Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adriatik Kelmendi:“Kamishi” Vs. Kurti, “pyetjet” Vs. pyetjet

Shko poshtë

Adriatik Kelmendi:“Kamishi” Vs. Kurti, “pyetjet” Vs. pyetjet Empty Adriatik Kelmendi:“Kamishi” Vs. Kurti, “pyetjet” Vs. pyetjet

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 11, 2012 3:08 am

“Kamishi” Vs. Kurti, “pyetjet” Vs. pyetjet

Adriatik Kelmendi:“Kamishi” Vs. Kurti, “pyetjet” Vs. pyetjet 08_09_11_116287_adriatik1
Adriatik Kelmendi


“Pyetjet” shantazhuese vetëm sa e turpërojnë pyetësin dhe e fuqizojnë të pyeturin, ndërkohë që janë shumë pyetje të rëndësishme dhe brengosëse që po na mbesin pa përgjigje

SA DO TA NDIHMOJË Kosovën publikimi i “fakteve” “diskriminuese” i një qytetari kundrejt një qytetari tjetër? Janë dy përgjigje. E para është se nuk e ndihmon fare! E dyta: e ndihmon, por në drejtimin e kundërt, negativ. Në qoftë se ky edhe është qëllimi që në këtë rast një qytetar, që është edhe deputet, Bekim Haxhiu - “Kamishi”, do që ta zbehë imazhin e një qytetari tjetër, që ka qëlluar të jetë deputet nga radhët konkurrente, Albin Kurti, atëherë ai edhe mund të arrihet. Me shfaqje të këtilla, Kosova vetëm sa rrezikon të rrokulliset me ritëm të shpejtë në situata që kishim menduar se i kishim kapërcyer me pak pasoja menjëherë pas luftës. Sulme si këto, me qëllim të eliminimit të kundërshtarit politik me “fakte” “diskriminuese” (me të dyja rastet pra nën thonjëza, pasi që s’ka pse të quhen fakte, për shkak se s’i interesojnë kujt, e si të tilla nuk mund të jenë edhe diskriminuese), çojnë në debate të kota, por shumë polarizuese të shoqërisë, me tendenca të armiqësive të rrezikshme.

Është neveritëse dhe e pështirë të kapërdihet mendësia se në institucionin më të lartë të një shteti, përfaqësuesit aty spiunojnë njëri-tjetrin, për t’ia nxjerrë një ditë gjetjet, në situatën kur mendohet se do t’i duhej ta mposhtnin politikisht. Në qoftë se ky episod nuk shërben si një lajthitje e izoluar që nxjerr mësime korrigjuese, ky paraqet fenomenin ndër më shqetësuesit të kohëve të fundit.

Pa dashur fare këtu që të mbaj anë, “Kamishi” këtu, për shkak se mban peshën e votës qytetare, do të duhej t’u kërkonte falje po këtyre qytetarëve për, thënë së buti, gafën e shkaktuar në Kuvend. Në qoftë se vazhdon me metoda me qëllim shantazhimi, humbësi më i madh do të mbetet vetë dhe të gjithë të tjerët që e përkrahin.

Në anën tjetër, qëndrimi i Kurtit, që të mos i japë llogari të parit për “faktet” e kërkuara – përkundër shumë hamendësimeve që do të ketë mundur të ngrinte – vetëm sa e ka përforcuar atë, ia ka ngritur dinjitetin atij e edhe qytetarisë së këtij vendi. Vetëm paramendoni se çfarë presedence do të paraqitej sikur të ndodhte e kundërta dhe Kurti t’i përgjigjej “shantazhit”! Kjo do të ishte një fitore e të gjithë shantazhuesve të tashëm dhe të ardhshëm. Kështu do të krijohej situata në Kosovë e ngjashme me regjimet më të egra komuniste në botë të shekullit të kaluar, ku individi ka jetuar në frikë të përhershme se do të bëhet viktimë e shantazheve të qena e të paqena nga veprime të qena e të paqena të spiunimit.

Besoj se kemi plot halle të tjera, në mënyrë që t’i lejojmë vetes të futemi në rrethin vicioz të shantazhimeve të ndërsjella për t’i luftuar kundërshtarët.

MUND TË THEM se është i dhimbshëm edhe fakti që ky shkrim në pjesën e tij të parë merret me një situatë krejt groteske, që nuk do të duhej të ndodhte dhe nuk do të duhej të trajtohej fare, si pjesë e debatit publik. Pasi që kjo punë, sido që ta shohësh, është bjerrje e kohës, shpenzim i kotë i energjive, në kohën kur Kosova nuk i ka fort punët mirë. Pikërisht, ka të bëjë me synimin që me një të rënë të arrihen dy fitore. Përveçse satanizimit të kundërshtarit politik, të shmanget vëmendja edhe nga shumë çështje të tjera të cilat do të duhej adresuar nga pushteti. Thelbi, pra, do të duhej të ishte jo të “pyetjet”, por te pyetjet vërtet të rëndësishme dhe fatkeqësisht brengosëse që s’po marrin përgjigje.

Përse nuk po i kushtohet vëmendje serioze 4-pikëshit të Tadiqit?

Përse s’po flasin me një gjuhë e një qëndrim lidhur me marrëveshjen për përfaqësim rajonal kryeministri Thaçi, kryenegociatorja Tahiri, zv.kryeministri Kuçi, kryeparlamentari Krasniqi?

Çka ndodhi me planin gjashtëmujor të Qeverisë për të shtrirë autoritetin në veri?

Përse ende po vazhdojnë barrikadat e serbëve, teksa në fund të dhjetorit na u tha se ato po hiqen?

Përse veriu i Kosovës po trajtohet ndaras në procesin e miratimit të projektligjeve në kuadër të përmbushjes së mocionit të Kuvendit për të përmbyllur procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë?

Përse nuk po trajtohet seriozisht mbajtja e paralajmëruar e referendumit të serbëve në veri lidhur me sovranitetin e Prishtinës, kur e dimë se edhe në rastet e tjera veprimet ilegale janë marrë si legjitime kur ka qenë në pyetje vullneti i shprehur i popullit (si në rastin e zgjedhjeve ilegale serbe)?

A do të ishte një veprim i drejtë që Prishtina ta ushtrojë sovranitetin duke e pamundësuar mbajtjen e këtij referendumi?

A do ta lejojë Prishtina sërish mbajtjen e zgjedhjeve ilegale serbe në Kosovë?

Përse nuk ndodhi reciprociteti i premtuar me targat RKS e “proba”, teksa na premtohej se shumë shpejt edhe Kosova do t’i mbulojë targat me 4 S-të serbe?

Përse nuk u hoqën tarifat e larta të sigurimeve?

Këto janë vetëm dhjetë nga shumë pyetje urgjente që kërkojnë përgjigjen e pushtetit në raport me dialogun me Serbinë dhe sjelljen ndaj saj.

Në këtë mes, ka edhe një vërejtje tjetër, përse ky dialog i nisur mbrapsht dhe që po zhvillohet mbrapshtë, nuk bëhet përpjekje që të vazhdojë, por me tema që vërtet do t’u shërbenin edhe interesave shumë më imediate të qytetarëve të Kosovës, se sa ç’është përfaqësimi rajonal, ose njohja e diplomave.

Përse nuk është temë e bisedimeve fondi i vjedhur pensional i Kosovës?

Përse nuk është temë e bisedimeve funksionimi edhe i mëtutjeshëm paralel i komunave, gjykatave, prokurorive... të qyteteve të Kosovës në qytete të Serbisë?

Përse nuk është temë kthimi i artefakteve të marra nga Kosova?

Pra, për të mos numëruar më gjatë, përse nuk ka ndërtim të agjendës së Kosovës në këtë dialog, por siç po shihet deri më tash, e tëra i është lënë agjendave që vijnë nga fasilituesit ose Beogradi?

NË KËTË RAST, fatkeqësisht, nuk do të mund ta shfajësoja krejtësisht edhe opozitën, me gjithë mbivotimet që i ka në Kuvend.

Shpesh, subjektet opozitare në Kuvend, më të lehtë po e kanë të merren me situatat e shpifura nga individë të pushtetit, se sa të gjejnë mënyra që të japin alternativa për përmirësimin e kahes së dialogut në të cilën është hyrë tashmë me Serbinë, dhe – siç u pa – kjo opozitë nuk e ka fuqinë që ta ndalë, edhe nëse do.

Pra, në qoftë se nuk ndalet, përse të mos ofrohen alternativa që i njëjti të modifikohet.

Ose, gjithsesi gjithmonë është më kollaj - të vallëzohet nën ritmet e “Kamishit?!

adriatik@kohavision.net

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi