Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Adem Zaplluzha:“PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË" (Poemë nga libri në shtyp për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë)

Shko poshtë

Adem Zaplluzha:“PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË" (Poemë nga libri në shtyp për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë) Empty Adem Zaplluzha:“PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË" (Poemë nga libri në shtyp për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë)

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 11, 2012 10:40 pm

Adem Zaplluzha:“PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË" (Poemë nga libri në shtyp për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë) Scaled.php?server=685&filename=fotojaeademzaplluzha

Adem Zaplluzha:“PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË"(Poemë nga libri në shtyp për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë)

PROLOG

Po të mos ishe ti
Unë do isha ankth në zemrën e gurit
Atdheu im
Do isha një askush
Pa trastë e pa një kacidhe buke

Ti linde
Para njëqind viteve
Kur babai im ishte një pjesë
E ashtit të babagjyshi

Thonë se për shtatë ditë
I shkeli me shputat e ngrira
Ashpërsinë e maleve shqiptare
Dhe ditën e tetë e zuri me dorë
Diellin në Vlorë

Im gjysh
Atë ditë i kalëronte vetëtimat
Kur u përqafua me plakun
Mjekër dëborë
U gjunjëzua
Dhe e puthi shpendin e shenjtë
Para dhjetë dekadave
Dikur në Vlorë


PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË

( poemë )

Përtej gërmadhave të këtyre fjalëve
Nuk kam se ku të shkoj
Më vranë
E më kafshuan çakajtë
Akoma pa i çelur sytë
Lotoi guri

Im at
Në gjumin e brejtësve
përkundte djepin
Duke mos e ndalur këngën
Majëkrahut
U këndoj zanave
Që e mëkonin atdheun e grisur

Me qindra vite nuk e rroki kazmën
U ngjiz me dyfekun
Lisave u bënte shoqëri
Dhe i thërriste baladat
T’i japin ujë gjokut
Edhe foshnjat
Akoma pa lindur
Përpëlitnin
Në zemrat e nënave

S’kishin durim të presin
Deri sa të burrërohen
Rriteshin para kohe
T’u ndihmojnë baballarëve
Me nga një krismë pushke
* * *
Ishin kohërat e pështira
Sa që barra na e thyente ashtin
Nuk kalonte asnjë këlthitje
çafkash
Pa i shkulur lisat

Dikush mallkoi zotin
E tjetri atdheun
Kur qepallat u sterrën
Dita lindi nga loti e mjegullave

Kudo qielli u nxi
Në lotin e Shën Mërisë
Derdhej balsami i trishtimit
Derdhej një gjak kuq e zi

Vetëm për ty
O atdhe i vrarë
E i bluar në dhëmballa djajsh
I lëmë peng eshtrat tona

Ky truall i grisur e i qar
Nga kafshimet e ujqërve
Përjetoi golgotën e dhembjeve
një trishtim të paparë


Ky tregim biblik
Zvarritet që nga mosha e re
Ne s’deshëm
Ose s’patëm kaçik
O veç një djall na ndau
Dhe na copëtoi
Kur dhelpërisht hyri ndër ne

* * *
Disa lloje veladonësh
Hynë në vallen e mortit
Dhe na i shembën murishtat
kudo gur muri

Kodo ogur i zi

Eh ç’të gjeti kështu
Moj nënë Shqipëri
Të katandisën bejlerët
Të copëtuan agallarët

Sa mallkime në shpirt
E sa plagë i ke në trup
S’di a të mburrem
Apo nga ti të kem turp

O fati im i drunjtë
Mbi ty kalëruan shekujt
Ti kali im i zbrazët
Kryqi im i akullt

* * *
Këtu përjetuan shumë trishtime
Kur netët ballkanike
Kur s’patën çka të han
I pjekën lisat për së gjalli

Kafshuan palcën e dheut
Për ca pika shiu
Dolën matanë lumit
Dhe atje e keqja mbiu
Ishin të gjata netët
Kur nëpër kusia bakri
Për mysafirët e paftuar
Zihej guri i strallit

Për një bisht cigareje
Eshka kallej flakë
Drunjtë thyheshin nga acari
Me qindra vite këndej
Nuk mbiu bari

* * *
Më është shterë truri
Asnjë pikë loti
Nuk lëshon kafka ime
E rrjepur

Drurët qajnë
Lisat lotojnë pika kryqesh
Ky mallkim i shekullit ulërinë
Në lotin e Shën Mërisë

Jam ulur mbi një kërcu
Dhe tallem me vdekjen
Si vdekja që tallet me ne
Kur lehin daullet e luftës

Tej shkurreve të zeza
Përdridhen disa hije
Gërmadhe njerëzish te murishtat
Bartin kryqin e ditës

Më duket se sot është tepër vonë
Siç ishte dje tepër herët
Asnjë këmishë si fle trupit tonë
Jakat e palara i ndërsejnë qentë

Lehjet s’janë duke pushuar
Po qohen peshë
Netët e mrrolura aziatike
Në majat e minareve lozin shpirtrat

Diku ngre kokë kryqi
E diku gjysmëhëna
Loti im mes kudhrës dhe çekanit
Dielli i përskuqur shikon me pabesi

* * *
Sa herë që hymë
Nëpër rrugët e baladave
U takuam me lashtësinë e trishtuar
Gjergji akoma s’qenka zgjuar
Çfarë është ky gjumë
Çfarë arome paska vdekja

Nëna ime
Nënëlokja e ime e mjerë
Ku të katandisën djajtë
Në duart e kujt
I lë peng
Këmishët e gjakosura

Nën trapazan
Kanë heshtur pushkët
Meshkujt ecin kokulur nëpër lamë
Për qumështin e kërthinjve
Nuset lërojnë tokën
E pazot
Nënëlokja e ime e mjerë

Deri kur do të kurrizemi
Kjo ecje nuk i përngjan fisit tonë
Jemi apo nuk jemi askurrkund
Atdheu do flijim
Atdheu do të mos flemë
E të mos jetojmë
Kështu në trishtim

* * *
Kjo fushë nekrologësh
Paska mbirë për së mbrapshti
Asnjë kalli misri
Në rrënjët e mështeknave

Kaluan disa vite të vështira
Nëpër varre mbollëm pemë tropikale
Mermerët s’duronin rrënjët
Që përtypin dheun e shkriftë

Një kolonë gurësh çapitej
Tej hurdhave
Motet e përjargura shtypeshin
Nga një forcë e padukshme bizantine

Kur dolëm në sheshin e kujtesës
Asgjë s’kishte mbetur në këmbë
Vitet mbyteshin në dallgët e turbullta
Peshqit këndonin me nostalgjinë

Në kundërshtimin e gjetheve
Nuk kuptove se si rritet mështekna
Ato vite ishin të egra
Kur dhëmballët kafshonin dhëmballën

* * *
Kur u takuam me vetveten
Ishim larg nga ëndrrat
Shumë vonë u zgjuam
Për tu këndellur si duhet

Ky gjumë që fle
Nëpër sirtarët biblike
Nuk ka asnjë qëllim përpos
Ta kafshoj vetveten

Kur u zgjuam pamë se kishim fjetur
Gati një shekull
Akoma po flemë si i dehuri
Dhe në brendinë tonë i mëkojmë gjarpinjtë

Atdheu s’ka nevojë për premtime
Në syrin e saj rriten plepat
Vetëm zogu i shenjtë mund të ulet
Në prehrin e këtyre gjetheve

Sot ky shi i furishëm gjelbërimi
I zgjon baladat epike
Nëpër telat e qemanes
Zbresin yjet në dasmën e madhe

* * *
Nuk di se çka do të isha
Po mos të kishe qenë ti
Atdheu im
Këto gurë
Që më njohin
Kujtesën e kanë më të lashtë
Se sa lashtësia e tokës

Një mori historish
Dhe prostitutash kaluan mbi ty
Veladonët e zinj t’i kafshuan germat
Nëpër kolonada çapitën
Të kërrusurit
Dhe akoma mbete
Sa i egër po aq edhe krenar
Atdheu i im i vrarë

Nuk di
Edhe sa do të ecim në këtë mënyrë
Por rruga e jonë është e gjatë
Do të mbërrijmë një ditë
T’i djegim këmishët gjarpinjve

Këtë ta kemi borxh ty Atdhe
Bastunëve të gjyshërve
Një borxh i papaguar
Për të nesërmen e madhe

* * *
Sikur ta kisha kapelën tënde
Atdhe
Do isha mbret
Mbi mbretër
Do i zhdukja të gjitha yjet
Që nuk vezullojnë
Në detin e shpirtit tënd

Edhe vashat më të bukura
Do të kishin zili
Se unë do isha atdhe
Kurse ti poeti
Që i këndon bukurisë

Do kalonim dorë përdore
Deri te burimet e yjeve
Do na mëkojnë meteorët
Me qumështin e lopëve të diellit

Do ishim flutura
E me një mall të zjarrtë
Do i përqafonim
Brigjet e ëndrrave e tua
Atdheu im i vrarë
Atdheu im i kafshuar


EPILOG

Sonte kur kjo dëborë e kuqe
I mbulon flokët e shprishura
O atdheu i im
Ti diku larg në brigjet e Jonit
E end pëlhurën e Penelopës

Në këtë çast
Sa qenkan të brishta kujtimet
Kur derdhen mes këtyre gjetheve
Nga lotët e kukullave sybajame
Këputen yjet e vendlindjes

Njëkohësish paskam uri
Dhe etje
Si të ngopem me kujtimet për ty
çezma ime e drunjtë

Si ta shuaj etjen
Me mallin tënd të paçmuar
o atdhe


Kalldrëmet janë shkulur nga kujtesa
Si ta shuaj zjarrin
Që nuk e shuajnë me vite të reshurat
Ky rrap i uritur
Paska mbetur pa fije loti


Të lutem më fal
Por vajet i përkasin burrave
Besa edhe kuajve
Kur i humbin dizgjinët

Një mall që nuk shuhet
Me vite ndizet në brendinë kraharorit
Po kam frikë
Se sonte do bëhet vonë
Tepër vonë
Për të ti mëkua plagët

Më ndje atdheu im i grisur
të lutem më fal për këto dhembje

Edhe sikur të kisha qenë gur
Do të pikonin si përherë
Këta lot të hidhur
Nga syri i shkëmbit strall
E mall

Adem Zaplluzha
Poemë nga libri në shtyp për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, “PËR ÇDO DEKADË NGA NJË BALADË"
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi