Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Anthoni Athanas, ky patriot i mirë!

Shko poshtë

Anthoni Athanas, ky patriot i mirë! Empty Anthoni Athanas, ky patriot i mirë!

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 05, 2009 7:15 pm

Anthoni Athanas, ky patriot i mirë!
Nga Blendi Fevziu



Kur e takova për herë të parë, në prag të nëntëdhjetave, Anthoni
Athanas vazhdonte ende ta menaxhonte vetë restorantin më të dashur
dhe më të famshëm ndër pesë restorantet e tij, "Anthony's pier 4".
Ishte një ditë dhjetori e vitit 1999, në prag të mijëvjeçarit të ri,
kur parkuam makinën përballë restorantit të tij, dhe kur unë u
mundova të kujtoja se ç'kishte qenë ajo gjë që e kishte bërë këtë
restorant të famshëm dhe ndër më të njohurit në Boston. Ishte ende
herët, por Anthoni 89-vjeçar kishte mbërritur. I veshur shik, si çdo
mëngjes ai kishte ndezur zjarrin dhe kishte filluar të drejtonte
stafin e tij, një pjesë e madhe e të cilëve qenë emigrantë shqiptarë
të pas 1990.
Në më shumë se tre orë, ngjiti dhe zbriti disa herë shkallët nga zyra
e tij e vogël në katin e tretë, mbushur me foto dhe suvenire të shumë
viteve dhe me vështrim të merakosur kërkonte që gjithçka të ndodhej
në vend për drekën që po afronte. Dukej se jeta e tij ishte e lidhur
pazgjidhshmërisht me këtë restorant, ngritur 40 vjet më pare, aty ku
nuk e besonte askush se do të kishte sukses. Atë ditë dhe në disa
biseda gjatë vitit në vazhdim, Anthoni Athanas kishte dëshirë të
kujtonte se kur ai bleu atë copë tokë, në një zonë magazinash pranë
portit, ku vështirë se mund të kalonte edhe një kalimtar i humbur,
shumë vetë besuan se ky ishte edhe fundi. Ai rrëfente se një miku i
tij i vjetër, Kristo Thanasi, i merakosur për fatin e shokut kishte
sjellë një mbasdite në atë zonë të harruar Fan Nolin.
- Kjo është toka që ka blerë Anthoni, i kishte thënë, jo pa dhimbje,
por akoma më e dhimbshme kishte qenë përgjigjja e Fan Nolit:
- Anthoni nuk i ka mendtë në vend, ja kishte kthyer peshkopi i
nderuar. - Ai do të humbasë por do të humbasim edhe ne.


Anthoni Athanas, ky patriot i mirë! Pic_1_8
Kjo shaka që Athanasi ma tregoi në të gjitha takimet, pa menduar që
ma kishte thënë herën e parë, ishte vetëm njëra anë.
Atë ditë të parë, duke më shëtitur në të gjithë restorantin, më
tregoi se ditën që vendosi ndërtimin e restorantit dhe bleu truallin
në atë kalatë të portit thirri gruan mënjanë.
I kërkoi asaj të vendoste disa dollarë në një anë dhe i tregoi se për
investimin kishte vënë peng në bankë gjithë pasurinë, përfshi edhe
shtëpinë.
- Nëse humbisja, nuk do të më mbetej më asgjë, foli ai, pa e fshehur
krenarinë për triumfin, tashmë, 40 vjet më pas. - Por unë isha mësuar
të rrezikoja dhe nuk më pëlqen të humbas kurrë, shtoi ai.
Madje suksesi i restorantit qëndronte pikërisht tek ajo që shihej si
pika e dobët e tij: një autostradë që po i ndërtohej përbri. Athanasi
kujtoi se si çoi aty vëllain, me të cilin punonin prej shumë vitesh.
U përpoq ta bindte se do të kishte sukses dhe një moment i kishte
thënë me një gjuhë prej profetësh: ajo rrugë që po ndërtohet aty do
të na sjellë mjaft klientë. Dhe në fakt ndodhi kështu. Një rrugë që
kalon pranë restorantit është edhe gjetja e artë që e bëri atë mjaft
të frekuentueshëm.
Ishte një ditë e ftohtë, por me diell dhe nuk e di pse plakut të
fisëm po i pëlqente të kujtonte atë kohë. Ai ecte dhe ndalonte në
hollin e restorantit gjigand dhe dhjetëra fotografi e shohin nga
muret e tij.
Suvenire të katër dhjetëvjeçarëve që fare mirë mund të
konsideroheshin edhe suvenire të viteve të trazuara të SHBA. Një
koleksion fantastik artistësh të Hollivudit dhe politikanësh nga e
gjithë bota. Një paradë e shtatë presidentëve të fundit të SHBA, nga
Xhon Kenedi, me lukun e tij të qeshur e rinor, klient i vjetër i
restorantit, e deri tek Bushi e Klintoni. Nga Perandori i Japonisë
Aki Hito e deri te Kancelari Gjerman Helmut Kohl. Pa harruar njerëzit
më të rëndësishëm të atdheut të tij. Një album në faqet e zverdhura
të të cilit qëndronin Fan Noli dhe Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep
Meidani dhe Pandeli Majko. Nuk e di sa ndenja atë ditë, por në ikje,
ai më dhuroi një libër të botuar nga "Nju York Times" dhe që
titullohej "Mrekullia amerikane".
Një libër në të cilin tregoheshin fatet e emigrantëve që kishin
mbërritur nga vendet e tyre vetëm me plaçkat e trupit dhe në pak vite
qenë shndërruar në milionerë.
Disa muaj më vonë e takova sërish, tashmë në Shqipëri. Ishte në moshë
të thyer, por kishte vizituar dy herë në gjashtë muaj Shqipërinë dhe
Kosovën, ndihej krenar për këtë dhe i pëlqente të rrëfente. Nuk e di
pse herën e fundit që e pashë kishte një ndjenjë të fortë nostalgjie.
Një nostalgji që ja përforconte respekti i njerëzve dhe gjuha shqipe
që dëgjonte kudo.
- E di, më tha, jeta ime është e pabesueshme.
Ai filloi të më kujtonte me dhimbje dhe me sens humori atë ditë të
largët të vitit 1915, kur mes flakëve të luftës së parë botërore i
hipur mbi një mushkë, së bashku me familjen dhe disa të afërm kishte
lënë Korçën në drejtim të Pireut. I kujtohej pak ai udhëtim i largët
edhe pse siç tregonte atë ditë,
për shumë kohë më vonë ishte zënë me kushëririn e tij që kishin
udhëtuar bashkë. Ai ende nuk e dinte nëse vërtet kishin hipur në
mushka apo gomarë. Por sidoqoftë, mushka apo gomari qenë treguar
bujarë. I kishin çuar refugjatët e ardhshëm deri në portin grek prej
nga kishin marrë anijen për në Nju Jork. Anthoni ishte atëherë vetëm
pesë vjeç.


Anthoni Athanas, ky patriot i mirë! History


Babai i tij kishte emigruar me 1907 në SHBA, por ishte kthyer përsëri
dy vjet më vonë. Tregtar i vogël, ai kishte arritur ta bënte të
suksesshme një kafe që në Korçë njihet ende si kafja e bilbilave. Por
duket se djali nga Trebicka kishte të tjera ambicie. Dhe nuk e kishte
harruar kurrë Amerikën e magjishme, vendin ku mund të ndodhte çdo
gjë. Ai u martua dhe më 1910 lindi djalin e parë, që e quajti Anthon.
Pesë vjet më vonë braktisi biznesin e tij në Korçë, për t'u
shpërngulur në Boston të SHBA. Atje ku kishte kaluar dy vjet në vitet
1907-1909. Atëherë pesë vjeçar, Athanasi kujtonte se si mbërritën në
Ellias Island, një ishull i vogël pranë Nju Jorkut ku qenë vendosur
edhe zyrat e emigracionit të SHBA. Dhe ku çdo ditë mbërrinin vaporët
me mijëra emigrantë, nga e gjithë Evropa, në kërkim të ëndrrës
amerikane.
Familja u vendos përfundimisht në Bedford, një qytezë pranë Bostonit,
ku i ati i tij hapi një dyqan të vogël ku shiste fruta dhe perime.
Athanasi kujtoi se në vitin 1917 atje ishin 50 familje shqiptare nga
Korça dhe Tepelena dhe shqipja dëgjohej kudo. Për më tepër gjyshja
fliste vetëm shqip dhe fëmijët e ruajtën gjuhën e prindërve. Ai më
rrëfeu se si një dite i ati i dha disa kuti me luleshtrydhe dhe ai
filloi të trokiste derë me derë për t'i shitur ato.
Ditën e parë nuk ja arriti dhe kur u kthye në shtëpi me pemët e
kalbura e kishte mbytur dëshpërimi. I ati e bindi se biznesi nuk
është i lehtë dhe se mbi të gjitha për të pasur sukses duhej të ishte
këmbëngulës dhe i ndershëm. 80 vjet më vonë ai nuk kishte harruar
asnjë prej këtyre dy parimeve që e patën ndihmuar aq shumë në jetë.


vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Anthoni Athanas, ky patriot i mirë! Empty Re: Anthoni Athanas, ky patriot i mirë!

Mesazh nga Agim Gashi Tue May 05, 2009 7:17 pm

Të nesërmen doli përsëri me kutitë e
luleshtrydheve dhe kësaj here nuk ktheu në shtëpi asnjë. Që nga ajo
ditë braktisi shkollën dhe filloi biznesin me të atin.
Por dukej se djali i ri kishte plot ambicie të tjera. 15-vjeçar
braktisi dyqanin e të atit dhe filloi të punonte në restorant. Ndizte
zjarrin dhe bënte gjithë punët e tjera që gjithçka të ishte në
rregull për mjeshtrin. Në të vërtetë, kujtonte ai, mjeshtrat ishin
fanatike dhe kur gatuanin nuk donin që ne t'ju merrnim zanatin. Por
ne i shihnim fshehurazi dhe kur ktheheshim në shtëpi i shkruanim
formulat e tyre. Punonte në një restorant kur në Bedford mbërriti
kriza e viteve '30 dhe fabrikat e pambukut u mbyllën. Atëherë la
familjen dhe u vendos në Nju Jork, ku vijoi të punonte për disa kohë
në një restorant. Ishte në atë kohë, në moshën 18-vjeçare, kur pa
Aleksandër Moisiun, që luante Otellon në një nga teatrot e Brodueit.
Ishin po ato vite kur filloi të lexonte në Nju Jork, një gazetë të
arbëreshëve të Italisë që botohej gjysmë shqip dhe gjysmë italisht.
Nju Jorku duket se kishte lënë gjurmë në jetën e tij dhe formimin e
tij. Kujtonte se mbrëmjeve ëndërronte gjatë të kishte biznesin e tij.
Dhe nuk do të vononte shumë për ta pasur realisht. Në mes të
viteve '30 babai i vdiq në moshën 56-vjeçare dhe ai, si djali më i
madh, u kthye të kujdesej për familjen në Bedford. Tashmë kishte
eksperiencë në fushën e restoranteve dhe në vitin 1937 hapi
restorantin e parë në qytetin e tij. Midis dokumenteve në bibliotekën
e studios, në katin e sipërm të restorantit te famshëm, Anthoni
Athanas më kishte shfletuar me mburrje edhe kontratën e blerjes së
restorantit të parë. Për një shumë prej 5 mijë dollarësh, duke vënë
kesh vetëm 1800. Në të vërtetë ende, 50 vjet më pas, duart i
dridheshin kur kujtonte se me ato 1800 dollarë të mbledhur me mjaft
mundim kish nisur një biznes, i cili do t'i sillte miliona më vonë.
Atëherë kisha vetëm 1800 dollarë shtoi ai, ndërsa në fillim të
viteve '90, vetëm nga një gjyq me një firmë të hebreje humba afro 200
milionë dollarë. Natyrisht ato u zëvendësuan përsëri më vonë. Por me
sa dukej Restoranti i parë qe me fat për shqiptarin ambicioz. Pak
kohë më vonë ai bleu një ndërtesë pranë që deri atë ditë kishte qenë
kinema dhe e bëri parking. Vendosi ajrin e kondicionuar ndër të parët
në qytet, filloi publicitetin në gazetë dhe restoranti mori famë për
gatimin dhe mikpritjen.
Më 1940, kur dukej se biznesi i tij qe vënë në vijë, u martua me një
vajzë shqiptare nga Stratoberdha, e lindur në SHBA. Me të pati katër
djem dhe asnjeri prej tyre nuk fliste, së paku deri atë moment shqip.
Kam frikë se atë moment, kur vdekja i qe afruar dhe ai e ndiente mirë
se ishin vitet e fundit të tij, ky ishte edhe pengu i madh i
Athanasit.
- E di, - më tha - ata nuk kanë pasur një baba aq të mirë sa e kisha
unë.
Restoranti i bizneseve u bë i pari për familjen Athanasi. Më 1945
hapi restorantin e dytë dhe më pas edhe dy të tjerë. Ai kishte katër
restorante më 1960, kur bleu një nga kalatat e portit të dikurshëm të
Bostonit dhe vendosi të ndërtojë aty restorantin që i dha më shumë
famë dhe natyrisht para se kushdo tjetër. "Anthony's pier 4"
përfundoi me 1962 dhe ai u ndërtua i gjithi në stilin kolonial.
E di se cila është ajo gjë që më ka motivuar në jetë dhe më ka bërë
të ndihem mirë, më pyeti?
- Biznesi, ju përgjigja pa mendje, i bindur se mbarëvajtja e tij ka
një dimension të rëndësishëm në jetën e një amerikani.
- Jo djalë, ma ktheu me një toskërishte të vjetër si të dalë nga
kushedi ç'libra të vjetër të rilindasve. Komuniteti Shqiptar dhe të
ndjerit pjesë e tij.
Më tregoi se ishte vetëm dhjetë vjeç kur shqiptarët që banonin në
Bedford, u mblodhën së bashku në kishë për pashkë. Ai u lidh fort me
komunitetin shqiptar dhe që nga ajo ditë e largët e vitit 1920, nuk
reshti së punuari për atë komunitet. Madje gjëja më e vështirë e
jetës së tij kishte qenë gjithnjë që të sqaronte se është shqiptar
dhe vetëm shqiptar. Se emri i tij nuk ka të bëjë me Greqinë dhe se
kisha ortodokse shqiptare është e ndarë nga ajo greke. Nuk e di a ja
kishte arritur kësaj. Shumë vite më vonë, kur ai nuk ishte më tashmë,
ndërsa i kërkova një taksije të më ndalonte atje, shoferi foli qetë:
ah, restoranti i Anthonit, grekut, po e di, e di.

Anthoni Athanas, ky patriot i mirë! IMG_9353
Kisha ka qenë edhe vendi që na ka lidhur së pari me komunitetin e
sqaronte ai. Aty kishte njohur për herë të parë një ditë pashke, Fan
Nolin. Njeriun që do ta respektonte dhe nderonte gjithë jetën. Djalë
i ri, ai u lidh shpejt me Vatrën dhe Diellin. U bë mik i Konicës dhe
sidomos i Fan Nolit. I kujtonte të dy me admirim edhe pse Fan Nolin e
kish njohur më mirë. Konica vdiq shpejt dhe ai kujtonte se si e
varrosën në Boston, kujtonte fjalimin e mrekullueshëm të Fan Nolit
dhe ditët e majit 1995, kur së bashku me disa shqiptarë të tjerë
përcollën eshtrat e tij për në Tiranë.
Nuk e di nëse e kish vuajtur faktin se pavarësisht se ç'kish bërë për
komunitetin shqiptar, atdheu ja kish mbyllur dyert keq. Që nga ikja e
largët e 1915, vetëm në 1989, plot 74 vjet më pas, qe kthyer në
Shqipëri.
Në vitin 1968, kur bëheshin festimet për 500 vjetorin e vdekjes së
Skënderbeut pati trokitur për herë të parë në derën e Ambasadës
Shqiptare në Paris. Kërkoi një vizë për në Shqipëri, por kur mësuan
lidhjen e tij me Vatrën nuk i hapen as derën. Një herë tjetër i ra
gjatë ziles së Ambasadës Shqiptare në Romë, por nga ana tjetër nuk
mori përgjigje, pasi mësuan se vinte nga diaspora e SHBA.
Rasti e solli të vizitonte Shqipërinë vetëm me 1989, kur linjat e
fanatizmit politik ishin zbutur dhe dukej se në atdhe po frynte një
erë e re. Ai kujtonte se shumë miq të tij ishin kundër kësaj vizite
dhe se kishin frikë për fatin e tij. Mbërriti në një Shqipëri të qetë
dhe gjëja e parë që i ra në sy qe se njerëzit ishin veçanërisht të
kujdesshëm, flisnin pak dhe ju largoheshin të huajve. Në Hotel Dajti
e pritën mirë dhe njëra nga punonjëset e shërbimit, i dha me vete një
hudhër kur iku. Vizitoi Korçën, por nuk mundi të shkojë në Trebickë,
fshati i lindjes së babait. Humbi kështu rastin të vizitonte fshatin
që nuk e kishte parë kurrë. Më pas u kthye edhe pesë herë të tjera në
Shqipëri. Ajo që bisedonim bashkë ishte e fundit.


Anthoni Athanas, ky patriot i mirë! Athanas_05202005_174


Nuk u pamë më asnjëherë. Deri në ditë të vitit 2005, kur erdhi lajmi
se kish ndërruar jetë. Ishte 95 vjeç dhe po linte pas një histori
suksesi. Nuk e di pse ndjeva një keqardhje të thellë atë ditë. Besova
se mund ta ndjente çdo shqiptar që do ta njihte historinë e tij dhe
që hallakatjet e pas vitit 1990 i kishin lënë së paku një emigrant në
familje. Shkruajta një artikull që e titullova: Athanasi, një
shqiptar i mirë! A ishte vërtet i tillë. Sot mund të përgjigjem pa
asnjë hezitim, PO. Në një botë të mbushur me retorikë patriotizmi, ai
ishte nga ata të paktët njerëz që për 90 vjet me radhë kishte qenë
një patriot i mirë. Pa e kuptuar, pa e ditur, pa u turbulluar nga
suksesi i tij amerikan. Kishte qenë një patriot që atë moment, kur 5
vjeçar, kishte hipur në një gomar apo mushkë për të udhëtuar nga
Korça drejt Pireut e më pas SHBA. E kish mbartur patriotizmin me
vete. Nuk e kish dashur për votë, për kredo, për karrierë apo për t'u
evidentuar diku. E kish pasur thjesht një dimension të jetës së tij,
një nevojë të atdheut të munguar. Atdheut që e kish parë vetëm pesë
herë në 90 vjet. Më pak se shumë shtete të tjera të botës që kish
vizituar, por që s'e kish harruar kurrë. Më shumë se kushdo tjetër ai
reflektonte atë thënie të Xhon Kenedit, presidentit që e kish njohur
dhe dashur aq shumë: "Mos pyet kurrë se ç'ka bërë atdheu për ty, por
thuaj se ç'ke bërë ti për atdheun". Kam bindjen, se nëse në momentet
e fundit të jetës dikush do t'ia kishte bërë këtë pyetje, ai kish
plot për t'i thënë. Kam bindjen se ai kish bërë gjithçka, duke qenë
një nga rastet e fundit, kur suksesi, largësia, mungesa e kontaktit
dhe mëria politike e atdheut, nuk ja kish zbehur dashurinë për të.
Zoti dhëntë që më shumë njerëz të kenë pasionin dhe përkushtimin e
tij…


Dërgoi: Mirel Sharrxhi
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi