Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Bytyçi:E vërteta rreth një triku elektoral të Edwin Ramës

Shko poshtë

Enver Bytyçi:E vërteta rreth një triku elektoral të Edwin Ramës Empty Enver Bytyçi:E vërteta rreth një triku elektoral të Edwin Ramës

Mesazh nga Agim Gashi Fri Mar 13, 2009 10:12 pm

E vërteta rreth një triku elektoral të Edwin Ramës

Enver Bytyçi


Një sondazh i ri i është shtuar në serinë e anketave të shumta për influencën politike dhe elektorale të partive politike në Shqipëri. "Zogby International" ka shpallur para pak ditësh të dytin sondazh të kohëve të fundit dhe ashtu si në të parin nxjerr fitues Partinë Socialiste të Edi Ramës. (Gjithnjë sikur zgjedhjet të ishin zhvilluar tani). Duke i dhënë 39 për qind PS-së dhe Partisë Demokratike të Sali Berishës 34 për qind, kjo kompani amerikane synon që të ndikojë në opinionin elektoral të Shqipërisë, me qëllim që të pavendosurit, që për sondazhin e zhvilluar thuhet se mbërrin tek 12 për qind, "të shkojnë nga shumica", domethënë të votojnë për preferencën e Sam Rodgers e të "Top Channel", shkurt për tutorin e këtij televizioni në Shqipëri, Edi Ramën. Cilët janë disa nga argumentet se anketimi i "Zobgy International" është i rremë, i sajuar dhe i fabrikuar për qëllime të caktuara politike dhe elektorale?
Së pari: Duke gjurmuar në anketimet e tjera të mediave ndërkombëtare, të paporositura nga ndokush, vëmë re se shifrat janë ndryshe nga ato që u jep shqiptarëve "Top Channel" dhe Sam Rotgers. Është krejt e pamundur që një qeverisje (qeverisja e PD-së), e cila e çon Shqipërinë në NATO dhe në portat e Europës të ketë elektoral më të vogël sesa antiglobalisti Edi Rama, nëse kujtojmë etiketimin e Josefina Topallit. Shqiptarët e kanë ëndërruar prej 20 vitesh këtë arritje. Ata mundën përfundimisht t'i besojnë ëndrrës së tyre vetëm në këto katër vitet e fundit, kur u bë i mundur nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe 27 vendet e BE-së ia hapën rrugën Shqipërisë për të mbërritur e sigurt në Bruksel. Të 26 vendet e NATO-s gjithashtu i thanë po anëtarësimit të vendit në Aleancën Atlantike dhe prej këtij momenti shqiptarët ndjehen krejt të sigurt, për herë të parë në histori, në shtëpinë e tyre.
Në një sondazh të radios gjermane "Dojçe Vele" është shtruar pyetja: A ka shanse Shqipëria të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian? Dhe kësaj pyetjeje i përgjigjen pozitivisht 55,4 për qind e të anketuarve, ndërkohë që vetëm 36, 9 për qind shprehen se Shqipëria nuk ka për këtë asnjë shans dhe 7,8 nuk japin asnjë mendim. Logjika e një rezultati të tillë është e thjeshtë: Ata që besojnë në shanset e mira (55,4 për qind) nuk mundet që të mos vlerësojnë kontributet e jashtëzakonshme të këtyre katër viteve të qeverisjes së Sali Berishës. Ata që besojnë se këtë vit Shqipëria merr statusin e vendit kandidat për t'u pranuar në BE, nuk është e mundur të votojnë kundër Sali Berishës, këtij promotori të integrimeve shqiptare. Ky rezultat i radios gjermane është i mjaftueshëm për të provuar falsitetin e sondazheve të porositura nga Tirana.
Së dyti, opozita dhe media pro saj propagandojnë se "Gërdeci dhe tragjedia e tij janë shkaku themelor i uljes së reputacionit të qeverisjes aktuale". Por një sondazh tjetër i realizuar prej radios "Zëri i Amerikës" provon të kundërtën e këtij versioni. Pyetjes: Çfarë e shkaktoi tragjedinë e Gërdecit?, 69 për qind i përgjigjen se atë e shkaktoi pakujdesia, 29 për qind korrupsioni dhe 2 për qind shprehen: "nuk e di". Ky rezultat i jep përgjigje politizimeve ekstreme që opozita dhe media e saj i kanë bërë dhe i bëjnë ngjarjes tragjike të 15 marsit të vitit të kaluar. Edhe sot pas një viti, gramafonët anti Berishë janë lëshuar me tërbim, si dikur në kohën e piramidave, për ta zhvleftësuar suksesin e qeverisjes. Por nëse 69 për qind mendojnë që shkaktare e atij shpërthimi ishte pakujdesia, kjo përkon me versionin që ka dhënë vetë qeveria, kjo do të thotë se mbi dy të tretat e shqiptarëve nuk bëjnë drejtpërdrejt përgjegjës qeverinë. Natyrisht që një anketim nuk është si puna e një vendimi të gjykatës, e cila ka tagrin të japë fajësi apo pafajësi. Por unë po analizoj një opinion që dikush e ka lëshuar në publik. Dhe të dhënat nga anketime vërtet të pavarura dëshmojnë përsëri falsitetin e sondazhit të Edi Ramës, nëpërmjet "Top Channel", e prej këtej përdorimi i kompanisë amerikane në këtë lojë hipokrite.
Së treti, vetë fakti se anketimi është porositur nga "Top Channel" e komprometon rëndë rezultatin e atij sondazhi, ku Edi Rama del fitues i zgjedhjeve. Shqiptarët nuk mund të mos shohin se "Zëri i popullit" si organ shtypi i Edi Ramës dhe "Top Channel" nuk kanë asnjë ndryshim në pamfletet anti Berishë dhe kundër qeverisjes së tij. Shqiptarët nuk kanë harruar se kreu i socialistëve sajoi në qershorin e vitit 2007 lajmin e "vjedhjes së orës" të presidentit amerikan dhe e përhapi atë përmes "Top Channel", me qëllim që ta kthente në ngjyrë gri rezultatin e shkëlqyer të asaj vizite, me çmimin e denigrimit të dinjitetit kombëtar.
Së katërti, nga pikëpamja statistikore e renditjes së shifrave, vihet re gjithashtu një trik i pashpjegueshëm, i cili është përdorur në kryerjen e sondazhit. Sipas shifrave që janë dhënë del se 5 për qind votojnë për Ilir Metën, 2 për qind për G99 dhe vetëm një për qind të votave marrin disa parti të tjera, si PDK, PBDNJ, PR, PSD, PA. Por në historinë elektorale të pluralizmit paskomunist nuk ka ndodhur ndonjëherë që këto parti të vogla të kenë marrë vetëm një për qind të votave. Si mund të ndodhë kaq papritmas kjo në shkurt-marsin e vitit 2009?! Kush mund ta përtypë një trill si ky?! Kjo dëshmon gjithashtu dhe se shërbimi i kompanisë amerikane për "Top Channel" ka qenë disi me hile, sepse për t'i bërë qejfin partnerit që ka paguar për këtë, "Zogby International" nuk ka ruajtur asnjë rregull e limit real për t'u dhënë shqiptarëve saktësinë e legjitimitetit elektoral.
Së fundi, ndërsa puna e qeverisë në anketimet e "Dojçe Vele" dhe të "Zërit të Amerikës" vlerësohet e mirë nga 60-70 për qind e të pyeturve, nga ana e anketës së "Zogby" - "Top Channel", ky rezultat përmbyset në të kundërtën e tij. Dilema e shqiptarëve në këtë rast është e ligjshme: Kë të besojnë ata? Sukseset e Sali Berishës që shihen qartë në çdo pëllëmbë të Shqipërisë si dhe në politikat integruese në strukturat euro-atlantike, apo anketimet iluzioniste të Edi Ramës?! Sigurisht që 28 qershori do t'i japë përgjigje kësaj dileme.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi