Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ENVER BYTYÇI:Refleksione rreth librit “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

Shko poshtë

ENVER BYTYÇI:Refleksione rreth librit “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” Empty ENVER BYTYÇI:Refleksione rreth librit “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 07, 2011 9:07 pm

ENVER BYTYÇI:Refleksione rreth librit “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” 0,,6064796_1,00

ENVER BYTYÇI:Refleksione rreth librit “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”

ENVER BYTYÇI:Refleksione rreth librit “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” SHBA_histori_514881128__1__948866362

Duke lexuar librin e mrekullueshëm “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” çdokush mëson një histori përpjekjesh të panumërta për të ndërtuar një shtet të konsoliduar e demokratik, një shoqëri të lirë e moderne dhe një botë të vlerave e virtyteve. Libri, të cilin na e ka sjellë në shqip përkthyesi i talentuar Ukë Zenel Buçpapaj, është libër i historisë së një kombi të ri e të vjetër. Por Amerika e vlerave dhe e shpresave të lirisë ngjizet në perceptimin tonë vendi i parë në botë me një fizionomi të re, i ndërtuar sipas filozofisë së humanizmit. Liria njerëzore, të drejtat themelore të njeriut, vetëqeverisja, vetëvendosja, respektimi i vullneteve njerëzore ishin vënë në themel të këtij shteti e të kësaj shoqërie që më 1776, atëherë kur ishte shpallur pavarësia e SHBA-ve.
Nëse lexojmë pra këtë libër, atëherë ne do të dilnim në disa përfundime shumë të rëndësishme:
Së pari, përmes këtij libri, si dhe përvojës historike të zhvillimit dhe progresit amerikan, studiuesit vënë re faktin se Amerika e sotme është ngjitur në majat e zhvillimit politik, ekonomik, financiar, kulturor e moral për shkak të një mekanizmi shumë të rëndësishëm, evolucionit. Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na shfaqet në libër dhe na jepet si shembull, si histori e zhvillimit evolucionist. Duke pranuar këtë të vërtetë historike, vendet që kanë pasur për gati një shekull një histori revolucionesh ose luftërash civile si vendi ynë kanë se ç’të mësojnë nga ky vend i madh i vlerave të papërsëritshme civilizuese, në të cilin kurrë ndonjëherë në 235 vjet pavarësi nuk ishte rrëzuar pushteti me dhunë. Historia e këtij vendi të madh duket se na jep mesazhin e patjetërsueshëm se janë parimet kushtetuese në pajtueshmëri me interesat materiale e morale të shoqërisë ato që e bëjnë një vend të qëndrueshëm e stabil, një vend në paqe me vetveten e me të tjerët. Nga ky libër, si dhe nga përvoja historike e kombit amerikan, ne shqiptarët kemi arsye të shumta të hershme dhe të sotme që të mësojmë për ta zëvendësuar ideologjinë dhe filozofinë e revolucioneve me parimet dhe vlerat perëndimore amerikane, që konceptet e praktikat anarkiste t’i zëvendësojmë me konceptet e zhvillimit evolucionist modern të shoqërisë bazuar në shtetin e së drejtës dhe në parimin e pavarësisë së pushteteve në një sistem demokratik, që ne po ndërtojmë.
Së dyti, historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na jepet përmes këtij libri si një histori e bashkëjetesës së të gjithë amerikanëve, pavarësisht nga racat, ngjyrat, prurjet nacionale e kështu me radhë. Në këtë cilësi të re të civilizimit njerëzor të shfaqur në SHBA, ne shqiptarët kemi marrë jo pak eksperiencë nga Amerika e madhe. Historia unikale dhe sjellja e shqiptarëve me hebrenjtë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare, trajtimi me respekt i pakicave në Shqipëri janë vetëm disa nga elementet pozitive që ne rrezatojmë në botën e sotme, madje më mirë se çdo vend tjetër evropian, e në një rajon me histori të dhimbshme sa u përket këtyre marrëdhënieve. Por, ndërsa nga libri i historisë amerikane mësojmë se këto cilësi dhe virtyte në Amerikë janë edukuar e vitalizuar si rezultat i respektimit të vlerave demokratike të një shteti mbi dyshekullor ligjor, nga libri i historisë sonë kombëtare mësojmë se vlera të tilla te ne janë atribut i kodeve morale të popullit dhe kombit shqiptar. Nëse ne do të mësonim në shembullin amerikan që respektin për njëri-tjetrin ta përçonim përmes një procesi transformues të vendit në një demokraci të zhvilluar e të mirëfilltë, atëherë sjellja jonë politike, morale e filozofike do të shndërrohej në një forcë lëvizëse zhvillimi e përparimi të paimagjinueshëm. Botimi i këtij libri na jep dhe një herë shansin që të mësojmë nga përvoja amerikane e promovimit dhe vitalizimit të vlerave të lirisë në shoqëri. Pa një shoqëri të edukuar me shtetin e së drejtës dhe ligjet e tij demokratike, pa respektin reciprok ndaj të drejtës shtetërore dhe të drejtave të qytetarëve ka rrezik që ato vlera civilizuese e humane që ne i kemi trashëguar nga kodet morale të shoqërisë sonë të dobësohen e shkatërrohen.

Së treti, duke lexuar librin “Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” ne shohim se në Amerikë një rol të jashtëzakonshëm kanë luajtur individët me vizion dhe kapacitete të mëdha për fatin e kombit amerikan. Që nga Xhorxh Uashingtoni e Jefersoni, tek Abraham Linkolni e presidenti Uillson, e deri te presidentët e kohëve të sotme, Regan-Bush Senior-Klinton-Bush Junior dhe Obama, shohim në vijimësi zhvillimin hap pas hapi të kombit dhe shtetit amerikan. Në Amerikë historia na jepet si një vijimësi ngjarjesh, epokash, ndodhish dhe kthesash të mëdha shoqërore. Në Amerikë historia nuk na shfaqet si ujë në një shishe, por si një det dhe oqean i pafund. Ndërkaq, në vendet ku ka sunduar teoria dhe filozofia e revolucioneve, pra edhe te ne në Shqipëri, historia është shkruar si histori e mohimit të një kohe dhe e glorifikimit të një kohe tjetër. Vendi ynë po e vuan fatkeqësisht këtë sindromë edhe në ditët e sotme, duke shfaqur në disa raste filozofinë e mohimit dhe të nihilizmit.
Dhe së fundi, do të doja të përmend faktin se ne shqiptarët jemi e do të jemi krenarë që në fund të shekullit të XX e fillimin e këtij shekulli jemi bërë pjesë e historisë së kombit më të madh, më të zhvilluar e më të civilizuar të botës moderne, pjesë e historisë së kombit amerikan. Nuk mund të shkruhet për historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa përmendur rolin e saj udhëheqës në fushatën ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, me qëllim çlirimin e Kosovës dhe lirinë e saj. Por pjesë e studimeve historike do të jenë marrëdhëniet intensive midis SHBA-ve nga njëra anë dhe Shqipërisë, Kosovës e vendeve të tjera të rajonit në periudha të ndryshme, sidomos pas shembjes së perandorisë komuniste nga ana tjetër. I gjithë procesi i zhvillimeve demokratike normale në Shqipëri nuk do të mund të shpjegohet pa lidhjen e tyre me procesin e marrëdhënieve të ngushta midis kombit e shtetit amerikan si dhe kombit e shtetit shqiptar.
Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç del dhe nga ky libër i përkthyer me aq mjeshtëri nga shqipëruesi Ukë Zenel Buçpapaj, është histori e mësimeve dhe reflektimeve të mëdha për shoqërinë shqiptare dhe udhëheqësit e saj të kohës së sotme moderne. Historia e Amerikës na shfaqet si histori e një filozofie të respektit, të paqes, të zhvillimit evolucionist, të harmonisë në kundërshti, si histori e zgjerimit të të drejtave të popujve, të kombeve, të qytetarëve deri tek individi dhe grupet e interesit. Ajo na vjen përmes këtij libri si histori e bashkëjetesës së të kundërtave dhe alternativave për zhvillim. Ndërkohë që në këtë libër janë shkruar edhe dështimet, gabimet dhe defektet, përmes të cilave lexuesi do të qëmtojë mënyrën evolutive e reflektive të korrigjimit dhe vetëkorrigjimit, çka e ka bërë vendin më të madh të demokracisë në botë një vend të bekuar, të dëshiruar dhe të respektuar në të gjithë globin.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi