Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Presidenti Obama: “Është nder për mua të takohem me Papën”

Shko poshtë

Presidenti Obama: “Është nder për mua të takohem me Papën” Empty Presidenti Obama: “Është nder për mua të takohem me Papën”

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 04, 2009 9:34 pm

Presidenti Obama: “Është nder për mua të takohem me Papën”

04-07-2009 / Radio Vatikani

Një tur diplomatik me fushë të gjerë veprimi, i pasur me takime, që do të arrijë kulmin me vizitën private tek Papa e me praninë në G8 të Akuilës. Këto do të jenë veprimtaritë kryesore të presidentit amerikan, Barak Obama, gjatë udhëtimit të tij në Rusi, Evropë e Afrikë. Dje Obama u takua me gazetarët në një tryezë të rrumbullaktë, me pjesëmarrje të kufizuar. “Barak Obama shpreson t’i sjellë Atit të Shenjtë pohimin lidhur me impenjimin e Vendeve të G8 për shtimin e ndjeshëm të ndihmave ndaj Vendeve më të varfëra, që po e mbartin në mënyrë të shpërpjestuar barrën e rëndë të krizës ekonomike botërore. Presidenti amerikan e quajti ‘nder’ audiencën me Papën Benedikti XVI, në program për javën e ardhshme, dhe theksoi se shpreson që takimi do t’i japë mundësi të përcaktojë zonat, ku SHBA-së e Selia e Shenjtë mund të bashkëpunojnë, duke nisur nga paqja në Lindjen e Mesme tek lufta kundër varfërisë, nga ndryshimet klimaterike tek emigracioni: të gjitha tema - saktësoi Presidenti amerikan – për të cilat Papa ka ndërmarrë nisma të jashtëzakonshme . “Pata një bisedë të mrekullueshme telefonike me Atin e Shenjtë, menjëherë pas zgjedhjes sime” – kujtoi me entuziazëm Obama. Më pas pranoi se ka edhe tema për të cilat nuk është njëmendjeje me Papën, si me çdo kryetar tjetër shteti, por kjo – shtoi – është shumë më tepër se një lidhje ndërmjet dy qeverish: Kisha katolike ka një ndikim tejet të thellë në të gjithë botën e edhe në vendin tonë; Ati i Shenjtë është lider i njohur në fusha të ndryshme e ndikimi i tij fetar shtrihet shumë përtej kufijve të Kishës katolike.

Lidhur me Lindjen e Mesme, Obama u shpreh si Papa, sidomos për sigurimin e një paqeje të qëndrueshme e të drejtë në Tokën Shenjte. Pranoi edhe se një pjesë e mirë e përgjegjësisë për situatën e amullisë në bisedime, bie mbi Izraelin, i cili nuk pranon ta ndalojë zgjërimin e ngulimeve në Çisjordani. E kemi plotësisht të qartë – tha Presidenti amerikan – se ngulimet hebraike duhen ndaluar. Por Obama nuk harroi të vinte theksin edhe mbi detyrimet e palestinezëve: “Duam t’i inkurajojmë - shpjegoi - ta refuzojnë dhunën e t’i japin fund një herë e mirë nxitjes së urrejtjes, që për fat të keq, vijon akoma në shumë bashkësi palestineze. Pyetjes mbi rrugën që mund të marrin qëndrimet e ndryshme të shoqërisë amerikane mbi abortin, Barak Obama iu përgjigj se nuk duhen ushqyer shpresa të kota e se ndryshimet nuk do të zhduken vetëm me dialog. E di se në disa pika kundërvënia është e papajtueshme – tha – e gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është të pohojmë se ka njerëz vullnetmirë nga të dyja anët e debatit e se mund të gjinden elemente, mbi bazën e të cilave mund të punohet së bashku. Ndërmjet këtyre elementeve, Obama kujtoi nevojën për t’i ndihmuar të rinjtë të marrin vendime, që parandalojnë shtatzanitë e padëshiruara, rëndësinë e fuqizimit të bijësimit, si alternativë e abortit dhe kujdesin për gratë shtatzëna. Presidenti amerikan shpjegoi, më pas, se ka qenë e vijon të jetë fuqimisht i frymëzuar nga mësimet e drejtësisë shoqërore të Kishës, të cilat i pa të vëna në jetë në Çikago nga kardinali Bernardin, ndonëse druhet se një pjesë e tyre u dëmtuan rëndë për shkak të debatit mbi abortin.

Administrata Obama është shprehimisht në favor të ligjërimit të abortit e një nga veprimtaritë e para të saj ishte rifillimi i financimeve publike për Ong (Organizatat joqeveritare), të cilat japin ndihmesë edhe për abortin. Por Kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi dje edhe një masë, e cila parashikon kundërshtimin e abortit për arsye të ndërgjegjes nga punonjësit e spitaleve dhe të Ong katolike. “E mbrojta këtë në Asamblenë ligjvënëse në Illinois – kujtoi – e diskutova edhe me kardinalin Frensis Xhorxh dhe e përsërita gjatë fjalimit tim mbajtur në Universitetin Notre Dame. Prandaj mund të them se së shpejti do të përcaktojmë vijat drejtuese, që do të përmbajnë, të shprehur qartë, edhe mundësinë për ta kundërshtuar abortin për arsye të ndërgjegjes.

Obama shfrytëzoi rastin e takimit të djeshëm për të kujtuar ndihmën që ka marrë nga Italia në Afganistan, por nënvizoi se tani ky vend ka më shumë nevojë se kurrë për zhvillim ekonomik, infrastruktura, punë, tregti e arsim, në mënyrë që - tha Obama - t’i ofrohet popullsisë afgane një alternativë, për t’u larguar nga kultivimi i opiumit. Për këtë – tha në përfundim – do të flas edhe me kryeministrin Berluskoni gjatë punimeve të G8.

Etapat kryesore të shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Republikën e Çekisë, më 26 deri më 28 shtator 2009/Tri ditë në Republikën Çeke për të kremtuar Shën Vençeslaun, Pajtor i Kombit. Do të jetë kjo ngjarje e madhe, zemra e shtegtimit të ardhshëm apostolik të Benediktit XVI, që do të ndalohet për tri ditë, nga data 26 deri më 28 shtatorin e ardhshëm, në Pragë e vende të tjera të Republikës Çeke. Hollësitë për etapat e veçanta të këtij shtegtimi të ri të Papës, u bënë të njohura nga Salla vatikanase e Shtypit. “Do të jetë një festë krejt e veçantë, kjo që çekët do të kremtojnë sivjet për nder të Pajtorit të Çekisë. Me lutjet e tyre, në këtë kremtim të madh, do të bashkohet edhe Benedikti XVI, që do të jetë në vendin e tyre dy ditë para festës, për një vizitë tejet të ngarkuar me veprimtari e takime nga më të ndryshmet. Një orë pas arritjes në Pragë, e pikërisht në orën 12.30 të 26 shtatorit të ardhshëm, Papa do të jetë në Kishën e kryeqytetit, kushtuar Krishtit Fëmijë, për t’u dhënë çekëve përshëndetjen e parë. Pastaj, pasdite, do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentit Václav Klaus, për t’u takuar, më pas, me autoritetet civile, politike e diplomatike të kombit. Në orën 18. 00 Papa do të kryesojë me klerin, rregulltarët e anëtarët e lëvizjeve kishtare, liturgjinë e Lutjeve Mbrëmësore në katedralen e Pragës, kushtuar Shenjtorëve Vito, Vençeslau e Adalberti. Të dielën, më 27 shtator, Benedikti XVI do të shtegtojnë nga Praga, në Brno, kryeqendër e Moravisë, ku do të kryesojë, në aeroportin lokal, Meshën Shenjte e do të kremtojë edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot e prej nga do të riniset përsëri për Pragë, ku do të marrë pjesë në takimin ekumenik të pasdites, në Sallën e Fronit të kryeipeshkvnisë. Në përfundim, Papa do të bisedojë me përfaqësuesit e botës akademike çeke në Kështjellën e Pragës.

Ditën e fundit të qëndrimit në Republikën Çeke, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën në festën e Shën Vençeslaut, në Sheshin e rrugës Melnik të qytetit të lashtë Starà Boleslav, tejet i lidhur me kultin e Shën Vençeslaut, historia e të cilit nis që nga shekulli IX.

Pasi të kthehet në Pragë, për të drekuar me ipeshkvijtë e vendit, Papa do t’i japë lamutumirën çekëve nga nunciatura e kryeqytetit, për t’u nisur, rreth orës 17.45, në drejtim të Romës, ku pritet të arrijë dy orë më pas. Do të jetë i 13-ti shtegtim ndërkombëtar i Benediktit XVI, i cili do të ecë në gjurmët e Gjon Palit II, që e vizitoi tri herë Çekinë: më 1990, 1995 e 1997. Kanë kaluar 12 vjet që asokohe e tani Çekia përgatitet të presë Benediktin XVI.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi