Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Memorandumi i Ramushit

Shko poshtë

Memorandumi i Ramushit Empty Memorandumi i Ramushit

Mesazh nga Agim Gashi Wed Aug 12, 2009 3:10 pm

11.08.2009
nga Shkelzen Maliqi
Duke qenë vazhdimisht në kërkim të zgjerimit të ndikimit dhe të bazës së votuesve, Ramushi ka kuptuar se ylli i Berishës në Kosovë ka arritur kulminacion, dhe prandaj edhe ka kërkuar këtë memorandum motërzues, që ...

... në opinionin kosovar po krijon përshtypjen se Berisha në konkurrencën e liderëve kosovarë, ia dha bekimin Ramushit, dhe jo Hashimit.

----

Pushimet verore jo vetëm që kanë ndikuar në zvogëlimin e aktiviteteve, por kanë krijuar edhe një lloj amullie në skenën politike të Kosovës. Kjo është e kuptueshme, pasi që një pjesë bukur e madhe e kosovarëve në kulmin e sezonit turistik ka lëvizur nga bregdeti, kryesisht në rivierën shqiptare dhe të Malit të Zi. Kjo ka ndikuar që edhe aktivitetet parazgjedhore të mbeten disi përgjysmë dhe pa zhurmën e zakonshme mediatike.

Por, këto ditë ndodhi një përjashtim, që paralajmëron dinamizimin dhe tensionimin e fushatës parazgjedhore. Ndër ata qindra mijëra turistë që kanë shijuar të entuziazmuar rrugën e re Morinë-Durrës, njëri ka udhëtuar me ambiciet më të mëdha që të kapitalizojë në favor të vetin disponimin pothuajse absolutisht pro Sali Berisha që është krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të qershorit në Shqipëri. Është ky Ramush Haradinaj, i cili po punon me ngulm për rritjen e ndikimit të AAK-së. Nga takimi i dytë me Sali Berishën, që e ka realizuar brenda muajit të kaluar, Ramushi është kthyer me një memorandum të bashkëpunimit mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe AAK-së, memorandum ky i cili krijon një precedentë të jashtëzakonshëm në raportet mes partive politike shqiptare. Rëndësia e këtij memorandumi nuk është në atë çka përmban kjo marrëveshje, zotimet formale se do të thellohen kontaktet dhe format e bashkëpunimit mes PD dhe AAK, por në ndërtimin e një konteksti krejt të ri të aleancave politike në hapësirën mbarëshqiptare, që është e mbushur me potenciale premtuese të rikonfigurimit të raporteve dhe bashkëdyzimit në profilizimin e partive. Në memorandumin përmendet se bashkëpunimi vendoset mes forcave politike që vetëdeklarohen se janë me orientim të qendrës së djathtë në spektrin politik.

Është gjë krejtësisht normale bashkëpunimi i partive të spektrit të njëjtë në botën shqiptare, dhe ky ka ekzistuar edhe më herët, por memorandumi në fjalë për herë të parë këtë e ka bërë në mënyrë krejt transparente dhe në një situatë kur në Shqipëri, sikundër edhe në Kosovë, ka filluar profilizimi më i qartë ideologjik i blloqeve politike. Në Shqipëri kjo ndarje është bërë krejtësisht e qartë falë koalicioneve të mëdha të së djathtës dhe të së majtës, që i ka imponuar sistemi i ri zgjedhor, ku vetëm LSI-ja e Ilir Metës ka mbetur faktor i tretë, me orientim majtë, por e detyruar që të bëjë koalicionin qeveritar të PD-së dhe të djathtës, e cila fitoi zgjedhjet e 28 qershorit. Në Kosovë kjo ndarje është më e kushtëzuar, dhe zakonisht LDK-ja e Ibrahim Rugovës është konsideruar forcë e djathtë, simotër ideologjike e PD-së, ndërkaq që PDK-ja e Hashim Thaçit ideologjikisht ka qenë gjithnjë më afër me Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Memorandumi i Berishës dhe Haradinajt vendos një raport të ri në motërzimet ideologjike, ku ky i dyti depërton mjaft zëshëm në pozitën që deri vonë i ka takuar LDK-së, por që ka mbet pezull prej kohësh për shkak se lideri historik i LDK-s, Ibrahim Rugova, që nga viti 1996 i pat prishur raportet personale me Berishën, dhe kjo edhe më vonë ka ndikuar që dy partitë të mos kenë raporte më të avancuara.

LDK-ja, pas vdekjes së Rugovës, nuk ka krijuar lidership me vizione dhe nuk ka arritur që të bëjë depërtim në motërzimin me PD-në, dhe këtë zbrazëti e ka shfrytëzuar tash Ramush Haradinaj me mjeshtëri, duke e bërë një kthesë ideologjike nga e djathta, pra motërzimin e AAK-së me PD-në. Duke qenë vazhdimisht në kërkim të zgjerimit të ndikimit dhe të bazës së votuesve, Ramushi ka kuptuar se ylli i Berishës në Kosovë ka arritur kulminacion (nëse Berisha do të kandidonte në Kosovë do të fitonte bindshëm mbase 90 të votave!), dhe prandaj edhe ka kërkuar këtë memorandum motërzues, që në opinionin kosovar po krijon përshtypjen se Berisha në konkurrencën e liderëve kosovarë, ia dha bekimin Ramushit, dhe jo Hashimit.

Në këtë kontekst të përkrahjes dhe bekimit nuk duhet harruar se si shkuan raportet e Sali Berishës me Hashim Thaçin në qershor të këtij vitit, ku në hapjen e tunelit të Kalimashit ky i dyti ishte prezentë dhe mbajti fjalimin historik përballë Berishës, por disa ditë më vonë e “prishi” imazhin dhe mbase edhe e zemëroi Berishën, duke u takuar me Edi Ramën në Prizren, gjë që u kuptua si qëndrim balancues i Kryeministrit të Kosovës në garën elektorale që po zhvillohej në Shqipëri. Si pasojë, kur Berisha disa ditë para zgjedhjeve inauguroi rrugën Durrës-Morinë, nuk e ftoi fare Kryeministrin e Kosovës në këtë ngjarje, dhe kjo mungesë mbeti e pasqaruar për opinionin.

Ky acarim i heshtur mes Berishës dhe Thaçit i dha shansin Haradinajt për t’u futur në aleancë ideologjike me PD-në, me çka synon ngritjen e rejtingut ndër votuesit kosovarë, sidomos në ato shtresa rugoviste dhe djathtiste që kanë mbetur të hutuara pas çarjes së madhe në LDK dhe që në ndërkohë janë bërë abstinentë, ose kanë votuar partitë që nuk i kanë plotësuar pritjet e tyre (LDD, AKR e ndonjë subjekt tjetër).

Kuptohet, në këtë moment nuk mund të vlerësohet se sa do të mund të rritet ndikimi i Ramushit, sepse edhe PDK-ja dhe subjektet tjera, duke përfshirë edhe LDK-në, nuk do të rinë duarkryq kur të ndezët me tërë intensitetin fushata dhe konkurrenca parazgjedhore.

Edhe Hashim Thaçi e ka agjendën dhe strategjinë e vet, si p. sh ato darka gjigante që ua dha arsimtarëve të Kosovës gjatë qershorit, duke synuar që ta bëjë për vete këtë shtresë të rëndësishme të shërbimit publik dhe intelektuale, e cila konsiderohet se ka qenë bastion i rugovizmit dhe LDK-së.

Megjithatë, beteja kryesore mes Hashimit dhe Ramushit nuk do të zhvillohet në zgjedhjet e nëntorit, por në zgjedhjet e përgjithshme më 2011.

Nëntori mund të jetë vetëm një uvertyrë paralajmëruese për ndeshjen e madhe.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi