Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ilaz Bobaj:KONSTANDINOS KAVAFIS

Shko poshtë

Ilaz Bobaj:KONSTANDINOS KAVAFIS Empty Ilaz Bobaj:KONSTANDINOS KAVAFIS

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 12, 2009 9:58 pm

KONSTANDINOS KAVAFIS







-CIKËL POETIK-

Përktheu nga origjinali:ILIAZ BOBAJ





NJË PLAK

-----------------

Në kafenenë e zhurmshme,tej në thellësi,

përkulur mbi tryezë,një plak i vjetër rri,

me një gazetë para,i vetëm fillikat.



Përbuzjen i ndjen të mjerës pleqëri,

mendon:sa pak gëzoi në rini,

kur kish forcë,fjalë,bukuri pa cak.



E di,u plak shumë,e shikon,e ndjen,

kohë e rinisë i duket e afërt si dje,

sa kohë e shkurtër,shkurtaqe kohë.



Mendon si e mashtronte dinakja Urtësi

dhe gjithnjë e besonte:-Eh,ç'marrëzi !

Gënjeshtarja i thosh:-Nesër ke shumë kohë.



Vrrullimet e hershme,mendimit i zënë vend,

sa gëzim flijoi,sa njohje të pamend,

çdo rast të humbur tani e tall,përqesh.



Nga mendimet e gjatë,kujtimet e pafund,

plaku u trallis,u lëshua në gjumë,

aty në kafene,mbështetur mbi tryezë.



MURET

-----------

Pa mendim,pa dhimbje,pa turp,

rreth meje ndërtuan mure të mëdhenj,të lartë.



Dhe rri tani e robëtohem këtu,

nuk mendoj tjetër,trurin ma bluan imi fat.



Meqë jashtë kisha për të bërë shumë gjëra,

kur ndërtuan muret,si nuk i pashë.



Por nuk dëgjova as zhurmë ndërtuesish,as zëra,

pa më përfillur,nga bota më lanë jashtë.



DHJETOR 1903

-------------------------

Nëse për dashurinë time nuk mund të flas,

nëse nuk mund të flas për flokët,buzët,sytë e tu,

fytyrën tënde e mbaj në shpirtin tim,

tingullin e zërit tënd e mbaj në tru,

ditët e shtatorit,që lindin në ëndrrat e mia,

ato fjalë dhe shprehje,që zgjerojnë dhe ngjyrosin,

çdo bisedë që bëj,çdo mendim që shfaq.



PREJ ORËS 9

---------------------

Dymbëdhjetë e gjysmë.Sa shpejt shkoi ora,

prej orës 9,kur ndeza llampën

dhe ndenja këtu.Ndenja pa lexuar

dhe pa folur.E me kë të flas,

fillikat mes katër mureve të kësaj shtëpie.



Shembëllimi i trupit tim të moshës së rinisë,

prej orës 9,kur ndeza llampën,

erdhi më mori dhe më kujtoi,

dhomat e mbyllura plot aromë

dhe kënaqësinë e shkuar,-ç'kënaqësi e guximshme !

Gjithashtu më solli para syve,

rrugë,që tashmë janë të shpërfytyruara,

vende plot gjallëri,që u shuan,

teatro dhe kafene,që ishin dikur.



Shembëllimi i trupit tim të moshës së rinisë,

erdhi dhe më solli edhe hidhërimet,

zinë e familjes,ndarjet,

ndjenjat e mia,ndjenjat,

që vdiqën dhe u nderuan aq pak.



Dymbëdhjetë e gjysmë.Sa shpejt ora vërtitet.

Dymbëdhjetë e gjysmë.Si shkuan vitet.



NË SPARTË

------------------

Nuk e dinte mbret Kleomeni,nuk guxonte,

një gjë të tillë nuk dinte si t'ia thosh

nënës së vet:Ptolemeu ngulmonte,

që për garancinë e marrëveshjes,të shkonte edhe ajo

në Egjipt dhe të përkujdesej

me përulësi,ashtu siç i takonte.

Dhe vinte shpesh për t'ia thënë dhe gjithnjë mëdyshej.

Gjithnjë nisej t'ia thosh dhe gjithnjë e linte në mes.



Po gruaja e mrekullueshme e kuptoi,

(ndërkohë diçka kish dëgjuar për këtë gjë)

dhe i dha guxim të shprehej.

Buzëqeshi dhe i tha se sigurisht që shkonte.

Bile gëzohej që mund të ishte,

në pleqërinë e saj,ende e vlefshme për Spartën.



Sa për përulësinë,-atë e shpërfillte,

Urtësi e Spartës,sigurisht nuk ishte i zoti,

të bëhej një Llajidh * i djeshëm

dhe sado që të këmbëngulte,nuk do të mundte kurrë,

të nëpërkëmbte një hyjni të Arkadisë

të bekuar si ajo.Nënë e mbretit të Spartës.



* Llajidhi-dinasti greke e Egjiptit,themeluar nga Ptolemeu i Parë,

i biri i Llagos (306-30).(shënimi im).



LUTJET

------------

Një marinar u mbyt në thellësi në det,

nënë e tij,paditur,merr rrugën,shkon e ndez.



Një qiri të madh përpara Shën Mërisë,

që shpejt të kthehet djali dhe të jetë kohë e mirë.



E mban veshin përpjetë,andej nga zhurmon era

dhe falet,mërmërit,me lutje të paprera.



Vëmendshëm e brengosur,sapo dëgjon një zë,

ndërsa djali,që pret,s'ka për t'u kthyer më.



DITË TË VITIT 1903

----------------------------

Nuk i fitova dot prapë,-ato që humba aq shpejt...

sytë poetikë,fytyrën

e zbehtë...në errësirën e rrugës...



Nuk i fitova dot prapë,-ato që më dha fati,

që i braktisa aq lehtë

e mandej i lakmova me aq zjarr.

Sytë poetikë,fytyrën e zbehtë,

ato buzë,nuk i fitova dot prapë.



HARRESË

----------------

Mbyllur brenda në lulëtari,

nën xhamari,lulet nuk dinë,

si është shkëlqimi diellor,

as si fryjnë flladet,kur shkojnë freskitë.



DY TË RINJ,23 DHE 24 VJEÇ

--------------------------------------------

Prej orës dhjetë e gjysmë ishte në kafene

dhe priste të kthehej nga çasti në çast.

Shkoi mesnatë-ai priste ende.

Shkoi një e gjysmë,kafeneja,

qe boshatisur pothuaj krejtësisht.

U mërzit duke lexuar gazetat

mekanikisht.Nga tri shilingat e vetme

i mbeti vetëm një:gjatë kohës që priste,

i harxhoi të tjerat me kafe dhe konjak.

Cigareve u dha fund.

E cfilitëte kjo pritje e gjatë.Sepse,

siç ishte i vetëm aq orë,filluan

ta pushtonin mendimet e trishtë

të jetës së tij të shthurrur.



Por sa pa mikun e tij të hynte-në çast,

lodhja,mërzia,mendimet,i i kën.



Miku i tij solli një lajm të papritur.

Kish fituar në letra gjashtëdhjetë lira.



Fytyrat e tyre të hijshme,rinia e tyre e bukur,

miqësia e ndjeshme,që kishin midis tyre,

u ripërtërit,u gjallërua,u forcua,

nga gjashtëdhjetë lirat e fituara në letra.



Dhe gjithë hare,ndjeshmëri,bukuri,

shkuan-jo në familjet e tyre të ndershme,

(po gjetkë,aty ku nuk i dëshironte më askush).



ODET DHE ELEGJIA E RRUGËVE

---------------------------------------------------

Hapat e kalimtarit të parë,

të të parit shitës,të gjallat kërcitje,

të hapjes së dritareve të para,

të portës së parë-janë odet lirike,

që kanë rrugët në agim.



Hapat e kalimtarit të fundit,

të të fundit shitës,e fundit zhurmërimë,

e mbylljes së portave dhe dritareve,

janë ofshama e elegjisë,

që kanë rrugët në mbrëmje.



NË HYRJE TË KAFENESË

-----------------------------------------

Vëmendjen time,për diçka që thanë pranë meje,

ma tërhoqi hyrja e kafenesë.

Dhe pashë një trup,që ngjante,

si i ndërtuar nga mjeshtëria e rrallë e Erosit-

duke i zgjeruar hareshëm pjesët e tij simetrike,

duke i lartësuar shtatin si statujë,

duke i zgjeruar me emocion fytyrën,

duke lënë nga prekja e duarve të tij,

një ndjenjë në ballë,në sy,në buzë.



ZËRAT

-----------

Zëra të arrirë,zëra të dashur,

të atyre që vdiqën ose të atyre,

që për ne janë të humbur si të vdekurit.



Dikur na flisnin nëpër ëndrra

dhe truri i dëgjonte në mendimin e vet.



Me tingullin e tyre na risjellin një çast,

zëra nga poezia e parë e jetës,

si një muzikë të largët nate,që shuhet.



SHTËPI ME KOPËSHT

----------------------------------

Do doja të kisha një shtëpi jashtë qytetit,

me një kopësht shumë të madh-jo aq

për lule,pemë e blerishte,

(sigurisht të jenë edhe ato është bukuri),

por të kem kafshë.Ah,të kem kafshë !

të paktën shtatë mace-dy pis të zeza

dhe dy të bardha si borë,për kontrast.

Një papagall të mësuar,që ta dëgjoj,

të thotë gjëra me peshë dhe bindje.

Qen,besoj se do më mjaftonin tre.

Do doja edhedy kuaj,(të mirë janë kuajt e vegjël).

Dhe veç tyre,tre,katër nga të vlefshmit,

nga ato kafshë simpatike,gomerët,

të rrinë ngathësisht dhe të kënaqen.



NË TRYEZËN PRANË

---------------------------------

Sapo do ketë mbushur njëzetedy vjeçe.

Por unë jam i bindur se dikur,

pothuajse të njëjtën moshë,të njëjtin trup shijova.



Nuk është aspak përndezje dashurie.

Vetëm para pak çastesh hyra në kazino

dhe nuk kisha as kohë për të pirë shumë.

Të njëjtin trup shijova.



Dhe nëse nuk më kujtohet se ku-një harresë e imja s'prish punë.



Ah,tani që u ul në tryezën pranë,

njoh çdo lëvizje që bën-dhe nën roba,

rishoh të zhveshur vendet e dëshiruar.



TRUP,SILL NDËRMEND

------------------------------------

Trup,sill ndërmend jo vetëm sa dashurove,

jo vetëm shtratet ku u shtrive,

por edhe dëshirat,që për ty,

shkëlqenin dukshëm mes syve të tu

dhe dridheshin brenda zërit-dhe ndonjë pengesë

e rastësishme nuk i la të realizoheshin.

Tani,që të gjitha i përkasin së shkuarës,

duket sikur edhe në dëshirat,

sikur u dhe-si shkëlqenin,

kujto si të shikonin në dritë të syrit,

si dridheshin mes zërit,pa kujtohu,trup !
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi