Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Jahjaga: Nuk obligohem që të jap dorëheqje

Shko poshtë

Jahjaga: Nuk obligohem që të jap dorëheqje Empty Jahjaga: Nuk obligohem që të jap dorëheqje

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 29, 2012 11:14 am

Jahjaga: Nuk obligohem që të jap dorëheqje


Jahjaga: Nuk obligohem që të jap dorëheqje Largea_jahjaga_intervista1356741331
Presidentja e Kosovës Atiftete Jahjaga, ka thënë në një intervistë për Radio Kosovën, se nuk obligohet që të tërhiqet nga posti i presidentes.
Duke folur për zhvillimet e reja në skenën politike në vend, pas kthimit të Ramush Haradinajt dhe mundësisë që të krijohet koalicioni PDK-AAK, si dhe mundësia që në marrëveshje të futet edhe posti i presidentit, Jahjaga ka thënë se atë nuk e obligojnë vendimet e partive politike dhe as marrëveshjet ndërmjet tyre.
Platforma serbe, sipas presidentes është për konsum të brendshëm të Serbisë dhe për strukturat udhëheqëse të saj.


Intervista e plotë Presidentes Atiftete Jahjaga

RADIO KOSOVA: Zonja Presidente, viti që po lëmë pas ishte një vit më shumë zhvillime për Kosovën, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm. Por, fillimisht dua të ndalem te dialogu me Serbinë. Bazuar në rezultatet e deritashme të bisedave, sa jeni e bindur që Kosova dhe Serbia mund të normalizojnë marrëdhëniet?

ATIFETE JAHJAGA: Ky vit ishte një vit i suksesshëm për Republikën e Kosovës, sepse ndodhën disa ngjarje të rëndësishme, siç ishte heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë; anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; vazhdimi i procesit të njohjeve, pjesëmarrja e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në konferenca dhe samite të ndryshme, siç ishte edhe samiti i fundit ndërmjet katër presidentëve të rajonit që u mbajt në Budvë të Malit të Zi; organizimi i Samitit të grave që u mbajt këtu në Kosovë; vizitat e delegacioneve të larta shtetërore në vendin tonë, siç ishte vizita e sekretares amerikane të Shtetit, Klinton, e baroneshës Ashton, e sekretarit të mbretërisë së bashkuar Wiliam Hague, e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun; ajo e Komisionerit të Lartë për Zhvillim Stefan Fyle, vizitat e zyrtarëve të lartë të Departamentit të SHBA-së, të Kongresit ato të Parlamentit Evropian. Pra, gjithnjë e më shumë mund të themi se Kosova po faktorizohet në arenën ndërkombëtare me subjektivitetin e saj ndërkombëtar, që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më tutje. Këtë vit, vazhdoi procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me një përkrahje dhe një mbështetje të fuqishme të SHBA-së. nga ky proces i dialogut është arritur një sërë marrëveshjes dhe ky vit shënohet me zbatimin në praktikë të Marrëveshjes për Menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe ky është një standard evropian që dy shtet tona e kanë arritur në raporte ndërmjet vete. E kam thënë edhe më herët se dialogun e shoh si të vetmen mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve tona, që është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve, por i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit në rajon.

RADIO KOSOVA: Serbia po vazhdon të kërkojë që veriu i Kosovës të trajtohet si çështje e veçantë. A mund të trajtohet kjo si çështje e veçantë, pavarësisht se në Kosovë ka edhe komuna tjera më shumicë serbe dhe kjo mund të shkaktojë efekt zinxhiror?

ATIFETE JAHJAGA: Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të diskutojnë me askënd për çështjet e brendshme. Zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet- jemi të obliguar të diskutojmë me të gjithë qytetarët dhe që t’i trajtojmë të gjitha kërkesat e tyre si qytetarë të Republikës së Kosovës. Çështja e pakicave kombëtare, apo komuniteteve, përveç ligjeve vendore, është e rregulluar edhe në bazë të konventave ndërkombëtare. Kjo çështje mund të rregullohet edhe me marrëveshje bilaterale ndërmjet të dyja shteteve dhe me reciprocitet për pakicat respektive. Serbët, si shtetas të Republikës së Kosovës, i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë individuale, kolektive dhe kombëtare, sikurse edhe shqiptarët dhe popujt e tjerë që jetojnë në Kosovë. Këto të drejta nuk janë të determinuara as për nga numri, as për nga pjesët ku jetojnë, dhe Republika e Kosovës, përmes planit të decentralizimit, ka autonomi në nivelin komunal, me të drejta të veçanta, në fusha të caktuara. Nga lufta e përgjakshme që ka ndodhur në këtë pjesë të Ballkanit dhe në ish-Jugosllavi, nuk ka rezultuar me ndryshimin e kufijve as për një milimetër. Edhe në raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura, nuk ka autonomi politiko territoriale, për komunitetet respektive. Nuk ka ndarje apo shkëputje të territorit, nuk ka shkëmbim të territorit, nuk ka shkëmbim të popullsisë, sepse të gjitha këto zgjidhje që kanë ekzistuar në të kaluarën, kanë lënë një pasojë të mëdha.

RADIO KOSOVA: Zonja Presidente, megjithëse Serbia vazhdon dialogun me Kosovën për të arritur marrëveshje që lehtësojnë jetën e njerëzve, shteti serb prapëseprapë, nuk po heq dorë nga pretendimet territoriale në Kosovë. Patëm së fundi një platformë për Kosovën, ku në mes tjerash, kërkohet autonomi për veriun. Sa janë reale këto pretendime?

ATIFETE JAHJAGA: Kjo është për konsum të brendshëm të Serbisë dhe për strukturat udhëheqëse të saj. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë ndikim, as në Kosovë e as tek miqtë tanë ndërkombëtarë. Procesi i dialogut tashmë i filluar, është një proces që e ka rrugën e qartë dhe që zhvillohet ndërmjet palëve të barabarta dhe miratohet me pajtimin e të gjitha palëve. Dialogu është një proces i pandalshëm, i cili ka temat dhe zgjidhjet konkrete dhe që ka një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe që, patjetër, do të përfundojë me normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve tona. Ky dokument - është një dokument i pavlerë dhe krejtësisht jashtë hapësirës dhe kohës dhe i përket një shekulli të kaluar, dhe si i tillë do të dështojë plotësisht.

RADIO KOSOVA: Njëra ndër kushtet kryesore për integrimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian vazhdon të jetë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Mirëpo, as Kosova e as Serbia, në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së që u mbajt para pak ditësh, nuk e morën atë që synuan, po flas këtu për Kosovën, caktimin e datës për nisjen e negociatave për MSA-në. A është e drejtë të ndërlidhet integrimi i Kosovës me zhvillimet edhe në Serbi?

ATIFETE JAHJAGA: Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një proces individual për secilin shtet. Ndër kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian është edhe zhvillimi i marrëdhënieve fqinjësore. Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet dhe kësi marrëdhëniesh synojmë të zhvillohen edhe me Republikën e Serbisë dhe marrëveshjet e arritura deri tash i kontribuojnë këtij procesi. Ne dëshirojmë që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian të jetë një proces më i shpejtë për Republikën e Kosovës, sepse kjo është në interes të vet rajonit. Por, ta themi, sepse është edhe në interes të vet Bashkimit Evropian, sepse nuk mund të ketë proces të suksesshëm për BE-në, pa anëtarësimin e plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Edhe pse pesë vende anëtare të BE-së akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ne kemi garanci të plota që procesi për Kosovën do të përfundojë me sukses.

RADIO KOSOVA: Kemi parë kohët e fundit afera të ndryshme për mosrespektim ligji, raste gjyqësore për korrupsion të përfshirë zyrtarë të lartë institucionalë. Në këtë pikë, sa mendoni se është dëmtuar imazhi i Kosovës në sytë e faktorit ndërkombëtar, kur njëra ndër kërkesat kryesore të BE-së është sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit?

ATIFETE JAHJAGA: Të gjitha rastet janë duke u proceduar dhe të gjitha rastet do të përfundojnë me vendime adekuate gjyqësore. Kjo, gjithsesi, është një sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndoshta në shikim të parë duket që e ulë imazhin e Kosovës, mirëpo kjo ndikon pozitivisht në ndërtimin e imazhit të shtetit tonë, sepse tregojmë fuqinë e ligjit dhe kjo tregon se ne në Kosovë jemi të aftë t’i procedojmë të gjitha rastet, pa marrë parasysh se për kënd është fjala, dhe duke respektuar plotësisht parimin që askush nuk është mbi ligjin.

RADIO KOSOVA: Zonja Presidente, në fjalimin tuaj të vitit para Parlamentit, aty nuk qëndruan deputetët e LDK-së, për faktin që kjo parti vazhdon të kërkojë nga Ju që ta leni postin e Presidentes dhe të zbatohet, sipas tyre, një marrëveshje politike ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AKR-së. Ata, madje, ju cilësojnë Juve si pengesë për reformat kushtetuese. Si ju përgjigjeni Ju?

ATIFETE JAHJAGA: Duke respektuar Kushtetutën dhe Ligjin, Presidenti i vendit është faktor i unitetit institucional, që nuk do të thotë domosdoshmërish, në raste të caktuara, të ketë përkrahjen e politike të ndonjë subjekti politik. Kjo ka ndodhur edhe më herët, edhe në rastin e presidentit Rugova dhe të presidentëve të tjerë. Reforma kushtetuese dhe zgjedhore duhet të vazhdojë, sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kjo është në interes të avancimit të proceseve demokratike në shtetin tonë. Presidenti i vendit është garantues i të gjithë këtij procesi. Subjektet politike duhet të arrijnë pajtimin për çështje kryesore, që të pajtohen për numrin e zonave zgjedhore, për sistemin e mbyllur apo të hapur të listave zgjedhore dhe parimi i votimit me një votë, apo më shumë vota. Por, Kuvendit i përket që ta merr vendimin, dhe ju e dini që, pa vendimin pozitiv të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të kalojë në procedim asnjë amendament në Kushtetutën e Kosovës.

RADIO KOSOVA: Ka pasur edhe zhvillime të reja në skenën politike në vend. Është kthyer Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. Mund të ndodh koalicioni AAK-PDK. Ndarja e posteve ndërmjet tyre mund të përfshijë edhe atë të Presidentit. Do të respektoni një vendim të tillë të partive politike?

ATIFETE JAHJAGA: Presidenten e vendit nuk e obligojnë vendimet e partive politike dhe as marrëveshjet ndërmjet tyre. Edhe në rastin kur Presidenti është vet palë e kësaj marrëveshje, siç ndodhi edhe me rastin e zgjedhjes së presidentëve të mëhershëm, Rugova, Sejdiu dhe të tjerë. Presidenten e vendit e obligojnë vendimet e Kuvendit i cili zgjedh në mënyrë të rregullt dhe me vota të fshehta.

RADIO KOSOVA: Cilat janë sfidat e vitit të ardhshëm, vitit 2013, dhe çfarë mund të pres Kosova në një të ardhme të afërt?
ATIFETE JAHJAGA: Kosova është një shtet stabil, me një demokraci të zhvilluar dhe që ka një të ardhme të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO, në organizatën e OKB-së, dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-së. Synim i të gjithë vendeve është përparimi dhe zhvillimi ekonomik, po ashtu përparimi në të gjitha fushat dhe sferat e jetës dhe të punës, në aspektin e shëndetësisë, arsimit të mirëqenies, kulturës, e të tjera. I kemi krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për tërheqjen e kapitalit të huaj për investime të huaja, dhe me procesin e liberalizimit të vizave, me qarkullimin e lirë dhe me mundësinë e qarkullimit të lirë të njerëzve që mundëson lidhjen ndërmjet njerëzve, sidomos të rinjve në këmbim të përvojave të shkollimit dhe aftësimit të tyre, dhe, gjithsesi, edhe krijimi i vendeve të reja të punës. Sfidë për shtetin tonë vazhdon të mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe përkundër rezultateve të dukshme që kemi pasur - ne nuk jemi të kënaqur. Ne duhet të vazhdojmë një luftë efikase deri në çrrënjosjen e plotë të kësaj dukurie, që është bërë një njollë e zezë për të gjitha proceset në shtetin tonë. Kosova e ka të nevojshme që të vazhdojë me procesin e njohjeve të shtetësisë së saj, deri në anëtarësimin e plotë në OKB.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi