Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Faton Abdullahu:Burri i politikës dhe burrnia në politikë

Shko poshtë

 Faton Abdullahu:Burri i politikës dhe burrnia në politikë Empty Faton Abdullahu:Burri i politikës dhe burrnia në politikë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 22, 2012 1:04 am

Burri i politikës dhe burrnia në politikë


 Faton Abdullahu:Burri i politikës dhe burrnia në politikë Fatoni
Shkruan: Faton Abdullahu


Kur dy palët ndeshen është pala e tretë ajo që fiton. Por këto ditë, kur po ndeshen (e duket se edhe do të vazhdojnë të ndeshen në mënyra të ndryshme, sado që thonë se për qëllime të njëjta) Qeveria dhe Vetëvendosja - pala e tretë ose thënë ndryshe të gjithë ne të tjerët, qytetarët e Kosovës dhe vetë Kosova, nuk duket se do të përfitojmë diçka, për më keq, kështu sikur po rrjedhin punët, mund të ndodhë që edhe do të humbim të gjithë dhe shumëçka, sado që në të parë mund të mos duket kështu. Sigurisht se Kosova ka qenë edhe në rrethana më të ndërlikuara dhe më të rrezikshme se kaq. Rreziku dhe e keqja e atyre kohëve dhe rrethanave që përjetuam ne në luftën e fundit, as që mund të krahasohet me ato të sotmet. Të gjithë e dimë se, edhe ne si qytetarë dhe Kosova, ka qenë në zgrip të ekzistencës. Por kemi arritur deri këtu ku jemi sot, falë shumë flijimeve e sakrificave, shumë punëve dhe veprimtarive e mbi të gjitha falë urtisë dhe largpamësisë, guximit dhe vendosmërisë. Kjo nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi. Por në ato rrethana, përkundër të gjithave, ka pasur burra të cilëve iu ka shkuar fjala, ka pasur pushkë të cilave iu ka miratuar krisma. Vijnë rrethana në histori të cilat koklaviten dhe stërkeqen deri në atë shkallë saqë duken krejt të pakalueshme, ose tejkalimi i tyre duket krejt i pashpresë. Kosova jo moti i ka përjetuar këto në formën më të keqe të mundshme. Po ja që do zoti - thotë populli - del një burrë se e do koha, se e lyp vendi dhe e përmbush detyrën që ia hedh në shpinë historia. Dhe për rrjedhojë ai bëhet gërshetim i shpresës të cilën e ringjall dhe i rrugëdaljes të cilën e gjen. Ibrahim Rugova ishte lider i tillë. Në pamje i hajthëm e i brishtë, me gjeste të lehta dhe me një buzëqeshje të mendueshme, thua se nuk ishte ballkanas, Rugova do të serojë, në kohën e duhur dhe ashtu si duhet, ide, mendime e veprime të cilat, kur do të përqafohen nga masa e gjerë shqiptare, do të kthehen në ideologji për liri e pavarësi dhe si të tilla do të bëhen efikase por edhe shkatërruese kundër shtetit dhe forcës më të vrazhdë ballkanase në atë kohë, kundër Serbisë.
Por kohërat kanë ndryshuar dhe një mik imi si në shaka thotë se sot burra të tillë mund t’i gjesh vetëm tek varret. Po unë mendoj se jo detyrimisht do të duhej të ishte kështu. Çdo kohë i ka burrat e vet dhe çdo politikë duhet ta ketë edhe burrin për politikë edhe burrninë politike. Është e vërtetë se rrethanat si ato në të cilat ishim para luftës, kanë ndryshuar. Ato rrethana tek ne, dhe gjithkund ku shfaqen të ngjashme, nxjerrin persona përmasash kolosale të cilët pastaj, jo vetëm që i bëjnë ballë historisë duke mbetur aktiv në të, por kthehen edhe në udhërrëfyes për kohëra të tjera që do të vijnë. Gjithsesi i tillë ka mbetur edhe Rugova dhe kohërat do ta dëshmojnë se i tillë edhe do të vazhdojë të mbetet. Atë e ka kërkuar vendi dhe historia në një rrethanë të caktuar, por urtinë dhe largpamësinë e tij, sinqeritetin dhe burrninë e tij politike e kërkojnë edhe rrethanat e sotme e si të tilla do të jenë të nevojshme dhe shembull edhe për kohërat e tjera që do të vijnë. Prirja për të qenë i vetëdijshëm për forcën që ke dhe për t’ju përshtatur rrethanave dhe kërkesave të kohës, si dhe prirja për të krijuar miq dhe t’i ndryshosh rrethanat dhe të forcohesh karshi armikut për t’iu afruar qëllimeve dhe idealeve për liri, ishin karakteristika që Rugova i kishte e të cilat sot nuk i kemi të pranishme sa e si duhet. Sot kemi politikanë, politikisht mendjemëdhenjtë. Do të mundohem ta shpjegoj se çfarë nënkuptoj më ketë.
Kosova ka qenë vatër krize për shumë vjet, ku perëndimorët dhe jo vetëm ata, kanë investuar shumë që kjo të bëhet ‘successful story’ (tregim i suksesshëm), prandaj interesimi i tyre është i vazhdueshëm që të mos jetë ndryshe. Prandaj ka aq shumë vizita të politikanëve nga më të fuqishmit të botës perëndimore në Prishtinë saqë për një vend të përmasave të tilla, me territor dhe me forcën ekonomike si Kosova, janë të paimagjinueshme. Në të vërtetë edhe shtetet më të mëdha për nga territori edhe më të forta për nga ekonomia, nuk vizitohen nga pushtetarë si ata që vijnë në Kosovë. Politikanët e vendeve të ndryshme, do të donin shumë që edhe ata të jenë të vizituar nga burrështetas perëndimorë, por kjo nuk ndodh. Kurse tek ne politikanët tanë si ata në pozitë ashtu edhe ata në opozitë, vizitohen shpesh dhe kanë takime e kontakte me institucione më të forta në planetë. Kjo disi i bënë ata politikisht mendjemëdhenjtë, sepse harrojnë se kjo është meritë e shumë flijimeve e shumë punëve që janë bërë me vite e me decenie të tëra e jo e politikës së tyre shtetërore. Çka është më e keqja, nga kjo ndjesi jo reale, nuk e kuptojnë - as kur e përdorin dhunën policore kundër atyre që dalin në rrugë, as ata që përdorin dhunë protestuese kur dalin me kërkesa në rrugë se - edhe sot vazhdojmë të jemi të vegjël, të brishtë, dhe të rrezikuar. Vazhdojnë politikanët e sotëm të mos e kuptojnë se Kosova ende nuk është si shtetet e tjera dhe për rrjedhojë as Qeveria as opozita nuk mund të sillen e veprojnë me komoditetin që kanë shtetet e tjera me traditë demokratike dhe me vetëdije të lartë shtetformuese. Vazhdojnë që të mos e kuptojnë atë që e kishte kuptuar Rugova se, jemi të brishtë dhe se duhet të sillemi në përpjesëtim me formulën, politika është art i së mundshmes, vazhdojnë të mos e kuptojnë se armiqësitë interne si ato që po stërkeqen sot, nuk mund të sjellin miq ekstern, çka për rrjedhojë, kjo qasje ata i bënë politikan që nuk e kanë as respektin as besimin e qytetarit prandaj as edhe mundësinë për të mos i përçarë ata. Sot na mungon edhe burrnia në politikë edhe burri i politikës edhe pse na duhen shumë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi