Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

UNIVERSE PARALELE

Shko poshtë

UNIVERSE PARALELE Empty UNIVERSE PARALELE

Mesazh nga Agim Gashi Mon Apr 20, 2009 2:59 am

UNIVERSE PARALELE
Një tjetër realitet?


UNIVERSE PARALELE *univers

Imagjinoni sikur të jeni në gjendje të jepni një shpjegim, për çdo lloj fenomeni që ndodh në univers. Që nga ngjarjet më të vogla, deri tek më të mëdhatë. Eshtë kjo ëndrra që kanë kultivuar shkencëtarët më brilantë, që nga koha e Ajnshtainit. Dhe sot, ndoshta ky shpjegim është gjetur. Një teori që na lë të shtangur, që do të na ofronte një shpjegim të ri e të jashtëzakonshëm: Universi në të cilin jetojmë, nuk është i vetmi. E gjithë kjo që do të lexoni është e vërtetë, ose të paktën, e tillë është në këtë univers.
Për pothuajse 100 vite, shkenca ka regjistruar ngjarje, të cilave nuk ishte në gjendje t'u jepte përgjigje. Fenomene të pashpjegueshëm, të lidhur me ekzistencën e mundshme të botëve misterioze të fshehura, të paperceptueshme nga shqisat humane. Njerëzit që merreshin me të mistershmen kanë besuar gjithmonë në ekzistencën e vendeve të tillë, që sipas tyre banoheshin nga fantazma dhe shpirtëra. Asosacioni me supersticione të tillë, natyrisht që nuk hynte në ambiciet e shkencës zyrtare. Por që nga viti 1920, shkencëtarëve u është dashur që të bëjnë llogaritë me një zbulim sikletosës. Duke kërkuar pozicionin ekzakt të thërrmijave atomike si elektronet, arritën në përfundimin se ishte absolutisht e pamundur që të grupoheshin. Elektronet thjeshtë nuk kishin një mënyrë të vetme grupimi.
Nëse studion cilësitë e atomeve, zbulohet se realiteti është shumë herë më i çuditshëm se sa çdo lloj shpikjeje fantastike. Thërrmijat kanë aftësinë që në një farë mënyre të jenë në shumë vende në të njëjtën kohë. I vetmi shpjegim i mundshëm, i hedhur si hipotezë nga një pjesë e madhe e fizikantëve është se thërrmijat nuk ekzistojnë vetëm në universin tonë. Ato mendohet që të jenë të pranishme edhe në universe të tjerë. Madje, teoria shkon më tej, për të thënë se ekziston një numër i madh universesh paralelë. Njëri i ndryshëm nga tjetri.
Praktikisht, mund të ketë një univers paralel, në të cilin Napoleoni të ketë fituar betejën e Vaterlosë. Një tjetër në të cilin perandoria britanike ka mundur që të ruajë zotërimin e saj mbi kolonitë amerikane. Dhe një tjetër akoma, në të cilin ne ndoshta nuk jemi lindur asnjëherë.
Shkurt, mendohet se mund të ekzistojë një univers i ndryshëm nga yni, me një realitet të kundërvënë këtij tonit, ku madje do të ishim në gjendje që të gjenim Al Gorin si president dhe Eliv Preslin ende gjallë. Një teori e tillë ishte kaq trazuese, saqë për dekada të tëra ajo u injorua nga shkencëtarët. Por, sidoqoftë ideja e universeve paralelë ishte e destinuar që të rikthehej si protagoniste. Dhe këtë herë, do të ishte ndryshe. Do të kish shkaktuar shumë më tepër tronditje se sa thjeshtë zbulimi që "Elvis Presli nuk ka vdekur".
Një proverb i vjetër anglez thotë: "Kujdes nga ajo që dëshiron. Sepse dëshirat mund të realizohen". Dhe dëshira më e madhe e fizikantëve ka qenë për një kohë të gjatë që të gjenin një teori të vetme dhe elegante që të përmbledhë në vetvete të gjithë kuptimet e universit tonë. Ka qenë pikërisht kjo ëndrra që i ka çuar në mënyrë të pavetëdijshme drejt rizbulimit të universeve paralelë. Endrra që ka udhëhequr punën e pothuajse çdo astrofizikanti. Einstein nuk arriti që të kompletojë Teorinë e tij të Gjithçka-së. Por pas tij, ishin të shumtë fizikanët që u përpoqën shumë të arrinin një objektiv të tillë thelbësor, një objektiv i parealizueshëm deri disa vite më parë.
Në vitet '80-të, ndodhi në fakt një revolucion i vërtetë. Në universitetet e të gjithë botës, shkenca nisi të zhvillojë ide të reja. Më në fund, dukej se çdo gjë në këtë univers kish arritur të bëhej e shpjegueshme. Në Britaninë e Madhe, fizikanti i njohur Stephen Hawking ishte aq shumë i bindur, sa të deklaronte guximshëm se fizika ishte e gatshme tashmë të lexonte deri edhe në mendjen e Zotit. Shumë shpejt, nuk do të kishte probleme të fizikës të pazgjidhur. Por një ide, e cila dukej se ishte më revolucionarja nga të gjitha u duk se do të shërbente për të konkretizuar Teorinë e Gjithçka-së. Dhe ajo ndezi fantazinë e shkencëtarëve, mes të cilëve Bart Ovrut. Ideja kishte të bënte me fijet.
Nga ata që merreshin me fizikë, mendohej se materia ishte e përbërë nga thërrmija. Sot kemi ndryshuar ide në lidhje me këtë dhe mendojmë se ajo është e përbërë nga fije të vogla. Për vite të tërë, ideja, sipas të cilës e gjithë materia e universit ishte e formuar prej thërrmijave të vogla të padukshme, kishte qenë një parim i padiskutueshëm. Pastaj, krejt papritur fizikanët që merreshin me thërrmijat zbuluan se kishin bërë një gabim. Në realitet, materia ishte e formuar nga fijet, shumë të vogla dhe të padukshme. Kjo teori, u quajt Teoria e Fijeve. Dhe, sipas saj, materia emeton pikërisht nëpërmjet këtyre fijeve një lloj melodie, një muzikë të vërtetë. Mund ta imagjinojmë si një kordë violine apo kitare, nëse ajo preket në mënyrë të caktuar dalin prej sasj frekuenca të caktuara, por nëse të njëjtën kordë do ta prekim në mënyrë të ndryshme, do të kemi më shumë frekuenca, por edhe nota të ndryshme. Pra, është sikur natyra të jetë e përbërë nga nota të lëshuara pikërisht nga këto super fije.
Por, për të vënë poshtë Teorinë e Gjithçka-së, të lënë përgjysëm nga Einsteini, Teoria e Fijeve duhej të kapërcente një provë shumë të vështirë. Duhej që të shpjegonte një ngjarje shumë speciale: lindjen e Universit. Shkencëtarët e dinë prej kohësh se Universi e kishte origjinën tek një shpërthim gjigant, ose Big Bangu. Duke ndarë të kaluarën nga e tashmja, kozmologët kanë udhëtuar pas në kohë, që nga ditët tona, deri në momentin e Big Bangut, me një detyrë jashtëzakonisht shumë mirë të përcaktuar.
Nëse universi është i gatshëm për një shpjegim të vetëm, atëherë Teoria e Fijeve dhe ajo e Big Bangut duhej të përputheshin shumë mirë dhe duhej që të plotësonin në mënyrë të përsosur njëra-tjetrën. Në fund të fundit, njëra kishte të bënte me lindjen e universit. Dhe tjetra kishte të bënte me materien në brendësinë e saj. Momenti fillestar i Big Bangut është misteri më i madh i të gjithë kozmologjisë. Ai ka marrë definicionin: Veçantia.
Por pikërisht në momentin kur shkencëtarët dukej se ishin në prag të "dorëzimit", një zbulim i befasishëm ofron impulse të reja për kërkimet e tyre, duke i shtyrë që të rishikonin të gjithë teoritë zyrtare ekzistuese dhe duke i nxitur që të përballeshin tashmë me një ide shumë joshëse: ajo e universeve paralelë. Normalisht, të gjithë jemi mësuar që të jetojmë në një botë me tre dimensione. Në fakt, ne jemi në gjendje që të lëvizim në tre drejtime të ndryshme. Majtas-Djathtas, Lartë-Poshtë, Para-Mbrapa. Por fizika dukej se ishte në kërkim të dimensioneve të tjerë. Einsteini propozoi Kohën si dimension të katërt. Fizikanë të tjerë sugjeronin një dimension të pestë, edhe ai hapësinor dhe më pas edhe një dimension të gjashtë. Numri vazhdonte të rritej.
Ideja ishte që dimensionet e tjerë ishin të përhapur në univers dhe ne nuk jemi në gjendje që t'i perceptojmë. Pjesa më e madhe e tyre mendohet që të jenë mikroskopikë, por shkencëtarët shprehen se janë të sigurtë për ekzistencën e tyre. Sipas Teorisë së Fijeve, dimensionet e universit tonë në total duhet të jenë njëmbëdhjetë.
Ndërkohë që Teoria e Fijeve vazhdonte të fitonte mbështetje gjithnjë e më të madhe, ishin të paktë ata që e merrnin seriozisht në konsideratë dimensionin e njëmbëdhjetë. "Kam qenë gjithmonë i bindur se në fund do të pranohej vlefshmëria e dimensionit të 11, nuk e dija kur dhe si, por isha i sigurtë se herët a vonë dimensioni i njëmbëdhjetë do të shndërrohej në një element shumë të rëndësishëm, thotë shkencëtari Paul Steinhart.
Fijet shumë të vogla dhe të padukshme, që i kishin dhënë emrin teorisë, mendohet që të jenë elementët përbërës themelorë të të gjithë materies së universit. Por tani, me shtimin e dimensionit të njëmbëdhjetë ato nuk ishin më të tilla. Ishin përhapur dhe kombinuar me njëra-tjetrën. Konkluzioni që la të shtangur shumëkënd ishte se e gjithë materia e universit ishte e ndërlidhur në një strukturë të vetme dhe shumë të madhe, një membranë energjie. Praktikisht, i gjithë universi ynë është një membranë.
Krejt papritur, fizikanët e të gjithë botës e shihnin dimensionin e njëmbëdhjetë si një çelës në përpjekjen e tyre për zgjidhjen e problemeve shumë të vjetër. Në çdo rast, dukej se shpjegimi çonte gjithçka drejt një universi tjetër paralel. Domethënë që, kudo që hidhnin sytë, dukej se shihnin universe të tjerë paralelë, që dukej se shfaqeshin pasi dilnin nga cilindri i një prestigjatori.
Disa kishin formën e membranës tredimensionale, ashtu si edhe universi ynë. Të tjerë ishin thjeshtë shtresa energjie. Kishte madje membrana cilindrike dhe në formë unaze. Dukej pra se i gjithë dimensioni i njëmbëdhjetë ishtë një seri membranash. Secila prej këtyre membranave ishte një tjetër univers i mundshëm.
Pra, mund të ketë universe të tjerë paralelë me tanët dhe ndoshta edhe shumë pranë nesh, por ndoshta ne mund të mos e kuptojmë asnjëherë këtë gjë. Mund të jenë krejtësisht të ndryshëm, me ligje të ndryshëm të natyrës. Mund të mos jenë të gjithë të banueshëm, por mund të jetë vetëm një pjesë e tyre, por nga ana tjetër, nëse ekziston një numër i pafundëm i kësi lloj universesh, atëherë me siguri ka një numër të pafundëm universesh me qytetërime të gjallë.
Universet paralelë lëvizin përmes dimensionit të njëmbëdhjetë si valë. Dhe ashtu si çdo valë, edhe këto puthiten diku. Kanë qenë pikërisht takime apo puthitje të tilla që kanë krijuar masat e materies pas Big Bangut. Kozmologët kishin tashmë më në fund në dispozicion shpjegimin e plotë të lindjes së universit tonë. Dhe tashmë, ata mund t'i dedikoheshin diçkaje edhe më të thellë. Mund të transferonin ligjet e fizikës pas në kohë, deri në momentin e Big Bangut e madje edhe pak përpara tij.
Kjo ide është aq e re, saqë sapo ka nisur që të shohë kundërvënie. Por nëse do të vërtetohet nga bota shkencore, kjo do të thotë se teoria e lënë e papërfunduar nga Einsteini, më në fund do të plotësohet. Por, ndoshta për shkencën do të ishte një fitore e hidhur. Sepse, konkluzioni i një kërkimi dhe studimi kaq të gjatë, mund të ishte që universi, kaq i vështirë për t'u deshifruar, në fund të fundit nuk është asgjë kaq e veçantë. Është vetëm njëri, mes një numri të pafundëm membranash, thjeshtë njëri prej shumë universeve që formojnë MULTIVERSIN.
Por ky nuk është ende fundi i kësaj historie. Tani që ndoshta Teoria e Gjithçka-së mund të jetë gjetur më së fundi, shkencëtarët do të donin që ta vinin në provë. Fizika është duke u përgatitur për një fluturim të fundit fantastik. Të krijojë një univers në laborator, pa mistere, apo pikëpyetje pa përgjigje.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi