Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hilmi Gashi:Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës

Shko poshtë

Hilmi Gashi:Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës Empty Hilmi Gashi:Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës

Mesazh nga Agim Gashi Mon May 04, 2009 8:51 pm

Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës

Në Luzern mbahet konferenca shkencore me temën «Kosovë - Zvicër» (1)
Hilmi Gashi:Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës Sh_b

Hilmi Gashi:Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës 000%20naim%20malaj
Naim Malaj, ambasadori i Kosovës në Zvicër përshëndet Konferencën

Konferenca profesionale me temën “Kosovë - Zvicër”, e organizuar nga Shkolla e Lartë e Punës Sociale në Lucern, ka rrahur në mënyrë shkencore dy tema kyçe: kosovarët në Zvicër dhe marrëdhëniet Kosovë - diasporë dhe anasjelltas. Barbara Burri - Sharani, docente dhe organizatore e konferencës, ka informuar të pranishmit se kjo konferencë është e treta me radhë dhe ka për qëllim të thellohet në situatën aktuale të krijuar pas shpalljes së pavarësisë. Si qëndron diaspora kosovare në Zvicër, çka mendon ajo për zhvillimet në Kosovë dhe ku e sheh ajo vendin e vet në këtë proces? Ajo përshëndeti edhe ambasadorin e Kosovës, Naim Malaj, i cili në vazhdim, pasi përshëndeti të pranishmit, ceku kontributin e madh të diasporës kosovare, si në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, ashtu edhe asaj në Kosovë. “Diaspora, tha ai, është edhe urë lidhëse mes dy vendeve. Edhe unë i takoj një gjenerate, e cila jo vetëm ka kontribuar për Kosovën, por edhe është ballafaquar me problemet konkrete të integrimit në Zvicër”. Ai falënderoi organizatorët për trajtimin e kësaj teme me rëndësi dhe pjesëmarrësve u uroi punime të mbara.
Shifrat dhe faktet
Chantal Wysmüller, prej Forumit për studime të migracionit të universitetit në Neuchatel, në referatin hyrës ka skicuar tri fazat kryesore të migrimit të kosovarëve në Zvicër prej viteve të 60-ta deri më sot: punëtorët stinorë, bashkimi familjar dhe migrimi për arsye politike. “Karakteristikë e këtij migracioni ka qenë se ky grup etnik gati 30 vite ka qenë i padukshëm. Më së shumti për dy arsye: stinorët kanë punuar dhe kanë kursyer për të dërguar paratë në vendlindje, andaj nuk kanë pasur shumë kontakte me shoqërinë vendëse, dhe arsyeja tjetër është se ata fillimisht kanë qenë jugosllavë”, ka nënvizuar Wyssmüller. Sipas saj në këtë fazë nuk ka pasur kurrfarë tentimesh për integrim të këtyre njerëzve. “As Zvicra e as stinorët nga Kosova nuk kanë pasur interes të integrohen”. Kjo ndryshon me fillimin e shkatërrimit të ish Jugosllavisë, në një anë dhe me marrjen e vendimit të qeverisë zvicerane për të mos pranuar më punëtorë stinorë nga ish Jugosllavia. Tash migrimi bëhet më së shumti me anë të bashkimit familjar dhe me shpërthimin e luftës në ish Jugosllavi edhe nëpërmjet azilit. Për nga rrethanat shoqërore, migrimi i një numri të madh njerëzish, si nëpërmjet bashkimit familjar ashtu edhe si refugjatë ka ndodhur në kohën e vështirë ekonomike në Zvicër. Numri i madh i të ardhurve, dhuna në ish Jugosllavi dhe debati mbi dhunën dhe problematikën e drogës, papunësia në Zvicër, kanë ndikuar që shqiptarët të marrin imazh të keq. Këtë imazh e kanë favorizuar edhe mediat, të cilat në mënyrë të padiferencuar kanë riprodhuar stereotipet. Mërgata kosovare fillimisht ka qenë e shkolluar dobët. Në vitet 80 dhe 90, nëpërmjet azilit, vijnë gjenerata të shkolluara, por diplomat e tyre nuk njihen. Gratë, të cilat kanë ardhur në kornizat e bashkimit familjar, kanë bërë punë shtëpiake dhe nuk kanë marrë pjesë aktive në shoqëri. Kjo ka sjellë një seri problemesh edhe për gjeneratat e ardhshme, të cilat shpesh nuk janë përkrahur sa duhet nga familjet e tyre, sepse ato nuk kanë qenë të integruara në shoqëri.
Gjenerata e dytë dhe e tretë: As peshk as zog!
Shkëndije Bajrami, edukatore në shkollim e sipër dhe Osman Osmani, udhëheqës i qendrës së punës së hapur sociale për të rinj në Cyrih - Afoltern, kanë referuar për karakteristikat, problemet dhe përparësitë në integrimin e gjeneratës së dytë dhe të tretë. Shkëndije Bajrami ka cekur rëndësinë e madhe të shoqatave në integrimin, forcimin e identitetit dhe ngjalljes së kureshtjes, si për kulturën e vendit të prejardhjes, ashtu edhe për kulturën vendase. Ajo tregoi se vetë ajo, dy vëllezërit dhe motra e saj janë valltare aktive në Shoqërinë Shota, e cila është formuar dhe udhëhequr nga prindërit e saj. “Vallëzimi është art dhe arti krijon vlera. Me veprimtari krijuese njeriu forcon vetëbesimin dhe aftësinë për vetëvendosje”, përfundon ajo.
Ndërsa Osman Osmani është përqendruar më shumë në situatat dhe rrethanat e vështira, me të cilat ballafaqohen të rinjtë, të cilët shpesh gjenden mes dy botëve: asaj të prindërve dhe asaj të shoqërisë vendase. Mosintegrimi i prindërve sjell probleme të shumta për ta. Në një anë ata detyrohen të marrin rolin e ndërmjetësuesit mes prindërve dhe shoqërisë, që çon kah konflikti i roleve dhe nga ana tjetër ata nuk duan të pajtohen me gjendjen dhe pozitën e prindërve në shoqëri, prandaj përpiqen të distancohen. Pasojë e kësaj janë edhe ngarkesat e tepërta që shpien kah sjelljet e ekspozuara e deri në delikuencë. “Përgjegjësi për gjendjen e tyre bart edhe shoqëria vendase, e cila në mënyrë paushalle i akuzon ata në kolektivisht, duke i kulturalizuar sjelljet devijuese të një pakice”, thotë Osmani.
Sipas Osman Osmanit, shumë të rinj kanë probleme me identitetin. Kjo rrjedh nga mungesa e identifikimit me të gjitha vlerat e vendit të prejardhjes. Edhe pse ata janë lindur dhe rritur në Zvicër dhe kanë përqafuar normat dhe vlerat e kësaj shoqërie, ata prapëseprapë nuk ndihen si vendas. Shoqëria shumicë nuk i pranon ata si zviceranë, edhe pse shumica prej tyre janë lindur dhe socializuar këtu. Për të ndryshuar këtë gjendje Osman Osmani kërkon nga shoqëria shumicë heqjen e barrierave diskriminuese në shkollim dhe edukim, shanse të barabarta në tregun e punës, bashkëpunim mes shkollave dhe prindërve si dhe shoqatave ndërmjetësuese. Gjithashtu duhet nisur dhe përforcuar bashkëpunimi mes personave profesionistë, asociacioneve të ndryshme, shoqatave etj. “Kjo duhet të bëhet në dialog të ndërsjellë. Me monolog problemet nuk zgjidhen”, përfundon Osmani.
Gjenerata e parë: nga perspektiva e mashkullit dhe femrës
Sarah Gretler dhe Hans Peter von Aarburg, autorë të librit Kosovë - Zvicër, migracioni shqiptar i punës dhe azilit mes Kosovës dhe Zvicrës (1964-2000) janë përqendruar në vështirësitë dhe peripecitë e mërgimtarëve të gjeneratës së parë si nga pikëpamja e mashkullit, ashtu edhe nga ai i femrës. “Migrantët e parë kanë qenë meshkujt e rinj, të cilët kanë dalë në mërgim për të fituar dhe me fitimin e tyre për të përkrahur familjet në vend”, thotë Von Aarburg. Ai sqaroi edhe veçoritë e migracionit kosovar për dallim nga ai portugez apo italian. Ky dallim bazohet në strukturën familjare. Përderisa të tjerët jetonin në familje të vogla, shqiptarët ishin anëtarë të një familje të madhe. Stinorët, edhe pse të martuar, nuk kanë bërë bashkimin familjar, sepse me një anë kanë punuar dhe kursyer dhe nga ana tjetër bashkëshortja dhe fëmijët kanë qenë nën përkujdesjen e familjes së madhe. Bashkimi familjar ka ndryshuar rrënjësisht këtë strukturë. Bashkimi familjar ka shkaktuar në një anë vështirësi financiare, sepse fitimi nuk ka mjaftuar, nga ana tjetër zvogëlimi i familjes ka detyruar familjet të ballafaqohen më shumë me vetveten. Mosintegrimi i meshkujve në shoqëri ka ndikuar negativisht në integrimin e tërë familjes në një sistem shumë kompleks, sikur është Zvicra. Nga ana e tyre, gratë janë konfrontuar me gjëra dhe përgjegjësi, të cilat në vendlindje nuk i kanë pasur: përgjegjësia për edukim të fëmijëve, sigurimi i strukturës ditore, kontaktet etj. Me këtë rol ato shpesh kanë qenë të ngarkuara tepër. “Gjenerata e parë ka sakrifikuar veten për hir të familjes së madhe pa u ankuar. Gjenerata e dytë ardhmëninë e saj e sheh në Zvicër”, thonë mes tjerash autorët Gretler dhe von Aarburg. (Vijon)
Hilmi Gashi
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Hilmi Gashi:Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës Empty Në Luzern mbahet konferenca shkencore me temën «Kosovë - Zvicër» (2)

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 05, 2009 7:01 pm

Në Luzern mbahet konferenca shkencore me temën «Kosovë - Zvicër» (2)

Diaspora brenda vitit dërgon në Kosovë 275 milionë euro


Hilmi Gashi:Marrëdhëniet e ndryshuara mes diasporës dhe Kosovës 000%20Nm%20e%20w
Naim Malaj, ambasador i Kosovës dhe Walther Schmid, rektor i Shkollës së Lartë në Luzern

Diaspora dhe investimet në Kosovë
Referuesi i fundit, Amir Haxhikadrija, prej Forumit për Iniciativa Demokratike, ka prezantuar rezultatet e hulumtimit shkencor mbi rolin e diasporës kosovare në zhvillimin e Kosovës. Në analizën e tij ai ka treguar kontributin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si në mënyrë kuantitative ashtu edhe në atë kualitative. Ai potencoi se prej mbi 2 milionë banorëve sa ka Kosova, vetëm 30 % marrin donacion nga mërgata si në formë të parave apo asaj materiale. Shuma e cila dërgohet në Kosovë kap shifrën prej 275 milionë euro ose 17,5 % e prodhimtarisë bruto vendore. Këto mjete shfrytëzohen në Kosovë për blerje të mallrave për konsumim. Një pjesë e vogël investohet në shkollim të fëmijëve.
Në Kosovë ekziston bindja se potenciali i diasporës për të investuar është i lartë. Kjo nuk përputhet me realitetin, sepse me përjashtim të disa afaristëve kosovarë në Zvicër, të tjerët nuk kanë shumë mundësi për të investuar. Investimet e bëra në fillim dhe dështimi i disa investuesve si dhe orientimi kah integrimi në Zvicër, i ka shtyrë ata të koncentrohen më shumë në veprimtari afariste në Zvicër. Por edhe këtu veprimtaritë afariste janë të kufizuara: ndërtim, kopshtari, shitje, agjenci udhëtimi, ndërmjetësim për sigurime dhe kredi dhe gastronomi. Afaristët e interesuar për të investuar kritikojnë sidomos kulturën e përkrahjes së investitorëve potencialë, korrupsionin, mungesën e infrastrukturës, besueshmërinë ndaj partnerëve kosovarë. Një aspekt tjetër është ai emocional: ndjenja se vendlindja është e interesuar vetëm për vlerat materiale.
Ndryshimi i marrëdhënieve Kosovë –diasporë
Përderisa diaspora një kohë të gjatë ka ndikuar edhe në sferën politike në Kosovë, ajo tash e ka humbur këtë ndikim. Arsyeja qëndron edhe në mosorganizimin e saj. Në fund Haxhikadrija tha: “Përderisa ndjenja e obligimit për të përkrahur të afërmit ende është prezente në diasporë, ndjenja e obligimit ndaj qeverisë apo për investime në Kosovë ka rënë dukshëm. Kjo edhe për shkak të zhgënjimit mbi rrethanat dhe politikën në Kosovë”. Por, edhe nëse ndjenja e obligimit për të bërë diçka për vendin prapë do të rritej, mundësitë reale socio-ekonomike të diasporës, sipas tij, janë të kufizuara dhe më të ulëta se sa që mendojnë dhe shpresojnë vendimmarrësit politikë, organizatat ndërkombëtare dhe specialistët për zhvillim. Në punëtorinë në vazhdim është diskutuar edhe konteksti i përkrahjeve të familjeve, ngarkesa financiare dhe ndjenja e borxhit për të ndihmuar. Aty u potencua edhe roli i diasporës jo vetëm në financimin e konsumimit, por edhe kontributi në ndërtimin e infrastrukturës, përkrahjen e ndërmarrjeve punuese dhe prodhuese. Probleme kryesore në Kosovë janë edhe mosfunksionimi i strukturave të tregut dhe ndërprerja e qarkullimit të mjeteve, gjegjësisht bartja e fitimeve jashtë vendit. Shembull: nëse investohet në ndërtimin e shtëpive, atëherë krijohet punë. Aty lidhen pagat për punëtorë, investimet në material dhe makineri etj. Pasi që shumica e ndërmarrjeve punojnë pa qenë të regjistruara, paratë mbeten në duar private dhe zinxhiri ekonomik këputet. Rrjedhojë e kësaj janë mospagesa e fondeve pensionale, ikja prej tatimeve etj. Në punëtori gjithashtu u bë e qartë se qeveria e Kosovës duhet të krijojë parakushte të lakmueshme për investime dhe të gjejë metoda të tjera për të tubuar kapitalin për investime të qëndrueshme në Kosovë. (Fund)
Hilmi Gashi
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi