Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Prof. Mahir Domi, skencëtari dhe misionari i madh i çështjes kombëtare

Shko poshtë

Prof. Mahir Domi, skencëtari dhe misionari i madh i çështjes kombëtare Empty Prof. Mahir Domi, skencëtari dhe misionari i madh i çështjes kombëtare

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 18, 2009 8:32 am

PROF. MAHIR DOMI, NJË GJUHËTAR I SHQUAR DHE PERSONALITET I KULTURËS SHQIPTARE
Nga Flori Slatina
1.
Në atë pllajë të varrezave të Sharrës, ku dielli i prillit ngroh aq fort, brenda një territori të zymtë, ku mbretëron heshtja, paqja dhe ankthi, mes një “korridori” të gjatë varresh ku janë skalitur emrat e atyre që prehen aty, vështron dhe gjen edhe varrin e një shkencëtari dhe misionari të madh çështjes kombëtare, profesor Mahir Domit.
Ai pati fatin e mirë të jetojë gjatë dhe të punojë shumë. Një jetë e tërë për gjuhën shqipe, për albanologjinë, për arsimin, për kulturën shqiptare. Prof. Mahir Domi i përket atij brezi dijetarësh e studiuesish në veprimtarinë shkencore, arsimore që do të mbeten në histori edhe si shkencëtarë edhe si atdhetarë të flaktë, që e kanë vendin në Panteonin e burrave të pavdekshëm të kombit.

2.
Varri prej mermeri të zi shkëlqen nën rrezet e diellit. Mbi pllakën e sheshtë është vendosur një vazo me lule dekorative, për të qenë përherë të lulëzuara, në çdo stinë. Mbi krye në pllakën prej mermeri të zi, në formë trapezi, poshtë fotografisë ovale, është shkruar me shkronja dore, emri, mbiemri, viti i lindjes dhe vdekjes së profesorit. Ai jetoi gjatë, plot 85 vjet, dhe krijoi e la pas një pasuri të paçmueshme për gjuhësinë, kulturën dhe letërsinë shqipe. Rreth e qark varrit ka mbarë bari i ri, si një kurorë e gjelbër. Pranë varrit të tij ndalojnë jo vetëm familjarët që e deshën, por edhe njerëz të kulturës, njerëz të thjeshtë që patën fatin ta njohin e ta kenë mik.
3.
Prof. Mahir Domi u lind më 12 mars 1915 në qytetin e Elbasanit, ku mori mësimet e para, për të vazhduar më tej studimet e mesme në Liceun e Korçës dhe studimet e larta për filologji në Universitetin e Grënoblit në Francë. Në të gjitha nivelet shkollore dhe universitare ai u shqua për rezultate të shkëlqyera në mësime, për etjen e madhe për dije, për idetë e tij përparimtare.
M. Domi u dallua për idetë demokratike antifashiste që gjatë Luftës II Botërore si student në Francë dhe si pjesëmarrës i lëvizjes nacionalçlirimtare në Shqipëri. Për këto ide ai u internua nga pushtuesit fashistë në Porto Romano.
Pas mbarimit të Luftës ai e nisi udhën e tij të gjatë në shërbim të arsimit e të shkencës plot pasion e dashuri për t’i shërbyer atdheut e popullit të vet me tërë forcën e shpirtit e fuqitë e mendjes.
Prof. M. Domi ka dhënë një kontribut të shquar në fushë të arsimit si drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit dhe si drejtues e pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai punoi me përkushtim e dha ndihmesën e tij të çmuar si mësues e pedagog në hartimin e planeve dhe të programeve të reja të shkollës sonë si edhe me librat e gjuhës dhe të letërsisë që hartoi për nevoja të niveleve të ndryshme parauniversitare e universitare të shkollës.
Veç punës së tij të gjerë në fushën e mësuesisë, prof. M. Domi dha një kontribut të shquar në shumë fusha të dijes albanologjike në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, në radhë të parë në fushë të studimeve gjuhësore, duke u bërë një nga gjuhëtarët më të shquar me një njohje të gjerë brenda dhe jashtë vendit.
Kontributi i tij veçanërisht në fushën e studimeve gjuhësore është i jashtëzakonshëm jo vetëm se ai organizoi, nxiti e drejtoi veprimtaritë krijuese shkencore në shumë degë të gjuhësisë, por edhe sepse ai vetë, bashkë me gjuhëtarë të shquar si A. Xhuvani, K. Cipo, E. Çabej, S. Riza, A. Kostallari, Sh. Demiraj, S. Floqi e të mjaft kolegëve të tjerë më të rinj, të cilët më parë i pati studentë e më vonë bashkëpunëtorë, e ngritën gjuhësinë shqiptare në nivele bashkëkohore. Ai u dallua me punimet e tij në fushën e sintaksës, të historisë së gjuhës shqipe e të marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera të Ballkanit, në fushën e gjuhës letrare e të kulturës së gjuhës, në leksikografi e në terminologji, në histori të gjuhësisë shqiptare e të mendimit shqiptar etj. Ai qe nismëtar i organizimit dhe i drejtimit të studimeve dialektologjike në Shqipëri, duke krijuar e ndihmuar një grup dialektologësh, i cili arriti të mbulojë me studime e përshkrime dialektore thuajse të gjitha të folmet e shqipes, të cilat u kurorëzuan me hartimin e “Atlasit dialektologjik të shqipes”.
Në të gjitha këto fusha duket shkencëtari me horizont të gjerë, gjuhëtari që njeh me themel gjuhën shqipe dhe dialektet e saj dhe që përpiqet të hapë gjithnjë shtigje të reja e të orientojë studiuesit e rinj drejt tyre, kërkuesi i palodhur e vëzhguesi i mprehtë. Studimet e tij janë shquar gjithnjë për analiza e sinteza dhe kanë shërbyer edhe si shtysa për studime më të thelluara.
Me punën e tij të shumanshme, prof. M. Domi ka dhënë një ndihmesë themelore për krijimin, organizimin dhe drejtimin e veprimtarisë arsimore e shkencore në fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në Institutin e Shkencave, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe në Akademinë e Shkencave.
Me ndihmën e tij të kualifikuar e të pakursyer shkencore janë formuar një serë punonjësish të rinj, të cilët u frymëzuan prej tij me dashurinë e përkushtimin për punën shkencore. Mund të thuhet me plot të drejtë që nxënësit e tij janë dhe vepra e tij shkencore po aq e gjerë dhe e shumanshme sa ç’është prodhimi i tij shkencor.
Veprimtaria shkencore e shumanshme e ka bërë të njohur prof. M. Domin edhe në Kosovë e vise të tjera shqiptare si dhe jashtë kufijve. Ai nderohet e vlerësohet nga studiues të ballkanologjisë e të indoevropianishtes. Në shumë kongrese e konferenca ndërkombëtare e kombëtare ku ka marrë pjesë ka thënë fjalën e tij me peshë për problemet e shqipes, duke e përfaqësuar denjësisht shkencën shqiptare.
Krahas veprës së tij të gjerë shkencore, ai ka lënë kujtimin e një shkencëtari të palodhur erudit, me horizont të gjerë, të njeriut të ndershëm e fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizonte, ia kushtoi përgatitjes së brezit të ri.
Profesori u shua më 19 tetor të vitit 2000. Ikja e tij ishte një humbje jo vetëm për familjen, por edhe për arsimin, shkencën, kultura shqiptare. Por profesori do të mbetet përherë i gjallë nëpërmjet veprës së tij, sepse me të ai vuri një gur të sigurt në ndërtesën e përparimit shkencor të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare.
MAHIR DOMI AKADEMIKU I MADH
« ...Një pjesë të madhe të energjive të tij Prof. Mahir Domi ja ka kushtuar e ja kushton punës mësimore në Fakultetin e Historisë e Filologjisë dhe drejtimit të Sektorit të Gramatikës në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Ai prej vjetesh zhvillon leksione rreth morfologjisë historike dhe sintaksës së shqipes si dhe rreth historisë së albanistikës. Me emërimin e tij në krye të Sektorit dikur të Gjuhësisë, në fillim si ndihmës i të paharruarit Prof. Aleksandër Xhuvanit, ai me një punë shumëvjeçare e këmbëngulëse ka shtjelluar një veprimtari të shënuar e të shumanshme për ngritjen e zhvillimin e këtij Sektori në përmasa gjithmonë e më të gjera. Një kujdes të veçantë i ka kushtuar Prof. Mahir Domi organizimit të një pune sistematike sidomos në lëmin e dialektologjisë shqiptare. Ai ka ndihmuar në formimin e kuadrove të reja të kësaj fushe në një shkallë më të gjerë nga sa dihet. Ai u ka ndejtur gjithënjë pranë atyre si një këshilltar i përhershëm e i pakursyer, i ka udhëzuar me dorë të sigurt në çështjet më të vogla e në më të mëdhatë. Veprimtaria shkencore e Mahir Domit që përfaqësohet me studime të veta, është përndarë në dy fusha, gjuhësia dhe literatura shqiptare. Në lëmin e gjuhësisë do përmendur pikësëpari libri i tij "Sintaksa" (ribotim i zgjeruar : Gramatika Pjesa II, Sintaksa. Për shkollat pedagogjike), i cili, edhe pse i caktuar për përdorim shkollor, përbën një nga studimet origjinale më të plota për sintaksën e shqipes. Në lidhje me gramatikën historike dispensa e tij mbi Morfologjinë historike të shqipes përbën gjer më sot të vetmin trajtim të kësaj teme që të paraqesë gjendjen e sotme të kërkimeve në çështjet më kryesore; aty jo vetëm përgjithësohen rezultatet e derisotme të arritura në këtë fushë nga albanologët e ndryshëm, por shtjellohen edhe një varg gjykimesh e pikëpamjesh origjinale të autorit... »
Prof. Eqerem Çabej


Puna e prof. Domit për letërsinë e vjetër shqipe dhe redaktimin e kapitujve mbi letërsinë arbreshe, në tekstin universitar të botuar më 1959, tregoi se kjo nuk qe e rastit. Ai ishte më i përgatitur nga ne për atë punë. Sigurisht jo vetëm se ishte gjuhëtar, por edhe se mendonte që letërsia shqipe që në fillimet e saj, "që në fillimet e saj, mbartte vlera estetike (...) Ato ishin, për të, në përpjekjen e Buzukut për të shqipëruar fragmente nga Bibla, gjë që autori i librit të parë shqip e bënte lirshëm me përvojën që kishte jo të pakë, por edhe me qëllimin që të ishte lehtësisht i kuptueshëm nga lexuesi i kohës. Budi " kishte tiparet e veta të stilit në faqet e shumta të parathënieve dhe pasthënieve me të cilat i përcolli librat që botoi". Ai ishte "një vjershëtor i zellshëm me të cilin fillon poezia shqipe".
Në punën e tij shkencore M. Domi u ndal gjatë "Mbi autorët që shkruan me alfabet arab". Citatet e nxjerrë nga bejtexhinjtë, "janë nga çka u shkruan më me art në të kaluarën e vjetër letrare shqiptare". Por një kapitull krejt i ri që trajton shkencëtari i madh është ai mbi humanistët shqiptarë të shekullit XVI dhe XVII. "Eksperienca humaniste latinisht ishte në oregjinat e letërsisë shqipe që nga pushtimi turk."
Mahir Domi ishte një filolog ndër më të shquarit. Ai shkroi mbi letërsinë e vjetër shqipe pikërisht se ishte i afruar shumë me të jo vetëm si gjuhëtarë por edhe për interesat kulturore dhe historike. Tregoi siguri dhe shije të spikatur artistike. Puna e tij ruan vlerat e saj për studimet e ardhëshme të letërsisë shqipe. Mahir Domi la kujtime të shtrenjta si njeri dhe si koleg, la një vepër që nuk vdes…”
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Prof. Mahir Domi, skencëtari dhe misionari i madh i çështjes kombëtare Empty Re: Prof. Mahir Domi, skencëtari dhe misionari i madh i çështjes kombëtare

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 18, 2009 8:33 am

DHIMITËR SHUTERIQI
“...Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Prof. Mahir Domin, e kujtojnë me nderim të thellë atë dijetar mendjendritur e zemërgjerë, i cili gjatë më shumë se gjysëm shekulli punoi me përkushtim të rrallë për zhvillimin dhe përparimin e arsimit, të kulturës dhe të shkencës. Të gjithë ish-studentët dhe ish-bashkëpuntorët e tij e përkujtojnë atë me mirënjohje jo vetëm për ndimesat e tij të shumanshme, pedagogjike dhe shkencore por edhe për qëndrimin e tij aq dashamirës ndaj të tjerëve. Akademiku Mahir Domi ishte tipi i përsosur i pedagogut dhe i shkenctarit të palodhur, që të gjithë kulturën e tij të gjerë e të shumanshme e vuri në shërbim të shoqërisë shqiptare në një nga periudhat më të vështira dhe më dinamike të zhvillimit të saj. Mahir Domi u tregua kurdoherë i gatshëm jo vetëm të merte përsipër pa asnjë ngurim detyra të rëndësishme dhe me përgjegjësi, por edhe të ndihmonte të gjithë ata që kishin nevojë për ndihmën e tij. Dhe të shumtë janë ata ish-studentë e studiues, brenda dhe jasht Shqipërisë, që kanë përfituar nga kultura e tij e gjerë dhe e shumanëshme, të cilën ai e vinte në shërbim të të tjerëve me aq zemërgjerësi dhe dashamirësi. Prandaj sikur një pjesë të kohës, që harxhonte për të ndihmuar të tjerët, Prof. Mahir Domi ta kishte shfrytëzuar për të hedhur në letër mendimet e tij krijuese, ai do të na kishte lënë shumë më tepër punime shkencore, që do të mbanin emrin e tij. Megjithatë, si punëtorë i palodhur, ai ka gjetur kohën e nevojshme për të hartuar ndimesa të rëndësishme, si vepra madhore, artikuj shkencorë, kumtesa etj., që janë çmuar shumë për vlerën e tyre të lartë. Mjafton të përmendim këtu, sa për shembull, veprën MORFOLOGJIA HISTORIKE E GJUHËS që është vepra e parë e këtij lloji e botuar në Shqipëri si dhe ndimesën e tij të madhe në hartimin e veprave të tilla kolektive., si GRAMATIKA E GJUHËS SË SOTME SHQIPE, në dy vëllime, FJALORI I GJUHËS SHQIPE i vitit 1954 etj si dhe organizimi dhe drejtimi i një vargu konferencash shkencore, ndër të cilat KONGRESI I DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE 1972.
Mësuesi i Popullit, Akademiku Mahir Domi ishte një ndër themelvënësit e arsimit të lartë shqiptarë dhe shkencës albanologjike në vendin tonë. Prandaj emri i tij do të zërë një vend nderi në historinë e arsimit dhe shkencës shqiptare krahas emrave të tillë të nderuar si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipoja, Eqrem Çabej, Aleks Buda etj.”
SHABAN DEMIRAJ
“…Kur flasim për veprimtarinë kërkimore shkencore të Mahir Domit duhen dalluar dy aspekte të rëndësishme të lidhura dhe në funksion të njeri-tjetrit.
Së pari, si drejtues për shumë vite i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës dhe i sektorit të gramatikës dhe të dialektologjisë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave ai udhëhoqi me kompetencë të lartë shkencore studimet në fushën e gramatikës. Nga ana tjetër, prof. Mahir Domi në cilësinë të kryeredaktorit të veprës madhore të gjuhësisë shqiptare "Gramatika e gjuhës shqipe", ka drejtuar gjithë punën organizative dhe shkencore për hartimin e saj, duke lidhur emrin e tij në mënyrë të pazgjidhshme me gramatikën dhe studimet në këtë fushë.
Së dyti, aspekti më i rëndësishëm mbetet megjithatë veprimtaria e tij kërkimore shkencore në fushën e gramatikës, më ngushtësisht në fushën e sintaksës. Kontributet e tij fillojnë gjysëm shekulli më parë kur ai nisi të botojë vetë ose me të tjerë, tekstet e para të sintaksës për nevojat e shkollës. Punën për gramatikën e shqipes në përgjithësi dhe për sintaksën në veçanti ai e kishte projektuar ndoshta që herët, kur ishte mësues në Normalen e Elbasanit dhe më vonë si specialist në Ministrinë e Arsimit ku u mor dhe me hartimin e planeve dhe të programeve të shkollës sonë që po rimëkambej menjëherë pas luftës. Librat e gjuhës shqipe, që mbajnë firmën e tij ose të kolegëve, janë hartuar për nevojat e shkollës 7 e 8 vjeçare dhe të shkollave të mesme, të përgjithëshme profesionale që përgatisin mësues.
Në të gjitha studimet e kryera nga akademiku Domi, të cilat ai i hartoi me dorë të sigurtë prej mjeshtri, që njihte në mënyrë të përkryer gjuhën shqipe, në tërë larminë dhe pasurinë e saj, janë sjellë risi të shumta për strukturën gramatikore të shqipes. Duke qenë larg çdo skematizmi, ai u kushtoi rëndësi të dorës së parë fakteve të gjuhës së gjallë dhe përshkrimit të plotë; të hollsishëm e të gjithanshëm të tyre.”
ENVER HYSA
“Prof. Mahir Domi ishte vërtetë një gjuhëtar i shquar dhe personalitet i kulturës shqiptare. Ishte ndër ata që vazhduan traditën atdhetare të rilindasve për t’i dhënë kulturës shqiptare gjithë mundin dhe energjitë e tyre dhe në kushte të tjera u përpoqën të sjellin në shkencën shqiptare rezultatet më të spikatura të shkencës gjuhësore evropiane. Do të ishte i paplotë mendimi për prof. Mahir Domin në qoftë se nuk do të përmendnim aspektin njerëzor të tij. Tek ai ishte harmonizuar, si te askush, cilësitë njerëzore me aftësitë shkencore.
Dijetar me horizont të gjerë dhe me interesa të shumta shkencore, Prof. Mahir Domi e shtriu veprimtarinë e tij studimore në shumë fusha të dijes, pothuajse në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, në radhë të parë në fushën e studimeve gjuhësore, si në sintaksë e morfologji, dialektologji, histori e gjuhës, duke përfshirë këtu problemet e etnogjenezës së shqiptarëve e të prejardhjes së gjuhës shqipe, gramatikën historike, historinë e gjuhës së shkruar dhe të gjuhës letrare, historinë e albanologjisë, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera ballkanike, sidomos me rumanishten, onomastikën, leksikografinë, gjuhën letrare të njësuar, drejtshkrimin, kulturën e gjuhës e terminilogjinë, por edhe në historinë e letërsisë shqipe dhe të huaj, historinë e shkollës dhe të arsimit shqip dhe të kulturës shqiptare, në historinë e ngulimeve shqiptare, në kritikën e në tekstologji. Por ndoshta më shumë Mahir Domi njihet si dekani i studimeve sintaksore të shqipes së sotme.
SEIT MANSAKU
“Prof. Mahir Domi është një nga personalitetet më të larta të shkencës e të arsimit tonë kombëtar. Emrin e madh ai e ka arritur me punën e tij këmbëngulëse e të palodhur, me zellin e madh për punë, edhe me formimin e përgatitjen e tij shkencore. Por, ai është edhe produkt i traditës arsimore, kulturore e shkencore të Elbasanit, traditë që fillon me babain e gjuhës shqipe, K. Kristoforidhin, me Dhaskal Todrin e vazhdon me Xhuvanin, Cipon, Nosin, S. Shuteriqin, L. Dodbibën etj. Kulmet zyrtare kjo traditë i shënon në Kongresin e Elbasanit dhe me Normalen e famshme të Elbasanit, shkollë kjo që solli në Shqipëri frymën e përparimit arsimor, shkencor e demokratik evropian.
Mehmet Çeliku
“…Unë prof. Domin e kam njohur që në fillim të karrierës së tij, sepse ai menjëherë pas çlirimit ka drejtuar Normalen e Elbasanit. Ai ka patur një cilësi shumë të rrallë, pasi ka ditur që në atë periudhë të tranzicionit, midis dy sistemeve, të punojë me shumë përkushtim, me shumë dinjitet dhe ndershmëri për mbarëvajtjen e kësaj shkolle.Një veti tjetër e rrallë e prof. Domit është fakti se ka ditur të kombinojë cilësitë personale me veprën e tij. Prof. Domi është një figurë ku janë gërshetuar dhe harmonizuar shumë mire vepra dhe njeriu. Ai ishte njeri i ndershëm, i gjerë, largpamë, ishte një xhentëlmen i vërtetë. Kontributi i madh që ka dhënë prof. Domi është në fushën e shkencave albanologjike veçanërisht në fushën e gjuhësisë, ku ai me të drejtë konsiderohet si një nga gjuhëtarët më të mëdhenj të vendit tone, i njohur si i tillë edhe nga bota e huaj. Prof. Domi ka qenë një vazhdues dhe bashkëpunëtor i gjuhëtarëve tanë të mëdhenj duke filluar nga Aleksandër Xhuvani, Kristaq Cipo, Eqrem Çabej etj.”
YLLI POPA
“Prof. Mahir Domi, bir i një familjeje fisnike nga Elbasani, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në albanologji, në fusha të ndryshme të studimit të shkencave shqiptare, por në mënyrë të veçantë në gramatologjinë shqipe dhe marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera. Duke filluar që nga marrëdhëniet e shqipes me ilirishten e duke vazhduar me marrëdhëniet më rrafshin ballkanik, sidomos me rumanishten. Kontributi i tij i mjaft i madh është ndier edhe në fushën e formimit të gjuhës letrare shqipe. Ka qenë një natyrë punëtore nga më të rrallët, njeri që në fushën e letrave shqipe ka lënë një emër që gjendet thuajse në çdo botim, në çdo përmbledhje artikujsh, në çdo studim serioz. Me një fjalë nuk ekziston punim, i dalë nga Instituti i Gjuhësisë, që në të të mos jetë emri i prof. Mahir Domit. Kësaj i duhet shtuar serioziteti, skrupuloziteti me të cilën ai ka hulumtuar gjuhën shqipe nga rrënjët dhe nga degët, gjerësia e mendimit të tij, opinionet mjaft të vyera që ka dhënë për shumë nga problemet që janë shtruar për zgjidhje për gjuhën shqipe. Mbi të gjitha duhet theksuar karakteri i tij, i cili interesat e shkencës i ka vënë mbi çdo gjë dhe ka parë me largpamësinë e atyre njerëzve që vërtetë lënë një emër të pashkyeshëm në historinë e një kombi”.
Kolec Topalli
“Prof. Mahir Domi është një personalitet i shquar i kulturës, i shkencës dhe i arsimit shqiptar. Jeta e tij ishte një jetë e tërë pune e palodhshme, e përkushtuar në fushë të arsimit, të gjuhës shqipe, të filologjisë shqiptare. Nuk ka lëmë të filologjisë shqiptare, në gjuhësi, në historinë e letërsisë (ffolkloristikë), ku prof. Mahir Domi të mos ketë dhënë ndihmesën e tij të shquar dhe të kualifikuar. Autor i një vepre të gjerë, të shumëanshme, Mësues i Popullit, një nga shkencëtarët që ka dhënë aq shumë për përgatitjen e brezave të rinj, emri i Mahir Domit nuk është vetëm emri i një shkencëtari të madh, të përkushtuar, objektiv, por edhe emri i një njeriu të ndershëm dhe fisnik. Me kulturën dhe dashamirësinë e tij, prof. Mahir Domi ka krijuar breza të tërë shkencëtarësh, të cilët i janë mirënjohës dhe këtë ditë shprehin, bashkë me mua që kam qenë një nga studentët e tij, nderimin më të thellë. “
Jorgo Bulo
Profesor Mahir Domi për vete:
”Në qytetin tim të lindjes, në Elbasan, aty nga viti ’23 ishte një angleze që bënte studime për Shqipërinë. Haslluk, ishte mbiemri i saj. Ajo ndërtoi edhe një shtëpi atëherë në Elbasan. Një ditë, erdhi në shkollë dhe na dha nga një fletë, ku kërkoi të shkruanim përralla shqiptare. Me sa mbaj mend, duhet të kem qenë në klasën e katërt. Ajo botoi një libër atëherë, përkthyer edhe në anglisht. Midis të tjerave kishte botuar edhe përrallën që pata shkruar në atë detyrë klase. Ky qe “botimi i parë“ dhe pikërisht aty ka filluar interesi im për filologjinë.
Studimet universitare i kreva në Francë, në Grenobël. Studiova për greqisht, latinisht e frëngjisht. Bashkë me mua kanë studiuar në Francë asokohe edhe 14 studentë të tjerë shqiptarë. Kemi bërë shumë atëherë për çështjen kombëtare. Më ’37 kemi mbajtur disa konferenca për problemet kulturore shqiptare. Kjo veprimtari dhe dëshira për të ndryshuar diçka në Shqipëri, kanë qenë gjëra që nuk i harroj.
Më është dashur të punoj shumë dhe për shumë gjëra. Shkolla shqiptare kishte mungesa të mëdha dhe ne bëmë sa mundëm. Na u desh të shkelnim në rrugë të panjohura.
Gjithë shqiptarët e letrave e kanë pasur ëndërr një gjuhë të njësuar. Ende në fund të shekullit të kaluar, sami Frashëri i shkruante Jeronim De radës se donte që të botonin një revistë në një gjuhë, jo me dialektet e shqipes, sepse ideja e tij ishte gjuha e njësuar shqipe. Kur kjo u arrit, ne të gjithë kemi ndier se sa e madhe ka qenë si ngjarje. por, kur mendoj se u desh shumë kohë për të ardhur deri në këtë arritje dhe kur kujtoj se kishte edhe mendime absurde, sipas të cilave duhej lënë që vetë në mënyrë natyrore të kryhej njësimi, them që kjo ishte një arritje më e madhe për shqipen.
Botimet në gegërisht janë në dobi të kulturës, edhe pse jo të gjithëve mund t’u shërbejnë. Por gjithmonë është më mirë të shkruarit në gjuhën e njësuar, sepse mundësia e komunikimit është më e madhe dhe të mos harrojmë se programet shkollore janë në këtë normë...”
(Pjesë nga intervista e tij, 28 shkurt 1999)
Gazeta 55
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi