Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ardian Ndreca: Centrali atomik në Shkodër ose pasioni shkatrrimtar i nji të çmenduni

Shko poshtë

Ardian Ndreca: Centrali atomik në Shkodër ose pasioni shkatrrimtar i nji të çmenduni Empty Ardian Ndreca: Centrali atomik në Shkodër ose pasioni shkatrrimtar i nji të çmenduni

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 22, 2009 3:01 am


Ardian Ndreca: Centrali atomik në Shkodër ose pasioni shkatrrimtar i nji të çmenduni U1_ardian_ndreca
Ardian Ndreca
Centrali atomik në Shkodër ose pasioni shkatrrimtar i nji të çmenduni

Nga Ardian Ndreca
“Nevoja e krijimit të nji Forumi qytetar kundër centralit atomik në Shkodër dhe mbledhja e firmave kundër kësaj ideje të çmendun të qeverisë shqiptare”
Në Shkodër përdoret nji fjalë e urtë: “Te dhandrri hanë e pinë, te nusja gja nuk dinë”. Kur nji punë bahet pa dijeninë e të interesuemit të drejtpërdrejtë, që në gjuhën e politikës quhet “mungesë transparence” domethanë se diçka e ndytë, madje shumë e ndytë mshehet mbrapa.
Deri para pak ditësh populli i Shkodrës nuk dinte asgja rreth marrveshtjes mes Tiranës dhe Zagrebit për ndërtimin e nji centrali atomik në brigjet e liqenit të Shkodrës. Nuk asht se lajmi shqetësoi shumë prej deputetëve të asaj zone apo edhe politikanët tjerë si Edi Ramën, Ilir Metën, Spartak Ngjelën, Nard Ndokën etj. Madje edhe pushtetarët lokalë të Shkodrës vijuen me sukses traditën e gjithë këtyne viteve: fjetën të qetë e s’e morën mundimin me kërkue nji interpelancë apo me ba nji deklaratë të vetme.
Vetëm ata që sot janë shpresa e këtij qyteti, të rinjtë, reaguen, me aq sa kishin mundësi, dhe si hap të parë mbushën qytetin me postera kundër idesë së çmendun të ndërtimit të nji centrali bërthamor në atë qytet.
Atyne që na thonë: “Qetësohuni, s’asht gja, janë llafe, asht shpejt me u preokupue” - u kujtojmë entuziazmin dhe miopinë e trojanëve, kur pranuen dhuratën e famshme të akejve. Pendimi i vonë nuk na shërben, pse asht pendim mbas shkatërrimit.
Për me i tregue atyne që kujtojnë se centrali asht “punë e ftohtë”, po u rreshtojmë disa të dhana të marruna kryesisht prej shtypit kroat e malazez.
Qysh me 10 shkurt 2009 gazeta kroate “Jutarnji” shkruente: “Kroacia dhe Shqipnia kanë me ndërtue centralin bërthamor”, artikulli i gazetarëve Sergej Trajkoviç dhe Adriano Milovan - citonte krenët e naltë të qeverisë kroate dhe e paraqiste si nji fakt të kryem marrveshtjen mes dy vendeve.
Në të njejtën ditë në sitin e Kryeministrisë sonë lexohej lajmi lakonik, u nënshkrue:
“Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë mbi amendimin e marrëveshjes së marrëdhënieve dypalëshe ekonomike, nënshkruar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë së Kroacisë, z. Damir Polančeč.”
Vëreni se çfarë transparence ka kryeministri shqiptar, vetëm Enver Hoxha ka ba marrëveshtje me Kinën a me Korenë e Veriut, përmbajtjen e të cilave populli shqiptar nuk e ka njohtë kurrë.
Me datën 11/2/2009 gazeta tjetër kroate “Poslovni Dnevnik” botonte shkrimin me titull: “A ka me u ndërtue centrali në Shqipni? Kroacia do të heqin ketë vit vizat për shqiptarët”.
Mendoni pra se çfarë traktativash kanë udhëheqë pushtetarët tanë në Zagreb: jepet vendi me ndërtue centralin atomik dhe si shpërblim hiqen vizat. Shkodranët kur të marrin rrezatimet radioaktive të mjaftueshme mund të shkojnë në Kroaci me pushime, edhe të përjetshme!
Kurse revista “Globus” (nr. 954/2009) i kushton Berishës e Sanaderit kopertinën, ku lexojmë: “Vendimi i Berishës. Oferta që i asht ba Sanaderit nga ana e Tiranës”.
Gazetari Boris Orešić shkruen në ketë artikull se zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Damir Polančeč do të firmosin në fund të muejit në Tiranë marrveshtjen për centralin atomik në Shkodër. Na vjen me thanë se ndër të gjitha fatkeqsitë tona sillet nji “Damir”.
Autori nënvizon se uji i liqenit do të shërbejë me ftohë reaktorët, ndërsa uji i ngrohun prej centralit do të derdhet në Bunë. Mandej ai përmend përvojën kroate, sidomos atë të Hrvoje Shariniçit, i cili ka udhëheqë projekte në vitet ’70-’80 kudo në botë. Nevoja e ndërtimit të këtij centrali, thekson revista, që asht proqeveritare, pra e mirinformue, del prej faktit që Sllovenia për arsye politike i ka kufizue shitjet e energjisë Kroacisë.
Ndërsa revista “Nacional” në datën 13/4/2009 titullon: “Mediat serbe: Kroacia dhe Shqipnia kanë nevojë për miratimin e Malit të Zi për ndërtimin e centralit atomik”.
Revista “Nacional”, drejtor i së cilës ishte gazetari i vramë me atentat para pak kohësh në Zagreb Ivo Pukaniç, nuk e firmos artikullin e vet kritik për arsye të kuptueshme. I kujtojmë lexuesve që nji prej të akuzuemve prej opinionit publik për vrasjen e Pukaniçit ishte edhe kryeministri Sanader. Por ma vonë drejtësia kroate arrestoi dorasët.
Kurse në shtypin malazez Mustafa Canka shkruente me datën 10 prill në gazetën “Monitor Online”: “Liqeni ka me ftohë reaktorët”, dhe ndër të tjera paraqiste preokupimin e kryetarit të shoqatës mjedisore ulqinake “Hapi i blertë” (Zeleni korak) Xhelal Hoxha për rrezikun që paraqet ky central për mjedisin dhe ekosistemin e gjithë rajonit. Ndër të tjera artikullshkruesi nënvizon reagimin e Komisionit Europian, që i thotë Shqipnisë se asaj i duhet me ba hapa gjigandë për me mbërrijtë me ndërtue centrale të tilla.
Ndërsa gazeta joqeveritare “Dan Online” boton me 16/4/2009 shkrimin me titull: “Prej qeverisë (së Malit të Zi: shën. yni), pohojnë se Shqipnia nuk mundet me e ndërtue centralin pa miratimin e Malit të Zi”. Burimi asht zv/ministri Sinisha Stankoviç. Vërejmë se edhe artikulli i kësaj gazete joqeveritare nuk asht i nënshkruem.
Ndërsa me datën 17/4/2009 gazeta proqeveritare “Vijesti” tue citue Milo Gjukanoviçin shkruen: “Ekzistojnë mekanizmat mbrojtëse. Kryeministri Milo Gjukanoviç thotë se nuk duhet me u nervozue dhe me çue peshë median për sa i përket lajmit të ndërtimit të centralit atomik në Shkodër”.
I kujtojmë lexuesve se deri para pak vitesh për Gjukanoviçin prokuroria puljeze kishte pre nji fletë-thirrje për me u paraqitë në gjykatën italiane si i hetuem për çështje kontrabande ndërkombtare.
Ndër media italiane përmendim “La Voce” (17/4/2009) që botonte titullin: “Shqipni: centrali atomik do të bahet” dhe nëntitullin “Marrveshtja mes Shqipnisë dhe Kroacisë parashikon përdorimin e teknologjisë kroate dhe të krahut të punës shqiptar”. Ndërsa ndërmarrja kroate “Hrvatska Elektroprivreda” do t’i japë vendit ma të vorfën në Ballkan dijet dhe teknologjinë e nevojshme për me realizue ketë vepër.
Gazeta nënvizon faktin se Milo Gjukanoviç ka kundërshtue deklaratat e zv/ministrit Stankoviç, tue thanë se kemi përpara së paku 10 vjet kohë për me sheshue mosmarrëveshtjet me miqtë shqiptarë dhe së bashku me ta me studjue mënyrën ma të sigurtë për me shfrytëzue këtë lloj energjie.
Edhe “Wall Street Italia” në datën 19/4/2009 shkruente “Mali i Zi: asnji nervozizëm rreth centralit në Shqipni. Kryeministri Gjukanoviq: nisma duhet peshue seriozisht”.
Në mediat ballkanike flitet pra qysh ne shkurt haptas për ketë problem, tek ne ka vetëm pak ditë. A nuk i thonë kësaj: “Te dhandrri hanë e pinë, te nusja gja nuk dinë”? Kjo asht transparenca e Berishës, që në vend që me qeverisë ndershmënisht sulmon pa pushim me anë të vorbaxhinjve të vet Kryeprokuroren Rama dhe Presidentin Topi.
Lexues i dashun, ti që s’e ven partinë apo vlerat e tjera të pjesshme mbi të mirën e përgjithshme, e sheh qartë se në ketë çështje ka nji mungesë transparence nga pala shqiptare kundrejt popullit shqiptar.
E kotë me nënvizue këtu se Shkodra asht nji zonë me aktivitet sizmik të naltë, se në 1905 dhe në 1979 ka provue dy tërmeqe të fuqishme. E kotë me tregue se Liqeni i Shkodrës deri në derdhjen e Bunës asht zonë me vlera të veçanta natyrore e arkeologjike, se gropa e Shkodrës shtrihet në kambët e alpeve tona. E kotë me thanë se uji i centralit atomik do ta rriste temperaturën e ujnave të liqenit dhe të Bunës, se ndotjet do të krijonin probleme të mëdha gjenetike për popullatën përreth dhe rrezatimet do të rrisnin numrin e të sëmurëve me leuçemi, se turizmit duhet me i thanë “lamtumirë” përgjithmonë... dhe se politikanëve tanë nuk u zehet besë si në 1997, pse janë po ata.
Mandej mesatarja e luftnave në Ballkan asht ma e naltë se në gjithë botën. Vetëm në shek. XX kemi dy konflikte ballkanike, konflikte ndëretnike 1913-1915, zhvillime luftarake të dy konflikteve botnore, zhvillime të tjera luftarake në vitet 1944-1945, mandej konfliktet slloveno-kroato-boshnjako-serbe në vitet 1990-1995, prapë lufta e marrisë në Shqipni në 1997, lufta në Kosovë 1998-1999, konflikti ndëretnik në Maqedoni në vitin 1999.
Pra kësaj fuçije baruti do t’i shtojmë edhe nji bombë atomike në Shkodër?
Mbas disa ditësh polemika erdhi, vetëm në shtypin shqiptar, “përgënjeshtrimi” levantin i qeverisë kroate: s’kemi asnji marrveshtje konkrete për energjinë nukleare. Këto përgënjeshtrime të kërkueme me ngulm këto dite prej autoriteteve të Tiranës - siç dëshmojnë burime që preferojnë me ndejt anonime - janë pjesa ma groteske e kësaj farse të ndytë.
Pse? Mbasi prap me datën 15 prill 2009 gazeta kroate “Poslovni Dnevnik” botonte nji shkrim të Miho Dobrašin-it, Milan Šćekić-it dhe Mirela Klanac-it me titull: “Shumica e energjisë kroate do të vijë prej nukleares së Shqipnisë”. Ndër të tjera në artikull flitet për firmën e “memorandumit të marrveshtjes” që do të firmoset në fund të muejit në Tiranë si edhe për reagimet e rrepta të shoqatës ekologjiste malazeze “Hapi i blertë”. “Poslovni Dnevnik” citon edhe ish ministrin malazez të mjedisit Vukiç Puleviç i cili flet për rreziqet që paraqet ky projekt për marrdhanjet mes shteteve në rajon.
Gazeta kroate “Poslovni Dnevnik” i kthehet këtij argumenti edhe në numrin e saj të datës 16 prill. Titulli asht: “A ka nevojë Kroacia me bashkëpunue për ndërtimin e nukleares në Shqipni?”.
Citohet Goran Graniç i Intitutit Hrvoje Pozhar: “Para marrveshtjes duhet me sqarue edhe reduktimin e gaznave ndotëse”.
Mandej citohet edhe specialisti i fizikës bërthamore Tonči Tadić, që shprehet: “Tash për tash s’e dijmë se kush do të financojë projektin e nuk janë ba të njohtuna as detajet e tij. Kurse këshilltari Davor Štern thotë: “Kroacia ka nevojë për energji, duhet ndërtue centrali, por duhet me gjetë vendin se ku me e ba”.
Por citimi ma interesant asht ai i fjalëve të ambasadorit shqiptar në Kroaci, Pëllum Qazimi, i cili thotë shprehimisht: “Projekti do të ishte me leverdi jo vetëm për Kroacinë dhe Shqipnin, por edhe për krejt rajonin” (‘Projekt bi bio koristan ne samo za Hrvatsku i Albaniju nego za cijelu regiju’
Pelumb Ćazimi, albanski veleposl. u RH).
Përpara këtyne pohimeve kaq të qarta, cili qytetar shqiptar mundet ende me i besue qeverisë së Nastradin rrenës?
Qeveria e të paaftëve dhe e të korruptuemëve mundohet pa pushim me ua mbushë mendjen shkodranëve dhe shqiptarëve se tek ne gjanat po ecin sahat. Po ecin me të vërtetë si sahat. Kena nji politikë që ngjet me nji sahat drunit, akrepat e së cilës i lëvizin têjat dhe krymbat që kanë ba folenë në të. Shkodra ka votue për demokracinë në këto vite, dhe ka ba mirë. Por “demokracia” nuk e ka dashtë Shkodrën, e ka përdorë dhe e ka përbuzë si të ishte nji lavire, e ky central bërthamor asht shenj i kësaj përbuzje.
Si mundet me shpëtue Shkodra e Shqipnia prej ortekut të plehnave që ka mbulue politikën shqiptare sot dhe po don me vorros edhe ketë qytet? E vetmja mundësi, për ata që besojmë në mjetet demokratike, asht me mendue se vota e ardhshme mundet me shenjue o fundin e Shkodrës ose nji shpresë për të - në qoftë se prej pushtetit do të largohen rrencakët dhe të korruptuemit, mafiozat e antitrasparencës dhe ata që e përdorin shtetin deri edhe për me shpifë pranë qeverive të hueja për qytetarët shqiptarë që nuk miratojnë poshtërsinat që po dalin përditë në shesh.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi