Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: PIKËLLIMI DHE PËLLUMBI I VERDHË

Shko poshtë

Vullnet Mato: PIKËLLIMI DHE PËLLUMBI I VERDHË Empty Vullnet Mato: PIKËLLIMI DHE PËLLUMBI I VERDHË

Mesazh nga Agim Gashi Sat Apr 03, 2010 10:13 pm

Vullnet Mato: PIKËLLIMI DHE PËLLUMBI I VERDHË 25749_1218718639280_1568334934_30444186_409628_n


Vullnet Mato: PIKËLLIMI DHE PËLLUMBI I VERDHË 22665_1163900988873_1568334934_30345381_3410171_n
Vullnet Mato

PIKËLLIMI DHE PËLLUMBI I VERDHË
Fragmenti i – 10 – nga romani “MARRËZIA E MADHE”

Tashmë në qiellin e tymosur të Tiranës, breshëritë e krismave kishin filluar të rralloheshin. Por prapëseprapë, vazhdonin të ndiheshin ca shkrehje sporadike armësh nga periferitë, si Sauku, Kamza, Yzberishti apo Linza.
Pikërisht, atëherë kur dukej se gjithçka ishte qetësuar dhe njerëzit filluan të dilnin lirisht nga burgu i gjatë shtëpiak, pati ngjarje krejt të papritura. Disa banda të fshehura nëpër shkurret dhe bunkerët e socializmit, kishin veshur uniforma ushtarake të grabitura nëpër magazinat e reparteve dhe kishin vënë mbi supe spaleta të oficerëve madhorë. Duke vërtetuar më së miri se në kohë rrëmujash, djalli i krimit vazhdon të kërkojë pushtet. Dhe për tu kujtuar tiranasve se ishin ende zotër të plotfuqishëm të situatës, ata gjuanin herë pas here në drejtime qiellore me breshëri të shkurtra. Kësisoj plumbat qorr ishin bërë tani si ata zagarët e pabesë, që kafshonin tinëz ndonjë njeri të shkujdesur në rrugë, apo ndonjë bagëti në kullotë. Por ajo që ndodhi më datën njëzeteshtatë prill, i la pa mend të gjithë personazhet e kapitujve të shkruar deri në këtë faqe të librit.
Kalimtarët, që panë një trup të shtrirë në trotuarin përballë Lanës, pesëqind metra poshtë vendit ku Ximi vrau veten, lajmëruan menjëherë urgjencën e spitalit të Tiranës. Dhe autoambulanca që arriti pas pak, e çoi burrin e panjohur në reanimacion. Sipas ekspertizës mjekësore, plumbi i rënë me forcë nga lartësitë qiellore, e kishte goditur viktimën në regjionin temporal, duke i shpuar tejpërtej korteksin motor anësor dhe ai kishte vdekur brenda pak minutave.
Pasi u bë verifikimi i nevojshëm dhe u lajmëruan familjarët e tij, me interesimin direkt të Irfanit, Hulusiut, Manolit dhe të disa shokëve të tjerë, pothuajse të gjitha gazetat e së nesërmes, botuan një nekrologji të shkurtër. Ku binte në sy lajmi i përkufizuar me kornizë të zezë, se një plumb qorr i mallkuar, kishte goditur në kokë profesorin e nderuar Reit Radomi. Teksa kishte dalë pasdite nga zyrat e shtëpisë botuese “Planet” dhe po ecte përgjatë trotuarit buzë Lanës, për të shkuar në shtëpinë e tij.
Kuja kishte pllakosur papritmas shtëpinë e çiftit Radomi. Zana dhe Elvira ishin bërë si të çmendura, duke ulëritur aq fort, sa kishin ngritur në këmbë të gjithë lagjen. Madje Zanës i kishte rënë dy herë të fikët dhe kishin thirrur mjekun. Radhët e gjata të njerëzve të afërm dhe të njohurit e shumtë, që dyndeshin nëpër dhomat mortore, për t’i bërë nderimet ngushëlluese familjes së të ndjerit Reit, nuk reshtën deri të nesërmen. Dhe të gjithë shprehnin mahnitjen e tyre për këtë rast fatkeqësie krejt të papritur.
Në mesditën tjetër, kortezhi i përmortshëm çoi në varrezat e Shishtufinës arkivolin e zbukuruar me shumë kurora lulesh të shoqëruar nga miqtë dhe shokët e të ndjerit profesor. Teksa pensionisti Hulusi Dizdari lexonte fjalët e lamtumirës së fundit, dukej sikur tashmë paqja kishte hedhur mjegullën e saj mbi atë varrezë pranë Dajtit, rreth së cilës me ditë të tëra kishin oshtirë plumbat.
Midis personave të helmuar për vdekjen e parakohshme të Reit Radomit, ndodhej edhe poetesha e re Alma Visha e veshur me një pardesy të zezë. Mbi fytyrën e saj të bukur kishte rënë një hije e thellë pikëllimi. E goditur rëndë në zemër e në shpirt, ajo qau bashkë me të përloturit e tjerë, si për njeriun më të shtrenjtë të jetës së saj. Dhe nuk po e kuptonte dot se si gjërat aq të shtrenjta, mund t’i humbisje brenda një çasti të vetëm.
Por Alma u trishtua ca më tepër pas dy ditësh, kur shkoi për ngushëllim te shtëpia e Reitit, si shumë ish nxënës të tij. Aty mori vesh edhe lajmin e hidhur për Zanën, e cila, pas traumave të përsëritura, kishte kaluar në një depresion aq të rëndë, sa e kishin shtruar urgjent në spitalin neurologjik. I erdhi keq sinqerisht, për fatkeqësinë e saj dhe u ndie tejet e rënduar në ndërgjegje. Duke menduar me keqardhje, se kishte mënjanuar nga dashuria bashkëshortore një grua, e cila ishte jo vetëm tërësisht e pafajshme, por edhe shumë fisnike. Aq më tepër, mbetej e vlerësuar prej saj, tani që Zana nuk arriti të fajësojë njeri për rrëmbimin e asaj zemre të madhe, që iku në varr bashkë me Reitin dhe ajo s’do ta merrte vesh kurrë.
Alma shtatzënë, nga takimet me të dashurin e saj në ditët e pajtimit kombëtar, kishte arritur të rrëmbente shpërthimin e parë të shatërvanit, gjatë kalërimit mbi trupin e tij dhe priste tashmë fëmijën që pati premtuar. Në janar të nëntëdhjetetetës ajo lindi një djalë të çuditshëm. I cili, ndryshe nga flokët dhe sytë e zinj të nënës, kishte flokët biond dhe sytë gri të babait.
Mamaja Rukie Visha çoi dëshminë e maternitetit Nr.2 në gjendjen civile dhe e regjistroi vogëlushin me emrin Reit Visha. Pasi kishte deklaruar aty, se e bija ishte përdhunuar nga një ushtar i panjohur, që e kishte kërcënuar me armë gjatë trazirave të marsit të kaluar. Kjo alibi ishte pranuar pa mëdyshje nga administrata e minibashkisë, për shkak të vet kohës së rëndë kur deklarohej se kishte ndodhur ngjarja. Dhe këtu mbyllet për Almën i gjithë hidhërimi tronditës i marsit, me një gëzim të ri. Ajo qau gjatë për njeriun e shtrenjtë të zemrës, por në fund e ngushëlloi veten me mendimin, se një muaj me një dashuri të madhe, ishte më tepër nga një jetë me disa dashuri të vogla. Dhe sytë e saj ishin shterur lotësh, sidomos tani, kur ajo përkëdhelte Reitin e vogël, që gugatej në prehrin e saj, si një pëllumb me push të verdhë. Veçse, bashkë me vdekjen e Reitit, vdiq përgjithmonë edhe aftësia e Almës për të dashuruar.
Por mendimi sërish rikthehet padashur te fundi tragjik i Reit Radomit të paharruar. Me sa mund të kuptohet, plumbi i tmerrshëm kishte fluturuar qindra kilometra përpjetë qiellit, për t’u kthyer teposhtë me një fuqi vrastare aq të përbindshme. Sa me majën e tij të mprehtë të shponte mburojën kockore të trurit njerëzor. Dhe me probabilitet aq të rrallë, të gjente midis mijëra qytetarëve të lëshuar rrugëve atë pasdite të frymëmarrjes tiranase, pikërisht profesorin e mençur dhe babaxhan. Për të populluar më tej varrezat e kryeqytetit, tejet të ngjeshura nga mbingarkesa e fundit. Në arsyetimin e parë, mund të duket një rastësi e çuditshme. Por kjo kohë dhe jeta e saj e përditshme, ishte me rastësi nga më të çmendurat. Dhe çudirat e panumërta, treguan edhe rastësi të tjera më të pabesueshme se kjo.
Atëherë, nuk mund të mos mendohet, se sa shumë i habitshëm kishte qenë rrengu që i sajoi fati Reit Radomit në përmbylljen e jetës së tij. Kur dimë, se pas lumturisë së papritur që i dhuruan të ashtuquajturat fuqi hyjnore, tani veprimet e tyre mistike, që e morën para kohe, duke sjellë në jetë një Reit fare të ri, kishin qenë krejt të pashpjegueshme. Ndoshta, për t’i ndërprerë të moshuarit dashurinë e vonuar me një vajzë të re, sa pa shpërthyer ndonjë skandal, nga i cili do të humbiste emrin e mirë. Ndoshta edhe për t’i dhuruar djalin e ëndërruar babait shpirtmadh, që të mos vdiste me një vajzë të vetme. Por edhe ndoshta njeriu jeton një histori të fshehtë dashurie bashkë me engjëllin e vdekjes... Sidoqoftë, këtë mister mund ta di me saktësi vetëm fati misterioz që e sajoi, qysh nga zanafilla e lumtur, deri te përfundimi i kobshëm. Por një gjë dihet me siguri, se kur dy njerëz të dashur nuk mund të rrinë dot as bashkë, as të ndarë, bashkimi ndodh vetëm në qiell. Reiti u nis i pari, për të shtruar shtratin e ri, me çarçafët e purpurt të mjegullnajave kozmike.
Kështu me kalimin e kohës, marrëzia e madhe e marsit do të mbetej si një dëshmi e hidhur e një egërsie të dhimbshme. E paharruar kurrë, për ata që i rrëmbeu ajo vorbull marramendëse e fundshekullit të njëzetë dhe mundën ta përballojnë dhimbjen e saj me një stoicizëm fytyrëngrysur. Megjithatë, kur nis e i përket së kaluarës, koha zhvleftësohet pak nga pak dhe vetëm të ngushëllon e të bën mospërfillës. Por tekefundit, shumë njerëz arritën të kuptojnë thelbin kryesor të asaj që ndodhi. Faktin, se Shqipëria qejflie për burra topemëdhenj, pandehu se ia hodhi komunizmit të sëmurur nga impotenca dhe shpëtoi pa ngrënë dackat e kuqe të tij. Për fajin e atij divorcit të papritur që i bëri në mëngjesin e nëntëdhjetës, duke i rrëshqitur nga shtrati tinëz, për t’u hedhur në krahët muskulor të kapitalizmit sevdalli. Mirëpo, ajri i molepsur nga poleni i thirrjeve të vijës së masave, nga rezonancat e britmave të luftës së klasave dhe nga oshtimat e poligoneve të qitjes, do të merrte hak, duke shpërthyer lulëkuqet e gjakut, në tollovinë e marsit tragjik të shtatë vjetëve më vonë. Sepse atmosfera e zbehtë e së shkuarës shtrihej deri pas horizontit të ndritshëm të atmosferës së ardhme. Dhe të dyja ishin atakuar papritmas, si dy re të ngarkuara me elektricitet të kundërt që shkaktojnë shpërthimin e njëra-tjetrës.
Megjithatë, ishte gjë e mirë për këdo të kuptonte më kryesoren, se asgjë nuk quhej e humbur, përderisa jetoje akoma.


FUND
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi