Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vetëdorëzohet Imami që sulmoi Kryeimamin e Kosovës

Shko poshtë

Vetëdorëzohet Imami që sulmoi Kryeimamin e Kosovës Empty Vetëdorëzohet Imami që sulmoi Kryeimamin e Kosovës

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 26, 2012 11:49 am


Vetëdorëzohet Imami që sulmoi Kryeimamin e Kosovës Main_xhamia_e_sulltan_muratit_-_bik
Vetëdorëzohet Imami që sulmoi Kryeimamin e Kosovës


(E plotësuar) Musli Verbani, imam në xhaminë e Kaçanikut, i cili të enjten pasdite sulmoi fizikisht kryeimamin e Kosovës, Sabri Bajgora, u vetëdorëzua të premten në stacionin policor të Prishtinës.

Lajmin ia bëri të ditur Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili theksoi se pas konsultimeve me prokurorin e rastit, kryesi i aktit është liruar sërish.

“Pala, e cila ka sulmuar kryeimamin, Sabri Bajgora, sot në orët e pasdites është paraqitur në stacionin policor në rajonin e Prishtinës, dhe policia e ka kompletuar rastin në përgjithësi. Në konsultim me prokurorin, pala është liruar dhe rasti ka kaluar në procedurë të rregullt”, njoftoi Kelani.

Kryesia e Bashkësisë Islame mbajti, gjatë ditës, një takim disa-orësh i cili përfundoi me vendimin për suspendim të përkohshëm të imamit të Kaçanikut.

Drejtuesi i kësaj mbledhjeje, zëvendëskryetari i BIK-ut, Fahrush Rexhepi, shpjegoi:

“E kemi dënuar rastin, e kemi gjykuar si sulm ndaj autoritetit dhe ndaj institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Fillimisht, kemi marrë vendim për suspendim të përkohshëm nga puna deri në hetimin e mëtutjeshëm të rastit dhe inicimin e procedurës pranë Komisionit disiplinor sipas akteve dhe marrja e vendimit do të bëhet sipas akteve të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës”.

Ndaj sulmit kundër kryeimamit të vendit reagoi dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut duke rikujtuar se nuk është hera e parë që ndodhin incidente të natyrës së tillë. /rel/

***

Imami Bajgora: Sulmi “tinëzar dhe i befasishëm”

Pas incidentit të së enjtes pasdite, kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, dha detaje për motivin e sulmit ndaj tij, të cilin e cilësoi “të befasishëm dhe tinëzar”.

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se kryeimami Bajgora është sulmuar fizikisht nga Musli Verbani, imam në xhaminë e Kaçanikut.

Vetë Bajgora shprehu bindjen që akti të ketë ndodhur për shkaqe personale.

Sulmi i kryer nga Verbani, sipas kryeimamit të Kosovës, ka ardhur si reagim ndaj moszgjidhjes së tij si kryetar i Bashkësisë Islame në Kaçanik, për një mandat të tretë apo të katërt, gjë që thuhet se kërkon nënshtrimin e një procesi të filtrimit nga Bashkësia Islame dhe kalimin e procedurave të caktuara zgjedhore.

Kryemami Bajgora tha se, përmes akteve të tilla, individë të caktuar po ndikojnë në prishjen e imazhit të Bashkësisë Islame.

“Me gojën plot mund të them se Bashkësia Islame ka një unitet të jashtëzakonshëm në mes të imamëve, por ja që dalin individë të caktuar që e prishin këtë imazh”.

“Ndërkohë, shumica e imamëve të Kaçanikut e kanë dënuar aktin dhe janë kundër veprimeve që i ka kryer imami i apostrofuar”, u shpreh kryemami Bajgora.

Ndaj sulmit kundër kryeimamit ka reaguar Bashkësia Islame dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës kërkon nga organet e rendit që sulmuesi të marrë dënimin e merituar për sulm ndaj personit zyrat”, thuhet në reagimin e BIK-ut.

Kërkesën që rasti të zbardhet në tërësi e bëri, përmes një komunikate për media edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, duke rikujtuar se nuk është hera e parë që ndodhin incidente të natyrës së tillë.

“Nuk është hera e parë që individë të ndryshëm, brenda Bashkësisë Islame, mundohen ta zbehin besimin ndaj Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me akuza të bazuara në fakte të dyshimta, madje edhe me dhunë fizike”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Kryemami i Kosovës, Sabri Bajgora, ndërkaq, shfaqi shpresën që organet e hetuesisë t’i zbatojnë detyrat që kanë në mënyrë që drejtësia ta thotë fjalën e vet.

“Ai sigurisht shumë shpejt do të arrestohet dhe do të vihet para drejtësisë. Përndryshe, kam besim të plotë në organet e rendit dhe të drejtësisë që këtë rast do ta çojnë deri në fund”, tha ai.

Por, mësohet se arrestimi i personit që akuzohet se ka sulmuar kryeimamin Bajgora nuk është bërë ende. Policia e Kosovës bëri të ditur se, menjëherë pas marrjes së informatave, ka nisur hetimet duke e kërkuar sulmuesin në disa lokacione, por se nuk ka arritur ende të identifikojë vend-ndodhjen e tij.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk deshi të japë të dhëna për personin e dyshuar për sulm, ndërsa kundërshtoi të flasë edhe për motivet eventuale të sulmit.

“Motivi dhe gjërat e tjera bëhen të ditura pas përfundimit të rastit në përgjithësi, meqenëse çdo gjë është në hetim e sipër”, theksoi Kelani.

Ndërkohë, është paralajmëruar një mbledhje e jashtëzakonshme e Bashkësisë Islame të Kosovës për këtë çështje, që pritet të mbahet në orët e pasdites. /rel/


Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi