Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Xhesika Vula:RRETHANAT POLITIKE QË SOLLËN DERI TE KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910

Shko poshtë

Xhesika Vula:RRETHANAT POLITIKE QË SOLLËN DERI TE KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910 Empty Xhesika Vula:RRETHANAT POLITIKE QË SOLLËN DERI TE KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910

Mesazh nga Agim Gashi Thu May 26, 2011 1:23 am

Xhesika Vula:RRETHANAT POLITIKE QË SOLLËN DERI TE KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910 41501_1639025407_3357_nXhesika Vula:RRETHANAT POLITIKE QË SOLLËN DERI TE KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910 249381_1909173142568_1639025407_1869442_1619397_n
Xhesika Vula:RRETHANAT POLITIKE QË SOLLËN DERI TE KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910
Xhesika Vula:RRETHANAT POLITIKE QË SOLLËN DERI TE KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910 Idriz%20Seferi_26
Historia mijëvjeçare e popullit shqiptar është e mbushur me luftra për mbrojtjen e trojeve të veta etnike dhe për çlirimin e vet kombëtar, ndërsa asnjëherë në histori nuk zhvilloi luftëra pushtuese. Luftërat heroike që zhvilloi populli shqiptar gjatë shek. XV nën udhëhegjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, frymëzuan gjithë brezat që erdhën më pas në kryengritjet e tyre çlirimtare kundër pushtuesve të huaj. Poashtu në lëvizjet kombëtare të shek. XIX emri i Skënderbeut u bë simbol i bashkimit kombëtar të mbarë shqiptarëve në luftën për çlirimin e Shqipërisë e të trojeve të pushtuara shqiptare nga Perandoria Osmane.

Perandoria Osmane nuk i njohu asnjëherë shqiptarët si komb më vete. Ai i trajtoi ata sipas fesë: myslimanët si osmanë, ortodoksët si grekë dhe katolikët si latinë. Përballë kësaj politike që vinte në rrezik ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe të Shqipërisë si atdhe të tyre, patriotët shqiptarë shpalosën qysh në fillim të Rilindjes Kombëtare flamurin e luftës për njohjen e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe për bashkimin e katër vilajeteve në një territor të vetëm administrativ, përkatësisht në një vilajet të vëtem shqipëtar. Gjatë shek. XIX, Kongresi i Berlinit ndau edhe një herë trojet shqiptare për të ngopur apetitet e shteteve fqinje në Ballkan, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Edhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit në qershor 1878, lufta për autonomi vazhdoi dhe çështja shqiptare tërhoqi vëmendjen e fuqive të mëdha.

Pas luftës Osmano - Greke, të vitit 1897, fuqitë perëndimore i përtëritën presionet e tyre mbi Stambollin që të fillonte zbatimin e reformave administrative të kahershme në Maqedoni dhe në trojet shqiptare. Në janar të vitit 1899, në Gjenevë u organizua Kongresi i Maqedonëve dhe Bullgarëve për të kërkuar formimin e një Maqedonie Autonome ku do të përfshiheshin Vilajeti i Manastirit dhe Vilajeti i Kosovës. Si reagim ndaj këtyre ngjarjeve një grup krërësh shipëtar në Kosovë filluan më aktivisht fushatën për ringjalljen e idesë së vjetër të bashkimit të katër vilajeteve me popullatë shqiptare (Kosova, Manastiri, Janina dhe Shkodra) në një Vilajet të vetëm.[1]

Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i njohur si Lidhja e Pejës, i cili zhvilloi punimet në Pejë më 23-29 janar 1899. Kuvendi mori vendime të rëndësishme siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe akti i Besës prej 12 pikash. Kryetar i Kuvendit dhe Komitetit u zgjodh Haxhi Zeka. [2] Perandoria Osmane, e udhëhequr nga Abdyl Hamiti II, i cili fillimisht kishte pamjen e një reformatori, por për shkak të presionit që kishte nga Rusia, Anglia, Austro - Hungaria dhe Franca, të cilët punonin për reformat në favor të popujve të krishter dhe duke përfituar nga shpallja e luftës prej Rusisë, ai e pezulloi kushtetutën dhe u mbështet gjithnjë e më shum ënë hierarkinë fetare myslimane. [3]

Përvoja e Lëvizjes Kombëtare e viteve të fundit të shek. XIX, u tregoi shqiptarëve se një nga rrugët për të larguar rrezikun e copëtimit të vendit ishte përmbysja e regjimit autokrat të Sulltanit dhe vendosja e një rendi të ri kushtetues që të njihte të drejtat kombëtare të popujve të shtypur. Për t’ia arritur këtij qëllimi, atdhetarët shqipëtar hynë në bashkëpunim me Lëvizjen nacional - borgjeze të turqve të rinj (Xhon Turq) që lindi në vitet ’80-ta të shek.XIX dhe drejtohej kundër absolutizmit të sulltan Abdyl Hamitit II.[4] Kjo bëri që kundërshtarët e regjimit të Abdyl Hamitit II më 04 -09 shkurt 1902 në Paris të mblidhen në kongresin e parë të turqve të rinj,[5] që i bashkoi Turqit, Arabët, Kurdët dhe Shqiptarët të cilët veten e quanin Xhonturq. Nga shqiptarët në Kongres morën pjesë: Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima etj.[6]

Megjithate Kongresi nuk pati rezultat, sepse programet e përballë programeve nacionale të shqiptarëve, kurdëve ose Armenëve, viheshin ëndrrat e osmanistëve që e shikonin të ardhmen e perandorisë në një simbiozë të popujve të ndryshëm.[7] Pas përpjekjeve disavjeqarë komitetet xhonturke në Paris dhe Selanik, vendosë që të thirrej Kongrsi i II xhonturk, i cili u mbajt më 27-29 dhjetor në Paris. Në këtë Knogres u mor vendim për organizimin e Kryengritjes së armatosur për rrëzimin e Abdyl Hamitit II.[8]

Revolucioni xhonturk i vitit 1908, ndodhi më tepër për shkak të situatave të brendshme turke, sesa për shkak të problemeve të jashtme të Perandorisë që aspironin për zhvillime të reja Evropiane. Xhonturqit ishin idhtar të një partie reformatore, e cila rrekej ta kthente turqinë në një shtet kushtetutar sipas modelit Europerëndimor.[9] Perandoria Osmane nga pikëpamja ndërkombëtare, arriti kulmin e tij më 1856, kur Kongresi i Parisit rivendosi pushtetin e Sulltanit dhe garantoi territorin e Perandorisë. Por, njëzet e dy vjet pas Parisit, në Kongresin e Berlinit, ata autorizuan copëtimin e territoreve turke dhe sulltani u ndodh në një pozitë shumë të disfavorshme. Qëllimi i Evropës ishte të shpëtonte Turqinë nga kthetrat e Rusisë dhe shumë vjet pas 1878-tës, deri në fillimin luftës së madhe, kabinetet evropiane i ishin përmbajtur politikës së tyre për Lindjen e Afërt, e cila kishte të bënte me integritetin e Perandorisë osmane.[10]

Acarimi i marrëdhënievendërkombëtare dhe angazhimi gjithnjë e më i madh i Austro - Hungarisë, Rusisë dhe Italisë në Turqi, patën ndikim në afrimin e shqiptarëve me Xhonturqit. Shtetet e sapokrijuara të Ballkanit: Serbia, Greqia, dhe Bullgaria, poashtu po bënin përpjekje për aneksimin e trojeve shqiptare.[11] Serbia veçanarisht, kishte përqëndruar tërë veprimtarinë politike dhe diplomatike në përpjekjet e saj për të siguruar përkrahjen e Rusisë, për t’iu kundërvënë sa të ishte e mundur zgjerimit të ndikimit politik të Austro - Hungarisë në Ballkan dhe të çdo aksioni të saj në Kosovë, të nxiste antagonizmin midis Italisë dhe Austro - Hungarisë, duke synuar të nxjerrë fitime për interesa të saja politike.

Diplomacia serbe, e mbështetur në përkrahjen e fortë të diplomacisë ruse, u angazhua në mënyrë të pa ndërprerë për shuarjen e Lëvizjes Kombëtare Shqipëtare, qoftë përmes hapave të vazhdueshme te porta e lartë, qoftë përmes aksioneve të përbashkëta politike me shtetet tjera të Ballkanit. [12] Krahas hapave diplomatike në Stamboll, Ministria e Jashtme e Sërbisë kërkoi nga përfaqësitë e veta në Turqi që ta përdornin gjithnjë vëmendjen në minimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo rekomandonte një varg formash për arritjen e këtij qëllimi: korruptimin dhe bërjen për vete të bejlerëve të mëdhenj që do të punonin në të mirën e synimeve politike të borgjezisë serbe, nxitjen e hakmarrjes dhe vëllavrasjes si dhe angazhimin e personave të përshtatshëm për të likuiduar krerët e shquar. Serbia ishte i vetmi shtet sllav i Ballkanit që u deklarua që në fillim kundër kryengritjes së Kosovës të vitit 1910 dhe ishte e interesuar që ajo të shtypej sa më shpejtë dhe në mënyrë sa më energjike.[13] Popujt e Ballkanit - grekët, shqiptarët, sllavët dhe maqedonët, kishin pikëpamje të ndryshme, që shkonin nga autonomia e deri në pavarësi. Që në dimër të vitit 1908 - 1909, komitët bullgar dhe andartët grekë rimorën armët në një kohë që edhe viset shqiptare po merrnin flakë.[14]

Fitorja e revolucionit xhonturk në vitin 1908 (Hyrietit), ndërhyrja e fuqive të mëdha në Kosovë si dhe gatishmëria e shqiptarëve për të luftuar kundër Sulltanit, ndikuan në thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, i cili u mbajt më 20 korrik të vitit 1908. Kuvendi i dërgoi telegram sulltanit duke kërkuar rivendosjen e sistemit kushtetues të vitit 1876 dhe mbledhjen e Parlamentit, për vendosjen në Perandorinë Osmane të regjimit monarkist, kushtetues e parlamentar.[15] Megjithë përkrahjen që i dha Lëvizja Kombëtare Shqiptare Revolucionit Xhonturk, pas fitores së tyre, sidomos pas thyerjes së kundërrevolucionit të 13 prillit 1909, xhonturqit morën masa brutale kundër zhvillimit të Lëvizjes.[16] Këtyre masave u shtoheshin edhe presionet e fuqive të mëdha të ndara tani në Aleancën tripalëshe dhe të përqara nga rivalitetet imperialiste.

Franca e shqetësuar për fondet që i kishte dhënë hua Sulltanit, mbante qëndrim të rezervuar dhe ua refuzoi një hua xhonturqve, të cilët i referoheshin gjithmonë miqësisë me francezët.[17] Xhonturqit, pasi erdhën në fuqi i shkelën premtimet që i kishin dhënë në pragun e revolucionit të tyre, se do t’u japin të drejtat kombëtare të gjitha kombësive jo turke të Perandorisë Osmane. Përkundrazi, goditjen e parë xhonturqit vendosën tua jepnin shqipëtarëve, të cilët pas revolucionit të korrikut 1908 kishin fituar me luftën e tyre disa të drejta kulturore të kufizuara. Xhonturqit arsyetoheshin sikur ata (shqipëtarët) kishin përkrahur kundërrevolucionin Abdylhamitian të prillit 1909.[18] Ekspeditat e Xhavit Pashës të vitit 1909, taksat dhe tatimet e reja, rekrutimi i detyruar ushtarak, masat për çarmatimin me dhunë të popullsisë, ndjekjet policore kundër klubeve e atdhetarëve shqiptarë, si dhe reaksioni xhonturk kundër shqiptarëve, krijoi dalngadalë një gjendje revolucionare në mbarë Shqipërinë. Përballë kësaj gjendjeje politike, rrethet atdhetare shqiptare bënë përpjekje për bashkërendimin e lëvizjes në shkallë kombëtare.[19]

Ndikim të veçantë pati në vilajetin e Kosovës, sepse këtu arbitrariteti i Stambollit ishte më i shfrenuar se çdo kund tjetër. Acarimi i vazhdueshëm i gjendjes politike çoi në kryengritjen antiosmane, e cila shpërtheu në Kosovë në pranverë të vitit 1910.[20] Pas shpresave të vitit 1908, kur një përfaqësues i parisë, Ismail Qemajli ishte vënë në krye të grupit shqiptar në Parlament, zhgënjimet nuk kishin vonuar. Krahina e Kosovës u ngrit që në mars 1910, e ndjekur shpejtë nga malësorët e veriut nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit që ngriti flamurin e Skenderbeut. [21]

Ismail Qemajli, nga Stambolli jepte udhëzime për organizimin e Kryengritjes. Një veprimtari të dendur patriotike zhvillonin edhe shtypi i kohës dhe patriotët e tjerë jashtë vendit. Grupi i deputetëve shqipëtarë në krye me Hasan Prishtinën nga tribuna e Parlamentit Osman demaskonte politikën xhonturke dhe mizoritë e kryera në Kosovë. [22] Deputeti Hasan Prishtina paralajmëroi se nëse nuk ndryshohej kjo lloj politike, atëherë Kryengritja e përgjithshme do të ishte e pashmangshme. Parashikimi i Hasan Prishtinës u vërtetua dhe nëpër vilajete nisën sulmet masive të popullsisë fshatare dhe asaj qytetare kundër abuzimeve të administratës turke. [23] Në mesin e prillit vitit 1910, në Vilajetin e Kosovës, vijuan të krijohen çeta të armatosura: popullsia po përgatitej për luftë. Pushteti xhonturk, duke parë se ç’përmasa po merrte vala e kryengritjeve shqiptare në Kosovë, dërgoi Shefqet Turgut Pashën me një ushtri prej 16.000 ushtarësh. [24]

Në proklamatën që i drejtoi popullsisë së Kosovës para se të fillonte operacionin ushtarak, Gjenerali Çerkez, Shefqet Turgut Pasha u orvat ta përligjte atë në sytë e popullsisë së revoltuar dhe të bindte Kosovarët se qeveria ishte shtrënguar të dërgonte ushtrinë në këtë vilajet, për të vendosur rregullin e qetësinë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që mbillnin përçarjen. [25] Kryengritësit shqiptar, me të marrë vesh se Shefqet Turgut Pasha kishte nisur një ushtri kaq të madhe, të ndarë në dy kolona, filluan të zinin pozicionet rreth Grykës së Kaçanikut.[26] Isa Boletini kishte tubuar kryengritësit e Shalës, të Llapit, të Dukagjinit e të Drenicës dhe arritën në Llapushnik. Më 15 prill 1910, Hasan Hysen Budakova i rrethit të Prizrenit e Idriz Seferi i rrethit të Gjilanit kishin mbërritur herët në mëngjes, te sheshi i xhamisë në Caralevë. Mbledhjen e kryesoi, Idriz Seferi. Në këtë mbledhje u caktua Këshilli i Furnizimit dhe u vendos që të dërgoheshin në të dy anët e Grykës së Kaçanikut luftëtarë të stërvitur nga të gjitha viset e Kosovës. [27] Idriz Seferi së bashku me kryengritësit e anëve të Gjilanit e të Preshevës i caktua të mbronte Grykën e Kaçanikut nga ushtria Osmane, e cila depërtonte nga Shkupi drejt rrafshit të Kosovës. Më 24 prill 1910, forcat kryengritëse kosovare, të udhëhequra nga Idriz Seferi, e shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut, e ndalën trenin që qarkullonte nëpër Kaçanik, i çarmatosën ushtarët dhe ndërprenë lidhjen kyçe të komunikacionit Shkup - Vilajeti i Kosovës.

Rënia e Grykës së Kaçanikut në dorë të kryengritësve kosovarë pati një rëndësi të madhe, sepse kjo Grykë konsiderohej nga ushtria osmane si një portë drejt pushtimit të tokave shqiptare.[28] Porta e lartë, me të marrë lajmin se Gryka e Kçanikut kishte rënë në duar të shqiptarëve, vendosi të dërgonte akoma më shumë forca në Kosovë për të shuar kryengritjen dhe për ta shtënë në dorë sa më parë Grykën e Kaçanikut.[29] Më 29 prill 1910, kryengritësit shqiptar, afro 3000 - 4000, u gjetën të rrethuar në Grykën e Kaçanikut nga një ushtri elite osmane prej 40.000 ushtarësh. Pra katër mijë kryengritës shqiptar kishin përballë dyzet mijë ushtar turq. Sulmin e parë e filloi ushtria osmane, duke djegur fshatrat Begracë, Stagovë, Runjevë e Vërban, ku mendohej se atje ishin përqëndruar 800 kryengritës shqiptarë për të mbrojtur Kaçanikun nga ana e veriut.

Lufta e rreptë në mes të kryengritësve shqiptar dhe forcave të ushtrisë osmane, filloi më 29 prill 1910. Gjatë tër ditës Gryka e Kaçanikut ushtonte nga gjëmimi i topave dhe nga virgëllima e pushkëve të vjetra shqiptare. Kur malësorëve u mbaroi municioni, lufta filloi fyt për fyti. Pas shtatë orë luftimesh të përgjakshme, ushtria osmane shtiu në dorë stacionin hekurudhor dhe tërë qytetin. [30] Në mesditë e 30 prillit 1910, ushtira osmane me artileri të rëndë dhe 9.000 këmbësor hyri në Grykën e Kaçanikut ndërsa rezistenca vazhdoi deri më 01 maj 1910. Arsyet e kryengritjes së shqiptarëve të vitit 1910 të njëjta me kryengritjet e vitit 1909, pra rezistenca e shqiptarëve ndaj padrejtësive që i bënte perandoria osmane ndaj shqiptarëve në administratë, kulturë dhe në arsim.[31] Me gjithë epërsinë e madhe numerike të forcave armike, kryengritësit i thyen sulmet e tyre. Për dy ditë rresht (më 30 prill - 1 maj) divizioni osman nuk mundi të mposhtte qëndresën e kryengritësve shqiptarë, të cilët treguan aftësi të veçanta luftarake. Forcat osmane të përfshira drejtpërsëdrejti në luftime kundër kryengritësve në Kosovë arritën në afro 30 000 veta. Ushtria osmane pësoi humbje të mëdha. Sipas të dhënave, në betejën e Kaçanikut u vranë disa mijëra ushtarë dhe 90 oficerë osmanë. Shefqet Turgut pasha humbi në Kaçanik më shumë se një të katërtën e forcave, që kishte nën komandën e tij, u shpartalluan rreth 20 batalione. Pas kësaj ushtria filloi të hakmerrej mbi popullsinë e pambrojtur. Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan në Kaçanik, patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Ato u përjetësuan në epikën popullore. [32]

Pasi mori Grykën e Kaçanikut, Shefqet Turgut pasha, në ditët e para të majit, i përforcuar edhe me trupa të tjera që i erdhën nga Selaniku, filloi mësymjen në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Këtu u ndeshën me forcat kryengritëse që vepronin në zonën Shtimje-Carralevë, të komanduara nga Isa Boletini, numri i të cilave nuk i kalonte 4 000 veta. Më 10 maj, pas një lufte që zgjati gjithë ditën, kryengritësit, duke përfituar nga errësira e mbrëmjes, çanë rrethimin; gjatë tërheqjes mundën të marrin me vete shokët e plagosur, midis të cilëve edhe komandantin e tyre, Isa Boletinin, që u dallua në këto luftime si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak. [33]

Pas rënies së Grykës së Carralevës, ushtria osmane marshoi në pjesën perëndimore e qendrore të vilajetit të Kosovës. Më 1 qershor ato u futën në Pejë dhe në Gjakovë. Shefqet Turgut pasha nuk arriti të futej në Shkodër, siç kishte parashikuar, përmes Dukagjinit. megjithatë, ai hyri në Shkodër përmes Pukës më 24 korrik 1910. Me vendim të qeverisë u mbyllën të gjitha shkollat shqipe, u ndalua nxjerrja e gazetave dhe botimi i librave në gjuhën shqipe. U pushuan nga puna mësuesit e gjuhës shqipe të shkollave shtetërore, si dhe nëpunësit shqiptarë që kishin marrë pjesë në lëvizjen kulturore e arsimore kombëtare. [34]

Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ushtroi ndikim të fuqishëm në zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Jehona e saj u ndje edhe në lëvizjet çlirimtare të popujve të tjerë, të Maqedonisë dhe të Arabisë. Për ta nuk qenë të panjohura synimet shoviniste të qarqeve politike të shteteve fqinje, që mund të shfrytëzonin luftën shqiptaro-osmane për plotësimin e qëllimeve të tyre. Kryengritja kundërosmane në Kosovë filloi në kohën kur mbreti Pjetër I, N. Pashiqi dhe Millovanoviçi, pas vizitës së tyre në Petrograd, shkuan edhe në Stamboll. Qeveritarët serbë shpresonin atëherë se do të mund të siguronin koncesionin e hekurudhës së Adriatikut.

Nga ana tjetër, Bullgaria bënte përpjekje të lidhej me qarqet politike shqiptare për ta përdorur luftën e tyre në të mirë të synimeve të veta. Për këtë qëllim qeveria bullgare dhe vetë mbreti Ferdinand mbanin lidhje me organizatat shqiptare dhe me disa nga krerët shqiptarë. Ndërkaq qarqet politike dhe shtypi i Sofjes ndiqnin me interesim kryengritjen shqiptare. Grupe të tjera politike bullgare, duke i vlerësuar ngjarjet në Shqipëri si kalimtare, kërkonin që Bullgaria të mbante qëndrim korrekt kundrejt Perandorisë Osmane. [35] Megjithëkëtë, si qarqet oborrtare të Sofjes të kryesuara nga princi Ferdinand, ashtu edhe qeveria bullgare, duke menduar se kryengritja shqiptare do t’i jepte një goditje të fortë regjimit xhonturk, parashikonin të nxirrnin përfitime prej saj. Përfaqësuesi diplomatik serb në Sofje u përpoq të bindte kreun e qeverisë bullgare, se ishte në interesin e shteteve ballkanike t’i liheshin Turqisë duart të lira për të shtypur kryengritjen shqiptare.

Shqetësimi se kryengritja shqiptare mund të shfrytëzohej nga Vjena, si pretekst për ndërhyrje në Ballkan, përbënte një arsye më shumë që Serbia të tregohej e rezervuar ndaj lëvizjes së armatosur në Kosovë. Këto zhvillime rrezikonin planet e saj të kahershme për ekspansionin drejt territoreve shqiptare. Synimet autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e shtynin edhe më shumë qeverinë serbe që të kërkonte shtypjen e kryengritjes së Kosovës. Millovanoviçi shprehu mendimin se ishte në interesin e Serbisë dhe të vendeve të tjera ballkanike që konflikti i armatosur i shqiptarëve me xhonturqit të ishte sa më i përgjakshëm, në mënyrë që të dyja palët të dobësoheshin sa më shumë. Sipas parashikimeve të tij, kështu do të arrihej qëllimi i dyfishtë: nga njëra anë, dobësimi i Perandorisë Osmane do ta lehtësonte luftën e ardhshme të Serbisë e të Bullgarisë kundër saj; nga ana tjetër, shqiptarët e mposhtur nga ushtria osmane do të arrinin në një gjendje të tillë sa të pranonin të viheshin nën Serbinë. Diplomatët serbë ndiqnin me kënaqësi çarmatimin e shqiptarëve nga autoritetet ushtarake osmane. Përfaqësuesi i Beogradit në Stamboll e siguronte ministrin e Jashtëm të Perandorisë Osmane, se Serbia ishte e gatshme t’i bënte Turqisë shërbimet e nevojshme për t’ia lehtësuar mposhtjen e kryengritjes. Edhe Porta e Lartë e priti me kënaqësi gatishmërinë e Beogradit për të ndihmuar në qetësimin e Kosovës. [36]

Fuqitë e Mëdha, duke respektuar politikën e ruajtjes së status quo-së në Turqinë Evropiane dhe në gjithë Perandorinë Osmane, nuk e përkrahën kryengritjen shqiptare të Kosovës. Ata i trajtuan ngjarjet në Shqipëri si një çështje thjesht e brendshme e Perandorisë Osmane dhe i lanë dorë të lirë Stambollit për shtypjen e kryengritjes. Por qëndrimi i Fuqive të Mëdha kundrejt lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve e sidomos ndaj metodave të dhunës e të terrorit që përdori ushtria turke për paqtimin e territoreve shqiptare, nuk ishte i njëjtë.[37] Midis fuqive më të interesuara në këtë kohë për çështjen shqiptare vazhdonin të ishin Austro-Hungaria dhe Italia. Megjithate, si Vjena ashtu edhe Roma, ndonëse kishin ndaj shqipërisë qëllime të kundërta me ato të portës së lartë, mbështetën veprimet e qeverisë së Stambollit kundër kryengritësve shqiptar dhe vazhduan të ndiqnin politikën e ruajtjes së status - quosë në Ballkan.

Ndërsa Rusia këmbëngulte pranë Portës së Lartë për ta çuar deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë e këshillonte Stambollin që të mos shkonte shumë larg në masat e dhunës ndaj shqiptarëve, sepse nga ky konflikt do të përfitonin armiqt e Turqisë në radhë të parë Rusia, rivalja e fuqishme e Austro - Hungarisë në Ballkan. [38] Të njëjtin qëndrim mbajti në përgjithësi diplomacia gjermane. Nëpërmjet përpjekjeve diplomatike që bënë pranë qeverisë xhonturke, Vjena e Berlini i tërhoqën vërejtjen asaj për masat e tepruara shtypëse. Ato i bënë të ditur Stambollit se ndjekja e këshillave ruse për ashpërsimin deri në skaj të konfliktit me shqiptarët, do të sillte dobësimin e të dyja palëve dhe do t’ua lehtësonte shteteve ballkanike plotësimin e pretendimeve territoriale ndaj trojeve shqiptare, gjë që nuk e dëshironin as Berlini, as Vjena. [39]

Po kështu ministri i Jashtëm i Italisë, San Xhuliano, nëpërmjet ambasadorit të tij në Stamboll, ndonëse në mënyrë të kujdesshme e të matur, i bënte të qartë Portës së Lartë se edhe Italia nuk e miratonte aksionin energjik dhe masat e egra të ushtrisë turke në Shqipëri; ndërsa opinioni publik e shtypi italian shprehën simpatinë për kryengritjen shqiptare dhe dënuan politikën e egër të qeverisë xhonturke kundrejt shqiptarëve. Pas shpërthimit të Kryengritjes në Kosovë Qeveria e Romës i premtuan Ismail Qemalit dhe disa personaliteteve shqiptare se do të përkrahin kryengritësit shqiptarë për të fituar vetëqeverisjen, me kusht që shqiptarët të përkrahin synimet imperialiste të Romës në rajonin e Adriatikut. Ky synim i Qeverisë së Romës binte ndesh me interesat e Austro - Hungarisë.[40] Në këto qëndrime të dukshme proshqiptare ushtronte ndikimin e vet edhe mjedisi arbëresh. Në pjesën tjetër të kontinentit evropian e të atij amerikan u ndje ndikimi i mitingjeve të protestës, i agjitacionit dhe i propagandës që kolonitë shqiptare të mërgimit, shoqatat dhe komitetet bënë në të mirë të kryengritjes shqiptare. Një vend të veçantë zë këtu mitingu i organizuar në Boston.

Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ishte e para lëvizje e armatosur aq e gjerë e popullit shqiptar në fillim të shek. XX, por që mbeti në kufijtë e një vilajeti të vetëm. Veprimet e suksesshme luftarake të kryengritësve në skajin verilindor të vilajetit të Shkodrës nuk ndikuan në zgjerimin e përmasave të saj. Lufta e armatosur e popullit shqiptar kundër sundimit osman nuk arriti të shtrihej në një hapësirë të gjerë kombëtare as në rrafshin organizativ, as në atë politik e ushtarak. Madje edhe në kufijtë e vilajetit të Kosovës nuk u arrit një bashkërendim i veprimeve luftarake. Ndonëse luftuan për të përballuar marshimin e ushtrisë së komanduar nga Shefqet Turgut pasha, kryengritësit nuk arritën të organizonin një qëndresë të përgjithshme në gjithë vilajetin. Vatrat e qëndresës së shqiptarëve, siç qenë ato të Kaçanikut, të Carralevës etj., mbetën të shkëputura nga njëra-tjetra. [41]

Në këto dobësi ndikoi edhe mungesa e një qendre të vetme drejtuese politike e ushtarake në shkallë kombëtare ose të paktën ndërkrahinore. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e vendit qëndroi mënjanë ngjarjeve të Kryengritjes së vitit 1910 dhe nuk u përfshi në luftën e armatosur kundër regjimit xhonturk. Shumica e veprimtarëve të klubeve atdhetare në vilajetet e Shkodrës, të Janinës dhe të Manastirit nuk ishte ende e bindur për domosdoshmërinë e luftës së armatosur. [42] Deputetët shqiptarë, si Ismail Qemajli dhe shumë patriot tjerë, nuk qenë të prirur në këtë kohë për të dalë nga kuadri i luftës parlamentare dhe ende shpresonin se kërkesat themelore të Lëvizjes Kombëtare shqiptare mund të siguroheshin në rrugë diplomatike, pa qenë nevoja për të ardhur deri te Kryengritja e armatosur.

Luftën diplomatike ata e lidhnin me luftën parlamentare. Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët u ndodhën përballë një ushtrie të madhe në numër, në armatime e në pajisje luftarake dhe e drejtuar nga oficerë të zgjedhur, të stërvitur nga instruktorë të huaj. Kryengritja nuk pati përkrahjen e qarqeve politike të shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha që vijuan t’i përmbaheshin politikës, tashmë tradicionale, të ruajtjes së status quo-së. [43]
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi