kombëtare dhe shtetërore të popujve dhe vendve të ndryshme janë bërë gjithmonë me sens dhe, nga nivele të larta. Madje, edhe përpara pesqind - njëmij viteve! Ani që historikisht s’ka pasur transparencë dhe ato janë zhvilluar prapa kulisave (diplomacia sekrete), larg opinioneve (kancelaritë sekrete), shumëçka është bërë nga institucione të caktuara - profesionale, nga persona të autorizuar në nivelet më të larta kombëtare - shtetërore etj. Padyshim, edhe sot një numër i madh nga politikat kombëtare dhe shtetërore projektohen, organizohen, stukturohen nga shërbime të ndryshme të hapëta dhe të fshehta, nga mekanizma të sigurisë, nga këshilla kombëtare etj. Por çka ndodh në hapësirat shqiptare? Ka së paku dy dekada që politikat kombëtare dhe shtetërore janë bërë dhe bëhen paushall, janë bërë dhe po bëhen nga njerëz jo vetëm profesionalisht të dështuar por, edhe të goditur nga intereset personale, grupore, klanore etj. Politikat tona kombëtare dhe shtetërore ka dy dekada që janë bërë dhe po bëhen (krejt e pabesueshme), edhe nga të ashtuquajtur persona partiakë, nga profiterë të ndryshëm ekonomik, nga organizata të ndryshme civile, fetare, hulumtuese (qendrat e të cilave organizata as nuk janë në hapësirat tona), nga media dhe faqe interneti të financuara prej qendrave të dyshimta, nga kruzhoqe politikash dhe ideologjishë bastarde…! Thënë pa kortuazi, politikat tona kombëtare dhe shtetërore kruciale janë bërë dhe po bëhen madje, edhe nëpër debate të ndryshme, tryeza, seminare nga njerëz të pa thirrur, nga analistë të dështuar politik, nga njerëz tërësisht jo kompetent. E keqja e pariparueshme qëndron në atë që politikat tona kombëtare dhe shtetërore, janë bërë dhe po bëhen edhe koluarave, kafeneve, kthinave të fshehta ku tymon egoja amorale dhe fizicumi i ndyrë. Më e keqja e gjithë të këqijave është fakti që politikat tona kombëtare dhe shtetërore, janë bërë dhe bëhen disa herë edhe nga persona që s’janë dëshmuar asnjëherë për saktësi mendimi dhe veprimi. Pse? “Vizionet” e tyre (disa herë të shkalluara për nga mendimi, projektimi, qëllimi), janë bërë dhe po bëhen në dimensione kontradiktore: në atë të qëllimeve përfituese - preverze dhe, në atë të dyshimeve shumëdrejtimëshe!

Ç’bën politika në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup…?
II

Pse janë këto zhvillime apsurde, diletante dhe që s’po përfundojn asnjëherë…? Mos vallë, këto realitete janë pashmangshëm paradokse të vendeve të pazhvilluara, të vendeve rurale - shtetërore, të vendeve në tranzicion apo paradokse të çuditshme të gjendjeve të trashëguara jo emancipuese, jo edukative, jo civilizuese. Mos vallë, këto realitete janë paradokse të rëndomta të gjendjeve postraumatike individuale, shoqërore, kombëtare të shkaktuara nga sistemet, ideologjitë, robëritë e thella ? Mos janë këto paradokse të shoqërive me identitete të ngatërruara shekullore, me tradita të përziera etno - kulturore, me gjuhë, me zakone dhe me shumëçka tjetër të deformuar nëpër kohë si pasojë e okupimeve tragjike - asimiluese? Apsolutisht, janë të gjitha ngapak. Nuk ka shpjegim tjetër! Prandaj, ka shumë fakte që na shtyjn të besojmë se dy dekadat tona të fundit, në vend të zhvillimit kolektiv kanë quar në regrese të paparashikuara, në stagnime gjithandej, në përplotë deformime dhe kriza të brendshme - kombëtare. Po përmend prandaj disa segmente aspak pozitive të këtyre dy dekadave më t’fundit ku si te asnjë popull dhe si te asnjë vend, është dashur të klasifikohen apriori si dekada politiko - strategjike - kombëtare. E para, unifikimi etnik nga pikëpamja e mentalitetit dhe e identitetit tonë kolektiv - kombëtar, nuk ka ardhë si dukuri e domosdoshme ( pozitive) e rinjohjes, e kooperimit, e bashkpunimit përkundrazi, janë diktuar e shfaqur deformime të mëdha dhe ndasi që vazhdojn të thellohen. Pastaj janë shfaqur t’kurje etno - nacionale, ndarje, cikle mospajtimesh të degjeneruara e të nxitura nga pikëpamjet individuale, grupore, krahinore. Këto apsurede, janë shprëndarë nga aktivizimet e koncepteve të politikave të dyzuara, të politikave ç’integruese - partiake, të politikave konfliktuoze kulturo - fetare, të politikave të deformuara gjuhësore, të politikave të adoptuara dhe të importuara partiake – shtetërore etj. Apsolutisht, integrimet politike dhe administrative kombëtare - shtetëore janë bërë fare pak, bazuar në zhvillimet integruese euro - ballkanike. Kanë qen të kuptueshme këto ndarje deri në vitin 1990, ngase ne jetojm në disa shtete të Ballkanit mirëpo, disa segmente sot janë të mundshme të realizohen pa e trazuar asnjë “djall” që njohim ! Dhe është shumë befasuese që as dje dhe as sot, nuk ka integrime domethënëse kombëtare në arsim, në kulturë, në media, në arte, në sport etj. Integrime ekonomike, po ashtu ka fare pak. Tri shtyllat kryesore të etnikumit shqiptar ( gjuha, teritori, gjaku ), mbesin edhe më tutje të margjinalizuara dhe nën ndikimet e politikave ditore të brendshme, rajonale dhe më gjërë. Bile, mbesin edhe të nënçmuara dhe të goditura nga vet ne, nëse e kemi kuptuar pakëz dhe drejt realitetin e ri evro - ballkanik të krijuar mbi patosin integrues - global, e që me shpejtësio marramendëse evoluon.

Ç’bën politika në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup…? Soditë atdheun nga plazhet, nga zyrat, nga kafenetë, nuk ka invencion politik, dije, energji për t’i drejtuar problemet kruciale kombëtare dhe shtetërore, apo ka të tjera punë…? Gjërat, aspak nuk janë në rregull. Pasqyra, ajo që e duam, po ndryshket nga fenomenet dhe dukuritë e ndryshme që s’po kanë të sosur…! Shfaqjet e shumë fenomeneve dhe dukurive të njohura dhe të panjohura deri dje, po kthehen në përditshmëri. Nga t’ia fillojë së numruari…? “Trinomi” i besimeve tona, një eveniment yni kombëtar i panjohur në botë për nga cilësia, qëndrueshmëria, për nga mrekullia e ekzistimit ndër shekuj ( bashkjetesa fetare ), po shkatrrohet si akullnaja në polin e veriut. Kush po i denigron dishepujt tanë ( Skënderbeun, Nënen Tereze, Kadarenë…), dhe në emër të kujt ? Kush po e ndanë Rilindjen Kombëtare në luftëtar të saj “të krishterë”, dhe në “luftëtar” të saj “mysliman” ? Kush po e ndanë letërsinë, muzikën, shkollën shqipe në “të krishterë” dhe, në “orientale - islame” ? Kush i mbushi dhe kush po i mbush rrugët e Romës, të Athinës, të Prishtinës, të Tiranës dhe të dhjetra qyteteve të tjera evro - ballkanike me prostituta, me dilerë të drogave, me narkomanë…? Pse në vend se të pakësohet, ikja e shqiptarëve nga trojet e tyre po rritet edhe sot, si para vitit 1999? Ç’bën politika në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë dhe, a është marrë ndonjëherë në mënyrë të përbashkët që të studioj dhe të analizoj këto fenomene që e shpopullojn atdheun përditë? Si është e mundur që edhe pas 18 vite të tranzicionit në Shqipëri, në Greqi të kemi një diasporë ( siç përfolet ) me rreth 600.000 shqiptar? Si është e mundur që 8 vite pas çlirimit të Kosovës, të kemi një diasporë me më shumë se 500.000 shqiptarë? Po nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia Jugore sa shqiptar ka të emigruar…? A po dehumanizohet, tëhujësohet, asimilohet diaspora shqiptare gjithandej, nëpër botë ? E pafalshme për politikën kombëtare dhe shtetërore, duhet të jetë kjo gjendje. Ç’bën politika shqiptare: fut rruza të kuqe në pe, apo i bie lahutës? Tjetra: fenomeni i ngatrresave dhe i delikuencës në vend se të pakësohet, rritet në shkallë shqetësuese. Gjakmarrja, një akt primitiv është shtuar në masë të tmerrshme, sidomos në Shqipëri. Fenomenet e krimit të organizuar përhapen si këpurdhat pas shiut gjithandej, si të mos kishte fare politika dhe mekanizma të sigurisë, polici, shërbime sekrete, institucione edukative, shkolla etj. Ç’ka është më e keqja, po rriten radhët e atyre që s’din shkrim - lexim padyshim, si rezultat i politikave ad - hoc të shkollimit dhe të punësimit, të mirëqenies, të perspektivës. Pse kjo gjendje në shkallë kombëtare, bazamenti i së cilës nuk është analaziuar asnjëherë me seriozitet në parametrat e duhur - vlerësues në trekëndëshin e lartpërmendur? Dhe, pse nuk analizohet…? Pse ky stagnim shumëdimensional, ndërkohë që deformimet shoqërore dhe kombëtare janë duke prekur edhe segmentet tona të ndryshme intelektuale, familjare, qytetare? Ç’është kjo zallahi kombëtare dhe shtetërore ? Qeverisjet tona, administratat, institucionet publike, mekanizmat e ndryshëm komunal dhe shtetërorë frymojnë me tone të padisciplinuara, frymojnë me logjikën e papërgjegjësisë, të shkeljes së ligjit, të nepotizmit, të korrupcionit. Kemi hyrë në një rreth vicioz, në një zonë të errët ku në mbrëmje bie në gjum i varfër, dhe në mëngjes zgjohesh milioner ! Kemi hyrë në një rreth vicioz, në një zonë të errët ku në mbrëmje bie në gjum pa diplomë, dhe në mëngjes zgjohesh magjistër apo, doktor shkence ! Kemi hyrë në një rreth vicioz, në një zonë të errët ku në mbrëmje bie në gjum si nëpunës kurse në mëngjes zgjohesh drejtor, apo diplomat ! Kemi hyrë në një rreth vicioz, në një zonë të errët ku në mbrëmje bie në gjum si aktivist partiak, kurse në mëngjes zgjohesh si këshilltarë politik, si ambasador apo, edhe si ministër !

Politikanët tanë, kur e kanë ngusht… kur u soset pushteti u kthehen problemeve, akuzave, historisë, lajkave …
III

Nuk ka kështu askund, dhe kjo zallahi qeverisëse e nivelit kombëtar dhe shtetërorë është diametralisht në kundërshtim me rendin e ri demokratik, me qeverisjen demokratike, me parimet demokratike të shtetit dhe të shtetshmërisë, me përvojën dhe profesionalizmin. Është në kundërshtim edhe me politikat euro - ballkanike që janë synime dhe parime kruciale të NATOS-s, UE-së etj. Gjithçka në këtë botë është krijuar sipas kohës dhe rendeve, mjafton ta shohim natyrën dhe fenomet e saja aq të mrekullueshme se si funksionojn në mënyrë aq perfekte. Prandaj, idetë e marra dhe projektet apsurde të politikave që na kanë bërë të flasim përgjumshëm, duhet të flaken për t’u zënë koha dhe për t’u sanuar pasojat për të cilat sot, s’jemi gjithaq të vetëdishëm. Por çfarë bën politika, çfar bëjn njerëzit kryesor të saj, qeveritarët tanë? Fillimisht, ata deri sa nuk i arrijnë qëllimet e tyre, domethënë deri sa nuk ngjiten në krye të pushtetit me gjithfarë lajkash e mashtrimesh na shfaqen si engjuj dhe sapo ngjiten lart, i kthejn shqelmat elektoratit dhe ligjit të cilin vet e miratojnë me kollaj. Në këtë mënyrë, ata forcohen papërgjegjshëm dhe në mënyra joparimore, pa i penguar ligji dhe pa i dhënë përgjegjësi askujt. Kur forcohen mirë, s’ka kush që i zbret nga pushteti. Ndërkaq kur fshihen apo ikin nga aferat që i bëjnë, kur e kanë ngusht, kur u soset pushteti u kthehen problemeve, akuzave, historisë, lajkave dhe janë në gjendje ta kallin elektoratin, ligjin, atdheun vetëm që t’u shmangen prangave. Paradoksalisht, kësisoji gjoja bëhen të zëshëm, konsekuent, parimorë në luftimin e së keqës! Por në të shumtën e rasteve, janë vet ata që i kanë projektuar dhe gatuar deformimet, keqpërdorimet e pushtetit, janë vet ata që janë pasuruar në emër të popullit dhe të pushtetit. Dhe ata si gjenë gjë përkundrazi, ata që pësuan m’u nga politikat e tyre të çmendura “fshijnë lamen”, siq thotë populli! A ju kujtohet “17 marsi” në Kosovë, apo, “Gërdeci” në Tiranë ? Ç’ishin këto mandata ? Nga erdhën, si u projektuan, si ndodhën…? E çuditshme: më shumë stepen në të këtilla raste ata që me të drejtë janë thirrur dhe të emëruar për ta zbatuar dhe mbrojtur ligjin, për ti luftuar paradokset dhe deformimet shoqërore e kombëtare, kriminalitetin se sa ata që e kanë bërë të kundërtën !

Skena politike kombëtare, shtetërore… gjallon me shumë paradokse
IV

Mbase edhe jemi bërë gaz i botës ose po bëhemi, edhe nuk e kemi parë mirë këtë fakt. Logjika e njejët (me pak ndryshime), vazhdon të na sundoj në këso mënyra si në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup. Skena politike kombëtare, shtetërore, partiake, kulturore, ekonomike gjallon me shumë paradokse, po të njejëta. S’bëhen dot bashk tre shqiptar, ose bëhen vetëm kur janë në rrezik apo, kur strukturojn përfitime të paligjshme - ordinere. E kundërta: thirrjet për ndarje të ndryshme, debatet banale, konceptet politike nga më injorantet na kanë sjellë në sfinksin e dilemave të pafundëta. E para, jemi vërtetë apo s’jemi një komb kompakt, së paku, shpirtërisht. E dyta, pse gjith kjo shtjellë e ftohjeve të brendshme, e mosbashkpunimeve, e dyshimeve…? Po bëhen gjithnjë e më dominiuese konceptet për administrata të ngurta - ç’integruese, për kultura të ç’thurura dhe të përqara, për gjuhë të shkallmuar shqipe, për ekonomi të centralizuar - krahinore, për politika të thella divergjente - kombëtare etj. Dominimet e kulturave dhe civilizimeve nga më të ndryshmet ndërkomëbtare, në vend se të shfrytëzohen si përparësi e zhvillimit të brendshëm (shoqëror dhe nacional), po na gllabërojn në mënyra gati tjetërsuese. Rrënimi i shtyllave nacionale, identiteti, historia e civilizimit tonë nga më të vjetrit në botë bëhet çështje ekzistenciale. Bëhet çështje ngase diletantët sigurojn ca para në xhep, sigurojn një diplomë gjshtmuajshe, bëjn ndonjë institucion medial, shkruajn ndonjë libër, flasin ndonjë gjuhë të huaj dhe, hajt bacë: marrin kazmën në dorë si në kohën e bolshevizimit dhe, turren gjithandej në rrnim të vlerave më sublime fizike dhe shpirtërore të civilizimit tonë. Ç’janë me mijrëa organizata joqeveritare të huaja që na kanë vërshuar nëpër hapësirat tona kombëtare( nga lindja e perëndimi) , destinimet e të cilave janë disa herë jo vetëm ç’orientuese por, edhe rrënuese ? Një mik imi mjaft i informuar mirë, më thotë një ditë që një nga shtetet e mëdha dhe të fuqishme të botës, ka të instaluara pikërisht në Kosovë rreth 70 % të të gjitha kapaciteteve të veta ( të të gjitha niveleve), në shkallë rajonale. Po të tjerët, ta zëmë vendet që janë të disponuara shumë armiqësisht ndaj nesh, ç’kapacitete kanë të instaluara në Kosovë, gjithandej në Shqipëri, në Maqedoni dhe kudo ku jetojnë shqiptarët…? Pse vallë…? Kushedi, por mbase është “edhe vendi, po edhe kuvendi”! Por edhe për faktin që politikat tona në shkallë kombëtare apo shtetërore bëhen kuturu dhe, papërgjegjshëm. Nuk mendoj që duhet shkaktuar panik, frikë, dekurajime për asgjë të kësaj bote aq më pak kur ne si popull dhe si shqiptar, kemi kaluar nëpër krajatat - gologtë të historisë dy mijë vjeqare dhe, kemi gjëlluar disi. Mirëpo, ç’rol ka politika në thelb: të orientoj apo të ç’orientoj, të integroj apo të dezintegroj, të zhvilloj apo të shkatrroj, të bashkoj apo të ndaj, të organizoj apo të përfitoj, të lëvizë apo të vendnumëroj ? Ka shumë anarki dhe çoroditje të brendshme - kombëtare sa, s’është me rëndësi se në cilat hapësirë shqiptare ndodhin ato. Prandaj, thënja e Pashko Vases se, “feja e shqiptarit është shqiptaria” s’do të thotë asgjë tjetër veç faktit se, përpara çdo gjëje tjetër prioritet janë çështjet kombëtare dhe shtetërore. Ku tjetër lidhen më mirë shoqëritë, kombet, shtetet, intereset tona të përbashkëta individuale dhe kolektive, politikat, eknomitë, kulturat, besimet etj. Prandaj qasjet që na shtyjn kah individualitetet tona të pasigurta, jo të frenueshme, të degjeneruara, të thyera dhe të ngulitura në bërthamën e formësimeve egoiste dhe bastarde, qasjet që na shtynë kah prirjet tona grupore dhe shoqërore që të ecim nëpër një lakore të ç’akorduar ( kontradiktore), janë vërtetë për t’u parë me seriozitet dhe, aktualisht edhe për t’u sfiduar me përkushtim nga të gjithë ne. Në aktualitetin e sotshëm demokratik - modern, rrallë ndodh që politikat e domenit të lartë kombëtar apo shtetëror të bëhen kuturu dhe, papërgjegjshëm. Por kudo na mungojnë institutet, agjensitë, qendrat studiuese, zyrat adekuate të politikave publike për qeverisje, për diplomaci, për propagandë - edukim, për hisotirografi, për siguri, për kulturë, për arkeologji, për media etj. Pra pyetja shtrohet: kush - çka ka bërë dhe, kush çka po bën sot nëpër atdhe…? Fenomenet që i njohim dhe të tjerat që s’i kemi njohur deri më tani, po na mbulojnë gjithandej. Janë fenomene të këqija. A ka nvojë për t’i renditur më shumë…? Jo, sepse edhe këto që i përmenda më lart janë mjaft dhe, patjetër që do të vazhdojm t’i paguajm shtrenjtë e më shtrenjtë…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi