Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shpend Ahmeti:Sa t'kam borxh?

Shko poshtë

Shpend Ahmeti:Sa t'kam borxh? Empty Shpend Ahmeti:Sa t'kam borxh?

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jul 31, 2009 1:00 pm

31.07.2009
nga Shpend Ahmeti
Kosova ka pranuar borxhin pa marrë asnjë cent nga pasuritë. Mirëpo, ka një fitore. Serbia në mënyrë të qetë ka pranuar që Kosova ta marrë borxhin, që është një mënyrë indirekte e pranimit të një realiteti të ri nga ana e saj.


Më 28 shkurt të vitit 2008, në Qeverinë e Serbisë u zhvillua një debat i ashpër. Dhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ministri i Ekonomisë i Serbisë, Mladjan Dinkic, kishte kërkuar që Serbia ta ndalë pagesën e borxhit që i takon Kosovës ndaj institucioneve të ndryshme kredituese, për ta lehtësuar buxhetin e Serbisë nga një barrë e konsiderueshme. Racionalizimi i Dinkicit kishte qenë që ekonomia nuk duhet të përzihet me politikën dhe se është budallallëk që Serbia të vazhdojë ta paguajë borxhin e Kosovës. Në këtë polemikë ai kishte marrë një replikë të ashpër nga Kryeministri i atëhershëm Vojislav Kostunica, se heqja dorë nga borxhi për Serbinë do të nënkuptonte pranimin e shtetit të Kosovës. Në javët në vijim, Kostunica kishte marrë përkrahje nga spektri i gjerë politik në Serbi, se kjo gjë nuk guxon të ndodhë.

Borxhi i Kosovës ishte edhe një ndër temat kryesore të diskutimit gjatë negociatave në Vjenë. Në to, qëndrimi i anës serbe kishte qenë që kalimi i borxhit të ndodhë, mirëpo jo me çmimin e pavarësisë së Kosovës. Këtu, besa edhe Tadici kishte anuar me Kostunicën, e jo me Dinkicin. Mund të përfundojmë që me përjashtim të Dinkicit dhe Djelicit (zëvendëskryeministrit serb), i gjithë spektri politik në Serbi ishte kategorik që Serbia do të duhej të vazhdonte ta paguante borxhin e Kosovës, sepse me këtë po e mbronte integritetin e Serbisë mbi Kosovën, së paku para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.

Të kujtojmë se ky borxh është i ndarë në tri pjesë - njëra është borxhi ndaj Bankës Botërore, një pjesë ndaj Klubit të Parisit dhe një pjesë ndaj Klubit të Londrës. Deri më tani, pjesa më e qartë e gjithë kësaj ishte borxhi ndaj Bankës Botërore. Serbia insistonte në Vjenë që edhe pjesët tjera ishin të qarta dhe se pjesa e Kosovës është më e madhe se një miliard euro. Pjesa ndaj Bankës Botërore ishte diskutuar shumë gjatë në vitin 2002, në mes Serbisë dhe Bankës Botërore, pas fitores “demokratike” në Serbi. Atëbotë, Serbia kishte rinegociuar tërë borxhin e vetë, ndërsa projektet e kredive në Kosovë i kishte ndarë në një kredi të posaçme, të quajtur "Consolidation Loan C" (Kredia e Konsolidimit C). Kjo kredi kapte shumën 421 milionë euro. Që nga viti 2002, Serbia ka paguar kamatën e këtij borxhi, ndërsa në mars të këtij viti për herë të parë ka paguar një pjesë të pjesës kryesore të kredisë (principalit).

Gjatë gjithë negociatave në Vjenë, Serbia kishte insistuar që Kosova t'ia kthejë Serbisë edhe borxhin që ajo kishte paguar nga viti 2002. Kosova kishte insistuar që përveç borxhit të diskutohen edhe pasuritë e Jugosllavisë, e që i binte se Kosova do të merrte 5 për qind të pasurive të RFJ-së. Po ashtu, ekipi negociator i Kosovës vazhdimisht theksonte se Kosova nuk do ta marrë borxhin pa i marrë edhe pasuritë, pa i diskutuar pensionet, pa i diskutuar dëmet e luftës, etj. etj. Kosova e ka përgjegjësinë morale që ta paguajë borxhin për kreditë që janë marrë për projekte kosovare, frytet e të cilave i gëzojmë edhe sot, por edhe më e madhe është e drejta jonë morale për të kërkuar më shumë nga marrëveshja jonë finale me Serbinë, e që janë pasuritë, depozitat e ngrira të qytetarëve të Kosovës në banka, e shumë e shumë gjëra të tjera.

Ekipi negociator kosovar pohoi se kishte arritur sukses në prezantimin e argumenteve për të gjitha kërkesat e Kosovës. Megjithatë, në fund, vetëm borxhi u paraqit në dokumentin përfundimtar të Ahtisaarit, i cili tashmë është në Kushtetutën tonë. Sipas pakos së Ahtisaarit, Kosova do t'i merrte përsipër borxhet pas diskutimeve me Beogradin, por në qoftë se nuk do të arrihej një zgjidhje pas 6 muajsh, një arbitër ndërkombëtar do ta caktonte shumën e borxhit që Kosova do të merrte përsipër. Kjo nuk ndodhi.
Në qershor të këtij viti, Kosova u anëtarësua në Bankën Botërore. Pa mëdyshje, një sukses diplomatik i Kosovës dhe aleatëve të saj e bëri Kosovën anëtare të institucioneve të njohura ndërkombëtare, pa hyrë në diskutimet etike dhe profesionale mbi punën e këtyre dy institucioneve. Në mënyrë publike, Presidenti dhe Kryeministri e nënshkruan anëtarësimin pas muajve të tërë të reklamimit se po bëhemi anëtarë.

Në anën tjetër, në një mënyrë shumë më të qetë u bë kalimi i borxhit nga Serbia te Kosova. Që nga dita e anëtarësimit, Kosova në mënyrë vullnetare e ka marrë përsipër pagesën e borxhit ndaj Bankës Botërore. Kuvendi i Kosovës para disa ditësh ratifikoi këtë borxh, kurse me 15 shtator të këtij viti ne do ta paguajmë këstin e parë të kredisë ndaj Bankës Botërore.

Kosova as që pati mundësinë të rinegociojë pjesë të vogla të kredisë. Për mosturpërimin e Serbisë ishte vendosur që ajo të mos merrte fare pjesë në kalimin e borxhit. Sipas Bankës Botërore, një shtet mund ta marrë vullnetarisht pjesën e borxhit të një shteti tjetër, pa pëlqimin e atij shteti, prandaj nuk kishte nevojë për pëlqimin e Serbisë. Serbia u lirua nga përgjegjësia e këtij borxhi. Në Serbi, qetësi e madhe. Nuk ka reagim të Kostunices, Tadicit, apo të tjerëve. Sipas argumentimit të tyre gjatë vitit të kaluar, me përjashtim të Dinkicit dhe Djelicit, kjo paraqet pranim indirekt të pavarësisë së Kosovës.

Sipas Qeverisë së Kosovës, sipas Kryeministrit të Kosovës, sipas Presidentit të Kosovës, sipas Ministrit të Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës dhe sipas liderëve të opozitës në Kosovë – asgjë!

Ndoshta ka edhe marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë që kjo çështje mos të diskutohet.

Ky kalim i borxhit ka shumë anë negative. Buxheti i Kosovës është rënduar. Të gjitha pohimet e ekipit negociator se Kosova nuk merr borxhe pa marrë pasuri ranë në ujë. Kosova ka pranuar borxhin pa marrë asnjë cent nga pasuritë. Mirëpo, ka një fitore. Serbia në mënyrë të qetë ka pranuar që Kosova ta marrë borxhin, që është një mënyrë indirekte e pranimit të një realiteti të ri nga ana e saj. Kjo nuk është përdorur fare nga institucionet tona në deklaratat publike. Shpresoj që së paku në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të përdoret si argument. Përndryshe, mënyra e kalimit të borxhit pa diskutime dhe pa shpjegime është vetëm edhe një disfatë për demokracinë dhe qytetarin e Kosovës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi