Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Julia Gjika: Një ishull çam në Dueville të Italisë

Shko poshtë

Julia Gjika: Një ishull çam në Dueville të Italisë Empty Julia Gjika: Një ishull çam në Dueville të Italisë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jun 26, 2011 2:18 am


Julia Gjika: Një ishull çam në Dueville të Italisë U1_JuliaGjikaNJË ISHULL ÇAM NË DUEVILLE TË ITALISË
Nga JULIA GJIKA
Në majin e sivjetëm, unë me tim shoq nga Amerika dhe im vëlla Arturi me bashkëshorten Ulianën, nga Athina; u bashkuam në Milano për të bërë një udhëtim në Itali të Veriut, ku vizituam Milanon, Duevillen, Venecian, Firencen dhe Pizën. Në aeroportin e Milanos erdhi e na mori me makinën e tij Iliri, djali i dytë i Xhafo Beqirit. Dy orë e gjysëm larg nga qyteza e Duevilles, ku jetonin miqtë tanë Beqiraj që na kishin ftuar. Këtë shërbim ta bën vetëm ai që të do shumë.
Vëllezërit Beqiri: Xhafa, Zerkoja, Pashoja, Maksuti e Ismeti, kanë lindur në vitet ’50-të e 60-të të shekullit 20-të në Shkallnur të Durrsit. Ata janë djem të një familjeje çame, e cila pati pësuar persekutimin e forcave shoviniste greke të kolonel Zervës në vitin 1944-45, kur çamët myslimanë u dëbuan nga vatrat e tyre familjare, gjoja si bashkëpunëtorë të pushtuesit gjerman. Qeveria shqiptare, e ndodhur ngushtë në ato kohë lufte, pranoi muhaxhirët dhe i vendosi në zonën bregdetare të Shqipërisë.
Beqir Beqiri, babai i miqve tanë, kishte lindur më 1905 në fshatin Petrovicë të Margëlliçit, por aty nga viti 1925 disa banda greke e kishin plaçkitur dhe përzënë familjen e tij. Duke ikur me ngut, për të shpëtuar kokën, babai i Beqirit kishte marrë familjen e kishte shkuar pranë kufirit me Shqipërinë, në fshatin Sollopi pranë qytetit të Filatit. Në Petrovicë mbetën pronat, ullishtet, tokat e bagëtitë, kurse shtëpitë dhe tapitë u dogjën. Nga ajo kohë familja Beqiri kaloi në varfëri, u bë argat në pronat e një beu. Beqir Beqiri erdhi në Shqipëri në janar-shkurt ’45. Në qershor ‘45, beqar 39-40 vjeçar, e shpunë në Shën Vlash të Durrsit, ku punoi disa vjet si bujk e blegtor në pronat e manastirit. Aty pranë në Rushbull ishin vendosur disa familje të tjera çame. Midis tyre Beqiri gjeti shoqen e jetës, Hamidenë, një vajzë elegante bjonde me sy të kaltër e të qeshur.
Xhafa, djali i parë, lindi në Shën Vlash më 1949, djemtë e tjerë lindën në Shkallnur, ku u vendos familja Beqiri më 1950 sipas planit të ri të pushtetit lokal për shpërndarjen e çamëve. Aty në Shkallnur iu dha një copë tokë ku Beqiri ngriti një shtëpi me purteka të suvatuar brenda e jashtë. Aty i njohëm më 1979 gjatë pushimeve verore. Beqir ishte burrë i urtë, fjalëpakë, brun, me vetulla kaleshe, bujar me gjithë skamjen ku e kishte katandisur genocidi grek dhe jeta e koperativës. Punoi shumë vjet në portin e Durrsit ku shkonte e vinte në këmbë, pastaj në kooperativë. Ishte 74-vjeçar kur e njohëm, pensionist. Vdiq 79 vjeç dhe e varrosën në varrezat e Harrapajt pranë Shkallnurit.
Sa herë shkonim për vizitë, Hamideja na priste buzëqeshur. Me sytë e saj depërtues komunikonte me nusen e Xhafës, Esminen për qirasjet, gatimet, etj. Përdorte ndonjë fjalë ne dialektin e vet, në gluhën e Çamërisë, që ne nuk e merrnim vesh se e shqiptonte shumë ulët dhe me disa zanore të gjata. Nënë Hamideja vitet e fundit të jetës i kaloi në Dueville tek Maksuti. Ngazëllehej duke i parë fëmijët njërin të regulluar më mirë se tjetri. Kur vdiq e varrosën në Dueville, mbasi aty jetojnë shumica e Beqirajve dhe mund të kujdesen për varrin e saj.
Djemtë e familjes Beqiri të Shkallnurit u bënë të mbarë. Xhafa iu bë krah babait, doli në punë sapo mbaroi 7-vjeçaren, u martua herët me Esminen, vajzë nga fshatrat e Çamërisë shqiptare pranë Konispolit. U shtua me tre djem: Landin, Ilirin dhe Nardin. Landi është martuar me një vajzë të bukur italiane, sot ka dy fëmijë si yje, vajzë e djalë. Iliri është martuar me një vajzë shqiptare nga Tropoja, Blertën, nuse e bukur e gojëmbël. Të dy punojnë në një fonderi. Blerta është nuse për së mbari, nuk ia prish vjehrrës e vjehrrit për asgjë. Eshtë e papërtuar. Ajo ka lindur tre vajza, njërën më të bukur se tjetrën. Xhafa thotë se këto mbesa e këtë nuse nuk i këmben as me gjithë botën. Xhafa e Mineja kanë blerë një shtëpi me tre kate, me oborr e bahçe. Jetojnë së bashku me familjen e Ilirit. Si në Shqipëri, pleqërohen me një nga djemtë.
Nardi, djali i vogël i Xhafos mbaroi në Dueville shkollën e mesme profesionale dhe punon në montimin dhe regullimin e vinçave të mëdhenj. Ai bashkëjeton me një vajzë italiane në një apartament aty pranë. Në oborrin e shtëpisë së Xhafës kanë ngritur një çadër të madhe, ku vlon muhabeti mbrëmjeve mbas pune. Si në Shkallnur edhe këtu Beqirajt presin miq e vizitorë të shumtë. Xhafa është bërë si një kryeplak, ndihmon për sistemimin e mërgimtarëve që vijnë nga Shqipëria, përpiqet të organizojë festën e flamurit me shqiptarët e Duevilles, mban afër çamët, etj...
Zerkoja, djali i dytë i Beqir Beqirit, në Shqipëri pati mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës, degën matematikë speciale, arriti të bëhej pedagog i suksesshëm i matematikës në Institutin e Lartë Bujqësor. U martua me mësuese Valin, vajzë çame nga zona e Vurgut, e cila kishte mbaruar shkollën e lartë për fizikë. Lindën dy fëmijë, vajzë e djalë, Ertën me vetulla e trup të veçantë dhe Anion, i cili me flokët e tij të verdhë në të kuqremtë, duket si irlandez ose skocez. Erta studjon për mjekësi, kurse Anioja për areonautikë të hapësirës. Që të dy shquhen në sporte, Erta në patinazh, ka marrë disa diploma e çmime bronxi në gara italiane dhe ndërkombëtare në Portugali e deri në Australinë e largët. Anio shquhet si futbollist me skuadrën e parë të Duevilles.
Zerkoja mbasi punoi në Dueville disa vjet si magazinier ndoqi me korrespondencë shkollën e lartë për Ingjinieri Informatike, të cilën e kreu në vitin 2001. Sot punon në një shoqëri informatike për krijim sitesh dhe aplikime internetike. Duke jetuar me kujdes, krahas shpenzimeve për shkollimin e fëmijëve, Zerko e Vali kanë blerë dhe një hyrje komode me tre dhoma gjumi.
Pashoja mbaroi studimet për arkitekturë, u martua me një vajzë çame nga Durrësi, me të cilën ka lindur një vajzë që tani ndjek mësimet në shkollën amerikane “ “ të Durrsit. Pashoja nuk u shkul nga vendlindja, ka ngritur një vilë të bukur në Shkallnur, pranë rezervuarit, në tokat që iu dha Beqirajve qeveria demokratike.
Maksuti kreu shkollën e mesme. U martua me një vajzë matjane, lindi dy vajza e një djalë. Në Dueville e solli Xhafa në vitin 2000. Maksuti punon në fonderi, por po provon të merret me biznesin e restoranteve. Ka hapur një restorant në Berlin të Gjermanisë, ku ka dërguar gruan, e fëmijët dhe vëllain e gruas. Ata kanë filluar punën, më vonë do të shkojë dhe Maksuti aty.
Vëllai i vogël i Beqirëve, Ismeti, në Shqipëri pati mbaruar me korrespondencë degën Ekonomi Agrare. Mbas arrdhjes në Dueville u martua me një vajzë çame, nga çamët e vajtur në Dueville pas vitit ‘91. Ismeti është shtuar me dy djem binjakë e një vajzë, e cila është martuar dhe ka lindur një vajzë. Ai punon po në fonderi.
Gjithsej sot në Dueville jetojnë mbi 200 shqiptarë, nga këta 70 banorë janë çamë, vetëm Beqiraj janë 25 frymë.
* * *
Gjatë bisedave aty nën tendë mbas darke ku mblidheshim të gjithë bashkë, ra fjala për pronat e prindërve në Çamëri.
-Nga ana e babait pronat janë të humbura prej kohe, por nga ana e nënës, thotë Xhafa, kemi prona në Greqi, por si dihet qeveria greke ua ka shitur për së liri grekëve që solli prej Anadollit. Nëna, në fakt nuk kishte qejf të fliste për to. Kujtimi i tmerreve të genocidit dhe fakti se tapitë e tokave nuk i kishte marrë me vete

Julia Gjika: Një ishull çam në Dueville të Italisë U1_Dueville-Villa_Monza
Dueville - Vila Monza
babai i saj kur iku me ngut, e bënte nënën të psherëtinte e të mos zgjatej në bisedë për pronat…
-Shkuam një herë në Igumenicë e në Filat, sqaron Zerkoja, pyetën ku ishin vorrezat e shqiptarëve myslimanë, por asnjë nuk na ndihmoi, ndoshta nuk i dinin, ose qeveria greke i ka zhdukur vorrezat e tyre. Çamët e krishterë që kanë mbetur, vumë re se kanë frikë të flasin shqip edhe pse të kuptojnë mirë.
-Do ishte mirë, ndërhyri Iliri, që qeveria shqiptare t’i kishte vënë kusht kryepeshkopit Janullatos. Kur ky kërkoi të drejtën për ndërtimin në Kosinë të Përmetit të varrezave për ushtarët grekë që rranë në luftë kundër ushtrisë pushtuese italiane, qeveria jonë t’i kërkonte që qeveria greke të ngrinte obeliske përkujtimore në Prevezë, Paramithi, Filat, etj për të përkujtuar genocidin e shqiptarëve çamë, si dhe vënien nën ruajtje të vorrezave të shqiptarëve myslimanë në çdo qytet e fshat të Çamërisë.
Unë desha të mësoja për eksodin, si vendosën e si ikën me vapor në mars të vitit ‘91. Dhe Xhafa na tregoi:
-Landi, djali im i madh, erdhi e më takoi tek stalla e koperativës, ku punoja e më tha: Në korrik nuk pranove të shkonim e të hynim në ambasadat, ata që ikën u regulluan, tani nuk ka se ç’të presim, po mbushen vaporët për të ikur në Itali. Nuk të shoh dot të punosh me mamin këtu në stalla për një copë bukë. Të ikim ne të dy. Nëse nuk vjen ti, unë e kam ndarë mendjen, do shkoj vetëm…
Kësaj radhe pranova. Lashë punën duke thënë se duhej të shkoja në shtëpi mbasi nëna ishte sëmurë. Ikëm në Durrës dhe ikëm, bëmë si bëmë hipëm në një vapor panamez të ngarkuar me cimento.
-Tek unë, vijoi Zerkoja, erdhi nga Saranda kunati im, vëllai iValit, për të marrë një vizë në ambasadën greke. Mirëpo mbasi shkoi atje dëgjoi për mbushjen e vaporëve në Durrës. Me vrap u kthye tek unë e më tha: “Eja të ikim, kjo është radha jonë.” M’u kujtuan padrejtësitë që më ishin bërë për dy studimet e mia. Njërin ma kishte vjedhur një koleg, shok i atij që po ma recensonte, kurse tjetrin më detyruan ta botoja në bashkautorësi me një koleg komunist… Vendosa, ikëm në fillim në Shkallnur të shihnim gjendjen, Valit nuk i thamë të vërtetën. I thamë se po shkojmë deri në Shkallnur dhe mos u bëj merak po të mos vijmë në darkë…
Në Shkallnur gjetëm Esminen, të shqetësuar se Xhafa me Landin dhe Ismeti kishin ikur në Durrës. I thamë mos ki merak, po shkojmë t’i gjejmë e do të vijmë bashkë. Në Durrës e në port nuk takuam asnjërin prej tyre. Bëmë si bëmë hipëm dhe neve në po atë vapor që kishtin hipur dhe ata, por këtë gjë e mësuam vetëm kur zbritëm në Brindisi . Në vapor kishin hipur shumë njerëz, lëvizjet ishin të pamundura për të gjetur njëri tjetrin. Kapiteni i anies tha se vapori mund të mbytej nga mbingarkesa, por disa të rinj iu përgjigjën italisht se ishte më mirë të mbyteshin në det, se të zbrisnin në tokë…
Kapiteni i tronditur nga kjo përgjigje, bëri radiogram në Brindis dhe pasi mori përgjigje pozitive u nis .
Ngritëm sytë nga qielli për të falenderuar Zotin, atë Zot, të cilin ishim mësuar të mos besonim se ekzistonte, por që atë minutë na u duk se Ai ekzistonte dhe ishte me ne fukarenjtë, që kishim marrë në sy vdekjen. Kur zbritëm në Brindis, ndodhi e papritura e këndshme, u takuam me Xhafën, Ismetin dhe Landin. U detyrova të lypja për herë të parë në jetën time, dhe uroj të mos më bjerë më rasti të lyp tjetër herë. Iu luta një italiani mesoburrë të më jepte aq lireta (që bëjnë nja pesë dollarë) sa të bleja disa si monedha me të cilat mund të flisja në telefon për të njoftuar në Shqipëri në centrali telefonik i Shkallnurit. Zotëria jo vetëm m’i dha paret, por dhe më ndihmoi për të blerë butonat metalike dhe për të komunikuar me Shqipërinë. Ndjeva një ndjenjë vllazërore për atë italian të panjohur. Kuptova se edukata fetare dhe ajo qytetare që kishte marrë në rini e kishin bërë të dhimsur dhe shumë njerëzor.
Në Shkallnur nëna filloi të qarët, u mbyll në shtëpi dhe qante me kuje: “E zeza unë ç’më gjeti, ç’më gjeti!” I shkuan komshijet dhe njëra i dha kurajo duke i thënë:
-Moj Hamide, mos qaj ata që shkuan në Itali, ata shpëtuan, qaj këta që mbenë këtu, e do punojnë për një copë bukë!
Nëna e kujtonte shpesh herë këtë thënie.
Në qershor ’91 na shpërndanë. Nga Brindisi neve na shpunë në Dueville, ku na pritën disa italianë e na u sollën si prindër e miq të vjetër. Na ndihmuan për strehim, punë, veshje, orendi shtëpiake, etj. Jo vetëm neve, por edhe shqiptarët e tjerë, italianët në mbarë Italinë i pritën shumë mirë, sa që midis ne emigrantëve lindi shprehja: Në Itali gjen çdo gjë, gjen dhe nënë e babë.
Të paharrushme do të mbetet shëtitja që bëmë në zonën malore të Para Alpeve ku shkuam të gjithë me pesë makina. Xhafa me Maksutin na poqën qingjin. Mineja kishte gatuar gjellët. Ha, pi e fol për Shqipërinë, për zgjedhjet, etj.Dikush tha se nuk kishte simpati për Sali Berishën. Xhafa ia preu:
-Saliu ka bërë më shumë se ç’mund të bënte kushdo tjetër, prandaj komunistët nuk e durojnë dhe e shajnë duke shpifur kundër tij e aleatëve të tij. Tek Saliu u ka ngecur sharra keq komunistëve, se të qe ndonjë tjetër e kishin përmbysur me kohë.
-Ka dhe Saliu gabimet e veta, ndërhyri Arturi, im vëlla.
-E kush është ai që nuk gabon , shtoi Xhafa, prandaj atij nuk i duhen parë gabimet, po veprat e mira. Transformimet e Shqipërisë u bënë më shumë gjatë qeverisjes së tij.
Nuk e zgjatëm më tej, Xhafoja kishte të drejtë.
Të nesërmen Xhafa me Zerkon na shpunë në Venecia. U mahnitëm me bukuritë e atij qyteti që duket sikur noton mbi ujë. Sheshi, katedralja e Shën Markut, Sahati, tezgat me turli malli, turistët nga e gjithë bota, gondolat, urat, lundrimi me anie nëpër qytet, etj. Gjëra që nuk harrohen. Gjëra që të ngulen në kokë e të kujtohen shpesh, e të ngacmojnë të shkosh përsëri për t’i parë e shijuar nga afër…
Të nesërmen shkuam me tren në Firence, ku na priti miku nga Korça, Ilia Karanxha me gruan e tij Farida. Djali i tyre i vetëm, Steinli, ka mbaruar shkollën e lartë politeknike të Pizës dhe tani punon si ingjinier në Zvicër.
Qyteti i Dantes na mahniti edhe më shumë, me gati tetëdhjet muzeume, dhe shumë e shumë vepra arti nëpër rrugë e sheshe. Daklea, vajza e mikut tonë Tomson Nishani na shoqëroi e na dha shpjegimet e duhura për veprat më të mira të artit të ekspozuara në galerinë e madhe Uffici. Sheshi i qytetit nuk ishte madhështor si ai i Venecias, por katedralja Shën Maria di Fiori, këmbanorja, godina e Bashkisë, etj ishin më madhështore. Vepra të Botichelit, Filipo Mikelanxhelos, Da Vincit, Giotos, etj, etj të mahnisnin. Kopje sklupturash të Davidit të Mikelanxhelos i gjeje të riprodhuara në disa vende.
Anët e Lumi Arno dhe sheshi Mikelanxhelo, prej nga e shihje qytetin si në pëllëmbë të dorës, të ngopnin me pamje madhështore.
U dëshpëruam kur shkuam për vizitë tek miku ynë Tomson Nishani. Ai para tre muajsh kishte thyer këmbën e djathtë tek gjuri dhe mezi po rimëkëmbej. Folëm për Shqipërinë, për veprat e tij të shumta për lultarinë dhe për veprën e fundit me kujtime për xhaxhanë e tij, presidentin Omer Nishani. Tomsoni, njeriu energjik, ai që na kishte mbetur në mendje si agronomi që vraponte nëpër Parkun Kombëtar të Tiranës, tani rrinte para nesh i ulur e mezi ngrihej. Kur ecte, këmba e djathtë mezi i bindej.
Ilia na shpuri dhe në qytetin e Pizëz, tek Sheshi i Mbrekullive. Edhe këtu si shpesh herë lëshuam nga një Uuaaa!
Kur ndodheshim para monumenteve të artit e të arkitekturës italiane e kuptuam edhe më shumë dëmin e madh që na kishin bërë pushtuesit osmanë. Gjatë luftrave për pushtim, ata shkatërruan gjithë veprat e artit e ndërtimet e mira që kishin bërë të parët tanë deri atëhere, kurse pas pushtimit, nuk lanë të ndërtoheshin më vepra arti.
Dhe ka sot disa shqiptarë, që si Enver Hoxha dikur, i quajnë turqit, vëllezër e aleatë tradicionalë…
U larguam nga Italia pa realizuar vizitën që mendonim të bënim në Romë. Në Romë babai ynë, Dhimitër, kishte kaluar tre vite te shërbimit ushtarak bashkë me kushëririn e tij të pare, Peti Jukën. Ai na kishte treguar për disa rrugë e sheshe të Romës, për Pallatin e Operas, Kopështin e madh zoologjik,ku kishte kaluar shumë të djela. Donim të shkelnim dhe ne në ato vende ku kishte shkelur ai, por Uliana pati shqetësime nga këmba që kishte operuar para tre muajve. Kështu u larguam nga Italia duke menduar se duhet shkuar edhe një herë për të parë Romën dhe Napolin…
Qershor 24, 2011
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi