Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Me rastin e ditlindjes, me 20.06.2011:POEZI NGA ALI SH. BERISHA

Shko poshtë

Me rastin e ditlindjes, me 20.06.2011:POEZI NGA ALI SH. BERISHA Empty Me rastin e ditlindjes, me 20.06.2011:POEZI NGA ALI SH. BERISHA

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 21, 2011 2:03 am

Me rastin e ditlindjes, me 20.06.2011:POEZI NGA ALI SH. BERISHA 261377_217962451570965_100000716346990_703845_7479442_n
Me rastin e ditlindjes, me 20.06.2011:POEZI NGA ALI SH. BERISHA

Mallkimi

Iu kthehej shpina varreve
Vatrat shuheshin dhe fushat e lojrave
Rruga e fatit të paditur si gjarpër
Zgjatë kokën nëpër tokën e harruar
Me lejekalime kasapësh në xhepa
Me ëndrra të prera

Në sytë e pafajshëm të vogëlushëve
Shfaqej lumi dhe lundrimi i errët
Mrekullia çmendurake e prindërve
Dhe përmbysja e ëndrrave
Fundosja e frymëmarrjeve të ëmbla
Larg baltës së lindjes

Mallkimi i quajtur Tis përpiu të gjithë
Përveç dëshmisë së pishmanit
Që lotin po e zgjaste buzës së Llapit
Rrezes së Qyqavicës
Dhe mureve të djersës së shitur

Ngjyje lotin

(në kujtim të Din Mehmetit dhe
porosi për muzat e reja)

Ngjyje lotin muzë e dhembjes
ashtu siç ngjyhet penda në bojë
për këngën e bilbilit n’degë
që nuk ciciron më – oj
mbahje xhevahir në xhepat e mendjes
mbaje si diell që ngrohë po s’djeg
mbaje dhembjen dhe këngën vazhdo
Nën strehë të kullës
Mos e pusho


Gjuha ime

Si nje xixë që vjen nga ylli
Si një fëshfërimë që vjen nga pylli
Siç melodi fyelli që vjen nga fusha
Siç këngë bilbili që del nga gusha
Ashtu më je ti gjuhë nektari
Gjuhë e gjuhëve ti gjuhë shqiptari

Si një valë që vjen nga deti
Si një erë që vjen nga shkrepi
Si vetëtima që bjen nga qielli
Si mbi burime që ngjyron ylberi
Ashtu më je ti gjuhë e parë
Gjuhë ime gjuhë e bardhë

Si një ninull që lëshon nënëlokja
Si një zjarr që del nga toka
Siç zbërthen enigma lashtësie
Siç qartëson fytyrë perëndie
Ashtu lartësohesh gjuhë nektari
Gjuha ime gjuhë shqiptari

Po si lulet që çelë pranvera
Po si bukën që gatuan vera
Po si syri që nxjerrë bukurinë
Po si zemra që shprehë ngrohtësinë
Ashtu më je gjuhë e dashurisë
Gjuhë shqiptare ti gjuhë e diturisë

Siç nxjerr zjarr në eshkë stralli
Siç nxjerr dheu kërthi llastari
Siç mban shkëmbi kthetra të shqipes
Siç betohet burri n’kokërr t’kripes
Gjuhë e vatrës t’kullës ti më je
Ti gjuhë e atmes përmbi dhe.


Lumë për ty o Flamur

Të kisha rruzë të kuqe në gjakun tim
Të kisha lot që askush nuk ma shihte
Të kisha dhembje dhe gjithnjë kushtrim
Të kisha etje të më nxisje në rebelim

Në kokë më gjëmonte në jeh vargu
Tek na thërmonte padrona e padrejtësia
Edhe atëherë kur shtrinte krahët muzgu
E n’flatrim kalldërmet shkilte djalëria

Ti ndër shekuj na qëndrove n’ballë
Edhe kur vallëzimin e ndaluar nise
Ti në zemra të shqipeve u bëre strall
Terr shekujsh vetëtimë të përmbysje

Të kishim n’dimër zjarr në përcëllim
Të kishim n’themel e n’kulm dritësim
Të kishim n’mësymje e qëndresë nur
Lumë për atë që t’meriton o Flamur

27 nëntor 2010, Heilbronn


Klithma e Teutës

Që nga Tuna e deri thellë në det
Zot ishte Iliria e mbretëroja vetë
Ngricave të veriut shtigjet u zija
Thikave romake valë deti u ngrija

Ç’t’i bëja tradhtisë që m’hëngri jetën
Dhe i solli robërinë atdheut tim
Po që të shpëtoj nderin vrava vetën
Mu si lulet që u hodhën në greminë

Mallkuar qofsh ligësi e besës
Që u prunje n’vend t‘qëndresës
N’vend të gjuhës nënë zgjodhe fron
Dhe Ilirisë i dhe t’ardhme zezonë

Ngritem nga varri dhe kërkoj djepin
Kërkoj lapodët, liburnët e Ilirikumin
Dardanët, maqedhonët e Epirin
I gjej tek përkundin në sy gjumin

Thërras e qirrem të zgjoj trimat e fjetur
Të zënë shtigjet çakallët për t’mos i lënë
Si pyka tek futen djepin për t’ma tretur
Engjujve të mi kokat për t’ua ngrënë

Meqë s‘dëgjoni atëherë s’do të ndjeni
As gjuhën e atmes kur ta ndërroni
As gjen e gjak nga shtati kur të bjerrni
Tuajën me të huajën do ta ngatërroni


A ka më zi

Dhe Hyu solli dritë për të ndritë
Atë dritë gjaku e përgjaku n‘kryqësim
Njeriu që vuajtjen në kryq ka ngritë
Kryqin n’kulla t’gurta e hapi shpalim

Një qe u bënë dy pas shumë jetrash
Njëri nga lind tjetri nga dielli perëndon
N’koka lëvronin shejtni mes dy detrash
Djepa që as edhe njërit nuk i takon

I dyti ia rrëmbente faltoret të parit
Bërë nëpër grykat që zanat i njihnin
Kishtarët i çkishëronin për hije varrit
I verbonin e digjnin, për asgjë i vritnin

Carët vritnin plisbardhët e bekoheshin
Pranë altarit e pronat e tyre u falnin
Kapuçanëve që shejtën shuguroheshin
Dritën e jetës nëpër shekuj ta tallnin

Në mesjetë mes jeta gërmadhë erdhi
Bri kryqesh mileniumi djallin e solli
Shallvarexhinjtë me qitape i derdhi
Në mes t’Ballkanit Anadollinë e mbolli

Mbolli emra t’rinj e varre krejt të reja
Qytetrim të lashtë dogji e rrënoi
Arrnaut milet – nxihej e kriste rrufeja
Po rrjedha s’u ndal e shqip rrodhi kroi

Medet thoshte plaku ç’mordje më mori
Njëri djalë thotë kokën n‘Romë e kam
Tjetri thotë se është ortodoks apriori
I treti thotë me trup e shpirt turk jam

Varret t’ua lësh çakallëve a ka më zi
Robëruesin ta njohësh zot në shtëpi
Që për fe atdheut shpinën t’ia kthesh
Që vrastar t’vetvetës vetën ta gjesh


Mollëkuqët

Anës Malit të Gjakut nënë Tunë
Mollëkuqja lulëzonte çdo pranëverë
Me Dardhën që e ndante një lumë
Qëndisnin kurorë e rrisnin fruta përherë

Seç ia behën nga Karpatet re të zëza
Frymë e ortiqe me fytyrë kallkani
Mbi kurora u shkundën breza – breza
Rënia mbi Mollëkuq kurrë s’prani

Mbetën prapa lumenjtë Tuna t’i përpijë
Mbetën rrënjët me varre e pasoi zija
Mbetën këngët dhe idilat djalli t’i grijë
Vaj medet treti përgjithmonë Moesia

Rrënjët që mbetën ngadalë u tretën
Gjuha e bardhë n’një gjuhë tjetër u shkri
Për plis një kapuç me brirë ua gjetën
Llukuni çakallësh gjithandej u shtri

Konvertoi njerëz e ndryshoi emra
Po Mollëkuqët tutje mollëkuq vazhdojnë
Të përcjellin porosi gjithnjë në zemra
Se rrotët e historisë në nisje do ndalojnë


Myhaxhirët

Nëpër Dardani me thes në krah mbetë
Rakovici, Gavuri, Mollëkuqi e të tjerë
Me shpirt ndër dhëmb e me mendje tretë
Kërkojnë strehë e pak bukë me pranverë

Car e acarë sulen jo t’pushtojnë sulltaninë
Por t’i zënë portën Portës dhe të ulërijnë
Ik nga Arnautllëku ose të hëngri Bosfori
Çakallët i nisa se atyre u pëlqen kallnori

Shën Stefani ai Shën Djalli krahun shtriu
Dhelpra anadollake bisht nën këmbë iku
Plisbardhët mbetën pa ditë çfarë i pret
Ikë robëri e parë që t’pasojë tjetër rrëmet

Sulen çakallët dhe ëndrrat n‘gjumë therin
N’flakë skëterre shtëpi njeriu e shtëpi zoti
Përvëlohet Naisusi, Dardania kafshon terrin
N’qëndresë niset pushkë lirie larë nga loti

Po a do t’i lajë mëkatet Evropa e Berlinit
A do t’i lajë mëkatet vallë i sëmuri i Bosforit
Që njëra e shiti e tjetra ia bëri tapi Kabilit
Gjysmën e plisit tek ia falte natës t‘vorrit

Dhe carë-çakallët e robëruesi Anadoll
Përmes Dardanisë thurën gardhiqe t’reja
Plisin e bardhë e prenë përmes si mollë
Elaboratet rishtuan bre i vraftë rrufeja

Kush do ta mejë dhembjen për të vdekurit
Kush do të shërojë plagët e të gjallit
Kush do të mbushë magjen e muhaxhirit
A do pushojë malli për vendin e të parit

N’Kasovë shtrohen sofra e ofrohen strehë
Për vëllezërit mbetur pa plang e shtëpi
Kuvendi ngrehë zërin e krismën shkrehë
Të vrasë robërinë e bëjë vdekjen si me le


Lahuta

Car e acar bijnë n’Cetinë e cubat nxisin
Hajnisht shqiponjave krahët tua këpusnin
Nga çerdhet ku rrisnin zogjë t’i ndiqnin
Male, kroje, ara e varre tua rrëmbenin

Thikat vrastare orët i dëgjuan në natë
Dhe nëpër vatra lëshuan kushtrimin
Bukës bukë e ujit ujë kush i bën uratë
Ja sot ja kurrë të mprehë ashpër guximin

Rrahin trumpetat carët në Berlin
Pasi zjarr lufte ndezën n’Malsi t’Madhe
Duke vajtuar malazezët se bukë s’kishin
Se u duheshin ara dhe kroje me male

E ku të gjente Evropa për zezinjtë tokë
Pos në truallin shqipëtar që nga turku digjej
Me litarë ndanë male e liqe atëbotë
Porse Lidhja ua tha troç - jo për atë zot

Dhe u turbulluan e u gjakosën ato korije
Me gjak robëruesi e jetra plisash flijimi
Tek therej hem përpara hem pas shpine
Por s’dorëzonte malet pa u shuar agimi

Luftonin drangojët e zanat ato heroina
Malësia ndeshej me një Evropë e një Azi
Që kishin zënë majat këputë kah Vranina
Që kishin zënë detin Ulqinin për të shtri

Medet edhe një krah ia këputën Shqipërisë
Tretën orët e bardha erdhën orët e ligësisë
Zanat u zhdukën se plagët s’shëruan dot
Varri i Teutës me kujë tashti nxjerr edhe lot

Vaj s’është më Hoti, Gruda, Tivar e Guci
T’ia fshijnë lotin Plavës, Peshterit e Beranit
Se ç’treti këngë e zanave në këtë kaltri
Se ç’treti gjuha e plisit edhe në Pazar tëRi

Po a pushuan retë e zeza të fyejnë qiellin
A pushuan çakallët me apetitet e veta -
Ata mprehin thikat e dhëmbët ckërmitin
Se duan tokë të djegur jo ku bulon jeta

Kasova

Nuk u ngopë Evropa as carë e çakallë
T’grabisin atmen u ngritën në kryqëzatë
Atëherë kur shqipja po ndiqte aziatët
Dhe Skupit po ia hiqnin terrin e gjatë

Turreshin si hije çakallët breza-breza
Të prishnin gardhin që kishin vënë vetë
Thërrisnin se plisat do t’i bartë Sitnica
Se s’do të linin një për farë në Vilajet

Kushtrimi bie dhe gjoksin i vënë shqipet
Gardhit t’shkaut që t’i dalin zot vendit t’vet
Kur Perandoria për vdekje përpëlitej
Dhe flamuri i pavarësisë n’Vlorë ngritej

E çakallët si çakallë stepesh që janë
Pas humbjesh t’mëdha shtigjet shpërthejnë
Djegin e presin para çfarëdo që gjejnë
As nënat me foshnje në bark s’kursejnë

Burra e gra përgjatë rrugëve n’kryq varin
Shumë të tjerë robër n’Serbi i shpiejnë
Mijëra të tjerëve ua humbin edhe varrin
Për ta lënë pa zot për mot Shqipërinë

Carët dhe Evropa sërish të vënë kufi
Përmes e ndajnë Shqipërinë e bardhë
Shumë shqipe vanë sërish n’Anadolli
Po mbetën aq sa luftën mos me ndalë

Shqipet që mbijetuan rritën zogjë për liri
Të rinjtë për t‘marrë n’dorë fatin e atdheut
Ndër beteja binin për të lindur përsëri
Vazhdimisht në qëndresë prej Prometeut

Në Kasovën martire erdhi dita plotë dritë
Shqipet ndezën flakadanin e lirisë
Dhe në ushtri t’shenjtë u shkrinë pa pritë
Me gjak qëndisën diellin e ardhmërisë


Nëna

Veç nga Korabi e deri në det
Nga Vermoshi e deri në Konispol
Mbeti Shqipëria shpresa vet
Për krahët e këputur t’vetit troll

Dhe aty sa nisin bijnë qeveritë
Bijnë e ngriten etje bajraktarësh
Për t’qenë kush i parë e kush i dytë
Ftojnë në ndihmë orekse barbarësh

Serbisë i duhej një Toptan n’Shqipëri
T’bëhej mbret e mbyste demokracinë
Zogu i fali Junikun e Shën Stefanin
Dhe zuri fronin të mbyste lirinë

„Përditë perëndojnë perënditë“
Thoshte Migjeni dhe lindën të tjerë
Në këtë shekull me përçudnitë
Që botën ferrë e bënë ferr

Para kombëtares ideologjia u gjet
Kur dy herë u trazua i gjithë rruzulli
Dhe shqipet u vranë me një të tretë
E në mes vete n’gjak u qull trualli

Moj nënë e mjerë truri seç t’u herr
Si mbrend ashtu edhe jashtë kufirit
Kur do të vijë për shqipen pranverë
Dhe stop t’i thuhet thikës së katilit

Nisën erë të reja mure të shembin
Dhe frone perëndishë u lëkundën
Nënë e bi rrufeshëm tash ngarendin
Me përqafim nomatisjen mundën



Malli

Sa më ka marrë malli të zbresë tek ti
Nëpër Epirotum e Artë moj Çamëri
Ta dua Uliksin e ta përqafoj Homerin
Mbi tradhëtitë të shfryjë vrerin

Deri te Malet e Gjakut krahët i shtrija
Skupin e kisha prehje bri Vardarit
Skardusin e kisha strehë t‘zanave t‘mia
Maqedhoni më thërrisnin zërat e nakarit

S’më pushon loti t’mbush dy dete
Prej se Lekën e Madh ma hëngri Nili
Prej se më grinë lakmitë greke
Prej se varret m’i përdhosi bullgarofili

Lugetër stepesh mu ulën n’fron t’altarit
I kthyen thikat në këngë të varrit
Shenjat e shkrimit që ia fala kishës
I kthyen në nofulla e pallje të bishës

Alfabetin e shqipes e ngrita n’Manastir
Ngrita shqiponjën n’zemrat luftëtare
Ngrita dhe Turqinë me birin më të mirë
Në nënë të botës një nënë shqiptare


Fyshekzjarr në qiellin tënd

Ç'më doli tymi e ç’u dogja për ty
Se as vjen e as s'vij tek ti Çamëri
Gardh plumbash u vunë në mes
Ta duan vdekjen dhe unë të vdes

S'ta dëgjoj këngën as fjalën
S't'i shoh varret, s'ta ndiej gjamën
Ecin motet etja duke më grirë
Vatrën e shuar për ta përtrirë

Ç'më vete mendja nëpër hënësi
Botërisht veç një herë të vij tek ti
Të mbledhim në sofër gjak e lotë
Dielli t’ngrohë si atëherë dhe sot

Pastaj ashtu bashkë nëpër korije
Të ngjizim sërish fidan dashurie
Me kec e qengj e këngë Shqipërie
N’atë kënd mëme pa valle djalërie

T’i lëpifsha plagët që ke marrë
T‘u bëfsha në qiellin tënd fyshekzjarr
Përvëlim imi ti Çamëri gjak shkabe
Dashuri e pasosur ti këngë labe


Pritje e gjatë

As mbyll veshët të mos më oshtijnë
As ndal gojët me klithje të më grijnë
As sytë të më mbushen gjak e lotë
As t’më pëlcasë koka krejt kot
Në këtë natë xhamthyer o zot

As i ndalë trokitjet e parreshtura në derë
As u tregoj rrugën shtegëtarëve të mjerë
As mbaj brend vetëtimat që mbysin
As mbroj yjet nga hijet që lindin
E pushtet territ sërish i lidhin

Qëndroj shtrirë me fytyrë kah tavan i nxirë
Tek më bie nga oxhaku blozë e pështirë
Tek më trokasin pikat e shiut n’xhama
Tek më brejnë minj e merimanga
Tek uluritjeve s’u shpëton hëna

Natë e trishtë zgjatet deri në pafundësi
Me uluritje e grithje çakallësh n’derë
Me mjaullitje macesh si përherë
Deri te mëngjesi që zbardhë
Ditëdiellin që sa s‘ka ardhë

Dhe sytë në një vrimë të xhamit gaprroj
Dhe shoh horizontin krejt në shkëlqim
Dhe ulurimat shumë larg dëgjoj
Tek ngritem nga shtrati im
Lirinngrohtën të festoj


Nga maji në maj

Hapëronte nga maji në maj
Që të ngjizte rreze dielli
Dhe arrita nga fytyrë e saj
Përgjithmonë të hiqej veli
Ikën marsi ia behu prilli
Bri malit me lule bore
Tek përdridhte n‘sqep bilbili
Këngë hyji të një kurore

Pak ngjyrë lindi një ylber
Me një prill n’mesditë
Që bota gënjeshtër e merr
E për ne me vite pritë

Lule rrezja malin skalitë
Ngjyra-ngjyra e aromon
Tash si atë botë me magjitë
Dashuri të zotit qiellon


Heilbronn… Heilbronn…

Thanë se ka një parajsë diku
Dhe rruga e jetës më solli këtu
Ku uji plagët e zemrës kuron
Ku dielli në gotë t’verës agon
Ku nëntoka bukës i jep vlerë
Ku shpirtit i dhuron pranverë

Dhe të gjeta parajsë të qëndisur
Muzash t’bardha lehtë gjezdisur
Uvertyrë thellë n’mendje ndritur
Që me krahë ari t’kanë stolisur
E t’i përthyejnë ylberet n’dashuri
Nga Shocahi e tutje në vërri

Heilbronn, Heilbronn, Heilbronn
Me gjiun tënd tek më lumturon
Përballë të rri veç një vend tjeter
Me kopështe lulesh e lisash t’vjetër
Që pleqërinë time e djalëron
Nëpër endrra tek më kalëron


Guri i verdhë

Nën dritë të hënës thurje pëlhurë
Nën dritë të diellit shkrepje nur
Në Qafëmëllenjë vareshe kristal
Në Prishtinkë laheshe i gjallë
I qeshje mullirit bukë tek bluante
E Thirrmajës me erë tek luante

Mu sipër teje barinjtë gjygjaz luanin
Shtagave të zbardhuara iu hipnin
Mëzetët e mëhallës byrlykeshin
Qw brirët nëpër ty t’i mprehnin
Tashti myshqet të kanë zënë frymën
Mushkëritë të thithin vetëm brymën

Gjatë natës fantazmë ngrihesh
Që ditën herë t’i kthehesh lindjes
Herë t’kërcënosh Qafëmëllenjen
herë mbi Prishtinkë të digjesh
Tek kalëron priftin kah Mulliri Binak
Me aoreolën Thirrmajë në kokë

Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi