Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Burim Breznica:Njohja e shteteve dhe qeverive të reja sipas të drejtës ndërkombëtare

Shko poshtë

Burim Breznica:Njohja e shteteve dhe qeverive të reja sipas të drejtës ndërkombëtare Empty Burim Breznica:Njohja e shteteve dhe qeverive të reja sipas të drejtës ndërkombëtare

Mesazh nga Agim Gashi Tue Apr 28, 2009 11:27 am

Njohja e shteteve dhe qeverive të reja sipas të drejtës ndërkombëtare

Shkruan: Burim Breznica Sipas të Drejtës Ndërkombëtare shtetet janë subjekti më i rëndësishëm i së drejtës. Një shtet përbëhet nga territori, popullsia dhe organizimi/autoriteti apo ushtrimi i pushtetit. “Ekspertët e të drejtës ndërkombëtare konstatojnë se njohja formale nuk është e domosdoshme në mënyrë që një shtet të ekzistojë sipas së drejtës ndërkombëtare. Poashtu nuk ka rëndësi a ishte shtetformimi legal ose ilegal apo shteti i ri nuk pëlqehet shumë, më e rëndësishmja është që shteti i ri të ketë elementet shtetformuese siç u theksua më lart: territori, popullsia dhe ushtrimi/zbatimi i pushtetit “(Referenca: Hakan Stromberg&Goran Melander, Folkratt, 2003, Stockholm ). Njohja e një shteti të ri nga një shtet tjetër nënkupton konstatimin zyrtar se kushtet elementare për ekzistimin e atij shteti sipas të drejtës ndërkombëtare janë të plotësuara dhe shteti i njohur funksionon dhe është në gjendje të marrë obligimet ndërkombëtare pastaj të zhvillojë marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale në fusha të ndryshme. Njohja e një shteti nga një tjetër mund të jetë poashtu implicite p.sh. kur të vendosen marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve. Mosnjohja e një shteti të ri nuk d.m.th se ka ndonjë kuptim praktik dhe shteti i ri mund të ekzistoj përkundër kësaj në mënyrë efektive por në anën tjetër mund të marrë një kohë për shtetin e ri që të anëtarësohet në OKB dhe agjenci apo organizata ndërkombëtare që kanë kusht këtë anëtarësim dhe janë të lidhura me OKB-në dhe në organizata apo institucione tjera ndërkombëatre ku mund të kërkohet anëtarësimi me dy të tretat e votave. Por në anën tjetër, anëtarësimi p.sh në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore bëhet me shumicen e votave të vendeve anëtare dhe këto vota ndahen në bazë të kontributeve financiare të tyre, që d.m.th se një vend me votat e nevojshme nga vendet e zhvilluara mundet të anëtarësohet në këto dy institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Sipas të drejtës ndërkombëtare ka dallim mes njohjes de facto dhe asaj de jure që shtetet bëjnë. Njohja de fakto bëhet në rastet kur një shtet apo qeveri e re ende nuk është stabilizuar plotësisht dhe kjo njohje është provizore dhe mund të tërhiqet nga ana e shtetit njohës. “Njohja de jure sipas të drejtës ndërkombëtare është përfundimtare dhe nuk mund të ndryshohet apo tërhiqet (ju lutem shiko të njëjten referencë si më lart)”. Një shembull klasik i njohjes de facto është rasti i shpalljes së pavarësisë së shtetit të Izraelit, në atë kohë Suedia njohu këtë shtet fillimisht vetëm de facto me argumentin se kishte paqartësi dhe se do të shikonte sesi do të zhvilloheshin ngjarjet pas vrasjes të ndërmjetësuesit suedez të OKB-së, Folke Bernadotte. Vetëm pas një kohe u shpall edhe njohja de jure nga shteti suedez për Izraelin. Një aspekt tjetër me rëndësi është edhe koha e marrjes së vendimit për njohjen e një shteti të ri. Kjo sigurisht se varet nga faktorë të brendshëm, interesat shtetërore dhe gjeopolitike të një vendi, a është një vend në fushatë zgjedhore apo jo, raportet historike dhe tradicionale sikurse edhe ndikimi nga vende mike të shtetit të ri, përvec tjerash. Shembull konkret: kur Bangladeshi shpalli pavarësinë nga Pakistani më 1972 shumë shtete priten para se ta njohën gjersa përfundoi konflikti i armatosur dhe Bangladeshi mundi të kontrollonte dhe ushtronte pushtetin në territorin e tij të pavarur. Pranimi i shteteve të reja është akt apo vendim politik dhe ka më shumë rëndësi politike edhe pse kjo sjell edhe efekte juridike dhe praktike. Kur p.sh u rrezua regjimi i Pol Potit në Kamboxhë më 1979 pas intervenimit të Vietnamit shumë shtete perëndimore hezituan të pranonin qeverinë e re me arsyetimin se ajo ishte krijuar me intervenimin e një shteti të tretë. Shumë shtete si p.sh Zvicra, Suedia dhe të tjera nuk kërkojnë njohje të reja të qeverive dhe as që kërkojnë që shtetet tjera ta bëjnë atë p.sh. për qeveri që janë në ekzil në vende të tjera pasi që njihen si shtete neutrale në politikën ndërkombëtare. Në këto 20 vitet e fundit janë krijuar shumë shtetë të reja nga ish Jugosllavia, ish Bashkimi Sovjetik, ish Cekosllovakia dhe të tjera dhe përhapja e demokracisë dhe lirisë në shtetet e reja të krijuara duke përfshirë edhe Republikën e Kosovës është evidente dhe si rezultat normal i shpërbërjes së diktaturave dhe krijesave artificiale të lartpërmendura. Sipas mendimeve të shumë ekspertëve të shteteve të reja por edhe studimeve të bëra në këtë fushë janë disa gjëra me rëndësi të veçantë për shtetet e reja të krijuara e ato janë: vizioni dhe strategjia për të ecur përpara, forcimi i institucioneve dhe kapaciteteve intelektuale-menaxhuese e qeverisëse, përgatitja e legjislacionit modern dhe demokratik në pajtim me standardet ndërkombëtare, zbatimi i ligjit dhe gjyqësori i pavarur pastaj zhvillimi i aktiviteteve diplomatike të ngjeshura dhe efektive, angazhimet intenzive dhe koordinimi me aleatët strategjikë për çështje të rëndësishme, durimi i duhur dhe persistenca në rrugën e nisur, zhvillimi ekonomik dhe proceset integruese rajonale apo më të gjëra, media e lirë dhe e pavarur dhe të tjera me radhë. (Pikëpamjet akademike-hulumtuese dhe qëndrimet në këtë analizë mbi njohjen e shteteve të reja janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku autori është i punësuar).
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi