Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

REXHEP SHAHU:MIQTË KOSOVARË, VËLLEZËRIT KINEZË DHE EDI RAMA

Shko poshtë

REXHEP SHAHU:MIQTË KOSOVARË, VËLLEZËRIT KINEZË DHE EDI RAMA Empty REXHEP SHAHU:MIQTË KOSOVARË, VËLLEZËRIT KINEZË DHE EDI RAMA

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 02, 2012 1:59 pm

REXHEP SHAHU:MIQTË KOSOVARË, VËLLEZËRIT KINEZË DHE EDI RAMA

REXHEP SHAHU:MIQTË KOSOVARË, VËLLEZËRIT KINEZË DHE EDI RAMA 41770_1427327824_5925_n
(Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës” – vetëm kjo gjysmë fjalie gjendet në programin politik të Partisë Socialiste për Kosovën).


Përsëri këto ditë Edi Rama me “Kurban” në shpinë mori udhët përtej Shqipërisë administrative, me shitë do libra, kësaj radhe në Preshevë dhe sërish tek emigrantët shqiptarë në Greqi. Ka fillue dhe po miklohet ndër veti dhe po i duket se “Kurbani” i tij ngjan me “Kuranin” e Muhametit.
Po i sillet rrotull e rrotull Shqipërisë, nga jashtë, për me gjetë ndonjë derë të çelur me hy në zemër të Shqipërisë.
Në Preshevë, këtë fundjanari të 2012, si në nëntor të 2011 në Prishtinë, kërkon të shalojë ndonjë kalë patriotizmi e nacionalizmi me ia mësy Shqipërisë.
Ka kuptuar, pa ia thënë zëdhënësit e këshilltarët as xha xhai e xhaxhallarët, se kjo përmasë i mungon (përmasa e nacionalistit dhe patriotit) dhe një urdhër i brendshëm e nisi për atje. Gjë shumë e mirë dhe kurrë nuk është vonë.
I shkokluar brinjësh nga shtypja që i jep përmasa e Berishës në Kosovë e Preshevë, ai nuk ka fuqi as të lypë ndihmë as të trokasë në derën e duhur dhe shkon shumë inferiror e pritet si inferior nga inferiorët, krejt me të padrejtë.
Dera e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë për në Kosovë e në zemër të saj nuk çelet as nga Baton Haxhiu e as nga Shkelzen Maliqi, dy figura të nderuara publike të Kosovës, por duhet të çelet ndryshe dhe çelet ndryshe.
Sepse Edi Rama nuk është sot një piktor udhe që kërkon një sallë për një ekspozitë apo një ekspozitë ku të mund të varë një pikturë piktori varfanjak, i talentuar e i pakuptuar nga bashkëkohësit.
Edi Rama nuk është një fenomen në publicistikë që ka bërë një kryevepër (mos kujton me të vërtetë ndonjë budalla nga militantët e tij se ka bërë Rama një Kuran të ri…), pasi ai e di mirë se ka derdhë mllef dhe urrejtje pa hesap (duke u rrekur pa sukses e pa fat të urrejë urrejtjen) në atë libër që jam duke e lexuar, e din mirë se është rrekur me stërmundim të bëjë pikturën e tij të Shqipërisë siç ai e sheh me sytë e mendjes e të zemrës së tij plot zemërim, urrejtje të verbër, dëshpërim e zhgënjim.
Edi Rama nuk është një politikan që e “morën në qafë” të pabesët, që e “hëngri” kot, që “ia lanë në dorë…”. Jo. Ai është shkop bagërdani në politikën e majtë shqiptare për rreth një dekadë e gjysmë. Është sulmues, gjuajtës penalltish dhe mbrojtës e portier vetë.
Pra, ai, nuk është thjeshtë nga këto që thashë sipër, ai është lideri i opozitës në Shqipëri dhe si i tillë duhet të shkojë në viset e tjera shqiptare, pasi nuk është turp të jesh lider i opozitës shqiptare, sepse unë besoj plotësisht se Partia Socialiste është parti shqiptare dhe është shumë mirë të njihet ndër shqiptarë, është mirë të takohet me shqiptarë jashtë kufinjve administrativë të vendit tone, duke e vrarë frikën që ka kjo forcë politike nga e3 kaluara e pararëndësve të saj, duke larë vetën dhe duke mos ia futë shpatullat mëkatit të atyre që e themeluan dhe e bënë paraardhësen e kësaj partie antikombëtare, antiKosovë, internacionaliste në dëm të çeshtjes kombëtare shqiptare deri aty sa në “Zërin e Popullit” shkruhej “miqtë kosovarë e vëllezërit kinezë”.
Por problemi i vërtetë që Edi Rama si kryetar i PS, mbase nuk e di, ose e di por nuk dëgjon nga ai vesh, është se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk e konsideron Kosovën, nuk e përfill as sa borën e rënë në vitin 1953. Pasi në programin politik të kësaj partie të fundvitit 2011, për Kosovën ka shkruar vetëm këtë gjysmë fjalie: “Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës”. 54 germa a karaktere. Kaq. Asnjë germë më shumë.
Këtë program politik të botuar si libër Edi Rama ia dhuroi Hashim Thaçit në Prishtinë. Hashimi, që ndoshta nuk ka kohë t’i shkojë deri në fund leximit të një libri të tillë, nuk reagoi. U pajtua me “dashurinë” e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Kosovën. Sepse Hashimi beson ende mbase se bytha e pulës bën vezë pate.
Nuk reaguan as reaguesit profesionistë në Kosovë as Vetvendosja as Albini as tifozat kuq e zi të futbollit politik në Shqipëri. Jo për gjë, por thonë se janë patriotë dhe janë për bashkim kombëtar. Duket ua kanë qorrue sytë xhixhat patriotike se ndryshe do të alarmoheshin nga kjo mosdashje për Kosovën nga Partia Socialiste e Shqipërisë, partia që ka gjysmën e shqiptarëve me vete, që do të vijë në pushtet një ditë në Shqipëri.
Patriotët nuk e çmojnë si duket si mungesë të përmasave patriotike mungesën e Kosovës në programin politik të Partisë Socialite të Shqipërisë. Patriotët janë të zenë më çeshtje patriotike shqiptare më të rëndësishme se Kosova.
Por duket se edhe Rama dhe mbështetësit e tij, nuk janë të trazuar për këtë mungesë të Kosovës në programin e tyre politik sepse ende nuk e besojnë se Rama do të vijë një ditë në pushtetin politik si drejtues, si kryeministër, nëse do të kryesojë socialistët. Rama duket vetë nuk beson se do të bëhet kryeministër. Shpesh, që nga 2009, ka artikuluar fjalën “kurrë”. O sot o kurrë!, thërriste Rama. Kjo “sot” nuk u bë dot dhe mbeti “kurrë”. Pra Rama nuk beson vetë së pari se mund të bëhet kryeministër. Sepse ende deri sot asnjëherë nuk është sjellë si i tillë, asnjë ditë, për asnjë lloj gjëje. Ai nuk beson se mund të veshë kostumin e kryeministrit, pasi i duket gjë shumë serioze dhe e paarritshme. Dhe shpesh po dëgjojmë dhe shohim mbështetësit e tij që pyetën e pyesin edhe vetën në emisione televizive “a bën Rama për kryeministër…”. Thjeshtë shtruarja e kësaj pyetje nga njerzit e Ramës, tregon se as Rama e as të tijtë nuk janë ende gati që ai të marrë përgjegjësi e të bëhet kryeministër.
Ndërsa unë besoj se nëse do ta votojnë shqiptarët ai s’ka pse të mos bëhet kryeministër, por jo me “O sot o kurrë…” sepse kështu i bie të bëhet kryeministër kurrë.
Miqtë e mi socialistë e pro socialistë, që i kam miq jo për hatër të politikës pasi politika nuk është grazhdi im, nuk ndjehen mirë për këtë dashuri të munguar të Partisë Socialiste për Kosovën, për këtë mungesë totale vemendje ndaj saj, për këtë shpërfillje e tallje ndaj Kosovës dhe në vend që të reagojnë që të ndryshohet kjo gjë, që Kosova të jetë në axhendën e kësaj partie, të jetë realisht ashtu siç është në jetën reale të përditshme shqiptare, pasi edhe Kosova edhe PS janë shqiptare, rrinë e më kujtojnë mua nëpër komente e bllogje Sali Berishën, Partinë Demokratike, të vrarët e 21 janarit etj etj.
Unë nuk do t’ua kujtoj përditë miqve të mi socialistë, se i bie që t’i shpall budallenj se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka lëvizur asnjëherë nga qëndrimi i saj i qartë kombëtar dhe se Kosovën e çeshtjen kombëtare shqiptare e ka patur që në çastin e themelimit, yll të saj polar. Është e shkruar në të gjitha dokumentet politike të kësaj partie, siç është e shkruar gjysmë fjalia fyese për Kosovën në programin politik të PS. Miq, thirrini kujtesës dhe shihni punët që janë bërë, pa tifozllëk.
Udha e Kombit nuk do të bëhej dhe nuk u bë pa një vullnet të fortë politik, nuk do të bëhej po të mos ishte Kosova çeshtje kombëtare shqiptare, po të mos ishte kjo çeshtje yll polar për Partinë Demokratike të Shqipërisë, qeverinë dhe kryeministrin e saj.
Nga sjelljet, nga deklaratat që bën nga faqja e tij e internetit Edi Rama po sillet si një gazetar apo publicist që pretendon të jetë i pavarur, por që nuk është dot i pavarur, si një piktor që don të jetë i famshëm, por nuk është dot as mesatar. Nuk ofron besim, shpresë. Ofron sharje, fyerje. Synon të tërheqë vemendjen e Berishës, merakoset se a e lexoi apo dëgjoi Berisha të shkruarën apo të thënën e tij. Angazhohet për mustaqet e Çelos, avokaton gjëra e çeshtje koti, bën prokurorin e akuzatorin për gjëra banale. Nuk arriti asnjëherë të na thotë kush dhe cilat janë prioritetet e tij, problemet serioze të këtij vendi, por merr rolin e ndonjë kryetari të ndonjë OJF-je të dyshimtë dhe hyn në aleanca me OJF fantazma. Rama nuk beson se shteti nuk qeveriset nga OJF dhe as si OJF.
Gjeja më e madhe që ka ndodhë në Shqipëri për ta përmbyllë pavarësinë e cunguar të kombit shqiptar është Udha e Kombit që u ndërtua. Ajo nuk u pranua nga Rama e të tijtë. Përkundrazi u sha, përbalt dhe mallkua pa fund me një histeri urrejtje.
Rama shkon dhe shan këtë udhë mu në Prishtinë. Kësaj i thonë t’ua shash atyre ëndrrën. Gjithmonë duke synuar të shajë Sali Berishën, kur e din mirë ai dhe cilido tjetër se Berisha nuk mund të shahet në Prishtinë. Është as më shumë e as më pak se sa papjekuri e Ramës, këshilluesve dhe Xhaxhallarëve që e udhëzojnë. Minus i madh për vetë Ramën. Shqiptarëve ju dhëmb deklarata e Ramës, por atij i djeg e përvëlon, ani se bën sikur nuk e ndjen, sepse këto deklarata janë fatura e humbjeve të tij politike.
Duket se po sillem si kali në lëmë të shirë teksa merrem me raportet e Ramës me Kosovën. Duke e ditur se ai është kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, unë nuk ndjehem mirë që ai shkon gati – gati fshehtas e ilegalisht në Kosovë nëpër rrugë shoqërie e OJF-sh. Ai nuk duhet të gjejë sebep një libër të tijin për të shkuar në Kosovë. Ai duhet të shkojë atje si kryetar i PS. Me dinjitet. Të qartësojë njëherë e mirë se ai nuk ka përgjegjësi për trashëgiminë anti Kosovë të Partisë Komuniste apo Partisë së Punës të Shqipërisë. Të kërkojë ndjesë publike që Kosovës i ka kushtuar gjysmë fjalie në programin politik të PS. Dhe të gjitha këto për arsyen e thjeshtë e të vetme, që Partia Socialiste të ndërrojë kurs ndaj Kosovës, të pranohet në Kosovë, të mos u kujtojë shqiptarëve atje mëkatet e kësaj partie ndaj Kosovës në këto dy dekada, mëkatet dhe krimet e origjinës së kësaj partie ndaj Kosovës në gjysmë shekullin e kaluar. Sepse ndryshe nuk ka afrim, nuk ka pranim, nuk ka bashkim. E nëse Rama dhe partia e tij janë të bindur se janë në rrugë të drejtë në raportet e tyre me Kosovën, s’më mbetet tjetër veçse t’ju uroj fat në humnerën pa urë që kanë përpara.
Dhimbja më e madhe e këtij vendi në këto dy dekada është shprazja e atdheut. Shumë shqiptarë, tani që po bëhet një brez njerzor larg atdheut, janë në dilemën e llahtarshme, çfarë të bëjnë: të rrinë apo të ikin nga vendet ku janë. Ku të shkojnë. Çfarë të bëjnë në atdhe. Fëmijët u janë rritë larg atdheut. A mund të integrohen në atdhe dhe çfarë u ofron atdheu atyre dhe fëmijëve të tyre.
Krijimi i mundësive për investime prodhuese, jo më për shërbime, jo më për kafe e restorante e lojra, krijimi i mundësive për ta bërë efektive tokën, kjo është dilema sot, sfida e sotme dhe e neserme e këtij vendi.
Ndër më të mirat gjëra që ka bërë ky shtet në 20 vitet e fundit është nxitja dhe stimulimi i fermerëve shqiptarë për të mbjellë tokat e tyre me produkte për të cilat ka uri gjithmonë tregu dhe që kanë konkurueshmëri në treg lokal e rajonal. Subvencione për mbjellje frutash, perimesh etj. Por me rëndësi të madhe kombëtare janë dy programet e mëdha, ai i mbjelljes së ullnjve dhe arrorëve. Të dyja këto programe i ka tallë Edi Rama. Ndërsa unë mendoj se nuk ka gjë më atdhetare se sa të mbjellësh 50 apo 100 milionë rrënjë ullinj në këtë vend sepse janë mundësitë dhe mundësisht ullinj vendas, shqiptarë. Dhe nuk ka sektor tjetër më fitmprurës për fermerin shqiptar se sa të mbjellë gjithë teritorin e pranueshëm për arra e lajthia. Këto dy projekte duhet ti nxiste e t’i stimulonte Partia Socialiste e jo ti anatemonte. T’i bënte presion qeverisë të dhjetëfishonte fondet në këto projekte. E të mos rrinte duke gjurmuar ku ka për të vjedhë e për të përfituar sepse kjo pohon se është zakon e ves kjo gjë, pasi ai që bën vetë, kujton se të gjithë duhet të bëjnë si ai…
Edhe patriotët profesionistë shqiptarë nuk e kanë në axhendë ullirin e as arrorët. Janë ende në sferën e parfumerisë patriotët tanë profesionistë.
Se po na krijohet përshtypja se u largova nga tema tek përmenda punësimin, arrorët e ullinjtë. Jo, jo. Ishim te fjalia e mekur për Kosovën në programin politik të kandidatkryeministrit të nesërm Edi Rama që është pesha e rëndë mbi supet politike të Edi Ramës, është pesha e rëndë që nuk i lejon portat e Kosovës të çelen për Edi Ramën edhe pse ky vlerësim për Kosovën në programin politik të Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk u bën përshtypje as Shkelzenit e as Batonit si sajditës të Ramës në Prishtinë.
Thashë se Rama po i sillet nga jashtë “kalasë Shqipëri” për ta marrë e për t’u bërë kryeministër. I duket si pasqyrë Kosova, Presheva dhe emigrantët dhe monologon para tyre me veten a bëj për kryeministër. Duket nuk i beson plotësisht xha xha –it e xhaxhallarëve të tjerë që i bëjnë vapë e fresk. Shkon me “Kurban” në shpinë tek emigrantët shqiptarë në Greqi.Duhet të blejnë edhe librin e Ramës shqiptarët ca për Kuran e ca për Bibël dhe të nisin të gjithë me “ooiiii” në kor me Ramën për mundjet e tij.
Tradhëtare e shpalli Edi Rama qeverinë shqiptare se tentoi të shiste detin tek greku por nuk e la Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Dhe ai shkon te greku e i kërkon ndihmë për ta bërë atë kryeministër në Shqipëri. Dhe greku mbase e bën, por sa të ngrejë njëherë pantallonat e tij se i kanë rënë në fund të këmbëve. Shkon dhe ulet në gjunjë para të “shquarit” Papandeut kryeinternacionalist, ëmbëltohet me ishministren e jashtme greke Bokajanis që “mëkatoi” për detin me ishministrin e jashtëm shqiptar Lulzim Bashën.“
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi