Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Historia e lashtë

Shko poshtë

Historia e lashtë Empty Historia e lashtë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 04, 2009 12:38 pm

BANORËT E HERSHËM TË VENDIT TONË

1. Banorët e tejlashtë të vendit tonë dhe mënyra e tyre e jetesës

Trualli i banuar sot nga shqiptarët filloi të popullohej shumë herët, që në kohën e paleolitit (gurit të vjetër), mbi 100.000 vjet më parë. Në fillim u banuan ato zona që ishin në kushte gjeografike më të përshtatshme.

Në shqipëri, banimet më të hershme janë vërtetuar në shpellën e Gajtanit (Shkodër), në Konispol, në malin e Dajtit dhe në vendbanimin e Xarës (Sarandë).

Njerëzit primitivë jetonin në grupe të veçuara, kryesisht nëpër shpella të thella, pa lagështirë dhe të mbrojtura nga erërat. Veglat e punësi punonin me gurë stralli dhe më rrallë prej kocke. Prej këtyre gurëve , me anë të ashkëlzimit nxirrnin pjesë më të vogla e më të mprehta guri për t’i përdorur si gërryese, shpuese etj. Si vende për të përpunuar gurin shfrytëzoheshin hyrjet e shpellave dhe terrenet pranë lumenjve. Sidoqoftë, veglat e asaj epoke ishin ende të thjeshta dhe të krijuara kryesisht prej guri. Njerëzit primitivë ushqeheshin me produkte të mbledhura në natyrë dhe me gjah kafshësh të egra.

Për shkak të kushteve të vështira në të cilat jetonin,. Njerëzit e paleolitit kanë pasur një mesatare jete shumë të shkurtër, rreth 21-30 vjeç, me një vdekshmëri më të madhe te fëmijët.

Lufta e përbashkët për të përballuar jetën çoi në forcimin e lidhjeve të pjesëtarëve të çdo grupi, në ndryshimin e organizimit të njerëzve primitivë, të cilët nga fundi i paleolitit kaluan në grupime me lidhje gjaku, në martesën me grupe, ku prejardhja e fëmijës përcaktohej vetëm nga nëna. Filloi kështu organizimi i shoqërisë matriarkale, e cila mori formë në periudha të mëvonshme, në kohën e neolitit (guri i ri), 6000-3000 vjet, p.k. (para Krishtit).

Popullimi i krahinave të banuara sot nga shqiptarët u rrit shumë në periudhën neolitike. Njerëzit filluan të braktisin shpellat dhe të përqëndroheshin në vende të hapura. Banorët neolitikë pëlqenin më shumë të ndërtonin kasollet e tyre në fusha dhe në terraca lumore. Janë të njohura një numër i madh vendbanimesh të tipit palafit, dyshemetë e të cilave viheshin mbi trarë të ngulur në fundin e liqenit.

Banorët e hershëm, nga jeta endacake e kohës paleolitike kaluan në vendbanime shpeshherë të qëndrueshme, me ekonomi kryesisht bujqësore. Ata njihnin dhe përdornin drithërat kryesore, si elbin, melin, grurin etj. Kjo u shoqërua edhe me liulëzimin e sistemit matriarkal, ku rolin drejtues të ekonomisë e të jetesës e kishte gruaja. Në këtë epokë u kalua në një formë të re martese, në martesën me çifte.


2. Zbulimet e hershme teknike

Ndër shpikjet më të rëndësishme të kohës së paleolitit është zbulimi i zjarrit, i cili i ndihmoi shumë banorët e lashtë për të përmirësuar ushqimin dhe për t’u ngrohur. Pjekja dhe zierja e ushqimit me anën e zjarrit solli ndryshime cilësore në organet tretëse të njeriut.

Ndryshimet në ekonomi dhe në organizimin shoqëror të kohës së neolitit ndikuan për zbulime të tjera teknike, të mëdha për lashtësinë. Njerëzit mësuan të punonin enët prej balte, të cilat shpeshherë i zbukuronin me një shije të vërtetë artistike, mësuan t’i tirrnin dhe të thurrnin pëlhura që i përdornin për veshje, shtrojë e mbulesë, filluan të ndërtonin kasollet e para që kishin dysheme të shtruara me argjil dhe ishin të rrethuara me thupra e kallama të lyera me baltë nga jashtë për t’u mbrojtur nga era e i ftohtit.

Në kohën neolitike, veglat e punës, veçanërisht ato prej stralli, u përsosën shumë, në krahasim me kohën e mëparshme. U shpikën vegla të reja pune. Për bluarjen e drithit u shpikën gurët e blojës, për punimin e tokës filloi të përdorej shati i përgatitur prej brirëve të drerit. Me këta brirë bënin edhe çekanë. Gjuetia e peshkut u rrit dhe u përmirësua me krijimin e rrjetave dhe të grepave për zënien e tij. Po kështu u përgatitën edhe mjete të tjera për gjuetinë e kafshëve të egra.

Ekonomia në kohën neolitike u gjallërua më tej me zbutjen e kafshëve të egra e kthimin e tyre në kafshë shtëpiake. Gjuetia i ndihmoi njerëzit e kësaj kohe të zbutnin delen, dhinë, kalin, qenin.

Të gjitha këto arritje forcuan lidhjet e grupeve gjinore të njerëzve primitivë, përmirësuan lidhjet me grupet e banorëve të tjerë dhe nxitën marrëdhëniet e këmbimit në mes tyre, deri edhe në krahina të largëta.

Në kohën pasardhëse, në atë eneolitike (të bakrit) 3000-2100 vjet para Krishtit (p.K.), u bënë ndryshime të reja. U krijua ndarja e ekonomisë blegtorale nga ajo bujqësore. Disa grupe banorësh merreshin kryesisht me bujqësi dhe grupe të tjera merreshin me blegtori. Blegtorët qenë më shumë banorë endacakë. Këta filluan të popullonin përsëri shpellat. U krijuan vendbanime të reja edhe në qendra të hapura malore. Popullimi i krahinave u rrit edhe më shumë.

Risi teknike e madhe e kësaj kohe ishte fillimi i punimit të veglave të punës prej bakri. Shoqëria njerëzore hyri kështu në një epokë të re, në atë të punimit të metaleve. Po kështu toka filloi të punohet me parmendë, duke përdorur kafshët tërheqëse, kalin dhe qetë. Ekonomia blegtorale i dha përparësi punës së burrave.
Filloi të dobësohej shoqëria matriarkale dhe rolin e drejtimit në ekonomi dhe në grupet shoqërore filluan ta merrnin burrat. Lindi kështu në epokën eneolitike shoqëria patriarkale, e cila u forcua më shumë në epokën e bronzit (2100 – 1100 p.K.) dhe në atë të hekurit (mijëvjeçari i fundit p.K.)


3. Pellazgët

Pellazgët njihen si banorët më të lashtë parailirë e paragrekë. Shkrimtarët e lashtë grekë Homeri, Herodoti etj, tregojnë për shtrirjen, për mënyrën e jetesës dhe për gjuhën e tyre. Ata patën një shtrirje të gjerë që nga Ballkani i Jugut e deri në Azi të Vogël.

Heroditi, historiani i lashtë grek i shek. V p.K. jep disa të dhëna për pellazgët që jetonin në Greqi. Sipas tij, gjuha e pellazgëve ishte e ndryshme nga gjuha greke. Ata merreshin me bujqësi e detari. Ishin edhe mjeshtër të mirë ndërtimi.

Pellazgët ngritën murin që rrethonte akropolin e Athinës dhe për këtë athinasit u dhanë atyre si shpërblim disa toka në Atikë, të cilat edhe pse ishin të pavlefshme, ata i kthyen në toka të mira bujqësore.

Për pellazgët dhe karakterin etnik të tyre janë dhënë mendime të ndryshme nga studiuesit, ndonjëherë edhe kontradiktore. Që në shek. XVII, veçanërisht në periudhën e Rilindjes Shqiptare, te studiuesit shqiptarë dhe të huaj zotëroi teoria e lidhjes së pellazgjishtes me shqipen. Përkrahës i flaktë i kësaj teorie ka qenë gjuhëtari austriak Han (Hahn). Por ka edhe studiues të tjerë që e kundërshtuankëtë.

Në studimet e arkeologëve dëshmohet se shtrirja e dokumentuar e pellazgëve përputhet me kompleksin kulturor arkeologjik ballkano-egjean të periudhës së eneolitit dhe supozohet se ky kompleks i takon popullatës pellazgjike, si paraardhëse e ilirëve.



PELLAZGËT NË SHKRIMET E AUTORËVE ANTIKË

1. Pellazgët kishin zakon t’u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse e mësova në Dodonë; dhe nuk kishin për ta ndonjë emër, pasi nuk i ka dëgjuar njeri t’i thërrisnin me emëra. Ata i thirrnin në përgjithësi si perëndi, për arsye se, pasi kishin vënë të gjitha gjërat në rregull, mbanin ligjet e gjithësisë. Herododi, shek. V p.K.

2. Orakuléli ishte më përpara afro Skotusës, qytet i krahinës Pellazgiotis. Mbasi lisi u dogj prej dikujt me porosinë e Apolonit, orakulli u transferua në Dodonë. Jepte porosi jo me fjalë, por me simbole si orakulli i Aonit në Libi, duke u nisur nga fluturimet e veçanta të tre pëllumbave, sipas të cilëve profetët nga pellazgët. Për këta të fundit flitet se kanë qenë më të vjetrit nga të gjithë ata që sunduan në Helladë. Sarboni. Shek.I
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e lashtë Empty Origjina e Ilirëve

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 04, 2009 12:39 pm

1. Origjina e Ilirëve

Popujt që u bënë më të njohur në historinë e lashtë të Ballkanit janë grekët, ilirët dhe trakët. Ilirët janë ndër banorët më të lashtë të Gadishullit Ballkanik. Ata janë autoktonë. Kulturën, gjuhën dhe tiparet antropologjike ilirët i formuan në vendin e tyre, në pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, aty ku shkrimtarët antikë i përmendin në veprat e tyre.

Trevat e shtrirjes së popullsisë ilire janë mjaft të gjera; ato përfshijnë të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit të Ballkanit, që nga degët e Danubit, lumenjtë Sava e Drava, në veri, e deri te Gjiri i Ambrakisë (Prevezë), në jug, kurse në lindje deri në Vardar. Grupe të veçanta ilirësh u vendosën edhe në Italinë e Jugur. Këto janë fiset mesapet dhe japige.

Emri etnik ILIR shfaqet në veprat antike që në shek. V p. K. Kurse emrat e disa fiseve ilire fillojnë e përmendën që në shek. XII nga Homeri. Por koha e formimit të etnosit ilir është më e lashtë.
Fillimet e origjinës ilire janë që në mesin e mijëvjeçarit të dytë p.K., që nga periudha e bronzit të mesëm, kur fillojnë të formohen tiparet etnike ilire. Në epokën e hekurit (mijëvjeçari i fundit p.K.) ilirët u formuan plotësisht, duke trashëguar nga epokat më të hershme eneolitike dhe të bronzit tipare kulturore gjuhësore e antropologjike etnike.

Teoria e vjetër që i bëri ilirët të ardhur nga Evropa Qendrore, në shekujt XII – XI p.K., është rrëzuar nga studimet e kryera pas Luftës së Dytë Botërore. Vetë fakti që varrimet me urna, karakteristike për popujt e Evropës Qendrore, nuk janë tipike për trevat e shtrirjes së ilirëve, por ndeshen vetëm në zona të kufizuara, të rralla, dëshmon kundër teorisë së ardhjes së ilirëve në Ballkan nga veriu.

Gjurmët e kulturave të Evropës Qendrore, që ndeshen në Iliri, janë rezultat i kontakteve kulturore, tregtare e të lëvizjes së artizanëve të punimit të metaleve.


2. Fiset kryesore ilire

Ndër fiset më të përmendura ilire janë: taulantët, ardianët, dardanët, paionët, dalmatët, albanët, penestët, molosët, kaonët, thesprotët etj.

TAULANTËT. Banonin në zonën e Adriatikut, që nga lumi Vjosa, deri në prapatokën e Dyrrahut. Ky fis luajti një rol shumë të rëndësishëm në historinë ilire të shek. IV – III p.K., duke u vënë në krye të shtetit ilir, të cilin e kishin krijuar më parë enkelejtë. Në trevat e taulantëve më vonë shfaqet fisi i Albanëve dhe i Parthinëve.

ENKELEJTË. Banonin në krahinat përreth liqenit të Ohrit. Ata krijuan dinastinë e parë të mbretërisë Ilire, në fund të shek. V p.K. Një nga qytetet e tyre kryesore ishte Enkelana. Pas shek. IV ata nuk përmenden më. Në trevat e fisit të enkelejve përmenden edhe dasaretët. Enkelejtë kanë qenë peshkatarë të zotë.

DASARETËT. Janë një fis i madh në Ilirinë Juglindore. Njiheshin në lashtësi sidomos për prodhimin e drithërave të bukës. Një nga qytetet më të njohura ishte Pelioni (qyteza në Selcë të Poshtme të Pogradecit). Qytet tjetër i madh i këtij fisi ishte edhe Antipatra (Berati).

ALBANËT. Banonin në prapatokën e qytetit të Dyrrahut. Kryeqendra e tyre ishte Albanopoli (Zgërdheshi i Krujës). Fisi i albanëve i dha emrin e vet shqiptarëve, gjatë mesjetës së hershme, kur ata njihen si albanë, arbër.

ARDIANËT. Fillimisht shtriheshin rreth gjirit të Rizonit dhe të lumit Neretva. Ardianët e shtrinë pushtetin e vet në të gjitha krahinat e tjera që më parë ishin nën sundimin e taulantëve. Ardianët luajtën një rol shumë të madh në luftërat kundër pushtuesve romakë, gjatë shek. III – II p.K., në kohën kur sundoi dinastia ardiane e Mbretërisë Ilire. Kryeqendra e ardianëve ishte Shkodra.

DARDANËT. Ishin fisi më i madh ilir që u vu në krye të Mbretërisë Dardane, në Ballkanin Qendror, kryesisht në Kosovë. Dy fise të tjera dardane të njohura ishin thunatët dhe galabrët. Qyteti më i rëndësishëm i dardanëve ka qenë Damastioni, i njohur si kryeqendër e nxjerrjes së metaleve. Dardanët përmenden si luftëtarë të fortë, xehetarë shumë të mirë, blegtorë dhe tregtarë të njohur.

PAIONËT. Fise ilire që banonin në luginën e sipërme të Vardarit në kufi me dardanët, duke u shtrir deri tek lumi Struma. Përmenden për herë të parë nga Homeri, si aleat të trojanëve. Në gjysmën e parë të shek.IV paionët krijuan mbretërin e tyre, e cila u detyrua t’u bëjë ballë për shumë kohë sulmenve të maqedonasve. Paionët prenë në shek.IV-II p.K. monedhën e tyre prej argjendi.

DALMATËT. Banonin në brigjet e Adriatikut. Ishin blegtorë të njohur, shquheshin për punimin e llojeve të ndryshme të veshjeve prej liri e leshi. Veshja e njohur me emrin dalmatika në shekujt e parë u përdor edhe nga aristokracia romake, prej nga kaloi edhe në veshje rituale kishtare. Qyteti më i njohur i tyre ka qenë Delmini.

PENESTËT. Banonin në luginën e Drinit të Zi e përreth saj. Përmenden për herë të parë në vitet 170 – 169 p.K. Luajtën rol të rëndësishëm në Luftën e Tretë Ilire – romake. Përfshiheshin në Mbretërin Ardiane. Kishin 14 qytete e kështjella, ndër të cilat përmenden Uskana, Oeneu, Draudaku etj. Meqenëse pranuan garnizone romake në qendrat e tyre, maqedonasit ua shkurtuan vendin.

MOLOSËT. Janë një nga tri fiset kryesore që banonin në qendër të Epirit antik dhe që luajtën rol shumë të rëndësishëm drejtues në historinë e lindjes dhe të formimit të shtetit të Epirit.

KAONËT. Ky fis epirot kishte shtrirje të gjerë, që nga lumi Thyamios (sot lumi Kallama), deri në luginën e Drinosit, në Gjirokastër. Kryeqendra e kaonëve, Foinike (Finiqi i Sarandës), në shek. III p.K. u bë kryeqendra e gjithë shtetit të Epirit. Qytet tjetër i madh i kaonëve ishte Antigonea (Saraqinishti i Gjirokastrës).

THESPROTËT. Banonin në Epir, në jug të lumit të sotëm Kallama, deri në gjirin e Ambrakisë. Përmenden në shkrimet e lashta që nga shek. V p.K., si fis që sundoheshin nga dy kryetarë të zgjedhur çdo vit nga gjiri i parisë.

Fise të tjera të njohura janë edhe labianët (për rreth liqenit të Shkodrës), pirustët (në Mirditë) dhe parthiniet në ultësirën bregdetare të Adriatikut.

...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e lashtë Empty Krijimi i Mbretërisë Dardane

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 04, 2009 12:40 pm

Historia e lashtë Flamuri-kosoves
1. Krijimi i Mbretërisë Dardane

Në shek. IV p.K. u krijua Mbretëria Dardane, e cila shtrihej në territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri te qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Mbreti i parë dardan që njohim, është Longari. Pas tij erdhën mbretërit Bato dhe Monun.

Rolin kryesor në mbretëri e luajti fisi i dardanëve. Në këtë mbretëri bënin pjesë edhe fise të tjera, ndër të cilat njohim galabrët dhe thunatët.

Dardania ishte e njohur në botën e lashtë për tokat e saj të gjëra e pjellore, për punimin e arit dhe për përpunimin e produkteve blegtorale. I njohur ka qenë veçanërisht djathi dardan.

Shoqëria ilire e dardanëve mbështetej në sistemin skllavopronar. Shkrimtarët antikë tregojnë se dardanët kishin aq shumë skllevër, sa vetëm njëri prej tyre mund të kishte deri në 1000 veta e ndoshta edhe më shumë. Secili nga këta skllevër punonte tokën. Në kohë lufte skllevërit merrnin pjesë në ushtri, duke pasur si prijës pronarin e tyre.

Mbretëria Darane kishte krijuar një ushtri të fuqishme dhe të organizuar shumë mirë. Veçori e luftëtarëve dardanë ishte se ata hidheshin të gjithë së bashku në sulm dhe po kështu së bashku tërhiqeshin me radhë të shtrënguar, duke mos lënë në sheshin e luftës as të plagosurit e tyre.

Forcat e kësaj ushtrie u treguan sidomos në shek. III p.K., kur dardanët qenë në gjendje të mbroheshin nga dyndjet e fuqishme të keltëve, të cilët zbritën nga Evropa Qendrore. Madje dardanët treguan gatishmërinë të ndihmonin edhe Maqedoninë, që të përballonte këto sulme.

Siç dëshmojnë shkruimtarët e lashtë, historia e mbretërisë Dardane është e mbushur me luftëra të pandërprera kundër Maqedonisë dhe më vonë kundër romakëve. Me mbretërinë Ardiane, dardanët mbajtën marrëdhënie miqësore, por patën edhe konflikte., të shtyrë nga aristokracia skllavopronare, që luftonte për interesa të ngushta, dhe kjo pati pasoja shumë të rënda ekonomike politike si për ardianët, ashtu edhe për dardanët.

Në mesin e shek. III p.K., kur sundonte mbreti Longar, ushtritë dardane u përpoqën të shtrijnë kufijtë e tyre deri në brigjet e Adriatikut duke shfrytëzuar faktin që ushtritë ardiane të mbretreshës Teuta ndodheshin në Epir. Ky operacion ushtarak fillimisht pati sukses, por me kthimin e ushtrive ardiane nga Epiri, dardanët u detyruan të lëshonin tokat e pushtuara e të ktheheshin në kufijtë e mëparshëm.
Pas kësaj Longari i drejtoi ushtritë e tij në jug dhe pushtoi tokat e Mbretërisë Paione, që ndodheshin në veri të kufijëve të Maqedonisë.


2. Luftërat e dardanëve kundër maqedonasve

Rreth vitit 231 p.K. luftimet ndërmjet dardanëve dhe maqedonasve morën përmasa të gjera, sa që mbeti i vrarë edhe mbreti maqedonas Dhimitri II. Pas vdekjes së tij, dardanët i shpeshtuan sulmet në Maqedoni, derisa Antigon Dozoni i detyroi të largoheshin nga mbretëria e tij. Kur mbreti maqedonas Filipi V ndodhej në luftë me grekët, në vitin 219 p.K., dardanët vërshuan përsëri kundër Maqedonisë. Ushtritë maqedonase u detyruan të ktheheshin në trojet e tyre dhen për të përforcuar kufijtë veriorë pushtuan qytetin më të madh të Paionisë, Bylazorën (Velesi).

Në vitin 216 p.K., ushtritë dardane ndërmorën një operacion të fuqishëm ushtarak kundër Maqedonisë, duke zënë 20.000 robër. Ata zbritën deri në fushën e Argos, në brigjet e lumit Haliakmon. Kjo fushatë u ndoq nga kundërsulme të reja që bëri Filipi V kundër dardanëve, duke u shkaktuar atyre humbje të rënda në ushtri.

Në vitin 200 p.K., mbreti dardan Bato, së bashku me ardianët e mbretër të tjerë ilirë, lidhën aleancë me romakët kundër Maqedonisë. Kjo i shtyu dardanët të ndërmerrnin sulme të reja në jug të kufirit të tyre.

Dardanët nuk pushuan luftërat për të çliruar tokat që ndodheshin në jug të mbretërisë së tyre, toka që dikur i përkisnin Mbretërisë Paione dhe që i mbante të pushtuar Maqedonia, duke u mbyllur kështu atyre rrugët tregtare që i lidhnin me krahinat jugore të Ballkanit.

Duke mos qenë në gjendje të ndërprisnin sulmet dardane, maqedonasit bënë marrëveshje me fiset kelte të bastarnëve, që këta të fundit të zhduknin popullsinë ilire të dardanëve dhe të vendoseshin vetë në tokat e tyre. Kjo gjë nuk u arrit. Dardanët i thyen ushtrit kelte dhe çliruan tokat që ata kishin pushtuar.

Edhe pasi u shkatërruan Mbretëria Ardiane dhe ajo e Maqedonisë, Dardania vazhdoi të ishte ende e lirë, ndonëse nga aleanca me romakët dardanët nuk arritën përfitimet e dëshiruara. Romakët nuk u dhanë tokat e Paionisë, por vetëm të drejtën për të tregtuar kripë.


3. Luftërat e dardanëve kundër romakëve

Luftërat e dardanëve kundër romakëve vazhduan për shumë vjet me ashpërsi shumë të madhe , në rrethanat kur senati romak synonte të shtrinte pushtimet e tij në të gjitha tokat ilire dhe të arrinte deri në Danub. Edhe pas shqetësimeve që u shkaktoi rifillimin e sulmeve kelte, dardanët i vazhduan inkursionet e tyre kundër Maqedonisë, e cila ishte kthyer tashmë në provincë romake.

Dardania u bë pengesë serioze për shumë vjet me radhë për ushtrinë pushtuese romake, të cilat nuk hiqnin dorë nga synimet e tyre. Megjithëkëtë në vitin 97 p.K., romakët arritën të vinin nën varësi të përkohshme dardanët dhe fise të tjera fqinje, të cilat më vonë i ripërtrinë forcat dhe u shkaktuan humbje të rënda romakëve. Aq të vështira ishin këto luftëra për romakët, sa kur konsulli romak Kurioni përgatitej me 5 legjione të nisej në luftë kundër Dardanisë, njëri nga këto legjione ngriti krye dhe nuk pranoi t’i bindej komandantit të vet të shkonte në këtë luftë që ushtarët e quanin të rrezikshme.

Romakët i krahasonin dardanët me kuçedrën e Lernës, e cila, edhe kur ia prisnin të gjitha kokat që kishte, i ringjallte përsëri. Me këtë krahasim ata shprehnin qëndreshmërinë e madhe të dardanëve ndaj kundërshtarit.

Pas luftrave të gjata me romakët, nga fundi i shek. I p.K., dardanët e humbën pavarësinë e tyre dhe hynë nën varësinë e plotë të Romës.



DARDANËT DHE DARDANIA SIPAS AUTORËVE ANTIKË

1. Galët u shtuan kaq shumë, saqë nuk i nxinte më toka ku kishin lindur. Emri i galëve kaloi kaq tmerr, saqë edhe ata mbretër që nuk ishin sulmuar ende, e blinin paqen me shuma të mëdha të hollash. Vetëm mbreti i Maqedonisë. Ptolemeu, e priti i shkujdesur lajmin e afrimit të galëve. Ai u soll në përbuzje ndaj propozimeve të dardanëve, të cilët i çuan fjalë se mund t’i jepnin 20.000 luftëtarë në ndihmë Kur ia thanë këto fjalë mbretit të dardanëve, ai u përgjigj se së shpejti mbretëria e lavdishme maqedonase do të binte nga papjekuria e një të riu të prapë. Pompei trogu (Justini) shek. I, p.K

.



2. Madje edhe burrat mbajnë në Ilirinë e sipëme të dorës rrathë ari, që vinin nga Dardania, dhe prandaj quheshin dardanë. Plini, shek. I





3. Dardanë janë edhe galabrët, te të cilët është një qytet i vjetër, dhe thunatët. Dardanët muzikën nuk e lënë mënjanë, po përkundrazi përdorin gjithmonë fyje e vegla me korda. Këta banojnë në thellësi të vendit. Straboni, shek. I





4. Konsulli K. Kurioni, në luftën e Dardanëve , kur njëri nga pesë legjionet, duke ngritu krye, iu shmang shërbimit ushtarak dhe tha se nuk kishte ndërmend të ndiqte komandantin e paparsyeshëm në një ekspeditë të vështirë e të rrezikshme, urdhëroi katër legjionet të dilnin të armatosur. Pastaj u dha urdhër ushtarëve të legjionit kryengritës të dilnin të paarmatosur.Pastaj u dha urdhër ushtarëve të legjionit kryengritës të dilnin të armatosur dhe të zbërthyer dhe në prani të ushtrisë tjetër i vuri të presin kashtë, u tërhoqi flamujt, u hoqi emrin dhe i shpërndau ushtarët në legjionet e tjera. Frontini, shek, I


5. Megjithëse Antoni i shkretoi viset e dardanëve dhe të fqinjëve të tyre, ai nuk guxoi të pengonte kalimin e tyre dhe, në një rast tjetër, kur ai u tërhoq me kalorësit, dardanët i dëbuan me forcë prej vendit këmbësorët e rrethuar, duke u marrë edhe plaçkën (viti 59 p.K.) Dion Kasi, shek. II





FJALOR

Konsull – Në Romën e vjetër, titull shtetëror me detyra të larta
Legjion – Njësia më e madhe e ushtrisë romake
Provincë – Në Romën e lashtë territori i pushtuar i popujve të tjerë, i drejtuar nga mëkëmbës romakë
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Historia e lashtë Empty Re: Historia e lashtë

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi