Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Beteja me fjalë

Shko poshtë

Beteja me fjalë Empty Beteja me fjalë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 18, 2009 6:27 pm

Beteja me fjalë




Beteja me fjalë Petrit_rrahmani_-_hashim_thaqi_interpelance-490x320




Parlamenti është shndërruar në një arenë përplasjesh të mëdha politike mes PDK’së dhe AAK’së, të premten. Deputeti i PDK’së, Gani Buçinca, akuzoi AAK’në se qëndron prapa veteranëve të luftës që sulmuan ndërtesën e Qeverisë. Për këtë, Ardian Gjini e quajti Buçincën “të pafytyrë”. Beteja me fjalë dhe akuza po vazhdon...

Nga Përparim Isufi

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë gjetur veten përsëri në pozicion beteje, të premte, një ditë pasi një grup protestuesish nga veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hodhën granata dore dhe koktej molotovi në oborrin e qeverisë së Kosovës.

Një ditë më parë, qeveria e Kosovës vlerësoi se sulmi i protestuesve kishte “motive politike”.

Në fakt, është hera e tretë që PDK shfaq aludimet e veta ndaj AAK’së në situata të tilla.

Herën e parë këtë e bëri në qershor të vitit të kaluar kur u sulmua shtëpia e Kryeministrit Hashim Thaçi në lagjen “Arbëria”.

Të dytën, muaj më parë kur u dyshua për një mjet shpërthyes në afërsi të objektit qeveritar në sheshin “Nënë Tereza”.

E djeshmja ka qenë më e drejtpërdrejtë dhe ka shkaktuar polemika të ashpra në sallën e Kuvendit të Kosovës ku deputetët ishin mbledhë të shqyrtonin pikat e rendit të ditës.

Deputeti i PDK’së, Gani Buçinca e akuzoi të premten AAK’në opozitare se qëndron prapa protestës së dhunshme të veteranëve dhe invalidëve të ish-UÇK’së. Madje ai kërkoi nga AAK që ta dënojë këtë “akt vandal, këtë dhunë... në vend që të shtrojë dolli dhe gosti për vandalistët, falangistët”.

Kjo ngjalli kundër-reagimin e Shefit të Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, i cili e quajti Buçincën “të pafytyrë” dhe kërkoi nga PDK dhe Kuvendi që të distancohen nga deklarata e tij.

Ky i fundit ka refuzuar të ofrojë ndonjë fakt që do ta precizonte akuzën për “dolli dhe gosti”, ndërsa lidhjet e sulmit me AAK’në i sheh nga një vrojtim i tij logjik.

“Sipas logjikës që unë e ndjek, AAK është parti e sherreve, parti e shantazhit, parti e presionit të pabazuar dhe të paargumentuar ndaj qeverisë. Bile Lideri i saj dëshiron të përfitojë nga fatkeqësia e të tjerëve. Ai nuk ka mësuar as nga fatkeqësia e tij personale”, ka thënë ai, pas seancës.

Deklarata e tij në Kuvend është kaluar në heshtje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Ramë Buja thotë se komentet e Buçincës janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e deputetëve të kësaj partie.

“Preka sustën për të reaguar, për të thënë se ky nuk është qëndrim i PDK’së”, ka thënë Buja.

I pyetur pas seancës nëse do t’i kërkohet Gani Buçincës ta tërheqë fjalën, ai e ka quajtur këtë si “të vonshme”.

“Tash iku ajo. Ka qenë dashur të detyrohet ta tërheqë fjalën aty për aty. Tashmë kjo është e kaluar dhe ai mund ta tërheqë fjalën në rrethana tjera”, është shprehur Buja.

Ardian Gjini, Shef i Grupit Parlamentar të AAK’së, thotë se kjo parti është e indinjuar me fjalimin e Buçincës.

“Ky deputet nuk e ka asnjë fije nderi në fytyrën e vet”, u shpreh Gjini, i cili fajësoi Kryeministrin Hashim Thaçi, se qëndron prapa deputetit të tij.

“Kryeministri Thaçi, përmes poltronëve të vet që i dirigjon me SMS e nxit fjalorin e dhunës në Kosovë pa asnjë nevojë përveç se për ta kënaqë egon e vet dhe për ta rregulluar frustrimin e vet të brendshëm, e përmend AAK’në në një kontekst totalisht të panevojshëm i cili nuk i bën shërbim dhe nder vendit”, u shpreh Ardian Gjini.

Ai ka mohuar çdo mundësi që partia e tij të ketë lidhje me atë që ndodhi të enjten para ndërtesës së qeverisë dhe për ato që Gani Buçinca thotë se kanë ndodhur në mbrëmjen e së enjtes.

“Strukturat e AAK’së nuk kanë kohë të festojnë sepse jemi në punë. Me qindra herë e kemi dëshmuar, në rastet më të zorshme, se jemi këtu për t’i mbrojtur institucionet e vendit”, ka thënë Gjini.

Sipas analistit Mufail Limani, skenat e fundit të akuzave mund ta tensionojnë situatën politike në Kosovë, pasi që koha e zgjedhjeve po afrohet.

Në një situatë të tillë, Limani shprehet se opinioni i gjerë në Kosovë duhet të qëndrojë anash garës politike në Kosovë ndërmjet Thaçit e Haradinajt, të stilit “kush është më i forti”.

“Unë besoj se publiku kosovar do të jetë aq i mençur sa që do të largohet plotësisht nga këta dy protagonistë që kohëve të fundit i kanë sjellë skenës politike demonizim, gjuhë të dhunës, gjuhë të urrejtjes dhe shkëputje të komunikimit politik”, thotë ai.

Por për analistin kosovar, situatat e krijuara në skenën politike kosovare duken të çuditshme për faktin se muskujt politikë po ia tregojnë njëra tjetrës dy parti të dala nga lufta (PDK e AAK) dhe dy tjera që kanë prezantuar profilin paqësor (LDK e LDD).

“Në të dy rastet bëhet fjalë për parti simotra, për parti që përngjajnë si veza-vezës dhe nuk ka asnjë dallim real konceptual ose filozofik-politik. I tërë problemi edhe në konfliktin LDK-LDD edhe në atë PDK-AAK është kryekëput i rrafshit personal dhe pse jo i rrafshit të kontrollit të bizneseve të ndryshme”, thotë Mufail Limani.


Buçinca kundër gazetarëve
Kur është lutur ta sqarojë deklaratën e tij dhënë brenda në seancë, deputeti Buçinca është marrë më shumë me gazetarët se me fjalët e tij.
Ai i ka porositur gazetarët që ta luajnë rolin e tyre “e jo të prokurorit as të hetuesit”.
Madje nuk ka përtuar ta hapë edhe një front tjetër akuzash. “Komentet ua lë juve (gazetarëve) kurse për çështje tjera ka organe më kompetente se ju gazetarët të cilët në shumicën e rasteve jeni të instrumentalizuar dhe bëni vetë politikë, jeni instrumente të politikës”, është shprehur ai.
Nëse u besohet fjalëve të Buçincës, puna e politikanit me karrige deputeti është që të flasë pa u bazuar në fakte. Për të e rëndësishme është që opinioni t’i konsumojë ato që një politikan thotë.
“Kur të bëheni politikanë, mund të flisni si unë. Kurse ju duhet të flisni me gjuhën e argumenteve. Në mungesë të argumenteve ju bëni politikë. Unë jam politikan dhe nga ky pozicion kam bërë një deklaratë”, ka thënë Gani Buçinca.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi