Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Enver Bytyçi:Kujt i vjen në ndihmë "kompromisi historik" i Rexhep Qosjes me Dobrica Qosiç.

Shko poshtë

Enver Bytyçi:Kujt i vjen në ndihmë "kompromisi historik" i Rexhep Qosjes me Dobrica Qosiç. Empty Enver Bytyçi:Kujt i vjen në ndihmë "kompromisi historik" i Rexhep Qosjes me Dobrica Qosiç.

Mesazh nga Agim Gashi Sat Feb 18, 2012 11:18 pm

Kujt i vjen në ndihmë "kompromisi historik" i Rexhep Qosjes me Dobrica Qosiç

Enver Bytyçi:Kujt i vjen në ndihmë "kompromisi historik" i Rexhep Qosjes me Dobrica Qosiç. 369319_812907206_2107286605_n



Enver Bytyçi



Njerëzit e bëjnë historinë dhe disa prej tyre hyjnë në histori. Historinë e bëjnë idealistët, njerëzit e ndershëm, ata që sakrifikohen jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të ardhmen e brezave. Ndërsa në histori hyjnë kryesisht ata që bëjnë epokë, që japin ide, vizione dhe udhëheqin kthesat më të rëndësishme të historisë. Megjithatë ka njerëz që përpiqen të hyjnë në skenën historike nga dera e pasme e saj, me sensacione, me gjoja ide që “promovojnë kompromise historike”. E tillë ishte ideja e ditëve të fundit e akademikut shqiptar të Prishtinës, Rexhep Qosja. Në një intervistë për agjensinë e lajmeve "Presheva jonë" ai është shprehur tekstualisht kështu: "Unë mendoj se për t’u zgjidhur përfundimisht çështja e Kosovës, duhet të zgjidhet edhe një brengë e brendëshme në Kosovë, për t’u çliruar nga serbët e Veriut dhe kush është interesuar nga këta serbë nga brendia e Kosovës, mund të kalojë atje në Veri dhe ajo pjesë t’i jepet Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Do të thotë të bëhet shkëmbi i territoreve, për të cilin opsion unë jam dakord". Dhe më tej Qosja vazhdon: “T’i mbash me zor serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës nën një shtet që nuk e duan është jo e drejtë dhe jo demokratike, që ndryshe mund të thuhet t’i mbash ata nën okupim”.

Eshtë një refren ky i dëgjuar disa herë në gojën e Rexhep Qoses. Në gazetën “Shqip” të Tiranës të 1 tetorit 2007 lexuesi mund të gjejë elaborimin e tezës së ndarjes së Kosovës, madje me një gjuhë gati urdhëruese, siç është zakon të shkruajë e të flasë zoti Qose. "Ideja e lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë është ide që shumë më tepër përfaqëson interesat e shqiptarëve, sesa të serbëve", shprehet akademiku shqiptar, Rexhep Qose. Por ka edhe më shumë se kaq. Le të ballafaqohemi me këto teza, të cilat konvergojnë plotësisht me idetë serbe të akademikut të Beogradit, Dobrica Qosiç.

Për dekada është dukur se Qosja dhe Qosiç ndajnë qëndrime të ndryshme, të kundërta midis tyre. Por vitet e fundit ata janë pajtuar në çeshtjen themelore që ndan serbët me shqiptarët. Rexhep Qosja ka rënë dakord me propozimin 30 vjeçar të Dobrica Qosiç për "kompromisin e madh" midis shqiptarëve dhe serbëve. Akademiku dhe "babi i kombit" tonë, zyrtarisht nderi i kombit të Rexhep Mejdanit, është rideklaruar për ndarjen e territorit të Kosovës.




  • Pak histori për teoritë e ndarjes së Kosovës e të asgjësimit të shqiptarëve.



Më së pari herë idenë e ndarjes së Kosovës e ka hedhur akademiku serb, Dobrica Qosiç. Ai është ndër të fundmit ideologë të luftës kundër shqiptarëve dhe asgjësimit të tyre në Kosovë, por edhe i pari prej tyre që në stilin e Rexhep Qoses ka rekomanduar si zgjidhje ndarjen e saj. “Për Kosovën kot flas dhe shkruaj katër dekada, duke propozuar zgjidhje demokratike të drejta të kompromisit dhe ndarje të përhershme. Kjo është mënyra e vetme që të tejkalohen antagonizmat shekullorë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, i thoshte Qosiç agjencisë së lajmeve Beta më 30 maj të 2011-ës. Dhe nëse krahasojmë të dy referencat, atë të Qosjes dhe atë të Qosiç, dallojmë qartë ngjajshmërinë midis tyre. Të dy thirren në emër të "zgjidhjes demokratike", të dy propozojnë ndarjen, të dy flasin "për heqjen e një barre historike midis shqiptarëve dhe serbëve" e përfundimisht të dy synojnë "kompromisin historik". Duket sikur të dy janë në garë për të përqafuar një ide thelbësisht të vjetëruar, por që atyre u duket substanciale, racionale e madje origjinale.

Para Qosiç kanë dhënë kontribute të shumta teorike, programore, politike, ideologjike dhe praktike një numër i madh akademikësh dhe studiuesish të Serbisë. I pari prej tyre ishte Vuk Karaxhic (1787-1864) shkrimtar dhe filolog. Ai formuloi në shekullin XIX tezën sipas së cilës: "Kudo ku gjendet edhe një serb i vetëm, aty duhet te zejë vend shteti serb". Sipas kësaj formule ka funksionuar më vonë e gjithë skema e projekteve të Serbisë për pushtimin dhe serbizimin e Kosovës, skemë të cilën ne e shohim të aplikohet çdo ditë nga politika zyrtare e Beogradit. Në fillimin e viteve 1840 erdhi projekti i Ilia Garashaninit, me të cilin Serbia shprehu hapur ambicjen e saj për pushtimin e territoreve ballkanike. Ky projekt u praktikua me shumë sukses nga ana e mbretërisë së Serbisë në vitin 1876, kur ajo dëboi me dhunë prej Sanxhakut të Nishit mbi 350 mijë shqiptarë dhe gjatë fushatës së spastrimit etnik në këto territore shqiptare asgjësoi fizikisht 35 mijë të tjerë. Shifrat e lartpërmendur i ka sjell në dritë nga dokumentete osmane historiani turk Bilal Shimshirit në librin e tij "Rumeliden Greqleri", vëllimi I dhe II. Ndërsa më vonë, atëherë kur u mblodh Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ngjarje kjo më e madhja në historinë e re të kombit tonë, qeveria serbe u angazhua me të gjitha mjetet e saj propagandistike për ta paraqitur Lidhjen si një vegël në duart e osmanëve turq. Dhe në fakt ajo ia arriti qëllimit, sepse e bindi Kongresin e Berlinit për t´ia shkëputur disa territore Shqipërisë. Ndërsa nacionalistët shqiptarë Serbia i quajti "njërëz të shitur te Perendimi".

Afrimi i ditës së pavarësisë së shqiptarëve mobilizoi forca të shumta antishqiptare në Serbi, me qëllim që të mos lejohej krijimi i shtetit të ri shqiptar. Vlladan Gjorgjeviç, Jovan Cvijiç dhe Nikolla Pashiç ishin tre protagonistët kryesorë të luftës kundër Shqipërisë, pavarësisë dhe ekzistencës së saj. Krahas shpifjeve dhe akuzave të shumta, që fatkeqësisht zunë vend në Perendim, Serbia moblizoi ushtrinë e saj dhe ndërmori një sulm të përgjithshëm kundër Shqipërisë, duke masakruar në Kosovë e deri në Krujë e Durrës së paku 25 mijë veta. Ndërsa Vasa Çubrilloviç, i cili e nisi karrierën e tij si pjesmarrës në vrasjen e princit austriak, Ferdinand dhe gruas së tij në Sarajevë, dhe bëri karrierë si akademik, ministër i brendshëm në kohën e Krajlit dhe ministër i Bujqësisë në kohën e Titos, njihet si hartues i programeve fashiste për shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe serbizimin e Kosovës. Në këtë aradhë intelektualësh që nxitën urrejtjen dhe terrorin kundër shqiptarëve ishte gjithashtu nobelisti serb, Ivo Andriç, i cili në vitin 1939 përpunoi projektin e tij për shfarosjen e shqiptarëve. Emra të tjerë kanë dhënë kontribute në luftën kundër shqiptarëve dhe të tillë mund të përmenden pafund në Serbi, si Ivan Vukotiç, Stefan Moleviç, Drazha Mihajlloviç, Lubomir Tadiç, i ati i presidentit të sotëm të Serbisë, Boris Tadiç, Dragasha Vasiç e të tjerë. Por më i spikaturi ndër të gjithë këta mbetet Dobrica Qosiç.

Qosiç ishte i pari akademik, shkrimtar dhe politikan i Serbisë që elaboroi në programin e tij idenë dhe projektin e ndarjes së Kosovës. Ai arriti në këtë përfundim pasi konstatoi se programet e paraardhësve të tij nuk kishin mundur t´i asgjësonin shqiptarët dhe ta serbizonin Kosovën. Qasja e tij ndaj Kosovës është vërtetë e një lloji të veçantë. Propozimet e tij për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb lidhen me projektin për ndarjen e Kosovës 30 për qind për Serbinë dhe 70 përqind për shqiptarët. Në 30 përqindshin që do të përfitonte Serbia bënin pjesë jo vetëm veriu i Kosovës bashkë me Vushtrinë dhe Mitrovicën, por edhe Peja e Deçani. Mund të thuhet se Milosheviçi u ndikua nga projekti i akademikut serb, Dobrica Qosiç, kur në operacionin e tij të luftës kundër shqiptarëve në vitet 1998-1999 ai u përqëndrua që në spastrimet etnike të zonës perendimore të Kosovës prej veriut në Mitrovicë e deri në jug, në Gjakovë. Peja është përshkruar nga kronikanët perendimorë si Hiroshima e fundit e shekullit të XX.

Qosiç njihet gjithashtu për filozofinë e shndërrimit të imoralitetit të shpifjes në moral patriotik. "Gënjejmë që ta mashtrojmë vetveten, ta ngushëllojmë tjetrin, gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë që të mos kemi frikë, të trimërohemi, ta fshehim varfërinë tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë sonë. Gënjejmë për liri. Gënjeshtra është formë e patriotizmit dhe inteligjencës sonë. Gënjejmë në formë krijuese, imagjinuese dhe inventive”, shkruan i fundmi prej akedemikëve të Serbisë, Dobrica Qosiç. Dhe të gjithëve na kujtohet kur ai hartoi "Memorandumin e vitit 1986", në të cilin shpiku "rastin Martinoviç" dhe gënjeu popullin serb që ta nxiste kolektivisht në luftën kundër shqiptarëve. U përpoq që të gënjente botën mbarë për gjoja "genocidin shqiptar kundër serbëve në Kosovë".




  • Pse Rexhep Qose riaktualizon opsionin e Qosiç.



Ajo që më së shumti i lidhin së fundi dy akademikët, Rexhep Qosjen në Kosovë dhe Dobrica Qosiç në Beograd është teza e përbashkët për arritjen e "kompromisit historik" midis serbëve dhe shqiptarëve. Të dy akademikët si mundësi për kompromis shohin ndarjen e territorit të Kosovës. Qosiç në vitin 1991 shkruante se “Rishikimi i kufijve është i pashmangshëm, demokratik dhe shpëtimtar për popujt jugosllavë dhe të Evropës”. Kurse në vitin 1993, atëherë kur ai kryesonte piramidën jugosllave të shtetit, por nën hijen e Milosheviçit, shkruante se “Bashkimi i popullit shqiptar është historikisht i pashmangshëm”, prandaj ai propozonte “rikompozimin e të gjithë hapësirës jugosllave dhe ballkanike mbi bazën e “vetëvendosjes së popujve”. Ndaj Qosiç i paraqiti Milosheviçit si opsion ndarjen e Kosovës, por ankohet se diktatori serb nuk ia vuri veshin. Më tej këtë formulë ai dha si zgjidhjeje dy ndërmjetësuesve të Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan, lordit Ouen dhe diplomatit Vens. Kur këta e pyetën se "Çdo të bëhet me Maqedoninë në rast të ndarjes së Kosovës?, Qosiç duke vënë në veprim rrenën patriotike, thoshte se "Ne jemi për ruajtjen e shtetit të Maqedonisë".

Të frymëzuar nga teoria e Qosiç, ish kryeministri i ndjerë i Serbisë, Zoran Xhinxhiç, skicoi idenë e ndarjes së Kosovës. Në shënimet e tij të vitit 2000 ai shkruan se nëse Kosova shkon drejt pavarësisë, atëherë ajo nuk mund të ndalet, por Serbisë i duhet të kërkojë ndarjen territoriale, garanci për serbët në jug të Kosovës si dhe status të posaçëm për objektet e kultit. Kjo formulë është elaboruar në të gjitha veprimtaritë diplomatike të Serbisë pas Xhinxhiçit. Koshtunica ishte më radikal - e kushtëzoi Kosovën jo vetëm me ndarjen e veriut, por edhe me krijimin e kantoneve në jug të vendit. Ndërsa Boris Tadiç shkon në të njëjtën vijë politike të projektit të Qosiç-it dhe Xhinxhiç-it. Ai ka bërë të gjitha përpjekjet që ta bindë bashkësinë ndërkombëtare për ndarjen e Kosovës, me qëllim që veriun e saj t´ia aneksojë Serbisë. Para disa muajsh u përpoq që ta tërhiqte në këtë skemë Tiranën zyrtare, por kur hasi rë reagimin refuzues të saj, Tadiç ndërroi taktikë. Flet më pak e punon më shumë për ndarjen e Kosovës.

Por, ndërsa para vitit 1999 në Europë gjendeshin politikanë e diplomatë që mund ta merrnin në konsideratë opsionin e ndarjes së Kosovës, pas aksionit të NATO-s kundër Serbisë ky version në tërësinë e vet nuk është pranuar. Disa interlekutorë, si Ëolfgang Ischinger, apo së fundi Busek, të cilët kanë shprehur mundësinë e ndarjes së Kosovës, e kanë lidhur atë me pajtimin e të dy palëve. Me logjikën e “pajtimit” të palëve është shprehur edhe Rexhep Qosja. Madje ai thotë shprehimisht kështu: "Pse nuk mendohet pak më qetë, më racionalisht? Në qoftë se Prishtina dhe Beogradi do të pajtoheshin për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë pse të ngrihet kush kundër pajtimit të tyre. Po të gjithë faktorët ndërkombëtarë thonë se do të ishte më së miri që të gjendet zgjidhje rreth së cilës do të pajtoheshin të dy palët". Shkurt Qosja bën thirrje që askush të mos hapë gojën, nëse qeveria e Prishtinës dhe ajo e Beogradit merren vesh për ndarjen e Kosovës. Madje duket se përpiqet ta imponojë këtë opsion të tijin.

Ndërkohë, ndryshe nga Rexhep Qosja dhe Dobrica Qosiç, bashkësia ndërkombëtare, më së pari amerikanët, pastaj gjermanët, por edhe britanikët e francezët janë shprehur pa mëdyshje kundër ndarjes së Kosovës. Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, presidenti amerikan, Xhorxh Ë. Bush thoshte se "Kufijtë e Kosovës janë të qartë". Përfaqësuesit e sotëm të SHBA-së mbajnë qëndrimin koherent për një Kosovë unike e të pandarë. Po pse atëherë Rexhep Qose i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Qosiç dhe Tadiç për ndarjen e Kosovës?! Pse ai kërkon të çlirohet prej serbëve"?! Çdo të thotë që "Kosova të çlirohet prej serbëve"?! - tash kur ajo është nën administrimin ushtarak të NATO-s?!

Profesori Rexhep Qosja me deklaratën e tij dëshmon se e ka humbur "durimin" dhe kërkon që "për të shpëtuar nga serbët" t´ua japë atyre së paku 10 përqind të territorit të Kosovës, bile pjesën më të pasur e më me resurse, e cila duhet ta mbajë gjallë popullin dhe shtetin më të ri në Europë. Analisti i shquar i Ballkanit, Patrick Moore, thoshte para pak vitesh se "Serbia nuk lufton për manastiret dhe vendet e shenjta në Kosovë, ajo lufton për veriun e Kosovës, për pasuritë e saj minerare". Ndarja e Kosovës ka vetëm një qëllim – Serbia të aneksojë pjesën më të pasur të saj, pa të cilën banorët e ketij vendi do të mbeten "me gisht në gojë". Këtij qëllimi i ka shërbyer dhe i shërben filozofia e Nikolla Pashiç, sipas të cilit, "Edhe nëse krijohet një shtet shqiptar, ai duhet të jetë sa më i vogël, sa më i vaf´rfër, sa më i vobegtë". Sot kjo formulë përkthehet në atë që, "Edhe nëse krijohet shteti i Kosovës, ai duhet të jetë jo funksional, i dobët, me kurrëfarë mundësie të mbijetojë".

Me një Kosovë të dobët Qosiç dhe Tadiç parashikojnë bashkimin e saj me Shqipërinë dhe janë plotësisht dakord për këtë, nëse veriu i Kosovës i bashkëngjitet Serbisë. Me këtë akt në Beograd është llogaritur të shkatërrohet më pas Bosnja dhe Maqedonia, prej të cilave Serbia do të përfitonte territore më të gjera se nga veriu i Mitrovicës. Rexhep Qosja me deklaratën e tij për ndarjen e Kosovës ka marrë anën e Tadiçit, i frymëzuar nga kolegu i tij i moçëm, Dobrica Qosiç.




  • Opsioni i Qosjes dhe Qosiç nuk bazohet në të drejtën ndërkombëtare.



Është interesant fakti se edhe Dobrica Qosiç, edhe Rexhep Qosja, kur bëjnë fjalë për ndarjen e Kosovës, përkatësisht të 30 përqind të saj nga Qosiç dhe 10 përqind nga Qosja, të dy këta thirren në "të drejtën e popullit serb në veri për vetëvendosje". Akademiku Qosja thotë se, nëse serbët e veriut nuk shkëputen prej Kosovës, atëherë ata ndjehen të pushtuar!!! Se kush i ka “pushtuar”, kush i ka dhunuar, kush u ka bërë ndonjëherë qoftë dhe një të keqe, këtë Rexhep Qosja nuk e shpjegon, vetëm e le të nënkuptohet se “shqiptarët në Kosovë janë pushtues të serbëve në veri”. Nuk besoj se arsyetime të tilla vijnë në mendjen e një njeriu normal, nëse kemi parasysh faktin se kjo nuk ka të bëjë aspak me realitetin në Kosovë. Kush e njeh planin e Ahtisaarit dhe kushtetutën e Kosovës do të dallojë se serbët në Kosovë kanë të drejta në kuptimin e diskriminimit pozitiv. As amerikanët në Amerikë, as gjermanët në Gjermani, as shqiptarët në Shqipëri e as vetë serbët në Serbi nuk kanë aq të drejta dhe liri të parashikuara e të garantuara me ligj e kushtetutë sa kanë serbët në Kosovë.

Derisa pavarësia e Kosovës është shpallur nën ombrellën e një projekti ndërkombëtar, atëherë ajo është e bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Këtë realitet nuk mund ta zhvleftësojë vetoja ruse dhe refuzimi i Serbisë, në korin e të cilave bën pjesë tashmë edhe “babai i kombit tonë shqiptar”, Rexhep Qosja. Vetëvendosja është proces, nuk është aksion. Si e tillë ka disa ligjësi. Grupet etnike dhe fetare janë të shpërndara në të gjithë botën. Aq sa serbë ka në Kosovë ose në veriun e saj do të gjesh pakica etnike në çdo vend të botës. Por këto pakica nuk mund të shkëputen ashtu thjesht nga urrejtja nacionaliste që ushqejnë për qytetarët shumicë. Shqiptarët në Kosovë nuk u shkëputën nga Serbia, thjesht pse e urrenin atë, por se makineria ushtarake e policore e Beogradit ushtroi dhunë të pandërprerë kundër tyre.

Mbi të gjitha një grup etnik duhet të përmbushë disa kushte minimale për t’u shkëputur. Të ketë një numër të caktuar banorësh, jo 40 mijë, aq sa jetojnë në veri të Mitrovicës. Ndërkohë këta 40 mijë nuk mund të bashkohen me Serbinë pa një referendum të përbashkët të të gjithë banorëvë të Kosovës. Nëse një referendum i të gjithë banorëvë të Kosovës ua jep atyre këtë të drejtë, atëherë ata mund ta implementojnë atë. Nëse jo, atëherë nuk mund të bëjnë lëvizje të tilla. Kështu ka ndodhur p.sh me ishujt Alende. Banorët e këtij ishulli donin në vitet 1920 të shkëputeshin nga Finlanda dhe t´i bashkoheshin Suedisë, sepse i përkasin kësaj etnie. Një komision i OKB-së e shqyrtoi rastin dhe arriti në përfundimin që suedezët e ishujve Alende nuk mund të shkëputeshin nga Finlanda. Për këtë nuk mjaftonte vetëm vullneti i tyre, duhej edhe dakordësia e Finlandës dhe e Suedisë. Derisa Finlanda nuk u pajtua me këtë kërkesë ishujt Alende përfituan autonomi, por jo edhe shkëputje.

Nëse shqiptarët e Kosovës arritën vetëvendosjen dhe shpallën pavarësinë më 17 shkurt 2008, kjo erdhi më së shumti se bashkësia ndërkombëtare u bind për atë se Serbia nuk mund të praktikojë sjellje tjetër me shqiptarët, përveç dhunës, terrorit dhe politikës së asgjësimmit e të spastrimit etnik. Por çeshtja mund të shqyrtohet dhe në disa aspekte politike e praktike. Kosova në Rambuje është pranuar si një njësi e pandashme. Madje në marrëveshjen e nënshkruar nga shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare ajo përcaktohet si një tërësi e pandashme. Pra tërësia territoriale e Kosovës është rikonfirmuar në të vetmen konferencë të organizuar për Kosovën. Më pas Grupi i Kontaktit përcaktoi tri kritere për bisedimet për statusin e Kosovës, njëri prej të cilëve përjashtonte mundësinë e diskutimeve për ndarjen e saj. Kosovën si të pandashme e tërësore e kanë pranuar gjysma e vendeve të botës, të cilat e kanë njohur pavarësinë e saj. Integritetin dhe sovranitetin e Kosovës e kanë theksuar me forcë dhe pamëdyshje vendet më të fuqishme të globit, të cilat i përmbahen principeve të demokracisë dhe të vetëvendosjes.

Ndërkohë historikisht është e provuar se kufijtë e Kosovës nuk janë caktuar nga shqiptarët, as nga organet e zgjedhura të Krahinës Autonome në kohën e Jugosllavisë së Dytë Socialiste. Këta kufij që sot i ka Kosova janë produkt i vullnetit të Serbisë, janë imponuar nga Serbia. Po të ishte për shqiptarët, ata do të kishin ndërtuar një hartë tjetër të Kosovës, natyrisht më të madhe e më në dobi të saj. Mirëpo ç´ndodh? Pikërisht ata që i caktuan kufijtë e Kosovës duan që t´i çbëjnë. Dhe në ndihmë u ka ardhur një akademik shqiptar, Rexhep Qosja. Ky është absurdi. Serbia dhe Milosheviçi nuk mundi në kohën e Rugovës të gjente asnjë bashkëpunëtor nga shqiptarët që ta përdorte kundër të drejtës së Kosovës për vetëvendosje, ndërsa tani, 13 vjet pas çlirimit të prej pushtimit dhe dhunës së Serbisë, një akademik u vjen në ndihmë planeve të Beogradit për ndarjen e vendit.




  • "Rastësitë" e rezonancës së rolit aktiv të Qosjes me revanshizmin serb.



Prej kohësh janë aktivizuar udhëheqësit e Beogradit që ta bindin Perendimin për të pranuar opsionin e ndarjes së Kosovës, qoftë edhe me kushtin e ashtuquajtur të shkëmbimit të territoreve. Presidenti Tadiç e ka formuluar "argumentin" e tij sipas arsyetimit "Nuk mundet që njëra palë t´i fitojë të gjitha, dhe pala tjetër të humbë gjithçka", duke nënkuptuar shqiptarët fitojnë gjithçka, ndërsa Serbia humbet po ashtu gjithçka. Ndërkohë le të shohim si përkon kjo deklaratë e Tadiç me një pohim të Rexhep Qoses të shkruar në gazetën "Shqip" të Tiranës, të datës 1 tetor 2007: "Ideja e lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë është ide që shumë më tepër përfaqëson interesat e shqiptarëve, sesa të serbëve. Do të mendojmë, kështu, realisht, në qoftë se nuk harrojmë se faktorët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrën: të gjitha për njërën palë e asgjë për palën tjetër", shprehet akademiku shqiptar, Rexhep Qose. Derisa Tadiç këtë tezë e ka lansuar më vonë sesa Qosja, duhet besuar se akademiku ynë, së paku në këtë rast ka shërbyer si mentor i Tadiç.

Ndërsa sa i përket arsyetimit se ideja e ndarjes së Kosovës përfaëson më shumë interesat e shqiptarëve sesa të serbëve, nuk do të kishte kurrëfarë nevoje të komentosh, sepse nuk ka shqiptar që e njeh historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe e të mos e njohë faktin që serbët nuk kanë menduar kurrë ndonjëherë për interesat e shqiptarëve. Vetëm Qosja kërkon të "jetë racional" dhe një pjesë të territoreve të vendit të tij t´ia dhurojë atyre që terrorizuan për 100 vjet shqiptarët e Kosovës. Kur Ivica Daçiç dhjetorin e kaluar i thoshte gazetës austriake "Die Presse": "Për serbët Serbia, për shqiptarët Shqipëria - ky është fundi i konfliktit", shtronte në stilin e Qosiç dhe të Qosjes idenë e ndarjes së Kosovës si kusht të bashkimit të saj me Shqipërinë. Pikërisht këtë ide e kishte elaboruar Rexhep Qose më 2007-ën, kur kërkon me ngulm: "Pse nuk mendohet pak më qetë, më racionalisht?!!!

Eshtë dukshëm e qartë se Qosja ka marrë rolin e kumbarës midis qeverisë së Beogradit dhe qeverisë së Prishtinës. Por duket se askush nuk do t’ía vejë veshin, sepse qeveritë janë të përkohshme dhe Kosova është e përjetshme, qeveritë shkojnë dhe vijnë, ndërsa shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë përjetë në territoret e Kosovës, edhe në veri të saj.

Nga pikëpamja njerëzore duket se akademiku shqiptar nuk vuan asnjë lloj brenge për stastrimin etnik të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Ndryshe nuk ka sesi që të bëhet interpret i dhunimit të pronave, territorit dhe pasurive që ata kanë lënë në vendlindje.

Ndërkaq bën përshtypje dhe diçka tjetër: Deklarata e Qoses erdhi vetëm dy ditë para se serbët e veriut të votonin në referendum de facto për ndarjen e territorit të vendit. A donte Qosja që t´i inkurajonte serbët të votonin kundër njohjes së qeverisë së Prishtinës, apo ishte rastësi kjo, le të mbetet në vetëdijen e autorit të deklaratës, pra të vetë akademikut Qose. Megjithatë ai referendum kishte një pikësynim: - Sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare që ajo të bëjë presion te Prishtina zyrtare dhe kjo e fundit të pranojë zgjidhjen e propozuar nga Beogradi dhe të bekuar nga akademiku shqiptar Rexhep Qosja – ndarjen e Kosovës. Prandaj nuk ka asnjë dyshim se Qosja ka ndikuar në dëm të interesave të vendit e të bashkëkombasve të tij, duke u shkuar në ndihmë serbëve në veri e Beogradit njëkohësisht. Deklaratën e Qoses e kanë përshendetur në Beograd, si edhe në Moskë. Pas Sheshelit dhe Vladimir Putinit ka mundësi që në veri të vendit të vendoset tash edhe fotografia e Rexhep Qoses. Në fakt ai e meriton të respektohet nga Serbia, Rusia dhe serbët e veriut. Trekëndëshi i vëllazërisë sllave ka tashmë edhe një kënd të vogël vëllazërimi e bashkimi në Prishtinën "intelektuale".




  • Pasojat e arsyetimit - "Ç´na duhen kufijtë e të tjerëve"...



Intelektuali i madh dhe i shquar i letrave shqipe, Rexhep Qose, është ndalur dhe ka folur mëse njëherë për atë që quhet efekt domino të ndarjes së Kosovës. Sipas tij "Pse do të rrezikonte rajonin dhe Evropën pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve për lëvizjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbinë"? Ai flet hapur për një "pajtim" të mundshëm të shqiptarëve dhe seërbëve për ndarjen e Kosovës, madje duket sikur e quan punë të kryer këtë fakt. Dhe nuk do t´ía dijë për më tej. Sikur në këtë hapësirë ballkanike shqiptarët të kishin vetëm interesin e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb dhe jo edhe atë shqiptaro-maqedonas. Qosja bën të paditurin ose së paku të painteresuarin për fatin e Bosnjës, Maqedonisë e kështu me radhë, edhe pse këto dilema përbëjnë bërthamën e interesit të shqiptarëve. Interesi ynë nuk është ndarja e Kosovës, nuk është as ndarja e Maqedonisë, as ndarja e Bosnjes. Interesi ynë është i lidhur me forcimin e shtetit të Kosovës, njohjen e saj ndërkombëtare, integrimin e saj në strukturat euro-atlantike. Interesi i shqiptarëve është forcimi i shtetit të Maqedonisë edhe nëse këtë nuk e duan maqedonët, si dhe integrimi i këtij shteti në Europë dhe në NATO. Vetëm pasi të kemi mbërritur në këto destinacione mund të shkohej drejt një marrëveshje historike midis Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës. Vetëm kur Beogradi të ketë dalë jashtë loje e të mos ketë asnjë ndikim në fatin e shqiptarëve do të vendoset paqja e stabiliteti në Kosovë e në rajon.

Bashkësia ndërkombëtare e ka refuzuar gjithnjë kërkesën e Beogradit për ndarjen ose shkëmbimin e territoreve me Prishtinën për shkak të efektit domino, për të mos hapur precedentë të rinj të konflikteve në Europën Juglindore e në zona të tjerë të globit. Eshtë krejt e qartë se pa miratimin e Prishtinës e të shqiptarëe në Kosovë nuk mund të tjetërsohet asnjë m2 e territorit të saj. Prandaj Rexhep Qosja është shprehur kategorik dhe gati imponues në opsionin qosiçjan të ndarjes së Kosovës. Ndërkohë nëse ndarja e Kosovës rrezikon rajonin, ajo rrezikon edhe territoret shqiptare jashtë Kosovës. Dhe nëse interesi i ndërkombëtarëve është ruajtja e stabilitetit, intersi i shqiptarëve është dyfish më i madh - përveç paqes e stabilitetit ne na duhet të ruajmë prezencën tonë aktive në të gjitha hapësirat shqiptare në Ballkanin Perendimor. Ndarja e Kosovës, sipas tezës së Qoses dhe të Qosiç e përjashton këtë mundësi. Përjashtimi i kësaj mundësie për shqiptarët shkon në favor të Serbisë dhe vendeve të tjera aleate të saj. Janë të mjaftueshme këto argumente për t’i thënë ndal akademikut tonë të nderuar, Rexhep Qose. Dhe pwr kwtw mësë pari do tw duhej të reagonin fort aleatët e tij ideologjikë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e kudo gjetkë, të cilët kanë veshur uniformat e nacionalizmit, por që nuk guxojnë ta thërrasin Rexhep Qosen me emrin që ka.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi