Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Zgjidhja për Veriun e Kosovës (Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan).

Shko poshtë

 Zgjidhja për Veriun e Kosovës (Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan). Empty Zgjidhja për Veriun e Kosovës (Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan).

Mesazh nga Lek Sat Jul 07, 2012 6:53 pm


Zgjidhja për Veriun e Kosovës (Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan).



Autori Seremb Gjergji

Kjo zgjidhje është dokument që është krijuar pas konsultimeve me faktorët relevant vendorë – shoqëria civile dhe institucionet si dhe ai ndërkombëtarë – përfaqësitë diplomatike dhe NATO.

Baza e strategjisë
Strategjia për pjesën Veriore të Kosovës; më saktësisht për Leposavicin, Zubin Potokun, Zvecanin dhe Komunën e re të Mitrovicës së Kosovës nënkupton shtrirje në dy (2) nivele.
1). Niveli ndërkombëtarë, dhe
2). Niveli lokal.
Kjo strategji bazohet tërësisht me Dokumentin e Ahtisarit dhe me Ligjin për Decentralizim, Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjet tjera në fuqi në Republikën e Kosovës. Kjo strategji ofron bazë të mirë për zhvillim të kësaj pjese të Kosovës. Strategjia për Veriun e Kosovës është edhe kusht për Liberalizimin e Vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Asocim-Stabilizim me Bashkimin Evropian.

Hyrje
Institucionet e Kosovës me përkrahjen e komunitetit ndërkombëtarë përmes kësaj Strategjie (tash e tutje) do t’i integrojnë Komunat e Veriut në kuadër të Institucioneve vendore. Forcimi i rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës është esenciale për të gjithë qytetarët e kësaj ane si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkim Evropian dhe NATO.
Kjo Strategji poashtu i ndihmon edhe Serbet që jetojnë në pjesën Jugore të Kosovës që të lirohen nga ndjenja se çka po ndodh me vëllezërit serb të Veriut të Kosovës. Strategjia i hapë rrugë nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit dhe anëtarësimit të Republikës së Kosovës në BE si dhe Liberalizimit të Vizave për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Poashtu i hapë rrugë investimeve të jashtme dhe krijon një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Arritja e kësaj zgjidhjeje do të mundësoi investime të reja dhe punësime të reja për të gjithë qytetarët. Më e rëndësishmja është se pas implementimit të kësaj Strategjie Serbët dhe Shqiptarët në tërë territorin e Kosovës mund t’i shfrytëzojnë të gjitha pronat e tyre të pashfrytëzuara deri me tash.

Gjendja aktuale
Banorët e tri (3) Komunave aktuale: Leposavic, Zubin Potok dhe Zveçan jetojnë në një kaos ligjor dhe grupet e caktuar vendore dhe të strukturave paralele në bashkëpunim me krimin e organizuar zhvillojnë kontrabandën dhe paguhen nga buxheti shtetërorë i shtetit Serb. Gjendja aktuale e përafërt e financimit të kësaj pjese parallogaritet se është si vijon:
1). Mbi 50% e të hollave që hyjnë në Veri të vendit për strukturat paralele dhe vijnë direkt nga buxheti i Republikës së Serbisë.
2). Rreth 50% e të hollave tjera vijnë nga kontrabanda që zhvillohet në këto komuna ku shumica e madhe tregtohet në Jug të Republikës së Kosovës.

Aktualisht banorët e këtyre Komunave kanë frikë se si mund të jetohet nëse ndalen paratë nga Serbia dhe bllokohen rrugët tjera të financimit. Shqetësim me vend. Kjo është një dilemë që do ta shqetësonte secilin qytetarë të Kosovës – jo vetëm serbët. Pasiguria për të mbijetuar dhe pas një të hyrë (sado e vogël) por stabile është edhe arsyeja pse deri me tash askush në këto Komuna nuk ka pranuar të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi për ta dëshmuar të kundërtën.
Për të krijuar siguri dhe besim për të gjithë banorët e Veriut të Kosovës, institucionet duhet të marrin një vendim të vështirë, por të nevojshëm e që do të ishte lehtësi dhe ndihmesë drejtë normalizimit të gjendjes. Ky dokument e ofron një propozim i cili prezantohet nga Ekipi Eksplorues dhe kandidati i mundshëm për President të Kosovës z. Seremb Gjergji.

Institucionet e Drejtësisë
Formimi i institucioneve të drejtësisë në Pjesën Veriore të Komunës së Mitrovicës deri në fund të vitit 2012 është krucial për institucionet e Republikës së Kosovës dhe për qytetarët e saj. EULEX bashkë me institucionet vendore e kanë këtë përgjithësi. Gjykatat, poashtu do të shërbejnë si model i shtrirjes së më vonshme te të gjitha institucioneve të tjera në këtë pjesë të territorit tonë. Poashtu, do të filloi me ndjekjen e akterëve kriminal në këtë pjesë të qytetit të Mitrovicës. Ky hap i ndihmon qytetarët e rendomë që të frymojnë lirshëm dhe veprojnë lirshëm në këtë qytet që aktualisht është i ndarë nga Ura e Ibrit.

Komuniteti ndërkombëtarë dhe ndihmesa e tyre
Bashkimi Evropian – EU dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i ndihmojnë institucionet e Kosovës në dy drejtime:

1. Të bëjnë trysni tek Serbia që të ndaloj financimin e strukturave paralele në tri Komunat të dominuar me Serb (Leposavic, Zvecan dhe Zubin Potok).
2. Të ndihmojnë në mënyrë të pandërprerë në implementimin e Menaxhuar të Integruar të Kufijve - IBM.

1. Institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë nga institucionet e BE-së dhe SHBA-së por edhe të punojnë bashkë me ato në ndalimin e financimit të strukturave paralele. Mos-sponzorimi i tyre nga Serbia të jetë edhe kusht i Serbisë për anëtarësim në BE. Një prej kushteve të anëtarësimit. Nga këndvështrimi i institucioneve të Kosovës – duhet të jenë gati me plan dhe strategji konkrete që sapo të filloi mos-financimi nga Beogradi zyrtar, të filloj krijimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës në këtë pjesë. Assesi nuk duhet lënë boshllëk. Në këtë fushë do të ndihmoi shumë si model krijimi i mëhershëm i institucioneve të drejtësisë në Mitrovicën matanë lumi Iber.

2. Menaxhimi i Integruar i Kufirit - IBM, nënkupton formimin e ligjit mbi Policinë ku përfshihet edhe Policia Kufitare e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera përbërëse të shtetit në kufi. Me rregullore administrative nuk mund dhe nuk duhet të punohet. Poashtu duhet edhe ristrukturim i ekipit të Policisë së Kosovës – Njësia Kufitare e cila në aspektin ndërkombëtarë të koordinimit bie nën Ministrinë e Jashtme, ndërsa në aspektin e menaxhimit bie nën Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dokumenti i vitit 2005-2006 për IBM është shpjegimi më i mirë për hapat që duhet ndërmarrë – duke eliminuar përgjithësitë e asaj kohe të UNMIK-ut.

Ndalja e financimit të strukturave paralele
Nuk është interes as i BE-së, as i SHBA-së e as i Kosovës dhe vet Serbisë që të zhvilloi struktura paralele në Evropë. Dy të palët e para nuk duhet të lejojnë, ndërsa dy të dytat duhet të parandalojnë.
Në këtë mënyrë, komuniteti ndërkombëtarë duhet të bëjë presion të jashtëzakonshëm që Serbia më në fund të heqë dorë nga financimi i strukturave paralele në territorin e Republikës së Kosovës. BE-ja duhet ta ketë si kusht themelorë dhe të pa-kapërcyeshëm këtë çështje dhe të jetë si kusht i fuqishëm në anëtarësimin e Serbisë në BE.
Kosova duhet të hartoj një plan të rrufeshëm (sëift) që ta zëvendësoj boshllëkun me institucione demokratikë të Kosovës në një afat jo më të gjatë se tri (3) vjet duke filluar nga vera e këtij viti – 2012.

Menaxhimi i integruar i kufirit - IBM
Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit me Serbinë nën udhëheqjen e BE-së dhe vëzhgimin e SHBA-së, tash duhet të marrë formën e vet në terren. Pas zgjedhjeve në Serbi, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë përgatitjet për fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje në të gjitha pikat kufitare me Serbinë.
Këto pika do të quhen në përputhje me definimin e marrëveshjes/pajtimit të arritur në Bruksel nën menaxhimin dhe udhëheqjen e z. Cooper. Vendet e BE-së, NATO-s dhe SHBA-ja duhet të bëjnë presion tek Serbia me fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje. Modeli i BE-së për IBM dhe dokumenti i hartuar në vitin 2005-2006 nga Qeveria e Kosovës për IBM mund të shërbej si bazë e mirë për fillimin e implementimit të kësaj marrëveshjeje.

KFOR kryen detyrën e vet
Forcat paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë “Kosovo Force” – KFOR duhet të fillojnë me çdo kusht lirin e lëvizjes që është edhe përgjithësi e tyre në pjesën veriore të Kosovës duke filluar nga Ura e Ibrit në Mitrovicë e duke përfunduar në pikat kufitare 1 dhe 31. Siguria e kësaj hapësire territoriale është fondamentale për serbët e Kosovës si dhe për Institucionet e Kosovës. Deklarata e Komandantit Samuel Locklear III se serbët lokal nuk dëshirojnë të jetojnë në geto dhe nën friken e kriminelëve duhet të jetë një prej arsyeve kryesore në avancimin e punës së KFOR-it.

Amnistia
Aktualisht rreth 100% e të hyrave financiare në pjesën Veriore të Kosovës – Leposavic, Zvecan dhe Zubin Potok vijnë nga Qeveria e Serbisë dhe kontrabanda e mallrave që zhvillohet atje.
Institucionet e Kosovës duhet të shpallin Amnisti për të gjitha rastet e kontrabandës në Veri të Republikës së Kosovës. Në këtë Amnisti nuk hyjnë rastet e vrasjeve dhe krimeve të tjera të dhunshme ndaj individëve apo institucioneve. Poashtu në këtë Amnisti nuk hyjnë as aktet e djegies dhe vandalizmit të pikave kufitare 1 dhe 31 të Republikës së Kosovës.

Amnistia politike
Institucionet e Republikës së Kosovës përveç amnistisë së lartpërmendur, duhet të bëjnë edhe amnisti politike ndaj individëve të cilët kanë vepruar politikisht në kundërshtim me qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kësaj here ky shans duhet të shfrytëzohet nga serbët e tri (3) komunave; Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan.
Krijimi komunës së re të Mitrovicës në Veri që vendasit më me dëshirë do ta emëronin Mitrovica e Kosovës të shërbej si model i mbajtjes së zgjedhjeve nga institucionet e Kosovës edhe për komunat tjera; Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan të cila brenda tri vjetëve me anë të kësaj Strategjie do të jenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Investimi nga institucionet e Kosovës
Plani për fillimin e investimeve në këtë pjesë të territorit të Kosovës duhet të jetë e koordinuar dhe i ndihmuar edhe nga ana e Bashkimit Evropian, si faktor zhvillues dhe avancues në këtë proces dhe vëzhgohet nga SHBA-ja si faktor stabilizues dhe Aleat i Kosovës.
Ky investim i institucioneve të Kosovës duhet të jetë €15 milion për tri (3) vjetët e ardhshme dhe duhet të përfshij të gjitha segmentet emergjente dhe të nevojshme për avancim. Pas tri vjetëve, ky investim bëhet në proporcion me zhvillimin e Komunave dhe kërkesës së tyre buxhetore. Investimet nga BE dhe Banka Botërore – BB, do të jenë shtesë e këtij hapi të përbashkët kaq të rëndësishëm për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për Liberalizimin e Vizave dhe në dobi të qytetarëve të Kosovës, e në veçanti për qytetarët e kësaj pjese.

Ndërmjetësuesit
Institucionet e Kosovës duhet të shohin mundësitë e bashkëpunimit me qytetarët serbë të Veriut të Kosovës. Pas Amnistisë Politike, institucionet tona duhet të shqyrtojnë mundësin e angazhimit të Kryetarëve aktual (paralel) të komunave Leposavic, Zubin Potok dhe Zvecan si Ndërmjetësues. Kjo fazë do të jetë në interes të dy palëve dhe integrim i 3 Komunave me shumicë serbe në institucionet vendore. Kjo është sakrifica që institucionet tona duhet të bëjnë. Duke respektuar Kushtetuten e Kosovës, Dokumentin e Ahtisarit dhe Ligjin për Decentralizim – kjo është e mundur dhe e arritshme. Njëherësh tregon për qasjen miqësore ndaj popullatës serbe të kësaj zone – duke i trajtuar si qytetarë të barabartë. Kryetarët aktual edhe pse tash për tash të pa-pranueshëm nga institucionet tona, janë votuar nga shumica serbe e këtyre tri (3) qyteteve. Sipas serbëve ata kanë legjitimitet. Duke pas parasysh këtë çështje dhe duke pas parasysh nevojën për zgjidhje të problemit aktual dhe për avancimin e çështjes – ata duhet të angazhohen si ndërmjetësues. Nuk mund ta nënshkruajmë dokumentin e Asocim-Stabilizimit me BE-në pa e zgjedhur situatën aktuale në tri komunat Veriore të Kosovës.

Zgjedhjet e reja në këto tri komuna
Brenda tri vjetëve duhet të ndodhin zgjedhjet komunale në këto tri komuna me shumicë serbe: Leposavic, Zvecan dhe Zubin Potok. Model duhet të jetë Komuna e re e Mitrovicës së Kosovës dhe Parteshi.
Programi qeveritarë për vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik të kësaj ane do të mundësoi edhe avancimin dhe zhvillimin e shumicës së qytetarëve serb dhe të pakicave të tjera përfshirë edhe shqiptarët të cilët jetojnë në këto ane.
Shkritorja e Trepçës ri-vitalizohet dhe fillon me punën dhe me përpunimin e metaleve sipas mundësisë. Në këtë fushë ndihmon edhe BE-ja dhe BB-ja.

Rekomandimet
1. Ky propozim është i bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Dokumentin e Ahtisarit dhe Ligjin për Decentralizim.
2. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë status special për tri (3) komunat me shumicë serbe.
3. Serbët në Jug të Kosovës lirohen nga ndjenja e pengesës dhe njëkohësisht mund të kenë qasje në pronën e tyre në Veri, ashtu siç do të kenë të tjerët nga Veriu qasje në pronën e tyre në Jug.
4. Hapi inventiv nga Qeveria e Kosovës – ndihmon në zhvillimin edhe të kësaj pjese të Kosovës.
5. Arritja e kësaj zgjidhjeje mundëson procesin e shpejtë të Liberalizimit të Vizave edhe për Kosovën.
6. Përshpejton proceset për katër (4) vjet më herët drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian – BE.
7. Rritë sigurinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
8. Hapë rrugën e investimeve të jashtme.
9. Rritët numri e vendeve të reja të punës dhe avancimit të qytetarëve të vendit.
10. Marrëveshja nuk e destabilizon as Bosnjën dhe Hercegovinën e as Maqedoninë.
11. Zhvillohet dhe avancohet marrëveshja e IBM-it edhe me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.
12. Mundëson zvogëlimin edhe më të madh të trupave të NATO-s në Kosovë.
13. Mbizotëron liria e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës.

Lek

Numri i postimeve : 142
Registration date : 17/12/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi