Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Si Dr.Mark Mirashi e solli në jetë pacientin e vdekur

Shko poshtë

Si Dr.Mark Mirashi e solli në jetë pacientin e vdekur Empty Si Dr.Mark Mirashi e solli në jetë pacientin e vdekur

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 31, 2011 8:13 pm

Si Dr.Mark Mirashi e solli në jetë pacientin e vdekur


Si Dr.Mark Mirashi e solli në jetë pacientin e vdekur Mark-Mirashi-operacion-Shkoder
Historia e pazakontë, si u soll në jetë pacienti i vdekur (Balkanweb)

Nga Gilmana Bushati


Pak ditë më parë u ndanga jeta, Mark Mirashi, doktori 82- vjeçar, që u lind, u rrit, punoi dhe i mbylli sytë në qytetin e Shkodrës. Vuante që nga qershori i vitit të kaluar nga një sëmundje e pashë-rueshme, për të ikur gjithmonë nga kjo jetë ditë më parë, i rrethuar nga të afërm, miq, kolegë, të rinj e të vjetër, që i rrinin te koka. Çfarë ka të veçantë doktor Mirashi dhe vdekja e tij? Përveçse dhimbjes që shkaktoi te të dashurit e tij, largimi mbylli epokën e njerëzve të përkushtuar në punë, epokën e atyre heronjve të heshtur, që nuk e grumbulluan biografinë e tyre që dikush të kujtohej për t’i dhënë ndonjë çmim apo nder qyteti, që lanë pas shijen e asaj që nuk kthehet më, të fisnikes, të dinjitetit dhe krenarisë së njeriut. Pikërisht te atij lloj njeriu, apo asaj lloj race për të cilën në të ardhmen do të flitet shumë pak, pasi ekzemplarët gjithnjë e po rrallohen, pra do të kemi shembuj shumë të paktë, koha dhe shoqëria jonë vogël po bën një vrapim të çmendur drejt globalizimit dhe të gjithë ne duhet të kemi prerjen dhe strukturën që ajo kërkon, pasi, po dole nga ky konfigurim të hedhin jashtë. Doktor Mirashi edhe i dalë në pension i rikthehen punës për të qenë pranë të rinjve, për të qenë pranë pacientëve, deri në moshën 81 vjeçare.
Po shkruajmë për doktorin, për jetën e tij, për ato ngjarje, e ato ditë, që ia mbushën plot jetën e shpirtin dhe për të cilat ka se çfarë t’i tregohet shoqërisë shqiptare. Kjo shoqëri që i harron të vetët dhe kujtohet për atë që tregon me gisht nga vetja dhe jo të tjerët. Qyteti ka harruar ta kujtojnë doktorin edhe pse ka shpikur çmime, ndere, lëvdata, fletë lavdërimi dhe i ka shpërndarë për këdo dhe për askushin. Është Antonjeta, bashkëshortja e doktor Mirashit, që na tregon për jetën e tij, edhe pse siç thotë ajo “e kam të vështirë të flas për punën e tij të këtyre 52 viteve të fundit”. Ai u lind dhe u rrit në një familje të varfër dhe donte me patjetër të bëhej doktor gjë që edhe ia doli. Mirashi transferohet në Peshkopi, për të punuar atje dhe për të kontribuar në këtë zonë, për t’u rikthyer në Shkodër e për ta mbyllur karrierën e jetën këtu. Flet për Mikel Ricën, pacienti i cili i dha kuptim punës dhe jetës së doktorit, pasi e shkëputi nga vdekja vite më parë. Bashkëshortja flet për rikthimin e tij në spitalin e Shkodrës, flet pra për të gjithë punën e tij me një mall për mungesën e tij në shtëpi gjatë kohës që i ishte përkushtuar profesionit, por edhe për tani. Ajo vë në dukje edhe një fakt, që zyrtarët i kanë kërkuar atij që të dorëzonte pranë autoriteteve kurrikulimin e tij, por “ai e kishte të pamundur të shkruante për punën, nuk i pëlqente të shkruante për vete dhe gjithnjë thoshte se “unë e di se çfarë bëj”. A thua që për raste të tilla, që gjenden në jetën tonë, shoqëria dhe autoritetet kanë me të vërtetë për kurrikulum, për biografi, a nuk flet jeta e tyre aq mirë për ta? Pse duhet të ulet njeri në tavolinën e shkrimit që të shkruajë për veten? Pse nuk janë autoritetet, zyrtarët, disa prej të cilëve mund ta njohin shumë mirë historinë e këtyre njerëzve të heshtur, ta shkruajë këtë biografi që duhet si provë për të dhënë një titull?


Si Dr.Mark Mirashi e solli në jetë pacientin e vdekur Mark-e-Antonjeta-Mirashi-21Pak kohë më parë u nda nga jeta doktor Mark Mirashi, kush ishte ai zonja Antonjeta?
Marku lindi në Shkodër në një familje të njohur në qytet. Kaloi një fëmijëri të varfër, kështu që detyrohet të punojë dhe këtë e bën sapo mbaron klasën e shtatë. Dy vite më pas arrin të hyjë në shkollën e mesme të qytetit, të cilën e mbaron me sukses dhe me rezultate të mira. Fillon një kurs dy vjeçar për infermier e më pas shkon në Tiranë për të ndjekur studimet në Fakultetin e Mjekësisë, një degë që i pëlqente shumë. Dëshira dhe pasioni e tij ishte kirurgjia. Prandaj, iu përkushtua studimit, edhe pse jo në kushte të mira ekonomike.

Me përfundimin e studimeve ku u caktua doktor Mirashi?
Ai u caktua mjek në Peshkopi, madje firmosi një kontratë se do të rrinte përgjithmonë si mjek atje. Por, puna atje nuk ishte e lehtë. Atje mungonin mjetet më elementare për të ushtruar këtë profesion, por për këtë Marku nuk fliste dhe nuk ankohej dhe vazhdoi punën. Një nga gjërat që mungonin në Peshkopi ishte dhe energjia elektrike. Në një rast ndërsa bënte një operacion, i ikin dritat në sallë dhe operacioni nuk mund të vazhdohej në këto kushte. Por, Marku del në dritaren e sallës dhe i kërkon një shoferi që të lëvizë makinën në pozicion të tillë që dritat e saj të ndriçonin sallën në mënyrë që të përfundonte operacionin, pasi pacienti ishte në anestezi. Në Peshkopi Marku ishte edhe kirurg, edhe mjek i përgjithshëm, edhe pediatër, pra mjek i të gjitha profileve.

A u gëzuat më pas që pas Peshkopisë ai erdhi të punonte në Shkodër?
U gëzuam sepse në një farë mënyre ai do të ishte afër familjes, por edhe nuk u gëzuam, se edhe pse ishte në Shkodër, ai ishte sërish larg familjes dhe pranë punës. Ai nuk e ndryshoi ritmin e punës së tij, por e shtoi edhe më tepër duke i dhënë shumë këtij qyteti dhe sektorit të mjekësisë. Puna, vetëmohimi dhe humanizmi i tij vërehet kudo dhe në çdo cep të spitalit të qytetit Shkodrës. Ai ishte njeri i rrallë jetonte me çdo pacient si të ishte pjesë e trupit të tij.
Zonja Antonjeta në spitalin e këtij qyteti, shumë nga mjekët e rinj dhe të vjetër kujtojnë si një ngjarje të jashtëzakonshme rastin e pacientit Mikel Rrica, a mund të na e tregoni se për çfarë bëhet fjalë?
Po, një ndër historitë e tij shumë prekëse është historia e Mikel Rricës, që falë ndihmës së doktorit ai është sot ende gjallë. Rreth viteve 1987-1988 në spitalin e qytetit vjen një i vrarë me thikë në zemër, të cilin do ta dërgonin në morg. Marku e sheh trupin e tij dhe papritur dallon te i vrari një damar që po i lëvizte shumë ngadalë. Atëherë u thotë infermierëve që në vend që ta çonin në burg ta fusin menjëherë në sallën e operacionit për t’i bërë një ndërhyrje të shpejtë në zemrën e të riut, që atëherë mund të ketë qenë rreth tetëmbëdhjetë vjeç, që ende konsiderohej si kontingjent për në morg. Marku ia hapi kraharorin, ia mori në dorë zemrën dhe filloi t’i bënte shtypje artificiale për të vënë sërish në punë. Me zemrën e Mikelit në dorë qëndron disa momente, deri në çastin kur ajo jep shenjën e parë të rikthimit në punë. Një gjë e tillë bëri që Mikeli të rikthehej në jetë. Në atë kohë mbaj mend që Marku harroi gjithçka dhe i qëndroi pranë për ditë të tëra deri sa gjendja e Mikelit u përmirësua. Mikeli jo vetëm që shpëtoi nga vdekja, por në atë kohë, jo shumë larg nga operacioni ai ndërmori një nga nismat e marra të rinisë së asaj kohe, u largua me not nga Shqipëria drejt Jugosllavisë. Zemra e tij e përballoi dhe këtë stërmundim. Në vendin fqinj qëndron disa javë për t’u nisur më pas drejt Amerikës, destinacioni i dëshiruar për shumë të rinj, por edhe për të gjithë ne. Atje zemra e tij në një moment nuk i rezistoi ngjitjes së shkallëve dhe i nënshtrohet dhe një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale. Mjekët amerikanë që e vizituan Mikelin, kur ia shohin kraharorin ashtu, kur ia shohin shenjat e operacionit dhe të thikës, shprehin habi dhe mrekullohen nga ajo çfarë shohin te Mikeli dhe e pyesin se kush është ky mjek, nga është dhe ku ka mësuar të punojë në këtë mënyrë. Mjekët amerikanë shprehin vlerësimet e tyre për Markun edhe në gazetat e qytetit ku ndodhej Mikeli dhe ky rast tregohej si një sukses i jashtëzakonshëm i këtij shqiptari që ishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes falë punës së një doktori, po shqiptar.

Një histori rrëqethëse zonjë…
Ka pasur dhe histori të tjera, por kjo është ajo që e bënte të ndihej krenar për punën dhe profesionin e tij. Janë këto histori që flasin shumë më mirë se sa ne për Markun. Shtëpia dhe ne ktheheshim shpesh në asistentë, ndihmëse, herë-herë dhe infermierë, në mënyrë që ai t’i shërbente në çdo kohë dhe moment atyre që kishin nevojë.
Doktor Marku do dilte në pension, por pse iu rikthye punës kur kishte mundësi të pushonte pak?
Jo, as kur doli në pension nuk e ndali punën, i rikthehet sallës së operacionit në vitin e vështirë të 1997, pikërisht në vitin kur për shkak të pasigurisë shumë mjekë po i largoheshin qytetit, po i largoheshin vendit. Ai punoi edhe 14 vite të tjera, pas daljes në pension, madje operacionin e fundit e bëri pak para se ta linte punën. Punoi në spital deri kur e mori vesh se ishte i sëmurë rëndë, vitin e kaluar, për t’u tërhequr më pas. Çdo koleg i tij i ri apo i vjetër, i ndenjëm pranë duke u kujdesur për të deri në ditën e fundit. E këtu më duhet të përmend një thënie të kolegut të tij, doktor Pjerini, që ia shkroi Markut para se të ndahej prej nesh “Besoj se edhe unë nuk kam qenë mjaftueshëm në krahun e tij për t’i bërë një përmbledhje fuqisë së mendjes së mjekut, dinamizmin e logjikës dhe reflektimit profesional kirurgjikal dhe dimensionin e shpirtit njerëzor fuqimisht të inspiruar në besimin e Zotit, siç kam mundur ta gjej te Marku”. Dhe për ne, familjarët, besoj se edhe për shoqërinë është mjaft me vlerë thënie e një njeriu të afërt “lum ai që nuk vdes ditën e vdekjes.” ( http://www.balkanweb.com/ )
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi