Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Blendi Fevziu: Për dinjitetin e Shtetit Shqiptar!

Shko poshtë

Blendi Fevziu: Për dinjitetin e Shtetit Shqiptar! Empty Blendi Fevziu: Për dinjitetin e Shtetit Shqiptar!

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 15, 2009 10:44 am





Blendi Fevziu: Për dinjitetin e Shtetit Shqiptar! U1_BlendiFevziu
Blendi Fevziu
Për dinjitetin e Shtetit Shqiptar!

Nga Blendi Fevziu
Në vëmendje të Presidentit Bamir Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli! Ahmet Zogu ish-Ministër, ish-Kryeministër, Ish-President dhe së fundi Mbret i shqiptarëve, një prej politikanëve që ka shënjuar fort historinë tonë të viteve 1920–1940, vijon të prehet në një varrezë në periferi të Parisit. I rrethuar nga pak njerëz besnikë që e shoqëruan në 22 vitet e fundit të jetës së tij, pothuajse të gjithë ata oficerë të ushtrisë kombëtare shqiptare, ai vijon të mbetet në varrezën e Ti–së, si monument i vërtetë i neglizhencës, mungesës së përgjegjshmërisë dhe mbi të gjitha, të dinjitetit të shtetit shqiptar. I larguar më 1939 si pasojë e agresionit italian; i rreshtuar gjatë luftës me aleatët antifashistë dhe i mbetur në mërgim falë rrethanave gjeostrategjike, ai është nga të paktët, për të mos thënë i vetmi ish-Kryetar Shteti i Europës Juglindore, që vijon të prehet në tokë të huaj me gjithë amanetin për t’u varrosur kur të krijoheshin rrethanat, në Shqipëri.
Prej shumë vitesh, tentativat e familjes për ta riatdhesuar të vdekur, atë që nuk mundi të rikthehej në vendin e tij së gjalli, duket se kanë ndeshur skepticizmin e politikës dhe neglizhencën e saj. Kanë pak rëndësi meritat e tij historike; ka pak rëndësi debati mbi vendin që ai do të zërë në historinë e Shqipërisë. Historia është e ndarë nga shteti dhe detyrimet që këtij të fundit i rrjedhin, pavarësisht ngjyrimit politik. Ahmet Zogu ka qenë Kryetar i Qeverisë dhe Kryetar i Shtetit; ai është larguar falë një agresioni të huaj dhe ka vdekur në Francë, i ndaluar të kthehej në Shqipëri prej një regjimi tiranik dhe absurd. Një regjimi që të gjithë e kemi dënuar me konsensus të plotë. Eshtrat e Ahmet Zogut duhet të kthehen në atdhe dhe jo vetëm kaq. Ato duhet të kthehen me ceremoni zyrtare dhe me nderimet që i takojnë një Kryetari shteti, ose një njeriu që për më shumë se 15 vjet drejtoi Shqipërinë. Kontributi i tij në politikë, në Kongresin e Lushnjës apo konsolidimin e shtetit shqiptar si Ministër i Brendshëm dhe Kryeministër, le t’i mbeten historiografisë. Funksionet e tij si Kryetar shteti duhet të nderohen ende sot, edhe në vdekje, si në të gjallë të tij. Edhe pse është cinike të bësh krahasime me vdekjen, mund t’i kujtoja Presidentit Topi dhe Kryetares së Kuvendit, Topalli, se Shqipëria pluraliste, që i ofroi një funeral zyrtar në vitin 1998 ish-Presidentit komunist Haxhi Lleshi, një vegël e Enver Hoxhës dhe pjesë e sistemit shtypës komunist, mund ta bëjë këtë edhe me një ish-President dhe ish-Mbret si Zogu. Aq më tepër që kontributet e këtij për vendin kanë qenë shumë më të mëdha se sa Presidenti kukull komunist që shteti shqiptar e nderoi me një ceremoni zyrtare 11 vjet më parë.
Vende pranë nesh, por me një ndërgjegje shtetërore më serioze, si Mali i Zi, e kanë bërë këtë me kohë. Eshtrat e Knjaz Nikollës u sollën në vitin 1992 nga Parisi për t’u vendosur në oborrin e ish-pallatit të tij. Mali i Zi, në atë kohë ende komunist, i ofroi ish-Mbretit dhe kreut të shtetit një funeral zyrtar për t’u pasur zili. Një ceremoni që ne ende nuk e kemi bërë sot.
Rumania po ashtu, riktheu Mbretin Mihal, ish-Kryetar shteti në vitin 1944, i ka dhënë atij statusin që i takon dhe pallatin ku ka banuar dikur.
Por rastet krahasuese kanë pak rëndësi. Mbreti Zog është shembulli më tipik dhe më përfaqësues i politikanëve të mërguar forcërisht nga ky vend. Historia jonë është e mbushur me raste të tilla, që mund dhe duhen trajtuar po ashtu seriozisht. Mithat Frashëri, njëri prej intelektualëve dhe politikanë më brilantë, djali i Abdyl Frashërit, firmëtar i aktit të Pavarësisë në Vlorë, Ministër në Kabinetin e Ismail Qemalit e në shumë qeveri të tjera dhe më pas themelues e kryetar i Ballit Kombëtar, po ashtu vijon të prehet në një varrezë të harruar në periferi të Long Island në Nju Jork. Mehdi Frashëri, ministër në shumë dikastere, dy herë Kryeministër dhe një prej politikanëve më të famshëm të Shqipërisë, po ashtu prehet në Romë. Pranë tij gjenden plot figura të rëndësishme të historisë shqiptare, me gjithë dritëhijet e tyre. Abaz Kupi, një luftëtar antifashist është varrosur në Nju Jork, Muharrem Bajraktari në Bruksel dhe Ali Këlcyra në Romë.
Në fakt, plotësimi i një amaneti është një dimension i patjetërsueshëm njerëzor. Plotësimi i amanetit të njerëzve të larguar nga vendi i tyre forcërisht prej një diktature nuk është më thjeshtë dimension njerëzor, por një dimension i detyrueshëm i një shoqërie të lirë. Rikthimi i eshtrave të një Kryetari shteti, që e ka lënë këtë si amanetin e fundit të jetës së tij, nuk është vetëm dimension njerëzor dhe liri, është akoma më shumë, një detyrim. Një prej atyre detyrimeve që shteti i formëzon që në lindje të tij dhe që drejtuesit e mëpasëm janë të detyruar t’i zbatojnë edhe nëse janë më pak të përgjegjshëm dhe më pak seriozë.
Së fundi, doja t’i kujtoja Presidentit Topi si Kryetar shteti dhe Kryetares së Kuvendit, Topalli, si drejtuese e organit më të lartë dhe shprehës të vullnetit popullor, se këta njerëz kanë vdekur në mërgim, të veshur me uniformën e ushtrisë kombëtare shqiptare; se janë varrosur me arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar dhe vijojnë të kenë ende të gdhendur mbi varret e tyre provizorë, në Paris, SHBA apo Itali, shqiponjën me dy kokë. Për hir të sakrificave të tyre dhe të dashurisë që ata patën për këtë vend, ashtu si ata e konsideronin dashurinë për të, të gjejnë pak kohë për të riparuar një padrejtësi shoqërore dhe politike që duhej ta kishim riparuar me kohë.

Panorama, 10/04/2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi