Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

At Zef Pëllumbi

Shko poshtë

At Zef Pëllumbi Empty At Zef Pëllumbi

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 5:26 pm

At Zef Pllumi në Amerikë: Një autobiografi shokuese

07 Pri 2008 , shekulli
Elsa Demo
"Live to tell" është botuar nga "iUniverse". Në qarkullim pjesa e parë e trilogjisë
Një lajm i mirë vjen nga Amerika. Shtëpia botuese "iUniverse" në SHBA ka hedhur në qarkullim, ka pak ditë, pjesën e parë të trilogjisë "Rrno vetëm për me tregue" i At Zef Pllumit. Njerëz të afërm me përkthyesen amerikane Kathleen Schank, njoftuan për këtë gjë të bukur, ndërkohë që botimi ka hyrë në tregun on line të shitjes së librave, Amazone.
Titulli në anglisht "Live to tell" të kujton veprën me kujtime me të njëjtin titull të novelistit Gabriel Garcia Marques, i vitit 2002. Por pater Zefi vëllimin e parë të veprës kapitale të jetës së vetë, dhe në kolanën e dëshmive të ferrit komunist, e botoi për herë të parë më 1995. Titulli shoqërohet në kopertinë me shënimin: "Live to Tell: një histori e vërtetë e persekutimit të klerit në Shqipërinë komuniste".
Në përkthimin anglisht i cili kushton 31.95 dollarë, ky vëllim ka dalë me 292 faqe ku tregohen ngjarjet pas vitit 1944 dhe pasojat e para të regjimit mbi klerin katolik.
"Kjo është autobiografia shokuese e një prifti katolik shqiptar i cili mbijetoi torturat dhe persekutimin komunist për të treguar historinë për padrejtësitë dhe krimet e kryera", thuhet në shënimin e botuesit. Dhe më tej: "Kujtimet e at Pllumit janë një ballafaqim i guximshëm me komunizmin. Fuqia e rrëfimit të tij mbështetet në faktin që pavarësisht përpjekjeve të turpshme, partia komuniste nuk do t'ia dilte mbanë. Ashtu siç pater Pllumi pohon, "Ata mendojnë se njerëzit para se të vdesin janë të frikësuar, por ata nuk e kuptojnë se kur vuajtja mbërrin në një pikë të pashmangshme, asgjë nuk të frikëson më."
Duhet theksuar se "Live to tell" është përkthyer nga Kathleen Schank në bashkëpunim me përkthyesin e mirënjohur shqiptar Petro Zheji.
Ja si e komentonte Schank këtë përvojë pas vdekjes së Fra Pllumit, në shtator 2007: "Ai u nderue në Shqipni por do të nderohet prej shumëkujt edhe tash, mbas vdekjes. Në SHBA ai ka me u ba i njohtun shumë shpejt dhe rrëfimet e tij ma në fund kanë me i mbërritë lexuesit anglishtfolës. I jam mirënjohëse që më dha mundësinë për me krye këtë përkthim dhe me e botue. Përftova kështu ndjenjen e kënaqësisë ngaqë kisha ba diçka të randësishme. E kështu, para disa vjetesh, u pata frymëzue kur fillova përkthimin. Jam e sigurt se ai e dinte se çfarë domethanjet kishte libri për mue, dhe se unë e ndjeja veten me randësi ngaqë m'u dha mundësia për me dhanë ndihmesën teme me i tregue lexuesit amerikan historinë e Atë Zefit, lexuesit amerikan që asht gjithnjë i etun për dije dhe për të vërtetat historike."
At Zef Pllumi u lind më 7 prill 1924 në katundin Mali i Rrencit, rrethi i Lezhës. Që në moshë të vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër. Ndoqi mësimet fillore e të mesme në Lyceun "Yllyricum" në vitin 1942. Për rrethanat e ashpërsimit të luftës, ndoqi mësimet e larta teologjike në Kuvendin Françeskan, në Shkodër. Në 1946 kur u mbyll ky Kuvend, bashkë me klerikë të tjerë e arrestuan më 14 dhjetor. U dënua nga një gjykatë ushatarake në fillim të vitit 1948 me tri vjet burg të cilat i kaloi në Shkodër, ne Beden të Kavajës e në Orman-Pojan të Maliqit. U lirua mbas tri vjetësh e u kthye në Kuvendin Françeskan, te Arra e Madhe në Shkodër. Në vitin 1958 u transferua ndër Malësitë e Dukagjinit, ku ndenji derisa u mbyllën kishat në pranverë 1967. Në fund të shtatorit e arrestuan përsëri dhe u dënua me 25 vjet të cilat i kaloi në Spaç të Mirditës, në Krypore të Vlorës, në Ballsh të Fierit, në Zejmen të Lezhës e në Përparim të Sarandës. U lirua më 11 prill 1989 mbasi kaloi disa sëmundje. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku mban meshën e parë të lirë.
Përmes autobiografisë "Rrno vetëm për me tregue", ai dha një leksion së pari njerëzor. Për këtë vepër në vitin 2006 u vlerësua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin "Penda e Artë", pak pasi ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu ta nderonte me titullin e lartë "Nderi i Kombit" si përfaqësues "në mënyrën më bindëse i disidentit politik, luftëtarit antikomunist dhe simbolit të qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane". Po atë vit iu botua dhe "Historia kurrë e shkrueme".
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

At Zef Pëllumbi Empty Re: At Zef Pëllumbi

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 5:27 pm

JETA NUK NDODHI PA NE…

- shenime kujtimesh per pader Zef Pllumin -

Shkruan Rudolf Marku

1.

Ne pranveren e vitit 1990 , ngase isha redaktor i poezise dhe i perkthimeve te poezise ne gazeten Drita, dhe, nga ana tjeter, ngase nuk kisha shtepi ( te dyja keto ne nje perputhje logjike me njera-tjetren), jetoja qe prej tre vitesh ne pjesen me te larte te godines se Lidhjes se Shkrimtareve, ne nje dhome tre metra me dy, ne te majte te deres qe te nxjerre ne terrace. Çdo dite me duhej te pastroja muret e dhomes prej kerminjeve te cilet josheshin prej lageshtires qe krijonte nje shtrese aq te trashe ne mure, as nuk mund te dalloje as dhe ngjyren fillestare te tyre. Ne ate dhome aq te ngushte ishte bere e natyrshme te vinin poete, shkrimtare, intelektuale, studente, piktore, kineaste, dashamires, vajza te bukura, madje shume te bukura, endrrimtare dhe aventuriere...Por kurren e kurres nuk me kishte shkuar ndermend se vizitori me i shquar i Papafingos (siç na pelqente ta therrisnim ate dhome) do ishte nje prift françeskan, emri i te cilit, Pader Zef Pllumi, deri me athere me ishte krejt i panjohur...

Mund te kete qene nja nje muaj pas rrezimit te monumentit te Diktatorit (te merremi vesh, e kam fjalen thjeshte per rrezimin e atij Monumentit te bere nga nje grup skulptoresh, por jo per rrezime te tjera). Une isha i vetem ne dhome, kur degjova hapa njerezish qe ngjiteshin shkalleve drejt dhomes. Kjo nuk perbente asnje çudi; çudi do te ishte sikur te kish kaluar nje ore dhe te mos kisha degjuar hapa njerezish...Por çudia dhe e papritura kete rradhe ishte tek vizitoret e jashtezakonshem qe kishin ardhe: pashe, me kenaqesine me te madhe, profesorin tim te adhurueshem, Nush Radovanin, nje njeri per te cilin do te duheshin faqe te tana letre per t’ia pershkruar atyre qe nuk kane pase fatin ta njohin...Shfaqia kaq e papritun e Nush Radovanit nuk me la asnje çast te vetem per t’u kushtuar vemendje vizitoreve te tjere ...Vetem pas nja dhjete minutash, pasi te gjithe u ulem ne nje divan te shkaterruar, duke u ngjeshe me njeni-tjetrin, Nush Radovani me prezantoi miqt e vet me te cilet kishte ardhe per te me takuar: nje burre i shkurte, me nofulla gati katrore, me tiparet e nje njeriu te vendosur e te paepun, i heshtun dhe i vemendeshem: quhet Ruzhdi Çoba. Ka ba mbi 30 vjte burg...Shikimi im instiktivisht ra mbi njeriun tjeter, nje burre me tipare malesoresh, i prehte dhe thatuq, i shkurte, me nje fytyre te rreshkte. Kryqzum shikimet : shtanga...Syte e tij qene te jashtezakonshem, sikur benin nje jete te pavarur nga lekura,rrudhat e fytyres dhe mosha e te zotit te tyre....Qene sy pa moshe, me nje gjallni dhe dlirtesi te rralle, me nje drite te brendshme qe vinte nga nje thellesi zoti e di se prej ku, sy qe kontrastonin dukshem me shprehjen e lodhun dhe tere vuajtje te fytyres...Pak vite me vone kete shtangie do ta kisha edhe athere kur kam kryqezuar shikimin me Nene Terezen....E njeta drite qe vinte vrullshem nga syte, sy vajzerore ne nje kuadrat fytyre tere rrudha te thella,brazda gjurmesh jo vetem te vuajtjes vetiake, por dhe te vuajtjes se qenieve te tjera njerezore...Emri? Profesor Nushi ma tha i pari emnin e tij :Pader Zef Pllumi..Siç duket,ngase e pa pershtypjen e thelle qe me la pamja e pader Zefit, profesor Nushi me tha: Jo tane prifnat jane te meçem; ky ketu asht i meçem, por ka dhe ky ata te vetat!...Pader Zefit i qeshen syte.Shihej menjehere se te tre i lidhte nje miqesi e vjeter ( vetem kur kam lexuar ‘’ Rrno vetem per me tregue’’ e kam marre vesh ma mire se kurre shkakun e miqesise se ktyne tre burrave)...

Profesor Nushi ishte vu ne krye te themelimit te Partise Demo- Kristiane. Na lexoi statusin e saj. Asnje anetar i Partise Komuniste nuk do pranohet ne kete Parti. Asnje bashpuntor i Sigurimit te Shtetit.Asnje funksionar i larte i shtetit komunist. Beme korigjime te tekstit, shtesa, heqje paragrafesh duke punu per nja pese ore rrjesht. Ne fund profesor Nushi me thote – Rudolf, du qe ti dhe Aurel Plasari ta merrni ne duart tuaj ket pune...(disa muaj me vone, Arshi Pipa ne nje interviste ne Zanin e Amerikes sqaroi sekretin e heshtjes per aprovimin e Partise D.Kristiane : Sali Berisha i ka kerku Partise socialiste qe te perjashtoheshin nga njohja legale Partia Komuniste ( qe votat e saj t’i merrnin socialistet) dhe Partia D.Kristiane (qe votat e saj ti merrnin demokratet)! Arshi Pipa kishte qene i ashper ne intervistet e vet : Turpi i mbetet Partise Demkratike! Nuk asht puna qe te dy Partite binjake nuk jane dakort me themelimin e P.Demokristiane, ata duan te presin deri sa te gjejne shakllabanat, karagjozet dhe aktoret e pershtashem per t’i vene ne krye te kesaj Partie, me qellimin e mrapsht per ta diskretitu demo-kristianen shqiptare!...Nuk asht koha per te gjykuar se sa te drejte ka patur Arshi Pipa aso kohe, por Nush Radovani mori rrugen per ne Itali, i neveritun dhe me betimin per te mos e pa kete vend der ne vdekje, Ruzhdi Çoba per t’u terheq me dinjitetin e nje njeriu te pakompromis ne burgun e vetmise se tij , dhe Pader Zefi ne oborrin e kishes se Shna Nout, ne Tirane ...Ketu dhe e takova per here te dyte...Kete rradhe, Aurel Plasari, padyshim intelektuali dhe njeriu te cilin pader Zefi e çmonte me teper se çdo njeri tjeter nder te gjallet, me ftoi qe te shkonim ne Shkoder per pervjetorin e vdekjes se Fishtes...Fishta ka qene dhe kryesubjekti i pader Zef Pllumit, jo sepse ai ishte i vetmi nxanes i gjalle i Fishtes, jo vetem se ai kishte nje adhurim te jashtezakonshme per Poetin Kombtar, jo vetem se ai e kish kuptuar se ri-ngjallja e Shqipnise fillon me ringjalljen e Fishtes, jo vetem se ai ishte françeskan, po ashtu si Fishta, por dhe per nje arsye teper intime dhe njerzore : ai dukej se ishte betuar perpara Zotit se nuk do prehej i qete pa ba gjithçkahen, qe do ishte ne doren e tij, per t’i ri-varros me dinjitetin e duhun eshtnat e Poetit dhe, per ta botuar prape te plote opusin e Fishtes...Ndejta prane pader Zefit gjate udhetimit tone per ne Shkoder..Dukej se e kishte harru ate punen per themelimin e partise D.Kristiane. Per me teper, ajo kishte qene nje ide e Nush Radovanit dhe e Zef Çobes, dhe jo e tija. Pse? Sepse une nuk besoj ne asnje parti politike, me tha. Partite politike ne Shqipni jane neveria e ketij vendi. Politikanet shqiptare jane dhe shakllabanat ma te medhenj dhe, fatkeqsia ma e madhe, Shqipnise i ka ardhe prej politikaneve te vet. Jane te afte me mendu, veç per veten e tyne.

-Po prape,i kujtova une, jane nje e keqe qe nuk mund te shmangen.

-Shmangen!-me tha. Dhe kur e kqyra i çuditun, ai, me syte qe i shkelqenin gjithsahere qe fliste per gjana te randesishme, me tregoi se si e mendonte ai vete shpetimin e Shqipnise:

-Shqipnise nuk ka se çka i duhen partite politike. Shqipnise, ne kete faze, te dalun nga nje diktature e pashembullt, dhe te dale nga nje tradite e mungeses se shtetit, i duhet nje Diktator i Mire. Jo nje Diktator i Lig, kriminel, vrases dhe xhahil, si E. Hoxha. Por nje Diktator i Mire. Ky diktator merr frenat e Shqipnise,i shperndane tane kto parti karikaturash politike, dhe thote- Une do e udheheq Shqipnine, te pakten per nja 10-20 vjet!..Nje gjykates vjedh? Pushkatim. Nje polic kerkon ryshfet? Ne burg! Provohet se nje minister asht i korruptuem? Ne litar!...Deno veç nja pese-gjashte vete, veçse me drejtesine ma te madhe, me diktaturen e ligjit, dhe do ti shohesh te gjithe kta trima shqiptare, se sa shpejt kane me xane mend!...Dhe ky diktator i mire udheheq gjithesejt, veç nja 10-15 vjet. Kur e sheh se shqiptaret e kane marre vesh, se ai e ka me gjithe mend, thrret veç dy parti politike, dhe u thote : Tash futuni ne gare me njana-tjetren. Dhe kush te marre vota ma teper, te udheheq me drejtesi...Por, po filluat me ba hile, vij prape ne pushtet dhe ju shperndaj dhe juve...

Me mahniti ky vizion popullor dhe njekohesisht kaq realist dhe kaq i pershtatshem per realitetin shqiptar. Periudha aventureske dhe haxhi qamiliste e transicionit e bere nen justifikimin e imitimit te institucioneve evropiane dhe atlantike, qe dha rezultantet ma anti-evropiane e me antiatlantike, do te kishte qene ku e ku ma shume evropiane e me atlantike, me paqesore dhe me normale, po qe se do te ishte ndjeke keshilla qe propozonte Pader Zefi.

Vizioni popullor, ajo mençuria e malesorve shqiptare, ajo menyra e te folurit katundarshe,me ze te qete, te shtruar,me butesi dhe qetesi, duke pase durim me e degju tjetrin, ajo miresi qe vjen, kur ne e pranojme tjetrin pa e gjyku, ajo durueshmeri plot mençuri,do te jene tiparet dalluese te komunikimit te pader Zefit- jo vetem ne te folun, por dhe ne te shkruar...Ai nuk qe the same breed si Nush Radovanin, intelektuali i jashtezakonshme, i pajisun me nje inteligjence te sofistikuar dhe energjik i jashtezakonshem, student i shkelqyer i Firences; ai nuk qe si Xhenar Topalli, fisnik qe ne ecje e qe ne heshtje; nuk qe si Gjon Shllaku, latinsti dhe perkthyesi i shkelqyer i Homerit, njohesi i rralle i gjuhes shqipe , i antikitetit grek dhe latin dhe po aq njohes i eposit te Veriut. Pader Zefi nuk qe i ngjashem me asnjerin prej tyre, sepse qe i ngjashem me te tre njeherazi. Duke pase dhe diçka qe ata te tre nuk e paten: ate diçka malesorshe, ate ngajshmeri aq te madhe me tane ato malesore qe i kisha njohe qe nga feminia ne Lezhe, ate ngjashmeri me Marash Hotin e Zejmenit a me Marash Vaten e Ishullit te Lezhes a ate ngjashmeri me Gjoken, Nikollen,Palin, Markun,Bicin,Patokun, Nane Dilen a Nanen Leze ne Gocaj te Kakarriqit, Marien,Marten, dhe Gjeken a Mirashin,malesore qe ndonese te pashkolle te jepnin rastin per te deshifruar permes tyre nje kod te lashte te nje civilizimi te harruar e te perbuzur nga kolimat dhe skuthat e asaj çka ata konsideronin kulture moderne qytetare apartamentash tre kateshe...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

At Zef Pëllumbi Empty Re: At Zef Pëllumbi

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 5:28 pm

2.

Nuk desha te shkruaj per perkujtimin e Fishtes ne Shkoder – per kete ka shkruar vete Pader Zefi disa here..dhe nuk desha as te permend ate moment hyjnor kur aktori Ndreke Luca, qe filloi te recitonte Fishten, pat harru nga emocioni nje varg, e kur i gjithe auditori pat thane me za te larte ne kor vargun e harruar nga aktori (kur ja pata treguar kete poetit te shquar amerikan Frederik Turner, gjate nje dreke me te ne Dallas, ai me pate thane – Lum ai poet qe ka lexues te tille! Tingllon homerike. Vetem ne Ballkan mund te ndodhin çudia qe poezia dhe lexuesi te jetojne ne ksi lloj simbioze!)…Po keshtu nuk desha as te kujtoj dhe ate çastin aq emocional te ‘’inventarizimit’’ makaber te eshtrave te mbetura te Fishtes :dy gishta te dores se djathte, nje eshter nga brinja e majte, nje eshter e gishtit te madh te kames, …si dhe varrimin e atyne pak eshtnave te mbetuna te poetit kombetar ne katedralen e Shkodres…Mbaj mend se pader Zefi, ma teper se i emocionuar,dukej i knaqun qe se pakti i kishte siguruar mesuesit te vet dhe poetit te vet nje varr, edhe pse nje varr te pjesshem, nga se pjesa me e madhe e trupit te tij notonte perjetesisht ne vorbullen e pandalun e te perjetshem te ujnave…

Fillimi i ribotimit te Hyllit te Drites do te thoshte per pader Zefin shprehja me a madhe e respektit per Fishten dhe per tane ate plejade te shkelqyer te intelektualeve françeskane...Ja besoi ri-botimin e saj Aurel Plasarit, te cilin me te drejte e vlersonte se tepermi si te vetmit te denj per ta vazhduar botimin e Hyllit...Ne kishen e Shna Nout qe tashme kishte marre pamjen e nje redaksie botuese dhe te nje shtepie botuese, ishte e natyrshme te bisedonim ma se tepermi per letersine dhe kulturen shqipe, te cilat i shihte si pjest ma te randesishme te shprehjes se etnikumit shqip..Duke njohe pader Zefin, e kuptoje se paradoksalisht, ai , i cili kishte vertet nje njohje te jashtezakonshme te asaj çka duhet te quhet popullore, ishte elitar,ne kundershtim me ata qe rreken tane jeten me u duke elitar dhe jane popullore ne kuptimin e vulgaritetit...Elitar,sepse nuk kishte besim te turmat popullore.Shpesh thoshte me hidherim se, ne shqiptaret, nuk shkojme te koncepti Popull,se shpesh populli tek ne, ne kuptimin e turmave te kallabllekshme,jane milet, e jo popull, e milet do me thane nje turm e paorganizuar dhe pa ndergjegje shpirtnore dhe intelektuale...Kush ka jetuar vitet 1990 dhe pertej ne realitetin shqiptar, do ta mirekuptonte kete konkluzion te hidhur te pader Zefit...

Nuk i pelqente kurre te fliste per burgun e as per vuajtjet e tij..Siç duket, me mençurine me te madhe, i kishte ruajt per t’i tregu ne librin e tij te madh ‘’Rnno vetem per me tregue’’. Ironikisht, te vetmet gje qe ma pat tregu nga burgjet, siç duket ka harru ta shkruaj ne liber. Ne vitin 1991, ne ambientet e kishes se Shna Nout, po bisedonim per torturat e burgjeve...Ra fjala per temen dostjevskiane te krimit e te ndeshkimit, kur krejt paprite, me syte qe i shkelqyen nga thellesite, me shikoi drejt e ne sy e me tha-

‘’ Kam qene vetem per vetem me nje hetues, djale i ri, nga ata djemt e rinj me shkolle te nalte ,shume ma te poshter e ma te liq se parardhesit e tyne...Mund te ishte viti 1986-1987. Me kishte lidhe me duar per ne nje konop qe varej ne tavan...Krahet i kisha te shtrime nalt, e nuk me lenin me i lshue poshte per t’i ç’mpi; kolegu i tij - ngase gjithmone qene dy hetues, se nuk u lejohej te ishte nje i vetem,-pat dale per nja gjysem ore dhe qe, mbetem balle per balle me te. I thashe- Mor djaloç, mire se nuk ke shpirt, po frike a ke qe i ban njerzve te pafajshem tortura te ksaj natyre? A ke frike se ndoj dite ata qe torturon tash, mund ta marrin pushtetin e ty do te duhej me dhane llogari?’’. Dhe a e din si m’upergjigj? –‘’Natyrsiht qe dhe kete e kemi mendu, e as une e as kolegt e mi nuk kena frige, sepse ju, po ta merrni pushtetin, nuk keni zemer te keqe e shpirt te keq me na ba ne kso lloj torturash qe ne ju u bajme juve!’’. Pra, ata llogarisin miresine tone si dobesine mete madhe! Kaq te ligj qe jane.

Asht nje rrefim qe nuk mund ta gjesh as te Dostojevski. E kam menduar shpesh here kete ngjarje te treguar nga pader Zefi , per te arrite te konkluzioni i trishtuar i konjuktures se perjetshme te se keqes.

Por, ashtu si ne librat e tij, pader Zefi dukej se nuk urrente askend. Nje shpirt kaq fisnik, ne nje vend ku, veç per nje veshtrim te gabuar a per keqkuptim fjale a per nje miresi te adresuar ndaj nje njeriu te papelqyre nga te tjeter, mund te krijosh armikun me te madh te jetes, shi ne kete ambient ai nuk kishte asnje armik. Me siguri qe ka pase njerez te bezdisun prej tij , por jo armiq . Dhe ky asht nje sekret i madh i jetes se pader Zefit. Megjithate, edhe aftesise per mos me pase armiq, ashtu siç ndodh ne Shqipni, pader Zefit ju desh t’i paguante haraç. Duke mos pase armiq, te gjithe kujtuan se qene miqt e tij. Dhe sidomos ne ceremonine e varrimit, pikersiht ata qe nuk mund te kishin qene miqt e ti, nxituan te flisnin me ditiramne te pahijshme e te pasinqerta.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

At Zef Pëllumbi Empty Re: At Zef Pëllumbi

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 5:28 pm

3.

Emnin e Kasem Trebeshines e kam degjuar, per here te pare, nga pader Zefi. Fliste me nje dashuri te veçante per te e per vepren e tij. Aso kohe emni i Kasem Trebehsines per fat te keq nuk me thoshte asgje. Aq me pak vepra e tij. Ja quajta nje dashamiresi prej miku, nje kamaraditet burgjesh dhe vuajtjesh, dhe aq. Ma vone, nen kujdesin e pader Zefit e te Aurel Plasarit u botuan dhe librat e pare te Trebeshines. Lexova Odin Mondvalsen dhe u mahnita me kete liber te jashtezakonshme te letersise shqipe. Pa dyshim asht nje liber qe sjell ne letersise tone nje shije Gogol-iane dhe Bulgakov-iane, madje asht libri i vetem i kesaj natyre ne letrat shqipe. ..Rasti i Kasem Trebeshines asht nje rast unik dhe i pashembullt : Mohimi i vlerave te tij, te folurit nen za per te dhe per vlerat e ketij shkrimtari, denigrimi i eger i emnit permes shpifjeve ma te shemtuara,komploti vrases i heshtjes, keto e plot te tjera , do te ishin nje prove e gjalle se soc-realizmi, po ashtu si dhe mitra e tij, kane ne viset tona pushtetin e arrogances e te percaktimit te hierarkive kulturore sot e kesaj dite.

Pader Zefi filloi te vinte shpesh e ma shpesh ne shtepine time, ne katin e peste, mbi rrugen e Durresit. Ne erresire, ngase dritat priteshin dendur, bisedonim per Hyllin e Drites, per Fishten, per historine e Shqipnise, teme te cilen ai e kishte po aq per zemer, sa dhe Fishten, per drejtimin nga po ja mbanin shqiptart. Nje dite erdhi dhe sapo u ul, me thote : Ma kane tregu sot ate punen tande me Diazin ( nunci apolistik i Vatikanit ne Shqipni). Dua ta degjoj nga goja yte.

I tregova se nje nate ma pare kisha qene i ftuar ne shtepi nga miku im, ambasadori italian ne Shqipni, Poalo Foresti ( madje nje here Foresti me pat ftuar per darke me miqt qe i kishin ardhe nga Italia, Bipo Baudon dhe te shoqen e tij, Katia Riçarelin)...Kete rradhe ne tavoline te ftuar qene gjithashtu dhe Diaz,nunci apostolik dhe nje shqiptar qe kishte ardhe nga Zvicra, te cilin Diaz e quante Princ...Diaz me sqaroi se shqiptari asht nje princ i vertete i familjes se Toptaneve...

Nuk kaloi shume kohe dhe une hapa biseden e Priftnave shqiptare, te dale nga burgjet. Disa dite me pare me pat ra rasti me ken pjesmarres ne nje meshe ne Kallmet te Lezhes. Dhe isha preke aq shume nga perkushtimi i jashtezakonshem i besimtareve vendas, dhe nga perkushtimi i priftit vendas, sa me kishin dale lote nga syte. Ata njerz te cilet nuk kishin as buken e gojes, te dukej se prisnin qe te ndodhnin mrekullite biblike perpara syve te tyre. Thashe se ndryshe nga Kishat ne perendim,ku falja dhe mesha rrezikojne te kthehen ne nje ritual, tek ne feja, te pakten ne kete faze, te kujton ate perkushtim dhe ate spiritualitet qe ekzistonte veç ne vitet e katakombeve te Romes se Lashte...Diaz u vrejte dhe u nxi me teper se ç’e lejonte ngjyra naturale e lekures.

-Prifterinjt shqiptar nuk jane te kohes, kane mbete prapa, ngase kane qene neper burgje, shume prej tyne jane te pakualifikuar.

U shtanga nga kjo armiqesi e papritun – dhe nga kush? – nga ai qe supozhej se zyrtarisht e kishte per detyre mbrotjen e tyne.

I thashe se relixhioni asht i lidhun, krahas tjerash, dhe me vuajtjen njerzore, dhe se vuajtja e burgjeve per nje klerik asht nje eksperience ma e vlefshme se sa nje kurs kualifikimi profesional, aq me teper ne Shqipni, ku njerzit nuk impresionohen aq shume nga profesionalizmi teknik i meshes, se sa nga humaniteti dhe marrja e pjeses se vuajtjes se te tjereve... Princi shqiptar i Toptaneve nxitoi ti delte ne krah nuncit apostolik.

-Me fal-i thashe –jo ofens, por me dukesh se ti nuk je i relixhionit katolik,keshtu qe diskutimin tand mund ta ruash per ma vone,kur te flasim per synite dhe synetet...

Pader Zefi qeshte me gjithe shpirt. Ishte eksperienca ime e pare per te kuptuar sado larg e ne menyre te vagte at keqkuptim qe klerit shqiptar, Pader Zefit,pader Konrad Gjolajt,Simon Jubanit e sa e sa te tjereve, pas daljes nga burgjet e tmerrshme te komunizmit, ju ishte dashte te perplaseshin dhe me kolegt e tyne qe vinin nga jashte.

Edhe une e lashe Shqipnine ne vitin 1997
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

At Zef Pëllumbi Empty Re: At Zef Pëllumbi

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 19, 2008 5:29 pm

4.

Gjerat e lehta nuk kane peshe.Te pakten nuk kane aq peshe sa gravitacioni t’i terheq drejt humneres,poshte.Nje zog fluturues ngrihet lart ne ajer, ngase nuk ka peshe dhe nga se eshte i brishte dhe i bute.Guri asht helpless, do thonin anglezt, ngase asht i ngurte dhe i ashper. Guri,nga vete natyra e tij, asht i predispozuar te bjere poshte,pikerisht ngase asht i ashper dhe i ngurte. Ashpersia asht dobesi. Brishtesia, butesia dhe delikatesa shpirtnore jane force e mjaftueshme per t’i mbajte objektet lart, ne ajer. Engjejt qendrojne ne ajer, ngase jane te bute dhe te mire. Dhe engjejt nuk jane te vrazhdte, te ashper, te mvrejtun, te eger...Kujtoni se si Fra Anglelico i paraqet gjithe engjujt e vet, jo vetem si zogj,por madje dhe si flutura...Ne pikturat e vjetra kristiane para Rafaeliane edhe qielli siper figurave paraqitet gati si nje parashute blu a ngjyre e praruar florini...Çdo figure paraqitet gati te fluturoje a te endet ne ajer, sikur te ecte...Serioziteti duket se asht nder mekatet me te medha te njerezimit. E qeshura asht shpesh dhe çelesi i parajses.

Pader Zefi ishte nder njerzit ma te brishte ne shpirt. Ishte e çuditshme ta shihnje kete njeri qe kishte kalu neper rrethet e Ferrit, qe kishte arrite me mbajte te freskte butesine dhe humorin...Me tregon nje here Aurel Plasari se si te dy (me Pader Zefin ) kishin dale me fotografu nje gomar per kopertinen e Gomarit te Babatasit qe ishte gati per botim… Ndalin makinen ne Mamurras dhe qe, shohin nje burre mbi nje gomar. E ndalin dhe i thone-A mundemi me ta marre ne fotografi gomarin, se duem me e nxjerre ne liber!

I zoti i gomarit pernjehere mendon se gomari i tij asht shume i randesishem, aq sa duan me ja nxjerre fotografine ne nje liber. I thote pader Zefit- Neqoftese doni me e fotografu, duhet te me paguani. Dhe u kerkon nje shume te madhe leksh. Athere pader Zefi i thote- Me me fal, se qenka dashte me pyet gomarin ma pare se me te mvete ty, se ti qenke ma gomar se gomari yt.

Nje here tjeter, nja gazetare e re e Radio Tiranes e interviston Pader Zefin direkt ne vale. Duke fole per trafikimin e objekteve arkeologjike, e pyet pader Zefin se cila do ishte menyra ma e mire per t’i ruajt ato. Pader Zefi pergigjet- Menyra ma e mire asht mos m’i gjete , sepse dheu i ruan ma mire. Derisa te vijne nje kohe normale e te zbulohen per t’u vendose normalisht neper Muzeume, si ne te gjithe vendet e tjera te botes.

5.

Librat e pader Zefit i kam lexu ne shtepine time, ne Kensington, ne Londer. Duke lexu ’’Rrno vetem per me tregue’’ jam mahnite perpara faktit se shume karaktere te librit i kam njohe dhe une gjate jetes time. Xhabir Dibra ka qene mik i babait tim dhe miku im...Femijeve te tij u kam dhene mesim ne gjimnaz... Marr vesh se paska qene ne nje burg me pader Zefin, madje te lidhun me nje shoqni prekese...Edhe Nush Radovani, profesori im i nderuar dhe idhulli i rinise time, pasak qene ne nje burg me pader Zefin...Madje une paskam njohur, qe nga feminija e larget, dhe xhelatet e tij injorante, xhahile dhe njekohesisht krejt te justifikueshem : Dul Rrjollin dhe Dulaq Lekiqin...Te dy i mbaj mend tek ecnin neper qytet, te frikshem, grotesk, xhelate, te cileve ia kishin friken i gjithe qyteti...Por gjerat ne jete, ashtu si dhe vete jeta njerzore, jane shume me te komplikuara nga ç’duken: ne femijet loznim se bashku me femijet e Dulit e te Dulaqit ,ngase dhe ata qene femije, si gjithe femijet e tjere.Qene shoket tane te feminise,xhagajdure,plot humor...Madje dhe baballaret e tyre nuk qene veç ata xhahilet brenda qelive; qene dhe ata njerez me nje humor te çuditshem, nje humor pagan dhe te pakultivuar, por parpe humor, dhe prej shakave te tyre shqyheshin gazit, po ata njerez qe ua kishin frike... Edhe pader Zefi ne librin e tij te Ferrit keshtu i tregon: barbare dhe gaztore njekohesisht, çnjerezore dhe ndonjehere me nje shkrepje te çuditshme njerzore. Neither black,nor white, yet both- siç do thoshte Shakespeare...Madje keta dy xhahile shpesh sherbenin dhe si kritiket e vetem letrare dhe estetet e vetem te qytetit...Jo me kot drejtori i Kinemase se qytetit,kur donte te lavderonte nje film me lufte, u thonte njerzve se aksh film me lufte asht aq i bukur, sa e kane pelqy dhe shoket Dul dhe Dulaq...Dhe ja,krejt paprite,emnat e tyre me dalin ne historite, qe tregon pader Zefi...Dhe jo vetem emnat e tyne...

Dhe krejt paprite e kuptoj se une jam bashmoshatar me pader Zefin.Te gjithe ne jemi bashkmoshatare me pader Zefin. Historia ka ndodhe krejt prane nesh, per mos me thane brenda nesh...Ne nuk mund te themi se jeta ndodhi pa ne…Perkundrazi…Historia e treguar nga pader Zefi asht nje histori njerzore, e bame nga njerezit, dhe jo nga datat dhe emnat e organizatave a te institucioneve kombetare,nderkombetare a nderplanetare…Ajo asht historia e treguar me aq vertetsi dhe me aq mjeshtri rrefimtare ...E treguar shi ne kohen tone te fallsifikimeve te perbindshme.Ne kohen tone kur nuk te bahet te besosh ne asgja...Jemi te gjithe moshatare me historine e ketij vendi qe quhet Shqipni... Madje shpesh me jepet te besoj se edhe im bir eshte moshatar me pader Zefin, sepse i ruaj si kujtimin me te vyer te Shqipnise fotgrafine e pagezimit te tij ne nje kishe te Tiranes.Quhet kisha e Shna Nout. Krejt prane fytyres engjellore te foshjes, eshte nje prift qe i qeshet. Neser do t’i them se emni i priftit qe e ka pagezu, dhe qe i qeshet me kaq shume drite, quhet pader Zef Pllumi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

At Zef Pëllumbi Empty Re: At Zef Pëllumbi

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi